TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Një nga shprehjet që kam dëgjuar dhe lexuar më shpesh kohët e fundit është “knowledge worker” (punonjës i dijes). Një koncept i paraqitur Peter Drucker dhe më pas në shumë nga punimet e autorëve të tjerë.

Termi është përdorur gjerësisht për të përshkruar mënyrën se si një punonjës i kohëve të sotme, duhet të përcaktojë objektin e saktë të punës që ai kryen. Me pak fjalë; çdo punonjës i dijes, do të duhet që jo vetëm të njihet me detyrat që ai ka, por edhe të përcaktojë ai vetë në varësi të rrethanave dhe kohës, përgjegjësitë dhe vendimet që duhet të marrë.

Nëse pak kohë më parë, shumica e punonjësve nuk klasifikoheshin si të tillë; por ishin punonjës të thjeshtë duke mbizotëruar puna mekanike, tashmë ky raport ka ndryshuar dhe, është një nga sfidat më të mëdhaja të kohëve që ne po jetojmë.

Prandaj më shumë se kurrë është bërë e nevojshme të kuptohen disa metoda të thjeshta të menaxhimit, ndarjes së detyrave, rritje profesionale dhe punës në ekip. Mesa duket përgatitja akademike duket e pamjaftueshme për të përgatitur dhe edukuar punonjësin e ri të dijes.

Po cilat janë disa nga librat më të rekomanduar në këtë fushë ? Më poshtë, ne po paraqesim një listë shumë subjektive të librave, që të paktën kanë pasur ndikim në rritjen tonë profesionale.

Getting Things Done nga David Allen

Pa asnjë diskutim një nga librat klasikë më të lexuar dhe jo vetëm dekadën e fundit. Libri, ose më saktë metoda që autori rekomandon (shkurtimisht GTD), paraqet mënyrën më praktike të menaxhimit të detyrave tona të përditshme dhe jo vetëm.

Ideja kryesore që mbizotëron sipas këtij autori është që mendja nuk është bërë për të mbajtur mend por për të dhënë ide. Gabimi më i madh që ne bëjmë është përdorimi i mendjes tonë duke memorizuar detyra dhe projekte pa ndërtuar një mekanizëm që të mbajë këto ide, por vazhdimisht mendojmë që është më mirë ti mbajmë mend dhe të organizohemi sipas mënyrës tonë.

Më shumë se kurrë ky koncept dhe këto ide janë të nevojshme dhe mbase jetike, për të shmangur kaosin total në mendjen dhe emocionet tona. Në një gjuhë shumë praktike dhe të thjesht autori tregon atë që ai e quan menaxhimi horizontal, një proces prej 5 hapash që përfshin: dokumentimin, saktësimin, organizimin, reflektimin dhe veprimin.

Kjo metodë kërkon pak angazhim dhe përshtatje me mënyrën se si secili prej nesh mund të jetë mësuar, por nëse ju filloni e zbatoni; qoftë edhe pjesërisht disa nga konceptet që ai përshkruan, do të shikoni rezultate të paimagjinueshme.

The 7 Habits of Highly Effective People nga Stephen Covey

Një nga tjetër kryeveprat në fushën e rritjes së efektivitetit por jo vetëm. Autori tregon se si ato që në gjuhën e zakonshme quhen zakone apo vese, mund të ndryshohen megjithëse procesi nuk është i lehtë.

Rruga që Covey përshkruan është ajo e një udhëtimi nga brenda nesh dhe më pas me botën e jashtme, duke dhënë disa koncepte universale dhe shumë të vlefshme. Është një nga ato libra që ia vlen dhe me siguri do të lexohet disa herë.

7 zakonet janë: bëju proaktiv, fillo me fundin në mendje, vendosi gjërat e para në fillim, mendo fito-fito, kërko në fillim të kuptosh dhe pastaj të kuptohesh, sinergjia dhe në fund fare përfundimi ose siç e quan autori “mpresh sharrën”.

Implementing Value Pricing: A Radical Business Model for Professional Firms nga Ronald J. Baker

Edhe pse në ndryshim nga dy rekomandimet e tjera, fokusi i këtij libri është tërësisht ndryshe, ai është i rëndësishëm sepse tregon një koncept të thjeshtë por mjaft të vlefshëm të firmave profesionale.

Një nga librat më të bukur për tu lexuar nga ato biznese që ofrojnë shërbime të vazhduara dhe që tashmë është fakt se shumica e ekonomisë po transformohet kështu.

Mjafton të kuptojmë se sa pagesa në fund të çdo muaj kryhen vetëm sepse ne kemi rënë dakord me termat më herët. Shembull: abonimi në Netflix, fatura mujore e internetit, shërbimi i telefonit e shumë të tjera.

Kryefjala që autori tregon dhe që është kthyer në një nga mesazhet më të fuqishme është që vlera e shërbimit të ofruar nuk duhet të matet nga koha apo kostoja jonë, por nga VLERA që ky shërbim i jep klientit.

Atomic Habits: An Easy & Proven Way to Build Good Habits & Break Bad Ones nga James Clear

Nuk mund të mungonte edhe Atomic Habits në listën tonë të shkurtër të librave më të bukur për të lexuar, mbase të të gjitha kohërave dhe më aktuale. Një nga librat më të shitur aktualisht duke dhënë disa ide të fuqishme se si mund të krijohen zakone të reja dhe thuhen zakone të vjetra.

Me një gjuhë të thjeshtë autori tregon hapat nëpërmjet të cilave krijohen zakonet dhe mbi këtë bazë edhe 4 ligjet universale të ndërtimit të tyre: bëje të dukshme, bëje të këndshme, bëje të thjeshtë dhe bëje të shpërblyeshme.

The Five Dysfunctions of a Team: A Leadership Fable nga Patrick Lencioni

Asnjeri nuk mund të punojë i vetëm dhe të punuarit në grup është bërë dhe gjithmonë mbase do të jetë mënyra më e mirë e të punuarit dhe të ndër-vepruarit.

E veçanta e këtij libri është që ai është ndërtuar në pjesën më të madhe të tij në dialog dhe në një situatë të supozuar ku personazhet e këtij libri vendosen për të paraqitur në një gjuhë sa më të kuptueshme se cilat janë karakteristikat e një skuadre jo funksionale dhe për analogji të një skuadre funksionale. Gjatë pjesës më të madhe të librit do të duket sikur jeni duke lexuar një fabul të denjë për një teatër dhe pse jo edhe të një filmi.

Sipas autorit, 5  mos funksionimet e një skuadre janë: mungesa e besimit, mungesa e konfliktit, mungesa e angazhimit, mungesa e bashkëpunimit dhe në finale mos fokusimi në rezultat.

Me siguri jashtë kësaj liste kanë mbetur edhe shumë kryevepra të tjera apo metoda mbase edhe më funksionale. Kjo ishte një përzgjedhje shumë individuale e jona, dhe me impakt direkt në jetën dhe punën tonë. Shpresoj që këto ide t’ju ndihmojnë Ju në kuptimin e realitetit të ri dhe marrë masa për tu përshtatur.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online