Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon tatimpaguesit, se prej datës 10 maj, Shërbimi për tatimpaguesit në çdo Drejtori Rajonale Tatimore do të ofrojë asistencë dhe mbështetje në çdo vend ushtrimi aktiviteti, për çdo tatimpagues, për regjistrimin e të dhënave fillestare në portalin SelfCare, në funksion të procesit të Fiskalizimit.
Vizitat e punonjësve të Shërbimit, do të kryhen në kuadër të një plani masash të hartuar nga DPT, me qëllim informimin dhe asistencën e tatimpaguesve për përmbushjen në kohë dhe me cilësi të detyrimeve ligjore që burojnë nga kuadri rregullues për fiskalizimin dhe objektiv kryesor, maksimizimin e numrit të tatimpaguesve të regjistruar në Portal, të cilët përmbushin detyrimet në mënyrë vullnetare.
Punonjësit që do ofrojnë asistencë në terren të trajnuar për të gjitha detajet e këtij procesi, janë pajisur me mjetet e nevojshme elektronike, tableta, për të mundësuar aplikimin konkret nga tatimpaguesit dhe do të paraqesin në çdo subjekt mjetin e tyre të identifikimit si dhe Urdhrin e punës.
Gjithashtu, si pjesë e këtij Plani masash, pranë zyrave të shërbimit për tatimpaguesit në çdo DRT, do të ngrihet një sportel i posaçëm, Këndi i Biznesit të vogël, i dedikuar vetëm për suportin e tatimpaguesve të biznesit të vogël, lidhur me procesin e fiskalizimit.
Ky Shërbim do të ofrohet në mënyrë të dedikuar edhe nga sportelet e DPT në qendrat ADISA dhe në QKB.
Sjellim në vëmendje të tatimpaguesve se për të mundësuar regjistrimin e të dhënave në Portalin SelfCare, duhet që paraprakisht të kenë një llogari biznesi në Portalin E-Albania. Nëse tatimpaguesi nuk është regjistruar në E-Albania, fillimisht duhet të kryejë këtë regjistrim, dhe më pas do të vijohet me hapat e tjerë të regjistrimit të të dhënave në Portalin Selfcare.
Rikujtojmë tatimpaguesit se, prej datës 1 Korrik 2021, do të fiskalizohen transaksionet e shitjes pa para në dorë midis tatimpaguesve, e njohur si faza B2B dhe prej datës 1 Shtator 2021, edhe shitjet me para në dorë, transaksionet B2C.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe gjejmë gjithmonë kohë për t’ju përgjigjur çdo pyetje tuaj. Ndihuni të lirshëm të telefononi ose të shkruani në çdo moment për çështje që ne mund t’ju ndihmojmë KONTAKTO ME NE