Tatimpaguesi për tatimin mbi të ardhurat e korporatave
Çdo entitet i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat e korporatave, ku përfshihen kryesisht:
a) shoqëritë kolektive;
b) shoqëritë komandite;
c) shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar;
d) shoqëritë aksionare; dhe
çdo entitet tjetër, përfshirë entitetet jorezidente, që nuk parashikohen në shkronjat “a” deri “d” të kësaj pike, përfshirë edhe entitetet që i nënshtrohen një regjimi të veçantë tatimor.
Entitetet e mëposhtme janë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës:
- organet e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes qendrore;
- Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave;
- fondacionet ose institucionet financiare jobankare, të krijuara ose të transferuara me vendim të Këshillit të Ministrave, që synojnë mbështetjen e politikave zhvilluese të qeverisë nëpërmjet dhënies së kredive;
- entitetet që ushtrojnë vetëm veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, pasuria apo fitimi i të cilëve nuk përdoret për përfitimin e organizuesve apo anëtarëve të tyre;
- organizatat e punës apo dhomat e tregtisë, industrisë ose bujqësisë, pasuria apo fitimi i të cilave nuk përdoret për përfitimin e një individi apo të një anëtari të tyre;
- entitetet e parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi;
- shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Të gjitha entitetet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, përveç shkronjave “a” dhe “b”, pavarësisht nga përjashtimi i tatimit mbi të ardhurat e korporatës, janë të detyruara të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe pasqyrat e raportimit financiar në të njëjtat afate si entitetet, që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat e korporatës.
Rezidenca
Një entitet është rezident në Republikën e Shqipërisë në një vit tatimor nëse:
- entiteti është themeluar në Republikën e Shqipërisë, ose,
- në çdo kohë gjatë vitit tatimor, menaxhimi dhe kontrolli i punëve të entitetit ushtrohen në Republikën e Shqipërisë.
Përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, menaxhimi dhe kontrolli i punëve të një entiteti konsiderohet se ushtrohet në Republikën e Shqipërisë nëse mbledhjet e bordit drejtues të entitetit mbahen në Republikën e Shqipërisë ose plotësohen të paktën dy nga kushtet e mëposhtme:
- vendimet në lidhje me drejtimin e përditshëm të entitetit merren në Republikën e Shqipërisë;
- të paktën 50 për qind e anëtarëve të bordit ose drejtuesve të entitetit janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë;
- të paktën 50 për qind e kapitalit ose e të drejtave të votës së entitetit zotërohen direkt ose indirekt nga persona rezidentë në Republikën e Shqipërisë.