Përse na shërben fiskalizimi?
Nuk është një taksë e re – Ligji Nr.87/2019 “PËR FATURËN DHE SISTEMIN E MONITORIMIT TË QARKULLIMIT” dhe ndryshimet që ai sjell, nuk prodhojnë asnjë ndryshim në skemën aktuale të taksave. Për të gjithë tatimpaguesit që deklarojnë dhe paguajnë këto detyrime, nuk ka asnjë ndryshim në peshën e detyrimeve të tyre.
Fiskalizimi ka në fokus ata që nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë detyrimet e tyre në përputhje me ligjin. Me këtë proces të ri të raportimit financiar, ne sigurojmë një kontroll më të mirë dhe inspektim më efikas tatimor, ndërsa i jepet mundësia çdo qytetari, që të verifikojë nëse taksat që ai paguan për mallrat dhe shërbimet, deklarohen në sistemin tatimor.
Na ndihmon të ulim taksat – me projektin e fiskalizimit ne reduktojmë ekonominë informale. Kështu sigurohemi që më shumë individë, të cilët aktualisht ushtrojnë aktivitet në të zezë, pa deklaruar dhe paguar detyrimet, tani do t’i paguajnë detyrimet e tyre. Në një ekonomi informale, ata që paguajnë mbajnë peshën edhe për ata që nuk paguajnë. Formalizimi i ekonomisë zgjeron rrethin e tatimpaguesve, duke ndërtuar kështu shanse reale për uljen e taksave.
Personat që nuk paguajnë taksa, po vjedhin nga të gjithë ne – tatimpaguesi që nuk paguan detyrimet e tij, është duke vjedhur çdo qytetar shqiptar. Mbledhja e taksave ka lidhje të drejtpërdrejte me investimet publike; rrugë, shkolla, spitale, parqe, etj. Çdonjëri prej nesh sa herë paguan për një shërbim apo mall, paguan edhe detyrimin e TVSH-së. Kur biznesi nuk e deklaron, këto të ardhura në vend që të rrisin buxhetin e shtetit dhe në këtë mënyrë investimet publike, humbasin në xhepat e atyre që abuzojnë me paratë tona.
Nuk ka ndryshim për tatimpaguesit e rregullt – për tatimpaguesit e rregullt ky projekt nuk sjell asnjë ndryshim thelbësor. Ata do të duhet të modernizojnë formatin e tyre të raportimit me një teknologji të re, por pa afekt në veprimtarinë e tyre të biznesit dhe shumë pak, ose aspak efekt financiar.
Na ndihmon të identifikojmë parregullsitë – Sistemi i ri do t’i japë mundësinë çdo qytetari të verifikojë nëse fatura, për mallin apo shërbimin që ka paguar, është raportuar në sistemin tatimor. Me hapa shumë të thjeshtë, duke skanuar parametrat unikë të faturës, ju do të jeni në gjendje të verifikoni, nëse ajo është raportuar në sistemin tatimor. Kështu do të keni mundësinë të ushtroni të drejtat tuaja si qytetar dhe të denonconi kur dikush lëshon një faturë të parregullt.
Modernizon biznesin tënd – sistemi i ri i fiskalizimit e shtyn të gjithë ekonominë të përdorë më pak letër dhe burokraci, drejt një sistemi elektronik transaksionesh. Ky sistem i ri modernizon të gjithë ekonominë, duke rritur efiçencën e saj.
Anëtarësimi në BE – modernizimi i sistemit tatimor, transparenca në të bërit biznes, përdorimi i faturës elektronike (e-fatura – në përputhje me normat e Bashkimit Europian), janë të gjitha parapërgatitje të domosdoshme, që do të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Të shmangim jo -paguesit – me sistemin e faturës elektronike (e-fatura), është më e thjeshtë për të gjurmuar pagesat dhe për të identifikuar kompanitë që gjenerojnë paaftësi paguese duke mos paguar faturat në periudhën e detyrueshme. Le të zbulojmë jo –paguesit që cënojnë të gjithë sistemin financiar të vendit.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe gjejmë gjithmonë kohë për t’ju përgjigjur çdo pyetje tuaj. Ndihuni të lirshëm të telefononi ose të shkruani në çdo moment për çështje që ne mund t’ju ndihmojmë KONTAKTO ME NE