TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Paga është burimi kryesor i të ardhurave për shumicën e individëve në Shqipëri. Për pjesën më të madhe të familjeve, paga përbën më shumë se 60% të të ardhurave totale. Një tjetër pjesë e rëndësishme e të ardhurave vjen nga qiradhënia, bizneset e vogla dhe remitancat nga jashtë.

Për vitin 2024, paga minimale është vendosur në 40,000 lekë, duke u bërë baza për llogaritjen e kontributeve dhe tatimeve.

Marrëdhëniet e Punës dhe Mbrojtja Ligjore

Punonjësit në Shqipëri janë të mbrojtur nga Kodi i Punës dhe një sërë ligjesh të tjera që garanton të drejtat dhe sigurinë e tyre në vendin e punës. Në praktikë, kjo përfshin të drejtat për pushime, leje vjetore, trajtimin e barabartë, dhe mbrojtjen nga largimi i padrejtë nga puna. Ligjet përcaktojnë se punonjësit nuk mund të largohen nga puna pa një arsye të ligjshme të përcaktuar në kontratë dhe pa një procedurë të ndjekur sipas ligjit.

Kohët e fundit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjes së kërkesave për punëtorë të kualifikuar, shumë kompani janë të detyruara të ofrojnë kushte më të mira dhe trajtim dinjitoz për të tërhequr dhe mbajtur punonjësit. Përveç përfitimeve ligjore, shumë punëdhënës kanë filluar të investojnë edhe më shumë në kushte të përmirësuara të punës, duke përfshirë paga më të larta dhe përfitime shtesë.

Kontributet e Sigurimeve Shoqërore për të Punësuarit dhe të Vetëpunësuarit

Për të punësuarit, kontributet e sigurimeve shoqërore janë të ndara në dy pjesë kryesore:

  • 9.5% e pagës bruto mbahet nga paga e punonjësit.
  • 15% e pagës bruto paguhet nga punëdhënësi.

Këto kontribute llogariten mbi pagën bruto, por nëse paga e një individi është më e lartë se 176,416 lekë, kontributet do të llogariten mbi këtë pagë maksimale të sigurueshme. Kjo nënkupton që, edhe nëse një individ fiton më shumë se kjo shumë, sigurimet shoqërore do të llogariten mbi kufirin e përcaktuar dhe jo mbi të ardhurat e tij totale.

Në rastin e të vetëpunësuarve, pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore është e barabartë me 23% të shumës 40,000 Lekë.

Kontributet e Sigurimeve Shëndetësore

Për sigurimet shëndetësore, kontributet janë të ndara në dy pjesë:

  • 1.7% e pagës bruto mbahet nga paga e punonjësit.
  • 1.7% e pagës bruto paguhet nga punëdhënësi.

Ndryshe nga sigurimet shoqërore, për sigurimet shëndetësore nuk ka një pagë maksimale mbi të cilën llogariten kontributet. Kjo do të thotë se për çdo shumë të pagës bruto, sigurimet shëndetësore do të vazhdojnë të llogariten mbi pagën totale, pa kufizime.

Për të vetëpunësuarit, kontributet e sigurimeve shëndetësore llogariten mbi dyfishin e pagës minimale, e cila është 80,000 lekë në vitin 2024. Kjo përkthehet në një kontribut prej 3.4% mbi këtë shumë.

Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP)

Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet në bazë të një skeme progresive që hyri në fuqi më 1 qershor 2023. Kjo skemë llogarit tatimin mbi të ardhurat në mënyrë që individët që fitojnë më shumë, paguajnë një përqindje më të lartë të tatimeve.

Paga Bruto (ALL)Tatueshme (ALL)Norma e Tatimit
0 – 50,0000 – 50,0000%
50,001 – 60,00035,000 – 60,00013% mbi shumën mbi 35,000 lekë
60,001 – 200,00030,001 – 200,00013% mbi shumën mbi 30,000 lekë
Mbi 200,000Mbi 200,00022,100 lekë + 23% mbi shumën që tejkalon 200,000 lekë

Shembuj të TAP bazuar në skemën e re:

  • Paga bruto 50,000 lekë: Tatimi mbi të ardhurat është 0 lekë.
  • Paga bruto 100,000 lekë: Tatimi llogaritet kështu: (100,000 – 30,000) x 13% = 9,100 lekë.
  • Paga bruto 250,000 lekë: Për pagat mbi 200,000 lekë, llogaritja bëhet: 22,100 + (250,000 – 200,000) x 23% = 33,600 lekë.

Shembuj të Llogaritjeve

Për të ofruar një pasqyrë më të plotë të llogaritjeve për pagat e ndryshme, më poshtë janë shembuj të detajuar të kontributeve dhe tatimeve:

Paga Bruto (lekë)Sig. Shoq. Punonjës (9.5%)Sig. Shoq. Punëdhënës (15%)Sig. Shënd. Punonjës (1.7%)Sig. Shënd. Punëdhënës (1.7%)TAP (Skema e re)Paga Neto (lekë)
50,0004,7507,500850850044,400
100,0009,50015,0001,7001,7009,10079,700
150,00014,25022,5002,5502,55015,600117,600
250,00016,75926,4624,2504,25033,600195,390
Llogaritje: AlProfit Consult

Puna në distancë dhe efekti në Shqipëri

Puna në distancë është bërë shumë më e zakonshme, veçanërisht pas pandemisë. Freelancer-at që ofrojnë shërbime për klientë të huaj duhet të marrin parasysh taksat dhe kontributet në vendin ku janë të regjistruar. Për shembull, një freelancer që fiton një freelancer që fiton 1,500 euro/muaj, duhet të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bazuar në legjislacionin shqiptar, përveç shpenzimeve të tjera të lidhura me veprimtarinë e tij.

Duke qenë se për të vetëpunësuarit (freelancer-at) kontributet e sigurimeve shoqërore janë të barabarta me 23% të pagës bruto dhe sigurimet shëndetësore llogariten mbi 80,000 lekë, shpenzimet mujore janë si më poshtë:

  • Kontributet e sigurimeve shoqërore: 23% mbi 40,000 lekë = 9,200 lekë (rreth 92 euro).
  • Kontributet e sigurimeve shëndetësore: 3.4% mbi 80,000 lekë = 2,720 lekë (rreth 27 euro).
  • Shpenzime administrative (fiskalizim, komisione bankare, ekonomist, etj.): 150 – 200 euro/muaj.

Në total, shpenzimet mujore për një freelancer që fiton 1,500 euro/muaj arrijnë në rreth 270 deri në 320 euro, përfshirë të gjitha kontributet dhe shpenzimet e tjera.

Efekti i kursit të këmbimit për ata që paguhen në euro

Kursi i këmbimit është një faktor kyç për ata që paguhen në valutë të huaj, veçanërisht në euro. Në dy vitet e fundit, kursi i këmbimit midis lekut dhe euros ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke ndikuar negativisht fuqinë blerëse të punonjësve që marrin paga në euro.

  • Para dy viteve: Kursi i këmbimit ishte rreth 125 lekë për 1 euro. Një punonjës që paguhej 1,500 euro përfitonte rreth 187,500 lekë në muaj.
  • Sot: Kursi i këmbimit ka rënë në rreth 110 lekë për 1 euro. I njëjti punonjës që paguhet 1,500 euro, sot merr vetëm 165,000 lekë në muaj.

Kjo ulje e kursit të këmbimit ka bërë që shumë punonjës të paguar në euro të ndiejnë një rënie të fuqisë së tyre blerëse, duke marrë më pak lekë për të njëjtën shumë eurosh që merrnin më parë. Kjo situatë përbën një sfidë për ata që kanë kostot e jetesës në lekë, por të ardhurat në euro.

Mosdeklarimi i pagës reale dhe efektet e tij

Një nga problemet më të mëdha në tregun shqiptar të punës është mosdeklarimi i pagës reale. Shumë punonjës deklarohen për paga më të ulëta se ato që marrin realisht, çka ka pasoja të rëndësishme për përfitimet e tyre të ardhshme, siç janë sigurimet shoqërore dhe përfitimet nga pensioni.

Për shembull, një punonjës që paguhet 100,000 lekë në muaj, por deklarohet vetëm për 50,000 lekë, humbet një pjesë të konsiderueshme të përfitimeve që do të merrte në rast pensioni ose përfitimi nga sigurimet shoqërore. Me deklarimin e vetëm gjysmës së pagës, përfitimet e ardhshme do të jenë më të ulëta, duke e lënë individin pa mbështetjen e duhur financiare në të ardhmen.

Përveç kësaj, mosdeklarimi i pagës reale ka ndikim negativ edhe për vetë shtetin, duke zvogëluar të ardhurat nga taksat dhe kontributet që përdoren për të financuar sistemin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kjo praktikë dëmton edhe konkurrencën e ndershme midis bizneseve dhe krijon një klimë ku abuzimi dhe informaliteti mbeten të përhapura.

Paga minimale, mesatare dhe maksimale për profesione të ndryshme në Shqipëri

Në Shqipëri, pagat variojnë ndjeshëm në varësi të sektorit të punësimit dhe nivelit të kualifikimit. Ja disa nga pagat minimale, mesatare dhe maksimale për disa profesione të zakonshme:

  • Paga minimale (40,000 lekë): Përcaktohet nga qeveria dhe zbatohet për sektorë të ndryshëm, sidomos në industritë e prodhimit dhe shërbimeve të ulëta.
  • Paga mesatare në vend: Sipas të dhënave nga INSTAT për vitin 2023, paga mesatare në Shqipëri është rreth 62,000 lekë/muaj.
  • Paga maksimale për profesione të specializuara dhe sektorin privat, sidomos për pozicione menaxheriale dhe IT, mund të arrijë mbi 300,000 lekë/muaj.

Shembuj realë për profesione të ndryshme:

  • Punëtorët e ndërtimit: Paga minimale për një punëtor ndërtimi pa kualifikim zakonisht është afërsisht 40,000 – 45,000 lekë/muaj, ndërsa një punëtor i kualifikuar mund të fitojë rreth 70,000 – 80,000 lekë/muaj.
  • Infermierët: Paga minimale për një infermier në sektorin publik është rreth 50,000 – 55,000 lekë/muaj, ndërsa në sektorin privat pagat mund të arrijnë deri në 70,000 lekë/muaj.
  • Mësuesit: Paga minimale për një mësues fillestar është rreth 50,000 lekë/muaj, ndërsa një mësues me përvojë mund të fitojë rreth 70,000 – 80,000 lekë/muaj.
  • Inxhinierët dhe IT: Paga për inxhinierët në sektorin privat mund të fillojë nga 80,000 lekë/muaj dhe të arrijë deri në 150,000 lekë/muaj, në varësi të specializimit. Profesionistët e IT-së zakonisht paguhen më shumë, me paga që variojnë nga 100,000 lekë për fillestarët dhe mund të arrijnë mbi 300,000 lekë për rolet menaxheriale ose të specializuara.
  • Menaxherët në sektorin privat: Në sektorët e lartë të menaxhimit, sidomos në industrinë e bankave apo sigurimeve, pagat fillojnë nga 200,000 lekë/muaj dhe mund të shkojnë deri në 400,000 lekë/muaj ose më shumë për menaxherët e nivelit të lartë.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online