Nga janari i këtij viti, bizneset që do të paguajnë online, me kartë debiti ose krediti për marrjen e shërbimit, do të pajisen me certifikatën elektronike të fizkalizimit brenda vetëm 60 minutave.
Sipas e-Albania, që bëri të ditur zyrtarisht lajmin, ky është një lehtësim i madh, që eliminon në kohë rekord afatin që një subjekti i duhej të priste për t’u pajisur me certifikatën elektronike për projektin e fiskalizimit, pa u penguar në lëshimin e faturave elektronike si rrjedhojë e kohës.
Nga kjo procedurë e thjeshtuar nuk përfitojnë bizneset, që gjatë aplikimit për certifikatë elektronike zgjedhin opsionin e pagesës nëpërmjet shkarkimit të mandat pagesës, për të vijuar fizikisht në bankë. Për këto aplikime, sikurse edhe aktualisht, biznesi, përmes e-Albania, do të pajiset online me certifikatën elektronike të fiskalizimit brenda 10 ditësh pune, si pasojë e punës manuale nga stafi.
Ndërkohë që për pagesat online me anë të kartës, sistemi kryen automatikisht trajtimin e kërkesës dhe gjenerimin e certifikatës.
Sipas e-Albania, ky sistem është testuar në ditët e para të janarit dhe po funksionon shumë mirë.
Në videon në link Aplikimi për certifikatën elektronike jepet procedura e thjeshtuar të aplikimit për certifikatën elektronike të fiskalizimit, brenda 1 ore.
Marrja e cerifikatës elektronike është hapi i parë që një biznes duhet të ndjekë për t’u fiskalizuar. Bizneset ndërkohë duhet që ta rinovojnë cerifikatën çdo vit dhe në janar bëhet një vit që kur filloi faza e parë e procesit të fiskalizimit.
Sipas të dhënave të tjera nga Ministria e Financave, nga 1 janari dhe deri tani janë fiskalizuar 66,000 biznese sipas të dhënave të përditësuara të tatimeve apo 55% e totalit të bizneseve që kanë detyrimin të fiskalizohen.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha më herët se procesi është mbyllur për biznesin e madh, për këtë arsye shtyrja e afatit të periudhës pa gjoba vetëm për të vegjlit nuk penalizon kategorinë e tatimpaguesve të mëdhenj. Ibrahimaj shpjegoi se vendimi për shtyrjen e periudhës pa gjoba për biznesin e vogël deri më 30 qershor 2022 u mor për t’i lënë më shumë kohë në zbatimin e kritereve të procesit.
Burimi: Revista Monitor.