Amnistia fiskale 2026 dhe falja e gjobave tatimore: udhëzues i plotë sipas Ligjit 86/2025 dhe Udhëzimit 11/2026

Udhëzimi i amnistisë fiskale 2026 - afatet dhe hapat konkretë
Botuar më 15 maj 2026 · Përditësuar më 25 maj 2026
Pas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve mbi zbatimin e Ligjit nr. 86/2025, ky udhëzues është zgjeruar në udhëzuesin e plotë të amnistisë fiskale 2026. Përmbledh ligjin, udhëzimin zbatues, kategoritë e detyrimeve, afatet e plota, mekanizmin e kompensimit dhe procedurën hap pas hapi. Shkarko Udhëzimin nr. 11/2026 (PDF) · Shkarko Ligjin nr. 86/2025 (PDF)

Amnistia fiskale 2026 është një mundësi e jashtëzakonshme që qeveria shqiptare ka hapur për bizneset dhe individët me detyrime tatimore të prapambetura. Ligji nr. 86/2025 fal detyrime tatimore, fshin gjoba dhe kamatëvonesa, dhe ofron skema të diferencuara pagese për periudha të ndryshme. Por ligji i miratuar në dhjetor 2025 mbeti i pazbatueshëm derisa doli Udhëzimi nr. 11, datë 14 maj 2026, i cili përcaktoi procedurat e sakta të zbatimit nga administrata tatimore.

Tani ligji është plotësisht në zbatim. Afati i parë i përfitimit më të madh, pagesa e 50% të detyrimit për periudhën 2015-2019, mbyllet më 30 qershor 2026. Pas kësaj date opsioni i mbetur është pagesa e 75% deri më 31 dhjetor 2026. Për detyrimet e periudhës 2020-2024 falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që principali të paguhet i plotë brenda 31 dhjetorit 2026.

Ky udhëzues i plotë shpjegon kush përfiton, kush përjashtohet, cilat gjoba tatimore fshihen automatikisht, si llogariten dy opsionet e pagesës për periudhën 2015-2019, si funksionon mekanizmi i kompensimit me kredite tatimore dhe çfarë hapash duhet të ndërmerrni sipas situatës suaj specifike.

Lexo edhe Marrëveshja e Paqes Fiskale (Ligji nr. 84/2025): udhëzues praktik për sipërmarrësit

Çfarë parashikon Ligji nr. 86/2025

Ligji nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë” është nisma më e gjerë e faljes fiskale e ndërmarrë në Shqipëri ndër vite. Qëllimi i tij është të pastrojë sistemin tatimor nga detyrime të akumuluara prej më shumë se një dekade, të cilat në praktikë janë bërë të pamundura për t’u mbledhur, kryesisht për shkak të kamatëvonesave dhe gjobave që i kanë shumëfishuar borxhet origjinale.

Ligji hyri në fuqi më 1 janar 2026 dhe zbatohet deri më 31 dhjetor 2026. Pra brenda vitit 2026 duhen ndërmarrë të gjitha veprimet që çojnë në falje. Pas kësaj date dispozitat e tij pushojnë së vepruari dhe detyrimet e mbetura të papaguara kthehen në regjimin normal, me të gjitha penalitetet.

Ky ligj nuk duhet ngatërruar me Marrëveshjen e Paqes Fiskale (Ligji nr. 84/2025), e cila është një masë krejt e ndryshme që lidhet me marrëveshje vullnetare për deklarimin e fitimeve për periudha të ardhshme. Amnistia fiskale 2026 merret vetëm me detyrimet e kaluara të papaguara dhe nuk imponon kushte për veprimtarinë e ardhshme të tatimpaguesve.

Udhëzimi nr. 11/2026 sqaroi pesë pika thelbësore

Udhëzimi i Ministrit të Financave nr. 11, datë 14 maj 2026, plotësoi kornizën që la ligji dhe sqaroi disa pika që në praktikë krijonin pasiguri. Më poshtë janë sqarimet kryesore që ndryshojnë mënyrën konkrete se si ju duhet të veproni.

Edhe detyrimet jashtë sistemit elektronik falen

Udhëzimi sqaron shprehimisht se fshirja automatike nuk kufizohet vetëm te detyrimet e regjistruara në sistemin informatik (e-Tax), por mbulon edhe ato të regjistruara vetëm në kontabilitetin manual të drejtorive rajonale tatimore. Shumë biznese kanë detyrime të vjetra që për arsye teknike ose administrative nuk figurojnë në e-Tax. Nëse këto detyrime i përkasin periudhave para 31 dhjetorit 2014, fshihen me të njëjtat kushte si ato të sistemit.

Data e aktit përcakton periudhën, jo data e kontabilizimit

Ky është një ndër sqarimet me vlerë më të madhe praktike. Nëse akt-konstatimi ose njoftimi i detyrimit mban datën 31 dhjetor 2014 ose më parë, detyrimi përfshihet në fshirje, pavarësisht nëse kontabilizimi në sistem është bërë vite më vonë. Por kujdes, ky rast nuk trajtohet automatikisht. Fshirja bëhet manualisht nga strukturat rajonale, ndaj nëse jeni në këtë situatë duhet të kontaktoni drejtorinë rajonale tatimore dhe të kërkoni procedurën manuale.

Shembull. Një biznes ka marrë akt-konstatim tatimor me datë tetor 2014, por detyrimi është futur në sistem në shkurt 2015. Sipas udhëzimit, ky detyrim i përket periudhës para 31.12.2014 dhe fshihet, pavarësisht datës së kontabilizimit.

Bizneset e mbyllura falen plotësisht, pavarësisht periudhës

Për subjektet e çregjistruara në QKB ose administrativisht deri më 31 dhjetor 2024, fshihen të gjitha detyrimet, principali, gjobat dhe kamatëvonesat, pavarësisht periudhës tatimore. Nuk ka kushtëzim pagese. Nuk ka dallim midis vitit 2016 dhe vitit 2023. Fshirja bëhet automatikisht. I vetmi përjashtim është për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku principali nuk fshihet asnjëherë.

Shumë ish-administratorë ose ortakë të kompanive të mbyllura nuk e dinë që detyrime të vjetra vazhdojnë të figurojnë në sistemin tatimor. Amnistia fiskale 2026 është rasti për t’i mbyllur përfundimisht ato kapituj.

Gjobat për DIVA fshihen pa pasur nevojë të dorëzohet deklarata

Individët me gjoba për mosdeklarim të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për periudha deri më 31 dhjetor 2024, përfitojnë nga fshirja automatike pa qenë nevoja të dorëzojnë deklaratat e padorëzuara. Ky sqarim ka vlerë praktike për individët me të ardhura nga qiraja, dividendët ose burime të tjera të tatueshme që kanë akumuluar gjoba për periudha të kaluara.

Afati për heqjen dorë nga ankimi është 30 nëntor 2026

Tatimpaguesit që janë në proces ankimimi administrativ ose gjyqësor mund të hyjnë në procedurën e amnistisë vetëm nëse heqin dorë nga ankimi. Heqja dorë paraqitet me kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, përpara kryerjes së pagesës së principalit, por jo më vonë se 30 nëntor 2026. Vendimi është i pakthyeshëm, ndaj kërkon analizë të kujdesshme përpara ndërmarrjes.

Tabela e plotë e afateve

Më poshtë janë afatet kryesore të ligjit, të organizuara sipas llojit të detyrimit dhe kushtit të përfitimit.

SituataKushti i pagesësAfatiÇfarë fitoni
Detyrime tatimore deri më 31.12.2014Pa kusht pageseAutomatikFshirje 100% e principalit, gjobave dhe kamatëvonesave
Detyrime 2015-2019 (Opsioni A)Pagesë e 50% të principalit njëherësh30 qershor 2026Fshirje e 50% të mbetur + 100% e gjobave dhe kamatëvonesave
Detyrime 2015-2019 (Opsioni B)Pagesë e 75% të principalit31 dhjetor 2026Fshirje e 25% të mbetur + 100% e gjobave dhe kamatëvonesave
Detyrime 2020-2024Pagesë e 100% të principalit31 dhjetor 2026Fshirje 100% e gjobave dhe kamatëvonesave
Kontributet shoqërore e shëndetësore 2015-2024Pagesë e 100% të kontributit31 dhjetor 2026Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave
Deklarata të padorëzuara (gjoba mosdeklarimi)Dorëzimi i deklaratave të munguara30 qershor 2026Fshirje e gjobave të mosdeklarimit
Bizneset e çregjistruara deri më 31.12.2024Pa kushtAutomatikFshirje 100% e të gjitha detyrimeve
Ankim aktiv administrativ ose gjyqësorHeqje dorë zyrtare nga ankimi30 nëntor 2026E drejta për të hyrë në procedurën e amnistisë

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Kush përfiton nga falja e detyrimeve tatimore

Ligji është hartuar në mënyrë shumë gjithëpërfshirëse. Përfitojnë të gjithë tatimpaguesit, biznese apo individë, që kanë detyrime tatimore të papaguara ndaj administratës tatimore qendrore, taksa vendore të papaguara, ose detyrime të papaguara në doganë. Nuk ka rëndësi statusi aktual i tatimpaguesit. Përfitojnë si tatimpagues aktivë, ashtu edhe ata pasivë (të pezulluar), tatimpagues të çregjistruar (mbyllur) ose me çfarëdo statusi tjetër në sistemin e-Tax.

Edhe nëse biznesi është mbyllur vite më parë, por në sistem i kanë mbetur detyrime të papaguara, hyn te përfituesit e këtij ligji. Po ashtu, subjektet debitore ndaj doganës (importues me detyrime doganore të pashlyera) gëzojnë të njëjtat mundësi faljeje.

Shkurtimisht, çdo tatimpagues me borxhe tatimore apo doganore të regjistruara deri më 31 dhjetor 2024 mund të kualifikohet për përfitimet e faljes, përveç rasteve të veçanta të përjashtuara në vijim. Kjo e bën amnistinë fiskale 2026 një ndër fushatat më të gjera të faljes fiskale të ndërmarra ndonjëherë në Shqipëri.

Kush përjashtohet nga falja

Ligji ka vendosur disa përjashtime të rëndësishme, me qëllim mosshpërblimin e shkelësve të rëndë fiskalë ose atyre që janë në proces hetimi e gjyqësor. Nuk përfitojnë nga falja:

  1. Tatimpaguesit (individë ose biznese) ndaj të cilëve ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë për vepra penale tatimore ose doganore. Pra subjektet e dënuara për evazion fiskal, kontrabandë ose vepra të ngjashme nuk përfitojnë.
  2. Tatimpaguesit që janë aktualisht nën hetim penal për çështje tatimore ose doganore, deri sa të përfundojë hetimi.
  3. Tatimpaguesit që kanë vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore ose Doganore për detyrimet objekt përfitimi.
  4. Tatimpaguesit në proces ankimimi administrativ ose gjyqësor, përveç nëse heqin dorë nga ankimi brenda 30 nëntorit 2026.

Nëse detyrimi juaj ka ardhur thjesht nga aktiviteti i përditshëm (tatim i papaguar, gjobë administrative, kamatë për vonesë) dhe nuk lidhet me vepër penale apo proces gjyqësor aktiv, ju përfitoni nga falja. Nëse jeni në proces ankimimi dhe vlerësoni se rasti juaj është më i favorshëm përmes amnistisë, mund të hiqni dorë nga ankimi për të hyrë në skemë.

Cilat detyrime tatimore dhe gjoba fshihen

Ligji ndan detyrimet sipas periudhës kohore dhe parashikon trajtim të ndryshëm për secilën kategori. Identifikimi i saktë i periudhës është thelbësor për të kuptuar sa nga borxhi juaj falet dhe sa duhet të paguani për t’u kualifikuar.

Parimet që vijojnë vlejnë njësoj për detyrimet ndaj administratës tatimore qendrore, taksat vendore dhe detyrimet doganore. Çdo referencë te “detyrimi tatimor” mbulon edhe detyrimet doganore për periudhat përkatëse.

Detyrimet e periudhës deri më 31 dhjetor 2014

Për të gjitha detyrimet tatimore të papaguara që i përkasin periudhave deri më 31.12.2014, ligji ofron falje të plotë, pa kushte pagese. Të gjitha tatimet, taksat vendore, tarifat e papaguara dhe doganat fshihen 100%. Tatimpaguesi nuk ka nevojë të paguajë as principalin, as gjobat dhe as kamatëvonesat.

Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Edhe për këtë periudhë, principali i kontributeve nuk falet sepse lidhet me përfitimet e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor. Fshihen 100% të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat e tyre, por principali duhet të paguhet.

Pra nëse një punëdhënësi i kanë mbetur pa paguar kontribute për vitin 2012, atij i kërkohet të paguajë vetëm shumën e kontributeve, ndërsa gjithë gjobat dhe interesat e lidhura me to fshihen automatikisht.

Detyrimet e periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019

Për këtë periudhë ligji ofron falje të pjesshme. Një pjesë e principalit duhet paguar, pjesa tjetër falet. Tatimpaguesi mund të zgjedhë midis dy opsioneve.

Opsioni A. Pagesë e menjëhershme 50%

Tatimpaguesi paguan 50% të principalit brenda 30 qershorit 2026. Si rezultat, 50% e mbetur e principalit fshihet, dhe 100% e gjobave dhe kamatëvonesave fshihen gjithashtu. Ky opsion shpërblen tatimpaguesit që kanë likuiditetin për të mobilizuar pagesën menjëherë.

Opsioni B. Pagesë e 75%

Nëse nuk mundeni të paguani 50% deri më 30 qershor, mund të paguani 75% të principalit brenda 31 dhjetorit 2026. Në këtë rast 25% e principalit falet, dhe 100% e gjobave dhe kamatëvonesave fshihen gjithashtu. Pra shteti fal një të katërtën në vend të gjysmës, pasi po ju jep kohë shtesë.

Në të dy opsionet, sapo të plotësohet kushti i pagesës, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen automatikisht. Madje, nëse ju keni paguar tashmë gjithë principalin e periudhës 2015-2019 dhe ju kanë mbetur vetëm gjobat e kamatëvonesat, këto të fundit fshihen pa pasur nevojë për asnjë pagesë shtesë.

Shembull konkret. Një biznes ka 1,000,000 LEK detyrim tatimor të papaguar nga viti 2018 dhe 200,000 LEK gjoba e kamatëvonesa të akumuluara. Me Opsionin A, biznesi paguan 500,000 LEK deri më 30 qershor 2026 dhe përfiton fshirjen e 500,000 LEK të mbetur plus 200,000 LEK gjoba dhe kamatëvonesa. Me Opsionin B, biznesi paguan 750,000 LEK deri më 31 dhjetor 2026 dhe përfiton fshirjen e 250,000 LEK të tjerë plus 200,000 LEK gjoba dhe kamatëvonesa. Në të dy rastet detyrimi i viteve 2015-2019 zerohet.

Detyrimet e periudhës 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024

Për këtë periudhë qasja është më e kufizuar. Principali (detyrimi bazë) nuk falet aspak. Por nëse tatimpaguesi paguan 100% të principalit brenda 31 dhjetorit 2026, atëherë 100% e gjobave dhe kamatëvonesave fshihen.

Pra për detyrimet 2020-2024 nuk ka ulje në shumën e tatimit ose taksës së papaguar. Lehtësimi qëndron në heqjen e të gjitha penaliteteve për vonesat, që shpesh janë vlera të mëdha krahasuar me principalin. Nëse nuk paguani principalin, nuk ka asnjë falje, as të principalit (që gjithsesi nuk falet), as të gjobave (që kushtëzohen nga pagesa).

Shembull konkret. Një kompani ka 300,000 LEK tatim të papaguar nga viti 2021 dhe 60,000 LEK penalitete. Sipas ligjit, kompania duhet të paguajë 300,000 LEK brenda 31 dhjetorit 2026. Pasi paguan, 60,000 LEK penalitete fshihen automatikisht. Kompania ka paguar vetëm tatimin që realisht duhej të paguante që në 2021, pa barrën e penaliteteve.

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore (2015-2024)

Principali i kontributeve nuk fshihet asnjëherë, pavarësisht periudhës. Kjo është parimi i përgjithshëm i ligjit për sigurimet, sepse principali lidhet me përfitimet e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor të vetë kontribuesit.

Por gjobat dhe kamatëvonesat e kontributeve të periudhës 2015-2024 falen 100%, me kusht që principali të paguhet i plotë deri më 31 dhjetor 2026. Edhe pse për tatimet e zakonshme të periudhës 2015-2019 lejohet falje pjesore e principalit, për kontributet nuk ka falje principali për asnjë periudhë.

Kjo skemë vlen edhe për të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët kanë skema të veçanta kontributive. Ata përfitojnë faljen e gjobave dhe kamatëvonesave nëse paguajnë kontributet bazë të prapambetura brenda afatit.

Gjobat dhe rastet specifike që falen automatikisht

Përveç kategorive të mësipërme, ligji fal automatikisht një sërë gjobash dhe detyrimesh pa kërkuar pagesë nga tatimpaguesi. Këto raste pastrojnë regjistrat nga detyrime që në praktikë ishin të pambledhshme ose burokratike.

Detyrimet e tatimpaguesve të çregjistruar deri më 31.12.2024. Nëse një biznes ose person fizik është mbyllur (me vendim gjykate në QKB ose çregjistruar në tatime) dhe i kanë mbetur detyrime tatimore të papaguara, të gjitha këto detyrime fshihen plotësisht. Përjashtim bëjnë vetëm kontributet shoqërore dhe shëndetësore.

Gjobat automatike të sistemit për deklarime të vonuara deri më 31.12.2024. Gjobat administrative të vendosura automatikisht nga sistemi elektronik tatimor për vonesa në dorëzimin e deklaratave (TVSH, sigurime, etj.) falen plotësisht. Shumë biznese të vogla kishin akumuluar gjoba thjesht sepse kishin dorëzuar me vonesë ndonjë deklaratë, edhe kur nuk kishin tatim për të paguar.

Gjobat për deklarata të padorëzuara fare (mosdeklarim) deri më 31.12.2024. Nëse tatimpaguesi nuk ka dorëzuar fare një deklaratë tatimore për një periudhë të caktuar (deklaratë TVSH-je, pasqyrë financiare, deklaratë vjetore), gjobat e mosdeklarimit falen, me kusht që deklaratat e munguara të dorëzohen brenda 30 qershorit 2026. Përjashtim bën DIVA, e cila falet pa pasur nevojë të dorëzohet deklarata e munguar.

Gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit deri më 31.12.2024.Këto gjoba (që jepen kur bilancet dorëzohen pas afatit ligjor) fshihen plotësisht.

Gjobat dhe kamatëvonesat nga ndryshimet retrospektive të listëpagesave. Kur një biznes korrigjon listëpagesat e pagave për periudha të kaluara, sipas rregullave normale ngarkohen gjoba dhe interesa. Ligji i fal të gjitha këto për ndryshime që rrjedhin nga akte ligjore ose nënligjore me efekt prapaveprues, ose nga vendime gjyqësore të formës së prerë.

Gjobat administrative për periudhat deri më 31.12.2024. Të gjitha gjobat administrative tatimore për këtë periudhë fshihen.

Mekanizmi i kompensimit me kredite tatimore

Përpara se administrata tatimore të fshijë një detyrim, ajo verifikon nëse keni tepricë kreditore në llogaritë tatimore, p.sh. tepricë e TVSH-së ose e tatimeve të tjera. Nëse keni, kjo tepricë kompensohet automatikisht me detyrimin, dhe vetëm pjesa e mbetur e detyrimit falet.

Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Detyrimet për kontributet nuk mund të kompensohen me kredite nga tatime të tjera.

Shembull. Nëse keni 50,000 LEK detyrim tatimor që do të falej dhe njëkohësisht 20,000 LEK kredi TVSH të pashfrytëzuar, administrata fillimisht do të zbresë 20,000 LEK nga detyrimi (duke e shuar atë pjesë me kredinë tuaj), dhe vetëm 30,000 LEK e mbetur falen. Ky mekanizëm siguron që përfitimi i kredisë dhe përfitimi i faljes të mos kumulohen padrejtësisht.

Procedura hap pas hapi për të përfituar nga falja

Administrata tatimore zbaton ligjin automatikisht, por tatimpaguesi duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të përmbushur kushtet dhe për të mos humbur përfitimet. Më poshtë është procedura e plotë praktike.

Hapi 1. Verifikoni detyrimet tuaja në e-Filing

Hyni në llogarinë tuaj në sistemin e-Filing dhe shqyrtoni të gjitha detyrimet që figurojnë si të papaguara. Ndani detyrimet sipas periudhave (deri 2014, 2015-2019, 2020-2024) dhe sipas llojit (tatim qendror, taksa vendore, kontribute, dogana). Kjo ndarje është thelbësore për të kuptuar cilat skema faljeje vlejnë për ju.

Brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e Udhëzimit nr. 11/2026, çdo drejtori rajonale tatimore harton listën e tatimpaguesve që përfitojnë nga fshirja dhe listën e atyre që përjashtohen. Njoftimi përkatës ju përcillet elektronikisht përmes e-Filing.

Hapi 2. Dorëzoni deklaratat e munguara

Nëse gjatë verifikimit konstatoni se keni deklarata të padorëzuara për periudhat deri më 31.12.2024 (deklaratë TVSH-je, deklaratë vjetore tatim-fitimi, pasqyra financiare), dorëzojini brenda 30 qershorit 2026. Sapo administrata merr deklaratat e prapambetura brenda afatit, gjobat për mosdeklarim fshihen automatikisht.

Përjashtim bën DIVA. Për të, gjobat fshihen pa pasur nevojë të dorëzoni deklaratat e munguara.

Hapi 3. Zgjidhni opsionin e pagesës për detyrimet 2015-2019

Nëse keni detyrime nga kjo periudhë, vendosni cilin opsion do të ndiqni. Opsioni A (50% deri më 30 qershor 2026) ju kursen më shumë para. Opsioni B (75% deri më 31 dhjetor 2026) ju jep më shumë kohë. Zgjedhja varet nga aftësia juaj paguese. Nëse jeni në dilemë, vlerësoni cash flow-në e biznesit gjatë 6 muajve të ardhshëm.

Hapi 4. Planifikoni pagesën e detyrimeve 2020-2024

Për këtë periudhë duhet të paguani 100% të principalit deri më 31 dhjetor 2026, që të përfitoni faljen e gjobave dhe kamatëvonesave. Mundësisht paguajeni më herët, jo në momentin e fundit, sepse ngarkesa në sistem pritet të jetë e madhe gjatë dhjetorit.

Hapi 5. Shlyeni kontributet shoqërore dhe shëndetësore

Për çdo kontribut të papaguar (si punëdhënës, si i vetëpunësuar), paguani të plotë principalin brenda 31 dhjetorit 2026. Vetëm kështu fshihen gjobat dhe kamatëvonesat e tyre. Kjo vlen edhe për kontributet e periudhës 2015-2019, ku ndryshe nga tatimet, principali nuk falet aspak.

Hapi 6. Hiqni dorë nga ankimet, nëse vlerësoni se ia vlen

Nëse keni një detyrim aktualisht në proces ankimimi administrativ ose gjyqësor dhe vlerësoni se hyrja në amnisti është më e favorshme se vazhdimi i ankimit, paraqitni kërkesë zyrtare për heqje dorë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore. Afati përfundimtar është 30 nëntor 2026, por kërkesa duhet të paraqitet përpara kryerjes së pagesës së principalit.

Vendimi është i pakthyeshëm. Nëse hiqni dorë dhe pastaj pendoheni, nuk mund të rikthehet ankimi. Konsultohuni me kontabilistin ose këshilltarin tuaj tatimor para vendimit.

Hapi 7. Kryeni pagesat sipas afateve

Pagesat kryhen si zakonisht përmes bankës ose nëpërmjet sistemit elektronik në e-Albania. Ruani çdo mandat pagese si dokumentacion. Mund të kryeni pagesa të pjesshme herët dhe t’i plotësoni në kohë, kjo lejohet.

Hapi 8. Prisni konfirmimin nga administrata

Pasi keni paguar atë që ju takon dhe keni dorëzuar dokumentet, administrata reflekton automatikisht fshirjen në llogarinë tuaj. Për çdo tatimpagues nxirret një akt administrativ individual që konfirmon faljen ose përjashtimin. Ky akt mund të ankimohet në gjykatën administrative nëse nuk pajtoheni me të.

Verifikoni nëse përfitoni nga amnistia me mjetin tonë online

Për të kuptuar shpejt nëse përfitoni dhe çfarë hapash duhet të ndërmerrni, kemi krijuar një mjet të thjeshtë vlerësimi. Bazuar në kategorinë tuaj (biznes aktiv, biznes i mbyllur, individ), llojin e detyrimit dhe periudhën, mjeti ju thotë nëse kualifikoheni, cili opsion është më i favorshëm dhe cili është hapi i radhës.

Verifikoni nëse përfitoni →

Pse ka rëndësi

Amnistia fiskale ndodh rrallë. Ligji nr. 86/2025 është ndër hapat më të gjerë të faljes tatimore në vite. Por ligjet pa udhëzime zbatuese mbeten korniza pa procedurë. Udhëzimi nr. 11/2026 e ktheu këtë ligj në diçka konkrete dhe të veprueshme.

Tatimpaguesit me detyrime të periudhës 2015-2019 që zgjedhin opsionin e qershorit, mund të kursejnë rreth gjysmën e borxhit plus të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat. Bizneset e mbyllura me detyrime të vjetra mund t’i mbyllin përfundimisht ato kapituj pa paguar asgjë. Individët me gjoba automatike ose gjoba nga DIVA nuk duhet të bëjnë asgjë, fshirja kryhet automatikisht.

Afati nuk zgjatet. Procedura tani ekziston. Hapi i radhës është i juaji.

Pyetje të shpeshta për amnistinë fiskale 2026

Deri kur mund të përfitohet nga ky ligj?

Ligji zbatohet deri më 31 dhjetor 2026. Pas kësaj date nuk mund të përfitohet nga falja. Afati i parë i përfitimit më të madh, pagesa e 50% të principalit për detyrimet 2015-2019, mbyllet më 30 qershor 2026.

A mund të paguaj vetëm një pjesë të detyrimit dhe të falet pjesa tjetër?

Po, për detyrimet 2015-2019. Nëse paguani 50% të principalit deri më 30 qershor 2026, fshihet 50% e mbetur. Nëse paguani 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026, fshihet 25% e mbetur. Në të dy rastet gjobat dhe kamatëvonesat fshihen 100%.

Cilat detyrime falen automatikisht plotësisht?

Të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen 100%. Përjashtim bën principali i kontributeve shoqërore, që nuk falet asnjëherë, por gjobat dhe kamatëvonesat e tij fshihen automatikisht. Gjithashtu fshihen automatikisht detyrimet e bizneseve të çregjistruara deri më 31 dhjetor 2024.

A duhet të aplikoj për të përfituar nga falja?

Jo, nuk kërkohet aplikim i veçantë. Falja zbatohet automatikisht nga administrata sapo plotësoni kushtet e ligjit (pagesat brenda afateve, dorëzimi i deklaratave të munguara, etj.). Vetëm për heqjen dorë nga ankimi kërkohet kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.

A falen detyrimet që janë në proces gjyqësor ose ankim?

Vetëm nëse hiqni dorë nga padia ose ankimi para datës 30 nëntor 2026. Heqja dorë paraqitet zyrtarisht pranë organit tatimor ose doganor dhe është e pakthyeshme.

A përfshihen kontributet e sigurimeve shoqërore në falje?

Pjesërisht. Principali i kontributeve nuk fshihet asnjëherë, pavarësisht periudhës. Por gjobat dhe kamatëvonesat e tyre fshihen plotësisht, me kusht që kontributi të paguhet i plotë brenda 31 dhjetorit 2026. Për periudhën para 31.12.2014, gjobat dhe kamatëvonesat e kontributeve fshihen pa asnjë kusht.

A falen edhe detyrimet doganore?

Po. Detyrimet doganore trajtohen njësoj si tatimet. Fshirje e plotë për detyrimet deri më 31 dhjetor 2014, falje e pjesshme (Opsioni A 50% ose Opsioni B 75%) për detyrimet e periudhës 2015-2019, dhe falje e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën 2020-2024 me kusht që principali të paguhet i plotë.

Kam deklarata tatimore të padorëzuara. A falen gjobat?

Po, me kusht që deklaratat e munguara të dorëzohen brenda 30 qershorit 2026. Sapo dorëzoni deklaratat, gjobat për mosdeklarim ose dorëzim të vonuar fshihen automatikisht. Përjashtim bën DIVA, e cila falet pa pasur nevojë të dorëzoni deklaratën e munguar.

Çfarë ndodh nëse kam tepricë kreditore (p.sh. në TVSH)?

Tepricë kreditore kompensohet fillimisht me detyrimet e papaguara, dhe vetëm pjesa e mbetur e detyrimit falet. Ky rregull vlen për tatimet por nuk vlen për kontributet e sigurimeve.

Nëse biznesi është mbyllur, a falen detyrimet e tij?

Po. Detyrimet e bizneseve të çregjistruara deri më 31 dhjetor 2024 fshihen automatikisht dhe totalisht, pavarësisht periudhës. Përjashtim bëjnë vetëm kontributet shoqërore dhe shëndetësore.

A përfshihen detyrimet për taksat vendore?

Po. Ligji nr. 86/2025 përfshin edhe detyrimet e papaguara për taksat vendore me të njëjtat kushte dhe afate si tatimet qendrore.

A përfshihen dënimet administrative nga institucione të tjera (p.sh. për pronarët përfitues)?

Jo. Amnistia fiskale zbatohet vetëm për detyrimet ndaj administratës tatimore ose doganore. Gjobat administrative nga institucione të tjera, si për regjistrimin e pronarëve përfitues në QKB, nuk përfshihen.

Si do ta di nëse detyrimet e mia janë fshirë?

Administrata tatimore dërgon njoftim zyrtar përmes e-Filing dhe nxjerr një akt administrativ individual për çdo tatimpagues. Ju mund të verifikoni gjithashtu në llogarinë tuaj tatimore se saldot e detyrimeve janë zeruar.

A ka kufizim për bizneset me procedura penale tatimore?

Po. Tatimpaguesit e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose në proces hetimi për vepra penale tatimore ose doganore nuk përfitojnë nga amnistia. Lista e tyre përgatitet nga organet tatimore dhe përditësohet çdo muaj.

A mund të bëj pagesat me këste për Opsionin B (75%)?

Po, ligji parashikon pagesa me këste mujore të shumave të barabarta deri më 31 dhjetor 2026. Procedura e saktë e pagesave me këste është detajuar në Udhëzimin nr. 11/2026. Nëse zgjidhni këtë rrugë, respektoni rigorozisht planin e kësteve, sepse mospagesa e plotë e 75% brenda afatit ju bën të humbni faljen.

Detyrimet tatimore të prapambetura mund të kthehen në kursim domethënës nëse veproni brenda afateve. AlProfit Consult analizon situatën tuaj, llogarit kursimin për secilin opsion dhe ju udhëzon hap pas hapi sipas periudhës, llojit të detyrimit dhe statusit aktual.

SHIKO ÇMIMET

GDPR