TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Tatimi mbi të ardhurat personale: përcaktimi i të ardhurave të tatueshme: të ardhurat nga biznesi (ndryshimet ligjore pas Janar 2024)

Hyrje: E ardhura e tatueshme

Të ardhurat e mëposhtme konsiderohen si të ardhura të tatueshme të një tatimpaguesi të tatimit mbi të ardhurat personale:
a) të ardhura nga punësimi;
b) të ardhura nga biznesi;
c) të ardhura nga investimet.

Të ardhurat janë të tatueshme pavarësisht nëse paguhen në të holla ose në natyrë. Të ardhurat në natyrë vlerësohen me vlerën e tregut, për aq sa nuk përcaktohet ndryshe në këtë ligj ose në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Parimi i tregut, siç përcaktohet në nenin 44 të këtij ligji, zbatohet për transaksionet ndërmjet palëve të lidhura.

Të ardhurat nga biznesi

Të ardhurat nga biznesi përfshijnë, por pa u kufizuar vetëm në to, të ardhurat si në vijim, nëse nuk janë përcaktuar si të ardhura nga punësimi sipas nenit 12 të këtij ligji:

  • të ardhurat e një personi fizik nga çdo aktivitet i biznesit i çfarëdo lloji, duke përfshirë çdo aktivitet të individëve të vetëpunësuar ose tregtar;
  • të ardhurat nga interesi, dividendët dhe honorarët, të cilat janë efektivisht të lidhura me biznesin;
  • të ardhurat nga shitja e titujve, të cilat janë efektivisht të lidhura me biznesin;
  • të ardhurat nga dhënia me qira e një biznesi, pavarësisht se qiradhënia i përfshin të gjitha apo një pjesë të aktiveve të trupëzuara apo të patrupëzuara;
  • të ardhurat nga shitja e çdo lloj aktivi dhe detyrimi të biznesit, përfshirë edhe shitjen e të gjithë biznesit;
  • fitimi kapital i realizuar nga transferimi i aktiveve dhe pasiveve të biznesit në një riorganizim biznesi, siç përcaktohet në nenin 46 të këtij ligji;
  • dhuratat, grantet apo subvencionet e marra nga një person në lidhje me biznesin e tij;
  • të ardhurat e realizuara nga personi fizik për çdo lloj tarife shërbimi teknik apo digjital automatik;
  • fitimet kapitale nga rivlerësimi i aktiveve të biznesit kur këto aktive janë dhënë si kontribut në natyrë në kapitalin e një shoqërie, qoftë në themelimin e saj apo rritjen e kapitalit;
  • të ardhurat nga nxjerrja apo përfitimi i mjeteve virtuale;
  • ardhurat nga transaksionet me mjete virtuale, të cilat janë efektivisht të lidhura me biznesin.

Të ardhurat vjetore të tatueshme nga biznesi përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të biznesit, pakësuar me shpenzimet përkatëse të dokumentuara dhe të kryera me qëllim fitimin, ruajtjen dhe sigurimin e të ardhurave. Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit llogariten në përputhje me kreun IV të këtij ligji.

Regjimi i veçantë për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar

Personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar, me qarkullim vjetor deri në 10 000 000 lekë, për qëllime të njohjes së shpenzimeve të zbritshme kanë të drejtë të zgjedhin një nga metodat e mëposhtme:

a) pranimin e një regjimi të veçantë, përmes të cilit shpenzimet e supozuara zbriten apriori sipas shumave të specifikuara në këtë shkronjë dhe pa iu nënshtruar kontrollit të regjistrimeve kontabël lidhur me to nga administrata tatimore;

i. 60% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese;
ii. 90% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë;
iii. 70% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual; iv. 60% të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj., të kësaj natyre;
v. 50% të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtaritë artizanale dhe atyre zejtare;
vi. 30% të të ardhurave për individët e vetëpunësuar; ose

b) përllogaritjen e shpenzimeve të zbritshme bazuar në dokumentacionin dhe faturat respektive për çdo shpenzim.

2. Personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar sipas pikës 1 të këtij neni zgjedhin dhe deklarojnë pranë administratës tatimore metodën të cilën do të zgjedhin. Kalimi nga një metodë në tjetrën nuk mund të bëhet më shpesh se një herë në tre vjet.

Përcaktimi i llojit të veprimtarive të kryera nga personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar sipas pikës 1 të këtij neni bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me legjislacionin në fuqi rregullues lidhur me këto veprimtari të kryera nga personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar.

Personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar, të cilët kanë aplikuar regjimin e veçantë nuk i lejohet të kërkojë zbritje apo kompensim tjetër përveç kompensimit personal sipas nenit 22 të këtij ligji.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online