Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) është një tatim i përgjithshëm, mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve.
TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje, mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet i pagueshëm, pasi më parë zbritet TVSH që rëndon drejtpërdrejt, elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve.
Tatimit mbi vlerën e shtuar i nënshtrohen:
- të gjitha furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, të kryera kundrejt pagesës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një person i tatueshëm;
- të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Person i tatueshëm konsiderohet:
- çdo person, pavarësisht nga forma e organizimit të tij, i cili në mënyrë të pavarur kryen veprimtari ekonomike, cilido qoftë vendi dhe qëllimi ose rezultati i kësaj veprimtarie.
Veprimtari ekonomike është çdo veprimtari e kryer nga prodhuesit, tregtarët, personat që furnizojnë mallra ose shërbime, përfshirë veprimtarinë nxjerrëse, bujqësore dhe aktivitetet profesionale. - çdo person rezident në Shqipëri, qarkullimi vjetor i veprimtarisë ekonomike të të cilit është mbi vlerën 2,000,000 lekë, që është kufiri minimal të regjistrimit për TVSH-në.
Kujdes, ju detyroheni të regjistroheni:
- Brenda 15 ditëve nga data e kalimit të kufirit minimal, kur qarkullimi juaj gjatë 12 muajve të njëpasnjëshëm tejkalon kufirin.
- Kur kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në tejkalohet më parë se 12 muaj, atëherë personi i tatueshëm duhet të kërkojë të regjistrohet menjëherë brenda 15 ditëve nga data e kalimit të kufirit.
- Kur ju kryeni importe të mallrave qarkulluese (mallra që tregton apo për t’u tregtuar), pavarësisht qarkullimit të realizuar apo qarkullimit të pritshëm.
Sqarim
Përjashtohen nga ky rregull personat e tatueshëm që realizojnë ose parashikojnë të realizojnë qarkullim nën kufirin minimal të regjistrimit dhe importojnë mallrat e grupit të Aktiveve të Qëndrueshme të Trupëzuara (AQT) që përdoren në funksion të veprimtarisë ekonomike, dhe jo për t’u tregtuar. Këta persona të tatueshëm mund të kryejnë importe mallrash të investimit për qëllim të përdorimit të veprimtarisë së tyre ekonomike që i nënshtrohet regjimit të biznesit të vogël në kuptim të ligjit, pa qenë të detyruar t’i nënshtrohen regjimit normal të TVSH-së.
Veçori për eksportuesit
Nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen regjimit normal të TVSH-së personat e tatueshëm që kryejnë eksporte, qarkullimi i të cilëve është nën kufirin minimal të regjistrimit të TVSH-së.
Përjashtim nga rregulli i përgjithshëm
Personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, si dhe kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor, janë persona të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në.
Ky kusht për këta persona vlen edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit.
Përfaqësuesi tatimor
Kur personi përgjegjës për deklarimin dhe pagesën e TVSH-së, është një person i tatueshëm, që nuk është i vendosur në Shqipëri, vend në të cilin duhet të paguhet TVSH-ja, ky person duhet të caktojë një përfaqësues tatimor në Republikën e Shqipërisë si person përgjegjës për pagesën e TVSH-së.
Regjistrimi i përfaqësuesit tatimor bëhet në drejtorinë rajonale tatimore.
Ju mund të çregjistroheni:
- Kur qarkullimi juaj në 12 muajt e fundit kalendarikë bie nën kufirin minimal të regjistrimit. Çregjistrimi, hyn në fuqi 12 muaj pas datës së paraqitjes së kërkesës për t’iu nënshtruar regjimit të bizneseve të vogla.
Qarkullimi që shërben për llogaritjen e pragut të regjistrimit dhe përfshin:
- qarkullimin e realizuar nga të gjitha furnizimet e tatueshme të mallrave dhe shërbimeve, pa përfshirë TVSH-në;
- furnizimet e përjashtuara dhe furnizimet e taksuara me shkallë tatimore 0%;
Person i tatueshëm nuk konsiderohet:
- organizata jofitimprurëse për pagesa të përfituara nga kuotizacionet, fonde, grante, donacione të përfituara për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës;
- punëmarrësi që është i lidhur me një punëdhënës me anë të një kontrate punësimi;
- organet e pushtetit qëndror dhe vendor, organe të tjera të së drejtës publike, për veprimtari të ushtrimit të funksionit të tyre si autoritete publike.
Furnizimi i mallrave dhe shërbimeve
Furnizimi i mallit
Me furnizim mallrash kuptohet transferimi i së drejtës për të disponuar si pronar pasurinë e trupëzuar.
Konsiderohen gjithashtu si “Furnizim malli” edhe transaksionet e mëposhtme:
- transferimi kundrejt pagesës i pronësisë së pasurisë, me urdhër nga/apo në emër të një autoriteti publik apo në zbatim të ligjit;
- dorëzimi i mallrave në bazë të një kontrate, ku parashikohet dhënia me qira e mallit për një periudhë të caktuar ose shitja me këste e mallit, kalimi i pronësisë i të cilit bëhet me pagesën e këstit të fundit;
- transferimi i mallrave bazuar në një kontratë, sipas së cilës paguhet komision për blerjen apo për shitjen;
- furnizimi i energjisë elektrike, ujit, gazit, energjisë për ngrohje ose ftohje dhe të tjera të ngjashme.
Furnizimi i mallrave kundrejt pagesës
Furnizimi i mallit konsiderohet i kryer kundrejt pagesës, tërësisht ose pjesërisht, nëse furnizuesi direkt apo indirekt merr apo ka të drejtë të marrë pagesë në para a në natyrë për atë furnizim, si prej personit të furnizuar apo ndonjë personi tjetër.
Kujdes! Transferimi i veprimtarisë ekonomike nuk përbën furnizim malli ose shërbimi, në kuptim të këtij ligji, por përbën një kalim të aseteve nga personi i tatueshëm transferues te një person, i cili trajtohet si pasardhësi i transferuesit.
Importimi i mallrave
Importimi i mallrave, është çlirimi për qarkullim të lirë i mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë, siç përcaktohet në legjislacionin doganor në fuqi.
Furnizimi i shërbimeve
Me furnizim shërbimesh kuptohet çdo transaksion që nuk është furnizim mallrash. Shërbimi i kryer prej një të punësuari për punëdhënësin e tij për arsye të punësimit, nuk është furnizim shërbimi nga i punësuari.
Furnizimet e përziera
- Furnizimi i shërbimeve, i përfshirë në furnizimin e mallrave, është pjesë e furnizimit të mallrave.
- Furnizimi i mallrave, i përfshirë në furnizimin e shërbimeve, është pjesë e furnizimit të shërbimeve.
- Furnizimi i shërbimeve, i përfshirë në importin e mallrave, është pjesë e importit të mallrave.
Vendi i furnizimit të mallrave dhe shërbimeve
Vendi i furnizimit të mallrave
- Kur mallrat nuk dërgohen ose nuk transportohen, vendi i furnizimit të mallrave është në Shqipëri, nëse mallrat ndodhen në Shqipëri, në momentin kur kryhet furnizimi.
- Kur mallrat janë dërguar apo transportuar nga furnizuesi, nga blerësi apo një palë e tretë, vendi i furnizimit është në Shqipëri, nëse mallrat ndodhen në Shqipëri, në momentin kur fillon dërgimi apo transporti i tyre për blerësin.
- Kur mallrat e dërguara apo të transportuara nga furnizuesi, nga blerësi apo një palë e tretë instalohen apo montohen, me/ose pa testim, nga/ose për llogari të furnizuesit, vendi i furnizimit është në Shqipërisë nëse mallrat janë instaluar apo montuar në Shqipëri.
Vendi i importimit të mallrave
Vendi i importimit të mallrave është në Shqipëri, nëse mallrat me origjinë nga territore të tjera çlirohen për qarkullim të lirë në territorin doganor shqiptar.
Kujdes! Mallrat, të cilat në momentin e hyrjes në Shqipëri nuk janë në qarkullim të lirë dhe i nënshtrohen regjimeve të veçanta doganore, vendi i importimit të këtyre mallrave është në Shqipëri, nëse këto mallra çlirohen nga regjimet ose situatat e sipërpërmendura në territorin doganor shqiptar.
Vendi i furnizimit të shërbimeve
Rregulli i përgjithshëm
Vendi i furnizimit të shërbimit është në Shqipëri nëse marrësi i shërbimit, një person i tatueshëm që sillet si i tillë, ka në Shqipëri:
- selinë e veprimtarisë të tij ekonomike ose një vendndodhje të qëndrueshme;
- banesën ose rezidencën e zakonshme, në mungesë të një selie të veprimtarisë ekonomike apo të një vendndodhjeje të qëndrueshme.
Vendi i furnizimit të shërbimit është në Shqipëri, nëse marrësi i shërbimit është një person i patatueshëm, ndërsa furnizuesi i shërbimit, një person i tatueshëm, ka në Shqipëri:
- selinë e veprimtarisë së tij ekonomike ose një vendndodhje të qëndrueshme, nga e cila janë ofruar shërbimet ose;
- banesën ose rezidencën e zakonshme, në mungesë të një selie të veprimtarisë ekonomike apo të një vendndodhjeje të qëndrueshme.
Rregulla të veçanta
Në raste të tjera në varësi të statusit të përfituesit të shërbimit, person tatueshëm ose patatueshëm si dhe në varësi të llojit të shërbimit të dhënë, vendi i furnizimit të shërbimit është në përjashtim nga rregulli i përgjithshëm.
Lindja e tatimit, kërkueshmëria
Rregulli i përgjithshëm
Për furnizimet brenda vendit, lindja e tatimit ndodh dhe TVSH-ja bëhet e kërkueshme kur :
- furnizimi i mallrave ose
- furnizimi i shërbimeve kryhet.
Për importimin e mallrave, lindja e tatimit ndodh dhe TVSH-ja bëhet e kërkueshme kur importimi i mallrave është kryer.
Rregulla të veçanta
- Për çdo pagesë të kryer para se të kryhet furnizimi i mallit ose para përfundimit të furnizimit të shërbimit, TVSH-ja mbi pagesën lind dhe bëhet e kërkueshme në momentin e arkëtimit të shumës së paguar.
- Në rastin kur fatura tatimore është lëshuar përpara furnizimit, TVSH-ja bëhet e kërkueshme në momentin kur është lëshuar fatura.
- Në qoftë se kryhen pagesa pjesore ose pagesa të njëpasnjëshme për furnizimet e mallrave ose të shërbimeve, këto furnizime mallrash ose shërbimesh konsiderohen të kryera në përfundim të çdo periudhe, së cilës i referohen pagesat.
- Furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të kryera në mënyrë të vazhdueshme, brenda një periudhe kohore, përfshirë operacionet e ndërtimit, konsiderohen të kryera në të njëjtin muaj, në të cilin lëshohet fatura.
- Për mallrat, të cilat në momentin e hyrjes në Shqipëri nuk janë në qarkullim të lirë dhe i nënshtrohen regjimeve të veçanta doganore, lindja e tatimit ndodh dhe TVSH-ja bëhet e kërkueshme kur këto mallra çlirohen nga regjimet ose situatat e sipërpërmendura
Vlera e tatueshme
Vlera e tatueshme përfshin gjithçka që përbën vlerën korresponduese që furnizuesi i mallit ose shërbimit merr ose do të marrë nga blerësi, klienti apo një i tretë, në këmbim të furnizimit, përfshirë edhe subvencionet e lidhura drejtpërdrejt me çmimin e këtyre furnizimeve, përveç TVSH-së.
Vlera e tatueshme e mallrave të importuara përbëhet prej vlerës së përcaktuar në import nga autoriteti doganor, mbi bazën e legjislacionit doganor në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Elemente që përfshihen në vlerën e tatueshme
- tatimet, taksat, detyrimet, tarifat dhe pagesa të ngjashme, me përjashtim të TVSH-së.
- shpenzimet dytësore, të tilla si shpenzimet komisionere, të ambalazhimit, të transportit dhe të sigurimit.
- vlera e ambalazheve kur ato janë të pakthyeshme.
Elemente që nuk përfshihen në vlerën e tatueshme
- uljet e çmimit për rastet e zbritjes për pagesa të hershme të kryera për furnizimin;
- uljet dhe reduktimet e çmimit që i bëhen blerësit apo klientit;
- shumat që ka marrë një person i tatueshëm nga klienti i tij, si rimbursim për shpenzimet e bëra në emër dhe për llogari të këtyre të fundit.
Shkalla tatimore
Shkalla standarde e TVSH
Shkalla standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, e cila aplikohet si një përqindje e vlerës së tatueshme, është 20 për qind.
Shkalla 0% e TVSH
Shkalla tatimore 0% e TVSH është e zbatueshme për:
- eksportin e mallrave;
- furnizimi i mallrave organizmave pa qëllim fitimi;
- furnizimi i shërbimeve që konsistojnë në punime mbi mallra të importuara për t’u bërë atyre punime në Shqipëri dhe të dërguara sërish jashtë Shqipërisë;
- furnizimi i shërbimeve, të lidhura drejtpërdrejt me eksportimet apo importimet e mallrave;
- disa operacione të lidhura me transportin ndërkombëtar të mallrave e udhëtarëve;
- furnizimet e mallrave dhe shërbimet e kryera në kuadrin e marrëdhënieve diplomatike dhe konsullore;
- furnizimet e mallrave dhe shërbimeve ndaj organizatave ndërkombëtare, si dhe anëtarëve të këtyre organizatave;
- furnizimet e mallrave dhe shërbimeve për forcat e armatosura të shteteve të tjera anëtare të NATO-s;
- furnizimi i arit ndaj Bankës së Shqipërisë.
Mallrat në bagazhin personal të udhëtarit
Konsiderohen si eksporte dhe taksohen gjithashtu me shkallën tatimore 0%, mallrat e destinuara për t’u transportuar në bagazhin personal të udhëtarëve, me kushtet që :
- udhëtari nuk është i vendosur brenda Republikës së Shqipërisë;
- mallrat transferohen jashtë Shqipërisë, brenda tre muajve nga muaji i kryerjes së furnizimit;
- vlera totale e furnizimit e shprehur në lekë ose kundërvlera e saj në lekë, përfshirë TVSH-në, të mos jetë më e vogël se vlera 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë.
Përjashtimet, furnizimet
Disa lloje furnizime të mallrave dhe të shërbimeve, për qëllime të interesit të përgjithshëm, apo përcaktimit të veçantë në ligj, megjithëse janë të përfshira në fushën e zbatimit të TVSH-së, janë të përjashtuara nga zbatimi i taksimit me TVSH.
Për më tepër referojuni Ligjit nr.92/2014 “Për TVSH”- nenet 51 -56
E drejta e zbritjes së TVSH-së
Parimi i Zbritjes së TVSH-së
Personi i tatueshëm gëzon të drejtën që të zbresë nga TVSH-ja e llogaritur për transaksionet e tatueshme shumat TVSH-së, në masën që furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të marra përdoren nga personi i tatueshëm në funksion të këtyre transaksioneve të tatueshme.
Konkretisht:
- TVSH-në e paguar apo për t’u paguar në Republikën e Shqipërisë për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve që i janë furnizuar ose do t’i furnizohen këtij nga ana e një tjetër personi të tatueshëm;
- TVSH-në e paguar për mallrat e importuara në Shqipëri.
Shënim: Në ligjin e TVSH-së, hollësisht, paraqiten raste të veçanta të aplikimit të së drejtës së zbritjes së TVSH.
Kushtet që mundësojnë aplikimin e së drejtës së zbritjes. E drejta e zbritjes lind e aplikohet kur:
- i shërben veprimtarisë së tatueshme;
- kur TVSH-ja e zbritshme bëhet e kërkueshme;
- formalisht mbështetet me një dokument të ligjshëm justifikues (faturë tatimore, deklaratë doganore importi).
Aplikimi i zbritjes së pjesshme të TVSH
Nëse furnizimet e mallrave dhe shërbimeve përdoren nga një person i tatueshëm, si për kryerjen e transaksioneve të tatueshme që sjellin të drejtën e zbritjes së TVSH-së edhe për transaksionet, që nuk e sjellin këtë të drejtë, atëherë vetëm pjesa e TVSH-së që lidhet me kategorinë e parë të transaksioneve është e zbritshme.
Rimbursimi
Kushtet e rimbursimit të TVSH-së
Personi i tatueshëm kërkon rimbursim të tepricës së kreditimit tatimor të TVSH-se nëse:
- personi i tatueshëm ka mbartur tepricën e TVSH-së së zbritshme për 3 muaj radhazi;
- TVSH-ja e kërkuar për t’u rimbursuar është mbi 400 000 lekë.
Kur bëhet rimbursimi?
Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400 000 lekë, pra pa qenë i kërkueshëm kushti i parë.
Brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së personit të tatueshëm eksportues, administrata tatimore kryen procedurën e rimbursimit.
Brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së personit të tatueshëm, jo eksportues, administrata tatimore kryen procedurën e rimbursimit.
Ku dërgohet kërkesa e rimbursimit?
Personat e tatueshëm, paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së, të cilën mund ta gjeni më poshtë.
Pagesa e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda pesë ditëve, nëpërmjet sistemit të thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara nga ana e Ministrit të Financave.
Personi përgjegjës për pagesën e TVSH-së
- TVSH-ja paguhet nga ana e personit të tatueshëm që kryen një furnizim mallrash ose shërbimesh të tatueshëm, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe.
- TVSH-ja është e pagueshme nga personi i tatueshëm ose personi juridik i patatueshëm, i identifikuar për TVSH-në, të cilit i janë furnizuar shërbimet, nëse këto shërbime furnizohen nga një person i tatueshëm që nuk është i vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë.
- TVSH-ja paguhet nga çdo person, i cili e shënon TVSH-në në një faturë.
- Kur fatura e lëshuar nuk përkon me furnizimin e mallit apo me kryerjen e shërbimit ose tregon një çmim që nuk duhet të paguhet efektivisht nga blerësi, TVSH-ja paguhet nga personi që e ka faturuar atë.
- Në import TVSH-ja paguhet nga personi ose personat përgjegjës për pagesën e detyrimeve doganore në import, siç përcaktohet në Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë.
- TVSH-ja paguhet nga personi, i cili çliron mallrat për qarkullim të lirë nga regjimet e veçanta doganore.
Kujdes! Personi i tatueshëm, për të cilin është kryer një furnizim malli ose shërbimi dhe që ka dijeni ose nuk mund të mohojë faktin që TVSH-ja për t’u paguar ose pjesë e kësaj TVSH-je mbi këtë furnizim ose mbi të gjitha furnizimet e mëparshme të mallrave a shërbimeve, nuk është paguar për shkak të mashtrimit, është përgjegjës bashkë me furnizuesin për pagesën e TVSH-së.
Detyrimet e personave të tatueshëm
Personi tatueshëm duhet të bëhet i identifikueshëm. Ai duhet të pajiset me një numër unik identifikimi(NUIS), pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit(QKB), numër që shënohet në çertifikatën e lëshuar për këtë qëllim.
Personi i tatueshëm duhet të sigurohet për lëshimin e faturës në rastet e mëposhtme:
- për çdo furnizim malli ose shërbimi që kryen kundrejt një personi tjetër të tatueshëm ose të patatueshëm;
- për çdo pagesë të kryer para se të kryhet furnizimi i mallit ose para përfundimit të furnizimit të shërbimit;
- fatura lëshohet në mënyrë periodike për disa furnizime mallrash ose shërbimesh, të cilat furnizohen në mënyrë të rregullt ose të vazhdueshme, të realizuara midis personit të tatueshëm dhe klientit të tij në të njëjtin muaj, në të cilin furnizimet janë kryer;
- në ndërtim fatura tatimore duhet lëshuar çdo muaj;
- fatura mund të lëshohet edhe nga blerësi ose klienti i një malli apo shërbimi për furnizimet e mallrave ose shërbimeve të marra prej tij nga një person i tatueshëm.
Fatura tatimore me TVSH, në formë e përmbajtje, është e miratuar nga Ministri i Financave.
Personi i tatueshëm, për furnizime mund të lëshojë edhe faturë të thjeshtuar, për vlera nën 40 000 lekë dhe kur blerësi nuk e kërkon një faturë tatimore me TVSH.
Personi i tatueshëm, është i detyruar të mbajë librin e blerjeve dhe të shitjeve, ku regjistron, të gjitha blerjet dhe shitjet e kryera në periudhën tatimore (muaji). Libri i blerjeve dhe i shitjeve, dorëzohet elektronikisht jo më vonë se data 10 e muajit që pason periudhën tatimore që deklarohet.
Çdo person i tatueshëm duhet të dorëzojë një deklaratë TVSH-je, e cila përmban gjithë informacionin e nevojshëm në të cilin bazohet llogaritja e TVSH-së që është bërë e kërkueshme, vlerën e TVSH-së që mund të zbritet, vlerat e tatueshme të veprimeve që lidhen me llogaritjen e TVSH-së së kërkueshme dhe asaj të zbritshme si edhe vlerën e furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja.
Modeli i deklaratës miratohet nga Ministri i Financave.
Deklarata e TVSH-së, duhet të dorëzohet jo më vonë se 14 ditë pas përfundimit të periudhës tatimore që deklarohet.
Regjime të veçanta
Regjimet e veçanta të aplikimit të TVSH-së në Shqipëri janë ato si mëposhtë:
- Regjimi për agjencitë e udhëtimit;
- Regjim i veçantë i zbatuar për shitjen e mallrave të përdorura, veprave të artit, objekteve të koleksionit dhe antikuarët;
- Regjimi i marzhit të fitimit;
- Regjimi i shitjeve me ankand;
- Regjimi i veçantë: skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë;
- Regjimi i veçantë mbi arin për investim.