Plani Operacional kundër informalitetit vijon i mirëorganizuar me një qasje gjithpërfshirëse. I mbështetur mbi modulin e riskut, ky plan krahas Strukturave të Monitorimit në Terren, ka përfshirë edhe Drejtorinë e Kontrollit.
Për tatimpagues të identifikuar me rënie në qarkullim janë zhvilluar vizita fiskale me një program pune të detajuar për të identifikuar, parandaluar dhe luftuar evazionin fiskal.
Nga 159 subjekte të identifikuara me risk në fushën e ndërtimit, kanë përfunduar 114 vizita fiskale në këto subjekte, ndërsa vijon procesi i verifikimit në 28 subjekte të tjera.
Njoftimi i këtyre vizitave fiskale ka ndërgjegjësuar ndjeshëm tatimpaguesit, të cilët kanë vetëkorigjuar situatën e tyre dhe rritur vetëdeklarimet.
Qarkullimi i tatimpaguesve të njoftuar për vizita fiskale është rritur me 5 %, detyrimi për TVSh me rreth 36% dhe pagesa e TVSh me rreth 49% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë muajit tetor do të vazhdohet me përfundimin e të gjitha vizitave fiskale për të parë rivlerësimet dhe vetëkorigjimet që do të pasqyrohen në deklaratat e tyre financiare.
Kontrolle në vend janë planifikuar dhe do të kryhen gjatë muajit tetor për tatimpagesit me rënie më të madhe dhe që zenë peshë specifike më të madhe si kontribues të të ardhurave.