Nr. 54/2024
PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË[1]
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
QËLLIMI, OBJEKTI, FUSHA E ZBATIMIT DHE PËRKUFIZIMET
Neni 1
Qëllimi i ligjit
Qëllimi e këtij ligji është:
a) promovimi i zhvillimit të tregut të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, bazuar në shtrirjen dhe përdorimin e rrjeteve të shpejtësisë shumë të lartë, konkurrencën e qëndrueshme, ndërveprueshmërinë e shërbimeve të komunikimeve elektronike, aksesueshmërinë e tyre, sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve, si dhe përfitimet e përdoruesit fundor;
b) sigurimi i ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike, të disponueshme për publikun në Republikën e Shqipërisë, me cilësi dhe çmime të përballueshme, me mundësi zgjedhjeje për përdoruesit në konkurrencë efektive dhe që janë të afta të plotësojnë nevojat e përdoruesve fundorë, përfshirë ata me aftësi të kufizuara, duke përcaktuar të drejtat e nevojshme të përdoruesve fundorë në rastet kur tregu nuk përmbush në mënyrë të kënaqshme kërkesat e aksesimit të shërbimeve në mënyrë të barabartë me të tjerët.
Neni 2
Objekti i ligjit
Objekti i këtij ligji, është:
a) përcaktimi i kuadrit rregullator për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, faciliteteve e shërbimeve shoqëruese të tyre dhe rregullave për disa aspekte të pajisjeve fundore;
b) përcaktimi i kompetencave të ministrit, të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe, për aq sa është e zbatueshme, të autoriteteve të tjera kompetente, si dhe të procedurave për zbatimin e harmonizuar të kuadrit rregullator për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë.
Neni 3
Fusha e zbatimit dhe përjashtimet
1. Ky ligj zbatohet për rrjetet e komunikimeve elektronike dhe shërbimet e ofruara përmes tyre në Republikën e Shqipërisë.
2. Ky ligj nuk zbatohet, për:
a) pajisjet e komunikimeve, në veçanti sistemet radio dhe pajisjet fundore të telekomunikacioneve, të ndërtuara dhe të përdorura ekskluzivisht për qëllime të mbrojtjes civile, mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Përdorimi i frekuencave edhe në këtë rast do të kryhet sipas përcaktimeve të këtij ligji;
b) fushën e veprimtarisë së medies audiovizive dhe shërbimeve mbështetëse të tyre për transmetimet radiotelevizive, të përcaktuara në ligjin që rregullon fushën e medies audiovizive në Republikën e Shqipërisë, për sa kohë nuk është përcaktuar ndryshe në legjislacionin në fuqi;
c) përmbajtjen e shërbimeve të ofruara nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe shërbimet mbështetëse të tyre.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Akses” është bërja e disponueshme e lehtësive dhe/ose shërbimeve një sipërmarrësi tjetër, sipas kushteve të përcaktuara, në baza ekskluzive ose joekskluzive, për sigurimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, duke përfshirë përdorimin e tyre për shpërndarjen e shërbimeve të shoqërisë së informacionit ose shërbimeve të transmetimit të përmbajtjes. Aksesi, ndërmjet të tjerash, përfshin akses në elementet e rrjetit dhe faciliteteve shoqëruese, të cilat mund të përfshijnë lidhjen e pajisjeve në mënyrë fikse ose jofikse, në veçanti, aksesin e hapur në rrjetin lokal dhe aksesin në facilitetet dhe shërbimet e nevojshme për të ofruar dhe për të mundësuar shërbimet e bazuara në rrjetin lokal; akses në infrastrukturën fizike, përfshirë ndërtesat, tubacionet dhe kullat; akses në sistemet e software-ve përkatëse, përfshirë sistemet mbështetëse operacionale; akses në sistemet e informacionit ose bazat e të dhënave për porositë paraprake, sigurimin, porositjen, mirëmbajtjen dhe riparimin e kërkesave dhe faturimin; akses në përkthimin e numrit (number translation) apo në sistemet që ofrojnë funksionalitet të njëvleftshëm; akses në rrjetet fikse apo të lëvizshme, në veçanti për roaming-un; akses në sistemet e aksesit të kushtëzuar për shërbimet televizive digjitale dhe aksesin në shërbimet e rrjeteve virtuale.
2. “Aplikimi i programit të ndërfaqes (API)” nënkupton ndërfaqen software, ndërmjet aplikacioneve, e vënë në dispozicion nga transmetuesit ose ofruesit e shërbimit televiziv, burimet në pajisjet televizive digjitale të përmirësuara dhe shërbimet radio.
3. “Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)” është organi rregullator i sektorit të komunikimeve elektronike dhe i sektorit postar, i cili funksionon në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për shërbimin postar.
4. “Autorizim i përgjithshëm” është një akt i natyrës së përgjithshme, që përbëhet nga kuadri ligjor, i përcaktuar nga ky ligj dhe rregullat e nxjerra nga AKEP-i në zbatim të tij, për të siguruar të drejtat për ofrimin e rrjeteve ose të shërbimeve të komunikimeve elektronike, duke vendosur edhe detyrimet specifike, të cilat mund të zbatohen ndaj të gjitha ose ndaj disa prej rrjeteve dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, sipas këtij ligji.
5. “Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU)” është agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara për telekomunikacionet dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
6. “Caktimi i frekuencave” është dhënia e autorizimit për një kanal frekuence ose frekuencë sipas kushteve specifike.
7. “Cenim i të dhënave personale” është çdo cenim i sigurisë, që mund të shkaktojë në mënyrë aksidentale ose të paligjshme shkatërrimin, humbjen, ndryshimin, përhapjen ose aksesin e paautorizuar të të dhënave personale të transmetuara, të ruajtura ose të përpunuara në ndonjë mënyrë tjetër për ofrimin e një shërbimi të disponueshëm të komunikimit elektronik për publikun.
8. “Çmim rezervë” është vlera minimale e miratuar për hapjen e konkurrimit publik për dhënien e së drejtës së përdorimit të spektrit të frekuencave, sipas këtij ligji.
9. “Emri i domain-it” është një kombinim alfa-numerik, i ndarë me pjesë, i tillë si: www.address.com dhe përbën një adresë të një rrjeti kompjuterik e që identifikon përdoruesin e adresës.
10. “Facilitet” është pjesë e infrastrukturës shoqëruese të komunikimeve elektronike, që përfshin ndërtesën, pjesë të një ndërtese ose mjediset e pavarura brenda një ndërtese, ku janë instaluar pajisje të komunikimeve elektronike, si dhe elemente ndërtimore, të tilla si: tubacione kabllore, shtylla, antena etj.
11. “Facilitetet shoqëruese” janë ato shërbime shoqëruese, infrastruktura fizike dhe facilitete të tjera ose elemente të lidhura me një rrjet të komunikimeve elektronike ose një shërbim të komunikimeve elektronike, të cilat mundësojnë ose mbështesin ofrimin e shërbimeve nëpërmjet këtij rrjeti ose shërbimi apo kanë potencial për ta bërë këtë e që përfshijnë, ndërmjet të tjerash, ndërtesat ose hyrjen në ndërtesa, kabllot e ndërtesave, antenat, kullat dhe ndërtime të tjera mbështetëse, kanalizime, tubacione, shtylla, puseta dhe kabinete.
12. “Incident sigurie” është çdo ngjarje, veprim ose mosveprim, që ka një efekt aktual negativ në sigurinë e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike.
13. “Incident i sigurisë kibernetike” është një ngjarje e sigurisë kibernetike, gjatë së cilës shkaktohet cenimi i sigurisë së shërbimeve ose sistemeve të informacionit e të rrjeteve të komunikimit dhe sjell një efekt real negativ.
14. “Informacion për vendndodhjen e telefonuesit” janë të dhënat e përpunuara në një rrjet telefonik të lëvizshëm, që gjenerohen nga infrastruktura e rrjetit ose nga pajisja fundore, duke treguar pozicionin gjeografik të pajisjes fundore të një përdoruesi dhe në një rrjet publik fiks, të dhënat për adresën fizike të pikës fundore të rrjetit.
15. “Integritet i rrjetit” është funksionimi dhe aftësia për të hyrë në veprim e rrjeteve të komunikimeve elektronike të ndërlidhura mes tyre dhe mbrojtja e këtyre rrjeteve ndaj defekteve të shkaktuara nga shqetësimet elektromagnetike ose ngarkesat e punës.
16. “Interferencë” është ndikimi i një energjie të padëshiruar, të shkaktuar nga një ose më shumë kombinime të emetimeve, rrezatimeve ose induktimeve kundrejt marrësit në një sistem apo stacion radiokomunikimi, i cili shoqërohet me përkeqësim të cilësisë, keqinterpretim ose humbje të informacionit, që duhej të përftohej në mungesë të energjisë së padëshiruar.
17. “Interferencë e dëmshme” është ndërhyrja, e cila rrezikon funksionimin e shërbimit të radionavigimit ose shërbimeve të tjera të radiokomunikimeve, të ofruara për qëllime sigurie ose ndërhyrja që seriozisht përkeqëson, pengon ose ndërpret në mënyrë të përsëritur shërbimet e radiokomunikimeve, që janë duke punuar në përputhje me këtë ligj dhe akte të tjera nënligjore.
18. “Interkoneksion” është lidhja fizike dhe logjike e rrjeteve publike të komunikimit, të cilat përdoren nga i njëjti operator apo operatorë të ndryshëm, në mënyrë që t’i lejojë përdoruesit e një operatori të komunikojnë me përdoruesit e të njëjtit operator ose të një operatori tjetër ose të lejojë aksesin për shërbimet e ofruara nga një operator tjetër. Shërbimet mund të ofrohen nga palët e përfshira ose palët e tjera që kanë akses në rrjet. Interkoneksioni është një lloj i veçantë aksesi, që zbatohet ndërmjet operatorëve të rrjeteve publike të komunikimit.
19. “Komunikim” është çdo informacion i shkëmbyer ose i përcjellë ndërmjet një numri të kufizuar palësh nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike. Kjo nuk përfshin informacionin që transmetohet për publikun, si pjesë e transmetimeve radiotelevizive, nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike, përveç rasteve kur informacioni ka të bëjë me një pajtimtar ose përdorues të identifikuar për marrjen e këtij informacioni.
20. “Komunikim emergjence” është komunikimi me anë të shërbimeve të komunikimit ndërpersonal midis një përdoruesi fundor dhe pikës së përgjigjes për sigurinë publike, me qëllim kërkimi dhe marrjeje të ndihmës nga shërbimet e emergjencës.
21. “Konsumator” është çdo person që përdor ose kërkon një shërbim të komunikimeve elektronike, të disponueshëm për publikun, për qëllime që nuk kanë lidhje me veprimtarinë tregtare, biznesin, zanatin ose ushtrimin e profesionit.
22. “Ministri” është ministri që mbulon sektorin e komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare.
23. “Ndërfaqe” është tërësia e karakteristikave që përshkruajnë pikën e lidhjes ndërmjet dy njësive të komunikimeve elektronike, si: ndërmjet dy rrjeteve të komunikimeve ose ndërmjet një rrjeti të komunikimeve dhe pajisjes së përdoruesit. Ndërfaqja mund të jetë pajisje fizike hardware ose program software.
24. “Numër” është një seri alfanumerike e përcaktuar në planin e numeracionit, që shërben për adresim në rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike.
25. “Numër gjeografik” është një numër nga plani kombëtar i numeracionit, ku një pjesë e strukturës së tij shifrore përmban domethënie gjeografike, të përdorur për drejtimin e thirrjeve në vendndodhjen fizike të pikës fundore të rrjetit në një rajon gjeografik të caktuar.
26. “Numrat jogjeografikë” janë numrat nga plani kombëtar i numeracionit, që nuk i përkasin një rajoni gjeografik të caktuar dhe përfshijnë:
a) numrat për akses në rrjetet publike të lëvizshme të komunikimit;
b) numrat për akses në shërbimet me vlerë të shtuar, numrat me tarifë premium;
c) numrat për akses në shërbimet për të cilat e gjithë tarifa për trafikun drejt këtyre shërbimeve paguhet nga ofruesi i shërbimeve, pra drejt numrave që janë pa pagesë për përdoruesit;
ç) numrat për akses në shërbimet për të cilat tarifa për trafikun drejt këtyre shërbimeve paguhet pjesërisht nga thirrësi dhe pjesërisht nga ofruesi i shërbimit, pra drejt numrave, të cilët i janë dhënë përdoruesit përkundrejt një marrëdhënieje të paracaktuar, numra me ndarje të kostos ose numër blu;
d) numrat për shërbim publik telefonik nomadik.
27. “Numrat ndërkombëtarë universalë pa pagesë (UIFN)” janë numrat 800 pa pagesë në mbarë botën, të caktuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit.
28. “Numrat e shërbimeve të emergjencës” janë numrat e përcaktuar në planin kombëtar të numeracionit për shërbimet e emergjencës për policinë, zjarrfikësit, numrat e emergjencës për shërbimet shëndetësore, shërbimet lajmëruese dhe ato të deklaruara, përfshirë numrin e unifikuar evropian të thirrjeve të emergjencës “112”.
29. “Ofrimi i një rrjeti të komunikimeve elektronike” është ndërtimi, operimi, mbikëqyrja ose bërja e disponueshme e një rrjeti të tillë.
30. “Ofruesi i shërbimit të komunikimeve publike” është sipërmarrësi që ofron shërbime komunikimi publike, duke siguruar akses te një operator i rrjetit të komunikimeve publike.
31. “Ofruesi i shërbimit universal” është sipërmarrësi që ofron shërbimet universale, sipas këtij ligji.
32. “Operator” është një sipërmarrës, që ofron ose që është i autorizuar të ofrojë një rrjet të komunikimeve elektronike ose faciliteteve shoqëruese.
33. “Organi i Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike (BEREC)” është organi i krijuar nga rregullorja e BE-së nr. 2018/1971 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit Evropian, më 11 dhjetor 2018, “Për krijimin e Organit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike (BEREC) dhe Agjencinë për Mbështetje të BEREC-ut (Zyra BEREC), që ndryshon rregulloren e BE-së nr. 2015/2120, si dhe shfuqizon rregulloren nr. 1211/2009”.
34. “Pajisje fundore” është pajisja e lidhur direkt ose indirekt në pikën fundore të rrjetit publik të telekomunikacionit, e cila shërben për transmetimin, marrjen dhe përpunimin e informacionit. Në çdo rast, lidhja direkte ose indirekte mund të jetë me tel, fibër optike ose në mënyrë elektromagnetike. Një lidhje është indirekte nëse pajisja është e vendosur midis pikës fundore dhe ndërfaqes së rrjetit.
35. “Pajisje televizive digjitale e përmirësuar” është pajisja e destinuar për t’u lidhur me marrësin televiziv ose televizorë digjitalë të integruar dhe që është e aftë për të marrë shërbime televizive digjitale interaktive.
36. “Pëlqimi i përdoruesit” është çdo element tregues i vullnetit të tij të dhënë lirisht, të informuar dhe të qartë, nëpërmjet të cilit përdoruesi me anë të një deklarate ose me një veprim të qartë pohues shpreh dakordësinë për përpunimin e të dhënave personale që lidhen me të për një ose më shumë qëllime specifike.
37. “Përcaktimi i një brezi frekuencash” është destinimi i një brezi të dhënë frekuencash në Planin Kombëtar të Frekuencave, me qëllim përdorimi nga një ose më shumë shërbime radiokomunikimi, sipas kushteve specifike.
38. “Përdorues” është cilido që përdor ose kërkon të përdorë shërbime të komunikimeve elektronike, të disponueshme për publikun.
39. “Përdorues fundor” është një përdorues, i cili nuk ofron rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike, të disponueshme për publikun.
40. “Përdorim i përbashkët i spektrit të radios” është aksesi për të përdorur të njëjtat breza të spektrit të frekuencave, nga dy ose më shumë përdorues, sipas një marrëveshjeje të caktuar bashkëpërdorimi, të bazuar në autorizimin e përgjithshëm, të drejtat individuale të përdorimit të spektrit radio ose në kombinimin e të dyjave, duke përfshirë kuadrin rregullator për aksesin e përbashkët të spektrit të licencuar, që synon lehtësimin e përdorimit të përbashkët të një brezi të spektrit radio, subjekt i një marrëveshjeje detyruese për të gjitha palët e përfshira, në përputhje me rregullat e bashkëpërdorimit të përfshira në të drejtat e tyre të përdorimit për spektrin radio, me qëllim garantimin e një marrëveshjeje bashkëpërdorimi të parashikueshme dhe të besueshme për të gjithë përdoruesit, duke respektuar ligjin e konkurrencës.
41. “Pika e aksesit pa tel në zonë të vogël” është një pajisje aksesi në rrjet pa tel, me fuqi të ulët dhe me përmasa të vogla, që operon brenda një zone të vogël, duke përdorur spektrin radio të licencuar ose jo, apo një kombinim të tyre dhe që mund të përdoret si pjesë e një rrjeti publik të komunikimeve elektronike, i cili mund të pajiset me një ose më shumë antena me ndikim të ulët pamor, për të lejuar aksesin me valë të përdoruesve në rrjetet e komunikimeve elektronike, pavarësisht nga topologjia e rrjetit bazë, qoftë ky i lëvizshëm apo fiks.
42. “Pika fundore e rrjetit” është pika fizike në të cilën një përdorues fundor ka akses në rrjetin e komunikimeve elektronike publike. Në rastin e rrjeteve që përfshijnë komutimin ose rrugëzimin, pika fundore e rrjetit identifikohet si një adresë specifike e rrjetit, e cila mund të lidhet me numrin ose emrin e një përdoruesi fundor.
43. “Pika e përgjigjes për sigurinë publike (PSAP)” është vendndodhja fizike ku merret fillimisht një komunikim emergjence, nën përgjegjësinë e autoritetit, të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile dhe shërbimet e emergjencës.
44. “Plani Kombëtar i Frekuencave” është dokumenti i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, që përcakton brezat e frekuencave për shërbime të ndryshme të radiokomunikimit dhe vendos kushtet bazë për caktimin dhe përdorimin e frekuencave për përdorimin me efektivitet të spektrit të frekuencave dhe shmangien e interferencave.
45. “Plani i numeracionit” është struktura e numrave dhe e serive të numrave, si dhe caktimi i tyre për sigurimin e aksesit në rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike publike.
46. “Postë elektronike” është çdo mesazh në formën e tekstit, tingullit apo imazhit, të dërguar nëpërmjet rrjetit publik të komunikimeve, i cili mund të ruhet në rrjet ose në pajisjen fundore të marrësit derisa marrësi ta marrë atë.
47. “Pika e përgjigjes për sigurinë publike më të përshtatshme” është një PSAP e përcaktuar në përputhje me ligjin për mbrojtjen civile për të mbuluar komunikimet e emergjencës nga një zonë e caktuar ose komunikimet e emergjencës të një lloji të caktuar.
48. “Qarku lokal” është rrjeti fizik që lidh pikën fundore të rrjetit me kuadrin e shpërndarjes ose pajisjet e barasvlershme në rrjetin e komunikimeve elektronike fikse.
49. “Grupi Këshillimor i Politikave të Spektrit të Radios (RSPG)” është grupi këshillimor për politikat spektrale, i krijuar nga Komisioni Evropian.
50. “Rrjet i komunikimeve elektronike” janë sistemet e transmetimit, të bazuara ose jo mbi një infrastrukturë të përhershme ose mbi kapacitete administrimi të qendërzuar dhe, kur është e aplikueshme, sistemet e komutimit ose rrugëzimit dhe burime të tjera, përfshirë elementet e rrjetit që nuk janë aktive, të cilat lejojnë përcjelljen e sinjaleve nëpërmjet përcjellësve, radios, mjeteve optike ose mjeteve të tjera elektromagnetike, duke përfshirë rrjetet satelitore, rrjetet fikse tokësore, me komutim të qarqeve ose me komutim të paketave, përfshirë internetin, rrjetet e lëvizshme tokësore, sistemet e kabllove elektrike, në raste kur ato përdoren për transmetimin e sinjaleve, rrjetet e përdorura për transmetimet radiotelevizive dhe rrjetet kabllore televizive, pavarësisht nga tipi i informacionit që përcjell.
51. “Rrjet i komunikimeve publike” është një rrjet i komunikimeve elektronike, që përdoret tërësisht ose kryesisht për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, të disponueshme për publikun dhe që mbështet transferimin e informacionit ndërmjet pikave fundore të rrjetit.
52. “Rrjet me kapacitet shumë të lartë” është një rrjet komunikimi elektronik, i cili përbëhet tërësisht nga elemente të fibrave optike, të paktën deri në pikën e shpërndarjes në vendin e shërbimit ose një rrjet komunikimi elektronik, i cili është në gjendje të ofrojë në kushtet e zakonshme të kohës së pikut një performancë rrjeti të ngjashme në termat e gjerësisë së disponueshme të brezit për shkarkim “downlink” dhe ngarkim “uplink”, të qëndrueshmërisë, parametrave të lidhur me gabimet, vonesat dhe ndryshimet e saj. Performanca e rrjetit konsiderohet e ngjashme, pavarësisht nëse përvoja e përdoruesit fundor ndryshon për shkak të karakteristikave të qenësishme të ndryshme të mjedisit, me të cilin ai lidhet përfundimisht me pikën fundore të rrjetit.
53. “Rrjet lokal i radios ose RLAN” është një sistem aksesi pa tel, me fuqi të ulët, që funksionon brenda një rrezeje të vogël mbulimi dhe me rrezik të ulët ndërhyrjeje me sisteme të tilla të tjera, të vendosura në afërsi nga përdorues të tjerë dhe që përdorin spektrin e harmonizuar të frekuencave mbi baza joekskluzive.
54. “Rrjeti telefonik publik” është rrjeti i komunikimeve elektronike, i cili përdoret për të ofruar shërbime telefonike të disponueshme për publikun. Ai mbështet transferimin ndërmjet pikave fundore të rrjetit të komunikimit telefonik, si dhe formave të tjera të komunikimit, si faksi dhe të dhënat.
55. “Siguria e rrjeteve dhe shërbimeve” është aftësia e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike për t’i rezistuar, në një nivel të caktuar besimi, çdo veprimi që rrezikon disponueshmërinë, origjinalitetin, integritetin, keqpërdorimin, konfidencialitetin e këtyre rrjeteve dhe shërbimeve, çdo veprim ose mosveprim që rrezikon të dhënat e ruajtura, të transmetuara ose të përpunuara të shërbimeve përkatëse të ofruara ose të aksesueshme nëpërmjet këtyre rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike.
56. “Sipërmarrës” është çdo person fizik ose juridik, i regjistruar sipas legjislacionit në fuqi, që ofron rrjete të komunikimeve elektronike ose shërbime të komunikimeve elektronike, sipas këtij ligji.
57. “Sistemi i aksesit të kushtëzuar” është çdo masë teknike, sistem autentifikimi ose rregullimi, ku aksesi në një shërbim të mbrojtur të transmetimit radio ose televiziv, në formë të kuptueshme, kushtëzohet me abonim ose një formë tjetër të autorizimit paraprak individual.
58. “Skedar” është një bashkësi të dhënash të ndërlidhura mes tyre, që ruhen në një pajisje ruajtjeje të dhënash elektronike.
59. “Spektri i frekuencave” janë valët elektromagnetike në diapazonin e frekuencave 9 KHz-3000 GHz, të cilat përhapen në efir, pa nevojën e linjave të veçanta.
60. “Spektër i harmonizuar i frekuencave” është spektri i frekuencave për të cilin, përmes masave teknike të implementimit, janë krijuar kushtet e harmonizimit në lidhje me disponueshmërinë dhe përdorimin eficient të tyre në përputhje me praktikën e BE-së.
61. “Shërbim emergjence” është një shërbim, sipas legjislacionit në fuqi, për mbrojtjen civile për ofrimin e shërbimeve emergjente dhe të asistencës, që ofron ndihmë të menjëhershme dhe të shpejtë, para dhe gjatë një fatkeqësie ose menjëherë pas saj, për mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit, për të garantuar sigurinë publike dhe për të përmbushur nevojat themelore për mbijetesë të njerëzve të prekur.
62. “Shërbim i komunikimeve elektronike” është shërbimi i kryer kundrejt një pagese, i përftuar nëpërmjet rrjetit të komunikimeve elektronike, i cili, duke përjashtuar shërbimet që ofrojnë ose ushtrojnë kontroll redaksional ndaj përmbajtjes së transmetuar, duke përdorur rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike, përfshin llojet e mëposhtme të shërbimeve:
a) “Shërbim aksesi në internet” është shërbimi i komunikimit elektronik, i disponueshëm për publikun, që ofron akses në internet dhe në këtë mënyrë lidhje me pothuajse të gjitha pikat fundore virtuale të internetit, pavarësisht nga teknologjia e rrjetit dhe pajisjet fundore të përdorura;
b) “Shërbim i komunikimit ndërpersonal” është shërbimi i ofruar normalisht kundrejt një pagese, që mundëson shkëmbimin e drejtpërdrejtë ndërpersonal dhe ndërveprues të informacionit, nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike, ndërmjet një numri të kufizuar personash, ku personat që iniciojnë ose marrin pjesë në komunikim përcaktojnë marrësit e tij. Ky shërbim nuk përfshin shërbimet që mundësojnë komunikimin ndërpersonal dhe ndërveprues, thjesht si një veçori ndihmëse e vogël, e lidhur në mënyrë të brendshme me një shërbim tjetër;
c) shërbimet që konsistojnë tërësisht ose kryesisht në përcjelljen e sinjaleve të tilla, si shërbime transmetimi që përdoren për ofrimin e komunikimeve makinë – makinë dhe për transmetime radiotelevizive.
63. “Shërbim i komunikimit ndërpersonal i bazuar në numër” është një shërbim komunikimi ndërpersonal, i cili lidhet me burimet e numeracionit të caktuara publikisht, sikurse me një numër ose me numra të planit kombëtar ose ndërkombëtar të numeracionit, që mundëson komunikimin me një numër tjetër ose numra të planit kombëtar ose ndërkombëtar të numeracionit.
64. “Shërbim i komunikimit ndërpersonal i pavarur nga numri” është një shërbim komunikimi ndërpersonal, i cili nuk lidhet me burimet e numeracionit, të caktuara publikisht, sikurse me një numër ose numra të planit kombëtar ose ndërkombëtar të numeracionit ose që nuk mundëson komunikimin me një numër apo numra të planit kombëtar ose ndërkombëtar të numeracionit.
65. “Shërbim komunikimi me zë” është një shërbim i disponueshëm komunikimi elektronik për publikun, për origjinimin dhe marrjen direkte ose indirekte të thirrjeve kombëtare, apo kombëtare e ndërkombëtare, nëpërmjet një ose më shumë numrave në një plan numeracioni telefonik kombëtar ose ndërkombëtar.
66. “Shërbim publik telefonik i qëndrueshëm (fiks)” është shërbimi publik telefonik, i ofruar për përdoruesit me anë të pajisjeve fundore, të cilat lidhen në pikat fundore me vendndodhje të qëndrueshme të rrjetit publik të telekomunikacioneve.
67. “Shërbime shoqëruese” janë ato shërbime të lidhura me një rrjet të komunikimeve elektronike ose një shërbim të komunikimeve elektronike, të cilat mundësojnë ose mbështesin ofrimin, vetofrimin ose ofrimin e automatizuar të shërbimeve nëpërmjet këtij rrjeti ose shërbimi apo kanë potencial për ta bërë këtë dhe që përfshijnë, ndërmjet të tjerash, përkthimin e numrave ose sistemet e ofrimit të funksionalitetit të barasvlershëm, sistemet e aksesit të kushtëzuar dhe udhëzuesit e programit elektronik dhe shërbime të tjera, të tilla si shërbimet e identitetit, vendndodhjes dhe prezencës.
68. “Shërbimi universal” është një minimum i përcaktuar shërbimesh publike të komunikimeve elektronike, të një cilësie të caktuar, me çmime të përballueshme për të gjithë përdoruesit në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga vendndodhja gjeografike.
69. “Shërbim me vlerë të shtuar” është një shërbim informacioni, i ofruar përmes numrave me tarifë premium, me ndarje kostosh ose numrave të gjelbër, nëpërmjet rrjetit publik të komunikimeve elektronike, normalisht përkundrejt një pagese.
70. “Shërbimet e shoqërisë së informacionit”, janë shërbime që ofrohen normalisht përkundrejt pagesës në largësi, nëpërmjet mjeteve elektronike dhe me kërkesë individuale të marrësit të shërbimit. Me fjalët:
a) “Në largësi” kuptohet se shërbimi ofrohet pa qenë e nevojshme që të dyja palët të jenë të pranishme në të njëjtën kohë;
b) “Nëpërmjet mjeteve elektronike” kuptohet se shërbimi dërgohet nga pika e origjinës dhe merret në destinacionin përfundimtar nëpërmjet pajisjeve elektronike të përpunimit, duke përfshirë edhe kompresimin numerik dhe ruajtjen e të dhënave. Dërgimi, transmetimi dhe marrja e plotë bëhen nëpërmjet kabllove, radiovalëve, mjeteve optike dhe mjeteve të tjera elektromagnetike;
c) “Me kërkesë individuale të marrësit të shërbimit” kuptohet se shërbimet ofrohen nëpërmjet transmetimit të të dhënave, me kërkesën individuale të marrësit. Shërbimet e shoqërisë së informacionit përfshijnë në veçanti shitjen e mallrave dhe të shërbimeve, shërbimet e aksesit të informacionit apo të reklamave në internet dhe aksesin në shërbimet e rrjeteve publike të komunikimit, në transmetimin e të dhënave ose ruajtjen e të dhënave të marrësit në rrjetin publik të komunikimeve.
71. “Shërbim i bisedës totale” nënkupton një shërbim komunikimi në kohë reale multimedial, që ofron transferimin simetrik dydrejtimësh në kohë reale të videos me lëvizje, tekstin dhe shërbimin zanor në kohë reale ndërmjet përdoruesve, në dy ose më shumë vendndodhje.
72. “Tarifë e orientuar drejt kostos” është tarifa që reflekton kostot e shfrytëzimit eficient dhe të frytshëm, duke mundësuar një normë fitimi të arsyeshme për sipërmarrësin.
73. “Të dhëna për trafikun e komunikimeve” është çdo e dhënë e përpunuar për qëllime të transmetimit të komunikimeve në një rrjet të komunikimeve elektronike ose për qëllime faturimi.
74. “Të dhëna për vendndodhjen” është çdo e dhënë e përpunuar në një rrjet të komunikimeve elektronike, që tregon pozicionin gjeografik të pajisjes fundore të një përdoruesi të rrjetit të komunikimeve elektronike.
75. “Transmetim radioteleviziv” është transmetimi i programeve të shërbimeve të radios dhe televizionit nëpërmjet një antene tokësore, rrjeti të komunikimeve elektronike ose satelitore, në formë të koduar ose jo, për t’u marrë nga publiku.
76. “Tregjet ndërkombëtare” janë tregjet e identifikuara në përputhje me nenin 186 të këtij ligji, të cilat mbulojnë bashkimin ose një pjesë të rëndësishme të tij, të lokalizuar në më shumë se një shtet anëtar të Bashkimit Evropian.
77. “Thirrje” është lidhja e realizuar nëpërmjet shërbimit të komunikimit ndërpersonal të disponueshëm për publikun, e cila lejon komunikimin zanor dydrejtimësh.
78. “Zyra kompetente e broadband-it” është struktura e krijuar në varësi të ministrit për nxitjen e zhvillimit të rrjeteve broadband, përfshirë rrjetet e shpejtësisë shumë të lartë të komunikimit.
Neni 5
Objektivat e përgjithshëm
1. Objektivat e përgjithshëm politikë për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike janë si më poshtë:
a) promovimi i aksesit dhe konektivitetit në rrjetet e komunikimeve elektronike të kapaciteteve shumë të larta, si dhe përdorimi i tyre nga rrjetet fikse, të lëvizshme dhe ato pa tel, nga të gjithë qytetarët dhe bizneset në Republikën e Shqipërisë;
b) promovimi i konkurrencës eficiente në ofrimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike, faciliteteve e shërbimeve shoqëruese të tyre, përfshirë konkurrencën efektive në infrastrukturën e komunikimeve elektronike, përmes investimeve ekonomikisht eficiente në infrastrukturën e re dhe atë ekzistuese;
c) nxitja e zhvillimit të tregut shqiptar të komunikimeve elektronike, me rregulla të zhvillimit dhe një kuadër rregullator të parashikueshëm, të harmonizuar me praktikat e Bashkimit Evropian, përmes:
i. heqjes së pengesave të mbetura;
ii. lehtësimit të investimeve në ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, faciliteteve dhe shërbimeve shoqëruese të tyre, në kushtet e konvergjencës teknologjike në territorin e Republikës së Shqipërisë;
iii. promovimit të përdorimit efektiv dhe eficient të spektrit të radiofrekuencave; dhe
iv. inovacionit të hapur.
ç) promovimi i interesave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, duke siguruar:
i. konektivitetin, disponueshmërinë e gjerë dhe përdorimin e rrjeteve të kapaciteteve shumë të larta, si nga rrjetet fikse, të lëvizshme, ato pa tel dhe shërbimet e komunikimeve elektronike;
ii. përfitim maksimal në termat e zgjedhjes, çmimit dhe cilësisë, bazuar në konkurrencën efektive;
iii. mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrjeteve e shërbimeve; si dhe
iv. një nivel të lartë mbrojtjeje të përbashkët për përdoruesit fundorë, me rregulla specifike sektoriale, për përmbushje të nevojave për: çmime të përballueshme për grupe të veçanta sociale, në veçanti për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe ata me nevoja të veçanta sociale, si dhe në zgjedhjen e aksesit të barasvlershëm për personat me aftësi të kufizuara;
d) mbrojtja dhe promovimi i sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike nëpërmjet krijimit të rrjeteve të sigurta, të besuara e me integritet.
2. Ministria, AKEP-i dhe autoritetet e tjera kompetente në kryerjen e detyrave rregullatore, të përcaktuara nga ky ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, sigurojnë zbatimin e politikave për promovimin e lirisë së shprehjes dhe informimit, promovimin e larmisë kulturore, gjuhësore dhe shumëllojshmërisë së medieve, brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë dhe kompetencave, siç përcaktohet në nenet 8, 9 dhe 10 të këtij ligji.
3. Politika e përgjithshme e zhvillimit të sektorit të komunikimeve elektronike miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
Neni 6
Përmbushja e objektivave
1. Për arritjen e objektivave të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji, AKEP-i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme proporcionale, sipas përcaktimeve të këtij ligji, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse dhe autoritetet e tjera përkatëse të përcaktuara në këtë ligj.
2. AKEP-i mbështet ministrinë dhe Këshillin e Ministrave në krijimin e praktikave më të mira dhe raporteve për efektivitetin e masave të ndërmarra për arritjen e objektivave të përgjithshëm, të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji.
3. Në zbatim të objektivave politikë, të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji, AKEP-i:
a) promovon parashikueshmërinë rregullatore, duke siguruar një qasje rregullatore të qëndrueshme gjatë rishikimeve periodike të vendimeve rregullatore, duke marrë në konsideratë opinionet, rekomandimet, udhëzimet, këshillimet apo praktikat më të mira rregullatore të zhvilluara nga BEREC-u dhe RSPG-ja;
b) siguron trajtim jodiskriminues të ofruesve të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elekronike në kushte të ngjashme;
c) zbaton për aq sa është e mundur parimin e neutralitetit teknologjik në përputhje me objektivat e përcaktuar në pikën 1 të nenit 5 të këtij ligji dhe praktikën e BE-së;
ç) promovon investimet eficiente dhe inovacionin në infrastrukturat e reja dhe ato të përmirësuara, duke përfshirë sigurimin që çdo detyrim aksesi, merr në konsideratë rrezikun e shkaktuar nga sipërmarrësit investues dhe lejon marrëveshje të ndryshme bashkëpunimi ndërmjet investitorëve dhe palëve që kërkojnë akses për të diversifikuar rrezikun e investimit dhe siguruar njëkohësisht ruajtjen e konkurrencës në treg dhe parimin e mosdiskriminimit;
d) merr në konsideratë kushtet e ndryshme në lidhje me infrastrukturën, konkurrencën, rrethanat e përdoruesve fundorë dhe në veçanti të përdoruesve në zona të ndryshme gjeografike në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë infrastrukturën lokale, të administruar nga persona fizikë, jo për qëllime fitimi;
dh) imponon detyrime rregullatore, sipas këtij ligji, vetëm për aq sa është e nevojshme për sigurimin e konkurrencës së qëndrueshme dhe efektive, në interes të përdoruesve fundorë dhe lehtëson ose heq këto detyrime sa më shpejt të jetë e mundur kur plotësohen kushtet në treg.
4. AKEP-i, në përmbushje të objektivave të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, vepron në mënyrë të pavarur, objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale.
Neni 7
Planifikimi strategjik dhe koordinimi i politikave për spektrin radio
1. Spektri i radiofrekuencave është burim natyror i kufizuar dhe një pasuri kombëtare me vlerë ekonomike dhe rëndësi sociale e kulturore. Dokumenti i politikave spektrale dhe i koordinimit e planifikimit strategjik të spektrit të radiofrekuencave miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
2. Autoritetet kompetente, të përcaktuara në nenin 8 dhe në pikën 1 të nenit 60 të këtij ligji, bashkëpunojnë me ministrin në hartimin e dokumentit të politikës spektrale dhe koordinimit e planifikimit strategjik në Republikën e Shqipërisë, duke marrë në konsideratë, midis të tjerash, aspektet ekonomike, të sigurisë, të shëndetit, interesit publik, lirisë së shprehjes, kulturës, shkencës, aspektet teknike dhe sociale të politikave kombëtare, si dhe interesat e komunitetit përdorues të spektrit radio, me qëllim optimizimin e përdorimit të spektrit radio, duke shmangur interferencat e dëmshme.
3. Menaxhimi i spektrit siguron përdorimin efektiv dhe të frytshëm për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike, në përputhje me objektivat e përgjithshëm të politikës, të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji, dhe vendimet përkatëse të organizatave ndërkombëtare dhe detyrimeve, që rrjedhin nga konventat apo marrëveshjet ku Republika e Shqipërisë aderon.
4. Plani Kombëtar i Frekuencave hartohet në përputhje me radiorregulloret përkatëse të ITU-së dhe me vendimet harmonizuese për spektrin e frekuencave në nivel evropian, duke marrë në konsideratë vendimet e BE-së dhe RSPG-së. Plani Kombëtar i Frekuencave miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
5. Për sigurimin e përdorimit efektiv dhe pa interferenca të dëmshme të frekuencave, në veçanti në breza të caktuar, hartohen e miratohen marrëveshje të koordinimit ndërkufitar, bazuar në rregulloret ndërkombëtare të ITU-së dhe praktikën evropiane.
KREU II
ORGANIZIMI INSTITUCIONAL DHE FUNKSIONIMI
Neni 8
Autoritetet kompetente
Organet kompetente në fushën e komunikimeve elektronike janë:
a) ministri;
b) Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP); dhe
c) Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA).
Neni 9
Kompetencat e ministrit
Ministri përgjegjës ka këto kompetenca:
1. Harton politikën e zhvillimit të sektorit të komunikimeve elektronike në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve e standardeve ndërkombëtare të zbatueshme. Ndjek zbatimin e politikës të qeverisë së Republikës së Shqipërisë në sektorin e komunikimeve elektronike dhe përmbushjen e objektivave të përgjithshëm politikë sipas nenit 5 të këtij ligji.
2. Ndjek zbatimin e Planit Kombëtar për Zhvillimin e Infrastrukturës Broadband përmes zyrës kompetente të broadband-it, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Përfaqëson Republikën e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë në fushën e komunikimeve elektronike. Harton dhe nënshkruan në emër të Republikës së Shqipërisë marrëveshje ndërkombëtare, dypalëshe dhe shumëpalëshe, në fushën e komunikimeve elektronike.
4. Ndjek zbatimin e detyrimeve për fushën e komunikimeve elektronike, që rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare, ku aderon Republika e Shqipërisë.
5. Kërkon dhe përpunon të dhënat statistikore nga sipërmarrësit që kryejnë veprimtari në fushën e komunikimeve elektronike. Kërkon informacion dhe bashkëpunon me AKEP-in dhe autoritetet publike, në zbatim të këtij ligji, për shtrirjen e rrjeteve broadband, përfshirë rrjetet me kapacitet shumë të lartë.
6. Bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ të Shtetit për çështje të fushës së komunikimeve elektronike, që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare.
7. Harton dhe propozon në Këshillin e Ministrave Planin Kombëtar të Frekuencave dhe punon për harmonizimin e këtij plani me politikat ndërkombëtare të zhvillimit të spektrit të frekuencave.
8. Bazuar në propozimet e AKEP-it, miraton kufizimet e mundshme për dhënien e frekuencave, procedurat përkatëse të konkurrimit publik dhe vlerën minimale për dhënien e tyre, në përputhje me parashikimet e neneve 75 dhe 76 të këtij ligji.
Neni 10
Roli i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare
1. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ky ligj, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
2. AKEP-i është një person juridik, publik, jobuxhetor, i pavarur, me seli në Tiranë, i cili e zhvillon veprimtarinë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. AKEP-i kryen funksionet e tij në përputhje me këtë ligj, si dhe me aktet nënligjore, politikat kombëtare për zhvillimin e komunikimeve elektronike dhe marrëveshjet ndërkombëtare të sektorit të komunikimeve elektronike, në të cilat Republika e Shqipërisë aderon.
4. AKEP-i përgjatë ushtrimit të kompetencave të tij merr parasysh udhëzimet, opinionet, rekomandimet, pozicionet e përbashkëta, praktikat më të mira e metodologjitë e BEREC-ut dhe vendimet përkatëse të Komisionit Evropian.
Neni 11
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Detyrat dhe kompetencat e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) përcaktohen në ligjin që rregullon fushën e medies audiovizive në Republikën e Shqipërisë.
Neni 12
Kompetencat e AKEP-it
1. AKEP-i kryen të gjitha detyrat e ngarkuara me këtë ligj dhe aktet nënligjore, për:
a) rregullimin e tregut të komunikimeve elektronike, sipas këtij ligji, përfshirë vendosjen e detyrimeve të aksesit dhe interkoneksionit;
b) zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet sipërmarrësve;
c) kryen administrimin e spektrit të radiofrekuencave, sipas përcaktimeve të këtij ligji, dhe merr vendimet përkatëse;
ç) bashkëpunon me ministrinë për përgatitjen e Planit Kombëtar të Frekuencave;
d) përgatit planin e përdorimit të radiofrekuencave dhe detajon përcaktimet për brezat e radiofrekuencave të caktuara për qëllime civile, për përdorime publike ose private, me përjashtim të brezit të frekuencave të caktuara për transmetimin radioteleviziv, të cilat administrohen nga Autoriteti i Medias Audiovizive;
dh) monitoron përdorimin e spektrit të radiofrekuencave në përputhje me Planin Kombëtar të Frekuencave dhe planin e përdorimit të frekuencave;
e) lëshon autorizimet individuale për përdorimin e radiofrekuencave;
ë) ndjek procedurat e përcaktuara nga ky ligj në lidhje me caktimin dhe shfrytëzimin e radiofrekuencave;
f) kryen koordinimin ndërkufitar të përdorimit të radiofrekuencave me administratat e vendeve fqinje dhe të vendeve të tjera në lidhje me spektrin që administron AKEP-i;
g) bashkëpunon me AMA-n dhe institucionet e tjera për administrimin e spektrit të frekuencave, me qëllim përdorimin eficient të tij;
gj) kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve fundorë në sektorin e komunikimeve elektronike, në koordinim, sipas rastit, me ministrin dhe autoritetet e tjera kompetente për mbrojtjen e konsumatorit;
h) vlerëson dhe monitoron nga afër çështjet e formimit të tregut dhe konkurrencës në lidhje me aksesin e hapur në internet;
i) vlerëson koston neto të ofrimit të shërbimit universal;
j) siguron zbatimin e portabilitetit të numrave ndërmjet ofruesve.
2. AKEP-i është gjithashtu përgjegjës, për:
a) mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve të tjera të nevojshme nga pjesëmarrësit e tregut për të kontribuuar në detyrat e BEREC-ut;
b) inkurajimin e përdorimit efikas të burimeve të kufizuara natyrore, si radiofrekuencat dhe hapësirat numerike;
c) mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare dhe garantimin e ruajtjes së integritetit dhe sigurisë së rrjeteve publike të komunikimeve elektronike;
ç) përgatitjen, miratimin dhe administrimin e Planit Kombëtar të Numeracionit për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë;
d) caktimin e numrave ose blloqeve të numrave, operatorëve të rrjeteve publike të komunikimeve elektronike, ofruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe palëve të tjera të interesuara, siç përcaktohet nga Plani Kombëtar i Numeracionit;
dh) administron domain-in TLD.al, nëndomainet e tij, si dhe përcakton me rregullore të posaçme rregulla të hollësishme për metodologjinë, pagesat, procedurën dhe mënyrën e menaxhimit të këtij shërbimi në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare;
e) marrjen e masave administrative, në përputhje me këtë ligj, në rastet e shkeljes së këtij ligji dhe akteve të nxjerra në zbatim të tij;
ë) menaxhimin dhe administrimin e Fondit të Shërbimit Universal, nëse është e aplikueshme;
f) zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet operatorëve të rrjeteve të komunikimit elektronik dhe ofruesve të shërbimeve të komunikimit elektronik, si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet përdoruesve fundorë dhe operatorëve, sipas dispozitave të këtij ligji;
g) krijimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e një baze të dhënash elektronike nga sektori i komunikimeve elektronike dhe sigurimin që të dhënat të jenë të disponueshme për publikun, në përputhje me rregullat për informacionin publik dhe respektimin e konfidencialitetit;
gj) mbledhjen e të dhënave dhe informacionit nga operatorët e rrjeteve dhe ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike;
h) ndjek zbatimin e kërkesave thelbësore për pajisjet radio sipas rregullit teknik të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
i) siguron që operatorët e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik, në rast lufte ose rrethanash të tjera të jashtëzakonshme, përmbushin detyrimet e tyre në lidhje me mbrojtjen e vendit dhe sigurinë publike;
j) kryerjen e procedurave për caktimin e ofruesit të shërbimit universal, sipas përcaktimeve në nenin 111 të këtij ligji;
k) përcaktimin e rregullave për funksionimin e shërbimit të radiondërlidhjes në vijën bregdetare, pasi merr mendimin e ministrit;
l) vendosjen e rregullave dhe kërkesave teknike për funksionimin e shërbimeve radioamatore në Republikën e Shqipërisë, bazuar në radiorregulloret e ITU-së;
ll) sigurimin e disponueshmërisë së një baze qendrore të dhënash për portabilitetin e numrave;
m) përcaktimin e masave për rregullimin e tarifave dhe çmimeve maksimale, që mund të aplikohen në një seri të caktuar të numrave të përdorur për shërbimet me vlerë të shtuar premium, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.
3. AKEP-i bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për sektorin e komunikimeve elektronike dhe me institucionet e tjera publike, për sa u takon çështjeve, objekt të këtij ligji, që janë në fushën e përgjegjësisë së tyre, në veçanti për përmbushjen e objektivave të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji.
4. AKEP-i i paraqet ministrit çdo informacion të nevojshëm për përmbushjen e objektivave të politikës së zhvillimit dhe kompetencave të përcaktuara në këtë ligj dhe ato të ligjit për shërbimin postar.
5. AKEP-i ka të drejtë të rregullojë shërbimet roaming mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare dy ose shumëpalëshe, të nënshkruara apo të miratuara për zbatim reciprok të rregullimit të tarifave për këto shërbime, si dhe të tarifave të terminimit ndërkombëtar të lidhura me këto shërbime.
Neni 13
Pavarësia e AKEP-it
1. AKEP-i i ushtron kompetencat e tij në mënyrë të paanshme, objektive, transparente dhe efikase. AKEP-i në punën dhe në marrjen e vendimeve, brenda kompetencave të tij, është i pavarur. Ky parashikim nuk pengon mbikëqyrjen e veprimtarisë së AKEP-it në përputhje me legjislacionin kombëtar në fuqi.
2. AKEP-i është i pavarur nga pronësia e sipërmarrjeve që ofrojnë rrjete apo shërbime të komunikimeve elektronike dhe siguron ndarje strukturore efektive të funksionit rregullator nga aktivitetet që lidhen me pronësinë e sipërmarrjeve ose kontrollin e saj.
3. AKEP-i ka burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore, me aftësi teknike, të kërkuara për kryerjen e detyrave që i ngarkohen, përfshirë pjesëmarrjen në BEREC.
4 Struktura dhe organika e AKEP-it miratohen nga Këshilli Drejtues. Marrëdhëniet e punës për punonjësit e AKEP-it rregullohen në bazë të Kodit të Punës.
5. Rekrutimi i punonjësve të AKEP-it bëhet në bazë të kërkesave dhe përshkrimeve të punës për çdo pozicion, të miratuara nga Këshilli Drejtues dhe të përcaktuara në rregulloren e brendshme të funksionimit të tij.
6. Këshilli Drejtues i AKEP-it, ndër të tjera, miraton:
a) elementet përbërëse të pagës bruto mujore të të punësuarve të institucionit;
b) vlerën për çdo element të pagës bruto mujore të të punësuarve të institucionit;
c) rregullat, kriteret dhe masën e trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimet.
Këshilli Drejtues në përcaktimin e masës së pagës, shpërblimeve dhe trajtimeve të tjera financiare dhe jofinanciare të administratës bazohet në një metodologji të qartë, që merr parasysh kushtet e tregut, përvojat e autoriteteve të tjera, që kryejnë aktivitetin e rregullatorit në Republikën e Shqipërisë dhe nevojat e vetë institucionit.
7. Çdo vit AKEP-i i paraqet Kuvendit raportin vjetor për veprimtarinë e tij, brenda katër muajve të parë të vitit pasardhës. Një kopje e raportit i dorëzohet ministrisë.
8. Raporti vjetor vihet në dispozicion të publikut dhe përmban:
a) raportin e veprimtarisë së AKEP-it të vitit paraardhës;
b) programin vjetor për vitin në vazhdim;
c) raportin për gjendjen e tregut të komunikimeve elektronike, përfshirë shërbimin universal;
ç) raportin për burimet njerëzore dhe financiare të AKEP-it dhe mënyrën se si atribuohen këto burime.
9. Vendimet e Këshillit Drejtues të AKEP-it mund të ankimohen në gjykatë sipas legjislacionit në fuqi.
10. AKEP-i mbështet objektivat e BEREC-ut dhe gjatë miratimit të vendimeve të tij merr parasysh maksimalisht udhëzimet, opinionet, rekomandimet, qëndrimet e përbashkëta, praktikat më të mira dhe metodologjitë e miratuara nga BEREC-u.
Neni 14
Këshilli Drejtues i AKEP-it
1. AKEP-i drejtohet nga Këshilli Drejtues, i cili funksionon në bazë të rregullores së brendshme, të miratuar nga ai vetë.
2. Këshilli Drejtues përbëhet nga 5 anëtarë. Anëtarët e Këshillit Drejtues emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë sipas një procedure përzgjedhjeje të hapur dhe transparente, mbi bazën e propozimit të Këshillit të Ministrave. Anëtarët e Këshillit Drejtues të AKEP-it emërohen për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, jo më shumë se 1 herë.
3. Kuvendi emëron kryetarin ndërmjet anëtarëve të Këshillit Drejtues. Kryetari i këshillit është edhe drejtues ekzekutiv i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
4. Anëtarët e Këshillit Drejtues janë ekspertë të diplomuar dhe të kualifikuar, me përvojë minimale 10 vjet dhe janë përfaqësues të sektorit të komunikimeve elektronike, postare, ekonomike dhe juridike.
5. Anëtarët e Këshillit Drejtues, pasi emërohen, japin dorëheqjen nga çdo funksion zyrtar dhe politik apo veprimtari fitimprurëse, si dhe heqin dorë nga çdo interes financiar që mund të ketë në shoqëri që ushtrojnë veprimtari tregtare nën juridiksionin e AKEP-it. Për këto veprime anëtari informon me shkrim Kuvendin.
6. Nuk mund të jetë anëtar i Këshillit Drejtues:
a) personi, bashkëshorti ose të afërmit deri në shkallë të dytë, që kanë lidhje me anëtarët e Këshillit të Ministrave;
b) personi që është dënuar nga gjykata për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë;
c) personi që është debitor, kreditor ose aksionar në një shoqëri, e cila i nënshtrohet kuadrit rregullator të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare;
ç) personi që përjashtohet me ligj për të mbajtur poste publike shtetërore.
7. Paga e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues përcaktohet në raport me pagën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, sipas lidhjes nr. 1 që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 15
Vendimmarrja dhe struktura e Këshillit Drejtues
1. Këshilli Drejtues merr vendimet me shumicë votash, kur janë të pranishëm të paktën tre anëtarë. Çdo anëtar, duke përfshirë edhe kryetarin, ka një votë. Asnjë mungesë apo vend vakant në Këshillin Drejtues nuk cenon të drejtën e anëtarëve të mbetur për të ushtruar të drejtat e tyre.
2. Anëtarët e Këshillit Drejtues abstenojnë nga votimi kur zbatohet një nga rastet e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative dhe ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Neni 16
Lirimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues
1. Anëtari i Këshillit Drejtues shkarkohet nga Kuvendi, kur:
a) shpallet fajtor për një vepër penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
b) ka refuzuar ose nuk i ushtron pa shkak detyrat e caktuara ose nuk ka qenë në gjendje t’i ushtrojë këto detyra për të paktën 6 muaj;
c) vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
2. Anëtari i Këshillit Drejtues lirohet nga Kuvendi, kur:
a) jep dorëheqjen;
b) zgjidhet ose kandidon si deputet i Kuvendit ose në organet e pushtetit vendor, me përjashtim të rastit kur është anëtar i shoqatave profesionale dhe mban funksione në to;
c) është fizikisht ose mendërisht i paaftë për të kryer detyrat e përcaktuara;
ç) ka mbushur moshën e daljes në pension.
3. Anëtari i shkarkuar i Këshillit Drejtues nuk ka të drejtë të riemërohet në Këshillin Drejtues.
4. Para se të lirohet ose shkarkohet, anëtarit të Këshillit Drejtues i jepet mundësia për të parashtruar pretendimet e tij para komisioneve të Kuvendit.
5. Vendimi për të liruar dhe shkarkuar kryetarin, një anëtar ose më shumë se një anëtar duhet të jetë i bazuar në ligj dhe të jetë i arsyetuar për shkaqet që çojnë në lirimin ose shkarkimin e tyre.
6. Procedura e shkarkimit që kryhet nga Kuvendi është transparente dhe vendimi i tij bëhet publik në momentin e shkarkimit.
Neni 17
Financimi dhe buxheti i AKEP-it
1. Burimet e financimit të AKEP-it janë pagesat që bëhen nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore në fuqi. AKEP-i financohet edhe nga burime të tjera të ligjshme.
2. Këshilli Drejtues i AKEP-it miraton buxhetin e vitit pasardhës, i cili përbëhet nga totali i të ardhurave dhe shpenzimeve vjetore të AKEP-it, si edhe nga buxheti i detajuar.
3. AKEP-i mban llogari të plota për shpenzimet e kryera në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontabilitetin. AKEP-i publikon bilancin financiar vjetor që depoziton në organet tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim.
4. Çdo tepricë nga të ardhurat nga pagesat rregullatore, që mbetet pa u shpenzuar në përfundim të vitit financiar, mbahet në llogaritë e AKEP-it, përfshihet në planin e shpenzimeve të vitit pasardhës dhe përdoret për investime të nevojshme për kryerjen e detyrave të AKEP-it, si dhe mbahet parasysh në rishikimin proporcional, objektiv, transparent dhe jodiskriminues të pagesave përkatëse vjetore të sipërmarrësve.
Neni 18
Parimet për pagesat administrative
1. Çdo pagesë administrative e bazuar në këtë ligj, e vendosur ndaj sipërmarrësve që ofrojnë rrjete apo shërbime të komunikimeve elektronike, sipas autorizimit të përgjithshëm ose që u është dhënë e drejta e përdorimit:
a) mbulon në total vetëm kostot administrative të shkaktuara në menaxhimin, kontrollin dhe zbatimin e sistemit të autorizimit të përgjithshëm, të drejtave të përdorimit, si dhe detyrimeve të veçanta, siç referohen në nenin 34 të këtij ligji, të cilat mund të përfshijnë kostot për bashkëpunimin ndërkombëtar, harmonizimin dhe standardizimin, analizat e tregut, monitorimin e përputhshmërisë e kontrollet e tjera të tregut, si dhe punën rregullatore për përgatitjen dhe zbatimin e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, si dhe vendimeve administrative, të tilla si vendimet për aksesin, interkoneksionin; dhe
b) imponohet ndaj sipërmarrjeve individuale në mënyrë objektive, transparente dhe proporcionale, për të minimizuar kostot administrative shtesë ose tarifat shoqëruese në lidhje me qëllimin e synuar të tyre, duke marrë parasysh objektivat e përgjithshëm të këtij ligji.
2. AKEP-i publikon një pasqyrë vjetore të kostove administrative përkatëse, si dhe të shumës totale të pagesave të mbledhura. Kur ka një ndryshim midis shumës totale të pagesave dhe kostove administrative, bëhen rregullimet e duhura sipas pikës 4 të nenit 17 të këtij ligji.
Neni 19
Pagesat që kryhen në AKEP
1. Pagesat që kryhen në AKEP janë:
a) pagesa për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike, sipas përcaktimeve në nenin 20 të këtij ligji;
b) pagesa për financimin e shërbimit universal, sipas përcaktimeve në nenin 128 të këtij ligji;
c) pagesa për caktimin dhe përdorimin e frekuencave sipas legjislacionit në fuqi dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesa për caktimin dhe përdorimin e numrave, të serive numerike, përfshirë caktimin e emrave të domain-it, sipas këtij ligji.
2. Përcaktimi i pagesave për caktimin dhe përdorimin e numrave, serive të numrave dhe frekuencave miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, bazuar në sugjerimet e AKEP-it.
3. Përcaktimi i pagesave për caktimin dhe përdorimin e frekuencave dhe numrave bëhet në bazë të parimit të proporcionalitetit, konkretisht:
a) totali i të ardhurave vjetore nga pagesat e përcaktuara për caktimin dhe përdorimin e numrave duhet të jetë në përputhje me koston administrative vjetore të AKEP-it, në lidhje me administrimin e numrave dhe frekuencave;
b) ndryshimet në pagesat në breza të ndryshëm frekuencash ose kategori të ndryshme numrash duhet të jenë në përputhje me ndryshimet në koston administrative për administrimin e këtyre brezave dhe kategorive të ndryshme të numrave.
4. AKEP-i, në përputhje me parimin e transparencës, publikon çdo vit në faqen e tij zyrtare një përmbledhje të situatës financiare, duke përfshirë kostot, shpenzimet administrative dhe të ardhurat totale të realizuara nga pagesat për mbikëqyrjen e tregut, numeracionin dhe pagesat për frekuencat.
Neni 20
Pagesat për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike
1. Sipërmarrësit që ofrojnë rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike publike, sipas këtij ligji, janë të detyruar të paguajnë një pagesë vjetore për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike nga AKEP-i. Kjo pagesë bëhet për të mbuluar kostot administrative të AKEP-it.
2. Pagesa vjetore, e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, nuk duhet të jetë më shumë se 0,5 për qind e të ardhurës vjetore nga komunikimet elektronike të vitit kalendarik të mëparshëm.
3. Sipërmarrësi bën pagesën vjetore për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike pranë AKEP-it brenda datës 30 prill të çdo viti, menjëherë pas dorëzimit të bilancit vjetor dhe të raportit të ekspertit kontabël, i cili depozitohet nga sipërmarrësi pranë AKEP-it.
4. Niveli i pagesës vjetore për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike, brenda kufirit prej 0,5 përqindësh të së ardhurës vjetore nga komunikimet elektronike, përcaktohet në rregulloren e AKEP-it, të nxjerrë në përputhje me këtë ligj.
5. Përcaktimi i nivelit të pagesës vjetore për mbikëqyrjen e tregut nuk duhet të deformojë konkurrencën apo të krijojë pengesa për hyrjen në treg të sipërmarrësve të rinj.
6. Para miratimit të rregullores, sipas përcaktimeve në pikën 4 të këtij neni, AKEP-i njofton me shkrim sipërmarrësit për të paraqitur mendimet dhe propozimet e tyre, me shkrim, për pagesën vjetore, mënyrën e përllogaritjes dhe të zbatimit të saj. Afati i dërgimit të propozimeve nga sipërmarrësit është 30 ditë nga data e marrjes së njoftimit. Mosdërgimi i mendimeve dhe propozimeve brenda këtij afati nuk përbën pengesë për AKEP-in që të veprojë sipas pikës 4 të këtij neni.
7. Pagesa vjetore për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike bëhet në llogarinë e AKEP-it.
Neni 21
Pagesat për të drejtat e përdorimit të frekuencave
1. AKEP-i mund të vendosë tarifa për të drejtat e përdorimit të spektrit të frekuencave, që përdoren për ofrimin e rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe faciliteteve të lidhura me to, të cilat sigurojnë përdorimin optimal të këtyre burimeve.
2. Tarifat për të drejtat e përdorimit të spektrit të frekuencave duhet të jenë objektivisht të justifikuara, jodiskriminuese dhe proporcionale në lidhje me qëllimin e synuar, bazuar në objektivat e përgjithshëm, sipas nenit 5 të këtij ligji.
3. Tarifat e aplikueshme në lidhje me të drejtat e përdorimit të spektrit të frekuencave vendosen në një nivel, që siguron caktimin dhe përdorimin efikas të spektrit të radios, duke përfshirë:
a) vendosjen e çmimeve rezervë, si tarifa minimale për dhënien e së drejtës së përdorimit të spektrit të frekuencave, duke pasur parasysh vlerën e këtyre të drejtave në përdorimet e tyre të mundshme alternative;
b) kostot e shkaktuara nga kushtet e bashkëlidhura me këto të drejta;
c) aplikimin, për aq sa është e mundur, të modaliteteve të pagesave të lidhura me disponueshmërinë aktuale për përdorimin e spektrit të frekuencave;
ç) lëshimin e autorizimeve për përdorimin e frekuencave nga AKEP-i, të destinuara për qëllime të kërkimit, matjes dhe testimit të pajisjeve të radiokomunikimit, për një zonë të kufizuar mbulimi dhe për jo më shumë se 120 ditë.
Neni 22
Pagesat për të drejtat e përdorimit për burimet e numeracionit
1. Mbajtësit e të drejtave të përdorimit të numrave dhe serive të numrave kryejnë një pagesë në AKEP për përdorimin e numrave të alokuar dhe serisë së numrave, e cila pasqyron nevojën për të siguruar përdorimin optimal të këtyre burimeve.
2. Pagesat për përdorimin e burimeve të numeracionit duhet të jenë të justifikuara në mënyrë objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale në lidhje me qëllimin e synuar, bazuar në objektivat e përgjithshëm sipas nenit 5 të këtij ligji.
3. Kriteret për llogaritjen e pagesës bazohen në llojin, përdorimin dhe gjatësinë e numrave.
4. Pagesa për përdorimin e numrave dhe serive të numrave të caktuara paguhet para çdo viti aktual, duke filluar nga data e marrjes së vendimit për caktimin e numrave dhe serive të numrave.
5. Pagesat për përdorimin e numrave dhe serive numerike bëhet sipas përcaktimeve në nenin 19 të këtij ligji.
6. AKEP-i vendos tarifa për caktimin e emrave të domain-it sipas rregullores së përcaktuar në nenin 133 të këtij ligji.
Neni 23
Tarifat për të drejtën e instalimit të faciliteteve
Në rastin e aplikimit të tarifave për instalimin e faciliteteve, që përdoren për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike ose ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike në, mbi ose nën pronën publike, autoritetet kompetente sigurojnë përdorimin optimal të këtyre burimeve dhe përmbushjen e objektivave të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji. Në rast aplikimi, autoritetet sigurojnë që këto tarifa të jenë të justifikuara në mënyrë objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale në lidhje me qëllimin e synuar.
Neni 24
Publikimi
1. Dokumentacioni i administruar në AKEP, në lidhje me aktivitetin e sipërmarrësve të komunikimeve elektronike bëhet i disponueshëm për publikun në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit publik dhe legjislacionin në fuqi për sekretin tregtar.
2. Vendimet e Këshillit Drejtues të AKEP-it, kriteret, procedurat e njoftimit, lëshimit të autorizimeve për të drejtat e përdorimit, autorizimet e dhëna, rregullat e rregulloret teknike dhe standardet publikohen në faqen zyrtare të internetit të AKEP-it.
Neni 25
Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kompetente
1. AKEP-i bashkëpunon me autoritetet e tjera kompetente për çështje të interesit të përbashkët përmes shkëmbimit të informacionit për zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore, si dhe të praktikave të lidhura me sektorin e komunikimeve elektronike. Autoritetet kompetente marrëse të informacionit zbatojnë të njëjtin nivel konfidencialiteti.
2. AKEP-i dhe Autoriteti i Konkurrencës bashkëpunojnë në çështje të interesit të përbashkët, në zbatim të legjislacionit në fuqi për konkurrencën në sektorin e komunikimeve elektronike. Në veçanti, në procesin e përcaktimit të tregjeve përkatëse dhe analizat e tyre, AKEP-i konsultohet dhe bashkëpunon me Autoritetin e Konkurrencës.
3. AKEP-i dhe autoritetet e tjera kompetente, kur është e nevojshme për të nxitur bashkëpunimin rregullator, lidhin marrëveshje bashkëpunimi me njëri-tjetrin.
KREU III
AUTORIZIMI I PËRGJITHSHËM
Seksioni 1
Pjesa e përgjithshme
Neni 26
Autorizimi i përgjithshëm për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike
1. Çdo sipërmarrës është i lirë të ofrojë rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e këtij ligji. Ofrimi i rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike nga një sipërmarrës nuk pengohet nga AKEP-i, përveç rasteve kur kjo është e nevojshme për arsye të interesit publik, sigurisë publike ose shëndetit publik. Çdo kufizim për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike argumentohet, bazuar në legjislacionin kombëtar në fuqi, i njoftohet ministrisë, si dhe publikohet paraprakisht.
2. Ofrimi i rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, përveç shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të pavarura nga numrat është subjekt i regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duke respektuar detyrimet specifike, të përcaktuara sipas pikës 6 të nenit 28 të këtij ligji, si dhe kërkesat për pajisjen me të drejtat e përdorimit për frekuencat dhe numeracionin, sipas këtij ligji, kur ofrimi i rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike bazohet në përdorimin e burimeve natyrore të fundme.
3. Para fillimit të aktivitetit, çdo sipërmarrës njofton AKEP-in sipas një formulari të miratuar për mënyrat e njoftimit, bazuar në udhëzimet përkatëse të BEREC-ut, që përmban elementet e përcaktuara në pikat 2 dhe 3 të nenit 27 të këtij ligji. Sipërmarrësit nuk i vendosen kërkesa shtesë ose të veçanta për njoftimin. Për ushtrimin e të drejtave, që rrjedhin nga autorizimi i përgjithshëm, sipërmarrësi i autorizuar nuk ka nevojë për marrjen e një vendimi apo akti administrativ të posaçëm nga AKEP-i. Me njoftimin dhe kur është i nevojshëm përdorimi i burimeve të kufizuara, sipërmarrësi fillon aktivitetin duke iu nënshtruar dispozitave për të drejtat e përdorimit, sipas këtij ligji, për pajisjen me autorizim individual.
Neni 27
Njoftimi
1. Cilido sipërmarrës, që parashikon të ofrojë një rrjet apo shërbime të komunikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë, njofton AKEP-in përpara fillimit të funksionimit, të ndryshimit ose të ndërprerjes së shërbimit.
2. Njoftimi i sipërmarrësit bëhet me shkrim sipas rregullave të miratuara nga AKEP-i dhe duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:
a) emrin, adresën gjeografike të degës kryesore të ofruesit dhe, sipas rastit, të çdo dege dytësore;
b) të dhënat e regjistrimit ligjor të sipërmarrësit, statusin ligjor, formën dhe numrin e regjistrimit, vendndodhjen e ofruesit;
c) personin e kontaktit dhe të dhënat e kontaktit të sipërmarrësit;
ç) adresën e faqes web të ofruesit, që lidhet me ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, aty ku është e disponueshme, e shoqëruar me një përshkrim të shkurtër të rrjeteve ose shërbimeve që do të ofrohen;
d) datën kur është parashikuar fillimi i ofrimit, ndryshimi ose përfundimi i aktivitetit;
dh) shtrirjen gjeografike të rrjetit dhe shërbimeve që do të ofrohen dhe, sipas rastit, së bashku me vendet e tjera që mbulohen, përveç Republikës së Shqipërisë;
e) një deklaratë për datën, brenda së cilës sipërmarrësi përfundon ndërtimin e rrjetit ose ofrimin e shërbimeve të tij.
3. Njoftimi shoqërohet me:
a) një deklaratë se informacioni është i saktë;
b) një deklaratë se sipërmarrësi zotëron kapacitetet teknike, ligjore dhe financiare të nevojshme dhe do të zbatojë detyrimet ligjore.
4. Sipërmarrësi raporton tek AKEP-i çdo ndryshim në informacionin e paraqitur në njoftim brenda 30 ditëve nga ndodhja e ndryshimit.
5. AKEP-i regjistron operatorët ose ofruesit e shërbimeve në bazën e të dhënave elektronike brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit dhe njofton regjistrimin e tyre me shkrim.
6. Kur njoftimi është jo i plotë, bazuar në kërkesat e pikave 2 dhe 3 të këtij neni, AKEP-i njofton sipërmarrësin brenda 7 ditëve pas marrjes së njoftimit për plotësimin e mangësive në dokumentacion. Nëse sipërmarrësi nuk e plotëson informacionin që mungon brenda 15 ditëve, AKEP-i njofton sipërmarrësin se nuk do ta regjistrojë atë. Sipërmarrësi ka të drejtë të ankohet në Këshillin Drejtues të AKEP-it për këtë çështje.
7. Nëse AKEP-i nuk konfirmon me shkrim, brenda afatit kohor të përcaktuar në pikën 5 të këtij neni, ose nuk i komunikon sipërmarrësit mungesën e informacionit sipas pikës 6 të këtij neni, njoftimi dhe regjistrimi konsiderohen të përfunduar.
8. AKEP-i miraton me rregullore formën dhe përmbajtjen e njoftimit, dokumentacionin mbështetës dhe konfirmimin e regjistrimit, duke marrë në konsideratë udhëzimet përkatëse të BEREC-ut.
9. AKEP-i administron një regjistër të përditësuar për personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë njoftuar dhe janë regjistruar sipas përcaktimeve të këtij neni, i cili përmban informacionin e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni. Ky informacion bëhet i disponueshëm për publikun.
10. AKEP-i bën çregjistrimin e sipërmarrësit me kërkesën e vetë sipërmarrësit, kur ai njofton ndërprerjen e aktivitetit, sipas pikës 1 të këtij neni, ose me nismën e vet, nëse rezulton se sipërmarrësi ka mbyllur apo pezulluar aktivitetin tregtar, ose në zbatim të një vendimi përfundimtar gjykate apo administrativ, për shkaqe të bazuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
Neni 28
Kushtet e autorizimit të përgjithshëm dhe për të drejtat e përdorimit të spektrit të radiofrekuencave dhe numrave
1. Autorizimi i përgjithshëm për ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe autorizimi për të drejtat e përdorimit të spektrit të radiofrekuencave dhe të të drejtave të përdorimit për burimet e numeracionit mund të jetë subjekt i kushteve si më poshtë:
a) kushteve të përgjithshme sipas nenit 29 të këtij ligji;
b) kushteve specifike për ofrimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike sipas pikës 1 të nenit 30 të këtij ligji;
c) kushteve specifike për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, përjashtuar shërbimet e komunikimeve ndërpersonale të pavarura nga numri, sipas pikës 2 të nenit 30 të këtij ligji;
ç) kushteve për të drejtat e përdorimit të spektrit të frekuencave, sipas nenit 31 të këtij ligji;
d) kushteve për të drejtat e përdorimit të numeracionit sipas nenit 32 të këtij ligji.
2. Kushtet e vendosura nga AKEP-i, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të jenë jodiskriminuese, proporcionale dhe transparente.
3. Në rastin e përdorimit të frekuencave, sipërmarrësit duhet të përmbushin kushtet për përdorimin efektiv dhe eficient të frekuencave, sipas përcaktimeve në kreun IX të këtij ligji, dhe në rastin e përdorimit të numrave duhet të jenë në përputhje me nenin 132 të këtij ligji.
4. Kushtet e autorizimit të përgjithshëm duhet të jenë specifike për sektorin dhe të justifikuara për rrjetin ose shërbimin në fjalë, sipas përcaktimeve në këtë nen. Ato nuk duhet të dublojnë kushte që zbatohen ndaj sipërmarrësve nga akte të tjera ligjore në fuqi.
5. Në dhënien e të drejtave të përdorimit për frekuencat dhe burimet e numeracionit, AKEP-i nuk dublikon kushtet e autorizimit të përgjithshëm.
6. Detyrimet specifike që mund t’u imponohen nga AKEP-i sipërmarrësve që ofrojnë rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike, sipas pikës 3 të nenit 82, nenit 86, nenit 92 dhe nenit 109 të këtij ligji, si dhe detyrimet specifike që mund t’u imponohen sipërmarrësve që janë caktuar ofrues të shërbimeve universale, sipas këtij ligji, duhet të jenë ligjërisht të ndara nga të drejtat dhe detyrimet, që lindin nga autorizimi i përgjithshëm.
7. Në zbatim të parimit të transparencës, kriteret dhe procedurat për vendosjen e detyrimeve specifike, sipas pikës 6 të këtij neni, për sipërmarrësit individualë, duhet të referohen në autorizimin e përgjithshëm.
Neni 29
Kushtet e përgjithshme të autorizimit të përgjithshëm
Autorizimi i përgjithshëm përfshin kushtet e përgjithshme, si më poshtë:
a) kryerjen e pagesave administrative në përputhje me nenin 18 të këtij ligji. Çdo sipërmarrës është i detyruar të paguajë pagesat administrative ose tarifat për të drejtat e përdorimit të burimeve të kufizuara sipas legjislacionit në fuqi;
b) mbrojtjen e të dhënave personale dhe mbrojtjen specifike të privatësisë në komunikimet elektronike në përputhje me kreun XIX të këtij ligji;
c) informacionin që paraqitet në procedurën e njoftimit sipas nenit 27, si dhe për qëllime të tjera, ashtu siç përcaktohet në nenin 42 të këtij ligji;
ç) lejimin e përgjimit nga autoritetet kompetente, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për përgjimin e telekomunikimeve dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe me kreun XIX të këtij ligji;
d) kushtet e përdorimit nga autoritetet publike të komunikimeve për publikun e gjerë, për paralajmërimin e publikut nga rreziqe të afërta dhe për masat e shmangies së katastrofave të mëdha;
dh) kushtet e përdorimit gjatë fatkeqësive të mëdha ose emergjencave kombëtare për të siguruar komunikimin ndërmjet shërbimeve të emergjencave dhe autoriteteve;
e) detyrimet e aksesit, sipas këtij ligji, që zbatohen për sipërmarrësit që ofrojnë rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike;
ë) masat e projektuara për të siguruar përputhjen me standardet ose specifikimet e përcaktuara në nenin 53 të këtij ligji;
f) detyrimet për transparencë ndaj ofruesve të rrjeteve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, për sigurimin e ndërlidhjes pikë fundore-pikë fundore, në përputhje me objektivat e nenit 5 të këtij ligji, dhe kur është e nevojshme dhe proporcionale detyrimin për akses në informacionin që është i nevojshëm për verifikimin e saktësisë së këtij kushti.
Neni 30
Kushtet specifike të autorizimit të përgjithshëm
1. Kushtet specifike, që mund t’i bashkëlidhen një autorizimi të përgjithshëm për ofrimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike janë, si më poshtë vijon:
a) detyrimi për interkonektimin e rrjeteve sipas përcaktimeve në këtë ligj;
b) parashikimet për detyrimin e mbartjes, që zbatohet në përputhje me ligjin për medien audiovizive;
c) masat për mbrojtjen e shëndetit publik kundrejt fushave elektromagnetike, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe udhëzimet e ICNIRP-së për kufizimin e ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike, për mbrojtjen e njerëzve të ekspozuar në fushat elektromagnetike, kur këto kushte janë të ndryshme nga ato të përfshira në autorizimin e përgjithshëm;
ç) mirëmbajtja dhe integriteti i rrjetit të komunikimeve elektronike, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi, për parandalimin e interferencave elektromagnetike, ndërmjet rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike;
d) siguria e rrjeteve publike kundrejt aksesit të paautorizuar në përputhje me përcaktimet e kreut XIX të këtij ligji;
dh) kushtet e përdorimit të frekuencave, sipas përcaktimeve në rregullin teknik për kërkesat thelbësore për pajisjet radio, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, kur përdorimi i frekuencave nuk është subjekt i autorizimit individual, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
2. Kushtet specifike që mund t’i bashkëlidhen një autorizimi të përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, përveç shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të pavarur nga numri, janë:
a) ndërveprueshmëria e shërbimeve në përputhje me këtë ligj;
b) aksesimi nga përdoruesi fundor i numrave sipas Planit Kombëtar të Numeracionit, numrave nga numrat universalë ndërkombëtarë të telefonave falas (UIFN) dhe, kur është teknikisht dhe ekonomikisht e mundur, nga planet e numeracionit, sipas kushteve në përputhje me këtë ligj;
c) rregullat specifike të mbrojtjes së konsumatorit për sektorin e komunikimeve elektronike, duke përfshirë sigurimin e aksesit për përdoruesit me aftësi të kufizuar;
ç) respektimi i kufizimeve në lidhje me transmetimet e përmbajtjeve të paligjshme ose përmbajtjes së dëmshme, bazuar në legjislacionin në fuqi.
3. Kushtet specifike të autorizimit të përgjithshëm, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, vendosen nga AKEP-i për rrjetet ose shërbimet e komunikimeve elektronike dhe ato nuk duhet të dublikojnë kushtet që zbatohen ndaj sipërmarrësve nga akte të tjera ligjore në fuqi.
Neni 31
Kushtet për të drejtat e përdorimit për spektrin e frekuencave
Përveç sa parashikohet në autorizimin e përgjithshëm, të drejtat e përdorimit të frekuencave janë subjekt i kushteve si më poshtë:
a) detyrimi për të ofruar një shërbim ose për të përdorur një lloj teknologjie brenda kufizimeve të nenit 62 të këtij ligji, dhe, kur është e nevojshme, të kërkesave për mbulimin dhe cilësinë e shërbimit;
b) kushtet teknike dhe operacionale për shmangien e interferencave të dëmshme dhe mbrojtjen e shëndetit nga rrezatimet elektromagnetike, sipas legjislacionit në fuqi, kur këto janë të ndryshme nga sa përfshihet në kushtet e autorizimit të përgjithshëm për përdorimin efektiv dhe efikas të spektrit radio, sipas këtij ligji;
c) kohëzgjatja maksimale e të drejtave të përdorimit të frekuencave në përputhje me parashikimet e nenit 69 të këtij ligji dhe me Planin Kombëtar të Frekuencave;
ç) e drejta e transferimit ose dhënies me qira të të drejtave, me iniciativë të mbajtësit të tyre dhe kushtet për transferim, sipas këtij ligji;
d) tarifat apo pagesat për të drejtat e përdorimit në përputhje me nenet 19 dhe 21 të këtij ligji;
dh) çdo angazhim që sipërmarrësi ka bërë në procesin e autorizimit për fitimin e së drejtës së përdorimit apo gjatë rinovimit të autorizimit përpara dhënies së autorizimit ose, sipas rastit, në përgjigje të ftesës për aplikim për të drejtat e përdorimit;
e) detyrimet për të bashkuar ose për përdorim të përbashkët të spektrit të frekuencave ose për lejimin e aksesit në spektrin e frekuencave për përdorues të tjerë në zona specifike ose në nivel kombëtar;
ë) detyrimet sipas marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse në lidhje me përdorimin e brezave të spektrit të frekuencave;
f) detyrimet specifike për një përdorim eksperimental të brezave të spektrit të frekuencave;
g) kushtet për përdorimin e spektrit të frekuencave, kur një përdorim i tillë nuk i nënshtrohet dhënies së të drejtave individuale të përdorimit.
Neni 32
Kushte për përdorimin e numeracionit
Përveç sa parashikohet në autorizimin e përgjithshëm, të drejtat e përdorimit të numeracionit mund të jenë subjekt i kushteve të mëposhtme:
a) përcaktimi i shërbimit për të cilin përdoret numri, përfshirë çdo kërkesë që lidhet me ofrimin e atij shërbimi dhe për shmangien e dyshimit, parimet tarifore dhe çmimet maksimale, që mund të zbatohen në një seri specifike të numrave, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, në përputhje me parashikimet në shkronjën “ç” të pikës 1 të nenit 5 të këtij ligji;
b) përdorimi efektiv dhe efikas i burimeve të numeracionit në përputhje me këtë ligj;
c) kërkesat për zbatimin e portabilitetit të numrave në përputhje me këtë ligj;
ç) detyrimi për ofrimin e informacionit në numëratorin telefonik për përdoruesit fundorë në lidhje me zbatimin e nenit 152 të këtij ligji;
d) kohëzgjatja maksimale në përputhje me përcaktimet në nenin 132 të këtij ligji dhe Planin Kombëtar të Numeracionit;
dh) transferimi i të drejtave të përdorimit të burimeve të numeracionit me iniciativën e mbajtësit të tyre dhe kushtet për një transferim të tillë në përputhje me këtë ligj, duke përfshirë çdo kusht që e drejta e përdorimit për një numër të jetë e detyrueshme për të gjithë sipërmarrësit, të cilëve u janë transferuar të drejtat;
e) pagesat për të drejtat e përdorimit në përputhje me nenin 22 të këtij ligji;
ë) çdo angazhim që sipërmarrësi, i cili merr të drejtat e përdorimit, ka bërë gjatë një procedure përzgjedhjeje konkurruese ose krahasuese për dhënien e së drejtës së përdorimit;
f) detyrimet sipas marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse në lidhje me përdorimin e numrave.
Neni 33
Certifikata e konfirmimit për lehtësimin e ushtrimit të të drejtave për instalimin e faciliteteve dhe interkoneksionit
1. Me kërkesë të një sipërmarrësi, AKEP-i, brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, sipas rastit, lëshon një deklaratë të standardizuar, që konfirmon që sipërmarrësi ka paraqitur një njoftim, sipas pikës 3 të nenit 26 të këtij ligji. Certifikata e konfirmimit detajon rrethanat në të cilat çdo sipërmarrës që ofron rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike, sipas autorizimit të përgjithshëm ka të drejtë të instalojë facilitetet, të negociojë për interkoneksion ose të marrë akses e interkoneksion, me qëllim lehtësimin e ushtrimit të këtyre të drejtave gjatë aplikimit pranë niveleve të tjera të qeverisjes ose te sipërmarrësit e tjerë.
2. Kur është e mundur teknikisht, certifikata e konfirmimit mund të lëshohet si përgjigje automatike pas njoftimit të përmendur në pikën 3 të nenit 26 të këtij ligji.
Neni 34
Detyrimet e veçanta
1. AKEP-i ka të drejtë, në zbatim të dispozitave të këtij ligji, të vendosë detyrime të veçanta ndaj sipërmarrësit që ushtron veprimtari në sektorin e komunikimeve elektronike. Këto detyrime zbatohen, përveç kushteve të autorizimit të përgjithshëm dhe në përputhje me konsultimet dhe procedurat e përcaktuara në nenet 44, 67, 75 dhe 92 të këtij ligji.
2. Detyrimet e veçanta, të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, janë:
a) detyrimet për ofrimin e shërbimit universal në përputhje me kreun XVI të këtij ligji;
b) detyrimet e veçanta të përcaktuara në këtë ligj për operatorët me fuqi të ndjeshme në treg në tregjet përkatëse;
c) detyrimet për aksesin në rrjete në përputhje me kreun XII të këtij ligji.
3. AKEP-i publikon informacionin për vendosjen e detyrimeve të veçanta sipas përcaktimeve në nenin 24 të këtij ligji.
Seksioni 2
Të drejtat dhe detyrimet e autorizimit të përgjithshëm
Neni 35
Lista minimale e të drejtave që rrjedhin nga autorizimi i përgjithshëm
1. Sipërmarrësit, që i nënshtrohen autorizimit të përgjithshëm, sipas nenit 26 të këtij ligji, kanë të drejtë:
a) të ofrojnë rrjete dhe/ose shërbime të komunikimeve elektronike;
b) të aplikojnë për të drejtat e nevojshme për instalimin e faciliteteve në përputhje me nenin 57 të këtij ligji;
c) të përdorin spektrin e radiofrekuencave në lidhje me shërbimet dhe rrjetet e komunikimeve elektronike sipas përcaktimeve në nenet 28, 31, 66 dhe 75 të këtij ligji;
ç) të aplikojnë për të drejtat e përdorimit të nevojshme për burimet e numeracionit në përputhje me nenet 131 dhe 132 të këtij ligji.
2. Kur një sipërmarrës është autorizuar sipas këtij ligji për të ofruar rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike për publikun, atëherë autorizimi i përgjithshëm i jep të drejtë:
a) të negociojë për interkoneksion dhe, kur është e zbatueshme, për të marrë akses nga sipërmarrësit e tjerë të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve të disponueshme për publikun në përputhje me këtë ligj;
b) të marrë pjesë në përcaktimin si ofrues i shërbimit universal për shërbime të veçanta të shërbimit universal ose për të mbuluar pjesë të caktuara të territorit të Republikës së Shqipërisë në përputhje me këtë ligj.
Neni 36
Ndarja e llogarive dhe raportet financiare
1. AKEP-i u kërkon sipërmarrësve, që ofrojnë rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, të cilët kanë të drejta të veçanta ose ekskluzive për ofrimin e shërbimeve në sektorë të tjerë, që:
a) të mbajnë llogari të veçanta për aktivitetet që lidhen me ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike në masën e kërkuar nëse këto aktivitete do të kryheshin nga subjekte ligjërisht të pavarura, në mënyrë që të identifikohen të gjitha elementet e kostos dhe të të ardhurave, me bazën e llogaritjes së tyre dhe metodat e detajuara të përdorura, në lidhje me këto aktivitete, duke përfshirë një ndarje të detajuar të aktiviteteve fikse dhe kostot strukturore; ose
b) të ketë ndarje strukturore për aktivitetet që lidhen me ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike.
2. AKEP-i vendos të mos zbatojë kërkesat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni për sipërmarrësit që kanë një xhiro vjetore më të vogël se 0.5% të të ardhurave të tregut, në aktivitete që lidhen me rrjetet ose shërbimet e komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë.
3. Kur sipërmarrësi që ofron rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun nuk i nënshtrohet legjislacionit për shoqëritë tregtare, raportet e tyre financiare hartohen dhe dorëzohen nga auditues të pavarur dhe publikohen. Auditimi kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontabilitetin.
Seksioni 3
Ndryshimi dhe revokimi i të drejtave
Neni 37
Ndryshimi i të drejtave dhe detyrimeve
1. AKEP-i ndryshon ose revokon të drejtat, kushtet dhe procedurat për autorizimin e përgjithshëm dhe të drejtat e përdorimit në raste objektivisht të justifikuara dhe në mënyrë proporcionale, pas kryerjes së një këshillimi publik, sipas përcaktimit në nenin 44 të këtij ligji.
2. Me raste objektivisht të justifikuara nënkuptohen:
a) ndryshimi i fakteve, në bazë të të cilave janë përcaktuar të drejtat, kushtet dhe procedurat në autorizimin e përgjithshëm dhe të drejtat për përdorim;
b) përmbushja e angazhimeve, që burojnë nga anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare;
c) nevoja e mbrojtjes dhe sigurisë së shtetit;
ç) nevoja e mbrojtjes së interesit publik.
3. Ndryshimi ose revokimi i të drejtave, kushteve dhe procedurave për autorizimin e përgjithshëm dhe për të drejtat e përdorimit bëhet me vendim të AKEP-it.
Neni 38
Ndryshimi i autorizimit individual
1. AKEP-i ndryshon autorizimin individual me nismën e vet:
a) kur ka ndryshuar Plani Kombëtar i Frekuencave ose rregullat për kushtet e përdorimit të frekuencave;
b) për nevoja publike, që nuk mund të plotësohen në mënyrë tjetër;
c) kur ndryshimi i kërkuar i shërben përdorimit eficient të frekuencave dhe është me interes publik;
ç) kur interferencat e dëmshme nuk mund të shmangen në mënyrë tjetër;
d) kur ndryshimi buron nga aktet ndërkombëtare, të zbatueshme në Republikën e Shqipërisë.
2. Në rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, AKEP-i lëshon një autorizim individual të ri të përdorimit të frekuencave, i cili përfshin ndryshimet. Në këtë autorizim të ri përfshihet edhe një periudhë e arsyeshme kohe, brenda së cilës mbajtësi i autorizimit duhet të përshtatë përdorimin e frekuencave me autorizimin e ri.
3. Mbajtësi i autorizimit individual përballon me shpenzimet e veta kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme, që burojnë nga ndryshimet në autorizimin e ri individual të përdorimit të frekuencave.
4. Përdoruesit e frekuencave të caktuara, autorizimi i përdorimit të të cilave është ndryshuar, gëzojnë të drejtën që t’u caktohet brez tjetër ekuivalent i frekuencave, brenda hapësirave të mundshme, sipas planit të përdorimit të frekuencave, në rast se arsyet për ndryshimin ose revokimin e autorizimit nuk shkaktohen për fajin e tyre.
5. Kur ndryshimet në autorizimin individual të frekuencave kërkohen nga mbajtësi i tij, autorizimi i ri mund të jepet sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe në një mënyrë që të mos shkelë të drejtat e përdoruesve të tjerë.
Neni 39
Ndryshimi i vendimeve për caktimin e numrave dhe të serive numerike
1. Për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare, si dhe për të siguruar sasi të kënaqshme të numrave, përdorimin eficient të burimeve të numeracionit, AKEP-i mund të ndryshojë strukturën dhe konfigurimin e hapësirës së numeracionit dhe caktimin e numrave. Ndryshimet miratohen pas këshillimit publik. Në këto raste, mbajtësi i numrave dhe serive numerike nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim.
2. AKEP-i mund të ndryshojë vendimet për caktimin e numrave dhe të serive numerike edhe në bazë të kërkesës së mbajtësit të tyre, kur kjo është e mundur.
Neni 40
Kufizimi ose revokimi i të drejtave
1. Me përjashtim të parashikimeve, sipas nenit 182 të këtij ligji, AKEP-i nuk kufizon ose revokon të drejtat për instalimin e pajisjeve ose të drejtat e përdorimit të spektrit të radios ose burimeve numerike përpara mbarimit të periudhës për të cilën ato janë dhënë, përveç rasteve kur justifikohet sipas pikës 2 të këtij neni dhe kur është e zbatueshme në përputhje me kërkesat e nenit 28 të këtij ligji.
2. Në përputhje me nevojën për të garantuar përdorimin efektiv dhe eficient të spektrit të radios, AKEP-i revokon një autorizim individual për frekuenca me nismën e vet në rast se vërteton se:
a) aplikimi i autorizimit për frekuenca përmban të dhëna të rreme;
b) mbajtësi i së drejtës për përdorim nuk i ka përdorur frekuencat e dhëna brenda një viti nga data e dhënies në përdorim ose i ka përdorur për qëllime të ndryshme nga ato të parashikuara në autorizim;
c) mbajtësi i autorizimit nuk ekziston më;
ç) janë shkelur dispozitat e këtij ligji ose kushtet e autorizimit individual të frekuencave;
d) nuk janë eliminuar brenda afatit të përcaktuar mangësitë e evidentuara nga AKEP-i, të cilat i janë njoftuar sipërmarrësit;
dh) nuk janë kryer pagesat për përdorimin e frekuencave brenda 30 ditëve nga afati i përcaktuar ose 15 ditë pas njoftimit të AKEP-it;
e) nuk ka mundësi tjetër për të shmangur interferencat e dëmshme të shkaktuara nga sinjalet e pajisjeve radio, të marrësve ose sistemeve elektrike e elektronike të tjera.
3. Pagesat e kryera për vitin në të cilin ndodh revokimi i autorizimit janë të parimbursueshme. Një modifikim në përdorimin e spektrit të radios, si rezultat i zbatimit të pikave 1 dhe 2 të nenit 62, nuk përbën arsyen e vetme për të justifikuar heqjen e së drejtës së përdorimit të spektrit të radios.
4. Çdo synim për të kufizuar ose revokuar të drejtat, në bazë të autorizimit të përgjithshëm ose të drejtave individuale të përdorimit për spektrin e frekuencave ose për burimet e numeracionit, pa pëlqimin e mbajtësit të të drejtave, duhet t’i nënshtrohet konsultimit të palëve të interesuara, në përputhje me nenin 44 të këtij ligji. AKEP-i i jep mbajtësit të së drejtës së përdorimit mundësinë të paraqesë parashtrimet e tij, si dhe propozime për masat.
5. Kufizimi apo heqja e të drejtave të përdorimit të frekuencave, përfshirë të drejtat sipas nenit 69 të këtij ligji, bazohen në një procedurë të qartë dhe të miratuar paraprakisht nga AKEP-i, në përputhje me parimet e proporcionalitetit dhe jodiskriminimit.
6. Në rastet e shkeljeve të dispozitave të këtij ligji ose kushteve të autorizimit individual të frekuencave, AKEP-i vepron sipas parashikimeve në nenet 182 dhe 183 të këtij ligji.
KREU IV
SIGURIMI I INFORMACIONIT, ANKETAVE DHE MEKANIZMI I KONSULTIMIT
Neni 41
Kërkesa për informacion nga sipërmarrësit
1. Sipërmarrësit që ofrojnë rrjete dhe/ose shërbime të komunikimeve elektronike, facilitete ose shërbime shoqëruese, i paraqesin AKEP-it të gjithë informacionin e nevojshëm për përmbushjen e detyrave të tij rregullatore dhe për bashkëpunimin me BEREC-un, përfshirë edhe informacionin financiar, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.
2. AKEP-i ka të drejtë t’u kërkojë sipërmarrësve informacion në lidhje me zhvillimet e ardhshme të rrjetit ose shërbimeve që kanë ndikim në shërbimet e shitjes me shumicë dhe që sipërmarrësit i vendosin në dispozicion të konkurrentëve, si dhe informacion mjaftueshmërisht të detajuar për shtrirjen në nivel lokal të rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe facilitetet e lidhura me to, me qëllim kryerjen e vrojtimit për shtrirjen gjeografike të rrjeteve të shpejtësisë së lartë dhe përcaktimin e zonave, në përputhje me nenin 43 të këtij ligji.
3. Kur informacioni i mbledhur është i pamjaftueshëm për kryerjen e detyrave rregullatore, sipas këtij ligji, AKEP-i mund të kërkojë informacion nga entitete të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e komunikimeve elektronike ose sektorë të lidhur ngushtë me të. AKEP-i kërkon gjithashtu informacion nga pika e vetme e informacionit, e krijuar në zbatim të ligjit nr. 120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”.
4. Sipërmarrësve, të përcaktuar si operatorë me fuqi të ndjeshme në treg në tregjet me shumicë, u kërkohet gjithashtu të paraqesin të dhëna kontabël për tregjet me pakicë, që janë të lidhura me tregjet me shumicë.
5. Sipërmarrësit e sigurojnë informacionin e kërkuar në përputhje me afatet kohore dhe nivelin e detajimit të kërkuar.
6. AKEP-i përcakton me një rregullore informacionin e kërkuar nga sipërmarrësit, si dhe afatin e paraqitjes së tij. Çdo kërkesë për informacion duhet të jetë e arsyetuar dhe proporcionale me kryerjen e detyrave rregullatore.
7. AKEP-i kërkon informacione, në veçanti, duke përfshirë informacionin financiar, me qëllim:
a) verifikimin sistematik ose kohë pas kohe të pajtueshmërisë me dispozitat e këtij ligji;
b) njohjen me procedurat dhe vlerësimin e kërkesave për dhënien e të drejtave të përdorimit;
c) publikimin e përmbledhjeve krahasuese të cilësisë dhe çmimeve të shërbimeve në dobi të përdoruesve;
ç) statistikor, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ose që rrjedhin nga marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe organizatave ndërkombëtare;
d) informacionin në lidhje me zhvillimet e ardhshme të rrjeteve ose shërbimeve, që mund të ndikojnë në shërbimet me shumicë, që sipërmarrja u ofron konkurrentëve; dhe për
dh) analizimin e tregjeve në përputhje me kreun XIII të këtij ligji.
8. AKEP-i, pas një kërkese të arsyetuar, i siguron Komisionit të BE-së (në vijim “Komisioni”) informacionin e nevojshëm për të kryer detyrat e tij sipas traktatit për funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU). Informacioni i kërkuar nga Komisioni duhet të jetë proporcional me kryerjen e këtyre detyrave. Kur informacioni i dhënë i referohet informacionit të dhënë më parë nga sipërmarrësit me kërkesë të AKEP-it, këta sipërmarrës informohen për këtë. Kur është e nevojshme, Komisioni duhet t’i vërë në dispozicion informacionin e dhënë një autoriteti tjetër kompetent, në një shtet tjetër anëtar, përveç rastit kur autoriteti që jep informacionin ka bërë një kërkesë të qartë dhe të arsyetuar për të kundërtën.
Në varësi të kërkesave të kësaj pike, AKEP-i, kur është e nevojshme, siguron që informacioni që i dërgohet Komisionit, t’i vihet në dispozicion një autoriteti tjetër dhe BEREC-ut, në të njëjtin ose në një tjetër shtet anëtar të BE-së, pas një kërkese të bazuar për të lejuar AKEP-in ose BEREC-un që të përmbushë përgjegjësitë e tij sipas legjislacionit të BE-së.
9. Kur informacioni i mbledhur në zbatim të pikave 1 dhe 2 të këtij neni, përfshirë informacionin e mbledhur në kuadër të një vrojtimi gjeografik, konsiderohet konfidencial nga AKEP-i, ky informacion mbahet konfidencial në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për sekretin tregtar të biznesit. Nëse informacioni nuk është konfidencial, kur është e nevojshme për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues, AKEP-i e publikon ose e vendos në dispozicion të publikut mbi bazën e kërkesës. Në rast dyshimi për konfidencialitetin e informacionit, AKEP-i merr vendim për ruajtjen e konfidencialitetit pasi të ketë dëgjuar dhe vlerësuar interesat e sipërmarrësit që zotëron informacionin.
10. AKEP-i siguron që informacioni i publikuar kontribuon në një treg të hapur dhe konkurrues, duke vepruar në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi për aksesin e publikut në informacion dhe si subjekt i konfidencialitetit tregtar dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
11. AKEP-i publikon kushtet e aksesit të publikut në informacion, sipas pikës 8 të këtij neni, duke përfshirë procedurat për marrjen e një aksesi të tillë.
12. Sipërmarrësit që ofrojnë rrjete apo shërbime të komunikimeve elektronike, janë të detyruar t’i paraqesin ministrit, sipas kërkesës, të gjithë informacionin e kërkuar për përmbushjen e detyrave funksionale të ministrit, sipas këtij ligji.
Neni 42
Informacioni i kërkuar në lidhje me autorizimin e përgjithshëm,
të drejtat e përdorimit dhe detyrimet specifike
1. AKEP-i, pavarësisht nga informacioni i kërkuar, sipas nenit 41 të këtij ligji, u kërkon sipërmarrësve të japin informacion në lidhje me autorizimin e përgjithshëm, të drejtat e përdorimit ose detyrimet specifike të përmendura në nenin 28 të këtij ligji, i cili duhet të jetë proporcional dhe objektivisht i justifikuar, në veçanti, për:
a) verifikimin sistematik ose rast pas rasti të respektimit të detyrimeve në lidhje me pagesat administrative, kushteve për përdorimin efektiv dhe eficient të spektrit të frekuencave dhe të burimeve të numeracionit, kryerjen e pagesave të përdorimit për frekuencat dhe numeracionin, si dhe kushtet specifike, sipas pikës 6 të nenit 28 të këtij ligji;
b) verifikimin rast pas rasti të respektimit të kushteve të përcaktuara në nenin 28 të këtij ligji, kur është marrë një ankesë ose kur AKEP-i ka arsye të tjera për të besuar se një kusht nuk është përmbushur ose në rastin e një hetimi të iniciuar nga vetë AKEP-i;
c) procedurat për vlerësimin e kërkesave për dhënien e të drejtave të përdorimit;
ç) publikimin e pasqyrave krahasuese të cilësisë dhe çmimit të shërbimeve për të mirën e përdoruesve fundorë;
d) qëllime statistikore, raporte ose studime të përcaktuara qartë;
dh) analiza tregu për qëllimet e këtij ligji, duke përfshirë të dhënat për tregjet e shitjes me pakicë, të njëjta ose të lidhura me tregjet që janë objekt i analizës së tregut;
e) ruajtjen e përdorimit efikas dhe sigurimin e menaxhimit efektiv të spektrit të radios dhe të burimeve të numeracionit;
ë) vlerësimin e zhvillimeve të ardhshme të rrjetit ose shërbimeve që mund të kenë ndikim në shërbimet me shumicë të vëna në dispozicion të konkurrentëve, në mbulimin territorial, në lidhjen e disponueshme për përdoruesit fundorë ose në përcaktimin e zonave, sipas nenit 43 të këtij ligji;
f) kryerjen e vrojtimeve gjeografike;
g) përgjigjen ndaj kërkesave të arsyetuara për informacion nga BEREC-u;
gj) verifikimin e përputhshmërisë rast pas rasti, siç përmendet në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni, dhe informacionit lidhur me publikimin e pasqyrave krahasuese, raporteve statistikore të përcaktuara qartë ose për qëllime studimi, analizave të tregut, përdorimin efikas dhe sigurimin efektiv të menaxhimit të spektrit të frekuencave dhe burimeve të numeracionit, vlerësimin e zhvillimeve të ardhshme të rrjetit ose shërbimeve, kryerjen e vrojtimeve të shtrirjes gjeografike, nëse u përgjigjet kërkesave për informacion nga BEREC-u, siç përcaktohet në shkronjat “ç” deri në “f” të pikës 1 të këtij neni, dhe nuk kërkohet si parakusht për hyrjen në treg;
h) qëllime statistikore, që rrjedhin nga marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe organizatave ndërkombëtare.
2. Për sa u përket të drejtave të përdorimit për spektrin radio, informacioni i përmendur në pikën 1 i referohet veçanërisht përdorimit efektiv dhe efikas të spektrit radio, si dhe respektimit të çdo detyrimi për mbulimin dhe cilësinë e shërbimit që i bashkëngjiten të drejtave të përdorimit për spektrin e frekuencave dhe verifikimit të tyre.
3. AKEP-i u kërkon sipërmarrësve të japin informacionin e përmendur në pikën 1 të këtij neni dhe i informon ata për qëllimin specifik për të cilin përdoret ky informacion.
4. AKEP-i dhe ministria bashkëpunojnë që të mos dublikojnë kërkesat e informacionit të vënë tashmë në dispozicion të tyre.
Neni 43
Vrojtimet për shtrirjen gjeografike të rrjetit
1. Brenda 3 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, AKEP-i kryen një vrojtim për shtrirjen gjeografike të rrjeteve të komunikimeve elektronike broadband, i cili në vijim përditësohet rregullisht, të paktën çdo 3 vjet. Për përmbushjen e këtij detyrimi, AKEP-i bashkëpunon me ministrinë dhe autoritetet e tjera kompetente.
2. Vrojtimi gjeografik për shtrirjen aktuale gjeografike të rrjeteve broadband në territorin e Republikës së Shqipërisë përfshin informacionin e nevojshëm për kryerjen e detyrave rregullatore të AKEP-it, sipas këtij ligji, si dhe informacionin që kërkohet për zbatimin e rregullave të ndihmës shtetërore. Informacioni i mbledhur për vrojtimin gjeografik është i detajuar në nivel lokal dhe përfshin informacion të mjaftueshëm për cilësinë e shërbimit. Ky informacion trajtohet sipas parashikimeve të pikës 9 të nenit 41 të këtij ligji.
3. Vrojtimi gjeografik, sipas pikës 1 të këtij neni, përmban edhe një vlerësim për shtrirjen në të ardhmen të rrjeteve broadband, përfshirë parashikimet për rrjetet me kapacitet shumë të lartë, për një periudhë kohore të përcaktuar nga AKEP-i, e cila nuk është më shumë se 3 vjet. Ky vlerësim përfshin gjithë informacionin e duhur për planifikimet e bëra nga çdo sipërmarrës ose nga një autoritet publik për shtrirjen e rrjeteve me kapacitet shumë të lartë, si dhe për përmirësimin ose zgjerime të rëndësishme të rrjetit, që siguron shpejtësinë “download”, të paktën me 100 Mbps.
4. Sipërmarrësit dhe autoritetet publike duhet t’i ofrojnë AKEP-it dhe ministrit, mbi bazën e kërkesës, informacionin për parashikimet e shtrirjes së rrjeteve, në masën që ai është i disponueshëm dhe që mund të sigurohet me përpjekje të arsyeshme.
5. Në bazë të vrojtimit gjeografik të kryer, përfshirë dhe informacionin e mbledhur për planifikimet e shtrirjes së rrjeteve, ministri, bazuar në propozimin e AKEP-it përcakton një zonë me kufij të qartë territorialë, ku përgjatë periudhës përkatëse nuk parashikohet të ketë sipërmarrës ose ndonjë autoritet publik, që kanë shtrirë ose planifikojnë shtrirjen e rrjetit me kapacitet shumë të lartë ose planifikojnë kryerjen e përmirësimeve apo zgjerimeve të konsiderueshme të rrjetit, që siguron një shpejtësi prej të paktën 100 Mbps. Informacioni për zonat e përcaktuara si më sipër publikohet në faqen zyrtare të AKEP-it dhe të ministrisë.
6. Brenda një zone të caktuar, AKEP-i fton sipërmarrësit dhe autoritetet publike të deklarojnë synimin e tyre për shtrirjen e rrjeteve me kapacitet shumë të lartë, gjatë kohëzgjatjes së periudhës përkatëse të parashikimit. Pas deklarimit nga një sipërmarrës ose autoritet publik për synimin e tyre, autoriteti përkatës, me qëllim koordinimin e punimeve civile, u kërkon sipërmarrësve të tjerë dhe autoriteteve publike të deklarojnë çdo synim për të vendosur rrjete me kapacitet shumë të lartë për të përmirësuar ose zgjeruar ndjeshëm rrjetin e tyre, në një performancë me shpejtësi të paktën 100 Mbps në këtë zonë.
7. AKEP-i, pas marrjes së mendimit të ministrit, specifikon informacionin që përfshihet në këto deklarata për të siguruar një nivel minimal detajesh, si ajo e marrë në konsideratë në çdo parashikim, sipas pikës 1 të këtij neni. AKEP-i, në bazë të informacionit të mbledhur në përputhje me pikat 1 e 3 të këtij neni, informon çdo sipërmarrës ose autoritet publik që shpreh interesin e tij nëse zona e caktuar mbulohet ose ka të ngjarë të mbulohet nga një rrjet që ofron shpejtësi nën 100 Mbps.
8. Në procedurat e kryera sipas këtij neni, AKEP-i siguron një procedurë efikase, objektive, transparente dhe jodiskriminuese, ku asnjë sipërmarrës nuk përjashtohet paraprakisht.
9. Ministri apo autoritetet e tjera kompetente të qeverisjes vendore apo qendrore, sipas fushës së tyre të kompetencës, kur kryejnë investime me fonde publike për shtrirjen e rrjeteve të komunikimeve elektronike, marrin parasysh rezultatet e vrojtimit gjeografik dhe të çdo zone të caktuar, në përputhje me pikat 1 deri në 7 të këtij neni. Rezultatet e vrojtimit gjeografik dhe të çdo zone të caktuar, sipas këtij neni, mbahen parasysh nga ministri dhe AKEP-i gjatë hartimit apo rishikimit të planit kombëtar të broadband-it, gjatë përcaktimit të detyrimeve të mbulimit që u bashkëlidhen të drejtave të përdorimit të spektrit të frekuencave, si dhe në verifikimin e disponueshmërisë së shërbimeve universale.
10. AKEP-i ose, sipas rastit, ministria ia japin këto rezultate autoritetit kërkues, duke siguruar të njëjtin nivel konfidencialiteti tregtar si autoriteti i origjinës dhe informojnë palët që kanë dhënë informacionin. Këto rezultate i vihen në dispozicion edhe Këshillit të Ministrave. Këto rezultate mund t’u vihen në dispozicion BEREC-ut dhe Komisionit, me kërkesën e tyre.
11. Nëse informacioni përkatës nuk është publik, AKEP-i, bazuar në ligjin në fuqi për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit publik, bën të aksesueshme të dhënat nga vrojtimet gjeografike që nuk i nënshtrohen konfidencialitetit tregtar, duke u mundësuar përdoruesve fundorë të përcaktojnë disponueshmërinë e lidhjes në zona të ndryshme me një nivel të detajuar, i cili është i dobishëm për të mbështetur zgjedhjen e tyre për operatorin ose ofruesin e shërbimit.
12. AKEP-i vë në dispozicion informacionin, sipas pikës 11 të këtij neni, edhe nëpërmjet Sistemit të Informacionit të Centralizuar për Rrjetet e Komunikimit Elektronik, siç përcaktohet në ligjin nr. 120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”.
13. Në zbatim të këtij neni, ministri, pas konsultimit me AKEP-in dhe grupet e interesit, nxjerr një udhëzim për zbatimin e detyrimeve të këtij neni, të harmonizuar me praktikat e BE-së, si dhe me udhëzimet përkatëse të BEREC-ut për vrojtimet gjeografike.
Neni 44
Mekanizmi i konsultimit dhe transparencës
1. Me përjashtim të rasteve që përfshihen në nenet 47 dhe 48 të këtij ligji, kur AKEP-i synon të marrë masa në përputhje me këtë ligj, ose kur synon të parashikojë kufizime në përputhje me nenin 62 të këtij ligji, të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në tregun përkatës, AKEP-i përgjatë procesit të përgatitjes së dokumenteve rregullatore për tregun e komunikimeve elektronike dhe përpara marrjes së vendimeve, merr dhe vlerëson mendimin e palëve të interesuara nëpërmjet procesit të këshillimit publik. Afati i zhvillimit të procesit të konsultimit publik nuk mund të jetë më pak se 30 ditë, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme.
2. AKEP-i është pika e vetme e informacionit gjatë gjithë procesit të konsultimit të dokumenteve rregullatore dhe publikon të gjitha procedurat kombëtare të konsultimit në faqen e tij të internetit. Konsultimet publike nga ministri kryhen sipas ligjit për konsultimet publike në Regjistrin e Konsultimeve Publike.
3. Rezultatet e procedurës së konsultimit duhet të vihen në dispozicion të publikut, me përjashtim të rastit të informacionit konfidencial, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sekretin tregtar.
4. Për të koordinuar dhe harmonizuar zbatimin e politikës së spektrit, AKEP-i informon RSPG-në në momentin e publikimit për çdo draftmasë që bie në fushën e procedurave të përzgjedhjes konkurruese, sipas këtij ligji, të lidhur me përdorimin e harmonizuar të spektrit radio, që mundëson përdorimin e tij për rrjetet e komunikimeve elektronike pa tel, të afta për të ofruar rrjetet broadband.
Neni 45
Konsultimi me palët e interesuara
1. AKEP-i, në bashkëpunim me autoritetet e tjera, merr në konsideratë mendimin e përdoruesve fundorë, në veçanti të konsumatorëve dhe të përdoruesve fundorë me aftësi të kufizuara, prodhuesve dhe sipërmarrësve që ofrojnë rrjete të komunikimeve elektronike ose shërbime për çështje që lidhen me të gjitha të drejtat e përdoruesve fundorë dhe të konsumatorëve, duke përfshirë garantimin e aksesit të njëjtë dhe të drejtën e zgjedhjes për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara, në lidhje me shërbimet e komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, veçanërisht kur ato kanë një ndikim të rëndësishëm në treg.
2. AKEP-i, në bashkëpunim me organin përgjegjës për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, krijon një mekanizëm konsultimi, të aksesueshëm për përdoruesit fundorë me aftësi ndryshe, duke siguruar që në vendimet e tyre për çështje që lidhen me të drejtat e përdoruesit fundor dhe të konsumatorit, në lidhje me shërbimet e komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, t’u kushtohet vëmendje e duhur interesave të konsumatorëve në komunikimet elektronike.
3. Palët e interesuara, duke përfshirë konsumatorët, grupet e përdoruesve dhe ofruesit e shërbimeve, nën drejtimin e AKEP-it zhvillojnë mekanizma për të përmirësuar cilësinë e përgjithshme të ofrimit të shërbimit, ndër të tjera, duke zhvilluar dhe duke monitoruar kodet e sjelljes dhe standardet e funksionimit.
4. AKEP-i dhe, sipas rastit, AKEP-i dhe AMA nxisin bashkëpunimin ndërmjet sipërmarrjeve që ofrojnë rrjete apo shërbime të komunikimeve elektronike dhe sektorëve të interesuar në promovimin e përmbajtjes, që promovojnë objektivat e politikave kulturore dhe medietike, të tilla si: diversiteti kulturor e gjuhësor dhe pluralizmi medietik. Ky bashkëpunim përfshin gjithashtu koordinimin e informacionit me interes publik, që duhet të sigurohet në përputhje me pikën 8 të nenit 142 të këtij ligji.
Neni 46
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve jashtë gjykatës
1. AKEP-i zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ofruesve dhe përdoruesve fundorë, përfshirë konsumatorët që lidhen me zbatimin e kontratave, bazuar në legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit.
2. Përdoruesi fundor ka të drejtë të ankohet ose të kërkojë shpjegime nga ofruesi në lidhje me kushtet e kontratës ose përmbushjen e këtyre kushteve nga ofruesi, përfshirë faturën dhe cilësinë e shërbimit të ofruar.
3. Pas marrjes së kërkesës, ofruesi i përgjigjet përdoruesit fundor me shkrim, jo më vonë se 30 ditë pas marrjes së kërkesës së përdoruesit fundor.
4. Nëse përdoruesi fundor nuk pajtohet me përgjigjen me shkrim të ofruesit ose nuk merr përgjigje nga ofruesi, ai ka të drejtë të kërkojë fillimin e procedurave të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve pranë AKEP-it ose të paraqesë kërkesë në gjykatën përkatëse sipas Kodit të Procedurës Civile.
5. Përdoruesi fundor paraqet në AKEP një kërkesë me shkrim brenda 30 ditëve nga përfundimi i afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni. AKEP-i e zgjidh mosmarrëveshjen në mënyrë transparente, të shpejtë, objektive dhe jodiskriminuese brenda 60 ditëve nga marrja e kërkesës. Ky afat mund të shtyhet nga AKEP-i për një periudhë kohore, e cila nuk mund të kalojë 30 ditë shtesë.
6. Sipërmarrësit që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike marrin pjesë në procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe bashkëpunojnë me AKEP-in për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe i japin këtij të fundit të gjithë informacionin e kërkuar.
7. AKEP-i, pasi ka shqyrtuar të gjitha provat e disponueshme i jep përdoruesit fundor dhe sipërmarrësit një rekomandim me shkrim për mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjes. Nëse të dyja palët, përdoruesi dhe sipërmarrësi, e pranojnë me shkrim rekomandimin brenda 15 ditëve, ai bëhet përfundimtar dhe i detyrueshëm. Në të kundërt, secila palë mund t’ia drejtojë mosmarrëveshjen gjykatës përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi.
8. AKEP-i përcakton procedurat dhe strukturën përkatëse për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me anë të një rregulloreje. Procedura e ndjekur nga AKEP-i për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është pa pagesë.
9. Kur AKEP-i konstaton se një çështje specifike është objekt i shumë kërkesave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me një sipërmarrës të caktuar, shqyrton nëse procedura e trajtimit të ankesave zbatohet siç duhet nga sipërmarrësi. Nëse është e nevojshme, AKEP-i i kërkon sipërmarrësit të përmirësojë procedurat e ankimimit.
10. Me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, AKEP-i bashkëpunon me autoritetet rregullatore të vendeve të BE-së në koordinim me BEREC-un.
Neni 47
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet sipërmarrësve
1. AKEP-i zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet sipërmarrësve të rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë në rastet kur ato lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe të rregullave të nxjerra në zbatim të tij.
2. AKEP-i fillon një procedurë për zgjidhje të mosmarrëveshjes me marrjen e kërkesës nga secila palë në mosmarrëveshje dhe nxjerr një vendim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në një afat të shkurtër kohor, mbi bazën e procedurave të qarta dhe efikase dhe në çdo rast brenda 4 muajve, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme.
3. AKEP-i ruan të drejtën për të refuzuar kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis sipërmarrësve kur verifikon se ekzistojnë mjete më efikase për ta zgjidhur mosmarrëveshjen. AKEP-i informon palët për këtë pa vonesë. Nëse pas 4 muajve mosmarrëveshja nuk është zgjidhur dhe nuk është objekt shqyrtimi gjyqësor, AKEP-i, me kërkesën e çdo njërës prej palëve, nxjerr një vendim detyrues për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në afatin sa më të shkurtër kohor të mundshëm dhe në çdo rast brenda katër muajve.
4. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve AKEP-i zbaton dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ky ligj. Të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë plotësisht me AKEP-in.
5. AKEP-i gjatë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve është i detyruar të marrë në konsideratë objektivat e përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji për garantimin e konkurrencës efektive dhe mbrojtjes së interesave të përdoruesve, të parashikuara në këtë ligj. Çdo detyrim i vendosur nga AKEP-i ndaj sipërmarrësve në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet të jetë objektiv, jodiskriminues dhe proporcional, sipas parashikimeve të këtij ligji.
6. AKEP-i u siguron palëve të interesuara një deklaratë të plotë të arsyeve për të cilat bazohet vendimi. AKEP-i publikon vendimet në lidhje me mosmarrëveshjet, duke mbajtur parasysh ruajtjen e sekretit tregtar të biznesit të palëve.
7. Procedura e parashikuar, sipas këtij neni, nuk pengon asnjërën nga palët t’i drejtohen gjykatës.
Neni 48
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërkufitare
1. Në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet një sipërmarrësi shqiptar, që vepron në bazë të këtij ligji, me sipërmarrës të një vendi tjetër të BE-së, zbatohen pikat 2, 3 dhe 4 të këtij neni. Këto dispozita nuk zbatohen për mosmarrëveshjet që lidhen me koordinimin e spektrit radio, që trajtohet sipas nenit 49 të këtij ligji.
2. Çdo palë mund ta paraqesë mosmarrëveshjen tek AKEP-i ose autoritetet përkatëse rregullatore. Kur mosmarrëveshja prek tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe shteteve anëtare të BE-së, AKEP-i ose autoritetet rregullatore kompetente njoftojnë BEREC-un për mosmarrëveshjen për të arritur në një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes, në përputhje me objektivat e përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji.
3. Kur është bërë një njoftim, sipas pikës 2 të këtij neni, BEREC-u në afatin sa më të shkurtër kohor të mundshëm dhe në çdo rast brenda 4 muajve, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme, jep një opinion duke ftuar AKEP-in ose autoritetet e interesuara të ndërmarrin veprime specifike për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ose të frenojnë veprimet.
4. AKEP-i ose autoritetet përkatëse presin opinionin e BEREC-ut përpara se të ndërmarrin çdo veprim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Në rrethana të jashtëzakonshme, kur ka nevojë urgjente për të vepruar, për të mbrojtur konkurrencën ose për të mbrojtur interesat e përdoruesve fundorë, AKEP-i merr masa të përkohshme me iniciativën e tij, ose me kërkesë të palëve.
5. Çdo detyrim që i vihet një sipërmarrësi nga AKEP-i, si pjesë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes ndërkufitare, duhet të jetë në përputhje me këtë ligj dhe merr parasysh maksimalisht opinionin e miratuar nga BEREC-u, si dhe miratohet brenda një muaji nga marrja e tij.
6. Procedura e përmendur në pikën 2 të këtij neni nuk e pengon asnjërën nga palët që të ngrejë padi pranë gjykatës.
Neni 49
Koordinimi i spektrit radio me vendet fqinje
1. AKEP-i dhe AMA, në bashkëpunim, sigurojnë që përdorimi i spektrit radio në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk shkakton ndërhyrje, në mënyrë që asnjë shtet fqinj të mos pengohet brenda territorit të tyre nga përdorimi i spektrit të harmonizuar të radio frekuencave, veçanërisht për shkak të interferencave të dëmshme ndërkufitare me vendet fqinje.
2. Ministria, në bashkëpunim me AKEP-n dhe AMA-n, merr të gjitha masat e nevojshme për të respektuar detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse, siç janë rregulloret radio të ITU-së dhe marrëveshjet rajonale radio të ITU-së.
3. AKEP-i dhe AMA bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe ministrinë dhe, sipas rastit, me autoritetet kompetente të vendeve të ITU-së, CEPT-it ose me RSPG-së për marrëdhëniet ndërkufitare me fqinjët dhe vendet e tjera në lidhje me spektrin radio:
a) për të siguruar përdorimin e spektrit në përputhje me pikën 1 të këtij neni;
b) për të zgjidhur çdo problem ose mosmarrëveshje në lidhje me koordinimin ndërkufitar ose ndërhyrjen e dëmshme ndërkufitare me vendet e treta, të cilat i pengojnë ato të përdorin spektrin e harmonizuar radio në territorin e tyre.
4. Për koordinimin ndërkufitar në lidhje me spektrin e harmonizuar radio me vendet e Bashkimit, AKEP-i koordinon me autoritetet kompetente të vendeve të Bashkimit dhe, sipas nevojës, me RSPG-në.
5. Për të garantuar pajtueshmërinë me pikën 1, në rast vështirësish për koordinimin ndërkufitar me vendet e Bashkimit, AKEP-i mund t’i kërkojë RSPG-së mbështetje për të trajtuar problemin apo mosmarrëveshjen në lidhje me koordinimin ndërkufitar ose ndërhyrjet e dëmshme ndërkufitare me vendet e Bashkimit. Kur është e përshtatshme, RSPG-ja mund të nxjerrë një opinion duke propozuar një zgjidhje të koordinuar në lidhje me një problem apo mosmarrëveshje të tillë.
6. Kur veprimet e përmendura në pikat 3 dhe 4 të këtij neni, si dhe kur bashkëpunimi me RSPG-në, sipas pikës 5 të këtij neni, nuk e kanë zgjidhur problemin ose mosmarrëveshjen e koordinimit ndërkufitar për spektrin radio me një ose disa shtete anëtare të BE-së, i kërkohet Komisionit të marrë një vendim për çështjen e pazgjidhur, që pengon përdorimin e spektrit të harmonizuar radio në territorin e Republikës së Shqipërisë.
7. Aktet zbatuese, sipas pikës 6 të këtij neni, miratohen në përputhje me procedurën e ekzaminimit, sipas pikës 4 të nenit 118, të Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike.
8. Ministria, me kërkesë të AKEP-it, në rastin e vështirësive ose mosmarrëveshjeve në lidhje me koordinimin ndërkufitar të frekuencave me një ose disa shtete fqinje anëtare të Bashkimit, i kërkon Komisionit mbështetje ligjore, politike dhe teknike për të zgjidhur çështjet e koordinimit të spektrit radio me vendet fqinje me të, duke përfshirë vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së të përfshira të respektojnë detyrimet e tyre, sipas legjislacionit të BE-së dhe që të nxitet zbatimi i politikave të BE-së.
KREU V
CAKTIMI I HARMONIZUAR I SPEKTRIT RADIO
Neni 50
Njoftimi në RSPG
1. Kur AKEP-i ndërmerr një procedurë përzgjedhjeje në përputhje me nenin 75 të këtij ligji në lidhje me spektrin e harmonizuar të radios për të mundësuar përdorimin e tij për rrjetet dhe shërbimet wireless broadband, në zbatim të nenit 44 të këtij ligji, informon RSPG-në për çdo draft masë që lidhet me procedurën e përzgjedhjes krahasuese ose konkurruese, sipas nenit 75 të këtij ligji.
2. AKEP-i respekton detyrimet për të koordinuar dhe bashkëpunuar me CEPT-in, RSPG-në dhe ITU-në, sipas parashikimeve të këtij ligji.
Neni 51
Caktimi i harmonizuar i spektrit të radios
1. AKEP-i jep të drejtën e përdorimit për spektrin e frekuencave nëse përdorimi i spektrit të frekuencave është harmonizuar dhe kur është dakordësuar për kushtet e aksesit dhe procedurat, si dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe rregullat e Bashkimit Evropian janë përzgjedhur operatorët, të cilëve do t’u caktohet spektri i frekuencave.
2. Në rastin e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, AKEP-i nuk vendos asnjë kusht, kriter apo procedurë shtesë të mëtejshme që kufizon, ndryshon ose vonon zbatimin e saktë të caktimit të përbashkët të këtij spektri të radiofrekuencave, nëse të gjitha kushtet kombëtare që i bashkëlidhen së drejtës së përdorimit të spektrit radio në fjalë janë plotësuar.
KREU VI
PROCEDURAT E HARMONIZIMIT
Neni 52
Rrjetet e komunikimeve elektronike publike
Rrjetet publike të komunikimeve elektronike ndërtohen për të mbështetur shërbimet publike të komunikimeve elektronike dhe funksionojnë si rrjet mbarëkombëtar në mënyrë të njëjtë për të gjithë përdoruesit, janë të hapura për të gjitha sipërmarrjet dhe të integruara në rrjetin ndërkombëtar, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Neni 53
Standardizimi
1. Në rrjetin e komunikimeve elektronike publike vendosen pajisje me karakteristika, specifikime teknike, në përputhje me standardet kombëtare në fuqi.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit, si organi kompetent kombëtar për standardizimin në Republikën e Shqipërisë, harton, adopton, miraton dhe publikon standardet shqiptare, të harmonizuara me standardet e organizatave evropiane dhe ndërkombëtare të standardizimit, në përputhje me ligjin për standardizimin.
3. AKEP-i inkurajon përdorimin e standardeve ose specifikimeve të përmendura në pikat 1 dhe 2 të këtij neni për ofrimin e shërbimeve, ndërfaqeve teknike ose funksioneve të rrjetit, si dhe merr masat rigoroze të nevojshme për të garantuar ndërveprimin e shërbimeve, lidhjen pikë fundore-pikë fundore, lehtësitë në ndërrimin e ofruesit të shërbimit dhe portabilitetin e numrave dhe identifikuesve dhe për të përmirësuar lirinë e zgjedhjes për përdoruesit.
4. Në mungesë të standardeve të publikuara sipas pikës 2 të këtij neni, rekomandohet zbatimi i standardeve ose rekomandimeve ndërkombëtare, të miratuara nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), Konferenca Evropiane e Administratave Postare dhe Telekomunikacionit (CEPT), Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO), Komisioni Ndërkombëtar i Standardeve të Elektronikës (IEC) dhe Instituti Evropian i Standardeve të Telekomunikacionit (ETSI). Çdo standard ose specifikim i përmendur në pikën 1 të këtij neni, ose sipas kësaj pike, nuk pengon sigurimin e aksesit, sipas kërkesave të këtij ligji, kur kjo është e mundur.
5. Nëse standardet ose specifikimet e përmendura në pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur dhe ndërveprueshmëria e shërbimeve nuk sigurohet, AKEP-i merr masat e nevojshme rigoroze duke i bërë ato detyruese për të siguruar ndërveprimin dhe përmirësuar lirinë e zgjedhjes për përdoruesit.
6. Përcaktimet e këtij neni nuk zbatohen në lidhje me kërkesat thelbësore dhe specifikimet e ndërfaqes ose standardet e harmonizuara, të përcaktuara nga rregulli teknik për pajisjet radio, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të ligjit për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore.
KREU VII
SIGURIA
Neni 54
Siguria e rrjeteve dhe shërbimeve
1. Ofruesit e rrjeteve publike të komunikimeve elektronike ose të shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun marrin masat e duhura teknike, organizative dhe proporcionale për të menaxhuar në mënyrë të përshtatshme rreziqet që vijnë për sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve. Duke pasur parasysh gjendjen e teknologjisë, këto masa duhet të sigurojnë një nivel të përshtatshëm sigurie për rrezikun e paraqitur. Në veçanti, masat, duke përfshirë aty ku është e përshtatshme enkriptimin, merren për të parandaluar dhe minimizuar ndikimin e incidenteve të sigurisë te përdoruesit, në rrjetet dhe shërbimet e tjera.
2. Ofruesit e shërbimit të aksesit në internet marrin masa për të siguruar mbrojtjen nga sulmet DDoS për të parandaluar dhe minimizuar ndikimin e incidenteve të sigurisë, që çojnë në mohimin e marrjes së shërbimit te përdoruesit.
3. Ofruesit e rrjeteve publike të komunikimeve elektronike ose të shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun njoftojnë pa vonesë AKEP-in dhe autoritetin përgjegjës për sigurinë kibernetike në Republikën e Shqipërisë për incidentin e sigurisë kibernetike, që ka ndikuar në funksionimin e rrjeteve, sistemeve ose shërbimeve.
4. Për të përcaktuar rëndësinë e ndikimit të një incidenti sigurie, kur është e mundur, duhet të merren parasysh në veçanti parametrat e mëposhtëm:
a) numri i përdoruesve të prekur nga incidenti i sigurisë;
b) kohëzgjatja e incidentit të sigurisë;
c) shtrirja gjeografike e zonës së prekur nga incidenti i sigurisë;
ç) shkalla në të cilën ndikohet funksionimi i rrjetit ose shërbimit;
d) shtrirja e ndikimit në aktivitetet ekonomike dhe shoqërore.
5. AKEP-i informon autoritetin përgjegjës për sigurinë kibernetike në Republikën e Shqipërisë për të gjitha incidentet e sigurisë kibernetike dhe, sipas rastit, informon Komisionin Evropian dhe ENISA-n në përputhje me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave. AKEP-i informon publikun ose u kërkon ofruesve ta bëjnë këtë kur konstaton se zbulimi i incidentit të sigurisë është në interes të publikut. AKEP-i shkëmben informacion në lidhje me shkeljen e sigurisë me Komisionin Evropian dhe Agjencinë Evropiane të Rrjeteve dhe Sigurisë së Informacionit, si dhe me autoritetet kompetente të vendeve të tjera, në përputhje me kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave për transferimin ndërkombëtar.
6. Dy herë në vit AKEP-i i paraqet Këshillit të Ministrave dhe ministrit përgjegjës dhe, për sa është e zbatueshme, paraqet tek ENISA një raport përmbledhës për njoftimet e marra për incidentet, si dhe veprimet e ndërmarra në përputhje me këtë pikë.
7. Ky nen zbatohet duke respektuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe dispozitat e kreut XIX të këtij ligji.
Neni 55
Garancitë dhe siguria e furnizuesve dhe ofruesve të rrjetit
1. AKEP-i, si dhe autoritetet e tjera kompetente për sigurinë, marrin masat e duhura për të zbutur rreziqet e sigurisë së rrjetit nga furnitorët dhe ofruesit e pajisjeve të rrjetit, të cilët konsiderohen si një rrezik i rëndësishëm, në përputhje me vlerësimin e detajuar të profilit të rrezikut në nivel kombëtar, për të gjithë furnizuesit përkatës dhe ofruesit e pajisjeve të rrjetit 5G ose të gjeneratës së re për operatorët.
2. Autoritetet e sipërpërmendura bëjnë periodikisht një vlerësim të detajuar të profilit të rrezikut për furnizuesit 5G dhe ofruesve të tjerë të pajisjeve të rrjetit të gjeneratës së re. Gjatë vlerësimit do të merren parasysh veçanërisht faktorët e mëposhtëm:
a) nëse furnizuesit dhe ofruesit janë nën mbikëqyrjen e një qeverie të huaj, pa një kontroll të pavarur gjyqësor;
b) nëse furnizuesit dhe ofruesit kanë informacion të aksesueshëm publikisht për themeluesit e tyre, partnerët e biznesit, si dhe organet qeverisëse dhe menaxhuese;
c) nëse furnizuesit dhe ofruesit mbështesin inovacionet dhe respektojnë të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, si dhe të drejtat e pronësisë intelektuale;
ç) nëse furnizuesit dhe ofruesit financohen në mënyrë transparente, në përputhje me praktikat më të mira për prokurimet, investimet dhe lidhjen e kontratave;
d) cilësia e produkteve të furnizuesit dhe praktikat e sigurisë kibernetike, duke përfshirë kontrollin mbi zinxhirin e furnizimit dhe nëse praktikave të sigurisë u jepet prioritet i mjaftueshëm;
dh) nëse furnizuesi ka marrë certifikimin e BE-së për sigurinë kibernetike, siç është skema e sigurimit të sigurisë së pajisjeve të rrjetit;
e) incidentet e sigurisë kibernetike të lidhura me furnizuesit;
ë) nëse furnizuesi përputhet me kërkesat ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Lista me përbërësit kritikë dhe pjesët e ndjeshme të rrjeteve 5G ose të gjeneratës së re të rrjeteve të tjera të komunikimit elektronik miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Me kërkesë të AKEP-it, operatorët e rrjetit janë të detyruar të dorëzojnë informacionin dhe të dhënat për përbërësit kritikë dhe pjesët e ndjeshme për rrjetin 5G ose rrjete të tjera të komunikimit elektronik të gjeneratës së re në përputhje me listën për përbërësit kritikë dhe pjesët e ndjeshme të rrjeteve 5G ose të gjeneratës së re të rrjeteve të tjera të komunikimit elektronik. Për ofruesit ose furnizuesit, për çdo komponent dhe pjesë të ndjeshme të 5G ose rrjeteve të tjera të komunikimit elektronik të gjeneratës së ardhshme, informacioni përmban të dhënat e mëposhtme:
a) vendin në të cilin furnizuesi ose ofruesi i rrjetit ka selinë e tij të regjistruar;
b) informacion për themeluesit e tyre, palët e treta, si dhe organet qeverisëse dhe drejtuese të jetë i aksesueshëm nga publiku;
c) informacion që mbështet risitë, respekton të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, si dhe të drejtat nga prona industriale;
ç) informacion që tregon se financimi është transparent, në përputhje me praktikat më të mira për prokurimet, investimet dhe lidhjen e kontratave;
d) cilësinë e produkteve të furnizuesit dhe praktikat e sigurisë kibernetike, duke përfshirë kontrollin për zinxhirin e furnizimit dhe nëse praktikave të sigurisë u jepet prioritet i mjaftueshëm;
dh) furnizuesi të jetë pajisur me certifikatën e BE-së për sigurinë kibernetike;
e) të gjitha incidentet e sigurisë kibernetike të lidhura me furnizuesit;
ë) furnizuesi është në përputhje me kërkesat ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Në bazë të të dhënave të paraqitura sipas pikës 3 të këtij neni, AKEP-i kërkon një mendim nga autoriteti kompetent për mbrojtjen e sigurisë kibernetike nëse furnizuesit dhe ofruesit përfaqësojnë një rrezik për sigurinë kombëtare.
5. Furnizuesit dhe ofruesit, që janë nën mbikëqyrjen e një qeverie të huaj, pa kontroll të pavarur gjyqësor, do të vlerësohen si rrezik i rëndësishëm ose që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, në përputhje me pikën 4 të këtij neni, nëse plotësohen disa ose të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) furnizuesit dhe ofruesit nuk kanë informacion të aksesueshëm publikisht për themeluesit e tyre, partnerët e biznesit, si dhe organet qeverisëse dhe menaxhuese;
b) furnizuesit dhe ofruesit nuk mbështesin risitë dhe nuk respektojnë të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, si dhe të drejtat nga prona intelektuale;
c) furnizuesit dhe ofruesit nuk financohen në mënyrë transparente, në përputhje me praktikat më të mira për prokurimet, investimet dhe lidhjen e kontratave;
ç) cilësia e produkteve të furnizuesit dhe praktikat e sigurisë kibernetike, duke përfshirë kontrollin për zinxhirin e furnizimit dhe praktikat e sigurisë, nuk është prioritet i mjaftueshëm;
d) furnizuesi nuk ka marrë certifikatën e sigurisë kibernetike të BE-së;
dh) incidente të mëparshme të sigurisë kibernetike të lidhura me furnizuesit;
e) furnizuesi nuk përputhet me kërkesat ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.
6. Në bazë të informacionit të paraqitur nga pikat e mësipërme të këtij neni, nën koordinimin e ministrisë përgjegjëse, AKEP-i si dhe organizatat e tjera shtetërore, që kanë autoritetin dhe fuqinë për të garantuar një rrjet dhe ndërveprim të sigurt dhe të besueshëm, kryejnë periodikisht një vlerësim të detajuar të profilit të rrezikut në nivel kombëtar për të gjithë furnizuesit dhe ofruesit përkatës të komponentëve kritikë dhe pjesëve të ndjeshme, për një rrjet të komunikimit elektronik 5G ose të gjeneratës së re, i cili do t’u njoftohet palëve përkatëse të interesit, si furnitorët që vlerësohen dhe operatorët në Shqipëri.
7. Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, AKEP-i, në koordinim me ministrinë përgjegjëse dhe AKCESK-un, propozon metodologjinë për vlerësimin e profilit të rrezikut të furnitorëve dhe ofruesve të pajisjeve të rrjetit, komponentëve kritikë dhe pjesëve të ndjeshme të 5G ose të tjera në vijim, gjenerimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të identifikuara në listën e komponentëve kritikë dhe pjesëve të ndjeshme të 5G, ose rrjeteve të tjera të komunikimit elektronik të gjeneratës së re që do të miratohen. Metodologjia për vlerësimin e profilit të rrezikut të furnitorëve dhe ofruesve të pajisjeve të rrjetit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, pas kryerjes së procesit të konsultimit publik.
8. Në rastet kur, sipas këtij neni, komponentët kritikë dhe pjesët e ndjeshme të rrjeteve 5G ose të rrjeteve të komunikimeve elektronike të gjeneratës së ardhme identifikohen në listën e komponentëve kritikë dhe pjesëve të ndjeshme të 5G apo rrjeteve të komunikimeve elektronike të gjeneratës së ardhme, konsiderohen se paraqesin rrezik sigurie të papranueshme, AKEP-i pas marrjes së mendimit të ministrisë përgjegjëse dhe të AKCESK-ut përcakton me vendim të Këshillit Drejtues një afat kohor të arsyeshëm, si dhe një proces për menaxhimin e heqjes së këtyre pajisjeve, duke përfshirë, sipas rastit, një mekanizëm të përshtatshëm kompensimi.
9. Kriteret për përcaktimin e një qeverie të huaj pa kontroll të pavarur gjyqësor, për efekt të pikave 2 dhe 5 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 56
Implementimi dhe detyrimi
1. AKEP-i mbikëqyr zbatimin e nenit 54 të këtij ligji dhe me rregullore detajon masat teknike dhe organizative të sigurisë, sipas pikës 1 të nenit 54, për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun. AKEP-i bashkëpunon me autoritetin përgjegjës për sigurinë kibernetike në Republikën e Shqipërisë për miratimin e udhëzimeve detyruese, përfshirë masat e nevojshme për korrigjimin e një incidenti sigurie ose parandalimin e tij nga ndonjë rrezik edhe nëse implementimi është në limitet e kohës tek ofruesit e rrjeteve publike të komunikimeve elektronike ose të komunikimit elektronik, të disponueshme publikisht.
2. AKEP-i është i autorizuar të hetojë rastet e mospërputhjes dhe efekteve të saj në sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve.
3. Sipërmarrësit e komunikimeve elektronike janë të detyruar të paraqesin tek AKEP-i:
a) informacionin e nevojshëm për vlerësimin e sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve të tyre, përfshirë politikat e sigurisë të dokumentuara;
b) auditimin e sigurisë të kryer nga një organ i kualifikuar, i pavarur ose nga një autoritet kompetent dhe të bëjë të disponueshëm rezultatet e auditimit tek AKEP-i. Kostot e auditimit mbulohen nga sipërmarrësi.
4. AKEP-i ka kompetencën për të marrë asistencë nga një ekip për të reaguar ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike (CSIRT) bazuar në legjislacionin për sigurinë kibernetike.
5. AKEP-i bashkëpunon me autoritetin përgjegjës për sigurinë kibernetike në Republikën e Shqipërisë bazuar në legjislacionin në fuqi për sigurinë kibernetike dhe, sipas rastit, me autoritetet e zbatimit të ligjit dhe autoritetet e tjera kompetente për përmbushjen e detyrimeve, të përcaktuara sipas këtij kreu.
KREU VIII
RREGULLIMI I SË DREJTËS SË KALIMIT
Neni 57
E drejta e kalimit
1. E drejta e kalimit për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike për pronën e të tretëve u jepet sipërmarrësve të komunikimeve elektronike bazuar në dispozitat e Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi për sigurimin e së drejtës së kalimit.
2. Autoritetet kompetente kur shqyrtojnë një kërkesë për dhënien e të drejtave të kalimit:
a) për të instaluar pajisje në, mbi ose nën pronën publike për një sipërmarrje të autorizuar për të ofruar rrjete publike të komunikimeve elektronike, ose,
b) për të instaluar pajisje në, mbi, nën pronën publike për një sipërmarrje të autorizuar për të ofruar rrjete të komunikimeve elektronike të ndryshme nga publiku,
veprojnë në bazë të procedurave të thjeshta, efikase, transparente, jodiskriminuese dhe të disponueshme për publikun, të zbatuara pa diskriminim dhe pa vonesë, sipas afateve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit.
3. Autoritetet kompetente për dhënien e të drejtave të kalimit, në rastin kur mbajnë pronësinë ose kontrollin e sipërmarrjeve që ofrojnë rrjete publike të komunikimeve elektronike ose shërbimeve të komunikimit elektronik në dispozicion të publikut, sigurojnë ndarjen efektive strukturore të funksionit përgjegjës për dhënien e të drejtave të përmendura në pikën 1 të këtij neni nga aktivitetet e lidhura me pronësinë ose kontrollin.
Neni 58
Bashkëvendosja dhe përdorimi i përbashkët i elementeve të rrjetit dhe faciliteteve shoqëruese për ofruesit e rrjeteve të komunikimeve elektronike
1. Kur një sipërmarrës i komunikimeve elektronike ushtron të drejtën në bazë të këtij ligji ose të ligjit nr. 120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”, për të instaluar facilitete në, mbi ose nën pronën publike ose private ose ka përfituar nga një procedurë për shpronësimin ose shfrytëzimin e pronës, AKEP-i vetë ose, sipas rastit, në bashkëpunim me autoritetet e tjera kompetente, siç specifikohen në nenin 3 të ligjit nr. 120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”, imponojnë bashkëvendosjen dhe bashkëpërdorimin e elementeve të rrjetit dhe faciliteteve shoqëruese të instaluara mbi këtë bazë për të mbrojtur mjedisin, shëndetin publik, sigurinë publike ose për të përmbushur objektivat e planifikimit urban.
2. Bashkëvendosja ose bashkëpërdorimi i elementeve dhe pajisjeve të rrjetit të instaluara ose bashkëpërdorimi i pronës vendoset vetëm pas një procesi konsultimi publik gjatë të cilit të gjitha palëve të interesuara u jepet koha e përshtatshme dhe mundësia të shprehin pikëpamjet e tyre dhe vetëm për zonat specifike, ku një kërkesë për bashkëpërdorim konsiderohet e nevojshme, në funksion të përmbushjes së objektivave, të parashikuar në nënpikën e parë. AKEP-i ose një autoritet tjetër kompetent vendos bashkëpërdorimin e faciliteteve të rrjetit ose pronave, duke përfshirë tokën, ndërtesat, hyrjet në ndërtesa, instalimet elektrike të ndërtesave, shtyllat, antenat, kullat dhe ndërtimet e tjera mbështetëse, kanalet, pusetat, kabinetet ose masat që lehtësojnë koordinimin e punëve publike.
3. Në zbatim të parashikimeve të këtij neni dhe, bazuar në objektivat e përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji, AKEP-i ka për detyrë:
a) koordinimin e procesit të parashikuar në këtë nen;
b) të veprojë si një pikë e vetme informacioni;
c) përcaktimin e rregullave për ndarjen e kostove të bashkëpërdorimit të faciliteteve të rrjetit ose pronës dhe të koordinimit të punëve civile.
4. Masat e marra nga AKEP-i, në përputhje me këtë nen, duhet të jenë objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale.
KREU IX
QASJA NË SPEKTRIN E RADIOFREKUENCAVE
Seksioni 1
Autorizimet
Neni 59
Alokimi i spektrit të frekuencave
1. Spektri i radiofrekuencave është një burim natyror i kufizuar dhe një e mirë publike që ka një vlerë të rëndësishme sociale, kulturore dhe ekonomike. Menaxhimi i spektrit duhet të sigurojë përdorimin e tij të frytshëm dhe efektiv për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike, në përputhje me nenet 5 dhe 7 të këtij ligji, si dhe me vendimet përkatëse të organizatave ndërkombëtare dhe detyrimet që rrjedhin nga konventat ose marrëveshjet në të cilat Republika e Shqipërisë aderon.
2. Alokimi i radiofrekuencave bazohet në Planin Kombëtar të Frekuencave dhe çdo ndryshim të tij, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, mbi bazën e kritereve objektive, transparente, pro konkurrencës, jodiskriminuese dhe proporcionale.
3. Plani Kombëtar i Frekuencave hartohet në përputhje me rregulloret e radios të ITU-së dhe me Tabelën e Përbashkët Evropiane të Alokimit, të miratuar nga CEPT-i. Plani Kombëtar i Frekuencave përfshin shërbimet e radiokomunikimit për brezat përkatës. Për të siguruar përdorim të frytshëm dhe pa interferenca të radiofrekuencave, Plani Kombëtar i Frekuencave përfshin udhëzime për përdorimin e frekuencave, si dhe përkufizime të detajuara.
4. Hartimi i Planit Kombëtar të Frekuencave bëhet nga ministria në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente, të përcaktuara në nenin 60 të këtij ligji.
Neni 60
Administrimi i spektrit radio
1. Spektri i radiofrekuencave administrohet nga:
a) Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për brezat e frekuencave të caktuara për qëllime civile, me përjashtim të brezave të frekuencave të caktuara për transmetimet radiotelevizive;
b) Autoriteti i Medias Audiovizive për brezat e frekuencave të caktuara për transmetimet e radiotelevizionit sipas Planit Kombëtar të Frekuencave;
c) Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për brezat e frekuencave të përcaktuara për qëllime qeveritare, mbrojtjen kombëtare dhe rendin civil.
2. Në zbatimin e këtij neni, AKEP-i, AMA dhe organet e tjera kompetente respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse, rregulloret e radios të ITU-së dhe marrëveshjet e tjera, të miratuara të zbatueshme për spektrin e frekuencave dhe marrin parasysh konsideratat e politikave publike.
3. AKEP-i promovon përdorimin e harmonizuar të spektrit të frekuencave nga rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë për të garantuar përdorimin efektiv dhe efikas të tij, rritjen e përfitimeve për përdoruesit nëpërmjet konkurrencës, ekonominë e shkallës dhe ndërveprueshmërinë e rrjeteve dhe shërbimeve. AKEP-i, në përputhje me nenet 5 dhe 7 të këtij ligji, ndër të tjera:
a) nxit mbulimin e rrjeteve pa tel, me kapacitet shumë të lartë në të gjithë territorin dhe popullsinë e Republikës së Shqipërisë, përfshirë rrugët kryesore të transportit kombëtar dhe evropian dhe për sa është e zbatueshme rrjetet e transportit transevropian;
b) lehtëson zhvillimin e shpejtë në Republikën e Shqipërisë të teknologjive dhe aplikacioneve të reja të komunikimit pa tel, duke përfshirë, sipas rastit, një qasje ndërsektoriale. AKEP-i siguron që të gjitha llojet e teknologjisë së përdorur për ofrimin e rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike të përdoren në spektrin e frekuencave të disponueshme për shërbimet e komunikimeve elektronike, sipas Planit Kombëtar të Frekuencave;
c) siguron parashikueshmërinë dhe qëndrueshmërinë në dhënien, rinovimin, ndryshimin, kufizimin dhe heqjen e të drejtave të përdorimit të spektrit të frekuencave, me qëllim nxitjen e investimeve afatgjata;
ç) siguron parandalimin e interferencave të dëmshme ndërkufitare ose kombëtare në përputhje me nenet 49 dhe 66 të këtij ligji, duke marrë masat e duhura parandaluese dhe korrigjuese për këtë qëllim;
d) promovon përdorimin e përbashkët të spektrit të frekuencave ndërmjet përdorimeve të ngjashme ose të ndryshme të spektrit të frekuencave në përputhje me parimet e konkurrencës;
dh) ndjek mbulimin me broadband pa tel në të gjithë territorin dhe popullsinë e Republikës së Shqipërisë, me cilësi dhe shpejtësi të lartë, duke përfshirë mbulimin e rrugëve kryesore të transportit kombëtar dhe rrjetet e transportit transevropian;
e) aplikon sistemin më të përshtatshëm dhe më pak të vështirë të autorizimit të mundshëm, në përputhje me nenin 66 të këtij ligji, në mënyrë të tillë që të maksimizojë fleksibilitetin, ndarjen dhe efikasitetin në përdorimin e spektrit të radios;
ë) zbaton rregullat për dhënien, transferimin, rinovimin, modifikimin dhe heqjen e të drejtave të përdorimit për spektrin e frekuencave, të cilat janë përcaktuar qartë dhe në mënyrë transparente për të garantuar sigurinë rregullatore, qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë;
f) ndjek parashikueshmërinë dhe qëndrueshmërinë në të gjithë Republikën e Shqipërisë në lidhje me mënyrën e autorizimit të përdorimit të spektrit të radios në mbrojtjen e shëndetit publik, duke marrë parasysh ligjin shqiptar për rrezatimet elektromagnetike.
Neni 61
Kërkesa e tregut
1. Në rastin e mungesës së kërkesës në tregun kombëtar ose rajonal për përdorimin e një brezi të frekuencave për të cilin janë miratuar masa teknike zbatuese, në përputhje me politikat spektrale dhe praktikën e BE-së për përdorimin e harmonizuar të frekuencave, AKEP-i mund të lejojë një përdorim alternativ të të gjithë ose një pjese të atij brezi frekuencash, duke përfshirë përdorimin ekzistues, në përputhje me parashikimet në nenin 62 të këtij ligji, me kusht që:
a) konstatimi i mungesës së kërkesës së tregut për përdorimin e këtij brezi bazohet në rezultatet e një konsultimi publik, në përputhje me nenin 44 të këtij ligji, duke përfshirë një vlerësim afatgjatë të kërkesës së tregut;
b) një përdorim i tillë alternativ nuk parandalon ose pengon disponueshmërinë ose përdorimin e një brezi të tillë në vendet fqinje; dhe
c) merret parasysh disponueshmëria afatgjatë ose përdorimi i një brezi të tillë dhe përfitimi nga ekonomia e shkallës për pajisjet që rezultojnë nga përdorimi i harmonizuar i spektrit të frekuencave në Republikën e Shqipërisë ose nëse zbatohet në Bashkimin Evropian.
2. Çdo vendim për lejimin e përdorimit alternativ në baza të jashtëzakonshme i nënshtrohet rishikimit të rregullt periodik. Në çdo rast, me marrjen e një kërkese të mirëjustifikuar, drejtuar autoritetit kompetent, nga një përdorues i mundshëm për përdorimin e atij brezi në përputhje me masat teknike të zbatueshme, rishikimi do të kryhet menjëherë.
Neni 62
Kufizimet
1. Pavarësisht nga parashikimet e pikës 3 të nenit 60 të këtij ligji, AKEP-i parashikon kufizime proporcionale dhe jodiskriminuese për llojet e rrjetit radio ose të teknologjisë së aksesit pa tel, që përdoret për shërbimet e komunikimeve elektronike, kur kjo është e nevojshme, për:
a) shmangien e interferencave të dëmshme;
b) mbrojtjen e shëndetit publik kundër fushave elektromagnetike, duke marrë parasysh vlerësimin maksimal, si përcaktohet në legjislacionin kombëtar;
c) sigurimin e cilësisë teknike të shërbimit;
ç) të siguruar maksimizimin e përdorimit të spektrit të radios;
d) mbrojtjen e përdorimit efikas të spektrit të radios; ose
dh) sigurimin e përmbushjes së objektivit të interesit të përgjithshëm, në përputhje me pikën 3 të nenit 66 të këtij ligji.
2. Plani Kombëtar i Frekuencave dhe plani i përdorimit të frekuencave parashikon kufizime proporcionale dhe jodiskriminuese për llojet e shërbimeve të komunikimit elektronik, që ofrohen kur nevojitet për të siguruar arritjen e qëllimeve të përgjithshme, të tilla si:
a) përmbushja e kërkesave të rregulloreve të radios të ITU-së;
b) siguria e jetës;
c) promovimi i ndërveprimit social, rajonal ose territorial;
ç) parandalimi i përdorimit joefikas të radiofrekuencave; ose
d) promovimi i diversitetit kulturor, gjuhësor dhe medietik, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të transmetimit radioteleviz.
3. AKEP-i shqyrton rregullisht domosdoshmërinë e kufizimeve të përmendura në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, dhe bën publike rezultatet e këtyre rishikimeve. Një masë kufizuese për ofrimin e një shërbimi të komunikimit elektronik në një brez specifik frekuencash mund të vendoset vetëm në rastet e justifikuara për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës dhe shërbimeve. AKEP-i mund të propozojë rishikimin e kufizimeve, me qëllim përmbushjen e objektivave të interesit të përgjithshëm, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 63
Plani për përdorimin e radiofrekuencave
1. AKEP-i harton planin për përdorimin e radiofrekuencave të disponueshme për përdorim.
2. Plani për përdorimin e radiofrekuencave përgatitet në përputhje me përcaktimet dhe udhëzimet e Planit Kombëtar të Frekuencave dhe përcakton nënbandat për shërbime të ndryshme të radiokomunikimeve, duke marrë parasysh parametrat dhe kushtet teknike për përdorimin e frekuencave.
3. AKEP-i, për interes publik, vlerëson si prioritet përdorimin e spektrit të radiofrekuencave për ofrimin e shërbimit universal dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike.
4. AKEP-i publikon planin e përdorimit të radiofrekuencave, kushtet, procedurat dhe pagesat e zbatueshme në lidhje me përdorimin e spektrit të radiofrekuencave dhe e përditëson këtë informacion rregullisht.
5. Informacioni për brezat e rezervuar të frekuencave, që përdorin spektrin e radiofrekuencave për qëllime sigurie të vendit të Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Brendshme dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror, nuk bëhet publik.
6. AKEP-i nxjerr një rregullore për të përcaktuar mënyrat e krijimit të shenjave të thirrjes, kodeve dhe numrave të identifikimit, përdorimin e tyre dhe llojet e shërbimeve të radiokomunikimeve për të cilat ato përdoren.
7. AKEP-i përcakton kushtet teknike dhe funksionimin e shërbimeve të radiokomunikimeve amatore në përputhje me radiorregulloret e ITU-së.
Neni 64
Monitorimi i spektrit të frekuencave
1. AKEP-i monitoron përdorimin e spektrit të frekuencave, të caktuara në Planin Kombëtar të Frekuencave, me qëllim që:
a) përdorimi i frekuencave të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, në zbatim të kushteve të autorizimit;
b) spektri i frekuencave të përdoret vetëm nga përdoruesit e lejuar sipas dispozitave të këtij ligji;
c) të krijojë një mjedis të përshtatshëm dhe pa interferenca të dëmshme për operimin e sistemeve dhe të stacioneve të transmetimit radio, që do të përdoren për qëllime private ose publike.
2. AKEP-i bashkëpunon për monitorimin e frekuencave, nëse një kërkesë e tillë vjen nga institucionet e tjera, të ngarkuara nga ky ligj për administrimin e spektrit të frekuencave.
3. Monitorimi i frekuencave bëhet në përputhje me rregulloren përkatëse, të hartuar nga AKEP-i.
4. Monitorimi i frekuencave mund të bëhet edhe me kërkesë të subjekteve, të cilat zotërojnë një autorizim të lëshuar nga AKEP-i.
Neni 65
Menaxhimi i orbitave satelitore dhe frekuencave shoqëruese
1. Pozicionet gjeostatike ose joorbitale të satelitëve dhe frekuencat shoqëruese që i janë dhënë ose i janë caktuar vendit janë pasuri kombëtare me vlerë kombëtare dhe rëndësi sociale e kulturore, menaxhimi i të cilave kryhet nga shteti.
2. Caktimi i të drejtave të shtetit për orbitat satelitore dhe radiofrekuencat shoqëruese të stacioneve hapësinore, që i janë caktuar vendit sipas një plani të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, bëhet nëpërmjet një procesi konkurrues.
3. Rregullat për procesin konkurrues, sipas këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, bazuar në sugjerimet e AKEP-it.
Neni 66
Autorizimi i përdorimit të spektrit radio
1. AKEP-i nxit përdorimin e spektrit të radios, duke përfshirë dhe bashkëpërdorimin, sipas autorizimit të përgjithshëm, siç përcaktohet në nenin 26 të këtij ligji, dhe kufizon dhënien e të drejtave individuale të përdorimit për spektrin e frekuencave në situatat kur kufizimi i këtyre të drejtave është i nevojshëm për të maksimizuar përdorimin efikas të spektrit dhe sipas kërkesës. Në të gjitha rastet e tjera, AKEP-i përcakton kushtet për përdorimin e spektrit të radios në një autorizim të përgjithshëm.
2. Kur përdorimi i radiofrekuencave nuk është subjekt vetëm i autorizimit të përgjithshëm, sipas pikës 8 të nenit 68 të këtij ligji, apo i nënshtrohet një konkurrimi publik, sipas këtij ligji, AKEP-i lëshon një autorizim individual sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj, duke përcaktuar kushtet për shfrytëzimin e radiofrekuencave. Nëse AKEP-i merr aplikime të ndryshme për autorizime individuale në të njëjtin brez frekuencash, ai i shqyrton ato sipas radhës së paraqitjes.
3. Përcaktimi i regjimit më të përshtatshëm të autorizimit për përdorimin e spektrit të frekuencave bazohet në:
a) karakteristikat specifike të spektrit radio të përfshirë;
b) nevojën për shmangien e interferencave të dëmshme;
c) zhvillimin e kushteve të besueshme për përdorimin e përbashkët të spektrit radio, kur është e përshtatshme;
ç) nevojën për sigurimin e cilësisë teknike të komunikimeve ose shërbimeve;
d) objektivat e interesit të përgjithshëm sipas legjislacionit në fuqi;
dh) sigurimin e përdorimit eficient të spektrit radio.
4. Lëshimi i autorizimeve të radiofrekuencave bëhet në përputhje me përcaktimet në Planin Kombëtar të Frekuencave dhe në planin për përdorimin e frekuencave, mbi baza jodiskriminuese, transparente dhe objektive.
5. Autorizimet për përdorimin e radiofrekuencave lëshohen nga AKEP-i vetëm nëse:
a) qëllimi i një përdorimi të tillë është parashikuar në Planin Kombëtar të Radiofrekuencave dhe planin për përdorimin e radiofrekuencave;
b) radiofrekuencat janë të disponueshme për përdorim;
c) ato garantojnë pajtueshmërinë me përdorimin e frekuencave të tjera;
ç) sigurohet përdorimi i frytshëm dhe pa interferenca nga aplikanti.
6. Autorizimi individual për radiofrekuencën lëshohet në bazë të një aplikimi të paraqitur në AKEP, i cili duhet të përfshijë si më poshtë:
a) emrin dhe adresën e sipërmarrjes;
b) të dhënat e regjistrimit;
c) personin ose pikën e kontaktit të sipërmarrësit;
ç) shpjegimet për nevojën e përdorimit të radiofrekuencave;
d) zgjidhjet teknike, veçanërisht të dhënat për zonën gjeografike të përdorimit, metodën e përhapjes së radios, llogaritjen dhe përcaktimin e zonës së shërbimit, të dhënat gjeodezike për vendndodhjen e transmetuesit, fuqinë, modulimin dhe llojin e transmetimit, sistemin e antenës dhe pajisjet e radios.
7. AKEP-i lëshon një autorizim individual brenda 30 ditëve nga data e marrjes së një kërkese të plotësuar sipas pikave 4 dhe 5 të këtij neni.
8. AKEP-i refuzon lëshimin e një autorizimi individual, kur:
a) aplikanti ka pasur një vendim për caktimin e radiofrekuencave, i cili është revokuar në 5 vjetët e fundit për shkak të shkeljes së ligjit;
b) caktimi i radiofrekuencave nuk garanton një përdorim efikas të spektrit të radiofrekuencave;
c) sinjali i pajisjes radio do të shkaktonte ndërhyrje të dëmshme, të pashmangshme në pajisje të tjera radio ose sisteme elektrike ose elektronike;
ç) dhënia e autorizimit rrezikon rendin publik ose sigurinë kombëtare.
9. Kur është e përshtatshme, AKEP-i shqyrton mundësinë e dhënies së autorizimit të përdorimit të spektrit të radios bazuar në një kombinim të autorizimit të përgjithshëm dhe të drejtave individuale të përdorimit, duke marrë parasysh efektet e mundshme të kombinimeve të ndryshme të të drejtave individuale të përdorimit dhe autorizimeve të përgjithshme dhe transferimeve graduale, nga një kategori në tjetrën, për konkurrencën, inovacionin dhe hyrjen në treg.
10. AKEP-i dhe autoritetet e tjera kompetente, kur marrin një vendim, sipas këtij neni, me qëllim lehtësimin e përdorimit të përbashkët të spektrit të radios, sigurojnë që kushtet për përdorimin e përbashkët të spektrit të radios të përcaktohen qartë. Kushte të tilla lehtësojnë përdorimin efikas të spektrit të radios, konkurrencën dhe inovacionin.
11. AKEP-i lëshon autorizime për përdorimin e radiofrekuencave, të destinuara për qëllime kërkimi, matjeje dhe vërtetimi të pajisjeve radiokomunikuese për një zonë të kufizuar mbulimi, por jo më shumë se 120 ditë.
Neni 67
Kushtet që u bashkëngjiten të drejtave individuale të përdorimit për spektrin e frekuencave
1. AKEP-i vendos kushte të të drejtave individuale të përdorimit të spektrit të radios në përputhje me nenet 28 dhe 31 të këtij ligji, në mënyrë që të sigurojë përdorimin optimal, efektiv dhe efikas të spektrit të radios. Kushtet që i bashkëngjiten rinovimit të së drejtës së përdorimit për spektrin e frekuencave, nuk ofrojnë avantazhe të panevojshme për mbajtësit ekzistues të këtyre të drejtave.
2. AKEP-i përpara dhënies ose rinovimit të këtyre të drejtave përcakton qartë kushtet e detajuara në këtë pikë, duke përfshirë, kur është e nevojshme:
a) kërkesat në lidhje me mbulimin dhe intensitetin e sinjalit, fuqinë e transmetimit;
b) nivelin e përdorimit të kërkuar dhe mundësinë për të përmbushur këtë kërkesë nëpërmjet transferimit ose qiradhënies, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i kushteve të vendosura sipas nenit 28 e vijues të këtij ligji;
c) kushtet teknike dhe operacionale të nevojshme për shmangien e ndërhyrjeve të dëmshme dhe kufizimin e ekspozimit të publikut ndaj fushave elektromagnetike;
ç) kohëzgjatjen e së drejtës për të përdorur radiofrekuencat;
d) nëse lejohet transferimi i të drejtave të përdorimit të frekuencave për atë frekuencë, si dhe kushtet për një transferim të tillë;
dh) pagesat përkatëse për caktimin dhe përdorimin e frekuencave;
e) detyrimet shtesë të ndërmarra nga një ofertues i përzgjedhur nëpërmjet një procesi konkurrimi, tenderimi publik për ndërtimin e një rrjeti komunikimi elektronik;
ë) detyrimet që lidhen me aktet dhe marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë aderon.
3. Kushtet e përmendura në pikën 2 të këtij neni specifikojnë të gjithë parametrat e zbatueshëm, duke përfshirë edhe kohëzgjatjen e të drejtave të përdorimit, mospërmbushja e të cilave i jep të drejtë AKEP-it të revokojë të drejtën e përdorimit ose të vendosë masa të tjera sipas këtij ligji.
4. AKEP-i konsultohet dhe informon në kohën e duhur palët e interesuara në lidhje me kushtet që u bashkëlidhen të drejtave individuale të përdorimit përpara vendosjes së tyre. AKEP-i informon palët e interesuara, në mënyrë transparente, për kriteret e vlerësimit për përmbushjen e këtyre kushteve.
5. AKEP-i, kur vendos kushtet e të drejtave individuale të përdorimit të spektrit të radios, veçanërisht në funksion të garantimit të përdorimit efektiv dhe efikas të spektrit të radios ose për të nxitur mbulimin, parashikon mundësitë e mëposhtme:
a) bashkëpërdorimin e infrastrukturës pasive ose aktive që lidhet me spektrin e frekuencave;
b) marrëveshjet tregtare të aksesit në roaming;
c) vendosjen e përbashkët të infrastrukturës për ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve që mbështeten në përdorimin e spektrit të radios.
6. AKEP-i nuk pengon bashkëpërdorimin e spektrit të radios në kushtet që u bashkëlidhen të drejtave të përdorimit për spektrin e frekuencave. Zbatimi nga sipërmarrësit i kushteve të bashkëngjitura, në bazë të kësaj pike, është subjekt i ligjit të konkurrencës.
Seksioni 2
E drejta e përdorimit
Neni 68
Dhënia e të drejtave individuale të përdorimit të spektrit të radios
1. Personat fizikë ose juridikë përdorin radiofrekuencat vetëm me autorizimin e AKEP-it, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Kur është e nevojshme, jepen të drejta individuale të përdorimit të spektrit të radios. AKEP-i i jep këto të drejta, me marrjen e kërkesës, për çdo sipërmarrje për ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, sipas autorizimit të përgjithshëm apo me autorizim individual, duke siguruar në çdo rast shfrytëzimin efikas të këtyre burimeve, në përputhje me këtë ligj.
2. Të drejtat individuale të përdorimit të spektrit të radios jepen nëpërmjet procedurave të hapura, objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale dhe në përputhje me nenin 59 e në vijim të këtij ligji.
3. Përjashtim nga procedurat e hapura sipas parashikimeve të pikës 2 të këtij neni bëhet vetëm kur kjo është e nevojshme për arritjen e një objektivi të interesit të përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve të transmetimit radio ose televiziv, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4. AKEP-i shqyrton aplikimet për të drejtat individuale të përdorimit të spektrit të radios në kuadër të procedurave të përzgjedhjes, në zbatim të kritereve objektive, transparente, proporcionale dhe jodiskriminuese të pranueshmërisë, të përcaktuara paraprakisht dhe që pasqyrojnë kushtet që u duhen bashkëngjitur të drejtave të tilla. AKEP-i kërkon nga aplikuesit të gjithë informacionin e nevojshëm për të vlerësuar mbi bazën e këtyre kritereve aftësinë e tyre për të përmbushur këto kritere. Në rastet kur AKEP-i konkludon se një aplikant nuk përmbush kriteret e vendosura, aplikimi refuzohet me vendim të arsyetuar.
5. Gjatë procesit të dhënies së të drejtave të përdorimit, AKEP-i dhe organet e tjera kompetente përcaktojnë nëse këto të drejta mund të transferohen ose të jepen me qira nga mbajtësi i të drejtave dhe në cilat kushte.
6. AKEP-i merr të gjitha masat e nevojshme kur frekuencat përdoren në kundërshtim me këtë ligj dhe rregulloret përkatëse dhe pa autorizimin e dhënë, sipas këtij ligji.
7. Nuk kërkohet autorizim nga AKEP-i për radiofrekuencat e përdorura sipas Planit Kombëtar të Radiofrekuencave për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
8. Disa frekuenca mund të përdoren pa autorizim, sipas kushteve të autorizimit të përgjithshëm, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe në përputhje me rregullat dhe detyrimet ndërkombëtare të pranuara nga Republika e Shqipërisë.
9. Me marrjen e një aplikimi të plotësuar për dhënie në përdorim të frekuencave, AKEP-i merr vendim sa më shpejt pas marrjes së aplikimit të plotësuar dhe brenda gjashtë javëve nëse sipas Planit Kombëtar të Radiofrekuencave spektri i frekuencave është i disponueshëm për shërbimet e komunikimeve elektronike. Vendimi i AKEP-it komunikohet dhe bëhet publik në faqen e institucionit.
10. Afati kohor sipas pikës 9 të këtij neni nuk paragjykon zbatimin e procedurave të parashikuara në nenet 75 dhe 76 të këtij ligji, si dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e spektrit radio apo për pozicionet orbitale.
Neni 69
Kohëzgjatja e të drejtave
1. AKEP-i përcakton kohëzgjatjen e autorizimit individual për përdorimin e frekuencave të dhëna në përputhje me këtë ligj, për një periudhë të kufizuar kohore, duke marrë parasysh sigurimin e konkurrencës në treg, përdorimin efektiv dhe eficient të spektrit të frekuencave, promovimin e inovacionit dhe investimeve efikase dhe një periudhë të përshtatshme për kthimin e investimeve në dritën e objektivave, në përputhje me nenin 75 të këtij ligji.
2. Në dhënien e autorizimeve individuale për përdorimin e spektrit të frekuencave për të cilin janë vendosur kushtet e harmonizimit me masa teknike zbatimi, sipas këtij ligji, me qëllim mundësimin e përdorimit të tij për shërbimet e komunikimeve elektronike broadband të lëvizshëm, pa tel, për një periudhë të kufizuar, AKEP-i siguron parashikueshmëri rregullatore për mbajtësit e të drejtave, për një periudhë të paktën 20 vjet, në lidhje me kushtet për investime në infrastrukturë, që mbështeten në përdorimin e këtyre frekuencave dhe duke marrë në konsideratë kërkesat sipas pikës 1 të këtij neni. Parashikimet e këtij neni i nënshtrohen, kur është e nevojshme, çdo modifikimi të kushteve, që u bashkëlidhen këtyre të drejtave të përdorimit, në përputhje me nenin 37 të këtij ligji.
3. Kohëzgjatja e autorizimeve inviduale për të drejtat e përdorimit, të përmendura në pikën 2 të këtij neni, është të paktën 15 vjet dhe përfshin, kur është e nevojshme, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, një zgjatje të afatit të të drejtave të përdorimit për 5 vjet, sipas përcaktimeve në këtë nen.
4. AKEP-i vë në dispozicion në mënyrë transparente për të gjitha palët e interesuara kriteret e përgjithshme për zgjatjen e afatit të të drejtave të përdorimit, sipas kësaj pike, përpara se të jepen të drejtat e përdorimit, si pjesë e kushteve të përcaktuara në nenin 75 të këtij ligji.
5. Kriteret e përgjithshme sipas pikës 4 të këtij neni kanë të bëjnë me:
a) nevojën për të siguruar përdorimin efektiv dhe efikas të spektrit radio në fjalë, objektivat e përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji, ose nevojën për të përmbushur objektivat e interesit të përgjithshëm, që lidhen me mbrojtjen e jetës njerëzore, me rendin publik, sigurinë publike ose mbrojtjen; dhe
b) nevojën për të siguruar konkurrencë të drejtë.
6. Dy vjet para përfundimit të kohëzgjatjes fillestare të një të drejte individuale të përdorimit, AKEP-i kryen një vlerësim objektiv, transparent dhe largpamës të kritereve të përgjithshme të përcaktuara për zgjatjen e kohëzgjatjes të së drejtës së përdorimit dhe parashikimet sipas shkronjës “c”, të pikës 3 të nenit 60 të këtij ligji.
7. Me kushtin që AKEP-i nuk ka filluar ndonjë procedim administrativ për mospërmbushje të kushteve të drejtave të përdorimit, sipas këtij ligji, AKEP-i zgjat vlefshmërinë e kohëzgjatjes së të drejtës së përdorimit nëse nuk arrin në përfundimin se zgjatja e afatit nuk përputhet me kriteret e përgjithshme të përcaktuara sipas pikës 5 të këtij neni. Në përfundim të vlerësimit AKEP-i njofton mbajtësin e së drejtës nëse kohëzgjatja e së drejtës do të jepet ose jo të paktën një vit para datës së përfundimit të autorizimit.
8. Kur zgjatja e afatit të së drejtës nuk miratohet dhe mbajtësi i së drejtës së përdorimit nuk është shprehur për zgjatjen e vlefshmërisë, pas kalimit të një periudhe prej të paktën 3 muajsh nga njoftimi sipas pikës 7 të këtij neni, AKEP-i ricakton brezin e spektrit sipas parashikimeve të këtij ligji. Dispozita e mësipërme nuk paragjykon parashikimet e neneve 37 dhe 181 e në vijim të këtij ligji.
9. AKEP-i mund të shmangë pikat 2 deri në 8 të këtij neni në rastet e justifikuara si më poshtë:
a) në zona të kufizuara gjeografike, ku aksesi në rrjetet me shpejtësi të lartë është shumë i mangët ose mungon dhe kjo është e nevojshme për të siguruar arritjen e objektivave sipas pikës 3 të nenit 60 të këtij ligji;
b) me kërkesë të mbajtësit të të drejtave për projekte afatshkurtra;
c) për përdorim eksperimental;
ç) për përdorime të spektrit të radios, që në përputhje me nenin 62 të këtij ligji, mund të bashkëjetojnë me shërbimet broadband pa tel; ose
d) për përdorim alternativ të spektrit të radios në përputhje me nenin 61 të këtij ligji.
10. AKEP-i mund të rregullojë afatin e përdorimit të të drejtave, sipas këtij neni, për të siguruar përfundimin e njëkohshëm të tyre në një ose disa breza frekuencash vetëm në rastet kur ricaktimi, rialokimi i të drejtave njëkohësisht rrit efikasitetin e përdorimit të spektrit.
Neni 70
Rinovimi i autorizimeve të radiofrekuencave
1. Me kërkesë të mbajtësit të autorizimit, vlefshmëria e autorizimit mund të zgjatet vetëm nëse në fund të afatit të tij plotësohen të gjitha kushtet e parashikuara për përdorimin e radiofrekuencave.
2. Kërkesat për rinovimin e vlefshmërisë së autorizimit të radiofrekuencave dorëzohen jo më pak se 30 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë para skadimit të tij. Në rastet e spektrit të dhënë në përdorim me konkurrim publik, aplikimi për rinovim bëhet jo më herët se 5 vjet, por jo më vonë se 1 vit para skadimit të tij.
3. Në rast rinovimi, AKEP-i lëshon një autorizim të ri për radiofrekuencat, me një kohëzgjatje në përputhje me parashikimet në nenin 69 të këtij ligji.
4. Rregullat dhe procedurat e rinovimit për autorizimet individuale, të dhëna me konkurrim publik dhe për të cilat numri i të drejtave është i kufizuar, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, bazuar në sugjerimet e AKEP-it. Këto rregulla garantojnë një procedurë të hapur, transparente dhe jodiskriminuese dhe sigurojnë midis të tjerash:
a) dhënien e mundësisë për të gjitha palët e interesuara të shprehin mendimet e tyre përmes një procesi konsultimi publik, sipas nenit 44 të këtij ligji;
b) një shprehje të qartë të arsyeve për këtë rinovim të mundshëm.
5. Vlefshmëria e autorizimeve të radiofrekuencave, të destinuara për qëllime të kërkimit, matjeve dhe vërtetimit të pajisjeve radiokomunikuese dhe atyre të destinuara për ngjarje të veçanta nuk mund të zgjatet.
6. AKEP-i dhe organet e tjera kompetente, të cilat administrojnë spektrin e frekuencave, vendosin në dispozicion të të gjitha palëve të interesuara, në mënyrë transparente, kriteret e përgjithshme për rinovimin e të drejtave të përdorimit, përpara dhënies së të drejtave të përdorimit, si pjesë e kushteve të parashikuara në nenin 75 të këtij ligji. Këto kritere të përgjithshme kanë të bëjnë me:
a) nevojën për të siguruar përdorim efektiv dhe efikas të spektrit radio në fjalë, sipas objektivave të përcaktuar në nenin 5 dhe në pikën 3 të nenit 60 të këtij ligji, ose nevojën për të përmbushur objektivat e interesit të përgjithshëm që lidhen me sigurimin e jetës, rendit publik, sigurisë publike ose të mbrojtjes;
b) zbatimin e masave teknike për qëllime të harmonizimit ndërkufitar të spektrit të frekuencave;
c) rishikimin e zbatimit të duhur të kushteve, që u janë bashkëlidhur të drejtave të përdorimit;
ç) nevojën për të siguruar konkurrencë të drejtë;
d) nevojën për një përdorim më efikas të spektrit të frekuencave në dritën e zhvillimit teknologjik ose të tregut;
dh) nevojën për shmangien e ndërprerjeve të rënda të shërbimit.
7. Para vendimit për rinovimin e një autorizimi të të drejtave të përdorimit apo për kryerjen e një procesi të ri përzgjedhjeje për dhënien e të drejtave të përdorimit, sipas nenit 75 të këtij ligji, AKEP-i merr në konsideratë çdo mendim të paraqitur gjatë procesit të konsultimit të kryer sipas parashikimeve në pikën 4 të këtij neni, në lidhje me kërkesën e tregut nga sipërmarrës të ndryshëm nga mbajtësi i së drejtës së përdorimit të frekuencave në brezin në fjalë.
8. Vendimi për rinovimin e të drejtave të përdorimit të spektrit të harmonizuar të frekuencave mund të shoqërohet me rishikimin e pagesave, si dhe termave e kushteve bashkëlidhur së drejtës së përdorimit. Kur është rasti, AKEP-i bën rregullimin e pagesave për të drejtat e përdorimit në përputhje me parashikimet e nenit 21 të këtij ligji.
Neni 71
Transferimi ose dhënia me qira e të drejtave individuale të përdorimit për spektrin e frekuencave
1. Një sipërmarrës, mbajtës i autorizimit individual për përdorimin e spektrit të frekuencave, mund të transferojë ose t’i japë me qira një sipërmarrësi tjetër të drejtat e përdorimit të frekuencave, pas miratimit nga AKEP-i, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
2. Nuk lejohet transferimi i të drejtave për përdorimin e spektrit të frekuencave kur kjo e drejtë është dhënë fillimisht pa pagesë ose për transmetime televizive.
3. Qëllimi i një sipërmarrësi për transferimin ose dhënien me qira të të drejtave të përdorimit të frekuencave, si dhe transferimi efektiv i tij i njoftohet AKEP-it dhe bëhet publik. Në rastin e spektrit të harmonizuar të frekuencave, çdo transferim i të drejtave të përdorimit bëhet në përputhje me kërkesat për përdorimin e harmonizuar të spektrit.
4. Rregullat specifike për transferimin apo dhënien me qira të të drejtave të përdorimit të frekuencave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, bazuar në sugjerimet e AKEP-it.
5. Transferimi ose dhënia me qira e të drejtave të përdorimit për spektrin e frekuencave lejohet nga AKEP-i kur respektohen kushtet fillestare, që u bashkëlidhen të drejtave të përdorimit.
6. Sipërmarrësi, mbajtës i së drejtës, dhe subjekti që kërkon transferimin apo marrjen me qira të së drejtës, bashkërisht paraqesin një kërkesë tek AKEP-i. AKEP-i në shqyrtimin e kërkesës mban parasysh që transferimi të mos shtrembërojë konkurrencën, si dhe verifikon nëse subjekti tek i cili transferohen të drejtat plotëson kushtet për përdorimin e spektrit të frekuencave.
7. AKEP-i mund të refuzojë miratimin e transferimit me vendim nëse ka dyshime të arsyeshme se subjekti që kërkon transferimin apo marrjen me qira të të drejtave të përdorimit nuk i përmbush kërkesat për përdorimin e tyre sipas këtij ligji.
8. Pa cenuar sigurimin e konkurrencës së drejtë e efektive, sipas nenit 72 të këtij ligji, transferimi ose dhënia me qira e të drejtave të përdorimit bazohet në:
a) procedura të thjeshta;
b) mosrefuzim të dhënies me qira të të drejtave të përdorimit të frekuencave, nëse subjekti mbajtës i së drejtës merr përsipër të mbetet përgjegjës për plotësimin e kushteve fillestare, që u bashkëngjiten të drejtave të përdorimit;
c) mosrefuzim të transferimit të të drejtave të përdorimit të frekuencave, përveçse kur ekziston një rrezik i qartë që mbajtësi i ri nuk është në gjendje të përmbushë kushtet fillestare për të drejtën e përdorimit.
9. Çdo tarifë administrative e vendosur ndaj sipërmarrjeve në lidhje me shqyrtimin e një kërkese për transferimin ose dhënien me qira të të drejtave të përdorimit të frekuencave duhet të jetë në përputhje me parimet e nenit 18 të këtij ligji.
10. Parashikimet sipas pikës 8 të këtij neni nuk e cenojnë kompetencën e AKEP-it për të kërkuar respektimin e kushteve që u bashkëngjiten të drejtave të përdorimit në çdo kohë, si për dhënësin, ashtu edhe për marrësin e këtyre të drejtave, në përputhje me këtë ligj.
11. AKEP-i vlerëson në kohën e duhur çdo kërkesë për të përshtatur kushtet e bashkëngjitura me të drejtat e përdorimit dhe duke siguruar që ato të drejta ose spektri përkatës i radios mund të ndahet ose të zbërthehet në mënyrën më të mirë.
12. AKEP-i publikon detajet përkatëse në lidhje me të drejtat individuale që mund të transferohen ose të jepen me qira në një format elektronik të standardizuar.
Neni 72
Konkurrenca
1. AKEP-i në dhënien, ndryshimin ose rinovimin e të drejtave të përdorimit të frekuencave, të spektrit të frekuencave për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike mban parasysh promovimin e konkurrencës efektive dhe shmangien e shtrembërimeve të konkurrencës në treg, në përputhje me këtë ligj.
2. Kur AKEP-i jep, ndryshon ose rinovon të drejtat e përdorimit për spektrin e frekuencave, merr masat e duhura në lidhje me:
a) kufizimin e sasisë së spektrit të frekuencave për të cilin e drejta e përdorimit i jepet një sipërmarrjeje ose, në rrethana të justifikuara, vendosjen e kushteve për të drejtat e përdorimit në breza të caktuar ose në blloqe të caktuara brezash frekuence, me karakteristika të ngjashme, si ofrimi i aksesit në tregun e shumicës, roaming-un kombëtar ose rajonal;
b) rezervimin, nëse është e përshtatshme dhe e justifikuar në lidhje me një situatë specifike të tregut, të një pjese të caktuar të brezit të spektrit të radios ose grupi të brezave të frekuencave për hyrës të rinj në treg;
c) refuzimin e dhënies së të drejtave të reja të përdorimit për spektrin e frekuencave, ose lejimin e përdorimeve të reja të spektrit në breza të caktuar, ose shoqërimin e të drejtave të reja të përdorimit ose autorizimin e përdorimeve të reja të spektrit të frekuencave për të shmangur shtrembërimin e konkurrencës nga çdo caktim, transferim ose akumulim i të drejtave të përdorimit;
ç) përfshirjen e kushteve që ndalojnë ose imponimin e kushteve për transferimet e të drejtave të përdorimit për spektrin e frekuencave, që nuk i nënshtrohen kontrollit të bashkimit, kur transferime të tilla çojnë në dëm të konsiderueshëm për konkurrencën;
d) ndryshimin e të drejtave ekzistuese në përputhje me këtë ligj, kur kjo është e nevojshme, për të korrigjuar një deformim të konkurrencës nga çdo transferim ose akumulim i të drejtave të përdorimit të spektrit radio.
3. AKEP-i merr parasysh kushtet e tregut dhe standardet e disponueshme, si dhe e bazon vendimin e tij në një vlerësim objektiv dhe largpamës të kushteve konkurruese të tregut, nëse këto masa janë të nevojshme për ruajtjen ose arritjen e konkurrencës efektive, si dhe për efektet e mundshme të këtyre masave në investimet ekzistuese apo të ardhshme nga operatorët e tregut, veçanërisht për shtrirjen e rrjetit, në përputhje me parashikimet e pikës 2 të nenit 90 të këtij ligji. Gjatë zbatimit të pikës 2 të këtij neni, AKEP-i vepron në përputhje me parashikimet në nenet 37, 40, 44 dhe 50 të këtij ligji.
4. Në lidhje me vendimet, sipas këtij neni, kur ato kanë impakt në konkurrencën e tregut të komunikimeve elektronike, AKEP-i merr një mendim paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës.
Seksioni 3
Procedurat
Neni 73
Koordinimi në kohë i caktimeve
1. AKEP-i bashkëpunon me autoritetet kompetente të vendeve të Bashkimit, për të koordinuar përdorimin e harmonizuar të spektrit të frekuencave, për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike, duke marrë parasysh situatën e tregjeve përkatëse për identifikimin e një ose, sipas rastit, afateve të njëjta, për dhënien e autorizimeve për përdorimin e spektrit specifik të harmonizuar të frekuencave.
2. Kur kushtet për harmonizimin e spektrit të radios janë arritur sipas masave teknike dhe praktikës së BE-së, me qëllim mundësimi të përdorimit të spektrit të frekuencave për rrjetet dhe shërbimet broadband pa tel, AKEP-i autorizon përdorimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Afati maksimal është 30 muaj pas miratimit të kësaj mase ose sa më shpejt të jetë e mundur pas heqjes së çdo vendimi për lejimin e përdorimit alternativ në baza të jashtëzakonshme, sipas nenit 61 të këtij ligji.
3. Afati i parashikuar në pikën 2 të këtij neni për një brez të caktuar mund të zgjatet në rrethanat e mëposhtme:
a) në masën që justifikohet nga një kufizim në përdorimin e atij brezi, bazuar në objektivin e interesit të përgjithshëm, të parashikuar në nenin 62 të këtij ligji;
b) në rastin e çështjeve të pazgjidhura të koordinimit ndërkufitar, që rezultojnë në ndërhyrje të dëmshme me vendet e treta;
c) për ruajtjen e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare; ose
ç) në rastin e forcave madhore.
AKEP-i e shqyrton këtë vonesë të paktën çdo dy vjet.
4. AKEP-i zgjat afatin e parashikuar në pikën 2 për një brez të caktuar në masën e nevojshme dhe deri në 30 muaj në rastet e:
a) çështjeve të pazgjidhura të koordinimit ndërkufitar, që rezultojnë në ndërhyrje të dëmshme, me kusht që AKEP-i të marrë të gjitha masat e nevojshme në kohën e duhur, sipas nenit 49 të këtij ligji;
b) nevojës për të siguruar dhe kompleksitetin e sigurimit, të migrimit teknik të përdoruesve ekzistues të atij brezi.
5. Në rastin e vonesave në procesin e parashikuar në pikat 3 dhe 4 të këtij neni, AKEP-i informon organet rregullatore të vendeve të tjera ndërkufitare, si dhe Komisionin Evropian, duke dhënë arsyet për vonesat.
Neni 74
Koordinimi kohor për brezat specifikë 5G
1. Për sistemet tokësore të afta për të ofruar shërbime broadband të lëvizshme, pa tel, AKEP-i brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe, kur është e nevojshme për të lehtësuar përhapjen e 5G, merr të gjitha masat e duhura, për:
a) riorganizimin dhe lejimin e përdorimit të blloqeve të mjaftueshme të brezit 3,4-3,8 GHz;
b) lejimin e përdorimit e të paktën 1 GHz të brezit 24,25-27,5 GHz, me kusht që të ketë një evidencë të qartë të kërkesave të tregut dhe në mungesë të kufizimeve të rëndësishme për migrimin e përdoruesve ekzistues ose lirimin e brezit.
2. AKEP-i zgjat afatin e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, kur kjo justifikohet, në përputhje me nenin 61 ose nenin 73 të këtij ligji, nëse është subjekt i harmonizimit me shtetet e tjera.
Neni 75
Procedura për kufizimin e numrit të të drejtave të përdorimit për spektrin e frekuencave
1. Bazuar në vlerësimin e tregut, kur AKEP-i vlerëson se interesi për një brez të caktuar frekuencash mund të tejkalojë disponueshmërinë e frekuencave në këtë brez dhe për të siguruar përdorimin efikas të tyre, kryen një proces konsultimi publik me palët e interesuara për kushtet e përdorimit të këtij brezi frekuencash dhe procedurën që do të zbatohet për alokimin e tyre.
2. AKEP-i është i detyruar të zhvillojë procesin e konsultimit publik dhe me paraqitjen e një kërkese nga çdo palë e interesuar për frekuenca specifike jo më vonë se 30 ditë nga paraqitja e kërkesës. AKEP-i fillon procesin e konsultimit publik për frekuencat specifike që mund t’u nënshtrohen të drejtave të kufizuara edhe me kërkesë të ministrit.
3. Njoftimi publik për konsultim përfshin informacionin për frekuencat që do të ndahen, numrin e pritshëm të të drejtave për përdorimin e frekuencave, kushtet që mendohet se zbatohen për dhënien e së drejtës të përdorimit të frekuencave. Gjithashtu, do të kërkojë që palët e interesuara të shprehin mendimin e tyre për vlerën e tregut të frekuencave dhe për të gjitha çështjet për të cilat AKEP-i është i interesuar të marrë mendimin e palëve të interesuara. Afati për paraqitjen e mendimeve në asnjë rast nuk duhet të jetë më i shkurtër se 30 ditë.
4. AKEP-i ruan konfidencialitetin e propozimeve të mundshme të bëra nga palët e interesuara në lidhje me vlerën e tregut të këtyre frekuencave.
5. AKEP-i publikon opinionet dhe qëndrimin e tij lidhur me çështjet e ngritura brenda 30 ditëve pas përfundimit të afatit për paraqitjen e opinionit të palëve të interesuara në procesin e konsultimit publik.
6. AKEP-i, bazuar në konkluzionet sipas pikës 5 të këtij neni, si dhe duke mbajtur parasysh objektivat për promovimin e konkurrencës, të mbulimit, sigurimin e cilësisë së shërbimit, përdorimin eficient të spektrit të frekuencave, përfshirë kushtet e autorizimit dhe nivelin e pagesave, si dhe promovimin e inovacionit dhe zhvillimin e biznesit, i propozon ministrit:
a) kufizimin ose moskufizimin e të drejtave për përdorimin e frekuencave;
b) datën e fillimit të procedurës së tenderit publik, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i konsultimit publik, në përputhje me dispozitat ligjore për këtë qëllim;
c) numrin e autorizimeve individuale;
ç) kriteret e vlerësimit; dhe
d) çmimin minimal për shpërndarjen e tyre, duke marrë parasysh zhvillimin e konkurrencës, interesin publik, mbrojtjen e konsumatorit, rrethanat e tregut dhe përdorimin efektiv të frekuencave.
7. Ministri, jo më vonë se 30 ditë nga marrja e propozimit të AKEP-it, sipas pikës 6 të këtij neni, miraton numrin e autorizimeve individuale, vlerën minimale për ndarjen e tyre dhe nxjerr urdhrin për fillimin e procedurës së konkurrimit publik sipas nenit 76 të këtij ligji. Në çdo rast, vendimi për kufizimin e të drejtave të përdorimit duhet të jetë i motivuar.
8. Kur në përfundim të procesit të konsultimit nuk është i nevojshëm kufizimi i numrit të autorizimit individual, sipas këtij neni, dhe nëse nuk është në kundërshtim me interesin e përdoruesve ose me interesin e zhvillimit të konkurrencës ekonomike, AKEP-i, pasi të ketë marrë miratimin e ministrit për vazhdimin e procedurës dhe për vlerën minimale për ndarjen e frekuencave, vazhdon procedurën për dhënien e autorizimeve individuale sipas nenit 68 të këtij ligji.
9. Sipërmarrësi i përzgjedhur nga procesi i konkurrimit publik, sipas nenit 76 të këtij ligji, kryen pagesën për frekuencat e alokuara, sipas vlerës së përcaktuar në procedurën e konkurrimit publik, e cila derdhet në buxhetin e shtetit.
Neni 76
Procedura e konkurrimit publik
1. Bazuar në rregullat e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, AKEP-i zhvillon procedurën e konkurrimit publik për dhënien e autorizimeve individuale për një numër të kufizuar të drejtash të përdorimit të frekuencave, jo më vonë se 15 ditë pasi miratohet nga ministri, sipas pikës 7 të nenit 75 të këtij ligji.
2. Koha e fillimit të shërbimit, afati i vlefshmërisë së autorizimit dhe numri i sipërmarrësve përcaktohen nga ministri, ndërsa kushtet e tjera përcaktohen nga AKEP-i.
3. Me vendim të Këshillit të Ministrave miratohen rregullat për procedurën e konkurrimit publik për dhënien e autorizimeve individuale, të cilat garantojnë një procedurë përzgjedhëse të hapur, objektive, jodiskriminuese dhe proporcionale dhe përfshijnë të paktën kërkesat si më poshtë:
a) dhënien e arsyeve të qarta për kufizimin e numrit të të drejtave të përdorimit;
b) fazën paraprake të pjesëmarrjes në një procedurë përzgjedhëse;
c) një vlerësim të qartë për situatën ekonomike, teknike në një proces konkurrues dhe të arsyeve për përdorimin e mundshëm të frekuencave, si dhe të masave të zgjedhura;
ç) publikimin e vendimit për përzgjedhjen e bërë dhe argumentet përkatëse, si dhe kushtet bashkëlidhur të drejtave të përdorimit;
d) përcaktimin e procedurës për aplikimet, përfshirë afatet, si dhe nëse e drejta e përdorimit do të jepet e kombinuar me autorizimin e përgjithshëm;
dh) vendosjen e kritereve, duke mbajtur parasysh shkallën e përmbushjes së kërkesave, të përcaktuara në nenet 5, 7, 49, 60, 61 dhe 62 të këtij ligji;
e) parashikimin e afateve kohore të përshtatshme për të siguruar një procedurë të ndershme, të hapur dhe transparente për të gjitha palët e interesuara. Afati maksimal nuk duhet të jetë më shumë se tetë muaj, përjashtimisht afateve të aplikueshme, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e spektrit të frekuencave dhe koordinimin satelitor.
KREU X
VENDOSJA DHE PËRDORIMI I PAJISJEVE TË RRJETEVE PA TEL
Neni 77
Aksesi në rrjetet lokale të radios
1. Ofrimi i aksesit në një rrjet publik të komunikimeve elektronike nëpërmjet rrjeteve lokale të radios (RLAN), si dhe përdorimi i spektrit të harmonizuar të frekuencave për ofrimin e këtij aksesi u nënshtrohet vetëm kushteve të autorizimit të përgjithshëm të zbatueshme në lidhje me përdorimin e spektrit të frekuencave, sipas nenit 66 të këtij ligji.
2. Kur ofrimi i aksesit nëpërmjet RLAN nuk është pjesë e një aktiviteti ekonomik ose nuk është ndihmës i një aktiviteti ekonomik apo një shërbimi publik, që nuk varet nga përcjellja e sinjaleve në këto rrjete, çdo sipërmarrje, autoritet publik ose përdorues fundor që ofron këtë akses nuk është subjekt i autorizimit të përgjithshëm për ofrimin e rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike, në bazë të nenit 26 të këtij ligji, si dhe i detyrimeve në lidhje me të drejtat e përdoruesve fundorë, të përcaktuara në nenin 151 të këtij ligji, ose ndaj detyrimeve për interkoneksion të rrjetit, në bazë të kreut XIII të këtij ligji.
3. Parashikimet e legjislacionit në fuqi për tregtinë elektronike janë të zbatueshme në ofrimin e aksesit në rrjet për transmetimin e thjeshtë “mere conduit’’ sipas këtij neni.
4. Ofruesit e rrjeteve ose shërbimeve publike të komunikimeve elektronike lejojnë aksesin në rrjetet e tyre nëpërmjet RLAN-ve, që mund të ndodhen në ambientet e një përdoruesi fundor, kur respektohen kushtet e autorizimit të përgjithshëm në fuqi dhe në marrëveshje paraprake, në dijeni të përdoruesit fundor.
5. AKEP-i siguron që ofruesit e rrjeteve ose të shërbimeve publike të komunikimeve elektronike nuk i kufizojnë ose parandalojnë në mënyrë të njëanshme nëpërmjet mjeteve të menaxhimit të trafikut përdoruesit fundorë nga:
a) aksesi, sipas zgjedhjes së tyre në RLAN të ofruar nga palët e treta; ose
b) lejimi reciprok ose në përgjithësi nga aksesimi i përdoruesve të tjerë fundorë nëpërmjet RLAN-ve në rrjetet e këtyre ofruesve, duke përfshirë aksesimin publik të RLAN-ve të përdoruesve të ndryshëm fundorë, të integruar në bazë të iniciativave të palëve të treta.
6. Përdoruesit fundorë lejohen të kenë akses, reciprokisht ose jo, në RLAN-et e tyre nga përdorues të tjerë fundorë, duke përfshirë aksesimin e RLAN-ve të përdoruesve të ndryshëm fundorë, të akesueshëm publikisht, të integruar me iniciativë të palëve të treta.
7. Sigurimi i aksesit në RLAN për publikun nuk duhet të kufizohet në mënyrë të padrejtë nga:
a) organet e sektorit publik ose në hapësirat publike pranë ambienteve të shfrytëzuara nga këto organe, kur ofrimi i aksesit është ndihmëse për shërbimet publike të ofruara në këto ambiente;
b) iniciativa të organizatave joqeveritare ose të organeve të sektorit publik për integrimin dhe për t’i bërë në mënyrë reciproke ose më të përgjithshme të aksesueshme RLAN e përdoruesve të ndryshëm fundorë, duke përfshirë, aty ku është e zbatueshme, RLAN, në të cilat ofrohet akses publik, në përputhje me shkronjën “a” të kësaj pike.
Neni 78
Vendosja dhe funksionimi i pikave të aksesit pa tel në zona të vogla
1. Autoritetet e planifikimit të territorit në nivel qendror dhe vendor nuk kufizojnë në mënyrë të panevojshme vendosjen e pikave të aksesit pa tel në zona të vogla.
2. Ministria dhe AKEP-i, në koordinim me autoritetet kompetente, sipas pikës 1 të këtij neni, sigurojnë që çdo normë që rregullon vendosjen e pikave të aksesit pa tel në zona të vogla të jetë në përputhje me standardet kombëtare, si dhe kërkojnë publikimin e tyre.
3. Autoritetet kompetente, në veçanti, nuk kushtëzojnë vendosjen e pikave të aksesit pa tel në zona të vogla, që përputhen me karakteristikat e miratuara sipas pikës 5 të këtij neni, subjekt i çdo lejeje planifikimi urbanistik individual ose lejeve të tjera individuale të dhëna më parë.
4. Pavarësisht nga pika 3 e këtij neni, vendosja e pikave të aksesit pa tel në zona të vogla, në ndërtesa ose zona me vlerë arkitekturore, historike ose natyrore të mbrojtura ose kur kjo është e nevojshme për arsye të sigurisë publike, bëhet me leje nga autoriteti përkatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Me vendim të Këshillit të Ministrave miratohen karakteristikat teknike si madhësia, pesha maksimale dhe, nëse është e nevojshme, përcaktimi i kërkesave për fuqinë e emetimit të rrezatimeve për pikat e aksesit pa tel në zona të vogla. Këto kërkesa nuk cenojnë kërkesat thelbësore dhe specifikimet e ndërfaqeve të përcaktuara nga rregulli teknik për pajisjet radio të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të ligjit për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore.
6. AKEP-i, në bashkëpunim me ministrin, siguron që operatorët të kenë të drejtën e aksesit në çdo infrastrukturë fizike të kontrolluar nga autoritetet publike, e cila është teknikisht e përshtatshme për vendosjen e pikave të aksesit pa tel në zona të vogla ose që është e nevojshme për të lidhur pika të tilla aksesi me një rrjet bazë, duke përfshirë pajisjet e rrugës, si: shtyllat e ndriçimit, sinjalistikës rrugore, semaforët, tabelat, stacionet e autobusëve dhe, sipas rastit, tramvajit, stacionet e metrosë, në zbatim të këtij ligji dhe parashikimeve të ligjit “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”.
7. Autoritetet publike plotësojnë të gjitha kërkesat e arsyeshme për akses me terma dhe kushte të drejta, të arsyeshme, transparente dhe jodiskriminuese, të cilat duhet të bëhen publike në një pikë të vetme informacioni.
8. Pa cenuar ndonjë marrëveshje tregtare, vendosja e pikave të aksesit pa tel në zona të vogla nuk i nënshtrohet ndonjë pagese ose tarife përtej tarifave administrative, në përputhje me nenin 18 të këtij ligji.
Neni 79
Rregulloret teknike për fushat elektromagnetike
Vendosja e pikave të aksesit pa tel në zona të vogla respekton kërkesat në lidhje me kufizimet për fushat elektromagnetike, të parashikuara në legjislacionin kombëtar për mbrojtjen nga rrezatimet. AKEP-i bashkëpunon me autoritetin përgjegjës për mbrojtjen nga rrezatimet për zbatimin e standardeve apo kufizimeve për fushat elektromagnetike nga rrjetet e komunikimeve elektronike.
KREU XI
PARIMET PËR AKSESIN DHE INTERKONEKSIONIN
Neni 80
Kuadri i përgjithshëm për aksesin dhe interkoneksionin
1. Sipërmarrësit e rrjeteve publike të komunikimeve elektronike janë të lirë të negociojnë ndërmjet tyre marrëveshjet teknike dhe komerciale për akses ose interkoneksion në përputhje me këtë ligj.
2. Një sipërmarrës i një vendi tjetër, që kërkon akses ose interkoneksion, kur ai nuk ofron shërbime dhe nuk zotëron rrjet në territorin e Republikës së Shqipërisë, nuk ka nevojë të autorizohet sipas nenit 26 të këtij ligji.
Neni 81
Të drejtat dhe detyrimet për sipërmarrësit
1. Sipërmarrësit e rrjeteve publike të komunikimeve elektronike kanë të drejtë, edhe kur kërkohet nga një sipërmarrës tjetër i autorizuar në përputhje me këtë ligj, kanë detyrimin për të negociuar me njëri-tjetrin për interkoneksionin, me qëllim ofrimin e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike, në mënyrë që të sigurohet ofrimi dhe ndërveprueshmëria e shërbimeve.
2. Sipërmarrësit duhet të ofrojnë akses dhe interkoneksion për sipërmarrësit e tjerë, me terma dhe kushte në përputhje me detyrimet e vendosura nga AKEP-i, në bazë të kreut XIII dhe të nenit 92 të këtij ligji.
3. Një sipërmarrës, që merr informacion nga një sipërmarrës tjetër përpara, gjatë, ose pas procesit të negocimit të marrëveshjeve të aksesit ose të interkoneksionit, pavarësisht nga përcaktimet në nenin 42 të këtij ligji, duhet ta përdorë atë vetëm për qëllimin për të cilin është dhënë dhe respekton gjatë gjithë kohës konfidencialitetin e informacionit të marrë ose të ruajtur. Sipërmarrësi nuk duhet t’ia kalojë informacionin e marrë asnjë pale tjetër, veçanërisht departamenteve, filialeve ose partnerëve të tjerë për të cilët ky informacion mund të sigurojë një avantazh konkurrues në treg.
4. Çdo sipërmarrës i rrjeteve të komunikimeve elektronike brenda 30 ditëve nga data e marrjes së një kërkese ofron një ofertë interkoneksioni për sipërmarrjet e tjera të rrjeteve publike të komunikimeve elektronike, për të siguruar komunikimin e përdoruesve, ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe ndërveprueshmërinë e shërbimeve.
5. Pavarësisht nga e drejta e sipërmarrjeve për të negociuar lirisht ndërmjet tyre, kur e kërkojnë kushtet e konkurrencës, negociatat zhvillohen përmes një ndërmjetësi neutral, me miratimin e AKEP-it. Palët e interesuara dorëzojnë në AKEP informacionin përkatës për t’u dokumentuar.
KREU XII
AKSESI DHE INTERKONEKSIONI
Neni 82
Kompetencat dhe përgjegjësitë e AKEP-it në lidhje me aksesin dhe interkoneksionin
1. Në zbatim të objektivave të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji, AKEP-i inkurajon dhe, sipas rastit, siguron në përputhje me këtë ligj aksesin dhe interkoneksionin e duhur, si dhe ndërveprimin e shërbimeve. AKEP-i në ushtrimin e përgjegjësisë së tij, promovon konkurrencën e ndershme e të qëndrueshme në ndërtimin e rrjeteve me kapacitet shumë të lartë, kryerjen e investimeve eficiente dhe inovacionin për përfitimin maksimal të përdoruesve fundorë.
2. AKEP-i harton udhëzime dhe vë në dispozicion të publikut procedurat e zbatueshme për marrjen e aksesit dhe interkoneksionit, për të garantuar që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe operatorët me shtrirje të kufizuar gjeografike të mund të përfitojnë nga detyrimet e vendosura.
3. AKEP-i vendos:
a) për sa është e nevojshme, detyrimet për sigurimin e lidhjes pikë fundore – pikë fundore ndaj sipërmarrësve, që i nënshtrohen autorizimit të përgjithshëm dhe që kontrollojnë aksesin te përdoruesit fundorë, duke përfshirë në rastet e justifikuara detyrimin për interkonektimin e rrjeteve të tyre;
b) në raste të justifikuara dhe në masën e nevojshme, detyrimet ndaj sipërmarrësve që i nënshtrohen autorizimit të përgjithshëm dhe që kontrollojnë aksesin e përdoruesve fundorë për t’i bërë shërbimet e tyre të ndërveprueshme;
c) në raste të justifikuara kur lidhja pikë fundore – pikë fundore ndërmjet përdoruesve fundorë rrezikohet për shkak të mungesës së ndërveprimit, ndërmjet shërbimeve të komunikimit ndërpersonal dhe në masën e nevojshme për të siguruar lidhjen pikë fundore – pikë fundore ndërmjet përdoruesve fundorë, detyrimet mbi ofruesit përkatës të shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të pavarur nga numri, të cilët arrijnë një nivel të konsiderueshëm mbulimi dhe pranimi nga përdoruesit për t’i bërë shërbimet e tyre të ndërveprueshme;
ç) në masën e nevojshme sigurimin e aksesit të përdoruesve fundorë në shërbimet radiodigjitale dhe shërbimet plotësuese përkatëse, të specifikuara në legjislacionin në fuqi, detyrimet e operatorëve për të siguruar akses në objektet e tjera me kushte të drejta, të arsyeshme dhe jodiskriminuese.
Neni 83
Vendosja e detyrimeve kur rrezikohet ndërlidhja pikë fundore-pikë fundore
1. Detyrimet e përcaktuara në shkronjën “c” të pikës 3 të nenit 82 të këtij ligji vendosen vetëm:
a) kur janë të nevojshme për sigurimin e ndërveprueshmërisë të shërbimeve të komunikimit ndërpersonal dhe mund të përfshijnë detyrime proporcionale ndaj ofruesve të këtyre shërbimeve për publikimin dhe lejimin e përdorimit, modifikimit dhe rishpërndarjes së informacionit përkatës nga autoritetet dhe ofruesit e tjerë ose për përdorimin dhe zbatimin e standardeve apo specifikimeve të përcaktuara sipas nenit 53 të këtij ligji;
b) kur autoritetet kompetente, pas konsultimit me AKEP-in, kanë gjetur një kërcënim të qenësishëm në ndërlidhjen pikë fundore – pikë fundore në territorin e Republikës së Shqipërisë ose kur të paktën tri vende evropiane kanë marrë masa duke specifikuar natyrën dhe fushën e detyrimeve që mund të vendosen.
2. Në veçanti dhe pa paragjykuar përcaktimet e nenit 82 të këtij ligji, AKEP-i me marrjen e një kërkese që vlerësohet e arsyeshme, vendos detyrime për dhënie aksesi në rrjetet, kabllot dhe facilitetet shoqëruese brenda ndërtesave, ose deri në pikën e parë të shpërndarjes në ndërtesa, kur kjo pikë ndodhet jashtë ndërtesës. Në rastet kur instalimi rishtaz i elementeve të tilla të rrjetit është ekonomikisht joefikas ose fizikisht i pamundur, detyrimi për akses vendoset mbi ofruesit e rrjeteve të komunikimeve elektronike ose mbi pronarët e instalimeve kabllore dhe faciliteteve shoqëruese, që nuk janë ofrues të rrjeteve të komunikimeve elektronike.
3. Kushtet e vendosura për dhënien e aksesit përfshijnë rregulla specifike për aksesin në elemente të tilla të rrjetit dhe në infrastrukturën dhe facilitetet shoqëruese mbi baza transparence, mosdiskriminimi dhe ndarjen proporcionale të kostove të aksesit, të cilat rregullohen, sipas rastit, duke marrë parasysh faktorët e rrezikut.
Neni 84
Rastet e veçanta të shtrirjes dhe kufizimit të detyrimeve për akses
1. Kur AKEP-i, arrin në përfundimin, duke marrë parasysh kur janë të zbatueshme dhe detyrimet për tregun përkatës mbi bazën e analizës së tregut, se detyrimet e vendosura në përputhje me shkronjën “a” të pikës 3 të nenit 82 të këtij ligji nuk mjaftojnë për adresimin e pengesave të larta ekonomike ose fizike për replikimin e një tregu ekzistues apo në zhvillim, që kufizon ndjeshëm rezultatet konkurruese për përdoruesit fundorë, mund të shtrijë vendosjen e detyrimeve të tilla të aksesit, me terma dhe kushte të drejta dhe të arsyeshme, përtej pikës së parë të shpërndarjes deri në një pikë që është më afër përdoruesit fundor, e aftë për mbajtjen e një numri të kënaqshëm lidhjesh të përdoruesve fundorë, për të mundësuar një akses të qëndrueshëm dhe komercialisht eficient për kërkuesit e tij.
2. AKEP-i në përcaktimin e shtrirjes së detyrimit për akses përtej pikës së parë të shpërndarjes merr parasysh udhëzimet përkatëse të BEREC-ut. Kur justifikohet për arsye teknike ose ekonomike, AKEP-i vendos detyrime për aksesin aktiv ose virtual.
3. AKEP-i, në përputhje me shkronjën “b” të pikës 3 të nenit 82 të këtij ligji, nuk vendos detyrime për ofruesit e rrjeteve të komunikimeve elektronike kur arrin në përfundimin se:
a) ofruesi ka karakteristikat e parashikuara në pikën 1 të nenit 106 të këtij ligji, dhe vë në dispozicion një mjet alternativ të ngjashëm për të arritur te përdoruesit fundorë, duke ofruar akses në një rrjet me kapacitet shumë të lartë për çdo sipërmarrje, në mënyrë të drejtë, me terma dhe kushte jodiskriminuese dhe të arsyeshme. AKEP-i e shtrin këtë përjashtim për ofruesit e tjerë që ofrojnë akses në një rrjet me kapacitet shumë të lartë, me terma dhe kushte të drejta, jodiskriminuese dhe të arsyeshme; ose
b) vendosja e detyrimeve rrezikon qëndrueshmërinë ekonomike ose financiare të ndërtimit të një rrjeti të ri, veçanërisht nga projektet e vogla lokale.
4. Pavarësisht nga përcaktimi i shkronjës “a” të pikës 3 të këtij neni, AKEP-i vendos detyrime për ofruesit e rrjeteve të komunikimeve elektronike, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në atë pikë, ku rrjeti në fjalë financohet me fonde publike.
5. AKEP-i merr parasysh udhëzimet përkatëse të BEREC-ut dhe përcakton kriteret përkatëse për përcaktimin:
a) e pikës së parë të përqendrimit ose të shpërndarjes;
b) e pikës, përtej pikës së origjinës, e aftë për të pritur një numër të mjaftueshëm lidhjesh të përdoruesit fundor, për të mundësuar një sipërmarrje efikase për të kapërcyer pengesat e përsëritshme, të identifikuara si të rëndësishme;
c) se cilat shtrirje rrjeti mund të konsiderohen të reja;
ç) se cilat projekte mund të konsiderohen të vogla; dhe
d) se cilat pengesa ekonomike ose fizike ndaj dublikimit janë të larta dhe jokalimtare.
Neni 85
Rastet për ofrimin lokal të shërbimeve që varen nga përdorimi i spektrit radio
1. AKEP-i vendos ndaj sipërmarrësve që ofrojnë ose janë autorizuar të ofrojnë rrjete të komunikimeve elektronike detyrimin për bashkëpërdorimin e infrastrukturës pasive ose detyrimin për të lidhur marrëveshje të lokalizuar të aksesit për roaming, pavarësisht nga parashikimet në pikat 1 dhe 2 të nenit 82 të këtij ligji, nëse kjo, në të dyja rastet është drejtpërdrejt e nevojshme për ofrimin lokal të shërbimeve që varen nga përdorimi i spektrit radio, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me kushtin që asnjë mjet alternativ i mundshëm dhe i ngjashëm i aksesit për përdoruesit fundorë, nuk vihet në dispozicion të çdo sipërmarrësi me terma dhe kushte të drejta dhe të arsyeshme.
2. AKEP-i vendos detyrimet e përmendura në nenin 82 të këtij ligji vetëm kur kjo mundësi parashikohet qartë në dhënien e të drejtave të përdorimit të spektrit radio dhe kur justifikohet bazuar në zonën që u nënshtrohet këtyre detyrimeve shtrirja e infrastrukturës për ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve që mbështeten në përdorimin e spektrit radio, u nënshtrohen pengesave ekonomike ose fizike të pakapërcyeshme dhe për këtë arsye aksesi në rrjete ose shërbime nga përdoruesit fundorë është shumë i mangët ose mungon. Në rrethanat kur vetëm aksesi dhe bashkëpërdorimi i infrastrukturës pasive nuk mjaftojnë, AKEP-i vendos detyrime për bashkëpërdorimin e infrastrukturës aktive.
3. AKEP-i, sipas rastit, në bashkëpunim me ministrinë, mban parasysh:
a) nevojën për të maksimizuar ndërlidhjen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përgjatë korridoreve kryesore të transportit, përfshirë ato që janë pjesë e korridoreve evropiane, në zona të veçanta territoriale, si dhe rritjen e mundësisë për të zgjedhur dhe cilësinë më të lartë të shërbimit për përdoruesit fundorë;
b) përdorimin efikas të spektrit radio;
c) fizibilitetin teknik të bashkëpërdorimit dhe kushtet shoqëruese;
ç) gjendjen e konkurrencës, bazuar në infrastrukturë dhe në shërbime;
d) risitë teknologjike;
dh) nevojën kryesore për të forcuar nxitjen e operatorit pritës për të shtrirë së pari infrastrukturën.
4. Në rast të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, AKEP-i i vendos sipërmarrësit detyrimin për të bashkëpërdorur spektrin radio me operatorin pritës të infrastrukturës në zonën përkatëse.
Neni 86
Procedura e AKEP-it për vendosjen e detyrimeve për akses dhe vlerësimin e tyre
1. Detyrimet dhe kushtet e vendosura në përputhje me nenet 82, 83, 84 dhe 85 të këtij ligji duhet të jenë objektive, transparente, proporcionale dhe jodiskriminuese. Këto detyrime zbatohen në përputhje me procedurat e konsultimit, të parashikuara në nenin 44 të këtij ligji.
2. AKEP-i vlerëson rezultatet e këtyre detyrimeve dhe kushteve pesë vjet pas miratimit të masës së mëparshme, të miratuar në lidhje me të njëjtët operatorë dhe, bazuar në kushtet në zhvillim, vlerëson nëse është e përshtatshme për t’i tërhequr ose ndryshuar ato. AKEP-i njofton rezultatin e vlerësimit të tij në përputhje me procedurat e parashikuara në nenin 44 të këtij ligji.
3. Për qëllimet e neneve 82, 83, 84 dhe 85 të këtij ligji, AKEP-i është i autorizuar të ndërhyjë me iniciativën e tij, aty ku justifikohet, për të siguruar objektivat e politikës së përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji, në përputhje me këtë ligj dhe në veçanti me procedurat e referuara në nenet 44 dhe 45 të këtij ligji.
4. Kur si rezultat i një analize tregu të kryer, në përputhje me nenin 90 të këtij ligji, AKEP-i konstaton se një ose më shumë sipërmarrës nuk kanë fuqi të ndjeshme tregu në tregun përkatës, ndryshon ose tërheq kushtet në lidhje me këta sipërmarrës, në përputhje me procedurat e përmendura në nenin 44 të këtij ligji, vetëm në masën që:
a) aksesi për përdoruesit fundorë në transmetimet radiotelevizive e kanalet e transmetimit dhe shërbimet e specifikuara në përputhje me detyrimet e mbartjes, siç përcaktohet në nenin 87 të ligjit nr. 97/2013, “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk ndikohet negativisht nga një ndryshim ose tërheqje e tillë;
b) perspektivat për konkurrencë efektive në tregjet e rrjedhës së poshtme, downstream nuk ndikojnë negativisht nga një ndryshim ose tërheqje e tillë në:
i. shërbimet e transmetimit televiziv digjital dhe radios me pakicë; dhe
ii. sistemet e aksesit të kushtëzuar dhe lehtësira të tjera shoqëruese.
Palët, që preken nga ndryshimi ose tërheqja e kushteve, sipas pikës 3 të këtij neni, njoftohen paraprakisht në një periudhë të përshtatshme njoftimi. Për vlerësimin e ndikimit sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 4 të këtij neni, AKEP-i kërkon informacion nga AMA.
5. AKEP-i merr parasysh maksimalisht në konsideratë udhëzimet e BEREC-ut, të miratuara sipas Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike, gjatë përcaktimit të vendndodhjes së pikave fundore të rrjetit.
KREU XIII
ANALIZA E TREGUT DHE FUQIA E NDJESHME NË TREG
Neni 87
Dispozita të përgjithshme
1. Tregjet, që justifikojnë rregullimin dhe janë subjekt i rregullimit, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, janë tregjet me pengesa të larta dhe të qëndrueshme, me natyrë ligjore ose strukturore për hyrjen në treg, tregjet të cilat nuk janë të orientuara drejt konkurrencës efektive, brenda një periudhe kohore të përshtatshme, tregjet ku zbatimi i vetëm i ligjit të konkurrencës nuk mund të zgjidhë në mënyrën e duhur dështimet e tregut.
2. Përcaktimi i tregjeve, analiza e tyre dhe përcaktimi i sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg (FNT) në tregjet përkatëse bëhet nga AKEP-i në përputhje me nenin 90 të këtij ligji.
Neni 88
Sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg
1. AKEP-i përcakton nëse sipërmarrësit kanë fuqi të ndjeshme në treg, sipas procedurës së parashikuar në nenin 90 të këtij ligji, dhe bazuar në përcaktimet e këtij neni.
2. Një sipërmarrës vlerësohet me fuqi të ndjeshme në treg nëse i vetëm ose së bashku me të tjerë, zotëron një pozitë të tillë ekonomike, që i mundëson sipërmarrësit një zgjerim të ndjeshëm, pavarësisht nga konkurrentët, klientët ose përdoruesit fundorë të tij.
3. Në vlerësimin e fuqisë së ndjeshme në treg, AKEP-i bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) në madhësinë e sipërmarrësit, madhësinë e sipërmarrësit në raport me tregun përkatës, si edhe me ndryshimet në kohë, në pozicionin relativ të tij ndaj lojtarëve të tregut;
b) në pengesat e larta për hyrje në treg dhe zgjerimi i pritshëm, si rrjedhojë e konkurrencës së mundshme;
c) në fuqinë kundërvepruese të blerësve;
ç) në zhvillimin e elasticitetit ndërmjet kërkesës dhe ofertës;
d) fazat e zhvillimit të tregut përkatës;
dh) përparësitë teknologjike;
e) çdo zhvillim i rrjeteve të shitjes dhe shpërndarjes;
ë) ekonomitë e shkallës ose ekonomitë e sektorit dhe dendësisë;
f) shkallën e integrimit vertikal;
g) shkallën e produkteve të diferencuara;
gj) aksesin në burimet financiare;
h) kontrollin për infrastrukturën që nuk mund të zëvendësohet lehtësisht;
i) sjelljet e përgjithshme në treg, si: tarifat, politikat e marketingut, shërbimet dhe produktet e kufizuara ose vendosja e pengesave.
4. Dy ose më shumë sipërmarrës vlerësohen se kanë një pozitë dominuese të përbashkët nëse edhe në mungesë të lidhjeve strukturore ose të lidhjeve të tjera ndërmjet tyre veprojnë në treg në një strukturë dhe mënyrë të tillë, e cila të çon në një sjellje të bashkërenduar, në mënyrë të pavarur nga konkurrentët, klientët ose përdoruesit fundorë.
5. Për të bërë përcaktimin e dominancës së bashkuar të dy ose më shumë sipërmarrësve, AKEP-i bazohet, ndër të tjera, në kriteret e mëposhtme:
a) zhvillimin e përqendrimit të tregut, shpërndarjen e pjesëve të tregut dhe ndryshimin në kohë të tyre;
b) pengesat për të hyrë në treg dhe efektin e tyre në konkurrencën e mundshme;
c) efektin e kundërveprimit të fuqisë blerëse;
ç) transparencën aktuale të tregut;
d) fazën e zhvillimit të tregut përkatës;
dh) produktet homogjene;
e) strukturën e kostos;
ë) zhvillimin e elasticitetit të kërkesës dhe ofertës;
f) zhvillimin e inovacioneve teknologjike dhe shkallën e maturisë teknologjike;
g) mungesën e kapaciteteve të tepërta;
gj) lidhjet informale dhe të tjera ndërmjet lojtarëve të tregut;
h) mekanizmat ndëshkues;
i) zhvillimin e nxitësve për konkurrencën e tarifave;
j) fuqinë ekonomike dhe financiare të sipërmarrësit.
6. Kur një sipërmarrës ka fuqi të ndjeshme në treg, në tregun përkatës, ai vlerësohet se mund të ketë fuqi të ndjeshme në treg edhe në një treg përkatës tjetër, të lidhur horizontalisht, vertikalisht ose gjeografikisht me tregun e analizuar, nëse lidhjet midis dy tregjeve janë të tilla që mundësojnë shtrirjen e fuqisë së ndjeshme nga tregu i parë në tjetrin, duke fuqizuar kështu fuqinë e sipërmarrësit në treg.
Neni 89
Procedura për identifikimin dhe përcaktimin e tregjeve
1. AKEP-i përcakton me rregullore tregjet përkatëse të komunikimeve elektronike dhe produktet përkatëse, të cilat justifikojnë rregullimin dhe janë subjekte të rregullimit të veçantë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, me parimet e ligjit për konkurrencën dhe kushtet aktuale të tregut shqiptar dhe duke mbajtur në konsideratë kërkesat e rregullimit të veçantë të sektorit, si dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian për tregjet përkatëse të produkteve dhe shërbimeve, pas kryerjes se një konsultimi publik, në përputhje me nenin 45 të këtij ligji.
2. Përveç tregjeve të identifikuara sipas pikës 1 të këtij neni, AKEP-i mund të marrë vendim duke identifikuar tregje të tjera, subjekt ndaj rregullimit ex ante, nëse përmbushen njëherazi 3 kushtet e mëposhtme në këto tregje:
a) verifikimi i prezencës së barrierave të larta dhe jokalimtare të hyrjes;
b) verifikimi nëse një strukturë tregu nuk ka tendencë për të shkuar në drejtimin e një konkurrence efektive brenda një afati kohor përkatës;
c) vlerësimi nëse aplikimi vetëm i ligjit në fuqi, që rregullon fushën e konkurrencës, është ose jo i mjaftueshëm për të adresuar në mënyrë të përshtatshme dështimin e tregut të marrë në shqyrtim.
3. AKEP-i, duke iu përmbajtur maksimalisht parashikimeve të këtij ligji, përcakton tregjet përkatëse të përshtatshme për rrethanat kombëtare, veçanërisht tregjet përkatëse, me shtrirje gjeografike lokale, rajonale ose kombëtare, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duke marrë parasysh, ndër të tjera, shkallën e konkurrencës në infrastrukturë në ato zona, në përputhje me parimet e ligjit të konkurrencës. AKEP-i, sipas rastit, merr parasysh edhe rezultatet e vrojtimit gjeografik, të kryer në përputhje me nenin 43 të këtij ligji. AKEP-i kryen procesin e konsultimit, sipas këtij ligji, përpara se të përcaktojë tregjet që ndryshojnë nga ato të identifikuara në rregullore.
Neni 90
Procedura e analizës së tregut
1. Kur kryen analizën e një tregu që përfshihet në listën e tregjeve përkatëse, sipas parashikimeve në pikën 1 të nenit 89 të këtij ligji, AKEP-i merr parasysh plotësimin e kushteve sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c” të pikës 2 të nenit 89 të këtij ligji, përveç rasteve kur AKEP-i përcakton se një ose më shumë nga këto kritere nuk plotësohen në rrethanat specifike kombëtare.
2. Gjatë procesit të analizës, sipas parashikimeve në pikën 1 të nenit 89 të këtij ligji, AKEP-i, në mungesë të parashikimeve rregullatore, merr në konsideratë zhvillimet e pritshme në të ardhmen, si më poshtë:
a) zhvillimet e tregut që ndikojnë në prirjen e tregut përkatës drejt konkurrencës efektive;
b) të gjitha shqetësimet e mundshme për konkurrencën në nivelet e shitjes me shumicë dhe pakicë, pavarësisht nëse burimi i këtyre shqetësimeve lidhet me rrjetet e komunikimeve elektronike, shërbimet e komunikimeve elektronike apo lloje të tjera shërbimesh ose aplikacionesh që janë të krahasueshme nga këndvështrimi i përdoruesit fundor dhe pavarësisht nëse këto kufizime janë pjesë e tregut përkatës;
c) lloje të tjera rregullimesh ose masash të vendosura dhe që prekin tregun përkatës ose tregjet e shitjes me pakicë gjatë gjithë periudhës përkatëse, duke përfshirë, pa kufizim, detyrimet e vendosura në përputhje me nenet 58, 81 dhe të kreut XIII të këtij ligji;
ç) rregullat e vendosura në tregjet e tjera përkatëse në bazë të këtij neni.
3. Kur AKEP-i arrin në përfundimin se një treg përkatës nuk e justifikon vendosjen e detyrimeve rregullatore, në përputhje me procedurën e pikave 1 dhe 2 të këtij neni, ose kur kushtet e parashikuara në pikën 5 të këtij neni, nuk përmbushen, AKEP-i nuk vendos ose nuk mban ndonjë detyrim specifik rregullator në përputhje me nenin 92 të këtij ligji. AKEP-i heq detyrimet e vendosura ndaj sipërmarrësit në tregun përkatës, duke siguruar që palët e ndikuara nga ky vendim të njoftohen në një periudhë të përshtatshme kohore.
4. Periudha e përshtatshme kohore, sipas pikës 3 të këtij neni, përcaktohet nga AKEP-i duke balancuar nevojën për një tranzicion të qëndrueshëm për përfituesit e këtyre detyrimeve dhe përdoruesit fundorë, zgjedhjen e përdoruesit fundor dhe nevojën që rregullimi të mos vazhdojë përtej kohës së nevojshme. AKEP-i mund të përcaktojë kushte të posaçme, si dhe periudhat e njoftimit në lidhje me marrëveshjet ekzistuese të aksesit.
5. Kur AKEP-i përcakton që vendosja e detyrimeve rregullatore në një treg përkatës, në përputhje me pikat 1 dhe 2 të këtij neni, janë të justifikuara, AKEP-i identifikon sipërmarrësit që vetëm ose së bashku me të tjerë kanë fuqi të ndjeshme në tregun përkatës, sipas nenit 92 të këtij ligji. AKEP-i vendos ndaj këtyre sipërmarrësve detyrimet e veçanta rregullatorë në përputhje me nenin 92 të këtij ligji, ose mban apo ndryshon këto detyrime nëse ato ekzistojnë aktualisht, kur vlerëson se mungesa e këtyre detyrimeve nuk sjell rezultatet e konkurrencës efektive për përdoruesit fundorë.
6. AKEP-i kryen analizën e tregjeve përkatëse të identifikuara sipas përcaktimeve të këtij ligji në mënyrë periodike, sipas afateve të mëposhtme:
a) brenda pesë vjetësh nga data e vendimit të mëparshëm të AKEP-it për përcaktimin e sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në një treg përkatës, të përcaktuar në rregulloren e AKEP-it;
b) brenda tre vjetësh nga data e ndryshimit të rregullores për përcaktimin e tregjeve përkatëse, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, për tregjet e pa analizuar më parë;
c) brenda tre vjetësh nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
7. Në raste përjashtimore e të justifikuara, afati i përcaktuar në shkronjën “a” të pikës 6 të këtij neni mund të shtyhet jo më shumë se një vit. AKEP-i njofton ministrin për arsyet e shtyrjes së afatit për analizën e tregut të paktën katër muaj para përfundimit të afatit.
8. Nëse një ose më shumë sipërmarrës janë shpallur FNT në tregun përkatës dhe në përfundim të procesit të analizës së tregut vlerësohet se në këtë treg ka konkurrencë efektive, atëherë AKEP-i vendos të mbajë, të ndryshojë ose të heqë detyrimet e veçanta.
9. Kur konsideron që nuk mund të përfundojë analizën e tregut përkatës, të identifikuar sipas këtij ligji, brenda afatit kohor të përcaktuar në pikën 6 të këtij neni, AKEP-i mund të kërkojë këshillim nga BEREC-u për përfundimin e analizës së tregut përkatës dhe vendosjen e detyrimeve të veçanta.
Neni 91
Kontroll i posaçëm për sjelljen kundër konkurrencës
1. Sipërmarrësit e përcaktuar me fuqi të ndjeshme në treg dhe që ofrojnë rrjete dhe shërbime publike të komunikimeve elektronike nuk duhet të abuzojnë me pozitën e tyre në treg.
2. Në rastet kur AKEP-i me iniciativën e tij ose pas njoftimit nga sipërmarrës të tjerë ose palë të tjera të interesuara vlerëson se një sipërmarrje me fuqi të ndjeshme në treg abuzon me pozicionin e tij, e paraqet çështjen pranë Autoritetit të Konkurrencës, duke kërkuar fillimin e procedurave ligjore përkatëse.
KREU XIV
DETYRIMET PËR AKSES NDAJ SIPËRMARRËSVE ME FUQI TË NDJESHME NË TREG
Neni 92
Vendosja, ndryshimi ose heqja e detyrimeve
1. Vendosja e detyrimeve ndaj sipërmarrësve, të shpallur fuqi të ndjeshme në treg, ndryshimi, mbajtja ose heqja e detyrimeve, sipas përcaktimeve në nenet 93 deri 99 dhe në nenet 101 deri në 104 të këtij ligji, bëhet me vendim të AKEP-it pas përfundimit të procedurës për analizën e tregut dhe përcaktimit të sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në tregun përkatës. Vendimet e AKEP-it merren pas procesit të konsultimit publik, të përcaktuara në nenet 44 dhe 45 të këtij ligji.
2. Kur një sipërmarrës përcaktohet se ka fuqi të ndjeshme në një treg përkatës, mbi bazën e një analize tregu, të kryer në përputhje me këtë ligj, AKEP-i, sipas rastit, vendos detyrimet e përcaktuara në nenet 93 deri në 99 dhe në nenet 101 dhe 106 të këtij ligji. Në përputhje me objektivat e nenit 5 të këtij ligji, dhe bazuar në parimin e proporcionalitetit, AKEP-i zgjedh mënyrën më efikase dhe me sa më pak ndërhyrje për adresimin e problemeve të evidentuara në analizën e tregut.
3. AKEP-i vendos detyrimet e përcaktuara në nenet 93 deri 99, 101 dhe 106 të këtij ligji, vetëm për sipërmarrësit që janë përcaktuar me fuqi të ndjeshme në treg, në përputhje me pikën 2 të këtij neni, dhe pa cenuar:
a) parashikimet për aksesin sipas kreut XII të këtij ligji;
b) nenet 58 dhe 36 të këtij ligji, si dhe çdo angazhim që sipërmarrësi që merr të drejtat e përdorimit, ka bërë në kuadrin e një procesi të rinovimit të autorizimit ose përpara dhënies së autorizimit, ose, sipas rastit, ndaj ftesës për aplikim për të drejtat e përdorimit, nenet 135 dhe 145 të këtij ligji dhe dispozitat përkatëse të kreut XIX të këtij ligji, që përmbajnë detyrime ndaj sipërmarrësve, të ndryshme nga ato të përcaktuara si me fuqi të ndjeshme në treg; ose
c) nevojën për të përmbushur angazhimet ndërkombëtare.
4. Në rrethana të jashtëzakonshme, kur AKEP-i synon t’u vendosë sipërmarrësve të përcaktuar me fuqi të ndjeshme në treg detyrime për aksesin ose interkoneksionin, përveç atyre të parashikuara në nenet 93 deri në 99 dhe në nenet 101 e 106 të këtij ligji, ai duhet t’i paraqesë një kërkesë ministrit. Në rast se ministri miraton këtë kërkesë, propozimi i dërgohet Këshillit të Ministrave për një vendim që autorizon ose ndalon AKEP-in në marrjen e masave të tilla.
5. Vendosja e detyrimeve, sipas këtij neni, bazohet në:
a) natyrën e problemit të identifikuar nga AKEP-i gjatë analizës së tregut dhe kur është e përshtatshme merr në konsideratë kërkesat ndërkombëtare, sipas nenit 186 të këtij ligji;
b) proporcionalitetin, duke mbajtur parasysh, kur është e mundur, përfitimet dhe kostot;
c) justifikimin sipas objektivave të përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji; dhe
ç) vendosjen e tyre pas një procesi konsultimi të kryer, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
6. Në lidhje me nevojën për të respektuar angazhimet ndërkombëtare të përmendura në pikën 3 të këtij neni, AKEP-i i njofton Komisionit Evropian vendimet për vendosjen, ndryshimin ose tërheqjen e detyrimeve të sipërmarrësit, në përputhje me procedurën e parashikuar në nenin 32 të Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike.
7. AKEP-i merr në konsideratë ndikimin e zhvillimeve të reja të tregut në lidhje me marrëveshjet tregtare, përfshirë marrëveshjet e bashkinvestimit që ndikojnë në dinamikën konkurruese. Nëse këto zhvillime nuk janë mjaftueshëm të rëndësishme për të kërkuar një analizë të re tregu, në përputhje me nenin 90 të këtij ligji, AKEP-i vlerëson pa vonesë, nëse është i nevojshëm rishikimi i detyrimeve të vendosura ndaj sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg dhe ndryshimi i çdo vendimi të mëparshëm, duke përfshirë heqjen e detyrimeve ose vendosjen e detyrimeve të reja, për të siguruar që këto detyrime të vazhdojnë të plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 5 të këtij neni. Këto ndryshime vendosen vetëm pas kryerjes së konsultimit, në përputhje me nenin 44 të këtij ligji.
Neni 93
Detyrimi i transparencës
1. AKEP-i vendos ndaj sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg, detyrime për transparencë, në lidhje me aksesin dhe interkoneksionin.
2. AKEP-i, pavarësisht parashikimeve të nenit 41 të këtij ligji, vendos ndaj sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg detyrimet për të publikuar informacion, për:
a) të dhënat financiare;
b) specifikimet teknike;
c) karakteristikat e rrjetit;
ç) termat dhe kushtet për ofrimin dhe përdorimin;
d) tarifat, përfshirë zbritjet e mundshme.
3. AKEP-i përcakton edhe shkallën e hollësive dhe mënyrën e publikimit të informacionit të mësipërm nga sipërmarrësi me fuqi të ndjeshme në treg.
Neni 94
Marrëveshjet e aksesit
1. Një sipërmarrës i rrjetit të komunikimeve elektronike, me fuqi të ndjeshme në treg, ndaj të cilit është vendosur detyrimi për akses sipas nenit 98 të këtij ligji, duhet t’u japë sipërmarrësve të tjerë, që kërkojnë akses në rrjetin e tij, një ofertë që ata të ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike. Oferta e aksesit duhet të paraqitet pa vonesë, por në çdo rast jo më vonë se 15 ditë nga dita e marrjes së kërkesës.
2. Marrëveshjet e aksesit të lidhura nga një operator publik i rrjeteve të komunikimeve elektronike me fuqi të ndjeshme në treg me sipërmarrësit e tjerë përgatitet me shkrim.
3. Një sipërmarrës i rrjetit të komunikimeve elektronike me fuqi të ndjeshme në treg duhet të paraqesë në AKEP marrëveshjen e aksesit, ku ai është palë, brenda 15 ditëve nga data e lidhjes së saj. AKEP-i publikon vendin dhe kohën kur marrëveshjet e mësipërme të jenë të vlefshme për inspektim nga subjektet që kërkojnë shërbime dhe facilitete të aksesit.
4. Pavarësisht pikës 3 të këtij neni, kur një operator ka detyrime sipas neneve 97 ose 98 të këtij ligji, në lidhje me aksesin me shumicë në infrastrukturën e rrjetit, AKEP-i siguron publikimin e një oferte reference, duke marrë parasysh maksimalisht udhëzimet e BEREC-ut për kriteret minimale për një ofertë referencë dhe siguron që treguesit kryesorë të performancës janë specifikuar, aty ku është e përshtatshme, si dhe nivelet përkatëse të shërbimit dhe monitoron nga afër dhe sigurohet për përputhjen me to.
Neni 95
Detyrimi i mosdiskriminimit
1. AKEP-i vendos ndaj sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg detyrime për mosdiskriminim për aksesin dhe interkoneksionin.
2. Detyrimet për mosdiskriminim sigurojnë në veçanti që një sipërmarrës me fuqi të ndjeshme në treg të zbatojë kushte të njëjta, në rrethana të njëjta ndaj sipërmarrësve të tjerë, që ofrojnë shërbime ekuivalente, si dhe t’u ofrojë sipërmarrësve të tjerë shërbime dhe informacion në kushte të njëjta dhe me cilësi të njëjtë, sikundër ai i ofron për shërbimet e veta, për filialet ose partnerët e tij.
3. AKEP-i u kërkon sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg të publikojnë një ofertë reference për aksesin dhe interkoneksionin. Sipërmarrësi duhet të ofrojë në këtë ofertë reference shërbime të detajuara, zbërthimin e ofertave përkatëse në elementet përbërëse, në përputhje me nevojat e tregut dhe deklarimin e termave e të kushteve shoqëruese, përfshirë tarifat.
4. AKEP-i kërkon dhe detyron ndryshime në ofertën referencë të aksesit, me qëllim që të realizohen detyrimet e vendosura, sipas këtij ligji dhe akteve në zbatim të tij.
Neni 96
Detyrimi për ndarjen e llogarive
1. AKEP-i u kërkon sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg të paraqesin në mënyrë të detajuar koston për aktivitete të veçanta, që lidhen me aksesin dhe interkoneksionin, me qëllim parandalimin e subvencionimin e ndërsjellë të pandershëm.
2. Për këtë qëllim, në veçanti, sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg të integruar vertikalisht, i kërkohet të bëjë transparente tarifat e shumicës dhe tarifat e transferimeve të brendshme. AKEP-i përcakton formatin dhe metodologjinë e llogaritjes që përdoret, duke përfshirë shkallën e hollësishme dhe mënyrën me të cilën ato do të paraqiten dhe bëhen të disponueshme.
3. Nëse AKEP-i ka vendosur një detyrim specifik, sipas neneve 93 dhe 95 të këtij ligji, atëherë kërkon që, pavarësisht nga dispozitat e nenit 41 të këtij ligji, që të dhënat për llogaritë, përfshirë të gjitha informacionet dhe dokumentet mbështetëse, t’i paraqiten kundrejt kërkesës në mënyrën dhe formën e përcaktuar. AKEP-i e publikon këtë informacion nëse kjo vlerësohet e nevojshme për nxitjen e konkurrencës në treg, duke marrë parasysh kërkesat ligjore për ruajtjen e sekreteve tregtare dhe funksionale apo operacionale të biznesit.
Neni 97
Aksesi në punime të inxhinierisë civile
1. AKEP-i vendos ndaj sipërmarrësit detyrime për të përmbushur kërkesat e arsyeshme për akses dhe përdorim të punimeve të inxhinierisë civile, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në ndërtesat ose pikat e aksesit në ndërtesa, kabllot në ndërtesa, përfshirë antenat, kullat dhe ndërtime të tjera mbështetëse, shtylla, kanale, përcjellës, dhoma inspektimi, puseta dhe kabinete, në situatat kur në analizën e tregut arrin në përfundimin se refuzimi i aksesit ose aksesi i dhënë me terma dhe kushte të paarsyeshme ka një efekt të ngjashëm që pengon konkurrencën në treg dhe nuk është në interesin e përdoruesit fundor.
2. AKEP-i i imponon një operatori detyrimin për të ofruar akses në përputhje me këtë nen, pavarësisht nëse aktivet që preken nga ky detyrim janë pjesë e tregut përkatës në përputhje me analizën e tregut, me kusht që detyrimi të jetë i nevojshëm dhe proporcional për përmbushjen e objektivave të nenit 5 të këtij ligji.
Neni 98
Detyrimet e aksesit dhe përdorimit të elementeve specifike të rrjetit dhe faciliteteve shoqëruese
1. AKEP-i vendos ndaj sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg detyrimin për të plotësuar kërkesat për akses dhe interkoneksion, si dhe për përdorimin e elementeve të veçanta të rrjetit dhe faciliteteve shoqëruese, në veçanti, në ato raste kur AKEP-i vlerëson se nga refuzimi i aksesit ose nga kushtet dhe termat e paarsyeshme, pengohet konkurrenca e qëndrueshme në tregun e pakicës apo kur dëmtohen interesat e përdoruesve fundorë.
2. Sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg i kërkohet një, disa apo të gjitha prej masave të mëposhtme:
a) t’u ofrojë palëve të treta akses në elemente të veçanta të rrjetit ose faciliteteve, duke përfshirë akses në elemente të rrjetit, të cilat nuk janë aktive dhe/ose akses të hapur në qarkun lokal dhe nënqarkun lokal, “sub local loop”;
b) të ofrojë shërbime të veçanta në nivel shumice për t’u rishitur nga palët e treta;
c) të mos anulojë aksesin në facilitetet kur e ka dhënë atë;
ç) të negociojë me dëshirën e mirë dhe me mirëbesim me subjektet, që kërkojnë akses;
d) të ofrojë akses të hapur në ndërfaqet teknike, protokollet ose teknologjitë e tjera të rëndësishme, të domosdoshme për ndërveprimin e shërbimeve ose për shërbimet e rrjetit virtual;
dh) të ofrojë bashkëvendosje ose forma të tjera të përdorimit të përbashkët, përfshirë ndërtesat, tubacionet kabllore ose shtyllat, kullat;
e) të krijojë kushtet e nevojshme për të siguruar ndërveprimin e shërbimeve pikë fundore – pikë fundore, duke përfshirë facilitetet për shërbimet e rrjetit inteligjent ose roaming-ut në rrjetet e lëvizshme;
ë) të ofrojë akses në sistemet mbështetëse funksionale ose sistemet e ngjashme informatike software, të nevojshme për të siguruar konkurrencë të ndershme në ofrimin e shërbimeve;
f) të interkonektojë rrjetet ose facilitetet e rrjetit;
g) të ofrojë akses në shërbimet shoqëruese.
3. Në vendosjen e detyrimeve sipas pikës 2 të këtij neni, AKEP-i vlerëson nëse detyrimi për akses dhe interkoneksion është i justifikuar dhe proporcional për rregullimet e parashikuara në këtë ligj, duke mbajtur parasysh veçanërisht faktorët e mëposhtëm:
a) aftësitë teknike dhe ekonomike për përdorimin ose instalimin e faciliteteve konkurruese, në pikëpamje të shkallës së zhvillimit të tregut, duke pasur parasysh natyrën dhe tipin e interkoneksionit e të aksesit që është në diskutim, përfshirë mundësinë e aksesit në produkte të tjera të një niveli më të lartë, si aksesin në tubacione;
b) zhvillimet e pritshme teknologjike që ndikojnë në projektimin dhe menaxhimin e rrjetit;
c) nevojën për të siguruar neutralitetin teknologjik, duke u mundësuar palëve projektimin dhe menaxhimin e rrjeteve të tyre;
ç) mundësinë e ofrimit të aksesit të propozuar në relacion me kapacitetet e disponueshme;
d) investimin fillestar nga pronari i faciliteteve, duke mbajtur parasysh riskun e përfshirë në kryerjen e investimit;
dh) nevojën për të garantuar konkurrencën në periudhë afatgjatë në rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike publike dhe, veçanërisht, duke krijuar stimuj për investime eficiente në facilitete, të cilat në periudhë afatgjatë sigurojnë më shumë konkurrencë;
e) kur është e përshtatshme, të gjitha të drejtat e pronësisë intelektuale;
ë) sigurimin e shërbimeve panevropiane.
4. Kur një sipërmarrës dëshmon se përdorimi i facilitetit mund të rrezikojë mirëmbajtjen e tërësisë së rrjetit ose funksionet e rrjetit, AKEP-i nuk vendos detyrim për këtë facilitet ose vendos detyrimin në një formë tjetër. Mirëmbajtja e tërësisë së rrjetit dhe siguria e funksioneve të rrjetit duhet të justifikohen nga sipërmarrësi bazuar në standardet objektive.
Neni 99
Detyrimi për kontroll të tarifave dhe sistemin e mbajtjes së llogarive
1. Në përputhje me nenin 92 të këtij ligji, kur pas kryerjes së analizës së tregut AKEP-i evidenton se në treg mungon konkurrenca efektive, që nënkupton se sipërmarrësi i shpallur me fuqi të ndjeshme në treg ka aplikuar tarifa të larta të paarsyeshme ose tarifa të ulëta të paarsyeshme, në dëm të përdoruesve fundorë, AKEP-i vendos ndaj sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg detyrimin në lidhje me mbulimin e kostove dhe kontrollin e çmimeve, duke përfshirë detyrimet për orientimin e çmimeve drejt kostos, si dhe në lidhje me sistemin e mbajtjes së llogarive për ofrimin e llojeve të veçanta të aksesit ose interkoneksionit.
2. Në përcaktimin nëse detyrimet e kontrollit të çmimeve janë të përshtatshme, AKEP-i konsideron interesat afatgjata të përdoruesve fundorë dhe nxitjen e konkurrencës, duke vlerësuar nevojën për krijimin e rrjeteve të gjeneratës së ardhshme dhe në veçanti të rrjeteve me shpejtësi dhe kapacitet shumë të lartë. Për të nxitur investimet nga sipërmarrësi, përfshirë rrjetet e gjeneratës së ardhshme, AKEP-i merr parasysh investimin e bërë nga sipërmarrësi.
3. Kur AKEP-i vlerëson të përshtatshme detyrimet për kontrollin e çmimeve, ai do t’i lejojë sipërmarrësit një normë të arsyeshme fitimi mbi kapitalin e punësuar, duke marrë parasysh çdo rrezik specifik për një projekt të caktuar të rrjetit të ri të investimeve.
4. AKEP-i vlerëson të mos vendosë apo të mbajë detyrimet e përcaktuara në këtë nen, kur provohet se ekzistojnë rrethana shtrënguese për përcaktimin e çmimit të pakicës dhe se vendosja e detyrimeve në përputhje me nenet 93 deri në 98 të këtij ligji, përfshirë në veçanti detyrimin sipas nenit 95 të këtij ligji, garanton ofrimin e aksesit efektiv dhe jodiskriminues.
5. Kur AKEP-i e vlerëson të përshtatshme vendosjen e detyrimit të kontrollit të çmimit për akses në elementet ekzistuese të rrjetit, ai merr në konsideratë përfitimet nga vendosja e çmimeve me shumicë, të qëndrueshme dhe të parashikueshme për të garantuar hyrje efikase në treg dhe se ekzistojnë stimuj të mjaftueshëm për të gjithë operatorët për të ndërtuar dhe përmirësuar rrjetet e komunikimeve elektronike.
6. AKEP-i siguron që çdo mekanizëm për mbulimin e kostove ose në metodologjinë e zgjedhur për përcaktimin e çmimit shërben për të promovuar shtrirjen e rrjeteve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese, eficiencën dhe konkurrencën e qëndrueshme, si edhe qëndrueshmëri në maksimizimin e përfitimeve të përdoruesve fundorë. Në këtë proces, AKEP-i merr parasysh edhe çmimet e disponueshme në tregje me konkurrencë të ngjashme.
7. Kur një sipërmarrës ka detyrimin për orientimin e çmimeve drejt kostove, barra e provës se tarifat janë të bazuara në kostot, duke përfshirë një normë të arsyeshme kthimi të investimit është e sipërmarrësit në fjalë. Me qëllim llogaritjen e kostos së ofrimit të shërbimeve efikase, AKEP-i përdor metoda të llogaritjes së kostove të pavarura nga ato të përdorura nga sipërmarrësi. AKEP-i i kërkon operatorit të japë argumentim të plotë për çmimet e tij dhe, sipas rastit, kur e shikon të arsyeshme, kërkon rregullim të çmimeve.
8. AKEP-i, siguron që, kur vendos të aplikojë një model të llogaritjes së kostove për të mundësuar kontrollin e çmimeve, një përshkrim i këtij modeli bëhet i disponueshëm për publikun, në të cilin të tregohen të paktën kategoritë kryesore ku grupohen kostot dhe rregullat e përdorura për shpërndarjen e kostove. Një organ i kualifikuar i pavarur ka të drejtë të kryejë verifikimin e përputhshmërisë me sistemin e llogaritjes së kostos dhe publikon çdo vit një deklaratë në lidhje me përputhshmërinë.
Neni 100
Tarifat e terminimit
1. Nëse në bazë të analizës së tregut për terminimin e thirrjeve arrihet në përfundimin se në këtë treg nuk ka konkurrencë efektive, atëherë në këto tregje aplikohet rregullimi i tarifave nëpërmjet metodës së kontrollit të çmimit.
2. Tarifat e terminimit të orientuara drejt kostos duhet të demonstrojnë se tarifat e shërbimeve të ofruara rrjedhin nga kosto eficiente dhe mbajnë në konsideratë parashikimet rregullatore të këtij ligji, si edhe praktikat e rekomandimet e Bashkimit Evropian.
3. AKEP-i zbaton rregullimin e tarifave nëpërmjet metodave të mëposhtme:
a) përcaktimit të nivelit minimal ose maksimal të tarifave;
b) korrigjimit të ecurisë së tarifave, duke përcaktuar kushte të tilla, si:
i. kufirin maksimal të normës së ndryshimit, e rritjes ose e uljes së mundshme të tarifës, brenda një periudhe të caktuar kohe;
ii. raportin maksimal të rritjes së tarifës, që imponohet nga rritja e çmimeve të elementeve përbërëse të inputeve, brenda një periudhe kohe të caktuar;
iii. procedurën që do të përdoret për përcaktimin ose llogaritjen e tarifës, përfshirë detyrimin për orientimin në kosto, përcaktimin e kostove eficiente, që mundëson realizimin e një fitimi të arsyeshëm;
c) përcaktimin e një periudhe kohore, në asnjë rast më të gjatë se 12 muaj, gjatë së cilës ndalohet rritja e tarifave mbi nivelin aktual të tyre në një treg përkatës.
4. Me qëllim llogaritjen e kostos së ofrimit të shërbimit efektiv, AKEP-i përdor metoda të llogaritjes së kostos të pavarura nga ato të përdorura nga sipërmarrësit.
5. Me kërkesë të AKEP-it, sipërmarrësi, brenda një periudhe 45-ditore, duhet të provojë se tarifat e tij janë të orientuara drejt kostos. Nëse sipërmarrësi brenda periudhës kohore të përcaktuar nuk e justifikon tarifën si më sipër, AKEP-i provon se tarifat nuk janë të orientuara nga kostoja.
6. AKEP-i siguron që sipërmarrësi me fuqi të ndjeshme në treg, i cili i nënshtrohet detyrimit të llogaritjes së kostos, të bëjë të disponueshme publikisht përshkrimin e sistemit të llogaritjes së kostos, duke treguar të paktën kategoritë kryesore, ku shfaqen të grupuara kostot dhe rregullat e përdorura për përcaktimin e tyre.
7. AKEP-i ose një ekspert i pavarur kontabël, i përzgjedhur nga AKEP-i, ka të drejtë të kryejë auditimin vjetor të përputhshmërisë me sistemin e llogaritjes së kostos.
8. Në rregullimin e tarifave sipas pikës 1, AKEP-i vlerëson të dhënat më të fundit për sa vijon:
a) tarifat mesatare të vendeve të Bashkimit Evropian;
b) praktikat dhe rekomandimet më të mira në vendet e Bashkimit Evropian;
c) tarifat e vendeve të rajonit me zhvillim të ngjashëm me Republikën e Shqipërisë;
ç) raportet ndërmjet tarifave të shumicës dhe pakicës;
d) normën e fitimit të arsyeshëm, të realizuar nga sipërmarrësit e tjerë të komunikimeve elektronike në vendet e Bashkimit Evropian dhe në vendet me zhvillim të ngjashëm me Republikën e Shqipërisë.
9. Metodat e rregullimit të tarifave mund të jenë të kombinuara dhe marrin parasysh kushtet specifike të tregut të komunikimeve elektronike në vend.
Neni 101
Trajtimi rregullator për rrjetet e reja me kapacitet shumë të lartë transmetimi
1. Sipërmarrësit e përcaktuar me fuqi të ndjeshme në treg, në një ose disa tregje përkatëse, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 105 të këtij ligji, mund të paraqesin angazhime për të bashkinvestuar në shtrimin e një rrjeti të ri me kapacitet shumë të lartë, që konsiston në ofrimin e elementeve të fibrave optike deri në ambientet e përdoruesit fundor ose të stacionit bazë, subjekt i kërkesave të shkronjës “b” të pikës 2 të këtij neni, në format, si më poshtë:
a) duke ofruar bashkëpronësi; ose
b) ndarje të rrezikut afatgjatë nëpërmjet bashkëfinancimit; ose
c) përmes marrëveshjeve të blerjes, duke krijuar të drejta specifike me karakter strukturor nga ofruesit e tjerë të rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike.
2. AKEP-i gjatë vlerësimit të këtyre angazhimeve përcakton veçanërisht nëse oferta për bashkinvestim është në përputhje me të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) është e hapur në çdo moment për çdo ofrues të rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike;
b) do të lejonte bashkinvestitorët e tjerë, të cilët janë ofrues të rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike të konkurrojnë në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme në terma afatgjatë në tregjet e rrjedhës së poshtme downstream, në të cilat është aktive sipërmarrja e përcaktuar me fuqi të ndjeshme në treg, me terma, që përfshijnë:
i. kushte të drejta, të arsyeshme dhe jodiskriminuese, që lejojnë aksesin në kapacitetin e plotë të rrjetit, në masën që ai është subjekt i bashkinvestimit;
ii. fleksibilitet, për sa i përket vlerës dhe kohës së pjesëmarrjes së çdo bashkinvestitori;
iii. mundësinë për të rritur një pjesëmarrje të tillë në të ardhmen; dhe
iv. të drejtat reciproke të dhëna nga bashkinvestitorët pas përcaktimit të infrastrukturës së bashkinvestuar;
c) bërjen publike nga sipërmarrja në kohën e duhur dhe të paktën gjashtë muaj përpara fillimit të shtrirjes së rrjetit të ri, nëse sipërmarrja nuk ka karakteristikat e përcaktuara në nenin 106 të këtij ligji, periudhë e cila mund të zgjatet në bazë të rrethanave kombëtare;
ç) përmbushjen minimalisht të kritereve të përcaktuara në nenin 102 të këtij ligji, dhe se ajo është bërë me mirëbesim.
3. Kur AKEP-i, bazuar në rezultatet e testit të tregut të kryer në përputhje me pikën 3 të nenit 105 të këtij ligji, arrin në përfundimin se angazhimi i propozuar i bashkinvestimit është në përputhje me kushtet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, ai e bën atë angazhim të detyrueshëm, në përputhje me pikën 8 të nenit 105 të këtij ligji dhe nuk vendos asnjë detyrim shtesë në bazë të nenit 92 të këtij ligji në lidhje me elementet e rrjetit të ri me kapacitet shumë të lartë, që u nënshtrohen angazhimeve, kjo nëse të paktën një bashkinvestitor i mundshëm ka hyrë në një marrëveshje me sipërmarrësin e përcaktuar si me fuqi të ndjeshme në treg.
4. Pika 3 e këtij neni nuk cenon trajtimin rregullator të rrethanave që nuk përputhen me kushtet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, duke marrë parasysh rezultatet e çdo testi tregu, të kryer në përputhje me nenin 105 të këtij ligji, por që kanë një ndikim në konkurrencë dhe merren parasysh për qëllimet e neneve 90 dhe 92 të këtij ligji.
5. Duke përjashtuar pikën 3 të këtij neni, AKEP-i, në rrethana të mirëjustifikuara, vendos të mbajë ose të përshtatë masat rregullatore në përputhje me nenet 92 deri në 99 të këtij ligji, për rrjetet e reja me kapacitet shumë të lartë, për të adresuar shtrembërimet e konkurrencës në tregje specifike, ku evidenton se problematikat e konkurrencës nuk mund të adresohen ndryshe, për shkak të karakteristikave specifike të këtyre tregjeve.
6. AKEP-i monitoron në mënyrë të vazhdueshme respektimin e kushteve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, dhe mund t’i kërkojë sipërmarrësit të shpallur me fuqi të ndjeshme në treg të paraqesë pranë AKEP-it deklaratat vjetore të përmbushjes së angazhimeve.
Ky nen nuk cenon kompetencën e AKEP-it për të marrë vendime në zbatim të nenit 47 të këtij ligji, në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet sipërmarrjeve, që kanë të bëjnë me përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së bashkinvestimit, të cilat duhet të jenë në përputhje me përcaktimet e pikës 1 të këtij neni.
7. Në zbatimin e rregullimeve, sipas këtij neni, AKEP-i merr në konsideratë udhëzimet përkatëse të BEREC-ut.
Neni 102
Kriteret e vlerësimit të propozimeve për bashkinvestim
1. Në shqyrtimin e angazhimeve për bashkinvestim, sipas nenit 101 të këtij ligji, AKEP-i vlerëson nëse janë përmbushur minimalisht kriteret e mëposhtme:
a) oferta e bashkinvestimit të jetë e hapur për çdo sipërmarrës gjatë gjithë ekzistencës së rrjetit të ndërtuar, sipas një oferte bashkinvestimi mbi baza jodiskriminuese. Sipërmarrësi i përcaktuar me fuqi të ndjeshme në treg përfshin në ofertë kushte të arsyeshme në lidhje me kapacitetin financiar të çdo sipërmarrësi, në mënyrë që bashkinvestitorët e mundshëm të demonstrojnë aftësinë e tyre për të kryer pagesa me faza, mbi bazën e të cilave është planifikuar shtrimi i rrjetit, të përfshijnë pranimin e një plani strategjik, mbi bazën e të cilit përgatiten planet afatmesme të shtrirjes etj.;
b) oferta transparente të bashkinvestimit, veçanërisht:
i. oferta të jetë e disponueshme dhe lehtësisht e aksesueshme në faqen e internetit të sipërmarrësit, të përcaktuar me fuqi të ndjeshme në treg;
ii. kushtet e plota të detajuara të vihen në dispozicion pa vonesë për çdo ofertues të mundshëm që shpreh një interes, duke përfshirë formën ligjore të marrëveshjes së bashkinvestimit dhe, kur është e nevojshme, edhe termat kryesorë për të cilët udhëhiqen parimet e bashkëfinancimit; dhe
iii. procesin, që përfshin udhërrëfyesin për krijimin dhe zhvillimin e projektit të bashkinvestimit dhe të gjitha momentet e rëndësishme u komunikohen qartë të gjithë sipërmarrësve, pa asnjë diskriminim;
c) oferta e bashkinvestimit përfshin kushte për bashkinvestitorët e mundshëm dhe favorizon konkurrencën e qëndrueshme në periudhë afatgjatë, në veçanti:
i. të gjithë sipërmarrësve u ofrohen terma dhe kushte të drejta, të arsyeshme dhe jodiskriminuese për pjesëmarrjen në marrëveshjen e bashkinvestimit, në përputhje me kohën kur ato bashkohen, duke përfshirë termat e pozicionit financiar të nevojshëm për përvetësimin e të drejtave specifike, në kushtet e mbrojtjes që u jepet bashkinvestitorëve nga këto të drejta, si gjatë fazës së ndërtimit, ashtu edhe gjatë fazës së shfrytëzimit, si përmes dhënies së të drejtave të pakthyeshme të përdorimit për jetëgjatësinë e pritshme të rrjetit të bashkinvestuar, në termat e kushtet për t’u bërë pjesë e projektit apo në përfundimin e mundshëm të marrëveshjes së bashkinvestimit.
Kushtet jodiskriminuese në këtë kontekst nuk nënkuptojnë që të gjithë bashkinvestitorëve potencialë t’u ofrohen saktësisht të njëjtat kushte, përfshirë kushtet financiare, por atë që të gjitha variacionet e kushteve të ofruara të justifikohen mbi bazën e kritereve të njëjta objektive, transparente, jodiskriminuese dhe të parashikueshme, sikurse numri i linjave të përdoruesve fundorë, për të cilët është marrë angazhimi;
ii. oferta lejon fleksibilitet në lidhje me vlerën dhe kohën e angazhimit të ofruar nga secili bashkinvestitor, për shembull me anë të një marrëveshjeje të dakordësuar dhe rritjes së përqindjes të linjave totale të përdoruesve fundorë në një zonë të caktuar, për të cilën bashkinvestitorët mundësojnë angazhim gradual në një zonë të tillë, e cila u ofron kushte investitorëve më të vegjël, me burime të kufizuara të hyjnë në bashkinvestim në një shkallë minimale të arsyeshme dhe të shtojnë gradualisht pjesët e tyre nëpërmjet garantimit të angazhimeve fillestare të përshtatshme. Përcaktimi i masës së angazhimit në financimin e ofruar nga secili bashkinvestitor reflekton faktin se investitorët e angazhuar në fazat më të hershme, injektojnë kapitalin më shpejt dhe marrin përsipër risk më të madh;
iii. rritja e përfitimeve me kalimin e kohës konsiderohet e justifikuar për angazhimet e bëra në fazat e mëvonshme të projektit dhe për bashkinvestitorët e rinj, të cilët bëhen pjesë e bashkinvestimit, pas fillimit të projektit, për të pasqyruar uljen e rrezikut dhe për të kundërshtuar çdo nxitje për ta mbajtur kapitalin në burim në fazat e mëparshme;
iv. marrëveshja e bashkinvestimit lejon kalimin e të drejtave të fituara nga bashkinvestitori te bashkinvestitorët e tjerë ose palët e treta, që dëshirojnë të hyjnë në marrëveshjen e bashkinvestimit, me kusht që sipërmarrësi përfitues të jetë i detyruar të përmbushë të gjitha detyrimet fillestare të transferuesit, sipas marrëveshjes fillestare të bashkinvestimit të këtij të fundit;
v. bashkinvestitorët i ofrojnë njëri-tjetrit të drejta reciproke mbi baza të drejta dhe terma e kushte të arsyeshme për të aksesuar infrastrukturën e bashkinvestuar, me qëllim ofrimin e shërbimeve në rrjedhën e poshtme downstream, duke përfshirë përdoruesit fundorë, në përputhje me kushte transparente që bëhen të qarta në ofertën e bashkinvestimit dhe marrëveshjeve pasuese, që mund të burojnë prej saj, veçanërisht kur bashkinvestitorët janë përgjegjës individualisht ose më vete për shtrirjen e pjesëve specifike të rrjetit. Pajisjet e krijuara në kuadër të bashkinvestimit duhet t’u ofrojnë akses në rrjet të gjithë bashkinvestitorëve, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në mënyrë ekuivalente me kontributin, në përputhje me terma dhe kushte të drejta dhe të arsyeshme, ku përfshihen kushtet financiare që pasqyrojnë nivele të ndryshme të riskut të ndërmarrë nga secili bashkinvestitor;
ç) oferta e bashkinvestimit siguron një investim të qëndrueshëm, që synon të përmbushë nevojat e ardhshme të tregut, ku të përfshihen elemente të reja të rrjetit që kontribuojnë ndjeshëm në shpërndarjen e rrjeteve me kapacitet shumë të lartë.
2. Në përputhje me rrethanat kombëtare dhe strukturën e tregut, AKEP-i mund të konsiderojë në vlerësim kritere shtesë, për aq sa janë të nevojshme, për të siguruar aksesin e investitorëve të mundshëm në bashkinvestim.
Neni 103
Ndarja funksionale
1. Kur AKEP-i arrin në përfundimin se detyrimet e vendosura në përputhje me parashikimet e neneve 93 deri në 99 të këtij ligji kanë dështuar në arritjen e konkurrencës efektive dhe se në treg vijon ekzistenca e problemeve të rëndësishme dhe të vazhdueshme të konkurrencës ose dështimet e tregut që lidhen me ofrimin e aksesit me shumicë për disa pjesë të tregut, atëherë, në rrethana përjashtimore, në përputhje me nënndarjen e dytë të pikës 4 të nenit 92 të këtij ligji, AKEP-i vendos ndaj sipërmarrësve të integruar vertikalisht detyrimin për ndarjen e aktivitetit të ofrimit të shërbimeve me shumicë në një njësi operuese biznesi të ndarë dhe të pavarur nga pjesa e tregjeve të rrjedhës së poshtme.
2. Njësia e re e pavarur e biznesit ofron akses në produktet dhe shërbimet e saj për të gjithë sipërmarrësit, duke përfshirë edhe bizneset që nuk janë pjesë e shoqërisë mëmë, me terma e kushte të njëjta, për afate kohore të njëjta, ku përfshihen edhe termat dhe kushtet që kanë të bëjnë me çmimet dhe shërbimet e ofruara nëpërmjet sistemeve dhe proceseve të njëjta.
3. Përpara vendimmarrjes për vendosjen e detyrimit të ndarjes funksionale, AKEP-i konsultohet me Autoritetin e Konkurrencës dhe i paraqet ministrisë një kërkesë që përfshin:
a) dokumentacionin me provat që justifikojnë përfundimet e AKEP-it, të përmendur në pikën 1 të këtij neni;
b) dokumentacionin në lidhje me komentet dhe opinionet e Autoritetit të Konkurrencës;
c) një vlerësim të arsyetuar që çon në përfundimin se nuk ka ose nuk ka gjasa për konkurrencë efektive dhe të qëndrueshme, të bazuar në infrastrukturë, brenda një afati të arsyeshëm kohor;
ç) një analizë mbi ndikimin ndaj sipërmarrësit, veçanërisht në burimet njerëzore të shoqërisë së ndarë dhe në sektorin e komunikimeve elektronike në tërësi, si dhe mbi stimujt për të investuar në të, veçanërisht në lidhje me nevojën për të siguruar dhe kohezionin social e territorial dhe te sipërmarrësit e tjerë, duke përfshirë, në veçanti, ndikimin e pritshëm në konkurrencën e tregut dhe efektet e mundshme te përdoruesit fundorë;
d) një analizë të arsyeve që justifikojnë vendosjen e këtij detyrimi, si masa më eficiente për të zbatuar mjetet juridike, që synojnë adresimin e problemeve të konkurrencës ose dështimeve të tregjeve të identifikuara.
4. Masat e ndërmarra duhet të përfshijnë elementet e mëposhtme:
a) natyrën dhe nivelin e saktë të ndarjes, duke specifikuar në veçanti statusin ligjor të njësisë ekonomike të veçantë;
b) identifikimin e aktiveve të njësisë ekonomike të ndarë dhe produkteve ose shërbimeve që do të ofrohen nga ajo njësi ekonomike;
c) marrëveshjet për strukturën administruese për të garantuar pavarësinë në punësimin e stafit nga struktura e ndarë e biznesit dhe stimujt për strukturën përkatëse;
ç) rregullat për garantimin e përmbushjes së detyrimeve;
d) rregullat për garantimin e transparencës së procedurave operacionale, në veçanti ndaj palëve të tjera të interesuara;
dh) një program monitorimi për të siguruar përputhshmërinë e zbatimit të detyrimeve, duke përfshirë publikimin e një raporti vjetor.
5. Me vendim të Këshillit të Ministrave miratohen procedurat e detajuara për ndarjen funksionale, në zbatim të këtij neni, me propozimin e ministrit, pas marrjes së mendimit nga AKEP-i.
6. Sipërmarrësi, ndaj të cilit është vendosur detyrim për ndarje funksionale, është subjekt i vendosjes së çdo detyrimi rregullator, të parashikuar në nenet 93 deri në 99 të këtij ligji, në çdo treg përkatës specifik, për të cilin është shpallur me fuqi të ndjeshme në treg, sipas procedurave ose detyrimeve të tjera të parashikuara sipas nenit 92 të këtij ligji.
Neni 104
Ndarja vullnetare e një sipërmarrësi të integruar vertikalisht
1. Sipërmarrësit e shpallur me fuqi të ndjeshme në një ose disa tregje përkatëse, në përputhje me nenin 90 të këtij ligji, informojnë AKEP-in të paktën tre muaj përpara çdo transferimi të synuar të aseteve të rrjetit të tyre për aksesin lokal ose të një pjese të konsiderueshme të tyre, te një person juridik tjetër me pronësi të ndryshme ose për themelimin e një entiteti biznesi të veçantë, me qëllim sigurimin e ofrimit për të gjithë ofruesit e shitjes me pakicë, përfshirë segmentet e veta të shitjes me pakicë të produkteve ekuivalente të aksesit.
2. Sipërmarrësit, sipas pikës 1 të këtij neni, informojnë AKEP-in për çdo ndryshim për realizimin e këtij qëllimi, si dhe pritshmëritë për rezultatin përfundimtar të procesit të ndarjes. Sipërmarrësit ofrojnë gjithashtu angazhime në lidhje me kushtet e aksesit që zbatohen në rrjetin e tyre gjatë një periudhe zbatimi pas ndarjes së propozuar, me synimin për të garantuar akses efektiv dhe jodiskriminues për palët e treta.
3. Oferta e angazhimeve sipas pikës 2 të këtij neni, duhet të përmbajë detaje të mjaftueshme, duke përfshirë afatet kohore të zbatimit dhe kohëzgjatjen, në mënyrë që të lejojë AKEP-in të ushtrojë kompetencat e tij në përputhje me këtë nen. Angazhime të tilla shtrihen përtej periudhës maksimale për rishikimet e analizës së tregut, të përcaktuar në nenin 90 të këtij ligji.
4. AKEP-i, sipas rastit, vlerëson efektin e transaksionit të synuar, së bashku me angazhimet e propozuara mbi detyrimet rregullatore ekzistuese. Për këtë qëllim, AKEP-i bën një analizë të tregjeve të ndryshme që lidhen me aksesin në rrjet, sipas procedurës së përcaktuar në nenin 90 të këtij ligji.
5. AKEP-i merr parasysh çdo angazhim të ofruar nga sipërmarrja, duke u mbështetur veçanërisht tek objektivat e përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji. AKEP-i konsultohet me palët e treta në përputhje me nenin 44 të këtij ligji, në tërësi dhe në veçanti konsideron pikëpamjet e tyre mbi prekjen e drejtpërdrejtë nga transaksioni i synuar. AKEP-i merr mendimin e ministrit në rastin e ndryshimeve të rëndësishme të njoftuara nga një sipërmarrës, sipas pikës 1 të këtij neni, të cilat impaktojnë përmbushjen e objektivave strategjikë, sipas nenit 5 të këtij ligji.
6. Në bazë të analizës së tij, AKEP-i vendos, ruan, ndryshon ose heq detyrimet në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 44 të këtij ligji dhe, nëse është e nevojshme, aplikon parashikimet e nenit 106 të këtij ligji. Në vendimin e tij AKEP-i vendos t’i bëjë të detyrueshme disa ose të gjitha angazhimet e ndërmarra. Pavarësisht parashikimit të pikës 5 të nenit 90 të këtij ligji, AKEP-i i bën të detyrueshme disa ose të gjitha angazhimet për të gjithë periudhën për të cilën ato ofrohen.
7. AKEP-i monitoron zbatimin e angazhimeve të ofruara nga sipërmarrësit, të cilat i ka bërë të detyrueshme në përputhje me pikën 6 të këtij neni dhe merr në konsideratë zgjatjen e tyre kur të ketë mbaruar periudha për të cilën ato janë vendosur fillimisht.
Neni 105
Procedura e angazhimeve
1. Sipërmarrësit e shpallur me fuqi të ndjeshme në tregun përkatës mund t’i propozojnë AKEP-it ndërmarrjen e angazhimeve në lidhje me kushtet për aksesin, bashkinvestimin ose për të dyja së bashku, të zbatueshme në rrjetet e tyre, që kanë të bëjnë ndër të tjera me:
a) marrëveshjet e bashkëpunimit relevante me vlerësimin e detyrimeve të përshtatshme dhe proporcionale, në përputhje me nenin 92 të këtij ligji;
b) bashkinvestimin në rrjete me kapacitet shumë të lartë, sipas nenit 101 të këtij ligji; ose
c) aksesin efektiv dhe jodiskriminues për palët e treta, në përputhje me parashikimet e nenit 104 të këtij ligji, si gjatë periudhës së procesit të ndarjes vullnetare nga një shoqëri e integruar vertikalisht, ashtu edhe pasi të finalizohet forma e propozuar e ndarjes.
2. Propozimi për angazhime duhet të jetë i detajuar mjaftueshëm, duke përfshirë afatet kohore, fushën e veprimit, si dhe kohëzgjatjen e tyre, për t’i mundësuar AKEP-it kryerjen e vlerësimit, sipas këtij neni. Angazhimet e propozuara duhet të shtrihen përtej afateve kohore për kryerjen e analizave të tregut të parashikuara në nenin 90 të këtij ligji.
3. Për vlerësimin e çdo angazhimi të propozuar nga një sipërmarrës, sipas pikës 1 të këtij neni, AKEP-i, përveç rasteve kur angazhimet qartësisht nuk plotësojnë një ose më shumë nga kushtet apo kriteret përkatëse të parashikuara, kryen një test tregu, veçanërisht për kushtet e ofruara, duke mbajtur një këshillim publik me palët e interesuara, në veçanti me palët e treta që preken drejtpërdrejt.
4. Bashkinvestitorët e mundshëm ose kërkuesit e aksesit japin pikëpamjet mbi përputhshmërinë e angazhimeve të propozuara me kushtet e parashikuara në nenet 92, 101 ose 104 të këtij ligji dhe paraqesin komente apo sugjerime për ndryshime.
5. Për sa u përket angazhimeve të propozuara, sipas këtij neni, AKEP-i, kur vlerëson detyrimet sipas pikës 5 të nenit 92 të këtij ligji, mban parasysh:
a) evidentimin e qartë të angazhimeve të drejta dhe të arsyeshme në propozimin e bërë;
b) angazhime të hapura për të gjithë pjesëmarrësit e tregut;
c) disponueshmërinë në kohë për akses në rrjet me kushte të drejta, të arsyeshme dhe jodiskriminuese, duke përfshirë rrjetet me kapacitet shumë të lartë, përpara fillimit të shërbimeve të ofruara në tregun e pakicës; dhe
ç) përshtatshmërinë e angazhimeve të propozuara, që të mundësojë konkurrencë të qëndrueshme në tregun e rrjedhës së poshtme dhe të lehtësojë bashkëpunimin për shtrirjen e rrjetit për arritjen e zhvillimit të rrjeteve me kapacitet shumë të lartë transmetues, në interes të përdoruesve fundorë.
6. Pas vlerësimit dhe konsiderimit të të gjitha komenteve dhe pikëpamjeve të paraqitura gjatë procesit të këshillimit publik nga palë të ndryshme të interesuara, AKEP-i i komunikon sipërmarrësit të shpallur me fuqi të ndjeshme në tregun përkatës gjetjet paraprake, pavarësisht nëse këto angazhime përputhen me objektivat, kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë nen dhe, sipas rastit, me nenet 92, 101 dhe 104 të këtij ligji, mbi kushtet e të cilave konsiderohet që i bën këto angazhime të detyrueshme.
7. Sipërmarrësi rishikon propozimin fillestar, duke marrë në konsideratë gjetjet paraprake të AKEP-it, me qëllim përmbushjen e kritereve të përcaktuara në këtë nen dhe, sipas rastit, në nenet 92, 101 dhe 104 të këtij ligji.
8. Në përputhje me parashikimet e pikës 3 të nenit 101 të këtij ligji, AKEP-i merr vendim për t’i bërë pjesërisht ose plotësisht të detyrueshme angazhimet e sipërmarrësit.
9. Me përjashtim të pikës 6 të nenit 90 të këtij ligji, AKEP-i vendos t’i bëjë të detyrueshme një pjesë ose të gjitha angazhimet e ndërmarra nga sipërmarrësi për një periudhë kohore të caktuar, e cila përfshin të gjithë periudhën e ofrimit të tyre dhe për rastet e angazhimeve, në kuadër të bashkëfinancimit, t’i bëjë të detyrueshme në përputhje me pikën 3 të nenit 101 të këtij ligji, për t’u zbatuar për një periudhë kohore minimumi 7 vjet.
10. Përcaktimet e nenit 101 të këtij ligji aplikohen pa cenuar procesin e analizave të tregut, në përputhje me nenin 90 të këtij ligji dhe vendosjen e detyrimeve.
11. Në rastet kur AKEP-i i bën të detyrueshme angazhimet sipas këtij neni, në përputhje me përcaktimet e nenit 92 të këtij ligji, AKEP-i vlerëson pasojat e mundshme të këtij vendimi në zhvillimin e tregut dhe përshtatshmërinë e çdo detyrimi të vendosur apo që do të vendoset, në mungesë të këtyre angazhimeve, të konsideruara për t’u vendosur sipas nenit 92 apo neneve 93 deri në 99 të këtij ligji. Në njoftimin e draftmasave të parashikuara për t’u vendosur sipas nenit 92 të këtij ligji, AKEP-i e shoqëron njoftimin me vendimin për angazhimet.
12. AKEP-i monitoron, mbikëqyr dhe siguron respektimin e angazhimeve, të cilat i ka bërë të detyrueshme në përputhje me pikën 8 të këtij neni, në të njëjtën mënyrë si monitoron, mbikëqyr dhe siguron respektimin e detyrimeve të vendosura sipas nenit 92 të këtij ligji, dhe merr në konsideratë shtrirjen e tyre për periudhën kohore për të cilën ato janë bërë të detyrueshme kur përfundon periudha fillestare.
13. Nëse AKEP-i arrin në përfundimin se një sipërmarrës nuk ka respektuar angazhimet që janë bërë të detyrueshme në përputhje me pikën 8 të këtij neni, vendos penalitete ndaj këtij sipërmarrësi në përputhje me parashikimet në nenet 183 dhe 184 të këtij ligji.
14. AKEP-i mund të rivlerësojë detyrimet e vendosura në përputhje me pikën 7 të nenit 92 të këtij ligji, pavarësisht nga procedurat e inspektimit dhe monitorimit për sigurimin e përputhshmërisë me detyrimet specifike, sipas këtij ligji.
Neni 106
Sipërmarrësi vetëm me shumicë
1. Nëse AKEP-i, në përputhje me parashikimet e nenit 90 të këtij ligji, shpall një sipërmarrës me fuqi të ndjeshme në treg në një ose disa tregje të shitjes me shumicë, që nuk ofron shërbime të komunikimeve elektronike në tregjet me pakicë, AKEP-i shqyrton nëse ky sipërmarrës plotëson karakteristikat e mëposhtme:
a) të gjitha shoqëritë dhe njësitë e biznesit të sipërmarrësit, që kontrollohen, por jo domosdoshmërish zotërohen nga i njëjti pronar fundor apo ndonjë aksionar, që ushtron kontrollin mbi sipërmarrësin, aktualisht apo planet në të ardhmen, kanë aktivitet vetëm në tregun e shitjes me shumicë të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe nuk kanë asnjë aktivitet në ndonjë nga tregjet e ofrimit të shitjes me pakicë të shërbimeve të komunikimeve elektronike, që ofrohen për përdoruesit fundorë në Republikën e Shqipërisë;
b) sipërmarrësi nuk është i detyruar që të angazhohet në marrëveshje të vetme me një operator të caktuar, i cili ushtron aktivitet në rrjedhën e poshtme downstream, dhe që është aktiv në ndonjë treg të ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike me pakicë për përdoruesit fundorë apo është pjesë e një marrëveshjeje, e cila de facto i nënshtrohet një marrëveshjeje ekskluzive.
2. Nëse AKEP-i arrin në përfundimin se detyrimet e vendosura në përputhje me pikën 1 të këtij neni janë plotësuar, atëherë ai mund të vendosë ndaj këtij sipërmarrësi vetëm detyrimet e parashikuara në nenet 95 dhe 98 të këtij ligji, ose të përafërta me çmime relativisht të drejta dhe të arsyeshme, nëse kjo justifikohet mbi bazën e analizës së tregut përkatës, duke përfshirë edhe një vlerësim për sjelljen e mundshme të sipërmarrësit të shpallur me fuqi të ndjeshme në tregun përkatës.
3. AKEP-i rishikon detyrimet e vendosura ndaj sipërmarrësit në përputhje me këtë nen në çdo kohë, nëse konstaton se kushtet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni nuk plotësohen më dhe, sipas rastit, zbaton parashikimet e neneve 90 deri në 99 të këtij ligji. Sipërmarrësit informojnë pa vonesë AKEP-in për çdo ndryshim sipas rrethanave, që lidhet me pikën 1 të këtij neni.
4. AKEP-i rishikon gjithashtu detyrimet e vendosura ndaj sipërmarrësit të shpallur me fuqi të ndjeshme në treg, në përputhje me këtë nen, nëse, bazuar në provat që termat dhe kushtet e ofruara nga sipërmarrësi për klientët e tij të rrjedhës së poshtme downstream kanë sjellë apo mund të sjellin shqetësime dhe probleme për konkurrencën në treg, të cilat afektojnë përdoruesit fundorë, e për të cilat ka nevojë për vendosjen e një ose më shumë detyrimeve të parashikuara në nenet 93, 96, 97 ose 99 të këtij ligji, ose për ndryshimin e detyrimeve të vendosura në përputhje me pikën 2 të këtij neni.
5. Vendosja e detyrimeve dhe rishikimi i tyre, në përputhje me këtë nen, do të zbatohet në përputhje me procedurat e konsultimit, të parashikuara në nenin 44 të këtij ligji.
Neni 107
Migrimi i infrastrukturës së trashëguar
1. Sipërmarrësit e shpallur me fuqi të ndjeshme në treg në një ose disa tregje përkatëse, në përputhje me nenin 90 të këtij ligji, njoftojnë paraprakisht dhe në kohën e duhur AKEP-in kur planifikojnë të heqin ose të zëvendësojnë me një infrastrukturë të re pjesë të rrjetit, duke përfshirë infrastrukturën e trashëguar, të nevojshme për të operuar një rrjet bakri, të cilat janë subjekt i detyrimeve sipas neneve 92 deri në 106 të këtij ligji.
2. AKEP-i siguron që procesi i çmontimit ose zëvendësimit të përfshijë një orar dhe kushte transparente, me një periudhë të përshtatshme njoftimi për tranzicionin dhe të vendosë disponueshmërinë e produkteve alternative me cilësi të krahasueshme, duke siguruar akses në infrastrukturën e rrjetit të përmirësuar, duke zëvendësuar elementet e nevojshme për të mbrojtur konkurrencën dhe të drejtat e përdoruesve fundorë.
3. Në lidhje me asetet që propozohen për heqje ose zëvendësim, AKEP-i tërheq detyrimet pasi të ketë konstatuar se ofruesi i aksesit:
a) ka krijuar kushtet e përshtatshme për migrimin, duke përfshirë vënien në dispozicion të një produkti alternativ aksesi, me cilësi të krahasueshme, siç kur ishte i disponueshëm, duke përdorur infrastrukturën e trashëguar dhe që u mundëson kërkuesve të aksesit të arrijnë të njëjtët përdorues fundorë;
b) ka respektuar kushtet dhe ka kryer njoftimin për procesin në AKEP, sipas këtij neni.
Një tërheqje e tillë zbatohet në përputhje me procedurat e përmendura në nenin 44 të këtij ligji.
4. Ky nen nuk cenon disponueshmërinë e produkteve të rregulluara, si: fibrat e errëta, aksesin lokal të pakufizuar virtual ose produkte të tjera bitstream, të imponuara nga AKEP-i për infrastrukturën e përmirësuar të rrjetit, në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenet 90 dhe 92 të këtij ligji.
Neni 108
Udhëzime për rrjetet me kapacitet shumë të lartë
AKEP-i nxjerr rregullore për rrjetet me kapacitet shumë të lartë bazuar në udhëzuesin e BEREC-ut për rrjetet me kapacitet shumë të lartë, dhe specifikon kriteret që duhet të plotësojë një rrjet në tregun kombëtar, për t’u konsideruar si një rrjet me kapacitet shumë të lartë, veçanërisht për sa u përket parametrave të gabimit down and up-link bandwidth resilience error-related, vonesës dhe variacionit të saj. Kriteret, që duhet të plotësojë një rrjet në tregun kombëtar për t’u konsideruar si një rrjet me kapacitet shumë të lartë, përditësohen nga AKEP-i në mënyrë periodike, bazuar në udhëzimet përkatëse të BEREC-ut.
KREU XV
KONTROLLI RREGULLATOR I SHËRBIMEVE ME PAKICË
Neni 109
Kontrolli rregullator i shërbimeve të shitjes me pakicë
1. AKEP-i vendos detyrime rregullatore për sipërmarrësit e shpallur me fuqi të ndjeshme në treg, në një treg përkatës me pakicë, në përputhje me këtë ligj kur:
a) nëse nga rezultatet e një analize tregu, të kryer në përputhje me nenin 90 të këtij ligji, AKEP-i përcakton se një treg i caktuar me pakicë, i identifikuar në përputhje me nenin 89 të këtij ligji, nuk është në konkurrencë efektive;
b) AKEP-i arrin në përfundimin se detyrimet e vendosura sipas neneve 93 deri në 99 të këtij ligji, për tregun e lidhur me shumicë nuk çojnë në arritjen e objektivave të nenit 5 të këtij ligji.
2. Detyrimet e vendosura sipas pikës 1 të këtij neni bazohen në natyrën e problemit të identifikuar dhe janë proporcionale dhe të justifikuara për përmbushjen e objektivave të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji. Detyrimet e vendosura përfshijnë kërkesa që sipërmarrësit e identifikuar të mos ofrojnë çmime të larta, të cilat pengojnë hyrjen në treg ose kufizojnë konkurrencën, duke vendosur çmime grabitqare, të mos tregojnë preferenca të panevojshme ndaj përdoruesve fundorë specifikë ose shërbime paketë, në mënyrë të paarsyeshme. AKEP-i zbaton ndaj këtyre sipërmarrësve masat e duhura të kufirit të çmimit të shitjes me pakicë, masat për të kontrolluar tarifat individuale ose masat për orientimin e tarifave drejt kostove ose çmimeve në tregje të krahasueshme për të mbrojtur interesat e përdoruesve fundorë dhe për të nxitur konkurrencën efektive.
3. AKEP-i siguron që, kur një sipërmarrës i nënshtrohet rregullimit të tarifave me pakicë ose rregullimeve të tjera përkatëse të shitjes me pakicë, zbatohen sistemet e nevojshme dhe të përshtatshme të kontabilitetit të kostos. AKEP-i specifikon formatin dhe metodologjinë e kontabilitetit që përdoret. Pajtueshmëria me sistemin e kontabilitetit të kostos verifikohet nga një organ i pavarur i kualifikuar. AKEP-i siguron që çdo vit të publikohet një deklaratë në lidhje me pajtueshmërinë.
4. Përpara nxjerrjes së vendimit për rregullimin e tarifave me pakicë, AKEP-i kryen një proces konsultimi me palët e interesuara në përputhje me nenet 44 dhe 45 të këtij ligji.
5. Vendimi për rregullimin e tarifave përfshin dispozita që kanë të bëjnë me:
a) një afat të arsyeshëm kohor;
b) detyrimin për dhënien e informacionit sipas nenit 41 të këtij ligji;
c) kushtet për kohën e aplikimit në treg të tarifave të miratuara;
ç) kushtet shoqëruese në rast se një tarifë zbatohet ndryshe nga ajo e miratuar ose ajo ndryshohet pas miratimit;
d) detyrimet për rregullimin e tarifave të miratuara në rast se ndryshojnë tarifat e aksesit dhe të interkoneksionit;
dh) kushtet për njoftimin e ndryshimeve në tarifat sipas çmimeve të rregulluara.
6. AKEP-i nuk zbaton mekanizmat e kontrollit të shitjes me pakicë, sipas pikës 1 të këtij neni, për tregjet gjeografike ose të përdoruesve fundorë, kur është i bindur se ka konkurrencë efektive.
KREU XVI
DETYRIME TË SHËRBIMIT UNIVERSAL
Neni 110
Shërbim i përballueshëm universal
1. AKEP-i siguron që të gjithë konsumatorët në territorin e Republikës së Shqipërisë të kenë akses kundrejt një çmimi të përballueshëm, sipas kushteve specifike kombëtare, në shërbimet e disponueshme dhe të përshtatshme të internetit broadband dhe në shërbimet e komunikimit zanor, sipas cilësisë së specifikuar nga AKEP-i, duke përfshirë sigurimin e lidhjes në rrjet nga një vendndodhje fikse.
2. AKEP-i siguron gjithashtu disponushmërinë e shërbimeve të përballueshme, të përmendura në pikën 1 të këtij neni, edhe nga vendndodhje jofikse, kur kjo është e nevojshme për sigurimin e pjesëmarrjes se plotë sociale dhe ekonomike të konsumatorëve në shoqëri.
3. Përkufizimi i shërbimit të aksesit të internetit broadband, për qëllimet e pikës 1 të këtij neni, bëhet nga AKEP-i me qëllim sigurimin e kapacitetit të lidhjes broadband, të nevojshme për pjesëmarrjen sociale dhe ekonomike në shoqëri, duke marrë parasysh kapacitetin minimal të lidhjes broadband, që gëzon shumica e konsumatorëve në Republikën e Shqipërisë.
4. Shërbimi i aksesit në internet broadband duhet të jetë në gjendje të ofrojë kapacitetin e nevojshëm për të mbështetur të paktën shërbimet e mëposhtme:
a) e-mail;
b) motorët e kërkimit, që mundësojnë kërkimin dhe gjetjen e të gjitha llojeve të informacionit;
c) instrumente të trajnimit dhe edukimit bazë online;
ç) gazeta, lajme online;
d) blerjen, porositjen e mallrave ose shërbimeve në internet;
dh) kërkimin për punë dhe mjetet e kërkimit të punës;
e) rrjetet profesionale;
ë) shërbimet bankare në internet;
f) përdorimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike;
g) mediet sociale dhe mesazhet e çastit;
gj) thirrjet dhe videothirrjet me cilësi standarde.
5. Lidhja në rrjet, e përmendur në pikën 1, dhe kur është e zbatueshme në pikën 2 të këtij neni, mund të kufizohet për të mbështetur vetëm shërbimet e komunikimit zanor, kur këtë e kërkon konsumatori.
6. AKEP-i, në konsultim me ministrinë dhe pas kryerjes së një konsultimi publik, në përputhje me nenin 45 të këtij ligji, mund të zgjerojë fushën e zbatimit të këtij neni, duke përfshirë ndërmarrjet mikro ose ndërmarrjet e vogla dhe të mesme apo organizatat jofitimprurëse.
Neni 111
Sigurimi i shërbimit universal
1. AKEP-i mund të përcaktojë një ose më shumë sipërmarrës për të ofruar shërbimin universal, sipas përkufizimit në pikën 3 të nenit 110 të këtij ligji, përfshirë, për aq sa është e zbatueshme, kërkesat e pikës 4 të nenit 110, në mënyrë që të mbulohet i gjithë territori i vendit. AKEP-i mund të përcaktojë sipërmarrës të ndryshëm ose një bashkim sipërmarrësish për të ofruar elemente të ndryshme të shërbimit universal ose për të mbuluar pjesë të ndryshme të territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Rregullat për përcaktimin e ofruesit të shërbimit universal miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit dhe bazohen në parimet e efektivitetit, objektivitetit, transparencës dhe mosdiskriminimit. Asnjë sipërmarrës nuk duhet të jetë i përjashtuar paraprakisht nga e drejta për të qenë ofrues i shërbimit universal.
3. AKEP-i kryen procedurën e përcaktimit të ofruesit të shërbimit universal, në përputhje me rregullat e miratuara sipas pikës 2 të këtij neni, duke marrë parasysh:
a) rrethanat dhe zhvillimin e tregut të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, lidhur me nevojën e zbatimit të shërbimit universal;
b) aftësitë teknike, financiare dhe besueshmërinë e sipërmarrësit për ofrimin e shërbimit universal në një zonë të caktuar ose në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në periudhën kohore të përcaktuar;
c) kostot përkatëse neto për ofrimin e shërbimit universal, si dhe, për sa është e zbatueshme, vlerën përkatëse të kompensimit që mund të kërkohet nga operatori për ofrimin e shërbimit universal.
4. Pas përfundimit të procedurës së përcaktimit dhe pas miratimit paraprak të ministrit, AKEP-i nënshkruan marrëveshjen me ofruesin e shërbimit universal.
5. AKEP-i do të mbikëqyrë në mënyrë të vazhdueshme veprimtarinë e ofruesit të shërbimit universal. Ofruesi i shërbimit universal i dorëzon AKEP-it, të paktën një herë në vit, të dhëna për veprimtarinë e tij.
6. Kur një ofrues i shërbimit universal synon të transferojë një pjesë të konsiderueshme ose të gjitha asetet e rrjetit të tij të aksesit lokal te një person juridik në pronësi tjetër, ai duhet të njoftojë paraprakisht AKEP-in për t’i mundësuar AKEP-it vlerësimin e efekteve të transaksionit të synuar, në ofrimin e aksesit dhe shërbimeve nga vendndodhje fikse, të përcaktuara në nenin 110 të këtij ligji. AKEP-i vendos ndryshimin ose heqjen e detyrimeve specifike të autorizimit në përputhje me këtë ligj.
Neni 112
Ofrimi i shërbimit universal të përballueshëm
1. AKEP-i monitoron ecurinë dhe nivelin e çmimeve me pakicë të shërbimeve, të përcaktuara në nenin 110 të këtij ligji, të disponueshme në treg, veçanërisht në raport me çmimet dhe të ardhurat e konsumatorit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Kur AKEP-i konstaton se çmimet e shitjes me pakicë për shërbimet e parashikuara në nenin 110 të këtij ligji nuk janë të përballueshme, sipas kushteve specifike të vendit, për shkak se konsumatorët me të ardhura të ulëta ose nevoja të veçanta sociale nuk kanë mundësi të përballojnë aksesin në këto shërbime, merr masa për të siguruar përballueshmërinë për këta konsumatorë të shërbimit të aksesit internet broadband dhe shërbimet e komunikimit zanor, duke u kërkuar ofruesve të këtyre shërbimeve t’u ofrojnë këtyre konsumatorëve tarifa ose paketa tarifore alternative, të ndryshme nga ato që ofrohen në kushte normale tregtare ose të dyja së bashku. AKEP-i mund t’u kërkojë ofruesve të shërbimeve të aplikojnë tarifa të njëjta, përfshirë ofrimin e një tarife të mesatarizuar gjeografike në të gjithë territorin.
3. Në rrethana të jashtëzakonshme, veçanërisht kur vendosja e detyrimeve, sipas pikës 2 të këtij neni, për të gjithë ofruesit rezulton në një barrë të padrejtë administrative ose financiare për ofruesit ose Republikën e Shqipërisë, AKEP-i mund të vendosë detyrimin për të ofruar këto tarifa ose paketa tarifore alternative specifike vetëm për sipërmarrësit e përcaktuar si ofrues të shërbimit universal. Kërkesat e nenit 113 të këtij ligji zbatohen për këta ofrues “mutatis mutandis”.
4. Kur AKEP-i përcakton një ose më shumë sipërmarrës, si ofrues të shërbimit universal, ai siguron që të gjithë konsumatorët me të ardhura të ulëta ose nevoja të veçanta sociale të përfitojnë nga mundësia e zgjedhjes midis sipërmarrësve që ofrojnë opsione tarifore të përshtatshme për nevojat e tyre, përveç rasteve kur kjo është e pamundur ose kur sigurimi i mundësisë së zgjedhjes midis sipërmarrësve krijon një barrë shtesë dhe të tepërt organizative ose financiare.
5. AKEP-i siguron që konsumatorët që kanë të drejtë për tarifa ose paketa tarifore alternative, të lidhin një kontratë me një ofrues të shërbimeve universale, të referuara në nenin 110, të këtij ligji, ose me një ofrues të përcaktuar në përputhje me pikën 4, të këtij neni, duke i siguruar mbajtjen e numrit të tyre të telefonit për një periudhë të përshtatshme kohore, si shmangien e ndërprerjes së paarsyeshme të shërbimit.
6. AKEP-i siguron që sipërmarrësit që ofrojnë tarifa ose paketa tarifore alternative për konsumatorët me të ardhura të ulëta ose nevoja të veçanta sociale, sipas pikës 2 të këtij neni, informojnë AKEP-in për detajet e ofertave të tilla. AKEP-i siguron që kushtet në të cilat sipërmarrësit ofrojnë tarifat ose paketat tarifore alternative, sipas pikës 2 të këtij neni, të jenë plotësisht transparente dhe të publikohen e të zbatohen në përputhje me parimin e mosdiskriminimit. AKEP-i mund të kërkojë modifikimin ose tërheqjen e këtyre tarifave ose paketave tarifore alternative.
7. AKEP-i, duke marrë në konsideratë kushtet kombëtare, siguron që për konsumatorët me aftësi të kufizuara të ofrohet mbështetje e duhur dhe, sipas rastit, të merren masa të tjera specifike për të siguruar që pajisjet fundore përkatëse dhe shërbimet që përmirësojnë aksesin ekuivalent, duke përfshirë aty ku është e nevojshme, shërbimet e konvertimit të plotë të bisedave dhe shërbimet e konvertimit të tekstit janë të disponueshme dhe të përballueshme.
8. Gjatë zbatimit të këtij neni, AKEP-i mban parasysh minimizimin e deformimeve të tregut.
9. AKEP-i mund të zgjerojë fushën e zbatimit të këtij neni për përfshirjen e përdoruesve fundorë që janë ndërmarrje mikro, ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe organizatave jofitimprurëse.
Neni 113
Disponueshmëria e shërbimit universal
1. Kur AKEP-i, bazuar në rezultatet e vrojtimit gjeografik të kryer në përputhje me pikën 1 të nenit 43 të këtij ligji, kur ato janë të disponueshme, si dhe bazuar në çdo të dhënë shtesë të nevojshme, provon që disponueshmëria e një shërbimi të përshtatshëm aksesi në internet broadband dhe shërbimet e komunikimit zanor nga vendndodhje fikse, siç përcaktohen në nenin 110 të këtij ligji, nuk mund të sigurohen në kushte normale të tregut ose nëpërmjet mjeteve të tjera të mundshme të politikave publike të disponueshme në Republikën e Shqipërisë ose pjesë të ndryshme të saj, AKEP-i vendos detyrimet e duhura të shërbimit universal për të përmbushur të gjitha kërkesat e arsyeshme të përdoruesve fundorë për akses në këto shërbime në pjesët përkatëse të territorit të tij.
2. AKEP-i përcakton mënyrën më efikase dhe më të përshtatshme për të siguruar disponueshmërinë e një shërbimi të përshtatshëm aksesi në internet broadband dhe shërbimet e komunikimit zanor nga vendndodhje fikse, siç përcaktohet në përputhje me nenin 110 të këtij ligji, duke respektuar parimet e objektivitetit, transparencës, mosdiskriminimit dhe proporcionalitetit. AKEP-i do të përpiqet që të minimizojë shtrembërimet e tregut, veçanërisht ofrimin e shërbimeve me çmime ose me kushte të tjera që dalin nga kushtet normale tregtare, duke ruajtur njëkohësisht interesin publik.
3. Kur AKEP-i përcakton një ose disa sipërmarrës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ose në pjesë të tij, për të siguruar disponueshmërinë e shërbimeve, ai duhet të përdorë një mekanizëm përcaktimi efikas, objektiv, transparent dhe mosdiskriminues, ku asnjë sipërmarrës nuk përjashtohet paraprakisht nga përcaktimi. Metoda të tilla përcaktimi duhet të sigurojnë që shërbimi i përshtatshëm i aksesit në internet broadband dhe shërbimet e komunikimit zanor nga vendndodhje fikse ofrohen me kosto efektive dhe procesi mund të përdoret si një mjet për përcaktimin e kostos neto të detyrimit të shërbimit universal, në përputhje me nenin 127 të këtij ligji.
Neni 114
Statusi i shërbimeve universale ekzistuese
1. AKEP-i mund të vijojë të sigurojë disponueshmërinë ose përballueshmërinë e shërbimeve të tjera, të ndryshme nga shërbimi i përshtatshëm i aksesit broadband, siç përcaktohet në përputhje me nenin 110 të këtij ligji, dhe shërbimet e komunikimit zanor nga vendndodhje fikse, që kanë qenë në fuqi me hyrjen në fuqi të këtij ligji, nëse nevoja për shërbime të tilla është e justifikuar në kushtet kombëtare. Kur AKEP-i përcakton një ose disa sipërmarrës në të gjithë territorin e vendit ose në pjesë të tij për ofrimin e këtyre shërbimeve, atëherë zbatohen përcaktimet e nenit 113 të këtij ligji. Financimi i këtyre detyrimeve do të jetë në përputhje me nenin 128 të këtij ligji.
2. AKEP-i rishikon detyrimet e vendosura në bazë të këtij neni brenda 3 vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe më pas çdo 3 vjet.
Neni 115
Kontrolli i shpenzimeve
1. AKEP-i siguron që gjatë ofrimit të faciliteteve apo shërbimeve shtesë, përtej atyre të përcaktuara në nenin 110 të këtij ligji, ofruesit e shërbimeve të aksesit të përshtatshëm në internet broadband dhe të shërbimeve të komunikimit zanor, që ofrohen në përputhje me nenet 110 deri në 113 të këtij ligji, nuk i vendosin përdoruesit fundor terma dhe kushte të tilla që të jetë i detyruar të paguajë për lehtësirat ose shërbimet, që nuk janë të nevojshme ose nuk nevojiten për shërbimin e kërkuar.
2. AKEP-i siguron që ofruesit e shërbimeve sipas pikës 1 të këtij neni:
a) të ofrojnë facilitetet dhe shërbimet specifike të përcaktuara në nenin 116 e në vijim të këtij ligji, në mënyrë që konsumatorët të kenë mundësi të monitorojnë dhe të kontrollojnë shpenzimet e tyre;
b) të kenë një sistem të brendshëm për të shmangur ndërprerjen e pajustifikuar të shërbimeve të komunikimit zanor ose të një shërbimi të përshtatshëm të aksesit në internet broadband për konsumatorët, sipas përcaktimeve në nenin 116 të këtij ligji, përfshirë një mekanizëm të përshtatshëm për të kontrolluar vijueshmërinë e interesit për përdorimin e shërbimit.
AKEP-i mund të zgjerojë fushën e zbatimit të kësaj pike te përdoruesit fundorë që janë mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe organizatat jofitimprurëse.
3. Nëse AKEP-i është i kënaqur me shkallën e lartë të disponueshmërisë në kushte normale të tregut të faciliteteve, të referuara në pikën 2 të këtij neni, mund të heqë këto detyrime në një pjesë ose në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 116
Facilitetet dhe shërbimet
1. AKEP-i siguron që facilitetet dhe shërbimet e mëposhtme, të lidhura me kontrollin e shpenzimeve, ndërrimin e ofruesit të shërbimit dhe portabilitetin e numrit dhe lehtësira të tjera shtesë për konsumatorët, sipas rastit, ofrohen nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike:
a) faturimi i detajuar;
b) mundësia e bllokimit me zgjedhje të përdoruesit të komunikimeve dalëse pa pagesë;
c) sistemet e parapagimit;
ç) pagesa me këste e tarifës së lidhjes në rrjet;
d) masat e posaçme në rastin e moskryerjes së pagesave të faturave;
dh) këshilla tarifore;
e) kontrolli i shpenzimeve;
ë) faciliteti për të çaktivizuar faturimin e palëve të treta;
f) lehtësira shtesë, sipas këtij ligji.
2. Facilitetet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni ofrohen për konsumatorët dhe kategoritë e tjera të përdoruesit fundor, me përjashtim të shkronjave “c”, “ç” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni, që zbatohen vetëm për konsumatorët.
Neni 117
Faturimi i detajuar
1. Sipërmarrësit janë të detyruar t’u ofrojnë përdoruesve fundorë faturë të detajuar dhe pa pagesë, me qëllim që përdoruesit të kenë mundësi:
a) të verifikojnë dhe të kontrollojnë tarifat e aplikuara për përdorimin e shërbimit të aksesit në internet dhe/ose shërbimeve të komunikimit zanor ose shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, të bazuar në numra, në rastin e nenit 154 të këtij ligji;
b) të monitorojnë në mënyrën e duhur përdorimin dhe shpenzimet e tyre dhe në këtë mënyrë të ushtrojnë një shkallë të arsyeshme kontrolli mbi faturat e tyre.
2. AKEP-i, në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, përcakton nivelin bazë të faturave të detajuara që ofruesit u ofrojnë pa pagesë përdoruesve fundorë. Përdoruesit fundorë kanë gjithashtu të drejtë të marrin faturë jo të detajuar, pa pagesë.
3. Kur është e përshtatshme, ofruesi mund t’u ofrojë përdoruesve fundorë të tij fatura me nivel më të detajuar, kundrejt aplikimit të tarifave të arsyeshme ose pa pagesë për detajimin shtesë.
4. Fatura e detajuar përfshin një evidentim të qartë të identitetit të ofruesit të shërbimit dhe kohëzgjatjes së tarifuar të shërbimeve me vlerë të shtuar, që përdorin numra me tarifa “premium”, përveç rastit kur përdoruesi fundor ka kërkuar që ky informacion të mos përfshihet në faturë.
5. Në faturën e përmendur në pikën 1 të këtij neni, mund të mos përfshihen thirrjet drejt numrave pa pagesë dhe thirrjet drejt numrave të emergjencës.
6. AKEP-i mund të vendosë detyrim për operatorët, që të ofrojnë pa pagesë identifikimin e linjës thirrëse (CLI).
Neni 118
Bllokimi me zgjedhje i komunikimeve dalëse
1. Sipërmarrësit ofrojnë pa pagesë për përdoruesit e tyre fundorë mundësinë e bllokimit me zgjedhje të kryerjes së thirrjeve dalëse ose të dërgimit të mesazheve me tarifa premium ose, kur është teknikisht e mundur, për komunikimet drejt llojeve të tjera të aplikacioneve të ngjashme.
2. Sipërmarrësit ofrojnë facilitetin që përdoruesit fundorë të kenë mundësi që pa pagesë shtesë, nëpërmjet kërkesës ndaj ofruesve të shërbimeve të komunikimit zanor ose shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, të bazuar në numra, në rastin e nenit 154 të këtij ligji, të ndalojnë kryerjen e thirrjeve dalëse ose dërgimin e mesazheve me tarifa premium apo drejt llojeve të tjera të aplikacioneve të ngjashme ose drejt kategorive të caktuara të numrave.
Neni 119
Sistemet e parapagimit
AKEP-i mund të vendosë detyrim për ofruesit që të ofrojnë mundësinë për konsumatorët që të paguajnë për aksesin në rrjetin publik të komunikimeve elektronike përdorimin e shërbimeve të komunikimit zanor, aksesin në internet ose shërbimet e komunikimit ndërpersonal, të bazuar në numra, në rastin e nenit 154 të këtij ligji, nëpërmjet sistemeve me parapagim.
Neni 120
Pagesa me këste e tarifës së lidhjes në rrjet
AKEP-i, kur është e nevojshme dhe në bashkërendim me autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit, mund të vendosë detyrim për ofruesit që t’u mundësojnë konsumatorëve të paguajnë me këste të shpërndara në kohë tarifën e lidhjes me rrjetin publik të komunikimeve elektronike.
Neni 121
Masat në rastin e moskryerjes së pagesave të faturave
1. AKEP-i autorizon ndërmarrjen nga ofruesit të masave të posaçme, të cilat duhet të jenë proporcionale, jodiskriminuese dhe të publikuara për të trajtuar mospagesën e faturave nga përdoruesit fundorë.
2. Masat për të trajtuar mospagesën e faturave duhet të sigurojnë që përdoruesit fundorë paralajmërohen paraprakisht nga ofruesi për çdo ndërprerje ose shkëputje të shërbimit, pas paralajmërimit në rast moskryerjeje të pagesës.
3. Me përjashtim të rasteve të mashtrimit, mospagesës ose vonesës së vazhdueshme të pagesës, këto masa sigurojnë, për aq sa është teknikisht e mundshme, që çdo ndërprerje shërbimi të kufizohet për shërbimin në fjalë të papaguar.
4. Shkëputja nga rrjeti për shkak të mospagesës së faturave do të bëhet vetëm pas paralajmërimit të duhur të përdoruesit fundor.
5. AKEP-i mund të kërkojë që përpara shkëputjes së plotë ofruesi të aplikojë një periudhë me shërbim të kufizuar, gjatë së cilës përdoruesi fundor lejohet të kryejë vetëm thirrje që janë pa tarifim për të, për shembull thirrjet drejt numrit “112” dhe të përfitojë vetëm nivelin minimal të shërbimit të aksesit në internet, të përcaktuar nga AKEP-i, sipas kushteve kombëtare.
Neni 122
Këshilla tarifore
Ofruesit mund të ofrojnë facilitetin nëpërmjet të cilit përdoruesit fundorë mund t’i kërkojnë ofruesit informacion në lidhje me tarifat alternative me kosto më të ulët, nëse kjo është e zbatueshme.
Neni 123
Kontrolli i shpenzimeve me mënyra të tjera
Ofruesit e shërbimit ofrojnë mënyra të tjera alternative nëse këto përcaktohen se janë të përshtatshme nga AKEP-i për të kontrolluar shpenzimet e shërbimeve të komunikimit zanor ose shërbimeve të aksesit në internet apo të shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale, në rastin e nenit 154 të këtij ligji, përfshirë dërgimin pa pagesë të njoftimeve paralajmëruese për konsumatorët, në rastet e evidentimit të komunikimeve jonormale ose një tejkalim i madh në sasinë e konsumuar të shërbimeve.
Neni 124
Çaktivizimi i faturimit të palëve të treta
Përdoruesit fundor i ofrohet faciliteti për të çaktivizuar mundësinë e ofruesve të shërbimeve të palëve të treta për të përdorur faturën e një ofruesi të shërbimit të aksesit në internet ose të një ofruesi të një shërbimi të komunikimit ndërpersonal, të disponueshëm për publikun, për të tarifuar për produktet ose shërbimet e tyre.
Neni 125
Lehtësirat shtesë
1. Lehtësirat shtesë përfshijnë si më poshtë:
a) identifikimin e linjës thirrëse: numri i palës thirrëse i paraqitet palës së thirrur përpara se të vendoset thirrja telefonike;
b) transferimin e postës elektronike ose aksesit në e-mail, pas përfundimit të kontratës me një ofrues të një shërbimi aksesi në internet, sipas pikës 3 të këtij neni.
2. Identifikimi i linjës thirrëse do të ofrohet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë dhe me parashikimet e kreut XIX të këtij ligji. Operatorët duhet që të ofrojnë të dhëna dhe sinjale për të lehtësuar ofrimin e identitetit të linjës thirrëse dhe thirrjes midis shteteve anëtare, për sa është teknikisht e mundshme.
3. Transferimi i postës elektronike u mundësohet mbi bazën e kërkesës dhe pa pagesë përdoruesve fundorë që ndërpresin kontratën e tyre me një ofrues shërbimi të aksesit në internet. Përdoruesit fundor i sigurohet aksesi në postën elektronike të tij, në adresën e-mail, të bazuar në emrin tregtar ose markën tregtare të ofruesit të mëparshëm të aksesit në internet, përgjatë një periudhe kohe që AKEP-i e konsideron të nevojshme dhe proporcionale për të transferuar e-mail-et e dërguara në atë adresë në një adresë të re e-mail-i, të përcaktuar nga përdoruesi fundor.
Neni 126
Portimi i numrave
1. Sipërmarrësit kanë detyrim që t’u mundësojnë të gjithë përdoruesve fundorë, që kanë numra nga Plani Kombëtar i Numeracionit dhe të cilët kërkojnë të ruajnë numrat e tyre, pavarësisht nga sipërmarrësi që ofron shërbimin, që të bartin numrat:
a) në rastin e numrave gjeografikë, në një vendndodhje të caktuar; dhe
b) në rastin e numrave jogjeografikë, në çdo vendndodhje.
2. Portimi i numrave nuk zbatohet për bartjen e numrave midis rrjeteve që ofrojnë shërbime nga vendndodhje fikse dhe rrjeteve të lëvizshme.
Neni 127
Kostoja e detyrimeve të shërbimit universal
1. Ofruesit e shërbimeve universale kanë të drejtë të kërkojnë kompensim nëse ofrimi i shërbimit të aksesit në internet broadband, i përkufizuar në përputhje me nenin 110 të këtij ligji, dhe i shërbimeve të komunikimit zanor, sipas përcaktimeve në nenet 110, 112 dhe 113 të këtij ligji, ose vazhdimi i ofrimit të shërbimeve ekzistuese universale, sipas nenit 114 të këtij ligji, përbën një barrë të padrejtë dhe krijon kosto shtesë për ofruesin. Kur AKEP-i vlerëson se ofrimi i këtyre shërbimeve përbën një barrë të padrejtë për ofruesit e shërbimeve që kërkojnë kompensim, AKEP-i do të llogarisë kostot neto të ofrimit të këtyre shërbimeve.
2. Kompensimi, sipas pikës 1 të këtij neni, nuk mund të kalojë në asnjë rrethanë koston neto për ofrimin e shërbimit universal.
3. Kostot neto, sipas pikës 2 të këtij neni, llogariten në përputhje me nenin 129 të këtij ligji. Kostot neto llogariten si diferencë ndërmjet kostove neto për ofrimin e shërbimit universal dhe kostove që ofruesi i shërbimit universal do të kishte pasur, nëse ai nuk do të ishte ofrues i shërbimit universal dhe në këtë llogaritje merret parasysh çdo përfitim, përfshirë atë jomateriale të ofruesit të shërbimit universal, që rrjedh nga ofrimi i shërbimit universal.
4. AKEP-i përcakton metodologjinë për llogaritjen e kostove neto dhe përfitimeve jomateriale që duhet të merren në konsideratë në llogaritjen e kostove neto të ofrimit të shërbimit universal, duke marrë parasysh rekomandimin e Bashkimit Evropian për shërbimin universal.
5. Ofruesit e shërbimeve universale janë të detyruar të mbajnë llogari të ndara për kostot e ofrimit të shërbimit universal.
6. Ofruesit e shërbimit universal janë të detyruar të paraqesin në AKEP brenda datës 30 prill të çdo viti, informacionin për kostot neto, bilancin vjetor dhe të dhënat e përdorura për llogaritjen e kostove neto për ofrimin e shërbimit universal. Në të kundërt, ata do të humbasin të drejtën e deklarimit të kostove neto.
7. AKEP-i cakton një ekspertizë të pavarur auditimi për kryerjen e kontrollit dhe verifikimin e informacionit të paraqitur sipas pikës 6 të këtij neni.
8. AKEP-i konfirmon llogaritjen e kostove neto për ofrimin e shërbimit universal. Nëse ofruesi i shërbimit universal është përzgjedhur nëpërmjet një procedure tenderi publik, AKEP-i në vlerësimin e tij merr parasysh dhe kostot e ofrimit të shërbimit universal, të paraqitura nga ofruesi në procesin e tenderit. AKEP-i merr në konsideratë diferencat në kosto vetëm në rastet kur kushtet në momentin e zhvillimit të tenderit publik kanë ndryshuar dhe kur ofruesi i shërbimit universal i provon AKEP-it, në mënyrë bindëse, objektive dhe transparente diferencat në kosto. AKEP-i publikon rezultatet e llogaritjes së kostove dhe ato të auditimit të kryer për informacionin e paraqitur nga ofruesi i shërbimit universal.
9. AKEP-i përcakton shkallën e kompensimit. Bazuar në llogaritjet e kryera, AKEP-i mund të vendosë që ofruesi i shërbimit universal të mos gëzojë të drejtën e kompensimit ose të vendosë për një kompensim më të vogël nga ai i kërkuar nga ofruesi.
10. Ofruesi i shërbimit universal ka të drejtë të ankimojë vendimin e marrë sipas pikës 9 të këtij neni, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 128
Financimi i detyrimeve të shërbimit universal
1. Në rastet kur AKEP-i, bazuar në llogaritjet e kostove neto, sipas nenit 127 të këtij ligji, konstaton se kostot neto përbëjnë një barrë të padrejtë për ofruesin, AKEP-i krijon fondin e shërbimit universal për kompensimin e kostove neto të ofrimit të shërbimit universal. Fondi i shërbimit universal menaxhohet dhe administrohet nga AKEP-i. Ky fond është i paprekshëm për qëllime të tjera dhe pjesa e papërdorur akumulohet dhe mbartet në vitin pasardhës.
2. Fondi i shërbimit universal financohet nga sipërmarrësit që zotërojnë rrjete të komunikimeve elektronike publike dhe ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike, si dhe nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike publikë në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve në rregulloren përkatëse të AKEP-it. Financimi i shërbimit universal do të bëhet në mënyrë objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale dhe pa shtrembëruar konkurrencën apo kërkesën e përdoruesve.
3. AKEP-i përcakton kuotën e financimit në bazë të pikës 2 të këtij neni, e cila për të gjithë sipërmarrësit që kanë detyrim të paguajnë për financimin e shërbimit universal nuk duhet të jetë më e lartë se 1% e totalit të të ardhurave të siguruara nga rrjetet e komunikimeve elektronike publike dhe ofrimi i shërbimeve të komunikimeve elektronike publike.
4. Sipërmarrësit janë të detyruar të paguajnë kontributet, sipas pikës 2 të këtij neni, në një llogari të veçantë të AKEP-it, brenda një periudhe të caktuar, por jo më vonë se data 30 maj e vitit aktual për vitin paraardhës.
5. Operatorët brenda datës 30 prill të çdo viti informojnë AKEP-in për të ardhurat e tyre në vitin paraardhës, të siguruara nga ofrimi i rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve publike në Republikën e Shqipërisë, duke depozituar në AKEP bilancin vjetor, të shoqëruar me raportin e ekspertit kontabël.
6. AKEP-i do të kryejë disbursimet nga llogaria e kontributeve të shërbimit universal në bazë vjetore për të kompensuar çdo ofrues të shërbimit universal, të caktuar për ofrimin e shërbimit universal, në vlera të barabarta me kostot neto, të miratuara për sigurimin e shërbimit universal.
Neni 129
Llogaritja dhe mbulimi i kostove të shërbimit universal
1. AKEP-i merr në konsideratë të gjitha mjetet për të siguruar stimuj të përshtatshëm për sipërmarrësit për të ofruar detyrimet e shërbimit universal me kosto eficiente. Kostoja neto e detyrimeve të shërbimit universal llogaritet si diferencë midis kostos neto për çdo sipërmarrës që operon në kushtet e detyrimeve të shërbimit universal dhe operimit pa detyrime të shërbimit universal. Llogaritja e kostove neto merr parasysh kostot që çdo sipërmarrës do të kishte zgjedhur të shmangte nëse nuk do të kishte detyrimin e ofrimit të shërbimit universal. Llogaritja e kostos neto do të vlerësojë përfitimet, përfshirë përfitimet jomateriale për operatorin e shërbimit universal.
2. Llogaritja duhet të bazohet në kostot që i atribuohen:
a) elementeve të shërbimeve të identifikuara, që mund të ofrohen vetëm me humbje ose që mund të ofrohen me kosto që nuk do të ishin kryer në kushte normale tregtare të ofrimit të shërbimeve;
b) përdoruesve fundorë ose grupeve të përdoruesve fundorë të veçantë, të cilët, duke marrë parasysh koston e ofrimit të rrjetit dhe shërbimit të specifikuar, të ardhurat e krijuara dhe çdo mesatare gjeografike të çmimeve të vendosura nga shteti anëtar, mund të ofrohen vetëm me humbje ose me kosto që nuk do të ishin kryer në kushte normale tregtare të ofrimit të shërbimeve.
3. Në elementet e parashikuara në shkronjën “a” të pikës 2 të këtij neni, mund të përfshihen elemente të shërbimit, si aksesi në shërbimet telefonike drejt numrave të emergjencës, ofrimi i telefonave të caktuar publikë me pagesë, ofrimi i shërbimeve ose pajisjeve të caktuara për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara.
4. Në përcaktimet e shkronjës “b” të pikës 2 të këtij neni përfshihen ata përdorues fundorë ose grupe përdoruesish fundorë, të cilët nuk do të mund të merrnin shërbim nga një operator në kushte normale tregtare, që nuk ka detyrimin për të ofruar shërbim universal.
5. Llogaritja e kostos neto të aspekteve të veçanta të detyrimeve të shërbimit universal duhet të bëhet veçmas dhe në mënyrë të tillë që të shmanget llogaritja e dyfishtë e çdo përfitimi dhe kostoje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Kostoja e përgjithshme neto e detyrimeve të shërbimit universal, për çdo sipërmarrës, duhet të llogaritet si shuma e kostove neto, që rrjedhin nga elementet e veçanta të detyrimeve të shërbimit universal, duke marrë parasysh çdo përfitim jomaterial. Përgjegjësia për verifikimin e kostos neto i takon autoritetit rregullator kombëtar.
6. Mbulimi ose financimi i çdo lloj kostoje neto të detyrimeve të shërbimit universal mund të nxjerrë të nevojshëm kompensimin e sipërmarrësve me detyrime të shërbimit universal për shërbimet që ata ofrojnë në kushte jonormale tregtare. AKEP-i siguron që kompensimi të kryhet në mënyrë objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale dhe të rezultojë në sa më pak shtrembërim të konkurrencës dhe kërkesës së përdoruesve.
7. Në përputhje me pikën 3 të nenit 128 të këtij ligji, mekanizmi i financimit të përbashkët të kostove, i bazuar në një fond, duhet të përdorë metoda transparente dhe neutrale për mbledhjen e kontributeve, të cilat shmangin rrezikun e vendosjes së detyrimit të dyfishtë për kontribut, të llogaritur, bazuar si në të ardhurat, ashtu edhe në shpenzimet e sipërmarrësve.
8. AKEP-i, në përputhje me nenin 19 të këtij ligji, është përgjegjës për mbledhjen e kontributeve nga sipërmarrësit, të cilët vlerësohen se kanë detyrimin për të kontribuuar në koston neto të detyrimeve të shërbimit universal, si dhe të mbikëqyrë transferimin e shumës përkatëse ose nga pagesat administrative te sipërmarrësit që kanë të drejtë të kompensohen nga fondi.
9. Duke respektuar rregullat e ruajtjes së sekretit tregtar, AKEP-i do të publikojë një raport vjetor që paraqet detajet e kostos së llogaritur të detyrimeve të shërbimit universal, duke identifikuar kontributet e bëra nga të gjithë sipërmarrjet e përfshira, duke përfshirë çdo përfitim të tregut që mund t’u ketë ardhur sipërmarrjeve, në përputhje me detyrimet e shërbimit universal të përcaktuara në nenet 110 deri në 114 të këtij ligji.
Neni 130
Shërbime shtesë të detyrueshme
Përveç shërbimeve që përfshihen në detyrimet e shërbimit universal, të referuara në nenet 110 deri në 113 të këtij ligji, AKEP-i mund të vendosë që të sigurojë disponueshmërinë publike të shërbimeve të tjera shtesë.
Në raste të tilla, ndaj sipërmarrësve nuk do të vendoset asnjë detyrim për të kontribuuar për mekanizmin e kompensimit, sipas shërbimit universal, për sipërmarrës të veçantë.
KREU XVII
BURIMET E NUMERACIONIT
Neni 131
Burimet e numeracionit
1. AKEP-i siguron burime të përshtatshme numerike për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, sipas planit të numeracionit. Plani i numeracionit përcakton strukturën, gjatësinë dhe caktimin e numrave për akses në rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve publike.
2. Bazuar në planin kombëtar të numeracionit, AKEP-i jep të drejta përdorimi për burimet e numeracionit për ofrimin e shërbimeve specifike për sipërmarrje të ndryshme nga ofruesit e rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike, me kusht që burimet numerike të përshtatshme të disponueshme të përmbushin kërkesat aktuale dhe të parashikuara në të ardhmen.
3. Sipërmarrjet e ndryshme nga ofruesit e rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike, në kërkesën për burime numeracioni, demonstrojnë aftësinë e tyre për të administruar burimet e numeracionit dhe për të përmbushur çdo kërkesë, të përcaktuar në nenin 132 të këtij ligji.
4. Në dhënien e të drejtave për përdorimin e burimeve të numeracionit AKEP-i u përmbahet udhëzimeve të BEREC-ut për kriteret e përbashkëta për vlerësimin e aftësisë për të menaxhuar burimet numerike nga sipërmarrje të ndryshme nga ofruesit e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, si dhe për vlerësimin e rrezikut të shterimit të burimeve të numeracionit, nëse numrat u janë caktuar sipërmarrjeve të tilla.
5. AKEP-i pezullon dhënien e mëtejshme të të drejtave të përdorimit për burimet e numeracionit për sipërmarrjet e ndryshme nga ofruesit e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, nëse provohet se ekziston rreziku i shterimit të burimeve të numeracionit.
6. AKEP-i administron planin e numeracionit, në mënyrë që:
a) të sigurojë strukturimin dhe përdorimin eficient të numrave dhe serive numerike;
b) të kënaqë nevojat e arsyeshme të operatorëve dhe të ofruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike për caktim të numrave, sipas këtij ligji;
c) të sigurojë që caktimi dhe përdorimi i numrave bëhet në mënyrë të ndershme, transparente dhe jodiskriminuese për të gjithë ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun dhe sipërmarrjeve të kualifikuara, në përputhje me pikat 2 dhe 3 të këtij neni.
7. AKEP-i siguron që një sipërmarrje, së cilës i është dhënë e drejta e përdorimit për burimet e numeracionit, nuk diskriminon ofruesit e tjerë të shërbimeve të komunikimit elektronik, për sa u përket burimeve të numeracionit, të përdorura për të dhënë akses në shërbimet e tyre.
8. AKEP-i vë në dispozicion numrat jogjeografikë, që mund të përdoren për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, përveç shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, pa cenuar pikën 2 të nenit 135 të këtij ligji. Kur të drejtat e përdorimit për burimet e numeracionit u janë dhënë sipërmarrjeve të ndryshme nga ofruesit e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, kjo pikë zbatohet edhe për shërbimet specifike për ofrimin e të cilave janë dhënë të drejtat e përdorimit.
9. AKEP-i siguron që kushtet e përdorimit të burimeve të numeracionit, të përcaktuara në nenin 32 të këtij ligji, i bashkëlidhen së drejtës së përdorimit të numrave.
10. Mbajtësi i së drejtës së përdorimit të numrave sipas këtij ligji:
a) është i detyruar të kthejë numrat e caktuar ose seritë e numrave nëse nuk janë në përdorim;
b) nuk mund të përdorë numrin e caktuar apo seritë e numrave, për qëllime të ndryshme nga ai për të cilat janë dhënë;
c) nuk mund të transferojë ose të japë me qira numrat ose seritë e numrave të caktuara, pa miratimin paraprak të AKEP-it;
ç) numrat dhe seritë e numrave të caktuar mund të transferohen së bashku me aktivitetin e ushtruar kur mbajtësi i ri përmbush kërkesat për përdorimin e numrave dhe serive numerike, në përputhje me vendimin e AKEP-it;
d) është i detyruar të bëjë pagesat për numeracionin sipas këtij ligji;
dh) duhet të përmbushë kërkesën për transferimin e numeracionit në të gjitha rastet kur kërkohet një gjë e tillë;
e) është i detyruar të përdorë numrat apo seritë e numrave të caktuara vetëm për qëllimin për të cilin i janë dhënë dhe të mos i shkaktojë dëm ndonjë grupi të caktuar përdoruesish;
ë) të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga aktet ndërkombëtare, të zbatueshme në Republikën e Shqipërisë, për caktimin dhe përdorimin e numrave.
11. Numërformimi ‘00’ është kodi standard ndërkombëtar i aksesit. Për përdorimin e shërbimeve të komunikimit ndërpersonal bazuar në numra, ndërmjet vendndodhjeve gjeografike të afërta midis vendeve e përgjatë kufirit nënshkruhen marrëveshje të veçanta.
12. Për kategori të veçanta numrash, AKEP-i, pas marrjes së mendimit nga ministri, mund të dakordësojë përdorimin e një plani të përbashkët numeracioni me shtetet anëtare të BE-së. Përdoruesit fundorë që preken informohen përkatësisht për këto rregullime.
13. Në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe për të siguruar një sasi të kënaqshme numrash, AKEP-i mund të ndryshojë strukturën dhe konfigurimin e numeracionit dhe caktimin e numrave. Në rrethana të tilla, mbajtësi i numrave dhe i serive të numrave nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim. AKEP-i ndryshon vendimet për ndarjen e numrave dhe serive të numrave, edhe me kërkesë të mbajtësit të tyre, në rastet kur kjo është e mundur. Përdoruesit fundorë të prekur nga këto marrëveshje ose dakordësi informohen plotësisht.
14. AKEP-i, kur është teknikisht e mundur dhe për të lehtësuar ndërrimin e ofruesve të rrjeteve apo shërbimeve të komunikimeve elektronike nga përdoruesit fundorë, promovon ofrimin e vijueshëm të këtij shërbimi përmes ajrit, në veçanti për ndërrimin e ofruesit te përdoruesit fundorë të shërbimeve makinë me makinë.
15. AKEP-i ruan të gjitha të dhënat që lidhen me administrimin e planit të numeracionit. AKEP-i publikon Planin Kombëtar të Numeracionit dhe të gjitha shtesat ose ndryshimet e mëvonshme në të, duke iu nënshtruar vetëm kufizimeve të vendosura për arsye sigurie kombëtare.
16. AKEP-i mbështet harmonizimin e numrave ose serive të veçanta të numrave, ku ai promovon si funksionimin e tregut kombëtar, ashtu edhe zhvillimin e shërbimeve panevropiane.
Neni 132
Procedura për dhënien e së drejtës së përdorimit për burimet e numeracionit
1. Kur është e nevojshme, AKEP-i, me kërkesë të çdo sipërmarrësi për ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, sipas autorizimit të përgjithshëm, në përputhje me nenin 26 të këtij ligji, subjekt i kushteve të parashikuara në nenin 28 dhe në shkronjën “c” të pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji, si dhe rregullave për përdorimin efikas të numeracionit, në përputhje me këtë ligj, jep të drejtat individuale të përdorimit, duke përcaktuar nëse këto burime të numeracionit mund të transferohen dhe në cilat kushte.
2. Të drejtat e përdorimit për burimet e numeracionit jepen përmes procedurave të hapura, objektive, transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale. AKEP-i vendos për këto aplikime brenda tri javësh. Vendimet e AKEP-it për të drejtat e përdorimit të numeracionit publikohen.
3. Aplikimet për burimet e numeracionit përmbajnë të dhënat e mëposhtme:
a) emrin, adresën e selisë dhe dokumentet në bazë të të cilave verifikohet regjistrimi i aktivitetit;
b) të dhënat për llojin, sasinë dhe qëllimin e përdorimit të numrave të caktuar ose serive të numrave për të cilat aplikohen;
c) planin e vlerësimit të nevojave për 3 vjetët e ardhshëm;
ç) datën e planifikuar të fillimit të përdorimit të numrave të caktuar ose serive të numrave;
d) të dhëna shtesë që mund të kërkojë AKEP-i për të administruar përdorimin e numrave.
4. AKEP-i përcakton në mënyrë të detajuar, nëpërmjet një dokumenti rregullator, përmbajtjen dhe formularin model të aplikimit, si dhe kërkesat që duhet të plotësojë aplikanti.
5. AKEP-i vendos të refuzojë ndarjen e numrave, në rast se:
a) aplikimi për ndarjen e numrave përmban të dhëna të rreme;
b) aplikanti nuk është i përshtatshëm për dhënien e numrave ose serive të numrave, në përputhje me këtë ligj;
c) përdorimi i synuar nuk justifikon dhënien e sasisë ose llojin e numrave të kërkuar;
ç) aplikanti ka fatura të papaguara për përdorimin e burimeve të numeracionit;
d) aplikanti ka keqpërdorur burimet e numeracionit në të kaluarën.
Sipërmarrjet kanë të drejtë të përcaktojnë numrat ose seritë e numrave për përdoruesit e tyre fundorë brenda numeracionit të caktuar nga AKEP-i.
Kur AKEP-i jep të drejta përdorimi për burimet e numeracionit për një periudhë të kufizuar, kohëzgjatja e kësaj periudhe duhet të jetë e përshtatshme për shërbimin që ka lidhje në funksion të objektivit të ndjekur, duke marrë parasysh nevojën për ta lejuar për një periudhë të përshtatshme për amortizimin e investimit.
6. Kur AKEP-i ka përcaktuar, pas konsultimit me palët e interesuara, në përputhje me nenin 44 të këtij ligji, se të drejtat e përdorimit për burimin e numeracionit me vlerë të jashtëzakonshme ekonomike jepen nëpërmjet procedurave konkurruese ose krahasuese të përzgjedhjes, ai mund të zgjasë periudhën 3-javore, të përmendur në pikën 2 të këtij neni, deri në 3 javë të tjera.
7. AKEP-i nuk e kufizon numrin e të drejtave individuale të përdorimit që do të jepen, me përjashtim të rasteve kur kjo është e nevojshme për të garantuar përdorimin efikas të burimeve të numeracionit.
8. Ky nen zbatohet edhe kur AKEP-i jep të drejta të përdorimit për burimet e numeracionit, sipërmarrjeve të ndryshme nga ofruesit e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përputhje me pikën 2 të nenit 131 të këtij ligji.
Neni 133
Procedura për dhënien e të drejtave të përdorimit për emrat e domain-ve
1. AKEP-i përcakton me rregullore rregulla të veçanta të detajuara për metodologjinë, pagesat, procedurën dhe mënyrën e administrimit të emrave të domain-eve dhe të nëndomaineve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet kombëtare e ndërkombëtare.
2. AKEP mban një regjistër për “domain-namet” e regjistruara dhe entitetet regjistruese, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave.
3. Me vendim të Këshillit të Ministrave miratohen rregulla për qëllime të sigurisë, qëndrueshmërisë dhe saktësisë në regjistrimin e të dhënave për “domain-namet”.
Neni 134
Linja telefonike dhe e ndihmës për fëmijët e humbur
1. AKEP-i siguron që përdoruesit fundorë të kenë akses pa pagesë në një shërbim që operon një linjë telefonike për raportimin e rasteve të fëmijëve të humbur. Linja telefonike duhet të jetë e disponueshme në numrin “116000”.
2. AKEP-i siguron që përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara të kenë mundësi të aksesojnë shërbimet e ofruara në numrin “116000” sa më shumë të jetë e mundur. Masat e marra për të lehtësuar aksesin e përdoruesve fundorë me aftësi të kufizuara në shërbime të tilla gjatë udhëtimit në vende të tjera bazohen në përputhjen me standardet ose specifikimet përkatëse të përcaktuara, në përputhje me nenin 53 të këtij ligji.
3. AKEP-i merr masat e duhura për të siguruar që autoriteti ose sipërmarrja, së cilës i është caktuar numri “116000”, ofron burimet e nevojshme për funksionimin e linjës telefonike.
4. AKEP-i siguron që përdoruesit fundorë të jenë të informuar në mënyrë të përshtatshme për ekzistencën dhe përdorimin e shërbimeve të ofruara në numrat “116000” dhe, sipas rastit, “116111”.
5. Brenda gjashtë muajve nga miratimi i këtij ligji, AKEP-i rishikon, sipas nevojës, të gjitha caktimet e numrave të përmendura në këtë nen.
Neni 135
Aksesi te numrat dhe shërbimet
1. AKEP-i siguron, aty ku është e mundur ekonomikisht, përveç rasteve kur përdoruesi fundor i thirrur ka zgjedhur për arsye komerciale të kufizojë aksesin e palës thirrëse nga një zonë e veçantë gjeografike, që përdoruesit të jenë në gjendje:
a) të aksesojnë të gjithë numrat e parashikuar në Planin Kombëtar të Numeracionit të Republikës së Shqipërisë;
b) të aksesojnë të gjithë numrat, pavarësisht teknologjisë dhe pajisjeve të përdorura nga operatorët, duke përfshirë numrat sipas planeve të numeracionit të vendeve të tjera dhe numrat falas universalë ndërkombëtarë (UIFN).
2. AKEP-i mund t’u kërkojë ofruesve të rrjeteve publike të komunikimeve elektronike ose shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun të bllokojnë, rast pas rasti, aksesin në numra ose shërbime, kur kjo justifikohet për arsye të mashtrimit ose keqpërdorimit. Në këtë rast, ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike mbajnë të ardhurat përkatëse nga interkoneksioni ose shërbimet e tjera.
Neni 136
Revokimi i vendimeve për ndarjen e numrave dhe serive të numrave
1. AKEP-i heq të drejtën e përdorimit të numrave dhe serive të numrave në rast se konstatohet se:
a) mbajtësi i kërkesës për përdorimin e numrave ose serive të numrave nuk i plotëson kërkesat e përcaktuara në këtë ligj, lidhur me caktimin e numrave dhe serive të numrave;
b) zotëruesi i së drejtës së përdorimit të numrave dhe serive të numrave nuk ka paguar në kohë detyrimin vjetor për përdorimin e numrave dhe serive të numrave;
c) mbajtësi i të drejtave për përdorimin e numrave dhe serive të numrave nuk ka filluar ende t’i përdorë ato brenda një periudhe 3-vjeçare nga data e caktimit të tyre;
ç) mbajtësi i të drejtave është çregjistruar ose ka pezulluar aktivitetin në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
AKEP-i heq gjithashtu të drejtën e përdorimit të numrave dhe serive të numrave, me kërkesë të mbajtësit të së drejtës së përdorimit të numrave ose serive të numrave.
2. Për rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, AKEP-i lëshon një njoftim me shpjegim për revokimin e numrave dhe serive të numrave të caktuar.
3. Në rastet kur revokimi vjen si pasojë e mospagimit të tarifave të numeracionit në AKEP, afati i revokimit nuk mund të jetë më i shkurtër se 30 ditë nga data e marrjes së njoftimit, referuar pikës 2 të këtij neni.
4. Në rast se vendimi është marrë sipas pikës 1 të këtij neni, për revokimin e numrave dhe serive të numrave të caktuar, zbatimi i këtij vendimi nuk mund të jetë më i shkurtër se 60 ditë nga data e marrjes së njoftimit.
5. Revokimi i numrave dhe serive të numrave për sipërmarrjen bëhet me njoftim, me shkrim, nga AKEP-i.
KREU XVIII
TË DREJTAT E PËRDORUESIT FUNDOR
Neni 137
Përjashtimi i ndërmarrjeve të caktuara mikro
1. Dispozitat e këtij kapitulli, me përjashtim të neneve 138 dhe 139 të këtij ligji, nuk janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga ndërmarrjet mikro, që ofrojnë shërbime të komunikimit ndërpersonal të pavarur nga numri telefonik, përveç rasteve kur ato ofrojnë edhe shërbime të tjera të komunikimit elektronik.
2. Një ndërmarrje mikro, që përfiton nga përjashtimi i referuar në pikën 1 të këtij neni, duhet të informojë përdoruesit fundorë për një përjashtim të tillë, përpara lidhjes së një kontrate për ofrimin e shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të pavarur nga numri. Ky përjashtim, nëse zbatohet nga ndërmarrja mikro, duhet të deklarohet gjithashtu qartësisht në faqen e saj të internetit dhe të përfshihet si një deklarim i kufizimit të përgjegjësive në kontratën e lidhur me përdoruesin fundor.
Neni 138
Mosdiskriminimi
Ofruesit e rrjeteve ose shërbimeve të komunikimeve elektronike nuk duhet të zbatojnë kërkesa ose kushte të përgjithshme të aksesit ose të përdorimit të rrjeteve ose shërbimeve për përdoruesit fundorë, të cilat ndryshojnë për arsye që lidhen me kombësinë, vendbanimin ose vendin apo selinë e përdoruesit fundor, përveç rasteve kur një trajtim i tillë i diferencuar është objektivisht i justifikuar.
Neni 139
Mbrojtja e të drejtave themelore
1. Masat kombëtare në lidhje me aksesin e përdoruesve fundorë në ose për përdorimin e shërbimeve dhe aplikacioneve nëpërmjet rrjeteve të komunikimit elektronik respektojnë të drejtat themelore dhe parimet e përgjithshme të së drejtës, të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare përkatëse, ku Shqipëria ka aderuar.
2. Çdo masë në lidhje me aksesin ose përdorimin e shërbimeve dhe aplikacioneve nga përdoruesit fundorë nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike, të cilat mund të kufizojnë ushtrimin e të drejtave ose lirive të njohura nga aktet e përmendura në pikën 1 të këtij neni, duhet të vendoset vetëm nëse parashikohet nga legjislacioni në fuqi dhe respekton ato të drejta ose liri. Masat duhet të jenë proporcionale dhe të nevojshme për përmbushjen e objektivave të interesit të përgjithshëm, të njohura nga legjislacioni në fuqi, ose në nevojën për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e të tjerëve, në përputhje me pikën 1 të këtij neni dhe me parimet e përgjithshme të së drejtës, duke përfshirë të drejtën për një rregullim efektiv dhe për një gjykim të drejtë.
3. Këto masa merren vetëm duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtën e privatësisë. Një procedurë paraprake, e drejtë dhe e paanshme duhet të garantohet, duke përfshirë të drejtën për t’u dëgjuar të personit ose të personave të interesuar, në varësi të nevojës për kushte të përshtatshme dhe rregullime procedurale në rastet urgjente të vërtetuara siç duhet, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare përkatëse, ku Shqipëria ka aderuar.
Neni 140
Niveli i harmonizimit
1. Rregullat për mbrojtjen e përdoruesit fundor, të zbatuara nga AKEP-i ose autoriteti kompetent për mbrojtjen e konsumatorit, duhet të jenë në përputhje me parashikimet e nenit 141 deri në 154 të këtij ligji, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Zbatimi i dispozitave më të rrepta për mbrojtjen e konsumatorit, që ndryshojnë nga ato të parashikuara në nenin 141 deri në 154 të këtij ligji, mund të vazhdojë deri në një vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që këto dispozita janë ende në fuqi në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe çdo kufizim në funksionimin e tregut shqiptar, që rrjedh prej tyre, të jetë në proporcion me objektivin e mbrojtjes së konsumatorit.
Neni 141
Kërkesat për kontratat
1. Para lidhjes së kontratës apo pranimit të një oferte korresponduese nga konsumatori, ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik, të disponueshme për publikun, përveç shërbimeve të transmetimit për ofrimin e shërbimeve makinë-makinë, janë të detyruar t’i ofrojnë konsumatorit informacionin e kërkuar sipas ligjit për mbrojtjen e konsumatorit dhe sipas nenit 180 të këtij ligji në atë masë që lidhet me shërbimin që ofrohet.
2. Informacioni sipas pikës 1 të këtij neni ofrohet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme nëpërmjet një mjeti të qëndrueshëm dhe përcaktimeve në ligjin për mbrojtjen e konsumatorit ose në rastet kur dhënia e këtij informacioni nëpërmjet një mjeti të qëndrueshëm nuk është e mundur, ai vihet në dispozicion nga ofruesi i shërbimit, në një dokument që mund të aksesohet dhe të shkarkohet lehtësisht nga përdoruesi.
3. Ofruesi i shërbimit informon qartësisht konsumatorin për disponibilitetin e dokumentit, të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, si dhe për rëndësinë e shkarkimit të tij për qëllime të dokumentimit, referimit dhe riprodhimin e pandryshueshëm të tij në të ardhmen. Ky informacion, sipas kërkesës, duhet të ofrohet në një format të aksesueshëm për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi që harmonizon kërkesat e aksesueshmërisë për produktet dhe shërbimet.
4. Informacioni i referuar në pikat 1 dhe 5 të këtij neni duhet t’u jepet gjithashtu përdoruesve fundorë, që janë ndërmarrje mikro ose të vogla ose organizata jofitimprurëse, përveç rasteve kur këta përdorues japin pëlqimin e shprehur se heqin dorë nga të gjitha ose një pjesë e të drejtave të përfshira në këto dispozita.
5. Ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, përveç shërbimeve të transmetimit të përdorura për ofrimin e shërbimeve makinë-makinë, duhet t’u vënë në dispozicion konsumatorëve një përmbledhje të shkurtër dhe lehtësisht të lexueshme të kontratës. Kjo përmbledhje duhet të identifikojë elementet kryesore të kërkesave të informacionit, sipas pikës 1 të këtij neni, ku përfshihen të paktën:
a) emri, adresa dhe detaje të kontaktit të ofruesit dhe, nëse është i ndryshëm, dhe detajet e kontaktit për ankesat;
b) karakteristikat kryesore të secilit shërbim të ofruar;
c) çmimet përkatëse për aktivizimin e shërbimit të komunikimeve elektronike, përfshirë të gjitha tarifat fikse periodike ose në bazë të konsumit të njësive, kur shërbimi ofrohet kundrejt pagesës direkte monetare;
ç) kohëzgjatja e kontratës dhe kushtet për rinovimin dhe përfundimin e saj;
d) masa në të cilën produktet dhe shërbimet janë të projektuara për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara;
dh) në lidhje me shërbimet e aksesit në internet, një përmbledhje të informacionit të kërkuar, sipas shkronjave “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 178 të këtij ligji.
6. Ofruesit e shërbimit, që janë objekt i zbatimit të detyrimeve, sipas pikës 1 të këtij neni, plotësojnë në mënyrën e duhur modelin përmbledhës të kontratës me informacionin e kërkuar, në përputhje me rregulloren e miratuar nga AKEP-i dhe pajisin konsumatorin me përmbledhjen e kontratës, pa pagesë dhe përpara lidhjes së kontratës, përfshirë për kontratat në largësi. Kur për arsye objektive teknike është e pamundur të sigurohet përmbledhja e kontratës në atë moment, ajo duhet të sigurohet më pas dhe pa vonesa të panevojshme dhe kontrata bëhet efektive kur konsumatori pas marrjes së përmbledhjes së kontratës konfirmon dakordësinë e tij.
7. Informacioni i referuar në pikat 1 dhe 5 të këtij neni, duhet të bëhet pjesë përbërëse e kontratës dhe nuk duhet të ndryshohet, përveçse kur palët kontraktuese bien dakord ndryshe shprehimisht.
8. Kur shërbimet e aksesit në internet ose shërbimet e komunikimit ndërpersonal, të disponueshme për publikun, faturohen në bazë të kohës ose sasisë së konsumuar, ofruesit e tyre duhet t’u ofrojnë konsumatorëve mundësinë për të monitoruar dhe për të kontrolluar përdorimin e secilit prej këtyre shërbimeve. Kjo lehtësi do të përfshijë aksesin e informacionit në kohën e duhur mbi nivelin e konsumit të shërbimeve të përfshira në një plan tarifor. Në veçanti, ofruesit duhet t’u dërgojnë një njoftim konsumatorëve, përpara arritjes së çdo limiti konsumi të përfshirë në planin e tyre tarifor edhe kur sasia e një shërbimi të përfshirë në planin e tyre tarifor konsumohet plotësisht, sipas përcaktimeve nga autoritetet kompetente në koordinim me autoritetet rregullatore kombëtare, aty ku është e nevojshme.
9. AKEP-i mund t’u kërkojë ofruesve të japin informacion shtesë për nivelin e konsumit dhe të parandalojë përkohësisht përdorimin e mëtejshëm të shërbimit përkatës, mbi një kufi financiar ose sasior, të përcaktuar nga AKEP-i.
10. AKEP-i pas konsultimit me autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit mund të ndërmarrë veprime në lidhje me aspekte që nuk rregullohen nga ky nen, veçanërisht për të adresuar problematikat e lindura.
Neni 142
Transparenca, krahasimi i ofertave dhe publikimi i informacionit
1. Ofruesit e shërbimit të aksesit në internet dhe ofruesit e shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, të disponueshëm për publikun, kur ofrimi i këtyre shërbimeve është objekt i termave dhe kushteve të ofrimit, duhet të publikojnë informacionin, si më poshtë:
a) detajet e kontaktit të sipërmarrësit;
b) përshkrimin e shërbimeve të ofruara;
c) mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, përfshirë ato të zhvilluara nga sipërmarrësi.
2. Përshkrimi i shërbimeve të ofruara sipas shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni duhet të përmbajë:
a) objektin e shërbimeve të ofruara dhe karakteristikat kryesore të secilit shërbim të ofruar, përfshirë çdo nivel minimal të cilësisë së shërbimit nëse ofrohet, si dhe çdo kufizim të vendosur nga ofruesi për përdorimin e pajisjeve fundore të ofruara;
b) tarifat e shërbimeve të ofruara, përfshirë informacionin, për:
i. sasinë e njësive të komunikimeve, të tilla si: sasitë e përfshira në përdorimin e të dhënave, minutat për thirrjet zanore, numrin e mesazheve të përfshira në planet tarifore specifike dhe tarifat e zbatueshme për njësitë shtesë të komunikimit;
ii. numrat ose shërbimet që janë objekt i kushteve të veçanta të tarifimit;
iii. tarifat për aksesin dhe mirëmbajtjen, të gjitha llojet e tarifave të përdorimit, skemat tarifore të veçanta dhe të fokusuara në grupe të veçanta përdoruesish, kushtet specifike të faturimit të çdo tarife shtesë, si dhe kostot në lidhje me pajisjet fundore, kur është rasti;
c) shërbimet e ofruara pas shitjes, mirëmbajtjes dhe kujdesit ndaj klientit dhe detajet e kontaktit të tyre;
ç) kushtet standarde të kontratës, përfshirë kohëzgjatjen e kontratës, tarifat për përfundimin e parakohshëm të kontratës, të drejtat që lidhen me përfundimin e ofertave të paketave ose të elementeve të tyre dhe procedurat e tarifat direkte, që lidhen me portabilitetin e numrave dhe identifikuesve të tjerë, nëse është e nevojshme;
d) informacion për aksesin në shërbimet e urgjencës dhe të vendndodhjes së telefonuesit ose ndonjë kufizim për këtë të fundit, nëse sipërmarrësi është ofrues i shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, të bazuar në numra;
dh) informacion për shkallën në të cilën aksesi në shërbimet e urgjencës mund të mbështetet ose jo, nëse sipërmarrësi është një ofrues i shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të pavarur nga numri;
e) ndryshimet që kufizojnë aksesin ose përdorimin e shërbimeve dhe aplikacioneve dhe vendndodhjen e disponueshmërisë së këtyre shërbimeve;
ë) detajet e produkteve dhe shërbimeve, duke përfshirë çdo funksion, praktikë, politikë ose procedurë dhe ndryshime në funksionimin e shërbimit, të krijuara posaçërisht për përdoruesit fundorë, me aftësi të kufizuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Këta përdorues fundorë duhet të informohen rregullisht për produktet e tyre;
f) informacion mbi procedurat për matjen dhe menaxhimin e trafikut të përcaktuar nga ofruesi për të shmangur ngarkimin ose mbingarkimin e lidhjeve të rrjetit dhe se si këto procedura mund të ndikojnë në cilësinë e shërbimit;
g) detajet e produkteve dhe shërbimeve, duke përfshirë çdo funksion, praktikë, politikë, informacion në lidhje me vendndodhjen dhe procedurat e tyre dhe ndryshimet në funksionimin e shërbimit, të krijuar posaçërisht për përdoruesit fundorë, me aftësi të kufizuara, ndryshime të kushteve në lidhje me aksesin, në përputhje me legjislacionin në fuqi për harmonizimin e kërkesave të aksesueshmërisë për produktet dhe shërbimet.
3. Informacioni i publikuar nga ofruesit e shërbimit të aksesit në internet ose ofrimit të shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të disponueshëm për publikun, sipas këtij neni, duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe i lexueshëm nga pajisje kompjuterike, duke përfshirë publikimin në faqen e internetit të tij në një format të aksesueshëm për përdoruesit me aftësi të kufizuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e AKEP-it. AKEP-i, në rastet kur e vlerëson të nevojshme, ka të drejtë të kërkojë ndryshime në informacionin e publikuar. AKEP-i mund të kërkojë për tarifat për kategori individuale të shërbimeve, përfshirë shërbimet me vlerë të shtuar të jepet menjëherë para realizimit të thirrjes zanore.
4. Informacioni i kërkuar, sipas këtij neni, përditësohet rregullisht. AKEP-i, në koordinim me Komisionin për Mbrojtjen e Konsumatorit, mund të përcaktojë kërkesa shtesë në lidhje me formën në të cilën duhet të publikohet ky informacion. Informacioni, sipas kërkesës, u dërgohet përpara publikimit të tij AKEP-it dhe Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
5. AKEP-i siguron që përdoruesit fundorë të kenë akses pa pagesë në të paktën një instrument të pavarur krahasimi, i cili u mundëson atyre krahasimin dhe vlerësimin e shërbimeve të ndryshme të aksesit në internet dhe shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, të bazuar në numra të disponueshëm për publikun dhe, sipas rastit, shërbimin e komunikimit ndërpersonal, të disponueshëm për publikun, të pavarur nga numrat, në lidhje me:
a) çmimet dhe tarifat e shërbimeve të ofruara kundrejt pagesave monetare direkte, periodike ose për njësi të konsumuar;
b) cilësinë e performancës së shërbimit në rastet kur garantohet një nivel minimal i cilësisë së shërbimit ose kur sipërmarrësi ka detyrim të publikojë këtë informacion në përputhje me nenin 143 të këtij ligji.
6. Instrumenti i krahasimit, sipas pikës 5 të këtij neni, duhet:
a) të jetë operacionalisht i pavarur nga ofruesit e këtyre shërbimeve për të siguruar trajtim të barabartë të këtyre ofruesve në rezultatet e kërkimit;
b) të publikojë qartësisht pronarët dhe operatorët e instrumentit të krahasimit;
c) të përcaktojë kritere të qarta dhe objektive për të cilat bazohet krahasimi;
ç) të përdorë gjuhë të thjeshtë dhe të qartë;
d) të sigurojë informacion të saktë dhe të përditësuar e të japë kohën e përditësimit të fundit;
dh) të jetë i hapur për çdo ofrues të shërbimeve të aksesit në internet ose shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të disponueshëm për publikun, duke vënë në dispozicion informacionin përkatës dhe të përfshijë një gamë të gjerë të ofertave që mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut dhe kur informacioni i paraqitur nuk është një pasqyrë e plotë e tregut, një deklaratë të qartë për këtë përpara shfaqjes së rezultateve;
e) të sigurojë një procedurë efektive për të raportuar informacionin e pasaktë;
ë) të përfshijë mundësinë për të krahasuar çmimet, tarifat dhe cilësinë e performancës së shërbimit midis ofertave të disponueshme për përdoruesit fundorë dhe nëse kërkohet nga legjislacioni në fuqi, midis këtyre ofertave dhe ofertave standarde publikisht të disponueshme për përdoruesit e tjerë fundorë.
7. Instrumentet e krahasimit që plotësojnë kërkesat e pikës 6, nëse ofrohen nga një subjekt i ndryshëm nga AKEP-i, duhet të certifikohen paraprakisht nga AKEP-i. Palët e treta kanë të drejtë të përdorin pa pagesë dhe në formatin e hapur të të dhënave informacionin e publikuar nga ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet ose shërbimet e komunikimit ndërpersonal të disponueshëm publikisht, me qëllim vënien në dispozicion të këtyre instrumenteve të pavarura të krahasimit.
8. AKEP-i mund të kërkojë që ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet ose të shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, të bazuar në numra publikisht të disponueshëm ose për të dyja kategoritë, të shpërndajnë pa pagesë informacion me interes publik për përdoruesit fundorë ekzistues dhe të rinj, sipas rastit, nëpërmjet mjeteve të komunikimit që ata përdorin zakonisht me përdoruesit fundorë.
9. Në rastet e parashikuara në pikën 8 të këtij neni, informacioni me interes publik duhet të ofrohet nga autoritetet publike përkatëse në një format të standardizuar, dhe, ndër të tjera, duhet të mbulojë temat e mëposhtme:
a) përdorimet më të zakonshme të shërbimeve të aksesit në internet dhe shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, publikisht të disponueshëm të bazuar në numra, në mbështetje/kryerjen e aktiviteteve të paligjshme ose për shpërndarjen e përmbajtjes së dëmshme, veçanërisht kur mund të paragjykojë respektimin e të drejtave dhe lirive të të tjerëve, duke përfshirë shkeljen e të drejtave të mbrojtjes së të dhënave, të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to dhe pasojat e tyre ligjore;
b) mjetet e mbrojtjes kundër rreziqeve për sigurinë personale, privatësinë dhe të dhënat personale, kur përdoren shërbimet e aksesit në internet dhe shërbimet e komunikimit ndërpersonal publikisht të disponueshëm të bazuar në numra.
Neni 143
Cilësia e shërbimit të aksesit në internet dhe shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale të disponueshme për publikun
1. AKEP-i kërkon nga ofruesit e shërbimeve të internetit ose shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale të publikojnë për përdoruesit fundorë informacion të krahasueshëm, të qartë, të besueshëm, miqësor dhe të përditësuar për cilësinë e shërbimeve të tyre.
2. Informacioni për cilësinë e shërbimeve ofrohet në masën që ofruesit e shërbimit kanë kontroll në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në bazë të një marrëveshjeje të nivelit të shërbimit, për të paktën disa elemente të rrjetit që lidhen me këtë qëllim, si dhe masat e marra për të siguruar aksesin e barabartë për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara.
3. AKEP-i mund të kërkojë gjithashtu nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale të disponueshme për publikun të informojnë pajtimtarët nëse cilësia e shërbimeve që ata ofrojnë varet nga ndonjë faktor i jashtëm, si kontrolli i transmetimit të sinjalit ose lidhjes me rrjetin. Ky informacion i jepet AKEP-it me kërkesë dhe, sipas rastit, autoriteteve të tjera kompetente përpara publikimit të tij.
4. Masat për sigurimin e cilësisë së shërbimit duhet të jenë në përputhje me rregullat për internetin e hapur, sipas përcaktimeve në kreun XXII të këtij ligji.
5. AKEP-i specifikon parametrat e cilësisë së shërbimit që do të maten, metodat e zbatueshme të matjes, përmbajtjen, formën dhe mënyrën e informacionit që do të publikohet, duke përfshirë mekanizmat e mundshëm të certifikimit të cilësisë, sipas standardeve të ETSI-së dhe ITU-së. Parametrat, përkufizimet dhe metodat e matjes, kur është e përshtatshme, përfshijnë:
a) për thirrjet zanore:
i. kohën e vendosjes së thirrjes;
ii. përqindjen e thirrjeve të pasuksesshme;
iii. cilësinë e transmetimit të bisedës;
iv. kohën e përgjigjes për thirrjet drejt operatorit, shërbimit ndaj klientit dhe shërbimeve të numëratorit telefonik;
b) për rrjetet e lëvizshme:
i. disponueshmërinë e rrjetit;
ii. probabilitetin e lidhjes së suksesshme në një zonë të mbuluar nga rrjeti;
iii. raportin e rënies së thirrjeve;
c) për shërbimin ndaj klientit:
i. kohën ndërmjet kërkesës për shërbim dhe fillimit të ofrimit të shërbimit;
ii. shpeshtësinë e defekteve;
iii. kohën për të zgjidhur dhe eliminuar defektet; frekuencën e ankesave për faturimin;
ç) internetin:
i. shpejtësinë e transferimit të të dhënave;
ii. kohën e ngarkimit të faqes në internet;
iii. vonesën; jitter; shkallën e humbjes së paketës.
6. AKEP-i, brenda një viti nga hyrja e këtij ligji në fuqi, përcakton parametrat e cilësisë së shërbimit, duke përfshirë parametrat përkatës për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara, metodat e zbatueshme të matjes, përmbajtjen dhe formatin e publikimit të informacionit, si dhe mekanizmat e certifikimit të cilësisë, bazuar në praktikat më të mira evropiane dhe standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Neni 144
Kohëzgjatja dhe përfundimi i kontratës
1. AKEP-i siguron që kontratat e lidhura ndërmjet konsumatorëve dhe sipërmarrësve të shërbimeve të komunikimeve elektronike, të disponueshme për publikun, përveç shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale të pavarura nga numri dhe shërbimeve të transmetimit të përdorura për ofrimin e shërbimeve makinë-makinë, bazohen në parimin e barazisë mes palëve. Kushtet dhe procedurat për zgjidhjen e kontratës nuk duhet të pengojnë ose të dekurajojnë përdoruesin fundor për ndryshimin e ofruesit të shërbimit, si dhe nuk duhet të detyrojnë lidhjen e kontratës me një afat fillestar prej më shumë se 24 muajsh.
2. AKEP-i mund të miratojë ose të vijojë të mbajë dispozita, të cilat detyrojnë lidhjen e kontratave me periudha më të shkurtra maksimale të angazhimit kontraktual.
3. AKEP-i siguron gjithashtu që ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, përveç shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale të pavarura nga numrat dhe përveç shërbimeve të transmetimit, që përdoren për ofrimin e shërbimeve makinë-makinë, do t’u ofrojnë konsumatorëve mundësinë për të nënshkruar një kontratë për një periudhë maksimale prej 12 muajsh.
4. Përcaktimet e mësipërme të këtij neni nuk janë të detyrueshme për t’u zbatuar për kohëzgjatjen e një kontrate për pagesë me këste, ku përdoruesi fundor ka rënë dakord me një kontratë të veçantë për pagesa me këste, ekskluzivisht për instalimin e një lidhjeje fizike, veçanërisht për lidhjen në rrjet me shpejtësi shumë të lartë. Kontrata e instalimit për lidhje fizike nuk përfshin pajisjen fundore si router apo modem dhe nuk duhet të pengojë përdoruesit fundorë nga ushtrimi i të drejtave të tyre, sipas këtij neni.
5. Përcaktimet e pikës 1 të këtij neni janë gjithashtu të zbatueshme për ndërmarrje mikro, ndërmarrje të vogla ose organizata jofitimprurëse, përveç rasteve kur ata kanë rënë dakord shprehimisht të heqin dorë nga këto dispozita.
6. Kur një kontratë për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, të ndryshme nga shërbimet e komunikimeve ndërpersonale të pavarura nga numri, si dhe nga shërbimet e transmetimit për ofrimin e shërbimeve makinë-makinë ose kur një dispozitë ligjore parashikon zgjatjen automatike të kontratës me kohëzgjatje fikse, pajtimtarët pas zgjatjes së kontratës kanë të drejtë të zgjidhin kontratën në çdo kohë, pasi njoftojnë paraprakisht për këtë në një afat maksimal prej një muaji. Zgjidhja e kontratës, sipas kësaj pike, bëhet pa asnjë kosto shtesë, përveç tarifave të aplikueshme për marrjen e shërbimit gjatë periudhës së njoftimit.
7. Përpara se kontrata të zgjatet automatikisht, sipas pikës 6 të këtij neni, ofruesit duhet të informojnë pajtimtarët, në mënyrë të qartë dhe nëpërmjet një mjeti të qëndrueshëm në kohë, për përfundimin e afatit të kontratës dhe për mënyrat se si pajtimtari mund të zgjidhë kontratën. Njëkohësisht, me këtë informim, ofruesit u japin pajtimtarëve edhe këshilla për tarifat më të mira në lidhje me shërbimet e tyre, përfshirë mundësinë e rinovimit të kontratës. Ofruesit i ofrojnë pajtimtarëve informacion me këshilla për tarifat më të mira, të paktën çdo vit.
8. Pajtimtarët kanë të drejtë të zgjidhin kontratën e tyre pa asnjë kosto shtesë me marrjen e njoftimit të ndryshimeve në kushtet e kontratës të propozuara nga ofruesi i shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, të ndryshme nga shërbimet e komunikimeve ndërpersonale të pavarura nga numrat, përveç rasteve kur ndryshimet e propozuara janë ekskluzivisht në dobi të pajtimtarit, janë të natyrës administrative dhe nuk kanë efekt negativ mbi pajtimtarin, ose kur ato janë imponuar për zbatim drejtpërdrejt nga legjislacioni në fuqi.
9. Ofruesit njoftojnë pajtimtarët të paktën një muaj përpara për çdo ndryshim në kushtet kontraktuale dhe njëkohësisht i informojnë ata për të drejtën e tyre për të zgjidhur kontratën pa ndonjë kosto shtesë, nëse ata nuk i pranojnë kushtet e reja. E drejta për zgjidhjen e kontratës do të jetë e zbatueshme brenda një muaji nga marrja e njoftimit. AKEP-i mund ta zgjasë këtë periudhë deri në 3 muaj. AKEP-i siguron që njoftimi të bëhet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme nëpërmjet një mjeti të qëndrueshëm komunikimi.
10. Çdo mospërputhje e rëndësishme, e vazhdueshme në kohë ose e përsëritur shpesh, midis performancës aktuale të një shërbimi të komunikimeve elektronike, përveç shërbimit të aksesit në internet ose një shërbimi komunikimi ndërpersonal të pavarur nga numri dhe performancës së përfshirë në kontratë, konsiderohet se përbën arsye për të kërkuar zbatimin e masave rregulluese kompensuese, në dispozicion të përdoruesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë të drejtën për të zgjidhur kontratën pa kosto.
11. Kur përdoruesi fundor, sipas parashikimeve të këtij ligji, ka të drejtë të zgjidhë kontratën për shërbimin e komunikimeve elektronike të disponueshëm për publikun, përveç shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale të pavarur nga numrat, përpara përfundimit të afatit të kontratës, përdoruesi fundor nuk paguan asnjë kompensim për zgjidhjen e kontratës, përveç detyrimeve të mbetura për pajisjet fundore të subvencionuara.
12. Kur përdoruesi fundor zgjedh të mbajë pajisjet fundore të përfshira në paketën tarifore të integruar, në momentin e lidhjes së kontratës, kompensimi për të paguar për pajisjen fundore nuk duhet të jetë më i lartë se vlera proporcionale e tij e llogaritur në bazë të vlerës monetare të deklaruar të pajisjes, në momentin e lidhjes së kontratës ose në bazë të pjesës së tarifës së shërbimit për muajt e mbetur, deri në fund të afatit të kontratës, duke aplikuar vlerën më të ulët midis tyre.
13. AKEP-i mund të përcaktojë metoda të tjera për llogaritjen e shkallës së kompensimit, me kusht që metoda të tilla të mos rezultojnë në një nivel kompensimi që tejkalon atë të llogaritur në përputhje me pikën 12 të këtij neni.
14. Ofruesi ka detyrim që të heqë të gjitha kufizimet për përdorimin e pajisjes fundore në rrjetet e tjera pa pagesë, në një kohë të përcaktuar nga AKEP-i dhe jo më vonë se data e pagesës nga pajtimtari të kompensimit për pajisjen fundore.
15. Në lidhje me shërbimet e transmetimit të përdorura për shërbimet makinë- makinë, të drejtat e referuara në pikat 8, 11 dhe 12 të këtij neni janë të zbatueshme vetëm për përdoruesit fundorë që janë konsumatorë, ndërmarrje mikro, ndërmarrje të vogla ose organizata jofitimprurëse.
Neni 145
Ndërrimi i ofruesit dhe portabiliteti i numrave
1. Në rastin kur përdoruesi fundor kërkon ndërrimin e ofruesit të shërbimit të aksesit në internet, ofruesit e përfshirë në proces duhet t’i ofrojnë përdoruesit fundor informacionin e duhur përpara dhe gjatë procesit të ndërrimit dhe sigurojnë vazhdimësinë e shërbimit të aksesit në internet, përveç rasteve kur nuk është e mundur teknikisht.
2. Ofruesi marrës siguron që aktivizimi i shërbimit të aksesit në internet të ndodhë brenda kohës më të shkurtër të mundshme, në datën dhe brenda afatit kohor të rënë dakord shprehimisht me pajtimtarin.
3. Ofruesi transferues vazhdon të ofrojë shërbimin e tij të aksesit në internet, me të njëjtat kushte, derisa ofruesi marrës të aktivizojë shërbimin e tij të aksesit në internet. Mungesa e shërbimit gjatë procesit të ndërrimit nuk duhet të jetë më e gjatë se një ditë pune. AKEP-i siguron që procesi i ndërrimit të ofruesit të jetë i thjeshtë dhe efektiv për përdoruesit fundorë.
4. AKEP-i siguron që të gjithë përdoruesit fundorë të pajisur me numra nga Plani Kombëtar i Numeracionit të kenë të drejtë të mbajnë numrat e tyre, sipas kërkesës, pavarësisht nga sipërmarrësi që ofron shërbimin, në përputhje me parashikimet e nenit 126 të këtij ligji.
5. Kur një përdorues përfundon një kontratë, ai ruan të drejtën për portimin e një numri nga Plani Kombëtar i Numeracionit te një ofrues tjetër, për të paktën një muaj nga data e përfundimit të kontratës së mëparshme, përveç rastit kur përdoruesi fundor heq dore nga kjo e drejtë.
6. Të gjithë sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike fikse janë të detyruar të mundësojnë portabilitetin e numrit gjeografik, për të gjithë pajtimtarët e tyre, kur ata ndryshojnë sipërmarrësin që u ofron shërbimin publik telefonik fiks.
7. Të gjithë sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike të lëvizshme janë të detyruar të mundësojnë portabilitetin e numrit jogjeografik për të gjithë pajtimtarët e tyre, kur ata ndryshojnë sipërmarrësin, që u ofron shërbimin publik telefonik të lëvizshëm.
8. Sipërmarrësit mund të aplikojnë një tarifë për sipërmarrësit e tjerë për portabilitetin e numrit. Tarifat duhet të jenë të orientuara në kosto dhe të mos shërbejnë si faktorë frenues për përdorimin e shërbimit të portabilitetit të numrit nga përdoruesit fundorë.
9. Kostot e përshtatjes dhe të mirëmbajtjes së rrjeteve, në mënyrë që të mundësohet portabiliteti i numrit, përballohen nga sipërmarrësit përkatës.
10. AKEP-i siguron që sipërmarrësit nuk aplikojnë pagesa direkte për përdoruesit fundorë për portimin e numrave të tyre.
11. Mbartja e numrave dhe aktivizimi i tyre bëhen brenda një afati sa më të shkurtër kohor, në datën e dakordësuar shprehimisht me përdoruesin fundor. Në rastet kur përdoruesi fundor ka lidhur kontratë për mbartjen e numrit me një sipërmarrës të ri, aktivizimi i numrit bëhet brenda një dite pune.
12. Në rastin e dështimit të procesit të portimit, ofruesi transferues riaktivizon numrin dhe shërbimet e lidhura për përdoruesin fundor deri në portimin e suksesshëm të numrit. Ofruesi transferues vazhdon ofrimin e shërbimeve të tij me të njëjtat kushte dhe terma derisa shërbimet në ofruesin marrës të jenë aktivizuar. Në çdo rast, ndërprerja e shërbimit gjatë procesit të mbartjes nuk do të jetë më e gjatë se një ditë pune. Operatorët e rrjetit të aksesit apo faciliteteve të tyre që përdoren nga ofruesi dhënës apo marrës ose nga të dy bashkë, marrin masa për kryerjen pa vonesa të portimit dhe sigurimin e ofrimit të shërbimit pa ndërprerje për përdoruesin.
13. AKEP-i me rregullore përcakton detajet e procesit të portimit, duke marrë në konsideratë kushtet teknike për realizimin e portimit, si dhe nevojën e vazhdimit të marrjes së shërbimit nga përdoruesi fundor. AKEP-i mund të parashikojë në rregullore përjashtimet nga parimi i përcaktuar në pikën 11 të këtij neni për rastet e justifikuara dhe, kur është e nevojshme, në lidhje me procese specifike për portabilitetin e shumë numrave në të njëjtën kohë.
14. Ofruesi marrës dhe ofruesi dhënës në një proces portimi bashkëpunojnë me njëri-tjetrin mbi bazën e besimit të mirë, pa vonuar dhe abuzuar me proceset e portimit të numrave dhe nuk portojnë numrat pa miratimin e shprehur në mënyrë të qartë nga përdoruesi fundor. Kontrata e përdoruesit fundor me ofruesin transferues përfundon automatikisht me përfundimin e procesit të portimit.
15. Ofruesit transferues, sipas kërkesës dhe kur është e mundur teknikisht, rimburson konsumatorët për kreditet e mbetura ose të papërdorura të tyre në përdorimin e shërbimeve me parapagim. Ofruesi mund të aplikojë një tarifë për rimbursimin vetëm kur ajo parashikohet në kontratë. Tarifa për rimbursimin duhet të jetë proporcionale dhe në raportin e duhur ndaj kostove aktuale të sipërmarrësit transferues për ofrimin e rimbursimit.
16. AKEP-i, bazuar në specifikat e tregut shqiptar të komunikimeve elektronike dhe pas një procesi konsultimi për mundësitë teknike, miraton me rregullore mënyrat për kompensimin e përdoruesve fundorë nga ofruesit, sipas pikës 15 të këtij neni, me qëllim sigurimin e kompensimit, në mënyrë të thjeshtë dhe duke respektuar kërkesat e legjislacionit në fuqi.
17. Përveç sa parashikohet në nenin 141 të këtij ligji, AKEP-i siguron që përdoruesit fundorë informohen në mënyrën e përshtatshme në kontratë për të drejtat e portimit dhe të kompensimit, sipas pikave 15 dhe 16 të këtij neni.
18. Në rastet e dështimit të sipërmarrësve, në përmbushjen e detyrimeve të portimit të përcaktuara në këtë nen, AKEP-i merr masa administrative në lidhje me vonesat, abuzimin në procesin e portimit, sipas parashikimeve në nenin 184 të këtij ligji.
Neni 146
Zbatimi i portabilitetit të numrit
1. AKEP-i nëpërmjet një rregulloreje të veçantë përcakton mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit dhe afatet kohore përkatëse.
2. Në hartimin e rregullores së përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, AKEP-i duhet të këtë parasysh kërkesat e nenit 145 të këtij ligji.
Neni 147
Ofertat nëpërmjet paketave
1. Nëse një paketë shërbimesh ose një paketë shërbimesh që përfshin dhe pajisje fundore, që i ofrohen një përdoruesi fundor, përmban të paktën një shërbim aksesi në internet ose një shërbim komunikimi ndërpersonal të bazuar në numra të disponueshëm për publikun, atëherë përcaktimet e pikës 3 të nenit 141, të pikës 1 të nenit 142 dhe të pikës 1 të nenit 145 të këtij ligji zbatohen për të gjitha elementet e paketës, përfshirë ato elemente, duke bërë ndryshimet e nevojshme, që nuk janë të parashikuara në dispozitat e cituara.
2. Në rastet kur përdoruesi fundor gëzon të drejtën sipas ligjit shqiptar që të ndërpresë ndonjë prej elementeve të paketës, sipas përcaktimeve në pikën 1 të këtij neni, përpara përfundimit të afatit të kontratës së rënë dakord për shkak të mospërmbushjes së kushteve të kontratës ose dështimit të ofrimit të shërbimit, pajtimtari do të ketë të drejtën të zgjidhë kontratën për të gjitha elementet e paketës.
3. Çdo shtim i shërbimeve apo pajisjeve fundore në një kontratë pajtimi me të njëjtin ofrues të shërbimit të aksesit në internet ose të shërbimeve të komunikimit ndërpersonal, të bazuar në numra të disponueshëm për publikun, nuk duhet të zgjasë kohëzgjatjen aktuale të kontratës, në të cilën janë shtuar këto shërbime ose pajisje fundore, përveç rastit kur pajtimtari bie dakord shprehimisht ndryshe gjatë shtimit në kontratë të shërbimeve shtesë ose pajisjes fundore.
4. Pikat 1 dhe 3 të këtij neni zbatohen gjithashtu për përdoruesit fundorë që janë mikrondërmarrje, ndërmarrje të vogla, siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme ose organizatat jofitimprurëse, përveç rasteve kur ata kanë rënë dakord shprehimisht të heqin dorë nga të gjitha ose një pjesë e të drejtave të parashikuara në këto dispozita.
5. AKEP-i mund të zbatojë pikën 1 të këtij neni edhe për dispozitat e tjera të parashikuara në këtë ligj.
Neni 148
Disponueshmëria e shërbimeve
1. Sipërmarrësit e komunikimeve elektronike marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar disponueshmërinë sa më të plotë të shërbimeve të komunikimit zanor dhe shërbimeve të aksesit në internet, të ofruara nëpërmjet rrjeteve publike të komunikimeve elektronike në rast dëmtimi katastrofik të rrjetit ose në raste të forcës madhore. Ofruesit e shërbimeve të komunikimit zanor marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar akses të pandërprerë në shërbimet e emergjencës dhe transmetim të pandërprerë të paralajmërimeve publike.
2. Pavarësisht nga pika 1 e këtij neni, sipërmarrësit që ofrojnë akses në një rrjet publik të komunikimeve elektronike mund të kufizojnë ose të ndërpresin përkohësisht aksesin në shërbimet e tyre, pa miratimin e përdoruesve, nëse kjo është e nevojshme për përmirësimin, modernizimin, mirëmbajtjen ose në rast defektesh apo dëmtimi të rrjetit.
3. Sipërmarrësit duhet të informojnë AKEP-in dhe të njoftojnë pajtimtarët për kufizimin ose ndërprerjet e shërbimit. Ky informim bëhet:
a) të paktën 48 orë përpara, në rastin e punimeve të planifikuara për përmirësimin, modernizimin ose mirëmbajtjen e rrjetit, që do të zgjasin më shumë se 30 minuta;
b) sa më shpejt të jetë e mundur, por në asnjë rast më vonë se 48 orë pas ndodhjes së kufizimit ose ndërprerjes së shkaktuar nga defekte ose dëmtime të rrjetit, kur ndërprerja apo kufizimi impakton njëherazi një numër të konsiderueshëm përdoruesish që përcaktohet në rregulloren përkatëse të miratuar nga AKEP-i.
Neni 149
Komunikimet e emergjencës dhe numri evropian i emergjencës
1. Sipërmarrësit duhet të sigurojnë që të gjithë përdoruesit fundorë, përfshirë përdoruesit e telefonave publikë me pagesë të kenë akses në shërbimet e emergjencës nëpërmjet komunikimeve të emergjencës pa pagesë dhe pa pasur nevojë të përdorin asnjë mjet pagese, duke përdorur numrin unik evropian të emergjencave “112” dhe çdo numër kombëtar të emergjencës, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
2. AKEP-i promovon aksesin në shërbimet e emergjencës nëpërmjet numrit unik evropian të emergjencave “112” nga rrjetet e komunikimeve elektronike, që nuk janë publike, por e mundësojnë thirrjen drejt rrjeteve publike të komunikimit elektronik, veçanërisht kur sipërmarrësi përgjegjës për atë rrjet nuk ofron akses alternativ dhe të lehtë për shërbimet e emergjencës.
3. AKEP-i, pas konsultimit me autoritetet përgjegjëse për shërbimet e emergjencës dhe ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike siguron që ofruesit e shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale, të bazuara në numra të disponueshëm për publikun, që u mundësojnë përdoruesve fundorë origjinimin e thirrjeve drejt numrave të planit kombëtar ose ndërkombëtar të numeracionit, që të sigurojnë akses në shërbimet e emergjencës nëpërmjet komunikimeve të emergjencës drejt PSAP-ve më të përshtatshme, sipas pikës 3 të nenit 47 të ligjit nr. 45/2019, “Për mbrojtjen civile”.
4. Autoritetet kompetente të PSAP-ve sigurojnë që të gjitha komunikimet e emergjencës drejt numrit unik evropian të emergjencës “112” të përgjigjen dhe të trajtohen në mënyrën më të përshtatshme për organizimin kombëtar të sistemeve të emergjencës. Këto komunikime të emergjencës drejt numrit “112” duhet të përgjigjen dhe të trajtohen me të paktën të njëjtin nivel shpejtësie dhe efektiviteti sa edhe komunikimet drejt numrave kombëtarë të emergjencës, për sa kohë ato vazhdojnë të jenë në përdorim.
5. Autoritetet kompetente të PSAP-ve do të marrin në konsideratë raportet e Komisionit Evropian për efektivitetin e zbatimit të numrit unik evropian të emergjencës “112” .
6. AKEP-i, në bashkëpunim me autoritetet e PSAP-ve, siguron që aksesi i përdoruesve fundorë me aftësi të kufizuara në shërbimet e emergjencës të jetë i disponueshëm nëpërmjet komunikimeve të emergjencës dhe të jetë i barasvlershëm me atë që gëzojnë përdoruesit e tjerë fundorë, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi në Republikën e Shqipërisë, për kërkesat e aksesueshmërisë për produktet dhe shërbimet. AKEP-i merr masat e duhura për të siguruar që gjatë udhëtimit në një shtet tjetër përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara të kenë akses në shërbimet e emergjencës, në mënyrë të barasvlershme me përdoruesit e tjerë fundorë, kur është e mundur, pa pasur nevojë për ndonjë regjistrim paraprak.
7. Ofruesit e komunikimeve ndërpersonale të bazuara në numra duhet të sigurojnë që informacioni i vendndodhjes së palës thirrëse të vihet në dispozicion të PSAP-së më të përshtatshme, pa vonesë, pas vendosjes së komunikimit emergjent. Kjo do të përfshijë informacionin e vendndodhjes së bazuar në rrjet, dhe, kur është i disponueshëm, informacionin e vendndodhjes së palës thirrëse të gjeneruar nga aparati fundor i lëvizshëm. Ofruesit duhet të sigurojnë që krijimi dhe transmetimi i informacionit të vendndodhjes së palës thirrëse të jetë pa pagesë për përdoruesin fundor dhe PSAP-të për të gjitha komunikimet e emergjencës me numrin unik evropian të emergjencës “112”. AKEP-i mund ta zgjerojë fushën e veprimit të këtij detyrimi për të përfshirë edhe komunikimet e emergjencës drejt numrave kombëtarë të emergjencës. Kriteret për t’u zbatuar për saktësinë dhe besueshmërinë e informacionit të dhënë për vendndodhjen e palës thirrëse përcaktohen nga AKEP-i.
8. Ofruesit duhet të sigurojnë që përdoruesit fundorë të jenë të informuar në mënyrë të përshtatshme dhe të duhur për ekzistencën dhe përdorimin e numrit unik evropian të emergjencës “112”, si dhe funksionet e aksesueshmërisë së tij, përfshirë nëpërmjet iniciativave që synojnë veçanërisht përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara. Ky informacion do të jepet në formate të aksesueshme, duke adresuar lloje të ndryshme të aftësive të kufizuara.
9. Për të siguruar akses efektiv në shërbimet e emergjencës nëpërmjet komunikimeve të emergjencës me numrin unik evropian të emergjencës “112”, AKEP-i miraton rregullat e nevojshme për të garantuar përputhshmërinë, ndërveprueshmërinë, cilësinë, besueshmërinë dhe vijueshmërinë e komunikimeve të emergjencës në shtetet anëtare evropiane, në lidhje me zgjidhjet për informacionin për vendndodhjen e palës thirrëse, aksesin për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara dhe rrugëzimin e komunikimeve drejt PSAP-ve më të përshtatshme. Këto rregulla duhet të miratohen pa prekur dhe pa ndikuar organizimin e shërbimeve të emergjencës, të cilët mbeten në kompetencën ekskluzive të Republikës së Shqipërisë.
Neni 150
Sistemi i paralajmërimit publik
1. Me ngritjen e sistemit të paralajmërimit publik nga autoritetet përgjegjëse, sipas ligjit për mbrojtjen civile, ofruesit e shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të bazuar në numra të rrjeteve të lëvizshme sigurojnë transmetimin e paralajmërimeve publike për emergjencat civile apo fatkeqësitë e mëdha në zhvillim ose të pritshme, drejt përdoruesve fundorë të prekur përkatësisht.
2. Pavarësisht nga pika 1 e këtij neni, ministria, në bashkëpunim me AKEP-in, mund të përcaktojë që paralajmërimet publike të transmetohen nëpërmjet shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, të ndryshme nga ato të përmendura në pikën 1 dhe të ndryshme nga shërbimet e transmetimit televiziv ose radio, ose nëpërmjet një aplikacioni nga pajisje të lëvizshme, që mbështetet në aksesin në internet, me kusht që sistemi i paralajmërimit publik të ketë efektivitet të barasvlershëm për sa i përket mbulimit dhe kapacitetit për të arritur përdoruesit fundorë, duke përfshirë ata që janë të pranishëm përkohësisht vetëm në zonën në fjalë, duke marrë në konsideratë udhëzimet e BEREC-ut.
3. Paralajmërimet publike duhet të jenë lehtësisht të aksesueshme nga përdoruesit fundorë.
Neni 151
Garantimi i aksesit të barabartë dhe mundësisë së zgjedhjes për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara
1. AKEP-i, në bashkëpunim me autoritetet e tjera kompetente për çështjet sociale, përcakton kërkesat që duhet të plotësojnë ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, për të siguruar që përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara:
a) të kenë akses në shërbimet e komunikimeve elektronike, përfshirë informacionin përkatës kontraktual, të dhënë sipas nenit 141 të këtij ligji, në mënyrë të barasvlershme me atë që gëzon shumica e përdoruesve fundorë; dhe
b) të përfitojnë nga zgjedhja e sipërmarrësve dhe shërbimeve të disponueshme për shumicën e përdoruesve fundorë.
2. Në përcaktimin e masave, sipas pikës 1 të këtij neni, AKEP-i, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për përfshirjen sociale, vlerëson kërkesat e veçanta të nevojave të përgjithshme, si dhe shkallën dhe formën e masës specifike për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara dhe do të inkurajojë respektimin e standardeve ose specifikimeve përkatëse të përcaktuara në përputhje me nenin 53 të këtij ligji.
Neni 152
Shërbimet e kërkimit në numëratorin telefonik
1. Ofruesit e shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të bazuar në numra, që pajisin përdoruesit fundorë me numra nga Plani Kombëtar i Numeracionit, për qëllime të ofrimit të shërbimeve të disponueshme për publikun dhe të kërkimit të informacionit në numërator, plotësojnë të gjitha kërkesat e arsyeshme për të vënë në dispozicion me kushte të drejta, objektive, jodiskriminuese dhe të orientuara drejt kostos informacionin përkatës sipas një formati të miratuar.
2. AKEP-i mund të imponojë detyrime dhe kushte ndaj sipërmarrësit që ofron akses për përdoruesit fundorë për ofrimin e shërbimeve të kërkimit të informacionit në numërator, në përputhje me parashikimet e nenit 82 të këtij ligji, mbi baza objektive, të barabarta, jodiskriminuese dhe transparente.
3. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni zbatohen në përputhje me kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe parashikimet e nenit 167 të këtij ligji.
Neni 153
Ndërveprueshmëria e pajisjeve radio të automjeteve dhe të konsumatorit
1. Ministria, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse dhe me AMA-n, ndërmerr masa për sigurimin e ndërveprueshmërisë së pajisjeve radio të automjeteve dhe pajisjeve marrëse digjitale të konsumatorit.
2. Rregullat për sigurimin e ndërveprueshmërisë të pajisjeve radio të automjeteve dhe marrësve digjitalë të konsumatorit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 154
Sigurimi i faciliteteve shoqëruese
1. Në përputhje me përcaktimet në pikën 2 të nenit 115 të këtij ligji, AKEP-i u kërkon të gjithë ofruesve të shërbimeve të aksesit në internet ose të shërbimeve të komunikimit ndërpersonal të bazuar në numra të disponueshëm për publikun të vënë në dispozicion, pa pagesë, të gjitha ose një pjesë të faciliteteve shoqëruese, të përcaktuara në nenin 116 e në vijim të këtij ligji.
2. Gjatë zbatimit të pikës 1 të këtij neni, AKEP-i mund të zgjerojë listën e faciliteteve shoqëruese për të siguruar një nivel më të lartë të mbrojtjes së konsumatorit.
3. AKEP-i mund të vendosë të heqë detyrimin e zbatimit të pikës 1 të këtij neni në të gjithë ose në një pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, nëse pas marrjes së mendimeve të palëve të interesuara, vlerëson se aksesi në këto facilitete është i mjaftueshëm.
Neni 155
Regjistrimi i përdoruesve
1. Sipërmarrësit e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike detyrohen të bëjnë regjistrimin e përdoruesve të tyre me kontratë pajtimi ose kartë të parapaguar përpara aktivizimit të shërbimit.
2. AKEP-i përcakton formularin me të dhënat, të cilat janë të detyrueshme të jepen nga përdoruesit për të mundësuar regjistrimin e tyre, sipas këtij neni, duke përfshirë formatin elektronik dhe/ose elementet e identifikimit biometrik.
KREU XIX
MBROJTJA E TË DHËNAVE PERSONALE DHE PRIVATËSIA
Neni 156
Ruajtja e fshehtësisë
1. Sipërmarrësit duhet të marrin masa organizative dhe teknike të përshtatshme ndaj sistemeve të komunikimeve elektronike dhe të përpunimit të të dhënave, për të mbrojtur sekretin e komunikimeve elektronike dhe të të dhënave personale nga aksesi i paautorizuar i sistemeve të komunikimeve elektronike dhe të përpunimit të të dhënave.
2. Sipërmarrësi, të autorizuarit dhe punonjësit e tij detyrohen të ruajnë e të mbrojnë të dhënat dhe fshehtësinë e komunikimeve, që kryhen nëpërmjet rrjetit e shërbimeve të tij, gjatë gjithë periudhës së kryerjes së veprimtarisë, por dhe pas përfundimit të saj.
3. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni nuk pengojnë ruajtjen e të dhënave për qëllime teknike, e cila është e nevojshme për transmetimin e komunikimeve, pa cenuar parimet e konfidencialitetit.
4. Është e ndaluar për sipërmarrësit marrja, regjistrimi, publikimi, ruajtja, përgjimi ose ndonjë lloj tjetër mbikëqyrjeje e komunikimeve, si dhe të dhënave të lidhura me trafikun pa miratimin paraprak të përdoruesit ose të personave të tjerë në komunikim, të ndryshëm nga përdoruesi, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Neni 157
Masat mbrojtëse
1. Sipërmarrësit e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike janë të detyruar që individualisht ose kur është e nevojshme, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të zbatojnë masa teknike dhe organizative për të realizuar sigurinë e rrjeteve dhe të shërbimeve, të ofruara prej tyre. Në mënyrë të veçantë, merren masa për të parandaluar dhe minimizuar ndikimin e aksidenteve të sigurisë për përdoruesit e rrjeteve të ndërlidhura.
2. Këto masa sigurojnë një nivel të mbrojtjes dhe sigurisë së përshtatshme ndaj rreziqeve të mundshme, të parashikuara. Masat duhet që të paktën:
a) të sigurojnë që të dhënat personale të jenë të aksesueshme vetëm nga personeli i autorizuar për qëllime specifike ligjore, të përcaktuara qartë dhe të ligjshme;
b) të mbrojnë të dhënat personale të ruajtura ose të transmetuara nga aksidentet apo nga shkatërrimi i kundërligjshëm, humbja ose ndryshimi aksidental dhe ruajtja, përpunimi, aksesi apo zbulimi i paautorizuar ose i jashtëligjshëm;
c) të sigurojnë implementimin e politikave të sigurisë lidhur me përpunimin e të dhënave personale.
3. Sipërmarrësit e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike janë të detyruar të informojnë përdoruesit e tyre për një rrezik të veçantë, mënyrën se si rreziku mund të reduktohet nga përdoruesit, si dhe kostot e mundshme që duhet të mbulohen nga përdoruesi nëse rreziku që ndodh është jashtë masave që mund të marrë sipërmarrësi.
4. Në rast të cenimit të të dhënave personale, sipërmarrësi që ofron shërbime të komunikimeve elektronike të vlefshme për publikun njofton pa vonesë AKEP-in për këtë shkelje.
5. Kur një shkelje e të dhënave personale mund të ndikojë për keq në të dhënat personale dhe privatësinë e pajtimtarit ose individit, sipërmarrësi njofton pa vonesë pajtimtarin ose individin për shkeljen.
6. Nëse sipërmarrësi ka vërtetuar pranë AKEP-it që i ka zbatuar masat e nevojshme mbrojtëse teknologjike dhe këto masa janë aplikuar për të dhënat përkatëse, atëherë nuk kërkohet nga sipërmarrësi të njoftojë pajtimtarin ose individin për shkeljen e të dhënave personale. Këto masa mbrojtëse teknologjike i bëjnë këto të dhëna të palexueshme për çdo person që nuk ka akses të autorizuar në këto të dhëna.
7. Pa paragjykim ndaj detyrimit të sipërmarrësit për të njoftuar pajtimtarët dhe individët në fjalë, nëse sipërmarrësi nuk e ka njoftuar pajtimtarin ose individin për shkelje të të dhënave personale, AKEP-i, pasi të ketë marrë parasysh ndikimin për keq të shkeljes, mund të kërkojë që sipërmarrësi të njoftojë pajtimtarin.
8. Njoftimi i pajtimtarit ose individit përshkruan të paktën natyrën e shkeljes së të dhënave personale dhe personin e kontaktit, ku mund të merret informacion më i detajuar, si dhe rekomandon masa për të minimizuar efektet e mundshme të këqija të shkeljes së të dhënave personale. Njoftimi për AKEP-in, përveç kësaj, përshkruan pasojat dhe masat e propozuara ose të ndërmarra nga ofruesi për shkeljen e të dhënave personale.
9. Sipërmarrësit mbajnë një inventar të shkeljeve të të dhënave personale, që përmban fakte lidhur me këto shkelje, ndikimin e tyre dhe masat rregullatore të ndërmarra, të mjaftueshme për t’u mundësuar autoriteteve kompetente kombëtare verifikimin e përputhshmërisë me përcaktimet e pikës 3 të këtij neni. Ky inventar përfshin vetëm informacion të nevojshëm për këtë qëllim.
10. AKEP-i, në koordinim me autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale, përcakton me hollësi detyrimet e pikave 1 deri në 9 të këtij neni, me anë të një rregulloreje. Në veçanti, AKEP-i mund të kërkojë që sipërmarrësit:
a) të ofrojnë informacion të nevojshëm për të vlerësuar sigurinë dhe integritetin e shërbimeve dhe rrjeteve, duke përfshirë politika të dokumentuara të sigurisë;
b) t’i paraqesin auditit të sigurisë, të kryer nga një organ i certifikuar dhe i pavarur ose nga një autoritet kompetent, rezultatet dhe në këtë mënyrë t’i vënë ato në dispozicion të AKEP-it. Kostoja e auditit do të paguhet nga sipërmarrësi.
11. Në rast të shkeljes së sigurisë ose kur auditi i sigurisë zbulon masa jo të mjaftueshme të sigurisë, AKEP-i me një vendim i detyron sipërmarrësit të zbatojnë masat e nevojshme të sigurisë. AKEP-i mund të përcaktojë kërkesat minimale për masat që duhet të merren dhe afatet kohore për zbatimin e tyre.
12. AKEP-i mund të informojë vetë publikun ose të kërkojë nga sipërmarrësi që ta njoftojë atë, nëse vlerëson që bërja publike e kësaj shkeljeje është në interes të publikut.
13. AKEP-i mund të shkëmbejë informacion për shkeljet e sigurisë me Komisionin Evropian dhe me Agjencinë Evropiane për Sigurinë e Rrjeteve dhe të Informacionit, si dhe me autoritetet kompetente në vendet e tjera, në përputhje me kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave për transferimin ndërkombëtar.
Neni 158
Konfidencialiteti i komunikimeve elektronike
1. Konfidencialiteti i komunikimeve elektronike përfshin:
a) përmbajtjen e komunikimit;
b) të dhënat e trafikut dhe të vendndodhjes;
c) të dhëna për përpjekjet e pasuksesshme për vendosjen e lidhjes.
2. Janë të ndaluara të gjitha format e mbikëqyrjes, përgjimit, ndërprerjes, regjistrimit, ruajtjes, transferimit dhe devijimit të komunikimeve, si dhe të dhënat referuar pikës 1 të këtij neni, përveç rasteve kur kjo është e nevojshme për përcjelljen e mesazheve, të faksit, të postës elektronike, të sekretarisë telefonike, mesazheve zanore, mesazheve të shkurtra apo për rastet e parashikuara me ligj.
3. Nëse sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike kanë nevojë të marrin informacion për përmbajtjen e komunikimeve ose të kopjojnë apo të ruajnë komunikimet e të dhënat e trafikut, ata janë të detyruar të informojnë pajtimtarin në momentin e nënshkrimit të kontratës ose me fillimin e ofrimit të shërbimit të komunikimeve. Kur informacioni ose përmbajtja e komunikimit nuk është më i nevojshme për ofrimin e shërbimit specifik të komunikimeve publike, ai fshihet sa më shpejt që të jetë e mundur teknikisht.
4. Pajtimtarët ose përdoruesit mund të regjistrojnë komunikimet, por ata janë të detyruar të informojnë dhe të marrin miratimin paraprak të dërguesit apo marrësit të komunikimit për regjistrimin ose të përshtatin funksionimin e pajisjes regjistruese, në mënyrë që dërguesi apo marrësi i komunikimit të jetë i informuar për funksionimin e saj dhe kryerjen e regjistrimit.
5. Regjistrimi i komunikimeve dhe i të dhënave shoqëruese të trafikut lejohet me qëllim sigurimin e evidencës së transaksioneve në treg ose të ndonjë komunikimi tjetër biznesi.
6. Përdorimi i rrjeteve të komunikimit elektronik për ruajtjen e të dhënave apo për marrjen e aksesit në të dhënat e ruajtura në pajisjet fundore të pajtimtarit ose të përdoruesit lejohet vetëm në rastet kur pajtimtari ose përdoruesi në fjalë ka dhënë pëlqimin, duke i ofruar informacion të qartë dhe të kuptueshëm për qëllimin e përpunimit, sipas kërkesave të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo nuk parandalon çdo ruajtje teknike ose aksesin vetëm për qëllim të transmetimit të një komunikimi nëpërmjet një rrjeti të komunikimeve elektronike ose kur kjo është e domosdoshme që një ofrues i shërbimit të shoqërisë së informacionit të ofrojë shërbimin e kërkuar në mënyrë të qartë nga pajtimtari.
7. Ruajtja e të dhënave ose aksesi në të dhënat lejohet vetëm për përshpejtimin e transmetimit të mesazhit në një rrjet të komunikimeve elektronike ose, nëse kjo është e domosdoshme, për ofrimin e një shërbimi të shoqërisë së informacionit, të cilin pajtimtari ose përdoruesi e ka kërkuar paraprakisht dhe në mënyrë të qartë.
8. Sipërmarrësit njoftojnë jo më vonë se 72 orë pas njohjes me shkeljen e të dhënave personale AKEP-in dhe autoritetin përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 159
Të dhëna për trafikun e komunikimit
1. Të dhënat e trafikut të pajtimtarit dhe përdoruesit, të përpunuara apo të ruajtura nga një operator i rrjetit të komunikimit publik ose një ofrues i shërbimeve publike të komunikimit duhet të fshihen ose të bëhen të paidentifikueshme, sapo të mos jenë më të nevojshme për transferimin e mesazhit.
2. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit mund të ruajnë dhe të përpunojnë të dhënat e trafikut, të nevojshme për faturim dhe pagesat e interkoneksionit, deri në përfundimin e pagesave.
3. Ofruesit e shërbimit publik të komunikimeve, për qëllime marketingu të shërbimeve të komunikimeve elektronike ose për ofrimin e shërbimeve me vlerë të shtuar mund të përpunojnë të dhëna të trafikut vetëm pas dhënies së pëlqimit paraprak nga pajtimtari ose përdoruesit. Pajtimtarët ose përdoruesit duhet të jenë informuar për llojin e të dhënave të trafikut që përpunohet para se të japin miratimin për përpunimin e tyre. Pajtimtarët dhe përdoruesit kanë të drejtën të tërhiqen në çdo kohë nga miratimi që kanë bërë.
4. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit janë të detyruar të përcaktojnë në kontratë mënyrën e ruajtjes, kohëzgjatjen, mënyrën e përpunimit të të dhënave të trafikut dhe të deklarojnë se do t’i ruajnë këto informacione në përputhje me këtë ligj.
5. Të dhënat e trafikut mund të përpunohen vetëm nga personat përgjegjës të autorizuar nga operatorët dhe ofruesit e rrjeteve ose shërbimeve publike të komunikimit, të cilët janë përgjegjës për faturimin ose menaxhimin e trafikut, shërbimin me klientin, marketingun e shërbimeve të komunikimit elektronik, dedektimin e mashtrimeve ose ofrimin e shërbimeve me vlerë të shtuar, ndërkohë që përpunimi, detyrimisht, duhet të kufizohet vetëm për zhvillimin e veprimtarisë së tyre.
6. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit janë të detyruar t’i japin AKEP-it për zhvillimin e veprimtarive të parashikuara nga ky ligj të dhëna për trafikun, pas një kërkese paraprake.
Neni 160
Ruajtja dhe administrimi i të dhënave për qëllime të ndjekjes penale dhe të sigurisë kombëtare
1. Për qëllime të mbrojtjes së sigurisë kombëtare, luftimit të krimeve të rënda dhe parandalimit të kërcënimeve serioze ndaj sigurisë publike, ruhen të dhëna të trafikut të komunikimeve elektronike për një periudhë të kufizuar në kohë që është e domosdoshme për qëllimin e ruajtjes.
2. Të dhënat e trafikut dhe vendndodhjes ruhen mbi baza objektive dhe jodiskriminuese, sipas kategorive të personave të përfshirë ose përcaktimeve gjeografike.
3. Skedarët e të dhënave, me qëllim mundësimin e hetimit, zbulimin dhe procedimin penal, në përputhje me procedurën penale dhe për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, në përputhje me ligjet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ruhen dhe administrohen nga sipërmarrësit për një afat maksimal dyvjeçar. Këta skedarë duhet të përmbajnë të dhëna që mundësojnë:
a) identifikimin e pajtimtarëve, duke siguruar marrjen dhe regjistrimin e identitetit të plotë të tyre;
b) identifikimin e pajisjes fundore të përdorur gjatë komunikimeve;
c) përcaktimin e vendndodhjes, datës, kohës, kohëzgjatjes së komunikimit dhe numrit të thirrur dhe thirrës, përfshirë të dhënat për thirrjet pa përgjigje.
4. Në rastin e komunikimeve në internet, skedari duhet të përmbajë:
a) të dhëna të nevojshme për ndjekjen dhe identifikimin e burimit të komunikimit:
i. identitetin e pajtimtarit të caktuar;
ii. identitetin e pajtimtarit dhe numrin e telefonit të caktuar për komunikimet, që hyjnë në rrjetin publik telefonik;
iii. emrin dhe adresën e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar, të cilit i është caktuar një adresë IP, identitetin e përdoruesit ose numër telefoni i caktuar gjatë kohës së komunikimit;
b) të dhëna të nevojshme për identifikimin e destinacionit të komunikimit:
i. në rastin e telefonisë në internet, identitetin e përdoruesit ose numrin e telefonit të numrit të thirrur;
ii. në rastin e postës elektronike ose telefonisë në internet, emrin dhe adresën e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar dhe identitetin e përdoruesit të marrësit të synuar të komunikimit;
c) të dhëna të nevojshme për identifikimin e datës, kohës dhe kohëzgjatjes së komunikimit:
i. datën dhe orën e lidhjes dhe shkëputjes të shërbimit të aksesit në internet, sipas orës lokale;
ii. adresën IP, duke përcaktuar nëse është dinamike apo statike, të caktuar nga ofruesi i shërbimit internet;
iii. identitetin e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar të shërbimit të aksesit në internet.
5. Detyrimi për ruajtjen e të dhënave për thirrjet pa përgjigje, sipas shkronjës “c” të pikës 3, për komunikimet zanore, si dhe detyrimi për të dhënat, sipas nënndarjes “i” të shkronjës “c” të pikës 4 të këtij neni, për komunikimet në internet zbatohet për aq sa këto të dhëna krijohen ose përpunohen dhe ruhen nga ofruesi i shërbimeve ose rrjeteve publike të komunikimeve elektronike, brenda juridiksionit të tyre gjatë ofrimit të shërbimeve të komunikimeve prej tyre.
6. Të dhënat në këta skedarë ruhen sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
7. Këta skedarë u vihen në dispozicion pa vonesë edhe në formë elektronike, në bazë të kërkesës së tyre, autoriteteve që përcakton Kodi i Procedurës Penale, gjykatës, prokurorisë dhe çdo organi publik që ligji i posaçëm i jep ketë të drejtë për të parandaluar, hetuar, zbuluar ose ndjekur penalisht vepra penale ose ekzekutimi të dënimeve penale, duke përfshirë mbrojtjen dhe parandalimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike, mbrojtjes ose sigurisë kombëtare ose çdo institucioni tjetër, të cilit me ligj i jepet e drejta për të ushtruar funksione, detyra ose kompetenca publike, bazuar në legjislacionin në fuqi për një ose disa nga këto qëllime, bazuar në kërkesën e tyre.
8. Operatorët e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike janë të detyruar të shkatërrojnë të dhënat e ruajtura në përfundim të afatit të ruajtjes, kur nuk është parashikuar ndryshe në legjislacionin në fuqi.
Neni 161
Faturimi i detajuar për shërbimet telefonike të vlefshme për publikun
1. Sipërmarrësit janë të detyruar t’u ofrojnë pa pagesë pajtimtarëve të tyre për shërbimet telefonike të vlefshme për publikun faturë të detajuar, me qëllim që t’u mundësojë kontrollin mbi shumën e faturuar. Pajtimtarët, gjithashtu, kanë të drejtë të marrin faturë jo të detajuar pa pagesë. Në të dyja rastet, sipërmarrësi duhet të sigurojë dërgimin pa pagesë të faturës së detajuar ose jo të detajuar në adresën e pajtimtarit, sipas opsionit të zgjedhur nga pajtimtari.
2. Në faturën e përmendur në pikën 1 të këtij neni, mund të mos përfshihen thirrjet drejt numrave pa pagesë dhe thirrjet drejt numrave të emergjencës.
3. Fatura e detajuar për shërbimet telefonike publike përfshin minimalisht elementet e mëposhtme:
a) periudhën e faturimit;
b) pagesën fikse mujore për shërbimin;
c) llojin dhe shumën e të gjitha pagesave të tjera të mundshme për periudhën e faturimit;
ç) numrat e thirrur, datën, kohën, si dhe kohëzgjatjen e bisedave të kryera;
d) pagesën përkatëse për çdo komunikim të kryer.
Neni 162
Identifikimi i linjës thirrëse dhe të thirrur
1. Operatorët ose ofruesit e rrjeteve publike të komunikimit, që ofrojnë identifikimin e linjës thirrëse, janë të detyruar t’i mundësojnë dërguesit të thirrjes që para çdo thirrjeje të ketë mundësi të fshehë identifikimin e thirrjes së tij në mënyrë të thjeshtë dhe pa pagesë. Ofruesit e shërbimeve publike të komunikimeve detyrohen të sigurojnë për pajtimtarët e tyre parandalimin e identifikimit të të gjitha thirrjeve në linjat e tyre në mënyrë automatike dhe pa pagesë.
2. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit nuk do të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga pika 1 e këtij neni vetëm për thirrjet drejt shërbimeve të emergjencës.
3. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit, që ofrojnë identifikimin e thirrjeve, janë të detyruar t’i mundësojnë marrësit të thirrjeve të mos identifikojë dërguesin e thirrjeve, përpara çdo thirrjeje, në mënyrë të thjeshtë dhe pa pagesë.
4. Në rast se operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit ofrojnë identifikimin e linjës së thirrur dhe identifikimi është i mundur para se të fillojë komunikimi, pajtimtari i thirrur duhet të ketë mundësi që, në mënyrë të thjeshtë dhe pa pagesë, të refuzojë të gjitha thirrjet hyrëse, për të cilat dërguesi i thirrjes ka parandaluar identifikimin e linjës thirrëse.
5. Nëse një operator ose ofrues i shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit ofron identifikimin e linjës thirrëse, ai është i detyruar t’i mundësojë përdoruesit të thirrur të përdorë parandalimin e identifikimit të linjës së lidhur me përdoruesin thirrës, në mënyrë të thjeshtë dhe pa pagesë.
6. Në rast se një pajtimtar kërkon me shkrim që operatori të gjurmojë thirrjet keqdashëse, operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit, përkohësisht, mund të regjistrojnë origjinën e të gjitha thirrjeve që përfundojnë në pajisjen fundore të pajtimtarit, përfshirë edhe ato për të cilat ka pasur një kërkesë për fshehjen e identifikimit.
7. Të dhënat për gjurmimin duhet të ruhen dhe trajtimi i mëtejshëm i tyre nga sipërmarrësi bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
8. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit janë të detyruar që në kushtet e përgjithshme të kontratës së pajtimtarit të parashikojnë mundësinë e paraqitjes dhe të parandalimit të identifikimit të linjës së thirrur dhe asaj thirrëse.
9. Parashikimet e këtij neni zbatohen për linjat e pajtimtarëve të lidhur me centrale numerike dhe me centrale analoge, vetëm nëse këto kërkesa janë teknikisht të mundshme dhe nëse nuk shkaktojnë kosto të pajustifikuara.
Neni 163
Të dhëna për vendndodhjen
1. Të dhënat për vendndodhjen, përveç të dhënave të tjera të trafikut të pajtimtarit apo përdoruesit, mund të përpunohen vetëm në një formë anonime ose, pasi pajtimtari apo përdoruesi të ketë rënë dakord, por vetëm gjatë kohëzgjatjes së ofrimit të shërbimit me vlerë të shtuar.
2. Përdoruesit ose pajtimtarët mund të tërhiqen në çdo kohë nga miratimi i përmendur në pikën 1 të këtij neni.
3. Përdoruesit dhe pajtimtarët, përpara se të japin miratimin për përpunimin e të dhënave, duhet të jenë të informuar, për:
a) llojin e të dhënave që do të përpunohen;
b) qëllimet dhe kohëzgjatjen e përpunimit;
c) mundësinë që të dhënat për vendndodhjen e tyre t’u transferohen palëve të treta për ofrimin e shërbimit me vlerë të shtuar.
4. Përdoruesit dhe pajtimtarët, që kanë pranuar përpunimin e të dhënave të vendndodhjes së tyre, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të kenë mundësi që, në mënyrë të thjeshtë dhe pa pagesë, të refuzojnë përpunimin e këtyre të dhënave për çdo lidhje me rrjetin ose çdo transmetim komunikimi.
5. Të dhënat e vendndodhjes, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të përpunohen vetëm nga personat përgjegjës të punësuar në operatorin ose ofruesin e shërbimit publik të komunikimeve ose në palët e treta, që ofrojnë shërbime me vlerë të shtuar, por duhet të kufizohen vetëm kur janë të nevojshme për ofrimin e shërbimit me vlerë të shtuar.
6. Nëse është e mundur teknikisht, operatorët janë të detyruar t’u ofrojnë të dhëna për vendndodhjen për shërbimet e numrave të emergjencës, organeve kompetente për shërbimet e emergjencës.
Neni 164
Ridrejtimi automatik i thirrjeve
1. Pajtimtari ka mundësinë, që në mënyrë të thjeshtë dhe pa pagesë, të ndalojë automatikisht thirrjet e ridrejtuara nga një palë e tretë, në drejtim të pajisjes së tij fundore.
2. Parashikimi i pikës 1 të këtij neni zbatohet vetëm nëse implementimi i saj është teknikisht i mundur ose nuk shkakton kosto të paarsyeshme.
Neni 165
Komunikimet pa kërkesë
1. Përdorimi i sistemeve të thirrjeve automatike për dërgimin e thirrjeve drejt pajtimtarëve telefonikë, pa ndërhyrjen njerëzore, si faks ose postë elektronike, për qëllime marketingu, lejohet vetëm pas miratimit paraprak të përdoruesve, i cili revokohet në çdo kohë.
2. Personat fizikë ose juridikë, që kanë adresat e postës elektronike nga klientët e produkteve ose shërbimeve të tyre, mund t’i përdorin këto adresa për marketing të drejtpërdrejtë të produkteve apo shërbimeve të ngjashme vetëm nëse kanë marrë pëlqimin e shprehur qartë se dëshirojnë të kontaktohen për qëllime marketingu nga këta të fundit, si dhe janë të detyruar t’u japin klientëve të tyre mundësinë që, në çdo kohë, në mënyrë të thjeshtë dhe pa pagesë, të kenë mundësi të ndalojnë përdorimin, për qëllime marketingu, të postës, adresës së tyre elektronike.
3. Ndalohet dërgimi i një mesazhi me SMS ose nëpërmjet postës elektronike për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë kur në të është fshehur identiteti i dërguesit ose kur mungon një adresë e vlefshme, tek e cila marrësi mund të kërkojë ndalimin e këtyre komunikimeve.
Neni 166
Të dhënat e përdoruesit fundor
1. Operatorët marrin për përdoruesit fundorë të tyre të dhënat e mëposhtme:
a) emrin ose titullin e përdoruesit fundor;
b) numrin identifikues të personit fizik dhe numrin e regjistrimit të personit juridik;
c) veprimtarinë që ushtron pajtimtari me kërkesë të tij;
ç) adresën e pajtimtarit;
d) numrin e pajtimtarit;
dh) me kërkesën e pajtimtarit, mund të përfshihet titulli akademik pas emrit të pajtimtarit;
e) në bazë të pagesës, të dhëna shtesë, në qoftë se pajtimtari dëshiron, duke u siguruar se nuk shkelen të drejtat e palëve të treta;
ë) korrektesën e pagesës.
2. Të dhënat e përmendura në pikën 1 të këtij neni përdoren vetëm, për:
a) nënshkrimin, monitorimin dhe përfundimin e kontratës së pajtimtarit;
b) faturimin e shërbimeve;
c) përgatitjen dhe botimin e numëratorit të pajtimtarit, në përputhje me këtë ligj.
3. Në përfundimin e kontratës, të dhënat e pikës 1 të këtij neni, ruhen jo më pak se një vit nga data e lëshimit të faturës së fundit për shërbimet e ofruara dhe nëse gjatë këtij afati kohor, nga organet kompetente është lëshuar një urdhër për ruajtjen dhe transferimin e këtyre të dhënave, ato ruhen për periudhën e përcaktuar në urdhrin e dhënë nga organet kompetente.
Neni 167
Numëratori telefonik
1. Të gjithë pajtimtarët e shërbimeve telefonike publike kanë të drejtën të përfshihen në numëratorin telefonik të përgjithshëm.
2. Sipërmarrësit që ofrojnë shërbime telefonike të disponueshme për publikun janë të detyruar:
a) të informojnë, pa pagesë të gjithë pajtimtarët para se ata të përfshihen në një numërator telefonik publik, për qëllimin e numëratorit dhe funksionet e disponueshme të kërkimit të informacionit;
b) t’u ofrojnë të gjithë pajtimtarëve, pa pagesë, mundësinë për të vendosur nëse të dhënat e tyre personale mund të përfshihen në një numërator publik, për të përzgjedhur të dhënat që nuk dëshirojnë të përfshihen dhe mundësinë për të verifikuar dhe korrigjuar këto të dhëna;
c) t’u ofrojnë të gjithë pajtimtarëve, pa pagesë, mundësinë e mospërfshirjes së të dhënave të tyre personale ose heqjes së të dhënave nga një numërator telefonik.
3. Sipërmarrësit janë të detyruar të marrin pëlqimin paraprak të pajtimtarit në rastin e përfshirjes së tyre në numëratorin publik. Të gjithë përdoruesit fundorë të shërbimeve telefonike të disponueshme për publikun duhet të kenë akses në cilëndo rubrikë të shërbimeve të informacionit për numëratorin telefonik.
4. Sipërmarrësit janë të detyruar të sigurojnë konfidencialitetin e të dhënave të pajtimtarit, përfshirë ruajtjen, përdorimin dhe paraqitjen e të dhënave, në përputhje me këtë ligj dhe me aktet e tjera ligjore në fuqi.
Neni 168
Përgjimi i ligjshëm i komunikimeve
Përgjimi i ligjshëm i komunikimeve elektronike bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike përmbushin detyrimet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU XX
MASAT PËR MBROJTJEN E RRJETEVE TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE PUBLIKE
Neni 169
Mbrojtja e rrjetit nga dëmtimet
Sipërmarrësi mban dokumentacion të plotë e të saktë për rrjetin e vet. Me kërkesë zyrtare, sipërmarrësit u japin organeve të ngarkuara me ligj për planifikimin urban dhe njëri-tjetrit të dhëna për pjesë të këtij rrjeti, për të shmangur dëmtimin e rrjetit nga punimet nëntokësore apo ndërtimore ose nga ndikimet e mundshme elektrike, që shkakton vënia në punë e pajisjeve të tjera pranë rrjetit të komunikimeve elektronike.
Neni 170
E drejta e përdorimit të pronës publike e private
1. Sipërmarrësi ka të drejtë të përdorë tokë, troje ose objekte në pronësi të shtetit, përfshirë ndërtesat dhe kanalizimet e ndërtuara mbi ose nën to, të drejtat nënujore dhe ato të hapësirës ajrore, rrugët, liqenet, pyjet etj., për vendosjen e pajisjeve të komunikimeve elektronike, si dhe për mirëmbajtjen e tyre.
2. Pronësia ose të drejtat e tjera ndaj pronave të paluajtshme, në rastet kur ato janë me interes të veçantë për ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të komunikimeve elektronike publike dhe infrastrukturës shoqëruese, shpronësohen ose kufizohen sipas procedurave dhe mënyrave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, nëse nuk përcaktohet ndryshe në këtë ligj.
3. Rrjetet e komunikimeve elektronike publike planifikohen në mënyrë që të krijojnë sa më pak të jetë e mundur rreziqe dhe shqetësime ndaj pronës private.
4. Para fillimit të punimeve në trojet ose në mjediset me pronësi publike, sipërmarrësit njoftojnë autoritetet përkatëse dhe respektojnë të gjitha kërkesat e vendosura nga to. Mosmarrëveshjet ndërmjet sipërmarrësit dhe autoritetit përkatës zgjidhen nga gjykata.
5. Sipërmarrësi detyrohet të shfrytëzojë pronat e mësipërme, në përputhje me ligjet që mbrojnë mjedisin dhe me përfundimin e punimeve, kur është objektivisht e mundur, detyrohet ta kthejë mjedisin në gjendjen e mëparshme.
6. Sipërmarrësi përdor tokën, trojet dhe objektet, pronë private, në marrëveshje me pronarët e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
7. Kur nga vendosja ose mirëmbajtja e pajisjeve të komunikimeve elektronike, dëmtohet prona ose ndryshon funksioni i saj, sipërmarrësi detyrohet të shpërblejë dëmin, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 171
Detyrimi i sipërmarrësit për mirëmbajtje
1. Sipërmarrësi detyrohet të mbajë pajisjet e komunikimeve elektronike në gjendje të mirë pune, duke respektuar kushtet teknike dhe specifikimet në standardet përkatëse.
2. Gjatë përmbushjes së detyrave për mirëmbajtjen e pajisjeve të komunikimeve elektronike, punonjësit e autorizuar nga sipërmarrësi kanë të drejtë të hyjnë në pronat publike dhe private për të kryer punimet e nevojshme dhe për të vënë shenja të ndryshme, që tregojnë praninë e objekteve të komunikimeve elektronike.
3. Për të siguruar funksionimin normal të pajisjeve të komunikimeve elektronike, sipërmarrësi ka të drejtë të presë pemët, shkurret, degët e rrënjët, që rrezikojnë pajisjet e mësipërme, në përputhje me kërkesat e akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Në rast se pronari privat bëhet pengesë, sipërmarrësi u drejtohet organeve kompetente, të cilat marrin masat e nevojshme brenda 15 ditëve.
Neni 172
Mbrojtja e rrjetit nga dëmtimet e të tretëve
1. Për të parandaluar dëmtimin e mundshëm të rrjetit ekzistues të komunikimeve elektronike, çdo person fizik ose juridik, që kryen punime ndërtimi e gërmimi, përpara fillimit të punimeve detyrohet të njoftojë sipërmarrësit e rrjeteve të komunikimeve elektronike.
2. Në rast se punimet në rrjetin ekzistues të komunikimeve elektronike kryhen në mënyrë të pashmangshme, të gjitha shpenzimet për mbrojtjen, shmangien ose riparimin e dëmtimeve të këtyre rrjeteve përballohen nga subjekti që kryen punimet.
3. Mosmarrëveshjet ndërmjet palëve zgjidhen nga gjykata.
Neni 173
Detyrime për sipërmarrësit ndërtues
Në rastet e ndërtimit të godinave për qëllime biznesi ose të godinave të banimit, sipërmarrësit ndërtues detyrohen të ndërtojnë infrastrukturën për rrjetin e brendshëm të komunikimeve elektronike në përputhje me ligjin nr. 120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”, për ndërtimin e pikave të aksesit në godinë dhe infrastrukturën e brendshme për rrjetet me shpejtësi të lartë dhe të bëjnë të disponueshme për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike pikën e aksesit në godinë.
KREU XXI
KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË RASTE TË VEÇANTA
Neni 174
Masat e jashtëzakonshme për sigurimin e shërbimit
1. Sipërmarrësit detyrohen që me rrjetet dhe shërbimet e tyre të përballojnë nevojat e shtetit në situatë të jashtëzakonshme dhe kur e kërkojnë interesat e mbrojtjes kombëtare e sigurisë së rendit publik.
2. Sipërmarrësit, që ofrojnë akses në rrjetet e komunikimeve elektronike publike dhe shërbime të komunikimeve elektronike të vlefshme për publikun, hartojnë dhe paraqesin në AKEP një plan për të siguruar integritetin e rrjetit të komunikimeve publike dhe akses në shërbimet e komunikimeve publike, të zbatueshëm në situatë të jashtëzakonshme. Në kuptim të këtij ligji, me situatë të jashtëzakonshme kuptojmë dëmtimet e rënda të rrjetit, fatkeqësitë natyrore, gjendjen e emergjencës civile ose gjendjen e luftës.
3. Planet, sipas pikës 2 të këtij neni, sigurojnë akses të pandërprerë dhe përdorimin e numrave të emergjencës.
4. Planet detyrojnë sipërmarrësit të zbatojnë masat emergjente përgjatë gjithë kohëzgjatjes së situatës të jashtëzakonshme.
5. Me vendim të Këshillit të Ministrave miratohen masat për sigurimin e vazhdueshmërisë së ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike në situata të jashtëzakonshme, me propozimin e ministrit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të caktuara me ligj për trajtimin e situatave të jashtëzakonshme dhe me AKEP-in. Këto masa duhet të përfshihen në planet e masave, sipas pikës 1, të këtij neni.
Neni 175
Bashkëpunimi i sipërmarrësve në raste të veçanta
1. Sipërmarrësit detyrohen të bashkëveprojnë ndërmjet tyre dhe me organizatat qeveritare, ndërqeveritare dhe jofitimprurëse për përdorimin e burimeve të komunikimeve elektronike për lehtësimin dhe përballimin e rasteve të veçanta:
a) duke vendosur pajisje të komunikimit tokësor dhe satelitor për parandalimin, mbikëqyrjen dhe sigurimin e parandalimit të dëmeve natyrore, fatkeqësive në përgjithësi e atyre shëndetësore në veçanti;
b) duke shpërndarë njoftime për fatkeqësitë natyrore, fatkeqësitë shëndetësore ndërmjet organizmave të lidhur me to dhe përhapjen e të dhënave në publik, veçanërisht në komunitetet që rrezikohen më tepër;
c) duke vendosur dhe vënë në punë shërbimet e komunikimeve elektronike fleksibël, që përdorin organizatat humanitare.
2. Për lehtësimin e realizimit të masave të mësipërme, sipërmarrësit lidhin marrëveshje të veçanta dhe vendosin pagesa të veçanta ose nënshkruajnë shtesa në marrëveshjet ekzistuese.
Neni 176
Sigurimi i shërbimit universal gjatë grevave
Ofruesit e shërbimit universal janë të detyruar të përcaktojnë paraprakisht personelin e tyre, që siguron shërbimin universal të pandërprerë në rast grevash, si edhe për përmbushjen e detyrimeve të sipërmarrësit, në përputhje me parashikimet e nenit 175 të këtij ligji.
KREU XXII
RREGULLIMET PËR INTERNETIN E HAPUR
Neni 177
Garantimi i aksesit të hapur në internet
1. Përdoruesit fundorë kanë të drejtë që nëpërmjet shërbimit të aksesit në internet të kenë akses dhe të shpërndajnë informacione dhe përmbajtje, të përdorin dhe të ofrojnë aplikacione dhe shërbime, si dhe të përdorin pajisje fundore sipas zgjedhjes së tyre, pavarësisht nga vendndodhja e përdoruesit fundor, e ofruesit ose vendndodhjes, origjinës, destinacionit të informacionit, përmbajtjes, aplikacionit ose shërbimit.
2. Kontratat ndërmjet ofruesve të shërbimeve të aksesit në internet dhe përdoruesve fundorë për kushtet tregtare dhe teknike, si dhe karakteristikat e shërbimit të aksesit në internet, siç janë çmimi, volumi i të dhënave ose shpejtësia dhe çdo praktikë tregtare e përdorur nga ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet, nuk kufizojnë ushtrimin e të drejtave të përdoruesve fundorë, të parashikuar në pikën 1, të këtij neni.
3. Ofruesit e shërbimit të aksesit në internet, gjatë ofrimit të këtij shërbimi, duhet të trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë trafikun, pa diskriminim, kufizime ose ndërhyrje dhe pavarësisht nga dërguesi dhe marrësi, përmbajtja e aksesuar ose shpërndarë, aplikacionet ose shërbimet e përdorura ose të ofruara, ose pajisjet fundore të përdorura. Përcaktimet e kësaj pike nuk e ndalojnë ofruesin e shërbimeve të aksesit në internet që të zbatojë masa të arsyeshme të menaxhimit të trafikut, të cilat duhet të jenë transparente, jodiskriminuese dhe proporcionale.
4. Masat e arsyeshme të menaxhimit të trafikut bazohen në kërkesa teknike të cilësisë së shërbimit, objektivisht të ndryshme për kategori specifike të trafikut dhe nuk do të bazohen në interesa tregtare. Masa të tilla nuk do të monitorojnë përmbajtjen specifike dhe nuk do të zbatohen për një kohë më të gjatë sesa është e nevojshme.
5. Ofruesit e shërbimit të aksesit në internet nuk duhet të ndërmarrin masa të menaxhimit të trafikut që tejkalojnë ato të përcaktuara në pikën 4 të këtij neni, dhe në veçanti nuk do të bllokojnë, ngadalësojnë, ndryshojnë, kufizojnë, ndërhyjnë, përkeqësojnë ose diskriminojnë përmbajtjet, aplikacionet ose shërbime specifike ose kategori specifike të tyre, përveç nëse është e nevojshme dhe vetëm për aq kohë sa është e nevojshme, në mënyrë që këto:
a) të jenë në përputhje me legjislacionin dhe aktet përkatëse ligjore dhe nënligjore që duhet të zbatojë ofruesi i shërbimit të aksesit në internet, përfshirë urdhrat e gjykatave ose autoriteteve publike të ngarkuara me kompetencat përkatëse;
b) të ruajnë integritetin dhe sigurinë e rrjetit, të shërbimeve të ofruara përmes atij rrjeti dhe pajisjeve fundore të përdoruesve fundorë;
c) të parandalojnë mbingarkesa të afërta të rrjetit dhe të zbusin efektet e mbingarkesave të jashtëzakonshme ose të përkohshme të rrjetit, me kusht që kategoritë ekuivalente të trafikut të trajtohen në mënyrë të barabartë.
6. Çdo masë për menaxhimin e trafikut që mund të kërkojë përpunimin e të dhënave personale, mund të ndërmerret vetëm nëse përpunimi i tillë është i nevojshëm dhe proporcional për të arritur objektivat e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni. Ky përpunim kryhet në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, këtë ligj, si dhe aktet në zbatim të tyre.
7. Ofruesit e komunikimeve elektronike për publikun, duke përfshirë ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet dhe ofruesit e përmbajtjes, aplikacioneve dhe shërbimeve janë të lirë të ofrojnë shërbime të ndryshme nga shërbimet e aksesit në internet, të cilat janë të optimizuara për përmbajtje, aplikacione ose shërbime specifike ose një kombinim të tyre, ku optimizimi është i nevojshëm për të përmbushur kërkesat e përmbajtjes, aplikacioneve ose shërbimeve për një nivel të caktuar cilësie.
8. Ofruesit e komunikimeve elektronike për publikun, duke përfshirë ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet, mund të ofrojnë ose të lehtësojnë ofrimin e shërbimeve të tilla vetëm nëse kapaciteti i rrjetit, përveç çdo shërbimi të ofruar të aksesit në internet, është i mjaftueshëm për të ofruar edhe këto shërbime. Këto shërbime nuk do të përdoren ose nuk do të ofrohen si zëvendësues për shërbimin e aksesit në internet dhe nuk duhet të dëmtojnë disponueshmërinë ose cilësinë e përgjithshme të shërbimeve të aksesit në internet për përdoruesit fundorë.
Neni 178
Masat e transparencës për sigurimin e aksesit të hapur në internet
1. Ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet sigurojnë që çdo kontratë, që përfshin shërbimet e aksesit në internet, të specifikojë të paktën:
a) informacionin se si masat e menaxhimit të trafikut të aplikuara nga ai ofrues mund të ndikojnë në cilësinë e shërbimeve të aksesit në internet, në privatësinë e përdoruesve fundorë dhe në mbrojtjen e të dhënave të tyre personale;
b) një shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm se si çdo kufizim vëllimi, shpejtësie dhe i parametrave të tjerë të cilësisë së shërbimit mund të kenë në praktikë një ndikim në shërbimet e aksesit në internet dhe në veçanti në përdorimin e përmbajtjes, aplikacioneve dhe shërbimeve;
c) një shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm se si çdo shërbim i përmendur në pikën 7 të nenit 177 të këtij ligji, për të cilin përdoruesi fundor pajtohet, mund të ketë në praktikë një ndikim në shërbimet e aksesit në internet që i ofrohen atij përdoruesi;
ç) një shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm të shpejtësisë minimale, normalisht të disponueshme, maksimale dhe të deklaruar të shkarkimit dhe ngarkimit të shërbimeve të aksesit në internet në rastin e rrjeteve fikse, ose të shpejtësisë maksimale të vlerësuar dhe të deklaruar të shkarkimit dhe ngarkimit të shërbimeve të aksesit në internet, në rastin e rrjeteve celulare dhe se si devijimet e rëndësishme nga shpejtësia përkatëse e deklaruar e shkarkimit dhe ngarkimit ndikojnë në ushtrimin e të drejtave të përdoruesve fundorë, të përcaktuara në pikën 1 të nenit 177 të këtij ligji;
d) një shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm të mjeteve juridike të disponueshme për konsumatorin, në përputhje me legjislacionin kombëtar, në rast të ndonjë mospërputhjeje të vazhdueshme ose të përsëritur rregullisht, midis performancës aktuale të shërbimit të aksesit në internet, në lidhje me shpejtësinë ose parametrat e tjerë të cilësisë së shërbimit dhe performancës së kërkuar, në përputhje me nënpikat e mësipërme.
2. Ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet parashikojnë procedura transparente, të thjeshta dhe efikase për të trajtuar ankesat e përdoruesve, në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në nenin 177 të këtij ligji dhe pikën 1 të këtij neni, të cilat publikohen në faqen e tyre të internetit dhe vihen në dispozicion në pikat e shitjes.
3. Çdo mospërputhje e rëndësishme, e vazhdueshme ose e përsëritur rregullisht, midis cilësisë aktuale të shërbimit të aksesit në internet, në lidhje me shpejtësinë ose parametrat e tjerë të cilësisë së shërbimit dhe performancës së treguar nga ofruesi i shërbimeve të aksesit në internet, në përputhje me shkronjat “a” deri në “d” të pikës 1 të këtij neni, kur faktet përkatëse vërtetohen nga një mekanizëm monitorues, i certifikuar nga AKEP-i, konsiderohet se përbën mospërputhje të performancës për qëllime të nxitjes së mjeteve juridike të disponueshme për konsumatorin, në përputhje me legjislacionin kombëtar. Ky paragraf zbatohet vetëm për kontratat e lidhura ose të rinovuara 1 vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 179
Mbikëqyrja dhe zbatimi
1. AKEP-i monitoron nga afër dhe siguron respektimin e neneve 177 dhe 178 të këtij ligji, si dhe promovon disponueshmërinë e vazhdueshme të shërbimeve të aksesit në internet në baza jodiskriminuese dhe në nivele cilësore, që pasqyrojnë përparimet në teknologji.
2. Në zbatim të pikës 1 të këtij neni, AKEP-i mund të vendosë kërkesa në lidhje me karakteristikat teknike, kërkesat minimale të cilësisë së shërbimit dhe masa të tjera të përshtatshme dhe të nevojshme, për një ose më shumë ofrues të komunikimeve elektronike për publikun, përfshirë ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet. AKEP-i publikon çdo vit raporte në lidhje me monitorimin dhe gjetjet e tyre.
3. Me kërkesë të AKEP-it, ofruesit e komunikimeve elektronike për publikun, përfshirë ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet, i vënë në dispozicion AKEP-it informacion në lidhje me detyrimet e përcaktuara në nenet 177 dhe 178 të këtij ligji, në veçanti informacionin në lidhje me menaxhimin e kapacitetit dhe trafikut të rrjetit të tyre, si dhe arsyetimet për çdo masë të menaxhimit të trafikut të zbatuar. Këta ofrues do të japin informacionin e kërkuar në përputhje me afatet kohore dhe nivelin e detajimit të kërkuar nga AKEP-i.
4. Jo më vonë se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, me qëllim zbatimin e qëndrueshëm të këtyre rregullave, AKEP-i pas konsultimit me palët e interesuara dhe bazuar në dokumentet përkatëse të BEREC-ut nxjerr udhëzime për zbatimin e detyrimeve, sipas këtij neni.
Neni 180
Informacioni i kërkuar për kontratat
1. Ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik, të disponueshëm për publikun, përveç shërbimeve të transmetimit, të përdorura për ofrimin e shërbimeve makinë me makinë, do të ofrojnë në kontratë informacionin, si më poshtë:
a) karakteristikat kryesore të çdo shërbimi, duke dhënë nivelin minimal të cilësisë së çdo shërbimi dhe në masën që këto ofrohen. Për shërbimet e ndryshme nga shërbimet e aksesit në internet, sipas kuptimit të nenit 177 të këtij ligji, të ofrohen parametrat specifikë të cilësisë të garantuara. Kur nuk ofrohen nivele minimale të cilësisë së shërbimit, bëhet një deklaratë;
b) informacion për çmimin dhe në masën e zbatueshme, çmimet përkatëse për aktivizimin e shërbimit të komunikimeve elektronike dhe për çdo tarifë të lidhur me konsumin;
c) informacion për kohëzgjatjen e kontratës dhe kushtet për rinovimin dhe përfundimin e kontratës, duke përfshirë tarifat e mundshme të përfundimit, në masën që këto kushte zbatohen:
i. çdo përdorim ose kohëzgjatje minimale që kërkohet për të përfituar nga kushtet promocionale;
ii. çdo tarifë në lidhje me ndërrimin dhe marrëveshjet e kompensimit dhe rimbursimit për vonesën ose abuzim të ndërrimit, si dhe informacion në lidhje me procedurat përkatëse;
iii. informacion për të drejtën e konsumatorëve që përdorin shërbimet e parapaguara për një rimbursim, sipas kërkesës të çdo kredie të mbetur në rast ndërrimi, siç përcaktohet në nenin 145 të këtij ligji;
iv. çdo tarifë që duhet për përfundimin e parakohshëm të kontratës, duke përfshirë informacionin për zhbllokimin e pajisjeve terminale dhe çdo mbulim të kostos në lidhje me pajisjet terminale;
ç) çdo marrëveshje kompensimi dhe rimbursimi, duke përfshirë aty ku është e zbatueshme, referencë të qartë për të drejtat e konsumatorëve, të cilat zbatohen nëse nivelet e cilësisë së shërbimit të kontraktuar nuk përmbushen ose nëse ofruesi i përgjigjet në mënyrë joadekuate një incidenti sigurie, kërcënimi ose cenueshmërie;
d) llojin e veprimit që mund të ndërmerret nga ofruesi, në reagim ndaj incidenteve të sigurisë ose kërcënimeve dhe dobësive.
2. Ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet dhe shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale të disponueshme për publikun, përveç kërkesave të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, ofrojnë informacionin e mëposhtëm:
a) si pjesë e karakteristikave kryesore të çdo shërbimi të ofruar:
i. çdo nivel minimal të cilësisë së shërbimit në masën që këto ofrohen dhe duke marrë parasysh udhëzimet e BEREC-ut në lidhje me:
– shërbimet e aksesit në internet: vonesat e pakta, jitter, humbjet e paketave;
– shërbimet e komunikimit ndërpersonal të disponueshëm publikisht, të cilat ushtrojnë kontroll mbi të paktën disa elemente të rrjetit, ose kanë një marrëveshje të nivelit të shërbimit për këtë qëllim me sipërmarrjet që ofrojnë akses në rrjet: të paktën koha për lidhjen fillestare, probabiliteti i dështimit, sinjalizimi i thirrjeve vonesat; dhe
ii. pa cenuar të drejtën e përdoruesit për të përdorur pajisjet fundore, sipas zgjedhjes së tij, në përputhje me nenin 177 të këtij ligji, çdo kusht, duke përfshirë tarifat e vendosura nga ofruesi për përdorimin e pajisjeve fundore të furnizuara;
b) si pjesë e informacionit mbi çmimin, ku dhe në masën e zbatueshme, çmimet përkatëse për aktivizimin e shërbimit të komunikimeve elektronike dhe për çdo tarifë të përsëritur ose të lidhur me konsumin:
i. detajet e planit ose planeve tarifore specifike sipas kontratës dhe për secilin plan tarifor të tillë, llojet e shërbimeve të ofruara, duke përfshirë aty ku është e aplikueshme, vëllimet e komunikimeve si MB, minutat, mesazhet të përfshira për periudhën e faturimit dhe çmimin për njësitë shtesë të komunikimit;
ii. në rastin e planit tarifor ose planeve me një vëllim komunikimi të paracaktuar, mundësinë e konsumatorëve për të shtyrë çdo vëllim të papërdorur nga periudha e mëparshme e faturimit në periudhën e ardhshme të faturimit, kur ky opsion përfshihet në kontratë;
iii. lehtësirat për të ruajtur transparencën e faturave dhe monitorimin e nivelit të konsumit;
iv. informacion tarifor në lidhje me çdo numër ose shërbim që i nënshtrohet kushteve të veçanta të çmimit; në lidhje me kategoritë individuale të shërbimeve, autoritetet kompetente në koordinim, sipas rastit, me autoritetet rregullatore kombëtare kërkojnë që ky informacion të jepet menjëherë, përpara lidhjes së telefonatës ose lidhjes me ofruesin e shërbimit;
v. për shërbimet e paketave dhe paketat, duke përfshirë shërbimet dhe pajisjet fundore, çmimin e elementeve individuale të paketës, në masën që ato tregtohen gjithashtu veçmas;
vi. detajet dhe kushtet, përfshirë tarifat për çdo shërbim pas shitjes, të mirëmbajtjes dhe ndihmës ndaj klientit; dhe
vii. mjetet me të cilat merret informacion i përditësuar për të gjitha tarifat e zbatueshme dhe tarifat e mirëmbajtjes;
c) si pjesë e informacionit për kohëzgjatjen e kontratës për shërbimet e paketave dhe kushtet për rinovimin dhe përfundimin e kontratës, kur është e zbatueshme, kushtet e përfundimit të paketës ose të elementeve të saj;
ç) se cilat të dhëna personale do të sigurohen përpara kryerjes së shërbimit ose të mbledhura në kontekstin e ofrimit të shërbimit;
d) detaje për produktet dhe shërbimet e krijuara për përdoruesit me aftësi të kufizuar dhe se si mund të merren përditësime për këtë informacion;
dh) informacion për procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me ofruesin e shërbimeve të komunikimeve elektronike.
3. Përveç kërkesave të përcaktuara në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni, ofruesit e shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale, bazuar në numra të disponueshëm publikisht, ofrojnë gjithashtu informacionin e mëposhtëm:
a) çdo kufizim në aksesin në shërbimet e emergjencës ose informacionin e vendndodhjes së telefonuesit për shkak të mungesës së fizibilitetit teknik, për aq sa shërbimi i lejon përdoruesit të fillojnë thirrjet drejt një numri, në një plan numërimi kombëtar ose ndërkombëtar;
b) të drejtën e përdoruesit për të përcaktuar nëse do të përfshijë ose jo të dhënat personale në një numërator telefonik dhe llojet e të dhënave në fjalë, në përputhje me parashikimet në nenin 167 të këtij ligji.
4. Përveç kërkesave të përcaktuara në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni, ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet ofrojnë gjithashtu informacionin e kërkuar në bazë të nenit 178 të këtij ligji.
KREU XXIII
INSPEKTIMI, MONITORIMI I SPEKTRIT TË FREKUENCAVE DHE KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 181
Inspektimi
1. Inspektimi i veprimtarisë së sipërmarrësit të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike ose çdo personi tjetër fizik apo juridik, që zhvillon veprimtari në fushën e komunikimeve elektronike kryhet nga inspektorët e AKEP-it.
2. Inspektorët e AKEP-it pajisen me dokument të posaçëm identifikimi. Ata kryejnë inspektim në mjediset ku sipërmarrësi zhvillon veprimtarinë edhe pa e njoftuar atë paraprakisht për të verifikuar zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe të rregullave përkatëse të nxjerra në zbatim të tij.
3. Sipërmarrësi ose çdo person tjetër, fizik ose juridik, që zhvillon veprimtari në fushën e komunikimeve elektronike është i detyruar t’i lejojë inspektorët të kryejnë inspektimin kudo ku ka pajisje të komunikimeve elektronike, si dhe t’u ofrojë inspektorëve të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin e kërkuar prej tyre.
4. Veprimtaria inspektuese e AKEP-it ushtrohet në përputhje me rregulloren përkatëse, të miratuar nga Këshilli Drejtues.
5. Kur nevojitet ekspertizë e veçantë, inspektori mund të kërkojë ekspert.
Neni 182
Bllokimi i pajisjeve dhe/ose ndalimi i funksionimit të tyre
1. Kur një person fizik apo juridik zhvillon veprimtari në fushën e komunikimeve elektronike, i paautorizuar nga AKEP-i, inspektorët e autorizuar nga AKEP-i bllokojnë pajisjet.
2. Pajisjet e bllokuara inventarizohen dhe sekuestrohen. Me kalimin e afatit 30-ditor nga data e bllokimit, nëse nuk është bërë ankim nga sipërmarrësi, pajisjet u jepen për shitje subjekteve të ngarkuara me ligj. Pjesa e të ardhurave nga shitja kalon në buxhetin e shtetit.
3. Për zbatimin e detyrave për bllokimin e pajisjeve, AKEP-i bashkëpunon me autoritetet publike lokale, me Policinë e Shtetit dhe me shërbimin përmbarimor.
4. Bllokimi dhe ndalimi i funksionimit të pajisjeve, sipas këtij neni, tregohet me një vulë, përmbajtja dhe forma e së cilës përcaktohen nga AKEP-i.
5. Kur inspektorët e AKEP-it konstatojnë se pajisjet radio të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike shkaktojnë interferenca të dëmshme, pavarësisht se për përdorimin e tyre është marrë autorizimi përkatës, ata kanë të drejtë të bëjnë ndalimin e funksionimit të tyre.
6. Përkundrejt kërkesës me shkrim të subjektit që ka shkaktuar interferencën, personat e autorizuar nga AKEP-i bëjnë verifikimin e nevojshëm dhe nëse konstatohet se interferencat e dëmshme janë shmangur, lejohet funksionimi i mëtejshëm i pajisjes së ndaluar.
7. Procedura për trajtimin e interferencave, eliminimin e tyre, bllokimin dhe funksionimin e pajisjeve përcaktohet në rregulloren e miratuar nga AKEP-i.
Neni 183
Procedura për masat administrative
1. Procedura e inspektimit, konstatimit, shqyrtimit, ankimit dhe ekzekutimit të kundërvajtjeve administrative kryhet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative, si dhe legjislacionit në fuqi për inspektimin dhe për kundërvajtjet administrative.
2. AKEP-i, në përcaktimin e masës së gjobave, merr në konsideratë faktorët e mëposhtëm:
a) rëndësinë dhe kohëzgjatjen e shkeljes;
b) rrethanat në të cilat është kryer shkelja;
c) nëse sipërmarrësi në shkelje ka një histori të shkeljeve të detyrimeve;
ç) pasojat që kanë ardhur nga shkelja e konstatuar.
3. AKEP-i përcakton me vendim parimet, kriteret dhe metodologjinë e përllogaritjes së masës së gjobave, si dhe procedurën e veprimtarisë inspektuese në zbatim të këtij ligji dhe ligjit procedural kombëtar.
4. Kur nga procedura e inspektimit konstatohet se një sipërmarrës që operon në fushën e komunikimeve elektronike, përmes veprimeve ose mosveprimeve ka shkelur dispozitat e këtij ligji, inspektorët e autorizuar të AKEP-it marrin një nga masat administrative të parashikuara në këtë ligj.
5. Kur edhe pas vendosjes së gjobës në bazë të një ose më shumë rasteve të parashikuara në shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 184 të këtij ligji, subjekti përkatës nuk përmbush detyrimet për të cilat është dënuar me gjobë, inspektori i propozon Këshillit Drejtues të AKEP-it që sipërmarrësit t’i vendoset revokimi i:
a) së drejtës së përdorimit të një ose më shumë frekuencave ose numeracioni; ose
b) së drejtës së ofrimit të shërbimeve ose të rrjeteve të komunikimeve elektronike.
6. Këshilli Drejtues i AKEP-it, pas propozimit të inspektorit, sipas pikës 5 të këtij neni, paralajmëron sipërmarrësin përkatës për revokimin e një prej të drejtave, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 5 të këtij neni, duke i lënë një afat për përmbushjen e detyrimeve për të cilat është dënuar me gjobë.
7. Në rast se sipërmarrësi nuk plotëson detyrimet brenda afatit të lënë nga Këshilli Drejtues i AKEP-it, sipas pikës 6 të këtij neni, Këshilli Drejtues vendos për revokimin e:
a) së drejtës së përdorimit të një ose më shumë frekuencave ose numeracioni; ose
b) së drejtës së ofrimit të shërbimeve ose të rrjeteve të komunikimeve elektronike.
Neni 184
Gjobat
1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:
a) deri në 3 për qind të të ardhurave vjetore të realizuara në vitin e fundit financiar të mbyllur, por jo më shumë se 100 000 000 (njëqind milionë) lekë, nëse sipërmarrësi:
i. nuk njofton AKEP-in përpara fillimit të ndërtimit dhe përdorimit të rrjeteve apo shërbimeve publike të komunikimit, sipas nenit 27 të këtij ligji;
ii. nuk krijon një person juridik të veçantë ose nuk mban llogari të veçanta financiare të të ardhurave nëse përdor rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike për përdorim vetjak, për ofrimin e shërbimeve të komunikimit publik, sipas nenit 36 të këtij ligji;
iii. nuk ofron shërbim universal, sipas nenit 112 e vijues të këtij ligji;
iv. nuk zbaton vendimet e AKEP-it lidhur me detyrimet e përcaktuara në nenet 93, 94, 95, 96, 97, 98, 99, 100 të këtij ligji;
v. përdor frekuenca pa marrë autorizim nga AKEP-i, sipas neneve 66 dhe 68, të këtij ligji;
vi. përdor numeracionin pa të drejtë përdorimi nga AKEP-i, sipas neneve 131 dhe 132 të këtij ligji;
vii. nuk mban dokumentacion të plotë dhe të saktë për rrjetin, sipas nenit 169 të këtij ligji;
viii. nuk siguron konfidencialitetin dhe masat mbrojtëse, sipas nenit 156, 157 dhe 158 të këtij ligji;
ix. nuk përmbush detyrimin ligjor për ruajtjen dhe administrimin e të dhënave për qëllimin e ndjekjes penale dhe sigurisë kombëtare, sipas nenit 160 të këtij ligji;
x. pengon hyrjen e inspektorëve të AKEP-it në ambientet ku janë instaluar pajisjet e komunikimit dhe pajisjet teknike ose nuk dorëzon të dhënat dhe dokumentacionin e kërkuar nga inspektorët, sipas nenit 181 të këtij ligji;
xi. nuk përmbush detyrimet për përgjimin e ligjshëm të komunikimeve, sipas nenit 168 të këtij ligji;
xii. nuk merr masat e duhura teknike, organizative dhe proporcionale për të menaxhuar në mënyrë të përshtatshme rreziqet që vijnë për sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve, sipas përcaktimeve të nenit 54 të këtij ligji;
b) deri në 2 për qind të të ardhurave vjetore të realizuara në vitin e fundit financiar të mbyllur, por jo më shumë se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë nëse sipërmarrësi:
i. dështon në ndërtimin dhe vendosjen e rrjeteve publike të komunikimit dhe objekteve shtesë për të mundësuar përdorimin e përbashkët të tyre, sipas nenit 58 të këtij ligji;
ii. nuk zbaton rregullat e AKEP-it për ndarjen e kostove të bashkëpërdorimit të faciliteteve të rrjetit ose pronës dhe të koordinimit të punëve civile, sipas pikës 3 të nenit 58 të këtij ligji;
iii. nuk respekton kërkesat, sipas nenit 113 të këtij ligji;
iv. nuk përmbush detyrimin për financimin e shërbimit universal brenda intervalit dhe në masën e përcaktuar nga AKEP-i, sipas nenit 128 të këtij ligji;
v. nuk paraqet në AKEP informacionin për të ardhurat vjetore, sipas pikës 5 të nenit 128 të këtij ligji;
vi. nuk përmbush detyrimet e përcaktuara sipas neneve 80, 81, 82, 83, 84, 85, 86 të këtij ligji;
vii. transferon ose jep me qira të drejtën e radiofrekuencave, pa pëlqimin paraprak të AKEP-it, sipas nenit 71 të këtij ligji;
viii. nuk përmbush detyrimet e vendosura për portabilitetin e numrave, sipas nenit 145 të këtij ligji;
ix. nuk publikon informacion transparent për tarifat e aplikueshme dhe për kushtet e përgjithshme të aksesit dhe përdorimit të shërbimeve publike të komunikimit, sipas nenit 142 të këtij ligji;
x. nuk informon përdoruesit dhe AKEP-in për kufizimin ose përfundimin e aksesit në shërbimet e tyre, sipas pikës 3 të nenit 148 të këtij ligji;
xi. kufizon aksesin në shërbimet e tij, shkëput përdoruesit fundorë ose përfundon një kontratë me përdoruesin fundor, në kundërshtim me dispozitat e kontratës së përdoruesit fundor dhe këtë ligj;
xii. prezanton masa diskriminuese dhe disproporcionale në kontratën e përdoruesit fundor;
xiii. nuk informon me shkrim përdoruesin fundor për shkeljet e bëra dhe nuk cakton një afat kohor për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale;
xiv. nuk miraton dhe nuk paraqet në AKEP një plan masash për situata të jashtëzakonshme, sipas nenit 174 të këtij ligji;
xv. nuk siguron akses të pandërprerë në numrat e thirrjeve të urgjencës, sipas pikës 1 të nenit 148 të këtij ligji;
xvi. merr për vete ose për një palë tjetër informacion për përmbajtjen, faktet dhe rrethanat e mesazheve të transmetuara, në tejkalim të masës minimale të nevojshme thelbësore për ofrimin e shërbimeve elektronike specifike ose nuk e përdor këtë informacion vetëm për ofrimin e këtyre shërbimeve dhe në përputhje me ndërmarrjen kontraktuale në lidhje me to;
xvii. nuk i informon përdoruesit në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme për qëllimin dhe përdorimin e të dhënave ose nuk ofron një mundësi për të hedhur poshtë përpunimin e tillë të të dhënave ose nuk arrin të marrë pëlqimin e një përdoruesi përpara përpunimit të të dhënave;
xviii. dështon të fshijë të dhënat e trafikut ose t’i bëjë ato të paidentifikueshme, sipas nenit 163 të këtij ligji;
xix. përpunon të dhënat e trafikut pa pëlqimin paraprak të përdoruesit ose të përdoruesit përfundimtar;
xx. lejon që të dhënat e trafikut të përpunohen nga persona që nuk janë të autorizuar për ta bërë këtë;
xxi. dështon të përpunojë të dhënat e vendndodhjes;
xxii. lejon që të dhënat e vendndodhjes të përpunohen nga persona që nuk janë të autorizuar për ta bërë këtë;
xxiii. nuk vepron në përputhje me kërkesat e nenit 165 të këtij ligji për komunikimet e pakërkuara.
c) deri në masën 1 000 000 (një milion) lekë, nëse subjekti:
i. nuk vepron në përputhje me kërkesat për miratimin dhe alokimin e radiofrekuencave;
ii. nuk vepron në përputhje me vendimin për caktimin e numrave dhe serive të numrave;
iii. nuk planifikon rrjetet publike të komunikimit, në një mënyrë të tillë që të krijojnë sa më pak rreziqe dhe shqetësime të pronës private;
iv. nuk informon paraprakisht autoritetet përkatëse për dhënien e lejeve përpara fillimit të punimeve;
v. kontrata e përdoruesit fundor nuk përmban të gjithë kërkesat e përcaktuara, sipas nenit 141 të këtij ligji;
vi. nuk informon përdoruesit e tij fundorë për ndryshimet në kushtet e kontratës së përdoruesit fundor, sipas nenit 144 të këtij ligji;
vii. nuk vë në dispozicion një nivel faturimi të detajuar, që mundëson kontrollin e shpenzimeve, sipas nenit 117 të këtij ligji;
viii. nuk ofron faturën e detajuar me të dhënat e kërkuara, sipas nenit 161 të këtij ligji;
ix. nuk siguron identifikimin e numrit të thirrur, si dhe parandalimin e tyre, sipas nenit 162 të këtij ligji;
x. në kushtet e përgjithshme të kontratës me përdoruesin fundor nuk saktëson mundësinë e sigurimit të indentifikimit të linjës së thirrur, si dhe parandalimin e saj, sipas pikës 8 të nenit 162 të këtij ligji;
xi. nuk u ofron përdoruesve fundorë ose përdoruesve mundësinë e refuzimit të përpunimit të të dhënave të vendndodhjes, sipas pikës 4 të nenit 163 të këtij ligji;
xii. nuk paguan pagesën e plotë për mbikëqyrjen e tregut, brenda periudhës kohore të përcaktuar në nenin 20 të këtij ligji;
xiii. nuk paguan plotësisht pagesën për përdorimin e radiofrekuencave, sipas nenit 21 të këtij ligji;
xiv. nuk paguan plotësisht pagesën për përdorimin e numrave dhe serive të numrave të alokuar brenda afatit, sipas nenit 22 të këtij ligji.
xv. nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në nenin 43 të këtij ligji për dhënien e informacionit për kryerjen e vrojtimit gjeografik;
xvi. nuk zbaton standardet, sipas pikës 5 të nenit 53 të këtij ligji;
ç) në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për çdo shkelje tjetër të dispozitave të këtij ligji të kryer nga sipërmarrësi, që nuk përcaktohet në pikat e mësipërme.
2. Në rast se shkeljet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni, kryhen nga një subjekt, i cili është në vitin e parë të aktivitetit dhe nuk mund të ketë të dhëna për të ardhurat vjetore të realizuara në vitin e fundit financiar të mbyllur, dënohet me gjobë në masën nga 1 000 000 (një milionë) deri në 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë.
3. Gjoba është titull ekzekutiv dhe derdhet në buxhetin e shtetit. Në rast se gjoba e vendosur paguhet nga subjekti përgjegjës brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit përkatës të AKEP-it, masa e gjobës ulet automatikisht me 15% të shumës së vendosur.
Neni 185
Ankimi
1. Kundër gjobës së vendosur nga inspektorët, sipas nenit 184 të këtij ligji, bëhet ankim në Këshillin Drejtues të AKEP-it brenda 30 ditëve nga data e dhënies së saj. Këshilli Drejtues merr vendim brenda 30 ditëve nga data e ankimit. Procedura e shqyrtimit të ankimit administrativ nga Këshilli Drejtues përcaktohet në rregulloren përkatëse të AKEP-it, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
2. Kundër vendimit të Këshillit Drejtues të AKEP-it mund të bëhet ankim brenda 45 ditëve nga njoftimi i vendimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
KREU XXIV
PROCEDURAT E RREGULLIMIT NË TREGUN E PËRBASHKËT TË BASHKIMIT EVROPIAN
Neni 186
Procedura e identifikimit të tregjeve ndërkombëtare
1. Nëse Komisioni Evropian ose të paktën dy autoritete rregullatore kombëtare paraqesin një kërkesë të arsyetuar, bazuar në prova mbështetëse, BEREC-u kryen një analizë për tregun e mundshëm ndërkombëtar. Pas konsultimit me palët e interesuara dhe marrjes parasysh të analizës së BEREC-ut, Komisioni mund të miratojë me vendim identifikimin e tregut ndërkombëtar, në përputhje me parimet e ligjit për konkurrencën dhe duke u mbështetur në rekomandimin dhe udhëzimet për fuqinë e ndjeshme në treg, të miratuar në përputhje me nenin 89 të këtij ligji.
2. Në rastin e identifikimit të tregjeve ndërkombëtare sipas pikës 1 të këtij neni, autoritetet rregullatore kombëtare kryejnë bashkërisht analizën e tregut duke u mbështetur në udhëzimet për operatorët me fuqi të ndjeshme dhe bashkërisht vendosin për çdo detyrim, mbajtje, ndryshim apo heqje të detyrimeve rregullatore, në përputhje me nenin 90 të këtij ligji. Autoritetet rregullatore kombëtare njoftojnë së bashku Komisionin për projektmasat e tyre në lidhje me analizën e tregut, si dhe çdo detyrim rregullator sipas neneve 80 dhe 81 të këtij ligji. Dy ose më shumë autoritete rregullatore kombëtare gjithashtu njoftojnë së bashku projektmasat e tyre në lidhje me analizën e tregut dhe çdo detyrim rregullator në mungesë të tregjeve ndërkombëtare, kur ata konsiderojnë se kushtet e tregut dhe kuadri ligjor përkatës i tyre është mjaftueshëm i ngjashëm.
Neni 187
Procedura për identifikimin e kërkesës ndërkombëtare
1. BEREC-u kryen një analizë të kërkesës së përdoruesve ndërkombëtarë për produkte dhe shërbime që sigurohen brenda Bashkimit, në një ose më shumë nga tregjet e listuara në rekomandim, nëse merr një kërkesë të arsyetuar që ofron prova mbështetëse nga Komisioni ose të paktën nga dy nga autoritetet rregullatore kombëtare në fjalë, duke treguar se ka një problem serioz të kërkesës për t’u trajtuar. BEREC-u kryen një analizë të tillë nëse merr një kërkesë të arsyetuar nga pjesëmarrësit e tregut, duke ofruar dëshmi të mjaftueshme mbështetëse dhe konsideron se ka një problem serioz të kërkesës për t’u adresuar. Analiza e BEREC-ut nuk cenon çdo gjetje të tregjeve ndërkombëtare, në përputhje me nenin 179 të këtij ligji, dhe çdo gjetje nga AKEP-i të tregjeve gjeografike kombëtare ose lokale, në përputhje me pikën 3 të nenit 89 të këtij ligji.
Kjo analizë e kërkesës së përdoruesve ndërkombëtarë përfshin produkte dhe shërbime që ofrohen brenda tregjeve të produkteve ose shërbimeve që janë përcaktuar në mënyra të ndryshme nga AKEP-i, kur merren parasysh rrethanat kombëtare, me kusht që ato produkte dhe shërbime të jenë të zëvendësueshme, me ato të furnizuara në një nga tregjet e listuara në rekomandim.
2. Nëse BEREC-u arrin në përfundimin se ekziston një kërkesë e përdoruesve ndërkombëtarë, e cila është e rëndësishme dhe nuk plotësohet mjaftueshëm nga oferta e ofruar mbi baza tregtare ose të rregulluara, ai, pas konsultimit me palët e interesuara dhe në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin, nxjerr udhëzime mbi qasjet e përbashkëta, në mënyrë që AKEP-i të përmbushë kërkesat e identifikuara ndërkombëtare, duke përfshirë, sipas rastit, vendosjen e mjeteve juridike, në përputhje me nenin 92, të këtij ligji. AKEP-i merr parasysh këto udhëzime, kur kryen detyrat e tij rregullatore brenda juridiksionit të tij. Këto udhëzime ofrojnë bazën për ndërveprimin e produkteve të aksesit me shumicë në të gjithë Bashkimin dhe përfshijnë udhëzime për harmonizimin e specifikimeve teknike të produkteve të aksesit me shumicë, të aftë për të përmbushur një kërkesë ndërkombëtare të identifikuar.
Neni 188
Tarifat e terminimit në Tregun e Përbashkët të BE-së
1. Në përputhje me nenin 137 të këtij ligji, Komisioni, bazuar në opinionin e BEREC-ut, dhe rregullores të datës 18 dhjetor 2020 C2020/8703, në zbatim të direktivës (BE) 2018/1972 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 11 dhjetor 2018, vendos një tarifë të vetme maksimale të terminimit, të thirrjeve celulare, si dhe një tarifë të vetme maksimale të terminimit të thirrjeve fiks në Tregun e Përbashkët Evropian, të referuara si “tarifat e terminimit të thirrjeve në Tregun e Përbashkët Evropian”.
2. AKEP-i u përmbahet këtyre tarifave, të cilat aplikohen në mënyrë progresive për çdo operator aktiv, në secilin prej tregjeve të terminimit të thirrjeve celulare dhe fikse për periudhën e përcaktuar në vendimin përkatës.
3. AKEP-i i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e tarifës fikse të terminimit. Nëse Këshilli i Ministrave miraton një tarifë të tillë, AKEP-i monitoron nga afër dhe siguron respektimin e aplikimit të tarifave të terminimit të thirrjeve nga ofruesit e shërbimeve të terminimit. AKEP-i i kërkon në çdo kohë një ofruesi të shërbimeve të terminimit të thirrjeve që të ndryshojë tarifën që u ngarkon sipërmarrësve të tjerë, nëse nuk është në përputhje me aktin e deleguar, të përmendur në pikën 1 të këtij neni. AKEP-i informon çdo vit Komisionin dhe BEREC-un në lidhje me zbatimin e këtij neni.
Neni 189
Bashkëpunimi me agjencitë evropiane
1. AKEP-i, në kryerjen e detyrave të tij, sipas këtij ligji, mbështetet në objektivat e përcaktuar në nenin 5, të këtij ligji.
2. AKEP-i kontribuon në zhvillimin e tregut kombëtar, duke vëzhguar dhe duke u angazhuar me Komisionin dhe BEREC-un, në mënyrë transparente, për të siguruar një zbatim të qëndrueshëm të këtij ligji. Për këtë qëllim, AKEP-i në veçanti, do të ndërlidhet me Komisionin dhe BEREC-un për të identifikuar llojet e instrumenteve dhe mjeteve juridike më të përshtatshme për të trajtuar lloje të veçanta situatash në treg.
KREU XXV
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE
Neni 190
Dispozita kalimtare
1. Autorizimet e përgjithshme dhe individuale, të dhëna nga AKEP-i sipas ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbeten në fuqi. Sipërmarrësit e autorizuar nga AKEP-i, sipas ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, zbatojnë kushtet e autorizimeve dhe kushtet për të drejtat e përdorimit të përcaktuara në këtë ligj me hyrjen në fuqi të tij.
2. Vendimet e AKEP-it dhe detyrimet rregullatore të imponuara ndaj sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg, sipas AKEP-it dhe ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbeten në fuqi deri në kryerjen e procesit të analizës së tregut përkatës, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
3. Afati i përcaktuar në nenin 90 të këtij ligji për kryerjen e analizës periodike të tregjeve përkatëse, çdo pesë vjet llogaritet nga koha e analizës së fundit të tregut përkatës të kryer nga AKEP-i, sipas ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
4. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të AKEP-it, të emëruar sipas ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në përfundim të afatit të caktuar në mandatin e emërimit. Për efekt të llogaritjes së numrit të mandateve, mandatet e përfituara me ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, konsiderohen si të tilla edhe për këtë ligj.
5. Nëpunësit civilë aktualë të AKEP-it do të vazhdojnë të kryejnë detyrën sipas dispozitave të Kodit të Punës.
6. Për efekt të trajtimit të statusit të nëpunësit civil, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, nëpunësit civilë të AKEP-it konsiderohen të liruar nga shërbimi civil, në bazë të shkronjës “ë” të pikës 1 të nenit 66 të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.
7. Rregulloret e AKEP-it, të miratuara në zbatim të ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbeten në fuqi deri në daljen e vendimeve përkatëse, në përputhje me këtë ligj.
8. Aktet nënligjore të miratuara në zbatim të ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbeten në fuqi edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kur nuk bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji deri në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 191
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktet nënligjore të parashikuara në pikën 3 të nenit 5, në pikat 1 dhe 4 të nenit 7, në pikën 2 të nenit 19, në pikat 3, 7 dhe 9 të nenit 55, në pikën 3 të nenit 65, në pikën 4 të nenit 70, në pikën 4 të nenit 71, në pikën 3 të nenit 76, në pikën 5 të nenit 78, në pikën 5 të nenit 103, në pikën 2 të nenit 111, në pikën 3 të nenit 133, në pikën 2 të nenit 153 dhe në pikën 5 të nenit 174 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktin nënligjor të parashikuar në pikën 13 të nenit 43 të këtij ligji.
3. Ngarkohet AKEP-i që brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktet nënligjore të parashikuara në pikën 6 të nenit 20, në pikën 8 të nenit 27, në pikën 6 të nenit 41, në pikën 8 të nenit 46, në pikën 1 të nenit 56, në pikën 6 të nenit 63, në pikën 3 të nenit 64, në pikën 1 të nenit 89, në nenin 108, në pikën 2 të nenit 128, në pikën 1 të nenit 133, në pikat 13 e 16 të nenit 145, në pikën 1 të nenit 146, në shkronjën “b” të pikës 3 të nenit 148, në pikën 10 të nenit 157, në pikën 4 të nenit 181, në pikën 7 të nenit 182 dhe në pikën 1 të nenit 185 të këtij ligji.
Neni 192
Shfuqizime
1. Ligji nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Emërtimi “Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare”, në pikën 1 të nenit 2 të ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, i ndryshuar, hiqet.
Neni 193
Hyrja në fuqi
1. Pikat 8 dhe 11 të nenit 41, pikat 4 deri në 8 të nenit 49, neni 50, neni 51, pika 5 e nenit 86, shkronja “c” e pikës 6 të nenit 90, pika 6 e nenit 92, nenet 186, 187, 188, 189 hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
2. Ky ligj hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 30.5.2024.
Shpallur me dekretin nr. 227, datë 14.6.2024, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Burimi: Qendra e Botimeve Zyrtare.
Raporti i pagave
Nr. | Funksioni | Raporti |
1 | Kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare | 0,600 |
2 | Anëtarët e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare | 0,450 |
[1] Ky ligj është përafruar pjesërisht me:
Direktivën (BE) 2018/1972, të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 11 dhjetor 2018, “Për krijimin e Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike”. Numri CELEX 32018L1972, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 321, datë 17.12.2018, f. 36–214.