Ligji Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar, i fillon efektet sipas fashave si vijon:
a) për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021.
b) për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.
c) për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.
Detyrimi ligjor për tatimpaguesit, për të lëshuar fatura elektronike mbart detyrimin edhe të pajisjes me një certifikatë elektronike, që mundëson teknikisht nënshkrimin e faturave të lëshuara. Përgjatë diskutimeve të vazhdueshme që administrata tatimore ka patur me grupet e interesit si dhe në vijim të trajtimit të përditshëm të problematikave të hasura në praktikë, lidhur me zbatimin dhe implementimin e plotë të procesit të fiskalizimit, ka patur pretendime për kosto të shtuara, referuar konkretisht parashikimeve të VKM Nr. 35, datë 22.1.2002, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.
Në këto kushte sqarohen të gjithë grupet e interesit dhe subjektet e interesuara se, parashikimet e VKM-së së sipërcituar janë të lidhura me tarifat e shërbimeve që AKSHI ofron për tërësinë e shërbimeve te ofruara kundrejt subjekteve të interesuar dhe nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me procesin e fiskalizimit.
E vetmja tarifë që ndikon në procesin e fiskalizimit, është tarifa prej 4.000 lekësh në vit, e parashikuar nga germa c) e pikës 3, e Vendimit të sipërcituar, e cila paguhet për pajisjen e tatimpaguesit me certifikatë elektronike për sistemin fiskal, e cila jo detyrimisht është e lidhur vetëm me nënshkrimin e faturave si dhe është tarifë unike për subjektin tatimpagues pavarësisht sa punonjës të tij do ta përdorin apo pavarësisht se sa pika/adresa sekondare ka tatimpaguesi.
Me qëllim sqarimin e çdo paqartësie të subjekteve tatimpagues për sa më sipër, si dhe shmangien e abuzimeve apo keqinterpretimeve, DPT dhe AKSHI e vlerësojnë të nevojshme daljen me një sqarim të përbashkët lidhur me këtë shqetësim.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe gjejmë gjithmonë kohë për t’ju përgjigjur çdo pyetje tuaj. Ndihuni të lirshëm të telefononi ose të shkruani në çdo moment për çështje që ne mund t’ju ndihmojmë. KONTAKTO ME NE