Administrata Tatimore ka përfunduar një zhvillim të rëndësishëm në platformën e fiskalizimit, duke thjeshtuar procesin e pasqyrimit të faturave elektronike të refuzuara nga blerësit në librin e blerjes.
Ky përmirësim, që hyn në fuqi me deklarimin e librave të periudhës nëntor 2024, synon të lehtësojë punën e tatimpaguesve dhe të rrisë saktësinë në deklarimet tatimore.
Çfarë ndryshon?
Shfaqja automatike e faturave të refuzuara
Faturat elektronike të refuzuara nga blerësi do të shfaqen automatikisht në librin e blerjes, pa qenë nevoja për korrigjim manual në Excel.
Njoftim në Self-Care
Shitësi do të njoftohet automatikisht për çdo faturë të refuzuar, duke lehtësuar kontrollin dhe mundësinë për lëshimin e faturave korrigjuese ose anulluese brenda periudhës përkatëse.
Rregullat kryesore për tatimpaguesit
Anulimi i faturës brenda periudhës (deri më 10 të muajit pasardhës)
Fatura e refuzuar dhe ajo e anulluar shfaqen në librin e shitjes dhe të blerjes përkatës, pa ndikim në deklarimin e TVSH-së për asnjë palë.
Nëse subjekti shitës kryen anullimin e faturës elektronike, e cila është refuzuar nga subjekti blerës brenda periudhës (data 10 e muajit pasardhës), në të cilën është lëshuar fatura elektronike, këto dy fatura do të shfaqen si në librin e shitjes për shitësin ashtu edhe në librin e blerjes për blerësin, duke mos patur efekt në vlera dhe në deklarimin e TVSH-së për secilin nga tatimpaguesit.
Fatura e refuzuar, pa anulim brenda periudhës
Sistemi krijon automatikisht një rekord anulues me vlerë negative në librin e blerjes të blerësit, duke siguruar që deklarimi i TVSH-së të jetë korrekt
Për faturat elektronike të refuzuara nga blerësit, për të cilat shitësi nuk ka kryer anullim të tyre brenda periudhës në të cilën është lëshuar fatura elektronike (deri në datën 10 të muajit pasardhës), në librin e blerjes të subjektit blerës, automatikisht në momentin e mbylljes së librave nga sistemi do të gjenerohet një rekord anullues me të njejtat të dhëna si fatura e refuzuar dhe në vlerë negative. Ky veprim automatik i sistemit do të pasqyrojë në mënyre korrekte vlerën e deklarimit të TVSH-së për blerësin për faturat e refuzuara.
Anulimi pas periudhës (pas datës 10 të muajit pasardhës)
Në librin e blerjes të blerësit, sistemi gjeneron një rekord pozitiv për të pasqyruar saktë transaksionin dhe ndikimin në TVSH.
Në rast se subjekti shitës kryen anullimin e faturës elektronike të refuzuar në një periudhë më të vonë se periudha e lëshimit të faturës (pas datës 10 të muajit pasardhës), atëherë në librin e blerjes së subjektit blerës, përveç shfaqjes së kësaj fature të re, automatikisht në momentin e mbylljes së librave nga sistemi, do të krijohet një rekord pozitiv me të njëjtat detaje të kesaj fature të lëshuar nga shitësi. Ky veprim automatik i sistemit do të pasqyrojë në mënyrë korrekte vlerën e deklarimit të TVSH-së për blerësin.
Kujdes për tatimpaguesit
Pasqyrimi i saktë dhe në kohë i transaksioneve, përfshirë korrigjimet dhe anulimet, është i domosdoshëm. Administrata Tatimore do t’i kushtojë vëmendje të veçantë këtij procesi, duke e konsideruar si një zonë me risk të lartë për analiza dhe monitorim të mëtejshëm.
Ky zhvillim është një hap i rëndësishëm për të modernizuar dhe thjeshtuar proceset tatimore, duke i kursyer kohë dhe mund tatimpaguesve. Bizneset dhe profesionistët mund të presin një proces më të shpejtë dhe më efikas në menaxhimin e dokumentacionit tatimor.
Për çdo pyetje apo paqartësi, sigurohuni që të qëndroni të informuar përmes njoftimeve të administratës tatimore dhe portaleve zyrtare.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.