30 Prilli është afati i fundit për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2023.
Edhe këtë vit, deklarimi i DIVA do të bëhet njëjtë me vitet e mëparshme. Të njëjtat kategori, të njëjtat detyrime, pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat”, efektet e të cilit për këtë deklaratë do të ndihen në vitin 2025, kur individët do të deklarojnë DIVA për vitin fiskal 2024.
Administrata Tatimore rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2023 kanë pagë bruto vjetore mbi 2,000,000 lekë apo ata, të cilët janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit, të plotësojnë “Deklaratën individuale vjetore të të ardhurave”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.
Theksojmë se nuk janë deklarues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) kategoria “i vetëpunësuar” (me të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarit) dhe i punësuar në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “i vetëpunësuar” ka detyrim vetëm pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “Paga bruto”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Deklarata DIVA 2023, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Lexo më shumë mbi mënyrën e plotësimit të deklaratës individuale këtu
[Video] Udhëzim për mënyrën e plotësimit të “Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave” DIVA.
Deklarimi i të ardhurave, përveçse është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.
Bashkëlidhur, manuali “Si të regjistrohemi për DIVA”, nëpërmjet modulit e-filing. https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=10226
Burimi: efilling.tatime.gov