TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Regjistrimi fillestar (hapja) e një biznesi është një nga vendimet më të rëndësishme, që një sipërmarrës duhet të marrë. Është një proces që shoqërohet patjetër, me informacione për pasojat e regjistrimit, detyrimet e shtuara, përgjegjësitë por edhe mundësi të pafundme për të pasur sukses.

Është shumë e rëndësishme në këtë fazë që të bëhet një parashikim të ardhurave dhe shpenzimeve të biznesit, për të qenë të përgatitur; por edhe për të marrë vendimet në kohën e duhur.

Në vazhdim; në hapat e para të pas-regjistrimit të biznesit, janë të nevojshme që të ndiqen disa procedura dhe praktika fillestare. Disa nga këto çështje shoqërohen me afate maksimale, që duhet të respektohen dhe disa të tjera, janë të detyrueshme për të filluar aktivitetin.

Ky është një proces fare normal, që duhet të ndiqet dhe që lidhet me përgjegjësitë e hapjes së një biznesi. Këto çështje nuk duhet të trajtohen vetëm si “frikë” e gjobave, por si një fillim i mbarë i punës. E vërteta është që ka mungesë informacioni, për hapat që duhet të ndiqen dhe, shpjegimi praktik i procedurave në një formë sa më të thjeshtuar.

Në mënyrë të thjeshtuar, hapat që duhet të ndjekin bizneset; janë si më poshtë.

  1. Hapja e llogarisë së biznesit në portalin qeveritar e-Albania. Ky është edhe hapi i parë i nevojshëm, për të pasur mundësi aksesi në shërbimet e tjera online. Meqenëse pjesa më e madhe e shërbimeve të tjera, merren tashmë jo nëpërmjet aplikimeve apo vizitave në institucionet e ndryshme, është e nevojshme hapja dhe aktivizimi i llogarisë së biznesit në këtë portal. Kjo nuk duhet të ngatërrohet me llogarinë tuaj personale në e-Albania, por llogaria e biznesit aty. Nëse ju jeni person juridik, regjistrimi i llogarisë së biznesit kryhet nga llogaria juaj personale; ndërsa, nëse ju jeni person fizik, aplikimi kryhet nga llogaria personale e individit.
  2. Hapja e llogarisë së tatimeve. Edhe ky proces është i nevojshëm, në pjesën e procedurave tatimore. Nga aty do të administrohen në vazhdim, deklarimet tatimore periodike, shtimi dhe largimi i punonjësve dhe administrimi në përgjithësi i përgjegjësive tuaja si tatim pagues. Ky regjistrim është gjithashtu mjaft i thjeshtë. Aktivizimi i llogarisë tatimore, nevojitet të kryhet ditën tjetër, pas regjistrimit të biznesit (data e regjistrimit fillestar). Regjistrimi i llogarisë së tatimeve kryhet këtu https://efiling.tatime.gov.al/cats_public/Account/LogOn. Për të krijuar llogarinë tuaj të tatimeve, keni nevojë vetëm për numrin tuaj unik të identifikimit (NUIS ose ndryshe i quajtur NIPT). Fjalëkalimi fillestar që përdoret për të aksesuar llogarinë tuaj është Tatimetemia12. Më pas do ju kërkohet vendosja e një fjalëkalimi të ri. Bëni kujdes që të ruani fjalëkalimin e vendosur, por, edhe nëse ndodh, ju do të keni mundësi të gjeneroni një fjalëkalim të ri, nëpërmjet llogarisë tuaj të biznesit në e-Albania (si pika më lart).
  3. Nënshkrimi kontratës së qirasë apo dokumenti që tregon përdorimin e ambientit, dhe depozitimi i tij; po në formë elektronike, nëpërmjet llogarisë tuaj në Tatime. Veç përdorimit nëpërmjet një marrëveshje qiraje, biznesi mund të përdorë ambientin/et, edhe nëse ato janë në pronësi të tij (biznesit dhe jo individit), apo edhe një marrëveshje hua-përdorimi. Kuadri ligjor parashikon detyrimin e përdoruesit të pronës, për të mbajtur tatimin në burim në masën 15%, nëse Qiradhënësi nuk është i regjistruar në organet tatimore, dhe arkëton qiranë si një individ i thjeshtë. Gjithashtu ligji ka parashikuar edhe minimumin e tatimit të pagueshëm. Qiraja minimale mujore; vetëm për qëllime tatimore, nuk mund të jetë më e ulët se sa 0.3% e vlerës referencë të pronës. Nëse ju jeni person fizik, dhe përdorni ambientin në pronësi tuaj apo të familjarëve tuaj, ju nuk keni detyrimin për të llogaritur, mbajtur dhe paguar tatimin në burim. Shiko VKM Nr. 469 për Përcaktimin e vlerës minimale të qirasë. Nëse ju do të paguani në të ardhmen tatimin në burim, duhet të shtoni përgjegjësinë tatimore të tatimit në burim.
  4. Hapja e llogarisë bankare. Për të pasur mundësinë e kryerjes së pagesave në emër të biznesit dhe arkëtimeve të pritshme ndaj biznesit, duhet patjetër të hapet edhe llogaria/të bankare rrjedhëse në emër të biznesit. Ky proces është gjithashtu detyrim ligjor i biznesit/tatimpaguesit, që nevojitet të hapë dhe depozitojë në formë elektronike informacionin e llogarive bankare, brenda jo më shumë se 20 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit fillestar. Dokumentacioni i nevojshëm që kërkojnë bankat në këtë rast është; (a) Ekstrakti Historik i gjeneruar nga e-Albania, (b) Çertifikatë Regjistrimi (ose NIPT) e gjeneruar po nga e-Albania, (c) Në rastet e personave juridike Statuti dhe Akti i Themelimit, dhe (d) Dokumenti i identifikimit të përfaqësuesit ligjor. Ne këshillojmë, edhe përdorimin e shërbimit e-banking, si një mundësi mjaft e mirë dhe praktike për të kryer pagesat në të ardhmen. Ju mund të zgjidhni hapjen e llogarive bankare, në një nga bankat e licensuara të nivelit të dytë në Shqipëri https://www.bankofalbania.org/Mbikeqyrja/Subjekte_te_licencuara/Banka/
  5. Fiskalizimi. Procesi i fiskalizimit është një nga hapat më pozitive dhe vendimet më të rëndësishme, të vitit 2021. Tashmë çdo subjekt në Shqipëri, që pranon dhe lëshon fatura, është i detyruar që të përshtasë sistemin e faturimit të tij. Ky proces është shoqëruar me të panjohura dhe trajtuar shpesh si një pengesë për bizneset, për arsye të mos-kuptimit apo shtimit të kostos. Në të vërtetë, ky është një proces krejt normal, mjaft pozitiv dhe që do të ndodhte patjetër, si pjesë e zhvillimeve teknologjike në këtë fushë. Kjo është një mundësi mjaft e mirë për bizneset, për të pasur informacion në kohë reale dhe lehtësur procesin e lëshimit dhe pranimit të faturave. Ajo që ka ndryshuar në thelb, është vetëm, zevëndësimi i metodës së lëshimit/pranimit të faturave, tashmë jo nëpërmjet faturave fizike në letër, por në formë elektronike. Si çdo proces i ri ai shoqërohet me të panjohura dhe rezistencë normale nga ndryshimi, por, të paktën deri tani, dhe priten ende efekte pozitive në të ardhmen, ky proces ka lehtësuar ndjeshëm punën e përditshme të bizneseve. Për të pasur mundësinë e pranimit dhe lëshimit të faturave një biznes duhet të ndjekë këto dy hapa. (a) Pajiset me Certifikatën e Fiskalizimit, e cila jepet nga ky aplikacion https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13691. Kostoja e këtij shërbimi; e pagueshme si tarifë vjetore për institucionin publik të AKSHI (Agjencia Kombëtare e Teknologjisë së Informacionit) publik është 4 000 lekë/vit, dhe (b)Zgjedhë për të përdorur, nga lista e kompanive të certifikuara https://www.tatime.gov.al/c/424/494/lista-e-subjekteve-te-certifikuara një nga zgjidhjet e njohura softuerike, për lëshimin/marrjen e faturave elektronike.
  6. Interesimi dhe ndjekja e procedurave për tu pajisur me leje/licensë, në varësi të aktivitetit tuaj. Gjithashtu një nga pikat më të rëndësishme që duhet të ndiqet në këtë fazë. Disa nga llojet e aktiviteteve, që ju mund të zgjidhni të kryeni, shoqërohen edhe me marrjen paraprake të një licensë apo leje nga institucionet përkatëse. Nëse ju nuk jeni pajisur paraprakisht me një dokument të tillë, mund të ndodhë që të mos keni të drejtë të kryeni aktivitetin tuaj. Psh. Nëse ju jeni një klinikë dentare, duhet që subjekti juaj paraprakisht të licensohet për të funksionuar si një klinikë dentare. Llojet e liçensave dhe informacion për marrjen e tyre e gjeni në këtë link https://qkb.gov.al/informacion-mbi-proceduren/regjistri-i-licencave-autorizimeve-dhe-lejeve/informacion-mbi-licensat-autorizimet-dhe-lejet/.
  7. Aplikimi në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Një nga pikat e procedurës fillestare që duhet të ndjekim është aplikimi për regjistrimin fillestar të Pronarëve Përfitues. Çështja është paksa e ndjeshme, por asgjë për t’u shqetësuar, sepse shoqërohet me paraqitjen e dokumentacionit, afatet dhe penalitetet, në rast të tejkalimit të këtyre afateve. Ky aplikim kryhet vetëm nga personat juridike dhe përjashtohen nga ky detyrim personat fizik. Për të kryer këtë aplikim nevojitet, (a) Marrja e nënshkrimit elektronik në emër të përfaqësuesit ligjor. Shërbimi për marrjen e nënshkrimit elektronik paraqitet në këtë link https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13521 dhe (b) aplikimi për regjistrin e pronarëve më pas këtu https://e-albania.al /eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14519. Dokumentacioni dhe informacioni i nevojshëm në këtë rast është; Ekstrakti, Statuti/Akti i Themelimit, ID të Pronarëve Përfitues, informacion për përqindjen e pronësisë dhe të dhënat e pronarëve përfitues.
  8. Interesimi për pagesën e taksave vendore. Pagesa e taksave vendore në Shqipëri; në pjesën kryesore të tyre, paguhen një herë në vit. Afati i pagesës së taksave është data 20 Prill e vitit për të cilin paguhen taksat. Në rastin e regjistrimit rishtazi, afati i pagesës është një muaj pas regjistrimit fillestar.
  9. Përgatitja e një vule në emër të biznesit. Një ide e mirë për të pasur mundësinë e formalit të procedurave tuaja të brendshme. Gjithashtu, vula nevojitet në raste të aplikimeve apo korrespodencave në institucionet publike.
  10. Interesimi për lejen e punës dhe më pas të qëndrimit për shtetasit e huaj. Në rastin e punësimit të shtetasve të huaj në Shqipëri, nevojitet fillimisht aplikim për marrjen e lejes së punës. Në rastin e shtetasve banues në Bashkimin Europian dhe Kosovë, ligji parashikon ndjekjen e një procedura të thjeshtuar të marrje së Leje së Punës. Në vazhdim, në punonjësi do të vijoj të qëndrojë në Shqipëri, nevojitet të pajisjet me Leje Qëndrimi.

Ndjekja e këtyre çështjeve veçmas, përveç plotësimit të detyrimit ligjor, është edhe një fillim i mbarë i administrimit të biznesit. Ky proces nuk ka përse të jetë i shoqëruar me shqetësime ose nxitime të plotësimit të afateve, por një detyrim ligjor i juaji, si një përgjegjësi e shtuar në punën dhe përgjegjësinë që keni marrë. Ne ju rekomandojmë, pavarësisht angazhimit të personelit të jashtëm që ndjek këto procedura, ju të jeni pjesë e marrjes së vendimeve, dhe keni informacionin e nevojshëm se çfarë po ndodh me biznesin tuaj.

Ne shpresojmë që ky informacion të jetë sado pak i vlefshëm për Ju dhe ti shërbejë qartësimit të nevojës për të ndjekur këto procedura dhe jo thjesht detyrimit ligjor të tyre. Ky është vetëm fillimi i një pune mjaft të lodhshme, në një mjedis ekonomik që ndryshon kaq shpesh.

Burimi: Alprofit Consult

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online