Pyetje: Kam mbyllur (dorëzuar) librat e shitjes dhe të blerjes në formatin Excel manualisht nga sistemi E-filing. Tani që duhet të dorëzohen nga portali Self-Care, çfarë duhet të bëj? T’i deklaroj përsëri në Fiskalizim?
Përgjigje: Në sistemin e deklarimit elektronik e-Filing, do të shfaqen dy versione të deklarimit të librave, një version për dorëzimin manual sipas formatit Excel dhe një version të dorëzimit automatik nga portali SelfCare. Ju duhet të verifikoni nëse këto versione nuk kanë ndryshime, dhe nëse ka, duhet të kryeni saktësimet përkatëse dhe të ringarkoni librat në formatin Excel në e-Filing.
Pyetje: Kam mbyllur librat në SelfCare. Kur shfaqen në e-Filing?
Përgjigje: Librat shfaqen ditën e nesërme të ditës së mbylljes (dorëzimit) të tyre.
Pyetje: Çfarë ndodh nëse unë nuk i mbyll (dorëzoj) librat në SelfCare?
Përgjigje: Në datën 11, librat do të mbyllen (dorëzohen) automatikisht nga sistemi i Fiskalizimit. Më pas ju keni mundësinë të verifikoni dhe korrigjoni librat, nëse do të jetë e nevojshme, në e-Filing.
Pyetje: Nëse nuk kam fatura shitje ose blerje gjatë muajit, si veprohet me deklarimin e librave në SelfCare?
Përgjigje: Librat mbyllen pa aktivitet automatikisht nga SelfCare, dhe më pas transferohen drejt e-Filing.
Pyetje: Kam mbyllur librat e shitjes dhe blerjes në portalin qendror të faturave, bashkë me sistemimet përkatëse, përpara datës 10 të muajit pasardhës. Ndërkohë më vjen një faturë blerje nga subjekte utilitare (FSHU, Ujësjellës, internet etj.) pasi unë kam mbyllur librat. Si duhet të veproj në këtë rast për deklarimin e kësaj fature të padeklaruar?
Përgjigje: Në SelfCare do të shfaqet fatura e lëshuar pasi është bërë mbyllja e librave. Ju duhet të kryeni ndryshimin e librit të blerjes në sistemin e-Filing, duke ringarkuar të përditësuar në formatin Excel.
Pyetje: Gjatë muajit kam patur importe mallrash, për të cilat ka qenë e pamundur fiskalizimi i tyre. Tek libri i blerjeve nuk shfaqet deklarata e importit, si duhet ta deklaroj tani që librat deklarohen automatikisht nga SelfCare? Jo të gjitha importet mund të fiskalizohen ose të fiskalizohen në afat?
Përgjigje: Ju duhet të kryeni procesin e mbylljes së librave në SelfCare, dhe më pas në llogarinë e tuaj në e-Filing keni mundësi të korigjoni manualisht librin e blerjes, duke përfshirë të dhënat e deklaratave të importit që nuk keni mundur t’i fiskalizoni dhe më pas e ringarkoni në formatin Excel.
Pyetje: Disa fatura të fiskalizuara shfaqen të transaksionet, por jo të pasqyra mujore?
Përgjigje: Problematika shfaqej pasi tatimpaguesit lëshonin fatura me gabime. Nga data 22 Shkurt 2023, kjo problematikë është zgjidhur, pasi kemi vendosur kufizime në sistem për të eleminuar lëshimin e faturave me këtë lloj gabimi.
Pyetje: Nuk mund të saktësohen të gjitha librat më datë 10, pasi vetëm atëherë mund të shfaqen të gjitha faturat (përveç atyre të datës 10) pasi është ngarkesë e madhe, për zyrat e kontabilitetit?
Përgjigje: Afati i deklarimit të librave nuk ka ndryshuar, është data 10 e muajit pasardhës, përcaktuar në Udhëzimin nr.6 datë 30.01.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar. Nëpërmjet këtij procesi, të gjithë tatimpaguesve subjekt i TVSH-së, përfshirë edhe zyrat e kontabilitetit, iu është thjeshtuar procesi i deklarimit manualisht të librave. Për saktësimin dhe verifikimin e mospërputhjeve të mundshme, është i vlefshëm afati nga data 11 deri në 14, i cili përkon edhe me deklarimin dhe pagesën e TVSH-së. Plotësimi i deklaratës së TVSH-së do të vijojë të kryhet manualisht nëpërmjet e-Filing.
Pyetje: Jam një tatimpagues pa TVSH. Çfarë duhet të bëj për të deklaruar librat e shitjes dhe të blerjes?
Përgjigje: Tatimpaguesit që nuk janë subjekt i TVSH-së, pra nuk janë të regjistruar për përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, nuk kanë detyrimin e deklarimit të librave dhe dorëzimin e deklaratës së TVSH-së. Librat e këtyre tatimpaguesve nuk transferohen nga portali Selfcare drejt e-Filing.