TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Ndryshime në ligjin për turizmin: struktura akomoduese, menaxhimi dhe të tjera.

LIGJ

Nr. 30/2024

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 93/2015,

“PËR TURIZMIN”, I NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 93/2015 “Për turizmin”, i ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Kudo në ligj fjala “revokim/in” zëvendësohet me fjalën “shfuqizim/in”.

Neni 2

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. “Agjenci udhëtimi” është çdo person fizik ose juridik, i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose si ndërmjetës, merr përsipër t’u ofrojë turistëve dhe personave të tjerë, si individë apo të organizuar në grup, shërbimet e përcaktuara në nenin 47 të këtij ligji. Agjencia e udhëtimit zhvillon veprimtarinë e saj bazuar në kontrata ndërmjetësimi për shitjen e shërbimeve të ofruara nga furnizuesit e shërbimeve të udhëtimit dhe/ose kontrata konsulence me konsumatorin.”.

2. Në pikën 20 fjalët “personi fizik dhe juridik” zëvendësohen me fjalët “personi fizik ose juridik”.

3. Pas pikës 55 shtohen pikat 56, 57, 58, 59, 60, 61, 62, 63, 64, 65, 66, 67, 68, 69 dhe 70 me këtë përmbajtje:

“56. “Apartament” është njësi banimi, e destinuar për të ofruar shërbime akomodimi për turistët, e përbërë minimalisht nga një dhomë ndenjeje ose kuzhinë, një ose më shumë dhoma gjumi dhe me të paktën një tualet.

57. “Bllok apartamentesh” janë dy ose më shumë apartamente, të cilat menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik.

58. “Dhomë” nënkupton një njësi të veçantë të një ndërtese rezidenciale ose e një njësie banimi, në të cilën ofrohet shërbimi i akomodimit për turistët.

59. “Vilë” është një ndërtesë me oborr dhe hapësirë kopshti, e destinuar për të ofruar shërbime akomodimi për turistët në zona turistike.

60. “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore” është struktura e përcaktuar si pasuri kulturore në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore dhe që kategorizohet, për sa është e mundur, sipas përcaktimeve të legjislacionit të turizmit.

61. “Hotel i shpërndarë” është një strukturë akomoduese, i cili ofron shërbimet e mikpritjes për vizitorët, i përbërë nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, ekzistuese, afër njëra-tjetrës, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik.

62. “Kalendari turistik i aktiviteteve zbavitëse” është programi gjithëvjetor, që përfshin të gjitha ngjarjet kulturore, të traditës, sportive dhe natyrore, të cilat ofrojnë zbavitje dhe kënaqësi për turistët në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky kalendar publikohet çdo vit në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe të institucionit përgjegjës për promovimin e turizmit, si dhe në platformat online të menaxhuara prej tij.

63. “Plazh” është hapësira me rërë, zhavorr apo shkëmb, që shtrihet në buzë të ujit të detit, lumit ose liqenit, e identifikuar si e përshtatshme për zonë çlodhjeje, argëtuese dhe që konsiderohet e parrezikshme nga pikëpamja shëndetësore apo e sigurisë për përdorim nga pushuesit.

64. “Plazh i lejuar” është plazhi i përcaktuar si i tillë nga organet përgjegjëse, në të cilin lejohet të ushtrohet veprimtaria e stacionit të plazhit, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

65. “Sipërmarrës turistik” është personi fizik ose juridik, i krijuar sipas legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, i cili kryen veprimtari në fushën e turizmit.

66. “Shteg turistik” nënkupton një rrugë kryesisht të pashtruar dhe me një sfond natyror, e pajisur me sinjalistikën dhe me insfrastrukturën tjetër të nevojshme për të mundësuar ecjen ose kalimin përgjatë apo drejt vendndodhjeve të veçanta me interes turistik, me qëllim krijimin e eksperiencave rekreative.

67. “Shtegmbajtës” është personi i trajnuar, i cili ka përgjegjësi për administrimin dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike.

68. “Vrojtues plazhi” është personi i kualifikuar për të shpëtuar jetën në ujë dhe për të dhënë ndihmën e parë mjekësore.

69. “Ujëra të brendshme” ka kuptimin e dhënë në ligjin për aktivitetet e turizmit detar.

70. “Zonë bregujore” është zona që përfshin vijën bregdetare, hapësirën detare dhe ujërat e brendshme të Republikës së Shqipërisë, në të cilat zhvillohen aktivitete turistike.”.

Neni 3

Neni 8 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 8

Institucionet përgjegjëse në fushën e turizmit

Institucionet përgjegjëse në fushën e turizmit janë:

a) ministria përgjegjëse për turizmin;

b) Agjencia Kombëtare e Turizmit;

c) Agjencia Kombëtare e Bregdetit;

ç) njësitë e qeverisjes vendore.”.

Neni 4

Neni 10, shfuqizohet.

Neni 5

Pas nenit 11 shtohet neni 11/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 11/1

Komiteti për të dhënat statistikore në turizëm

1. Komiteti për të dhënat statistikore në turizëm krijohet si një organ koordinues pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.

2. Komiteti kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe ka në përbërje të tij përfaqësues nga institucionet qendrore dhe vendore, veprimtaria e të cilëve lidhet me të dhënat në fushën e turizmit.

 3. Përbërja, mënyra e organizimit dhe funksionimit, si dhe detyrat e komitetit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin.”.

Neni 6

Neni 14 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 14

Funksionet dhe kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Turizmit

Agjencia Kombëtare e Turizmit ka këto funksione dhe kompetenca:

1. Zbaton politikat e qeverisë për marketingun në fushën e turizmit, duke promovuar sektorin e turizmit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar nëpërmjet organizimit të panaireve, pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare dhe aktiviteteve të tjera me karakter promovues, me qëllim krijimin e imazhit të Shqipërisë, si destinacion turistik në tregun ndërkombëtar.

2. Ofron informacion për vizitorët, udhëtarët dhe turistët për shërbimet turistike që ofrohen, për produktet dhe destinacionet turistike, për veprimtari e të dhëna të tjera të dobishme.

3. Promovon produktin dhe destinacionet turistike brenda e jashtë vendit, duke bashkëpunuar me zyrat rajonale të turizmit, pushtetin vendor dhe organizma të tjerë që operojnë në fushën e turizmit.

4. Promovon investimet në zonat me prioritet zhvillimin e turizmit, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera publike të nxitjes së investimeve në vend.

5. Ndërmerr dhe nxit projekte për turizmin sipas fushës së veprimtarisë, duke marrë miratimin paraprak të ministrisë përgjegjëse për turizmin.

6. Propozon dhe harton produktet me karakter promocional në përputhje me tendencat e tregut turistik dhe realizon prodhimin e tyre.

7. Zbaton Strategjinë Kombëtare të Turizmit për marketingun e sektorit.

8. I propozon ministrit përgjegjës për turizmin ndryshimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e turizmit, duke argumentuar arsyet që lidhen me këto propozime.

9. Monitoron, përmirëson dhe përditëson faqet zyrtare të promocionit të turizmit.

10. Mbledh të ardhurat që realizohen nga marrëveshjet e qirasë për sipërfaqet e dhëna në përdorim për zhvillimin e turizmit dhe bën derdhjen e tyre në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.

11. Kontrollon zbatimin dhe plotësimin e kritereve për marrëveshjet ekzistuese të qirasë dhe për marrëveshjet e zhvillimit të lidhura me subjektet “person i stimuluar”.

12. Harton në bashkëpunim me institucionet qendrore, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe grupet e interesit në fushën e turizmit, kalendarin turistik të aktiviteteve zbavitëse dhe koordinon realizimin e tij.

13. Planifikon, koordinon, orienton dhe promovon kalendarin turistik, duke përfshirë ngjarjet kulturore, të traditës, sportive dhe natyrore, që ofrojnë zbavitje dhe kënaqësi për turistët në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

14. Financon nga fondi buxhetor i miratuar për çdo vit realizimin e projekteve dhe ngjarjeve me karakter krijues e me objekt të veprimtarisë së tyre turizmin, si dhe atyre që janë të përfshira në kalendarin turistik, pas miratimit të ministrit.

15. Krijon të ardhura dytësore nga pagesat e subjekteve të interesuara për promovimin e aktiviteteve dhe për shërbimet turistike në hapësirat e menaxhuara nga Agjencia Kombëtare e Turizmit. Procedura e mbledhjes dhe e përdorimit të këtyre të ardhurave miratohet me udhëzimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për turizmin dhe të ministrit përgjegjës për financat.”.

Neni 7

 Në nenin 15 pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Agjencia Kombëtare e Bregdetit (në vijim “AKB”) është person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për turizmin, që ka për qëllim mbrojtjen dhe ndjekjen e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare dhe të brigjeve të brendshme, monitorimin, inspektimin dhe kontrollin e veprimtarive turistike në territorin e Republikës së Shqipërisë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.”.

Neni 8

Neni 16, shfuqizohet.

Neni 9

Neni 17 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 17

Funksionet dhe kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit

 Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka këto funksione dhe kompetenca:

a) organizimin e punës për menaxhimin e integruar të zonës bregujore;

b) sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit nëpërmjet monitorimit, inspektimit dhe kontrollit të veprimtarive turistike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;

c) bashkëpunimin me institucionet shtetërore, qendrore e vendore, me investitorë dhe aktorë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë për shkëmbimin e të dhënave dhe krijimin e të gjitha lehtësive për përmbushjen e qëllimeve e të funksioneve të veprimtarisë së saj;

ç) nxitjen e investimeve në zonën bregujore;

d) bashkërendimin e programeve dhe projekteve zhvilluese me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregujore;

dh) sigurimin e shërbimit të pastrimit të zonës bregujore gjatë sezonit turistik, në mbështetje dhe plotësim të shërbimit të ofruar nga organet kompetente të qeverisjes vendore. Procedura e prokurimit publik për sigurimin e shërbimit të pastrimit të zonës bregujore bëhet nga AKB-ja, duke zbatuar legjislacionin në fuqi për prokurimin publik;

e) kryerjen e inspektimeve për të gjitha veprimtaritë turistike në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për inspektimin dhe marrjen e masave administrative për shkeljet e konstatuara;

ë) ushtrimin e çdo përgjegjësie tjetër të përcaktuar me ligj apo në aktin nënligjor.”.

Neni 10

Në nenin 20, pika 2, shkronja “c”, fjalët “ministrin dhe AKT-në” zëvendësohen me fjalët “ministrinë përgjegjëse për turizmin”.

Neni 11

Pas nenit 28 shtohet neni 28/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 28/1

Standardizimi dhe administrimi i shtigjeve turistike

Ministri përgjegjës për turizmin miraton rregulloren për standardizimin dhe administrimin e shtigjeve turistike. Rregullorja përcakton rregullat për regjistrimin dhe kategorizimin e shtigjeve turistike, sinjalistikën, projektimin, hapjen dhe mirëmbajtjen e tyre, të dhënat për shtigjet, ndërhyrjet, rregullat e sjelljes së vizitorëve të shtigjeve, organet përgjegjëse, rregullat për trajnimin e shtegmbajtësve, si dhe çdo aspekt tjetër që lidhet me standardizimin dhe administrimin e shtigjeve turistike.”.

Neni 12

Neni 31 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 31

Financimi i projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit

1. Ministria përgjegjëse për turizmin dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit financojnë nga fondi buxhetor i miratuar çdo vit:

a) projekte të paraqitura nga persona fizikë, juridikë, vendas ose të huaj, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre fushën e turizmit;

b) projekte dhe veprimtari në fushën e turizmit, që konsiderohen të rëndësisë së veçantë dhe që kanë një buxhet që arrin mbi 50% të fondit vjetor për projekte;

c) projekte dhe veprimtari të ideuara dhe të propozuara nga vetë ministria përgjegjëse për turizmin dhe nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në fushën e turizmit.

2. Ky fond nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik.

3. Për realizmin e projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit, skema e financimit mbulon deri në 100% të kostove të miratuara të projektit.

4. Procedurat dhe kriteret që ndiqen për financimin e projekteve, sipas shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 13

Pas nenit 31 shtohen nenet 31/1, 31/2 dhe 31/3 me këtë përmbajtje:

“Neni 31/1

Miratimi i projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit nga ministria përgjegjëse për turizmin

1. Miratimi i projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit bëhet nga ministri përgjegjës për turizmin, me propozimin e kolegjiumit, të përbërë nga 5 nëpunës të administratës publike të nivelit të lartë dhe të mesëm, drejtues të strukturave përgjegjëse, që mbulojnë fushën e turizmit në ministrinë përgjegjëse për turizmin, të cilët përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.

2. Kriteret dhe afatet në lidhje me kërkesëpropozimet për mbështetje financiare, të parashikuara në shkronjat “a” dhe “c” të pikës 1 të nenit 31 të këtij ligji, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për turizmin.

Neni 31/2

Kompetencat e kolegjiumit në ministrinë përgjegjëse për turizmin

1. Kolegjiumi ka këto kompetenca:

a) përzgjedh dhe klasifikon projektet nga pikëpamja e vlerave promovuese, sociale dhe ekonomike, në funksion të turizmit;

b) harton dhe i propozon ministrit përgjegjës për turizmin veprimtari dhe projekte në fushën e turizmit, në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 31 të këtij ligji;

c) nxit promovimin turistik kombëtar dhe i propozon ministrit përgjegjës për turizmin organizimin e eventeve promovuese kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e turizmit.

2. Mënyra e funksionimit të kolegjiumit përcaktohet në rregulloren e miratuar nga ministri përgjegjës për turizmin.

Neni 31/3

Miratimi i projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit nga Agjencia Kombëtare e Turizmit

1. Për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, miratimi i projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit, të cilat janë në përputhje me kalendarin turistik të aktiviteteve zbavitëse, bëhet me urdhër të titullarit, pas propozimit nga kolegjiumi i institucionit përkatës.

2. Kolegjiumi ka në përbërje jo më pak se 3 nëpunës ose punonjës, të përcaktuar me urdhër të titullarit.

3. Mënyrat e funksionimit të kolegjiumit pranë AKT-së propozohen nga institucioni dhe miratohen me rregullore nga ministri përgjegjës turizmin.”.

Neni 14

Neni 32, shfuqizohet.

Neni 15

Në nenin 33/1 shkronja “a” ndryshohet si më poshtë:

“a) është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje në Republikën e Shqipërisë, që ndërtohet sipas parashikimeve të nenit 44 të këtij ligji dhe që plotëson kriteret dhe kushtet për t’u certifikuar sipas parashikimeve të nenit 45 të këtij ligji.”.

Neni 16

Në nenin 33/2 pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin.”.

Neni 17

Në nenin 35, pika 5, në fjalinë e parë fjalët “mund të vendosë” zëvendësohen me fjalën “vendos”.

Neni 18

Neni 37, shfuqizohet.

Neni 19

Në nenin 43 pas shkronjës “ë” shtohen shkronjat “f”, “g”, “gj”, “h”, “i” dhe “j” me këtë përmbajtje:

“f) “Apartament”;

g) “Bllok apartamentesh”;

gj) “Vilë”;

h) “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore”;

i) “Hotel i shpërndarë”;

j) “Dhomë”.”.

Neni 20

Pas nenit 43 shtohet neni 43/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 43/1

Kategorizimi i strukturave akomoduese

1. Çdo sipërmarrës turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

2. Individi qiradhënës për kategoritë “Apartament”, “Vilë” ose “Dhomë”, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

3. Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga ministria përgjegjëse për turizmin.

4. Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin të kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat për numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.

5. Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin të krijojë një ambient të posaçëm e të veçuar për grumbullimin e mbetjeve dhe largimin e tyre, sipas rregullave të parashikuara në aktet e nxjerra nga pushteti vendor.

6. Ministri përgjegjës për turizmin miraton rregulloren për kushtet, kriteret, afatet, si dhe procedurën për kategorizimin e strukturave akomoduese.”.

Neni 21

Në nenin 45 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Secila kategori e strukturave akomoduese klasifikohet me sistem të veçantë, e shoqëruar me shenjat dalluese përkatëse, sipas përcaktimeve të mëposhtme:

a) “Bujtinë”standard;
b) “Fjetinë”standard, komfort;
c) “Kamping”standard;
ç) “Hotel”dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
d) “Motel”standard, komfort, superior;
dh) “Resort”tre yje, katër yje, pesë yje;
e) “Qendër kurative”dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
ë) “Fjetje dhe mëngjes”standard, komfort, superior;
f) “Apartament”standard;
g) “Bllok apartamentesh”standard;
gj) “Vilë”komfort, superior;
h) “Hotel i shpërndarë ”standard;
i) “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore”  standard;
j) “Dhomë”standard.”.

2. Në pikën 2 bëhet ndryshimi dhe shtesa si më poshtë:

a) emërtimi “Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” zëvendësohet me emërtimin “Qendrën Kombëtare të Biznesit”;

b) në fund shtohet fjalia me këtë përmbajtje: “Individi qiradhënës në kategoritë “Apartament”, “Vilë” ose “Dhomë”, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, duhet të paraqesë pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë klasifikimi, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

3. Në pikën 3 fjalët “brenda 30 ditëve” hiqen.

4. Pika 10, shfuqizohet.

Neni 22

Pas nenit 45 shtohet neni 45/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 45/1

Agroturizmi

1. Subjekti për të ushtruar veprimtarinë e agroturizmit plotëson kriteret për:

a) fermat e lidhura me veprimtarinë e agroturizmit;

b) strukturën pritëse të ndërtuar ose të asaj që parashikohet të ndërtohet;

c) ofrimin e ushqimeve dhe pijeve të përgatitura me ingredientë që vijnë nga vetë ferma ose nga prodhuesit lokalë;

ç) ofrimin e aktiviteteve argëtuese/edukative.

2. Veprimtaria e agroturizmit certifikohet nga ministria përgjegjëse për turizmin, nëpërmjet certifikatës paraprake për ndërtimin e agroturizmit dhe certifikatës për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit.

3. Kriteret, dokumentacioni dhe procedurat për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit dhe ndërtimin e strukturave/objekteve në funksion të ti, si dhe modeli i certifikatës miratohen nga Këshilli Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin dhe të ministrit përgjegjës për zhvillimin rural.”.

Neni 23

Në nenin 47 në shkronjën “b” fjalët “operatorëve të udhëtimit” zëvendësohen me fjalët “operatorëve turistikë”.

Neni 24

Në nenin 48, pika 2, shkronja “c”, fjalët “të zotërojë një diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve ose dëshmi kualifikimi profesional, në përputhje me objektin e veprimtarisë së biznesit;” zëvendësohen me fjalët “të ketë përfunduar arsimin e mesëm;”.

Neni 25

Në nenin 51, pika 2, shkronja “c”, pas fjalëve “ciklit të parë të studimeve” shtohen fjalët “ose të ketë mbaruar shkollën e mesme profesionale”.

Neni 26

Në nenin 54 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:

1. Titulli i nenit ndryshohet si më poshtë:

“Të dhënat bazë të kontratës me udhëtarin”.

2. Në pikën 1 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

a) në fjalinë e parë fjala “konsumatorin” zëvendësohet me fjalën “udhëtarin”;

b) pas shkronjës “o” shtohen shkronjat “p” dhe “q” me këtë përmbajtje:

“p) kontaktin e drejtpërdrejtë me personin përgjegjës për fëmijën që nuk është i shoqëruar nga prindërit apo përfaqësuesi i tij ligjor;

 q) informacion për procedurat e trajtimit të ankesave dhe mekanizmat për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve.”.

Neni 27

Neni 55, shfuqizohet.

Neni 28

Në nenin 57 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje:

“1/1. Kërkuesi ndjek programin e kualifikimit të udhërrëfyesit turistik, sipas kategorive përkatëse, para paraqitjes së kërkesës për t’u pajisur me certifikatën e udhërrëfyesit turistik tek ofruesit e miratuar nga ministria përgjegjëse e turizmit. Programi i kualifikimit dhe kushtet që duhet të plotësojnë ofruesit e këtyre programeve miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.”.

2. Në pikën 5, shkronja “a” fjalët “adresën e udhërrëfyesit turistik” hiqen.

3. Pika 6 ndryshohet si më poshtë:

“6. Certifikata e udhërrëfyesit turistik është pa afat.”.

Neni 29

Në nenin 58 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Në fjalinë e dytë të pikës 1 fjalët “i pajisur me të dhënat e përcaktuara në pikën 5 të nenit 57” zëvendësohen me fjalët “i cili përmban emrin e mbiemrin dhe të dhënat e përcaktuara në shkronjat “b” deri në “d” të pikës 5 të nenit 57 të këtij ligji”.

2. Në pikën 5 fjalët “heqjes ose pavlefshmërisë së” zëvendësohen me fjalët “dhe shfuqizimit të”.

Neni 30

Neni 59, shfuqizohet.

Neni 31

Neni 60 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 60

Kualifikimi dhe edukimi profesional në vazhdim i udhërrëfyesve turistikë

1. Ministria përgjegjëse për turizmin:

a) miraton programet e kualifikimit të udhërrëfyesit turistik;

b) nxit, mbështet dhe bashkëpunon me institucionet e akredituara prej saj dhe institucione të tjera për organizimin e kurseve të edukimit profesional në vazhdim dhe të seminareve informuese për udhërrëfyesit turistikë, me qëllim ruajtjen e standardeve të shërbimit të udhërrëfimit turistik, për të përditësuar dhe pasuruar njohuritë e udhërrëfyesit turistik me të dhëna të reja.

2. Ministri përgjegjës për turizmin miraton rregulloren për programet e kualifikimit të udhërrëfyesve turistikë dhe procedurën për akreditimin e tyre.”.

Neni 32

Në nenin 63 pas pikës 1 shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje:

“1/1. Në çdo rast transportuesi turistik nuk ushtron veprimtarinë e operatorit turistik. Shërbimi i caktuar rregullohet nëpërmjet kontratës së shërbimit mes operatorit turistik dhe transportuesit turistik.”.

Neni 33

Neni 64 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 64

Stacionet e plazhit

1. Veprimtaria e stacionit të plazhit ushtrohet bazuar në një kontratë përdorimi për hapësirën e plazhit të vënë në dispozicion, të lidhur midis subjektit dhe autoritetit publik kompetent dhe organizohet në hapësirë në përputhje me hartën e përgjithshme për plazhet e lejuara dhe planvendosjet përkatëse, të miratuara nga organet përgjegjëse.

2. Subjekti që ushtron veprimtarinë e stacionit të plazhit informon pushuesit nëpërmjet afishimit të kritereve dhe kushteve të sigurisë së shëndetit dhe jetës për aspektet teknike të veprimtarisë së stacionit të plazhit.

3. Subjekti që ushtron veprimtarinë e stacionit të plazhit ka detyrimin të mirëmbajë dhe të parandalojë ndotjen e hapësirës së plazhit që ka marrë në përdorim, sipas pikës 1 të këtij neni.

4. Rregullorja për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin dhe përmban:

a) kushtet teknike minimale sipas tipologjisë së plazhit;

b) kërkesat për sigurinë shëndetësore dhe higjienën;

c) kërkesat për sigurinë;

ç) kërkesat dhe kushtet për vrojtuesin e plazhit.”.

Neni 34

Pas nenit 64 shtohet neni 64/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 64/1

Detyrime të tjera për sipërmarrjet turistike

1. Çdo sipërmarrës turistik ekspozon në vend të dukshëm për publikun emrin e biznesit, si dhe procedurën e ankimit të paktën në gjuhën shqipe dhe angleze.

2. Çdo strukturë akomoduese dhe stacion plazhi ekspozon dukshëm listat e çmimeve për produktin dhe shërbimin që ofron të paktën në gjuhën shqipe dhe angleze.

3. Çdo sipërmarrës turistik gjatë ushtrimit të veprimtarisë garanton sigurimin e standardeve të shërbimit që ofron, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

4. Çdo sipërmarrës turistik gjatë ushtrimit të veprimtarisë duhet të ketë një kontratë të vlefshme sigurimi për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve, përfshirë aftësinë paguese dhe falimentin. Kontrata e sigurimit lidhet me një shoqëri sigurimi në përputhje me dispozitat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për sigurimet dhe risigurimet, si dhe mbulon dëmet e parashikuara më sipër, si dhe ato të parashikuara në kuadrin ligjor për mbrojtjen e konsumatorit.

5. Çdo sipërmarrës turistik ka detyrimin të vendosë në një vend të dukshëm për publikun kontratën e sigurimit të përgjegjësisë ndaj palëve të treta.

6. Çdo sipërmarrës turistik, i cili ofron shërbimet e veta online, ka detyrimin që në faqen e tij të publikojë informacionin sipas pikave 1, 2 dhe 5 të këtij neni.

7. Sipërmarrësi turistik ka detyrimin të deklarojë kapacitetin e shfrytëzimit të strukturës akomoduese, i cili për qëllime tatimore nuk mund të jetë më i vogël se niveli minimal i shfrytëzimit. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin dhe të ministrit përgjegjës për financat, përcakton periudhën e shfrytëzimit dhe nivelin minimal të kapacitetit të shfrytëzimit për strukturat akomoduese.”.

Neni 35

Neni 66 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 66

Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave statistikore

1. Ministria përgjegjëse për turizmin ngre në bashkëpunim me Autoritetin Rregullator Koordinues i bazave të të dhënave shtetërore, sistemin e të dhënave në turizëm dhe është përgjegjëse për administrimin e të dhënave të këtij sistemi. Të dhënat parësore dhe dytësore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.

2. Struktura përgjegjëse për të dhënat statistikore pranë kësaj ministrie mbledh e përpunon të dhëna me bazë mujore dhe prodhon statistika për turizmin duke u mbështetur në:

a) të dhënat administrative të institucioneve publike qendrore dhe vendore, përgjegjëse për furnizimin me të dhëna administrative;

b) të dhënat nga strukturat akomoduese për numrin e vizitorëve, numrin e netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën;

c) të dhënat nga operatorët turistikë dhe agjencitë e udhëtimit për numrin total të vizitorëve për turizmin pritës dhe turizmin në dalje, shtetësinë dhe destinacionin.

ç) çdo e dhënë tjetër parësore dhe dytësore e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Subjektet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni kanë detyrimin të raportojnë të dhëna të vërteta dhe të sakta sipas parimeve të statistikave zyrtare.

4. Të dhënat sigurohen pa pagesë në formën dhe kohën e kërkuar.

5. Të dhënat e vëna në dispozicion të ministrisë përgjegjëse për turizmin përdoren vetëm për qëllime statistikore.

6. Të dhënat e mbledhura sipas pikës 5 të këtij neni i dërgohen Institutit të Statistikave.”.

Neni 36

Në nenin 68 pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Ministria përgjegjëse për turizmin, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional, nxit edukimin profesional në fushën e turizmit, me qëllim ruajtjen e standardeve dhe përmirësimin e shërbimit të ofruar nga sektori i turizmit.”.

Neni 37

Neni 71 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 71

Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:

a) ushtrimi i veprimtarisë si strukturë akomoduese pa certifikatë kategorizimi, sipas pikave 1 dhe 2 të nenit 43/1 të këtij ligji, dënohet me gjobë bazuar në numrin e dhomave si më poshtë:

i. nga 1 deri në 5 dhoma me 20 000–50 000 lekë;

ii. nga 6 deri në 15 dhoma me 100 000 lekë;

iii. nga 16 deri në 40 dhoma me 200 000 lekë;

iv. nga 41 deri në 80 dhoma me 300 000 lekë;

v. mbi 80 dhoma me 400 000 lekë.

b) përdorimi i paautorizuar apo i gabuar i shenjave dalluese në strukturën akomoduese, pa u kryer procesi i klasifikimit sipas nenit 45 të këtij ligji, dënohet me gjobë 200 000 lekë;

c) ushtrimi i veprimtarisë si agroturizëm pa certifikatën përkatëse, sipas pikës 2 të nenit 45/1 të këtij ligji, dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:

i. deri në 5 dhoma 50 000 lekë;

ii. mbi 5 dhoma  100 000 lekë.

ç) mosrespektimi i kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit, sipas pikës 3 të nenit 45/1 të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

d) ushtrimi i veprimtarisë pa licencën përkatëse, sipas pikës 1 të nenit 48 të këtij ligji, dënohet me gjobë 200 000 lekë;

dh) ushtrimi i veprimtarisë pa licencën përkatëse, sipas pikës 1 të nenit 51 të këtij ligji, dënohet me gjobë 300 000 lekë;

e) ushtrimi i veprimtarisë, pa plotësuar kërkesat e përcaktuara, sipas parashikimeve të pikave 1 e 2 të nenit 53 të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

ë) ushtrimi i veprimtarisë pa kontratë ose pa plotësuar të dhënat bazë, të përcaktuara në pikën 1 të nenit 54 të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

f) ushtrimi i veprimtarisë pa certifikatë, sipas pikës 1 të nenit 57, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

g) ushtrimi i veprimtarisë pa plotësuar kërkesën e përcaktuar në pikën 2 të nenit 58 të këtij ligji dënohet me gjobë 20 000 lekë;

gj) ushtrimi i veprimtarisë pa plotësuar kërkesat e përcaktuara në pikën 1 të nenit 61 të këtij ligji dënohet me gjobë 100 000 lekë;

h) mosrespektimi i detyrimit për mbajtjen në mjetin e transportit të kontratës së lidhur mes transportuesit turistik dhe operatorit turistik apo agjencisë së udhëtimit, sipas parashikimeve të pikës 1/1 të nenit 63 të këtij ligji, dënohet me gjobë 50 000 lekë;

i) mosrespektimi i kushteve dhe kritereve, sipas pikës 2 të nenit 63 të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

j) ushtrimi i veprimtarisë pa kontratën përkatëse, sipas pikës 1 të nenit 64 të këtij ligji, dënohet me gjobë 300 000 lekë;

k) ushtrimi i veprimtarisë si stacion plazhi jashtë sipërfaqes së përcaktuar në kontratë sipas pikës 1 të nenit 64 të këtij ligji, dënohet me gjobë 150 000 lekë;

l) mosafishimi në mënyrë të dukshme i kërkesave të sigurisë në stacionin e plazhit, sipas pikës 2 të nenit 64 të këtij ligji, dënohet me gjobë 50 000 lekë;

ll) mosmirëmbajtja dhe ndotja e hapësirës së stacionit të plazhit, sipas pikës 3 të nenit 64 të këtij ligji, dënohet me gjobë 200 000 lekë;

m) moszbatimi i kushteve minimale teknike sipas tipologjisë së plazhit, sipas shkronjës “a” të pikës 4 të nenit 64 të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

n) moszbatimi i kërkesave për kushtet e higjienës, sipas shkronjës “b” të pikës 4 të nenit 64 të këtij ligji dënohet me gjobë 200 000 lekë;

nj) moszbatimi i kërkesave për sigurinë në stacionin e plazhit, sipas shkronjës “c” të pikës 4 të nenit 64 të këtij ligji dënohet me gjobë 200 000 lekë;

o) mosplotësimi i kërkesave dhe kushteve për vrojtuesin e plazhit, sipas shkronjës “ç” të pikës 4 të nenit 64 të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

p) mungesa e vrojtuesit të plazhit në stacionin e plazhit dënohet me gjobë 200 000 lekë; në rastet kur subjekti është përsëritës, dënohet me gjobë 400 000 lekë;

q) moszbatimi i detyrimeve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 64/1 të këtij ligji dënohet me gjobë 50 000 lekë;

r) mungesa e kontratës së sigurimit për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, sipas pikës 4 të nenit 64/1 të këtij ligji, nga sipërmarrësit turistikë dënohet me gjobë 200 000 lekë;

rr) mosdeklarimi i të dhënave statistikore nga strukturat akomoduese, operatorët turistikë dhe agjencitë e udhëtimit, sipas shkronjave “b” dhe “c” të pikës 2 të nenit 66 të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

s) deklarimi i pasaktë i të dhënave statistikore, sipas nenit 66 të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë.

2. Gjoba, në zbatim të këtij neni, përbën titull ekzekutiv me përfundimin e shqyrtimit të ankimit administrativ dhe vendoset nga struktura përgjegjëse inspektuese në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin.

3. Gjoba e parashikuar në pikën 2 të këtij neni paguhet brenda 10 ditëve nga data kur vendimi i dënimit me gjobë është bërë titull ekzekutiv, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.”.

Neni 38

Në nenin 75 bëhen shtesat e mëposhtme:

a) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1 si më poshtë:

“1/1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3 të nenit 11/1; pikës 4 të nenit 31, pikës 3 të nenit 45/1, pikës 4 të nenit 64; pikës 7 të nenit 64/1 dhe pikës 1 të nenit 66.”

b) Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4 si më poshtë:

“3. Ngarkohet ministri përgjegjës për turizmin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 28/1; pikave 1 dhe 2 të nenit 31/1; pikës 2 të nenit 31/2; pikës 3 të nenit 31/3; pikës 6 të nenit 43/1; pikës 1/1 të nenit 57; dhe pikës 2 të nenit 60.

4. Ngarkohet ministri përgjegjës për turizmin dhe ministri përgjegjës për financat që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të pikës 15 të nenit 14.”.

Neni 39

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 4.4.2024.

Shpallur me dekretin nr. 154, datë 17.4.2024, të Prestidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Shkarko këtu ose më poshtë ndryshimin ligjor

Burimi: Qendra e Burimeve Zyrtare.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online