Nxjerrja e mallrave jashtë përdorimit. Procedura, afati 5 ditë dhe TVSH-ja

Kalkulator dhe stilolaps mbi një bllok shënimesh me kapak të kuq
Pikat kryesore
  • Mallrat e papërdorshme ose me afat të kaluar mund të nxirren jashtë përdorimit pa rregulluar TVSH-në e zbritur, kur ndiqet procedura.
  • Njoftimi me shkrim i drejtorisë rajonale tatimore bëhet jo më vonë se 5 ditë kalendarike përpara datës së nxjerrjes.
  • Drejtoria cakton dy inspektorë dhe mbahet procesverbal i konfirmuar nga të pranishmit.
  • Pa dokumentimin e procedurës, mallrat që mungojnë konsiderohen si të shitura.
  • Kur merret dëmshpërblim nga sigurimi, mbi vlerën e përfituar llogaritet TVSH.
Verifikuar më 11 tetor 2026. Rregulli u krahasua me ligjin nr. 92/2014, neni 79. Deklarimi dhe librat, faqja e burimit

Çdo biznes me mallra ka një ditë kur diçka skadon, prishet ose nuk shitet dot më. Pyetja tatimore është e thjeshtë. A duhet kthyer mbrapsht TVSH-ja që u zbrit kur ai mall u ble.

Përgjigjja varet nga procedura. Nëse ndiqet, rregullimi i TVSH-së nuk kryhet. Nëse nuk ndiqet, mallrat që mungojnë trajtohen si të shitura, me të gjitha pasojat që kjo ka.

Lexo edhe: Rregullimet e zbritjes së TVSH-së

Procedura hap pas hapi

HapiÇfarë kërkohet
5 ditë kalendarike përparaNjoftim me shkrim drejtuar drejtorisë rajonale tatimore ku jeni regjistruar
Përmbajtja e njoftimitLista e mallrave, arsyeja për secilin, sasia, çmimi i blerjes, vlera dhe data e procesit
Nga drejtoriaCaktohen dy inspektorë që marrin pjesë dhe mbajnë procesverbal
KonfirmimiProcesverbali konfirmohet nga përfaqësuesi juaj dhe nga personat e pranishëm
Pas procesitNjë kopje e dokumentacionit i dërgohet drejtorisë rajonale
FaturaProcesi nuk shoqërohet me faturë tatimore

Mbani gjithashtu një regjistër të mallrave që nxirren jashtë përdorimit. Ai nuk është formalitet, është prova juaj kur pyetja vjen dy vjet më vonë.

Kur procedura nuk ndiqet

Pasojat janë dy dhe të dyja kushtojnë. E para, lind detyrimi për të rregulluar TVSH-në e zbritur për atë mall. E dyta, kur mungesa nuk dokumentohet fare, mallrat konsiderohen të shitura, pra mbi to llogaritet TVSH dhe të ardhura.

E njëjta gjë vlen kur inspektorët kundërshtojnë kërkesën ose kur në një kontroll konstatohet se është vepruar në kundërshtim me ligjin tatimor ose me ligjet e sektorit ku operoni.

Dëmshpërblimi nga sigurimi

Ky është kurthi që shpesh nuk pritet. Nëse për të njëjtat mallra merrni dëmshpërblim nga siguruesi, mbi vlerën e përfituar llogaritet TVSH. Vlera e tatueshme është shuma e përfituar minus TVSH-ja përkatëse.

Pra përjashtimi nga rregullimi nuk do të thotë se e gjithë ngjarja është tatimisht neutrale. Kur ka arkëtim, ka edhe detyrim.

Dëmet nga shkaqe natyrore

Shkatërrimi i pasurisë nga tërmete, përmbytje, zjarr dhe ngjarje të tjera trajtohet sipas legjislacionit për emergjencat civile. Edhe këtu, baza është dokumentimi zyrtar i ngjarjes dhe i humbjes.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Pyetje të shpeshta

A mund t’i hedh mallrat e skaduara pa njoftuar askënd?

Jo, nëse doni të shmangni rregullimin e TVSH-së. Pa njoftimin paraprak dhe pa procesverbal, mallrat që mungojnë trajtohen si të shitura.

Sa përpara duhet njoftuar?

Jo më vonë se 5 ditë kalendarike përpara datës së nxjerrjes jashtë përdorimit.

A lëshohet faturë për këtë proces?

Jo. Procesi i daljes jashtë përdorimit nuk shoqërohet me faturë tatimore.

Çfarë ndodh nëse marr pagesë nga sigurimi?

Mbi vlerën e përfituar llogaritet TVSH, me bazë shumën e përfituar minus TVSH-në përkatëse.

Një inventar i pastër nuk është vetëm çështje rendi. Mallrat e prishura që mbeten në libra e fryjnë gjendjen dhe e bëjnë mbylljen e vitit një ushtrim supozimesh.

Teksti origjinal i njoftimit dhe i procedurës

Shkatërrimi i mallrave të dala jashtë përdorimit

Në zbatim të nenit 79 të ligjit Nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk kryhet rregullimi i zbritjes së TVSH-së për daljet jashtë përdorimit të mallrave për shkak se janë të papërdorshme, ose që u ka kaluar afati i përdorimit të tyre, të provuara apo të konfirmuara, sipas procedurave përkatëse ligjore e nënligjore.
Kujdes! Nëse personi i tatueshëm përfiton dëmshpërblim për arsye të sigurimit të mallit, për mallra për të cilat nuk zbatohet rregullimi i TVSH-së së zbritshme, atëherë për vlerën e përfituar, personi i tatueshëm llogarit TVSH. Vlera e tatueshme ne këtë rast është vlera e përfituar minus TVSH-në përkatëse.
Nëse personi i tatueshëm nuk dokumenton mungesën e mallrave sipas procedurës së parashikuar më poshtë, atëherë mallra të tilla do të konsiderohen si mallra të shitura.

 Procedura për daljet jashtë përdorimit të mallrave

Personi i tatueshëm duhet të mbajë një regjistër për mallrat që nxirren jashtë përdorimit. Për të kryer saktë këtë procedurë, personi i tatueshëm duhet që: I. Jo më vonë se 5 ditë kalendarike, para datës së nxjerrjes jashtë përdorimit të mallit, të bëjë një njoftim me shkrim drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar dhe në njoftim të japë informacion për:
  1. Listën e mallrave që do të nxjerrë jashtë përdorimit,
  2. Arsyet e nxjerrjes jashtë përdorimit për secilin artikull dhe
  3. Numrin e njësive/sasinë mallrave,
  4. Çmimin e blerjes së secilit prej mallrave;
  5. Vlerën e mallrave;
  6. Datën kur do të kryhet ky proces.
II .Drejtoria Rajonale Tatimore cakton për të marrë pjesë në këtë proces dy inspektor, të cilët mbajnë një procesverbal për këtë qëllim, të konfirmuar edhe nga përfaqësuesi i personit të tatueshëm dhe personat e tjerë të pranishëm gjatë këtij procesi. III. Një kopje e gjithë dokumentacionit të mbajtur përgjatë procesit të daljes jashtë përdorimit i dërgohet Drejtorisë Rajonale Tatimore. IV. Ky proces nuk shoqërohet me faturë tatimore. Nëse procedura e mësipërme nuk ndiqet ose inspektorët tatimor kundërshtojnë kërkesën e personit të tatueshëm ose në rast kontrolli konstatojnë se personi ka vepruar në kundërshtim me përcaktimet ligjore tatimore apo me ligjet specifike të sektorit ku vepron, atëherë ai është i detyruar të kryejë rregullimin e TVSH-së së zbritur për mallin në përputhje me ligjin.

 Raste të tjera të dëmeve apo shkatërrimit të pasurisë

Shkatërrimi i pasurisë së personit të tatueshëm për shkaqe natyrore të tilla si tërmete, përmbytje, djegie, etj., në raste emergjencash civile sipas legjislacionit të fushës, ose për shkak të aksidenteve, të cilat janë të verifikueshme dhe të dokumentuara nga institucioni publik përkatës, nuk është objekt i rregullimit të TVSH-së së zbritur. Kur mallrat janë dëmtuar apo shkatërruar nga fatkeqësia nuk kryhet rregullimi i TVSH-së së zbritshme që lidhet me mallrat e dëmtuara, të shkatërruara nëse personi i tatueshëm dokumenton:
  1. Një përshkrim të mallrave të dëmtuara, shkatërruara përfshirë numrin e njësive/ sasinë e secilit lloj të mallit;
  2.  Dokumente ose një evidence të blerjes së mallrave dhe çmimin me të cilin mallrat janë blerë;
  3. Raportin përkatës nga organi kompetent që vërteton se mallrat janë dëmtuar, shkatërruar si dhe mënyrën (ngjarjen) me të cilën mallrat janë dëmtuar apo shkatërruar;
  4. Datën në të cilën mallrat janë dëmtuar, shkatërruar.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe gjejmë gjithmonë kohë për t’ju përgjigjur çdo pyetje tuaj. Ndihuni të lirshëm të telefononi ose të shkruani në çdo moment për çështje që ne mund t’ju ndihmojmë  KONTAKTO ME NE

Nëse keni mallra për të nxjerrë jashtë përdorimit dhe nuk doni ta rrezikoni procedurën, e përgatitim ne dosjen dhe njoftimin, nga lista deri te procesverbali.

KËRKO OFERTË

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR