Një nga prioritetet e punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është ofrimi i shërbimeve cilësore, në kohë të shkurtër dhe me kosto sa më të ulët për tatimpaguesit.
Këtij qëllimi i shërben edhe miratimi i VKM-së nr. 624. dt. 26.10 2018, “Miratimi i manualit të standardizimit e ngritjes dhe funksionimit të sporteleve të shërbimit publik”.
Qëllimi i hartimit të këtij manuali është përcaktimi i rregullave të ofrimit të shërbimeve publike, në mënyrë që përfituesit t’i sigurohet aksesi dhe trajtimi i njëtrajtshëm, pavarësisht institucionit përgjegjës për ofrimin e tij.
Manuali përcakton standarde unifikuese për ngritjen dhe funksionimin e sportelit të shërbimit, pavarësisht formës së organizimit ( sportel shërbimi, sportel i dedikuar apo pikë shërbimi me një ndalesë, etj.). Gjithashtu në të përcaktohen edhe standardet e infrastrukturës fizike, sistemet e teknologjisë së informacionit, mënyra e raportimit, matja e performancës, si dhe rritja e kapaciteteve njerëzore.
Synimi i qeverisë, por edhe i Administratës Tatimore është reduktimi i pengesave administrative, ofrimi i shërbimeve në mënyrë të shpejtë, efikase, transparente, cilësore sipas parimit të ndarjes së zyrave pritëse nga ato përgjegjëse për shërbimin, si dhe zhvillimi i standardeve të kujdesit ndaj qytetarëve.
Administrata Tatimore mbetet e angazhuar për të informuar dhe edukuar të gjithë tatimpaguesit me profesionalizëm dhe përkushtim.