Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon të sjellë në vëmendjen e tatimpaguesve, detyrimet ligjore që ju lindin nga ligji Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, i njohur si Fiskalizimi.
Për t’u Fiskalizuar çdo subjekt duhet të ketë 5 element të domosdoshëm:
- Certifikata Elektronike, e cila merret tek AKSHI, duke aplikuar përmes kredencialeve nga e-Albania.
- Software i Fiskalizimit.
- Një pajisje elektronike; Kompjuter, tablet, telefon etj.
- Lidhje të thjeshtë me internet.
- Printer jofiskal.
Që prej datës 1 Janar 2021, kur nisi zyrtarisht faza e parë e kësaj reforme, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike (B2C), të gjithë tatimpaguesve u është dhënë mundësia për t’u Fiskalizuar përpara afateve të përcaktuara në Ligj.
Më datë 1 Korrik 2021 nisi efekti ligjor për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve (B2B), ndërsa për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit (B2C), pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 Shtator 2021.
Për një biznes që regjistrohet për herë të parë, kosto fillestare e Fiskalizimit është më e ulët në krahasim me koston e sistemit aktual të pajisjeve Fiskale.
Nga ana tjetër, për t’i ardhur në ndihmë biznesit duke i dhënë kohën e duhur për të kuptuar dhe implementuar këtë reformë të rëndësishme, kujtojmë se gjobat për mos aplikimin sipas efekteve ligjore të Fiskalizimit, janë falur deri në 1 Janar 2022.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të vazhdojë të ketë një qasje sensibilizuese dhe këshilluese, për të gjitha subjektet gjatë gjithë vitit 2021 përsa i përket Fiskalizimit. Në këtë kuadër është përgatitur edhe një plan masash, i bazuar në informacionin mbi statusin e Fiskalizimit të çdo subjekti, me qëllim kuptimin e problematikës dhe dhënien e suportit nga ana e Administratës Tatimore.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.