Të ardhurat nga investimet
1. Të ardhurat nga investimet, nëse nuk konsiderohen si të ardhura nga biznesi sipas nenit 13 të këtij ligji, përfshijnë të ardhurat si më poshtë:
a) të ardhurat nga interesat, dividendët dhe honoraret;
b) fitimet kapitale nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare;
c) fitimet kapitale të realizuara nga skemat e sigurimit të jetës;
ç) kthimi i investimit nga skemat e pensionit privat;
d) fitimi kapital nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme;
dh) të ardhurat nga qiraja e pasurive të paluajtshme;
e) të ardhurat nga nxjerrja apo përfitimi i mjeteve virtuale sipas përcaktimeve të nenit 16 të këtij ligji; ë) të ardhurat nga transaksionet me mjetet virtuale.
- Të ardhurat si më poshtë janë të ardhura të përjashtuara të investimeve:
a) të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të luajtshme, përveç tjetërsimit të automjeteve, aeroplanëve dhe anijeve në qoftë se ato shiten brenda më pak se 12 muajve nga blerja;
b) të ardhurat për transferimin e të drejtës së pronësisë së tokës bujqësore kur pasardhësi ligjor e mban tokën për të njëjtin qëllim dhe aktivitet;
c) të ardhurat nga interesat dhe fitimi kapital i eurobondeve të emetuara nga Republika e Shqipërisë, kur përfituesi është person fizik jorezident.
3. E ardhura nga investimet e marrë bashkërisht nga më shumë se një anëtar i familjes konsiderohet si e ardhur për anëtarin e familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme.
Të ardhurat e tatueshme nga investimi për tjetërsimin e titujve, instrumenteve financiare dhe mjeteve virtuale
- E ardhura e tatueshme e investimit nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare përcaktohet si diferencë ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së këtyre aseteve të tjetërsuara. Çdo shpenzim që lidhet drejtpërdrejt me blerjen dhe shitjen e titujve apo instrumenteve financiare përfshihet në çmimin e blerjes dhe në çmimin e shitjes dhe nuk shtohet apo zbritet përkatësisht.
- Nëse të ardhurat e tatueshme nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare rezultojnë me humbje në një vit tatimor, një humbje e tillë mund të kompensohet me të ardhura të tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare të tjera në të njëjtin vit tatimor.
- E ardhura e tatueshme e investimit nga tjetërsimi i mjeteve virtuale përcaktohet si diferencë midis vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të këtyre mjeteve. Nëse të ardhurat e tatueshme të investimit nga tjetërsimi i mjeteve virtuale rezultojnë me humbje në një vit tatimor, të ardhurat e tatueshme të investimit konsiderohen të jenë zero.
- Për titujt apo instrumentet financiare të listuara në bursë, çmimet e blerjes dhe të shitjes përcaktohen nga dokumentet përkatëse të tregtimit në datën e shitjes.
- Në rastin e titujve apo instrumenteve financiare të fituara me trashëgimi ose dhurim, çmimi i blerjes për qëllime tatimore është vlera e tatueshme e titujve apo instrumenteve financiare të dhuruara ose të trashëguara në momentin e përfitimit.
- Tjetërsimi i titujve përfshin kontributin në natyrë të titujve si kapital fillestar ose një rritje kapitali të një entiteti.
7. Ministri përgjegjës për financat miraton me udhëzim rregullat e përgjithshme dhe mënyrën e llogaritjes për zbatimin e këtij neni.
Të ardhurat e tatueshme nga investimi për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme
- Të ardhurat e tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i pasurisë përcaktohen si diferencë midis çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së pasurisë.
- Çmimi i blerjes në lidhje me të ardhurat e patatueshme të investimit nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme nuk mund të zbritet nga baza e tatimit.
- Në rastin e pasurisë së paluajtshme, që është fituar me trashëgimi ose dhurim, ose heqje dorë nga pronësia, çmimi i blerjes për qëllime tatimore është vlera e tatueshme e pasurisë së dhuruar ose trashëguar në momentin e marrjes.
- Nëse të ardhurat e tatueshme nga investimi sipas këtij neni rezultojnë me humbje në një vit tatimor, të ardhurat e tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i pasurisë konsiderohen të jenë zero.
- Çmimi i shitjes së pasurisë së paluajtshme vlerësohet me çmimin më të lartë ndërmjet çmimit të shitjes sipas kontratës dhe çmimit referues të përcaktuar në aktet në fuqi për pasurinë e paluajtshme.
- Vlera e blerjes së tokës në rastin e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë për tokën, me të drejtën e pronësisë së ndërtesës e cila ndërtohet në atë vend, llogaritet me çmimin e referencës së tokës për metër katror të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për qytetet dhe zonat brenda qytetit. Çmimi i shitjes llogaritet me një referencë të vlerës së tregut të pronës së paluajtshme të fituar në këmbim të tokës, duke marrë parasysh të gjitha pjesët e sipërfaqes së ndërtimit nga të cilat përfiton pronari i tokës. Shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme. Metodologjia për llogaritjen e çmimit të blerjes dhe të shitjes përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Tatimi mbi të ardhurat personale në lidhje me të ardhurat nga investimet nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme duhet të paguhet nga personi fizik që transferon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para regjistrimit të pasurive të mësipërme në regjistrin e pasurive të paluajtshme, në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse. Institucioni përgjegjës i regjistrit të pasurive të paluajtshme nuk regjistron pasurinë e paluajtshme derisa pagesa e tatimit të jetë konfirmuar. Institucioni përgjegjës për regjistrimin e pasurive të paluajtshme transferon brenda datës 20 të muajit të ardhshëm në llogarinë e administratës tatimore tatimin e mbledhur në përputhje me dispozitat e këtij neni.
- Ministri përgjegjës për financat dhe institucioni që ka në fushën e përgjegjësisë regjistrimin e pasurive të paluajtshme përcaktojnë me udhëzim të përbashkët kushtet, procedurat dhe metodologjinë për zbatimin e këtij neni.
Të ardhurat vjetore të tatueshme nga investimi
Të ardhurat vjetore të tatueshme nga investimi përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të tatueshme nga investimi.