Administrata Tatimore informon të gjithë tatimpaguesit, se në rastet kur ata kryejnë Kërkesë për ndryshim të të dhënave të biznesit, pranë sporteleve të QKB apo online nëpërmjet portalit e-albania, duhet të verifikojnë edhe Kodin e vendit të ushtrimit të aktivitetit në portalin SelfCare.
Ky verifikim duhet të kryhet pasi çdo Kërkesë për ndryshim në QKB, shoqërohet me një numër të ri çështjeje (CN Case Number), i cili reflektohet në sistemin Tatimor duke gjeneruar një Kod të ri të vendit të ushtrimit të aktivitetit. Gjenerimi i këtij Kodi të ri, kryesisht për subjektet të cilët kanë vetëm 1(një) vend ushtrimi të aktivitetit, nuk mundëson kryerjen e veprimtarisë së rregullt nga ana e tatimpaguesit, për sa i përket procesit të Fiskalizimit.
Pas verifikimit, nëse rezulton se është gjeneruar një Kod i ri i vendit të ushtrimit të aktivitetit, tatimpaguesi duhet menjëherë të njoftojë dhe t’ia vërë në dispozicion Kodin e ri, ofruesit të zgjidhjes softuerike të certifikuar, i cili më pas kryen përditësimet dhe mundëson lëshimin e faturave.