TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Tatimi mbi të ardhurat e korporatës: Dispozita të përgjithshme mbi përcaktimin e fitimit : Tatimi i ndryshimit të pronësisë për sektorë të veçantë (ndryshimet ligjore pas Janar 2024)

Ky nen zbatohet për entitetet që:

a) zotërojnë të drejta për shfrytëzimin e pasurive minerale, të drejta për shfrytëzimin e pasurive hidrokarbure ose të drejta të tjera për shfrytëzimin e burimeve natyrore tokësore dhe ujore, përfshirë detin në Republikën e Shqipërisë, si dhe informacionit që u përket këtyre të drejtave, të cilat për qëllime të këtij ligji trajtohen si pasuri e paluajtshme;

b) ushtrojnë veprimtari në fushën e telekomunikacioneve;

c) ushtrojnë veprimtari si institucione financiare.

Nëse gjatë një periudhe tatimore pronësia direkte dhe/ose indirekte e kapitalit aksionar, kuotave ose e të drejtave të votimit të një entiteti të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, ndryshon me më shumë se 20% në vlerë ose numër aksionesh apo kuotash, entiteti trajtohet si të jetë duke shitur një pjesë proporcionale të të gjitha pasurive të tij menjëherë përpara ndryshimit.

Entiteti trajtohet si:

a) përfitues i të ardhurave nga shitja, e barabartë kjo me pjesën proporcionale të vlerës së tregut të aktivit në atë kohë; dhe

b) riblerës i aktivit për të njëjtën vlerë.

Kjo pikë aplikohet në rastet kur entiteti për tre vjetët paraardhës ka realizuar një mesatare qarkullimi prej 500 000 000 (pesëqind milionë) lekësh.

Kur një entitet është subjekt i tatimit mbi të ardhurat e korporatës, sipas këtij ligji, bazuar në pikën 2 të këtij neni, çdo ndryshim pronësie i aksioneve ose interesave të ngjashëm që shkaktuan ndryshimin, është i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat.

Një entitet, i cili është subjekt i një ndryshimi të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, njofton autoritetet tatimore me detajet e ndryshimit brenda 45 ditëve nga koha kur ka ndodhur ndryshimi.

Entiteti njofton administratën tatimore për një ndryshim pronësie të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej 10% ose më shumë të kapitalit të saj ose të të drejtave të votës. Ndryshimi i pronësisë duhet të jetë objekt i nënndarjes “ii” të shkronjës “e” të nenit 4 të këtij ligji. Njoftimi duhet të kryhet brenda 45 ditëve nga ndryshimi i pronësisë. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet kur zbatohet pika 4 e këtij neni.

Në rast të mosnjoftimit të autoriteteve tatimore, entiteti dënohet sipas penaliteteve të përcaktuara në ligjin në fuqi për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.

Parashikimet e këtij neni zbatohen në çdo rast, përveç kur ndryshimi i pronësisë në kapitalin aksionar, kuotat ose të drejtat e votimit të një entiteti, u nënshtrohet dispozitave të marrëveshjeve të ratifikuara për shmangien e tatimit të dyfishtë në fuqi.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online