TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Paketa Fiskale 2023 synon rritjen e miradministrimit të të ardhurave, përafrimin e legjislacionit me BE dhe luftën kundër informalitetit [Ministria e Financave].

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financave projektligjet e Paketës Fiskale të vitit 2023, të cilat shoqërojnë projektbuxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.

Ministrja u shpreh se Paketa Fiskale 2023 synon të rrisë miradministrimin e të ardhurave dhe të përafrojë legjislacionin tatimor me direktivat e Bashkimit Europian, ashtu si edhe të reflektojë disa korrektime në ligjet aktuale, sipas rekomandimeve të FMN dhe diskutimeve me grupet e interesit.

Më konkretisht, parashikohen ndërhyrje dhe rregullime në disa ligje që zbatohen aktualisht, por edhe propozime për projektligje të reja, si:

  • Projektligji i ri “Për Tatimi mbi të Ardhurat”;
  • Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”;
  • Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”;
  • Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920/2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.

Lidhur me ndryshimet e propozuara në ligjin për Procedurat Tatimore, Ministrja theksoi faktin se ato janë bërë duke marrë në konsideratë edhe zërin e qytetarëve përmes Këshillimit Kombëtar.

“Na është dashur të bëjmë një ndërhyrje për ashpërsimin e masave për rastet kur evidentohen mos deklarime punonjësish, fshehje e pagave apo edhe mos deklarim të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Nga ana tjetër kemi parashikuar ashpërsim të penaliteteve për rastet e mos shoqërimit të mallrave me faturë, por kjo vetëm për rastet e biznesit të madh sepse kjo lë hapësira për evazion. Është detyra jonë të reduktojmë sa më shumë këto dukuri dhe të luftojmë pa kompromis informalitetin në ekonomi”,

tha Ministrja.

Fjala në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat – Prezantimi i Paketës Fiskale 2023

“…

I nderuar Kryetar i Komisionit

Të nderuar anëtarë,

Vijmë sot përpara jush për të prezantuar projektligjet e Paketës Fiskale të vitit 2023, të miratuar tashmë në Këshillin e Ministrave dhe që shoqërojnë projektbuxhetin.

Përmes këtij dokumenti të rëndësishëm ne kemi konfirmuar angazhimin e qeverisë shqiptare për të rritur miradministrimin e të ardhurave, për ta përafruar legjislacionin tatimor me direktivat e Bashkimit Europian, por edhe për të reflektuar disa korrektime në ligjet aktuale, sipas rekomandimeve të lëna nga FMN dhe nga diskutimet që kemi pasur me grupet e interesit.

Paketa Fiskale 2023 parashikon ndërhyrje dhe rregullime në disa ligje që zbatohen aktualisht, por edhe propozime për projektligje të reja dhe më konkretisht:

  • Projektligji i ri “Për Tatimi mbi të Ardhurat”;
  • Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”;
  • Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”;
  • Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920/2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.

Janë këto ndërhyrje që prekin jo vetëm disa politika, por edhe masa administrative për të mbështetur zbatimin me më shumë efikasitet nga ana e strukturave përgjegjëse, tatimore dhe doganore.

Më duhet të theksoj se nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje të forta apo prekje të forta në legjislacionet përkatëse, por me ndryshime që pritet të kenë një ndikim të rëndësishëm për ata tatimpagues, që do të jenë subjekt i zbatimit të tyre.

Ka pasur debate të forta mediatike, në lidhje me disa propozime që ne kemi parashikuar në ligjin për Procedurat Tatimore, për një qasje më të fortë ndëshkuese ndaj biznesit, në lidhje me ashpërsimin e penaliteteve.

Ne i kemi bërë këto propozime, duke marrë në konsideratë edhe zërin e qytetarëve, të cilët në masë të madhe janë shprehur përmes Konsultimit Kombëtar, të bërë disa muaj më parë.

Kjo qasje ka të bëjë në mënyrë eksplicite me masat që kryesisht lidhen me luftën kundër informalitetit në tregun e punës, ku konstatohen raste të të punësuarve janë të disavantazhuar krahas punëdhënësve sa i përket zbatimit të kontratave të punës. Na është dashur të bëjmë një ndërhyrje për ashpërsimin e masave për tastet kur evidentohen mosdeklarime punonjësish, fshehje e pagave apo edhe mosdeklarim të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Nga ana tjetër kemi parashikuar ashpërsim të penaliteteve për rastet e mosshoqërimit të mallrave me faturë, por kjo vetëm për rastet e biznesit të madh sepse kjo lë hapësira për evazion dhe detyra jonë është të reduktojmë sa më shumë këto dukuri që të luftojmë pa kompromis informalitetin në ekonomi.

Unë dua të theksoj se informaliteti në ekonomi ka qenë dhe mbetet një plagë qoftë në zbatim të një konkurrencë të lirë, qoftë dhe në zbatim të ndëshkimit që personat punëmarrës marrin në vitet në vijim për mos marrjen e pensioneve të tyre në kohë. Pra, është e rëndësishme që ne të rrisim këto penalitete, me qëllim që të vëmë të drejtën në vend, të cilat kanë synim parandalues për efektet e evazionit, për efektet që do të ishin të mëdha në xhepat e punëmarrësve në momentin e daljes në pension.

Krahas këtyre objektivave, prioritet i punës sonë është që korrektimet ligjore t’i shohim më shumë në fokus në kuadër të miradministrimit të të ardhurave.

Janë disa incentiva lehtësuese që ne po ndërmarrim dhe që duhet të marrin rëndësi dhe vëmendje edhe në kontekstin e situatës ekonomike që po kalojmë, por edhe në linjë me proceset integruese.

Më lejoni të përmend këtu ndryshimet në akcizën e birrës, përjashtimin nga TVSH-ja të projekteve për fondet IPA, përjashtimin nga TVSH-ja për atë çka do të trajtohet nëpërmjet bursës së energjisë e cila shumë shpejt brenda këtij viti do të fillojë të funksionojë.

Apo edhe përjashtimin e druve të zjarrit dhe paletave në import, po ashtu edhe në tregun e brendshëm, si një masë ndihmëse për qytetarët në kushtet kur po përpiqemi të mbajmë të pandryshuar çmimet e energjisë dhe të subvencionojmë qytetarët dhe bizneset e vogla.

Si Ministri e Financave dhe Ekonomisë, vlerësojmë shumë të rëndësishëm dialogun me biznesin, ndaj dhe në hartimin e kësaj Pakete kemi marrë në konsideratë propozime që kanë ardhur nga grupet e interesit apo propozime që janë rrëzuar nga grupet e interesit.

Që në fillim të këtij viti kemi nisur një proces konsultimesh me biznesin, nga i cili kemi grumbulluar më shumë se 188 kërkesa apo shqetësime, të cilat në masën 70% janë zgjidhur. Një pjesë e kërkesave të tjera pritet të adresohen edhe përmes projektligjit të ri për Tatimin mbi të Ardhurat. Pra, gjithmonë jemi përpjekur që të marrim në konsideratë edhe kërkesat e biznesit dhe të korrektojmë ato politika fiskale që nuk kanë dhënë rezultatet që ne prisnim.

Përpara sesa të vijoj me propozimet e detajuara në lidhje me këto ndryshime ligjore, më lejoni të bëj një përmbledhje të shkurtër mbi parashikimet tona në lidhje me të ardhurat, në kuadër edhe të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave për Buxhetin, si dhe të bashkëpunimit të frytshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Parashikimi ynë është grumbullimi në buxhet i të ardhurave totale në një shumë prej 631.7 miliardë lekësh, nga të cilat të ardhurat tatimore në vlerën 587.8 miliardë lekë. Brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat janë 431.2 miliardë lekë dhe 126.5 miliardë lekë nga kontributet.

Në krahasim me të pritshmin e vitit 2022, të ardhurat tatimore gjithsej të buxhetit të shtetit parashikohen të rriten me 7.7%, ndërsa të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen me një rritje me 8%, ose +42.2 miliardë lekë.

Bazuar në projeksionet e të ardhurave të vitit 2023, totali i të ardhurave të buxhetit shkon në 28.8% të PBB-së nga 28.2% në vitin 2022, pra një rritje 0.6% e PBB-së. Ndërkohë, të ardhurat tatimore për vitin 2023 parashikohen të zënë 27% të PBB-së nga 26.4% që parashikohen për vitin 2022.

Konsolidimi i financave publike, rritja e të ardhurave të buxhetit të shtetit, dhe ulja graduale e dificitit buxhetor vazhdojnë të jenë objektivat kryesorë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Më lejoni t’ju prezantoj në mënyrë më të detajuar ndryshimet ligjore të parashikuara:

Projektligji i ri “Për Tatimi mbi të Ardhurat”

Projektligji i ri i cili ka synuar përmirësimin e sistemit të taksimit të individëve dhe entiteteve ligjore në Shqipëri, forcimin e parimit të neutralitetit në sistemin tatimor shqiptar, përafrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri, me parimet e Direktivave të BE-së në lidhje me tatimin e të ardhurave dhe kapitalit, adresimin e mangësive dhe boshllëqeve legjislative të konstatuara gjatë periudhës 22 vjeçare të aplikimit të ligjit ekzistues duke synuar dizenjimin e një sistemi tatimi më të drejtë dhe stimulues, më të ndershëm dhe të gjithë pranuar.

Lexo edhe (Draft) Udhëzim i përgjithshëm Për Tatimin mbi të ardhurat.

Në kuadrin e këtij ligji kemi ndryshimet më të rëndësishme dhe efektet janë si më poshtë:

– Rritja e kufirit të patatueshën të pagës nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë do reduktojë të ardhurat në buxhet për rreth 1 deri 1,2 miliard në vit, por ndërkohë do rrisë të ardhurat e punëmarrësve me paga deri në 50 mijë lekë në muaj, me të njëjtën shumë, çka do të thotë më shumë para në buxhetet e familjeve shqiptare dhe më shumë konsum në ekonominë tonë. Nga kjo masë përfitojnë mbi 70 mijë punëmarrës të cilët janë në grupin e pagave nga 40 në 50 mijë lekë në muaj.

– Futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira, si një masë që synon të kufizojë shmangien e tatimit nëpërmjet kalimit të individëve nga statusi i të punësuarit ku paguan tatim, në statusin e të vetëpunësuarit pa tatim. Kjo masë vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me mbi 2 miliard lekë në vit.

– Ruajtja e tatimit 0% deri në vitin 2029 për biznesin e vogël familjar që është burim punësimi në tregti, artizanat, prodhim, shërbime, prodhime dhe transport etj.

Është e rëndësishme të theksojmë se projektligji i ri i Tatimit mbi të Ardhurat do të vazhdojë të mbajë politikën tonë të tatimit mbi fitimin 0 për të gjithë biznesin që qarkullon një shumë deri në 14 milionë lekë, me përjashtim të atyre që ushtrojnë aktivitete të profesioneve të lira.

Për kompanitë Projektligji parashikon një sërë ndryshimesh të tilla si:

Zgjatja e periudhës së mbartjes së humbjeve nga 3 vjet në 5 vjet;

Thjeshtimin dhe lehtësimin e shpenzimeve afatgjata nëpërmjet amortizimit linear individual të grupeve makineri/pajisje dhe soft/hardware;

Njehsimin e rregullave të taksimit për kontratat afatgjata, për riorganizimet e biznesit dhe transferimin e aktiveve të tij;

Vendosjen e rregullave transparente në lidhje me borxhin e keq si dhe të rregullave të gjithëpranuara në lidhje me alokimin dhe kufijtë e interesave të kredidhënies.

Ky projektligj ka shumë risi të tjera të cilat do të diskutohen gjatë këtij muaji. Megjithatë, unë ju përmenda ato masa që do të hyjnë në fuqi në vitin 2023. Është e rëndësishme që ky projektligj që prej 22 vitesh nuk ka ndryshuar të hyjë në fuqi me faza dhe me kujdes me qëllim që ti lihet kohë të gjithë tatimpaguesve të informohen mbi ndryshimet e projektligjit dhe ta zbatojnë atë me rigorozitet.

Kjo është dhe arsyeja pse gjatë vitit 2023, MFE, me miratimin e  këtij ligji dhe të akteve nënligjore që shoqërojnë atë, të cilat do të publikohen për konsultim publik nga java e ardhshme, ne do të angazhohemi në një fushatë komunikimi gjithëpërfshirëse sa i takon individëve për përfitimet që ky ligj sjell për ta, por edhe tatimpaguesve për përfitimet dhe risitë që ky ligj sjell për ta, të cilat janë të shumta.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”;

Ky ligj në fakt ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e prezencës se Bashkimit Europian në Shqipëri, për të ndryshuar skemën e TVSH-se që lidhet me grantet nga skemë më TVSH e cila përballohet nga përfituesit vendas të projekteve në skemë përjashtuese, model të cilin e aplikojnë edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Maqedonia e Veriut etj. Në këtë kuadër, në projektligj është parashikuar trajtimi i importeve dhe furnizimeve brenda vendit të mallrave/shërbimeve, të destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshje donacioni/granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave/Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, si furnizime të përngjashme me eksportet, pra më TVSH zero.

Në këtë mënyrë, përfituesit e projekteve me këto grant-e, nuk do të duhet të planifikojnë kosto lokale të TVSH-së. Efekti është neutral, pasi kosto lokale e TVSH-së përgjithësisht përballohej nga buxheti i shtetit apo ai lokal sipas rastit.

Në fund të këtij viti parashikohet të fillojë operimi i Bursës Shqiptare për tregtimin e energjisë elektrike.

Për këtë arsye është e nevojshme që të zbatohet një skemë e veçantë e TVSH-së, duke përjashtuar nga TVSH-ja në import apo furnizimi brenda vendit të energjisë elektrike të destinuar për t’u shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë, si dhe kalimin e përgjegjësisë për pagesën e TVSH-së, personit të tatueshëm për të cilin kryhet furnizimi me energji elektrike nëpërmjet mekanizmit të revers charge (autongarkesës). Ndërkohë që, trajtimi tatimor për tregtimin e energjisë elektrike jashtë bursës do vazhdojë sipas skemës ekzistuese.

Në projektligj është parashikuar gjithashtu përjashtimi nga TVSH-ja në import dhe në furnizimet brenda vendit i druve të zjarrit, paletave për ngrohje etj. për periudhën 1 Janar – 31 Dhjetor 2023, si një masë për zbutjen e efekteve të situatës energjetike çmimeve të larta të produkteve energjetike.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”:

Ndryshimet në akcizë synojnë realizimin e detyrimeve në procesin e përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me atë të BE-së dhe transpozimin e Direktivave përkatëse, në rastin konkret të Direktivës së tatimeve indirekte mbi akcizat dhe janë dizenjuar ndryshimet dhe efektet e mëposhtme:

Heqja e akcizës për akumulatorët e automjeteve elektrike me efekt -50 milion lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të zbatimit të strategjisë për kursimin e energjisë si dhe subvencionimit të çmimit të paneleve diellore, ka propozuar heqjen e akcizës për akumulatorët e paneleve diellore dhe baterive për makinat me motor elektrik. Me hyrjen në përdorim të makinave me motor elektrik, është e nevojshme të rishikohet akciza për bateritë e tyre, ndërkohë që e gjithë makina me motor elektrik jo vetëm që nuk ka akcizë, por ka edhe 0% TVSH në momentin e importit.

Politikat e stimulimit për përdorimin e makinave me motor elektrik janë prezentë në të gjithë Europën, si pjesë e politikave të mbrojtjes së mjedisit. Ndërkohë, në kuadrin e masave për garantimin e energjisë, ka kuptim edhe heqja e akcizës për akumulatorët e paneleve diellore.

Ndryshime në akcizën e birrës që konsistojnë në unifikimin e saj për kategoritë e prodhuesve industrial, bazuar në Direktivën “COUNCIL DIRECTIVE 92/83/EEC of 19 October 1992, për harmonizimin e strukturave të akcizës dhe për alkoolin dhe pijeve alkoolike, direktivë e cila synon harmonizimin e akcizës mbi detyrimet për alkoolin dhe pijet alkoolike. Ky harmonizim ka qenë kërkesë e vazhdueshme në diskutimet e nënkomitetit Shqipëri-BE për tregtinë, industrinë, tatimet dhe doganat.

Akciza unifikohet në nivelin 710 lekë HL, ose 7,1 lekë për 1 litër birrë, ndërkohë që deri tani, birra e prodhuar nga impiante me kapacitet nën 200 mijë HL në vit, kishtë një akcizë 360 lekë/hl, ose 3,6 lekë për litër.

Unifikimi ndikon gjithashtu në thjeshtimin e përllogaritjes së akcizës, shmangien e hapësirave për abuzim dhe përafrimin e legjislacionit para hyrjes së Shqipërisë në BE. Ky ndryshim do të ketë efekt prej +262 Mln lekë, të cilat do të jenë në masën +184 mln lek mbi prodhimin e vendit dhe +78 Mln lek mbi importin. Gjithashtu ky ndryshim tarifimi do të ndihmoje edhe vet kompanitë vendase për të rritur prodhimin dhe për t’u përpjekur për të qenë më konkurrues në rajon.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920/2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, i cili parashikon:

– Hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor mbi procedurat që do të ndiqen nga administrata tatimore për kontrollin e individëve me të ardhura të larta, kërkesë kjo e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë.

– Përmirësimin e dispozitave në lidhje me marrjen nga Administrata Tatimore të informacionit nga Bankat me qëllim llogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore të tatimpaguesve, zbulimin e mosdeklaruesve dhe rastet potenciale të fshehjes së të ardhurave dhe mospagimit të tatimeve.

– Kufizimin e evazionit dhe shmangies nëpërmjet vendosjes për kompanitë dhe bizneset të limitit të arkës, masë kjo që do ndikojë edhe në uljen e CASH-it në ekonomi.

Kjo masë ishte pjesë e Paketës Fiskale të lidhur me projektligjin e Fiskalizimit të miratuar në Kuvend, por që në atë kohë, nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit u gjykua se duhej të ishte një klauzolë e Ligjit të Procedurave Tatimore dhe kjo është arsyeja pse ne e propozojmë.

Përsa i përket ndryshimeve në sistemin e gjobave të paraqitura në projektligj,

Ato nuk kanë për qëllim ashpërsimin në tërësi të sistemit të gjobave. Ky nuk është objektiv i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ndryshimet e paraqitura përfaqësojnë vetëm diferencimin e penalitetit për disa kategori të caktuara tatimpaguesish të mëdhenj apo përsëritësit e shkeljeve.

Nga të dhënat e Këshillimit Kombëtar, ka rezultuar se kërkohet ashpërsimi penaliteteve për subjektet që nuk deklarojnë punonjësit por i punësojnë ata në të zezë si dhe për subjektet që fshehin pagën reale që paguajnë për të punësuarit. Për këto kategori është parashikuar dyfishimi i gjobës ekzistuese.

Është parashikuar gjithashtu rritja e gjobës për tatimpaguesit e mëdhenj që kapen me mall pa faturë, i cili mund të jetë mall kontrabandë, apo mall i blerë/prodhuar në të zezë dhe i padeklaruar. Për këto kategori gjoba aktuale 75 mijë lekë është propozuar 500 mijë lekë, por njëkohësisht është hequr detyrimi i administratës tatimore për ta kallëzuar menjëherë penalisht dhe është parashikuar që ky kallëzim të bëhet në rast se tatimpaguesi është përsëritës i kësaj shkeljeje.

Projektligji parashikon gjithashtu edhe rishikimin në ulje të nivelit të gjobës për mosdorëzimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave për individët nga 5.000 lekë që është aktualisht në 3.000 lekë, nisur kjo nga numri i lartë i deklaruesve të dypunësuar dhe ardhur kjo si kërkesë e popullatës.

Unë ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe jam këtu që të garantoj seriozitetin dhe disponibilitetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në përmbushjen e kërkesave të komisionit, me qëllim shqyrtimin sa më në detaj të projektligjeve, pjesë e Paketës Fiskale, në kohën e duhur.

…”

Burimi: Ministria e Financave.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online