Deklarata tatimore vjetore
1. Çdo person, që i nënshtrohet këtij ligji, është i detyruar të deklarojë në organin tatimor të gjitha të ardhurat, qofshin ato të tatuara në çfarëdo mënyre apo të përjashtuara nga tatimi. Për personat fizikë që janë nën 18 vjeç deklarata tatimore bëhet nga kujdestari i tyre ligjor.
2. Deklarata tatimore vjetore dorëzohet në organin tatimor jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës të vitit tatimor për të cilin dorëzohet deklarata.
3. Në rast se tatimpaguesi ka vdekur, deklarata plotësohet nga trashëgimtarët e tij ligjorë për të ardhurat e përgjithshme të krijuara deri në datën e vdekjes.
4. Në rast se tatimpaguesi ndryshon rezidencën tatimore, ai duhet të bëjë deklaratë tatimore për çdo të ardhur të krijuar deri në datën e ndryshimit të rezidencës.
5. Mënyra e deklarimit, përfshirë deklarimin elektronik, dhe formularët përkatës të deklarimit, paraqiten sipas përcaktimeve në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat për zbatimin e këtij ligji. Tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të ligjit përkatës, paraqesin deklaratën vjetore së bashku me pasqyrat financiare, si dhe të dhëna të tjera të përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat për zbatimin e këtij ligji.
6. Tatimi për t’u paguar nga tatimpaguesi paguhet në llogaritë e autorizuara nga thesari i buxhetit të shtetit.
Kërkesat për dokumentacion
1. Baza tatimore përcaktohet duke rregulluar shpenzimet dhe të ardhurat e deklaruara në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas mënyrës së përcaktuar në këtë ligj.
2. Dokumenti i përdorur si bazë për justifikimin e shpenzimeve për qëllime tatimore është fatura, siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit për shitjet me dhe pa para në dorë, si dhe çdo dokument tjetër i përgatitur ose i nxjerrë në përputhje me udhëzimet e miratuara nga ministri përgjegjës për financat.
Parapagimet
1. Ky nen zbatohet për:
a) të vetëpunësuarit ose personat fizikë tregtarë, për të ardhurat e tyre nga biznesi; dhe
b) entitetet.
2. Gjatë periudhës vijuese tatimore, tatimpaguesi parapaguan në llogarinë e organeve tatimore këstet tremujore të tatimit mbi fitimin brenda datës 31 mars për muajt janar, shkurt dhe mars; brenda datës 30 qershor për muajt prill, maj dhe qershor; brenda datës 30 shtator për muajt korrik, gusht dhe shtator dhe brenda datës 31 dhjetor për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Këstet mund të paguhen edhe në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji, në shumat si më poshtë:
a) për çdonjërin nga muajt janar, shkurt dhe mars të periudhës vijuese tatimore, në shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore të para dy vjetëve të pjesëtuar me 12;
b) për çdonjërin nga 9 muajt e tjerë të periudhës vijuese tatimore, shumën e tatimit mbi fitimin për periudhën paraardhëse tatimore pjesëtuar me 12.
3. Rastet e parapagimeve të tatimit kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë gjatë periudhës tatimore të vitit të dytë paraardhës, gjatë periudhës paraardhëse tatimore apo në periudhën vijuese tatimore detajohen në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.
Pjesë nga Udhëzimi nr.26, datë 08.09.2023 për Tatimin mbi të ardhurat
“63. Parapagimet
63.1 Llogaritja e kësteve të parapagimit gjatë vitit tatimor për tatimin mbi fitimin korporativ
Tatimpaguesi subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ, gjatë vitit tatimor, parapaguan këstet mujore/tremujore të tatimit mbi fitimin:
– brenda datës 31 mars, për muajt janar, shkurt, mars;
– brenda datës 30 qershor, për muajt prill, maj, qershor;
– brenda datës 30 shtator, për muajt korrik, gusht, shtator; dhe
– brenda datës 31 dhjetor, për muajt tetor, nëntor dhjetor.
Bazuar në të dhënat e deklaratës së fitimit të tatueshëm të vitit paraardhës, të dorëzuar nga tatimpaguesi, deklaratë që duhet të dorëzohet brenda datës 31 mars të vitit vijues, administrata tatimore llogarit këstet mujore dhe ato tremujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin korporativ për periudhën prill–dhjetor të vitit vijues dhe për periudhën janar–mars të vitit të ardhshëm. Këstet e parapagimeve i njoftohen tatimpaguesit në rrugë elektronike në llogarinë e tij brenda datës 10 prill të vitit vijues.
Këstet e llogaritura të parapagimeve paguhen nga tatimpaguesi në fund të çdo 3-mujori, por mund të paguhen edhe në bazë mujore, brenda datës 15 të çdo muaji. Kur këstet e parapagimeve paguhen në bazë tremujore, kësti i çdo tremujori llogaritet si shumë e kësteve të çdo muaji të tremujorit përkatës.
63.2 Llogaritja e kësteve të parapagimeve të tatimit mbi fitimin korporativ:
63.2.1 Në rastet kur tatimpaguesi ka më shumë se një periudhë tatimore të mëparshme që e ka filluar veprimtarinë ekonomike, këstet mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten si më poshtë:
Shembull për llogaritjen e parapagimeve për vitin aktual 2023 e në vijim:
Tatimi mbi fitimin i vitit 2022 ka qenë 1,200,000 lekë, ndërkohë që tatimi mbi fitimin për vitin 2021 ka qenë 1.080.000 lekë. Këstet mujore/tremujore të parapagimeve për vitin 2023 do të jenë:
– Pra për 3-mujorin e parë të vitit 2023, kësti i parapagimeve është përcaktuar në prill të vitit paraardhës 2022, bazuar në deklaratën e fitimit të tatueshëm të vitit 2021. Konkretisht: për periudhën janar–mars 2023: 1,080,000/12 muaj = 90,000 lekë/muaj. Totali i parapagimit për 3- mujorin janar–mars 2023 do të jetë 90,000 x 3 muaj = 270,000 lekë.
– Për periudhën prill–dhjetor 2023: 1,200,000/12 muaj = 100,000 lekë/muaj. Totali për 9-mujorin prill–dhjetor 2023 do të jetë 100,000 x 9 muaj = 900,000 lekë, ose 300,000 lekë për çdo 3-mujor ose 100,000 lekë çdo muaj.
– Për periudhën janar–mars 2024: 1,200,000/12 muaj = 100,000 lekë/muaj. Totali për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës 2024 është 100,000 x 3 muaj = 300,000 lekë, ose 100,000 lekë çdo muaj.
63.2.2 Në rastet kur tatimpaguesi ka më pak se një periudhë tatimore që e ka filluar veprimtarinë ekonomike, këstet mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten, si më poshtë:
Shembull
Të dhënat: Veprimtaria ekonomike ka filluar në datën 1 prill 2022. Tatimpaguesi ka deklaruar se tatimi mbi fitimin i vlerësuar prej tij për periudhën prill–dhjetor 2022 dhe janar–mars 2023 mund të jetë 100.000 lekë çdo muaj.
Sipas bilancit të depozituar për veprimtarinë ekonomike të vitit 2022, tatimi mbi fitimin për periudhën prill–dhjetor rezulton 1.350.000 lekë.
Llogaritja e parapagimeve të tatimit mbi fitimin për periudhat në vijim:
– Për periudhën janar–mars 2023 është marrë në konsideratë vetëvlerësimi i tatimpaguesit në prill 2022 dhe parapagimet e kësaj periudhe do të jenë 100,000 lekë çdo muaj ose 300.000 lekë për 3- mujorin e parë 2023;
– Për periudhën prill–dhjetor 2023: Fitimi i deklaruar për vitin 2022 ka qenë 1.350.000 lekë: 9 muaj = 150.000 lekë në muaj. Pra për periudhën prill–dhjetor 2023 parapagimet e tatimit mbi fitimin do jenë 150.000 lekë çdo muaj ose 150.000 x 3 = 450.000 lekë çdo tremujor, ose 1,350.000 lekë si 9- mujor;
– Për periudhën janar–mars 2024 parapagimet do të jenë 150,000 lekë çdo muaj ose 150,000 x 3 = 450,000 lekë si 3-mujor.
63.2.3 Në rastet kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë në vitin vijues, këstet mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten duke u bazuar në deklaratën parashikuese të tatimpaguesit për shumën e vlerësuar të fitimit dhe tatimit mbi fitimin, pjesëtuar me numrin e muajve të mbetur deri në fund të vitit, por pa marrë në konsideratë muajin e parë të regjistrimit. Kjo formulë llogaritjeje do të shërbejë edhe për përcaktimin e kësteve mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës. Për 9-mujorin në vijim prill–dhjetor të vitit pasardhës, këstet mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten duke marrë në konsideratë të dhënat e deklaratës së fitimit të tatueshëm të vitit paraardhës.
Shembull
Tatimpaguesi regjistrohet në datën 10 gusht 2023 dhe deklaron se tatimi mbi fitimin e tij për periudhën e mbetur të vitit 2023 do të jetë 800.000 lekë.
Këstet e tij mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten:
– Për secilin nga muajt e periudhës shtator–dhjetor 2023: 800.000: 4 = 200.000 lekë/muaj;
– Për secilin nga muajt e tremujorit të parë janar–mars 2024: 200.000 lekë/muaj, ose 200,000 lekë/muaj x 3 muaj = 600.000 lekë për 3-mujorin e parë 2024.
E njëjta metodologji do të përdoret për llogaritjen e kësteve mujore/tremujore të parapagimeve të tatimit edhe në rastet kur periudhat paraardhëse tatimore kanë rezultuar me humbje.
63.3 Korrigjimi në ulje i kësteve mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin korporativ. Tatimpaguesi, në çdo muaj gjatë periudhës tatimore mund të kërkojë dhe të provojë para organeve tatimore se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse. Në këto raste organi tatimor, bazuar në argumentet, dokumentacionin dhe të evidencat e tatimpaguesit, zvogëlojnë shumat e llogaritura të parapagimeve.
Argumentet që mund të parashtrojë tatimpaguesi për të kërkuar reduktimin/heqjen e kësteve të llogaritura të parapagimit janë:
– Kur shitjet e deklaruara në 3 muajt e fundit, para kërkesës për reduktim të kësteve janë ulur me mbi 20% krahasuar me shitjet mesatare mujore të 12-mujorit të fundit para këtij 3-mujori. Reduktimi i kësteve bëhet në proporcion me reduktimin e shitjeve të mallrave dhe të shërbimeve.
– Kur blerjet e deklaruara në 3-mujorin e fundit, janë ulur me mbi 30% krahasuar me blerjet mesatare mujore të 12-mujorit të fundit para këtij 3-mujori. Reduktimi i kësteve për parapagimet bëhet në proporcion me reduktimin e blerjeve të mallrave dhe të shërbimeve.
– Kur ka mungesa në vijim të kontratave të shitjes së mallrave apo të shërbimeve, kontratave të punimeve etj., të cilat do ta reduktojnë në mënyrë domethënëse veprimtarinë dhe të ardhurat e tatimpaguesit për muajt e mbetur të vitit vijues, për të cilin kërkohet reduktimi i kësteve mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin.
– Kur përfundojnë kontrata mbi bazën e të cilave janë realizuar të ardhurat në vitet e mëparshme, kanë përfunduar objektet apo punët e tjera publike të kontraktuara.
– Kur kanë ndodhur fatkeqësi apo dëme në veprimtarinë e tatimpaguesit gjatë vitit vijues dhe që do të çojnë në reduktimin e ndjeshëm të veprimtarisë ekonomike.
– Kur mbyllen linja, veprimtari të caktuara, shkurtohet ndjeshëm forca e punës etj., si rezultat i tkurrjes së veprimtarisë.
Në rastet kur kanë ndryshuar kushtet mbi bazën e të cilave këstet e parapagesave janë reduktuar, administrata tatimore i rishikon ato në rritje.
63.4 Korrigjimi në rritje i kësteve mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin korporativ.
Në rastet kur, bazuar në të dhënat e deklaruara për 9-mujorin e vitit në vijim, rezulton se tatimpaguesi i ka rritur të ardhurat mesatare mujore nga shitja e mallrave dhe e shërbimeve me më shumë se 10% krahasuar me të ardhurat mesatare mujore të vitit të kaluar, administrata tatimore mund të rregullojnë në rritje parapagimet e tremujorit të fundit të vitit. Rritja e kësteve të parapagimit nuk mund të jetë më shumë se 75% në përputhje me përqindjen e rritjes së të ardhurave të rezultuara nga krahasimi i vitit korrent me vitin e kaluar.
Shembull
Të ardhurat bruto mesatare mujore 2022 kanë qenë 100.000 lekë.
Të ardhurat bruto mesatare mujore janar–shtator 2023 janë 130.000 lekë.
Rritja mesatare mujore e të ardhurave është 30%.
Rritja e kësteve të parapagimeve për periudhën tetor–dhjetor do të rriten jo më shumë se 22,5%
(30 % x 75 %) e kësteve të parapagimit të llogaritura në fillim të vitit.
Tatimpaguesi:
– mund ta pranojë vlerësimin e administratës tatimore;
– mund ta rishikojë në rritje, tej vlerësimit të administratës tatimore dhe të kërkojë rritje me të lartë të parapagesave; ose
– mund të kundërshtojë rritjen e parapagesave të bërë nga administrata tatimore, sipas procedurave të paparashikuara të apelimit tatimor.
Në rastet kur tatimpaguesi gjykon vetë se tatimi mbi fitimin i vlerësuar prej tij për vitin vijues, do të jetë mbi 10% më i lartë se këstet mujore të parapagesave të llogaritura sipas ligjit, ai duhet të paraqesë një deklaratë vlerësimi të tatimit mbi fitimin për vitin ushtrimor jo më vonë se data 10 shtator. Mbi këtë bazë administrata tatimore korrigjon në rritje këstet për muajt tetor-dhjetor të vitit vijues.
Shembull
– Këstet e llogaritura për muajt janar–mars: 300,000 lekë (100,000 lekë/muaj).
– Këstet e llogaritura për muajt prill–shtator: 1,200,000 lekë (200,000 lekë/muaj).
– Këstet janar-shtator: 300,000 + 1,200,000 = 1,500,000 lekë.
– Këstet e llogaritura paraprakisht për muajt: tetor–nëntor–dhjetor: 600,000 lekë (3×200,000).
– Këstet për të gjithë vitin ushtrimor: 2,100,000 lekë (300.000 lekë + 1.200.000 lekë + 600.000 lekë).
Tatimi mbi fitimin i vlerësuar nga vetë tatimpaguesi që vetëdeklarohet deri në 10 shtator është 2,700,000 lekë, pra është mbi 10 për qind më i lartë se këstet mujore të parapagimeve të llogaritura [(2,700,000 lekë – 2,100,000 lekë)/2,100,000 lekë = 28%]. Në këto kushte, vlerësohet një këst shtesë për muajt tetor–dhjetor prej 200.000 lekësh në çdo muaj (2,700,000 lekë – 2,100,000 lekë = 600,000 lekë => 600.000 lekë/3 muaj = 200,000 lekë/muaj). Në total shuma e këstit të parapagimit për 3- mujorin tetor–dhjetor do të jetë 600.000 lekë + 600.000 lekë = 1,200,000 lekë për këtë 3-mujor. Nëse si rezultat i auditimit nëpërmjet kontrollit të thelluar dhe vlerësimit tatimor, konstatohet se fitimi i tatimpaguesit në vitin paraardhës është deklaruar më i ulët se ai që rezulton nga auditimi, administrata tatimore mund të rrisë këstet e parapagimeve të llogaritura më parë për vitin vijues dhe 3-mujorin e parë të vitit pasardhës. Rritja e kësteve të parapagimit bëhet në raport me shumën e rritur të fitimit si rezultat i rivlerësimit krahasuar me fitimin e deklaruar.
Administrata tatimore njofton tatimpaguesin për rritjen e kësteve të parapagimeve, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
63.5 Llogaritja e kësteve të parapagimit gjatë vitit tatimor për tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe nga vetëpunësimi.
Tatimpaguesi subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi, gjatë vitit tatimor, parapaguan këstet tremujore, të tatimit mbi të ardhurat personale:
– brenda datës 31 mars, për muajt janar, shkurt mars;
– brenda datës 30 qershor, për muajt prill, maj qershor;
– brenda datës 30 shtator, për muajt korrik, gusht shtator; dhe
– brenda datës 31 dhjetor, për muajt tetor, nëntor dhjetor.
Bazuar në të dhënat e deklaratës së tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi, të vitit paraardhës, të dorëzuar nga tatimpaguesi, deklaratë që duhet të dorëzohet brenda datës 31 mars të vitit vijues, administrata tatimore llogarit këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi për periudhën prill–dhjetor të vitit vijues dhe për periudhën janar–mars të vitit të ardhshëm. Këstet e parapagimeve i njoftohen tatimpaguesit në rrugë elektronike në llogarinë e tij brenda datës 20 prill të vitit vijues.
63.5.1 Llogaritja e kësteve të parapagimeve
63.5.1.1 Në rastet kur tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi, ka më shumë se dy periudha tatimore që e ka filluar veprimtarinë ekonomike, këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi, llogariten si më poshtë:
Shembull për llogaritjen e parapagimeve për vitin aktual 2023 e në vijim:
Tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi i vitit 2022 ka qenë 120,000 lekë, ndërsa për vitin 2021 ky tatim ka qenë 108,000 lekë. Këstet tremujore të parapagimeve do të jenë:
– Për periudhën janar–mars 2023: 108,000/12 muaj = 9,000 lekë/muaj. Totali për 3-mujorin janar–mars 2023 do të jetë 9,000 x 3 muaj = 27,000 lekë për këtë 3-mujor.
– Për periudhën prill–dhjetor 2023: 120,000/12 muaj = 10,000 lekë/muaj. Totali për 9-mujorin prill–dhjetor 2023 do të jetë 10,000 x 9 muaj = 90,000 lekë , ose 30,000 lekë për çdo 3-mujor.
– Për periudhën janar–mars 2024: 120,000/12 muaj = 10,000 lekë/muaj. Totali për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës 10,000 x 3 muaj = 30,000 lekë. Pra për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës, kësti i parapagimeve është përcaktuar në prill të vitit paraardhës, bazuar në deklaratën e të ardhurave personale nga biznesi dhe vetëpunësimi të vitit 2022.
63.5.1.2 Në rastet kur tatimpaguesi ka më pak se një periudhë tatimore që e ka filluar veprimtarinë ekonomike, këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi llogariten, si më poshtë.
Shembull
Të dhënat
Veprimtaria ekonomike ka filluar në datën 1 prill 2022. Tatimpaguesi ka deklaruar se tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi i vlerësuar prej tij për periudhën prill–dhjetor 2022 mund të jetë 10.000 lekë çdo muaj.
Sipas bilancit të depozituar për veprimtarinë ekonomike të vitit 2022, tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi për periudhën prill–dhjetor ka rezultuar 135,000 lekë.
Llogaritja e parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi për periudhat në vijim:
– Për periudhën janar–mars 2023 do të merret në konsideratë vetëvlerësimi i tatimpaguesit në prill 2022 dhe parapagimi i kësaj periudhe do të jetë 30,000 lekë për 3-mujorin e parë 2023.
– Për periudhën prill–dhjetor 2023: tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi i deklaruar për vitin 2022 ka qenë 135,000 lekë: 9 muaj = 15,000 lekë në muaj. Pra për periudhën prill- dhjetor 2023 parapagimet e tatimit mbi fitimin do të jenë 15,000 lekë x 3 muaj = 45,000 lekë çdo 3- mujor.
– Për periudhën janar–mars 2024 parapagimet do të jenë 15,000 lekë x 3 muaj = 45,000 lekë për këtë 3-mujor.
63.5.1.3 Në rastet kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë në vitin vijues, këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi llogariten duke u bazuar në deklaratën parashikuese të tatimpaguesit për shumën e vlerësuar të të ardhurës personale nga biznesi/vetëpunësimi, dhe tatimit mbi këtë të ardhur, pjesëtuar me numrin e muajve të mbetur deri në fund të vitit, por pa marrë në konsideratë muajin e parë të regjistrimit. Kjo formulë llogaritjeje do të shërbejë edhe për përcaktimin e këstit të parapagimit të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës. Për 9-mujorin në vijim prill-dhjetor të vitit pasardhës, këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi llogariten duke marrë në konsideratë të dhënat e deklaratës së të ardhurave personale të tatueshme të vitit paraardhës.
Shembull
Tatimpaguesi regjistrohet në datën 10 shtator 2023 dhe deklaron se tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi i tij për periudhën e mbetur të vitit 2023 do të jetë 60.000 lekë.
Këstet e tij tremujore të parapagimeve të tatimit llogariten:
– Për tremujorin e fundit tetor–dhjetor 2023: 60,000 lekë,
– Për tremujorin e parë 2024: 60.000 lekë.
E njëjta metodologji do të përdoret për llogaritjen e kësteve mujore/tremujore të parapagimeve të tatimit mbi edhe në rastet kur periudhat paraardhëse tatimore kane rezultuar me humbje.
6. Korrigjimi i kësteve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi. Korrigjimi në ulje i kësteve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi mund të kërkohet në çdo kohë nga tatimpaguesi, ndërsa korrigjimi në rritje i tyre mund të bëhet vetëm për 3-mujorin e fundit të vitit.
…
5. Nëse organet tatimore vlerësojnë se bazuar në treguesit e 9-mujorit të parë, të ardhurat për periudhën vijuese tatimore do të tejkalojnë çdo muaj me më tepër se 10 për qind të ardhurat mesatare mujore të periudhës së kaluar, ato mund të rregullojnë në rritje parapagimet e tremujorit të fundit të vitit në përputhje me të ardhurat e vlerësuara prej tyre.
Deklarata plotësuese tatimore
1. Në rastin kur tatimpaguesi konstaton se tatimi i pagueshëm në deklaratën e tij të fundit të të ardhurave duhet të ishte më i lartë ose humbja tatimore më e ulët, ai është i detyruar të dorëzojë një deklaratë tatimore shtesë dhe të paguajë diferencën midis tatimit të deklaruar më parë të pagueshëm dhe tatimit suplementar të pagueshëm, sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.
2. Në rastin kur tatimpaguesi konstaton se tatimi i pagueshëm në deklaratën e tij të fundit të të ardhurave duhet të ishte më i ulët ose humbja tatimore më e lartë, ai është i detyruar të dorëzojë një deklaratë tatimore shtesë sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.