Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka njoftuar se, duke u nisur nga situata e krijuar ditët e fundit për arsye të mosfunksionimit të portalit qeveritar e-Albania, Qendra Kombëtare e Biznesit do të zbatojë parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative lidhur me afatin për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar.
Që pas sulmit kibernetik mbi E-Albania, në 17 korrik, dorëzimi i bilanceve, i cili kryhet përmes sistemit të E-Albania, ishte i pamundur, duke krijuar shqetësime te subjektet që nuk po arrinin të kryenin këtë shërbim.
Gjoba për mosdorëzim bilanci është rritur këtë vit në 60 mijë lekë, nga 15 mijë lekë që ishte më parë. Janë gati 20 mijë subjekte që kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e bilanceve vjetore.
Sistemi i brendshëm i QKB aktualisht nuk paraqet probleme, por për shkak të tentativës për sulm kibernetik që ndodhi pak ditë më parë, të gjitha platformat qeveritare, duke përfshirë edhe platformën e-Albania janë në back-up deri në momentin e skanimit të plotë, për t’u rikthyer funksionalitetit online.
Burimi: Revista Monitor.