DPT, inkurajon tatimpaguesit për të deklaruar pagat reale të punonjësve të tyre.
Drejtoria e Riskut, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ka filluar të marrë në analizë nivelin e deklarimit të pagave të punonjësve për profesione të ndryshme, duke i krahasuar me pagat reale të tregut të punës.
Nga këto analiza, është konstatuar se disa punëdhënës deklarojnë paga, për profesione të caktuara, që janë ndjeshëm nën nivelin mesatar të tregut apo janë afër pragut të pagës minimale të përcaktuar për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për këtë arsye, DPT, inkurajon tatimpaguesit që të përmbushin në mënyrë korrekte detyrimet, si dhe të reflektojnë në deklarimin real të pagave të punonjësve të tyre.
Administrata Tatimore do të vazhdojë të monitorojë këtë fenomen dhe për çdo parregullsi apo mosveprim korrigjues, do të vijojë me marrjen e masave që parashikon legjislacioni në fuqi.