Është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi për miratimin e fondit të garancisë prej 15 000 000 000 (pesëmbëdhjetë miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për tregtarët dhe shoqëritë tregtare për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19.
Linja e garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, është, si më poshtë vijon:
- Raiffeisen Bank sh.a. Albania, deri në vlerën 2 600 000 000 lekë;
- Banka Tirana sh.a. deri në vlerën 850 000 000 lekë;
- Banka Union sh.a. deri në vlerën 800 000 000 lekë;
- Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. deri në vlerën 1 200 000 000 lekë;
- Banka Kombëtare Tregtare sh.a. deri në vlerën 2 550 000 000 lekë;
- Banka OTP Albania sh.a. deri në vlerën 1 450 000 000 lekë;
- Banka Procredit sh.a. deri në vlerën 600 000 000 lekë;
- Banka Alpha Albania sh.a. deri në vlerën 950 000 000 lekë;
- Banka Amerikane e Investimeve sh.a. deri në vlerën 650 000 000 lekë;
- Banka Credins sh.a. deri në vlerën 2 800 000 000 lekë;
- Banka e Bashkuar e Shqipërisë sh.a. deri në vlerën 150 000 000 lekë;
- Banka e Parë e Investimeve, Albania sh.a. deri në vlerën 400 000 000 lekë.
Qëllimi i skemës së garancisë është që të stimulojë huadhënien nga bankat tregtare që operojnë në Republikën e Shqipërisë, për t’i mundësuar tregtarëve ose shoqërive tregtare financimin e nevojshëm për të rimëkëmbur aktivitetin e tyre tregtar, i cili është prekur direkt ose indirekt nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.
GARANCIA
- MFE-ja merr përsipër të garantojë Huadhënësin deri në vlerën [XXXXXX] (me fjalë) lekë (“Vlera e Garancisë”), sipas kushteve dhe kufizimeve të përcaktuara shprehimisht në këtë Marrëveshje. Vlera e Garancisë përfaqëson shumën maksimale të pagesave që do të kryhen nga MFE-ja për të shlyer detyrimet e papaguara ndaj Huadhënësit që burojnë nga Huatë që do t’i nështrohen kësaj skeme garancie.
- MFE-ja merr përsipër të garantojë deri në Vlerën e Garancisë të cituar në pikën pikën 1 të këtij neni, 60% të principalit të çdo Huaje që Huadhënësi do t’u lëvrojë Huamarrësve sipas kushteve që pasojnë në këtë Marrëveshje.
- “Vlera e Garantuar e Huasë” do të jetë shuma maksimale e garantuar nëpërmjet kësaj Marrëveshje përkatësisht për secilën nga Huatë e lëvruara nga Huadhënësi, në zbatim të kushteve të kësaj Marrëveshje dhe e cila do të jetë e barabartë me prodhimin e principalit të Huasë me përqindjen e principalit të garantuar nga MFE-ja sipas pikës 2 të këtij neni.
- Në asnjë rast, MFE-ja nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamatëvonesave, penaliteteve apo çdo lloj detyrimi tjetër monetar, që mund të burojë nga Huatë që Huadhënësi do t’i lëvrojë Huamarrësve.
- Shuma maksimale e akumuluar e Vlerës së Garantuar të Huasë që buron nga disbursimet e Huave dhe e përllogaritur sipas pikës 3 të këtij neni, nuk duhet të tejkalojë Vlerën e Garancisë të cituar në pikën 1 të këtij neni. Çdo disbursim i ri i ndonjë Huaje që tejkalon vlerën e sipërcituar nuk garantohet nga kjo Marrëveshje, me përjashtim të rastit kur shuma totale e Vlerës së Garantuar të Huasë, së bashku me Vlerën e Garantuar të Huasë që buron nga disbursimi i ri nuk tejkalon Vlerën e Garancisë.
- Në rastin kur Huadhënësi e ka ezauruar të gjithë Vlerën e Garancisë në dispozicion të tij sipas përcaktimit në pikën 1 të këtij neni, Huadhënësi duhet të njoftojë me shkrim MFE-në brenda një afati prej 5 (pesë) ditë pune.
- Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë që, pas 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse, nëse është e nevojshme, sipas raportit të strukturës së posaçme ndërinstitucionale, i propozon Këshillit të Ministrave rialokimin e shumës së garancisë, nga huadhënësi që nuk e ka ezuaruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi që e ka ezauruar atë plotësisht.
Kriteret e kualifikimit të Huamarrësve dhe kriteret për përfitimin e Huasë
Huadhënësi do të japë Hua të garantuar sipas kësaj Marrëveshje, vetëm Huamarrësve, të cilët plotësojnë kriteret si më poshtë:
- a) Huamarrësi duhet të jetë tregtar ose shoqëri tregtare i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në përputhje me ligjin 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar dhe ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, dhe struktura e kapitalit të zotërohet 100% nga subjekte jopublike.
- b) Huamarrësi mund të jetë subjekt që ushtron veprimtarinë tregtare në të gjithë sektorët e ekonomisë, me kusht që veprimtaria e tij tregtare të jetë prekur direkt ose indirekt nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, nëpërmjet mbylljes së përkohshme të aktivitetit tregtar ose nëpërmjet ndikimit me ulje të aktivitetit tregtar.
- c) Huamarrësi nuk duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara për 3 periudhat tatimore njëkohësisht dhjetor 2019, janar-shkurt 2020, përjashtuar tatimpaguesit të cilët kanë lidhur marrëveshje për pagimin me këste të detyrimeve tatimore si dhe tatimpaguesit, detyrimet e papaguara të të cilëve janë në proces apelimi në të gjitha shkallët.
- Qëllimi i përdorimit të fondeve të Huasë është për t’i mundësuar Huamarrësit fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është prekur nga situata e krijuar nga COVID-19. Në asnjë rast fondet e Huasë nuk do të përdoren për të financuar veprimtari të jashtëligjshme, apo për të rifinancuar hua të tjera.
- Huamarrësi duhet të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit
- Huamarrësi duhet të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit që do t’i vendoset në dispozicion nga Huadhënësi, nëpërmjet të cilit deklaron se
- Nuk ka aplikuar dhe nuk ka marrë ndonjë Hua tjetër që mbulohet nga kjo skemë garancie;
- Fondet e Huasë do të përdoren vetëm për qëllimet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.
- Huamarrësi duhet të dorëzojë kërkesën e aplikimit për Hua pranë Huadhënësit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga data e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje.
- MFE-ja gëzon të drejtën që në çdo moment të rishikojë, shtojë ose heqë çdonjërin prej kritereve të cituara në pikat e mësipërme të këtij neni, duke vendosur në dijeni paraprakisht Huadhënësin. Ky ndryshim do të bëhet efektiv menjëherë pas marrjes së njoftimit me shkrim të MFE-së nga Huadhënësi. Asnjë ndryshim i bërë në përputhje me këtë pikë nuk do të ndikojë mbi Huamarrësit, Huaja e të cilëve është aprovuar përpara datës së bërjes efektive të këtij ndryshimi.
- Me përjashtim të rasteve të veçanta, ashtu si përcaktohet në pikën 6 të këtij neni, Huadhënësi në asnjë rast nuk do të aprovojë kërkesat për Hua të Huamarrësve, të cilët nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikat 1-5 të këtij neni.
Detyrimet e Huadhënësit
- Huadhënësi merr përsipër të përdorë format e aplikimit, të cilat garantojnë sigurimin e të gjithë informacionit të cituar në nenin 3 të kësaj Marrëveshjeje, sipas praktikave të tij bankare për këto produkte.
- Huadhënësi mban përgjegjësi për plotësimin e dokumenteve të aplikimit për hua dhe mban kopje të këtyre dokumenteve në arkivat e veta.
- Huadhënësi merr masat që stafi i burimeve njerëzore, i cili do të angazhohet me huadhënien të ketë ekspertizën e duhur dhe të jetë familjar me politikat dhe procedurat e kësaj skeme garancie.
- Huadhënësi do t’i trajtojë huatë që do të jenë pjesë e kësaj Marrëveshjeje me profesionalizëm dhe në përputhje me kriteret dhe procedurat e brendshme që ai aplikon gjatë aktivitetit të tij të zakonshëm të kredidhënies për produkte bankare tregtare të ngjashme, si edhe në përputhje me përmbajtjen e nenit 3 të kësaj Marrëveshjeje.
- Huadhënësi do të bëjë vlerësimin e riskut të kreditit të Huamarrësve në përputhje me standartet dhe legjislacionin bankar, duke i’u referuar gjendjes financiare të Huamarrësit jo më vonë se muaji shkurt 2020.
- Huadhënësi duhet të regjistrojë Huanë menjëherë pas lëvrimit në regjistrin e kredive me një emërtim të vecantë “Kredi për kapital qarkullues dhe investime brenda skemës së garancisë shtetërore për situatën e COVID-19”.
- Huadhënësi ka detyrimin të verifikojë nëpërmjet regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë në momentin e aplikimit për Hua, si edhe përpara disbursimit të Huasë, nëse Huamarrësi është përfitues i ndonjë Huaje brenda të njëjtës skemë garancie nga Huadhënës të tjerë. Gjithashtu, Huadhënësi në përputhje me nenin 3, pika 4, duhet t’i vendosë në dispozicion Huamarrësit formularin e vetëdeklarimit, sipas formës dhe përmbajtjes që Huadhënësi e gjykon të arsyeshme.
- Në rast se Huamarrësi ka marrë një Hua për të njëjtën skemë garancie nga një Huadhënës tjetër, çdo hua tjetër e aprovuar pas Huasë së parë nuk do të jetë objekt i kësaj Marrëveshjeje.
- Huadhënësi nuk duhet të favorizojë ndonjë prej Huamarrësve, mbi bazën e kritereve të tij preferenciale.
- Huadhënësi duhet të vendosë në dispozicion të MFE-së (ose çdo strukture tjetër të autorizuar nga MFE-ja për këtë qëllim), me kërkesë të kësaj të fundit, kopje të dosjeve, të ekstrakteve, të dokumenteve, të dhënave të regjistruara dhe të shkresave të të gjitha Huave që i nënshtrohen kësaj Marrëveshje Garancie.
- Huadhënësi, shqyrton dokumentacionin e nevojshëm dhe aprovon Huanë në përputhje me afatet dhe procedurat e tij të brendshme, si dhe garanton kalimin e fondeve në llogarinë e Huamarrësit, sipas pikës 1 të nenit 5, si dhe përdorimin e Huasë për qëllimin e mbuluar nga Garancia Shtetërore për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të Huamarrësit, i cili është prekur direkt ose indirekt nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.
Termat dhe kushtet e Huasë
- Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga Huadhënësi për Huamarrësin mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Huamarrësi, por në asnjë rast nuk do të jetë më e lartë se 300,000,000 (treqind milion) lekë.
- Pavarësisht pikës 1, në asnjë rast shuma e Huave me vlerë më të lartë se 150,000,000 (njëqind e pesëdhjetë milion) lekë nuk duhet të jetë më e lartë se 50% e shumës së Huave të akorduara nën këtë Marrëveshje.
- Afati i Huasë duhet të jetë në diskrecion të Huamarrësit, por duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 5 (pesë) vite.
- Huaja mund të jetë në formën e kredisë, overdraft-it, ose linjës së kredisë, e vlerësuar kjo në përputhje me nivelin e riskut të kredisë dhe preferencat e Huamarrësit.
- Pavarësisht produktit me të cilin do të ofrohet Huaja, periudha pa pagesë principali nuk do të jetë më pak se 6 muaj, me përjashtim të rasteve kur Humarrësi preferon një periudhë më të shkurtër.
- Në rastet e parapagimit të Huasë, Huadhënësi nuk duhet të aplikojë komision, penalitet apo cfarëdo lloj mase tjetër që lidhet me parapagimin e Huasë.
- Monedha e Huasë duhet të jetë në monedhën vendase (lekë).
- Huadhënësi duhet të ofrojë Huanë me një normë interesi vjetore preferenciale, të barabartë me: (i) normën mesatare të interesit të tre bonove të thesarit 12 mujore më të fundit të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë (referenca/indeksi), plus (ii) një marzh deri në 3.0% në varësi të afatit të Huasë dhe produktit me të cilin do të ofrohet Huaja. Norma vjetore e interesit do të jetë e ndryshueshme mbi bazë vjetore në varësi të referencës/indeksit, por duke parashikuar shprehimisht që në asnjë rast norma vjetore e interesit të mos tejkalojë vlerën prej 5.0%.
- Huadhënësi, bazuar në vlerësimet e riskut të kreditit për secilin Huamarrës gëzon të drejtën që të kërkojë ose jo kolateral shtesë nga Huamarrësi, por në asnjë rast masa e alokuar e kolateralit duke përfshirë edhe Vlerën e Garantuar të Huasë sipas kësaj Marrëveshjeje nuk duhet të tejkalojë mbulimin e përllogaritur sipas legjislacionit dhe rregullave të brendshme të Huadhënësit.
- Termat dhe kushtet e Huasë do të përcaktohen në Marrëveshjen e Huasë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet Huadhënësit dhe Huamarrësit, në përputhje me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje. Termat dhe kushtet e percaktuara në Marrëveshjen e Huasë të cilat bien në kundërshtim me këtë Marrëveshje do të konsiderohen të pavlefshme dhe nuk do të prodhojnë asnjë efekt kundrejt MFE-së.
- Asnjë transferim i të drejtave apo detyrimeve të Huadhënësit që burojnë nga kjo Marrëveshje ose nga Marrëveshja e Huasë nuk mund t’i transferohet palëve të treta pa marrë paraprakisht aprovimin me shkrim të MFE-së.
- Për çdo ndryshim, rinovim apo ristrukturim të Marrëveshjes së Huasë, që mund të bëhet në marrëveshjen ndermjet Huadhënësit dhe Huamarrësit brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, nuk është i nevojshëm miratimi i MFE-së, me kusht që këto ndryshime nuk do të kenë asnjë efekt në të drejtat e Huadhënësit kundrej MFE-së, sipas kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje. Huadhënësi do të njoftojë me shkrim MFE-në (ose çdo strukturë të autorizuar nga MFE-ja) për çdo ndryshim, rinovim apo ristrukturim të Marrëveshjes së Huasë.
- Huadhënësi është përgjegjës që totali i shumës së Vlerës së Garantuar të Huave, të mos tejkalojë Vlerën e Garancisë të lëshuar nga MFE-ja në favor të tij sipas nenit 2 të kësaj Marrëveshjeje. Në asnjë rast, tejkalimi i Vlerës së Garancisë nuk do të përbëjë detyrim për MFE-në.
- Huaja do të quhet e përfunduar dhe nuk do të jetë më objekt i kësaj Marrëveshjeje vetëm pasi të jetë paguar plotësisht nga Huamarrësi në përputhje me termat dhe kushtet e Marrëveshjes së Huasë. Huadhënësi duhet të njoftojë me shkrim MFE-në për të gjitha Huatë e përfunduara brenda një afati prej 10 (dhjetë) ditësh kalendarike nga data e përfundimit të tyre