LIGJ
Nr. 76/2023
PËR FONDET E PENSIONIT PRIVAT[1]
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi dhe objekti i ligjit
1. Ky ligj ka për qëllim hartimin e një kuadri ligjor rregullator për krijimin, licencimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e fondeve të pensionit privat në Republikën e Shqipërisë.
2. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave dhe procedurave për:
a) licencimin dhe veprimtarinë e shoqërisë administruese të fondeve të pensionit privat në Republikën e Shqipërisë.
b) krijimin dhe veprimtarinë e fondeve të pensionit privat me pjesëmarrje të hapur dhe fondeve të pensionit privat me pjesëmarrje të mbyllur, me kontribute të përcaktuara në Republikën e Shqipërisë.
c) licencimin dhe veprimtarinë e depozitarit të fondit të pensionit privat.
ç) mbikëqyrjen e shoqërisë administruese, fondeve të pensionit privat, depozitarit të fondit të pensionit privat dhe të subjekteve të tjera sipas këtij ligji.
d) veprimtarinë ndërkufitare të shoqërive administruese që ofrojnë fonde të pensionit privat me pjesëmarrje të mbyllur.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllime të këtij ligji termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Autoriteti” është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i krijuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
2. “Administrator” është personi fizik me përgjegjësi drejtuese dhe administruese në shoqërinë administruese.
3. “Anëtar” është individi, i cili i bashkohet fondit të pensionit në bazë të një kontrate anëtarësimi me shoqërinë administruese, në emër dhe në përfitim të të cilit është hapur një llogari pensioni në fondin e pensionit dhe që ka të drejtën e përfitimit në të ardhmen nga fondi i pensionit.
4. “Anëtar i mundshëm” është individi, i cili ka të drejtë për t’u përfshirë në një fond pensioni.
5. “Aktive” janë tituj, para dhe pasuri të tjera, të cilat janë në pronësi të anëtarit të fondit të pensionit, të shoqërisë administruese apo të depozitarit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
6. “Auditues i jashtëm” është personi juridik në cilësinë e një shoqërie auditimi, me qëllim auditimin e pavarur të pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe/ose të konsoliduara dhe ka të njëjtin kuptim sipas përkufizimit në legjislacionin në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
7. “Autoritet rregullator i vendit anëtar” është autoriteti rregullator i një shteti tjetër, i cili, sipas ligjit ose aktit nënligjor në fuqi, mbikëqyr shoqëritë administruese të fondeve të pensionit, fondet e pensionit dhe depozitarët e themeluar jashtë Republikës së Shqipërisë.
8. “Agjent i fondit të pensionit” është personi juridik, i krijuar si institucion financiar dhe i regjistruar nga Autoriteti për të promovuar fondin e pensionit dhe për të ofruar kontrata anëtarësimi në fondin e pensionit në emër të shoqërisë administruese.
9. “Depozitari” është banka e licencuar nga Autoriteti të kryejë si veprimtari ruajtjen e aktiveve të fondit të pensionit privat, dhe detyrat dhe funksionet e përcaktuara në këtë ligj.
10. “Fondi i pensionit privat” është një grup i veçuar aktivesh pa personalitet juridik, i miratuar nga Autoriteti dhe i administruar nga shoqëria administruese, për llogari të anëtarëve të fondit në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Fondi i pensionit privat mund të jetë me pjesëmarrje të hapur ose me pjesëmarrje të mbyllur.
11. “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” është fondi i pensionit i krijuar nga shoqëria administruese, anëtar i të cilit mund të jetë çdo individ, përfshirë punëmarrësit e punëdhënësit, i cili zgjedh të kontribuojë në fondin e ofruar nga shoqëria administruese, pa krijuar një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur.
12. “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur” është fondi i pensionit profesional i krijuar nga një punëdhënës, disa punëdhënës ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë apo bashkime sindikatash, shoqatë apo çdo kombinim i tyre sipas një akt krijimi ose marrëveshjeje të rënë dakord midis tyre. Pjesëmarrja në këtë fond është e kufizuar vetëm për punëmarrësit/anëtarët e subjekteve të përmendura në këtë pikë.
13. “Huadhënia e titujve” në lidhje me fondin e pensionit privat nënkupton dhënien hua të instrumenteve financiare nga njëra palë te një palë tjetër sipas një norme të përcaktuar interesi dhe sipas një afati kohor të përcaktuar.
14. “Instrumente financiare” janë instrumentet financiare të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për tregjet e kapitalit.
15. “Instrument i tregut të parasë” është ai titull borxhi, i cili i jep pronarit të drejtën e pakushtëzuar për të marrë një shumë të përcaktuar fikse parash në një datë të përcaktuar dhe që emetohet me vlerë të skontuar në varësi të normës së interesit dhe kohës së mbetur deri në afatin e shlyerjes. Këtu përfshihen edhe bonot e thesarit, dëftesat tregtare dhe financiare, dëftesat e garantuara nga bankat dhe certifikatat e negociueshme të depozitës me afat fillestar shlyerjeje, jo më shumë se një vit, si edhe letra afatshkurtra të emetuara nga një njësi e organizuar për emetimin e letrave afatshkurtra.
16. “Këshill i administrimit/mbikëqyrës” është organ i shoqërisë administruese me përgjegjësi kryesore për administrimin dhe mbikëqyrjen, sipas legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare.
17. “Komision transferimi” është komisioni që anëtari i paguan shoqërisë administruese në momentin e transferimit të aktiveve nga një fond pensioni privat i një shoqërie administruese te një shoqëri tjetër administruese.
18. “Komisioni vjetor i administrimit” është tarifa periodike që i paguhet shoqërisë administruese të fondit të pensionit privat, e përllogaritur në bazë të një përqindjeje vjetore sipas vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit.
19. “Kthim nga investimi” është rezultati që merret nga investimi i aktiveve dhe fitimi i kapitalit.
20. “Kuotë pensioni” është pjesa përpjesëtimore e pronësisë në grupin e aktiveve të fondit të pensionit. Të gjitha kuotat përfaqësojnë fraksione të barabarta pronësie të aktiveve të fondit të pensionit dhe vlera totale e të gjitha kuotave të fondit të pensionit në çdo kohë është e barabartë me vlerën totale neto të aktiveve të këtij fondi pensioni.
21. “Palë e lidhur” është individi ose personi juridik që ka lidhje me shoqërinë administruese për shkak se është:
a) pjesëtar i këshillit të administrimit/mbikëqyrës ose i punësuari nga shoqëria administruese;
b) pjesëtar i auditit të brendshëm të shoqërisë;
c) bashkëshorti/bashkëshortja, birësuesi dhe i birësuari ose një i afërm deri në gradë të dytë i një anëtari të këshillit të administrimit/mbikëqyrës ose auditit të brendshëm, i aksionarit apo punonjës i shoqërisë ose administratori i shoqërisë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
ç) anëtari i këshillit të administrimit/mbikëqyrjes të çdo shoqërie tregtare, në të cilën shoqëria administruese ka një interes prej më shumë se 20%;
d) individi ose personi juridik që ka të drejtë të marrë vendime ose që ndikon në vendimet e shoqërisë në bazë të një kontrate apo mbi çdo bazë tjetër.
22. “Pagesat e pensionit” janë pagesat në para, në formë pensioni, të kuotave që gjenden në llogarinë e anëtarit të fondit të pensionit, të vlerësuara me çmimin e kuotës të ditës së depozitimit të kërkesës së anëtarit për tërheqje.
23. “Përfitues” është individi, i cili merr përfitime pensioni sipas dispozitave ligjore në fuqi.
24. “Periudhë e përfitimit të kontributeve” (vesting period) konsiderohet periudha përpara se punëmarrësit t’i njihet e drejta e përfitimit të kontributeve të paguara nga punëdhënësi.
25. “Persona kyç” janë individët të cilët, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi, përfaqësojnë shoqërinë administruese dhe ushtrojnë funksione drejtuese, përfshirë administratorin dhe anëtarët e këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë dhe në rastin e depozitarit drejtuesi i shërbimeve të depozitarit.
26. “Personel kyç” janë individët në poste të larta, të cilët janë përgjegjës për funksionet kyçe të shoqërisë administruese, ku përfshihen: drejtuesi i njësisë së administrimit të aktiveve/investimeve, drejtuesi i njësisë së administrimit të rrezikut, drejtuesi i njësisë së përputhshmërisë, drejtuesi i njësisë së parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, drejtuesi i njësisë së auditimit të brendshëm dhe, në rastin e depozitarit, drejtuesi i auditimit të brendshëm, drejtuesi i administrimit të riskut dhe drejtuesi i përputhshmërisë.
27. “Pjesëmarrja influencuese” nënkupton zotërimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë i 10% apo më shumë i kapitalit ose të drejtave të votës apo zotërimi i pjesëmarrjes, e cila mundëson ushtrimin e influencës së konsiderueshme lidhur me administrimin e një shoqërie administruese të fondeve.
28. “Platforma e Organizuar e Tregtimit (POT)” është sistemi shumëpalësh, që nuk është treg i rregulluar apo platformë shumëpalëshe tregtimi, në të cilin lejohet ndërveprimi i interesave të shumëfishta të shitblerjes së palëve të treta sipas legjislacionit në fuqi për tregjet e kapitalit.
29. “Platformë Shumëpalëshe Tregtimi (PSHT)” është sistemi shumëpalësh i operuar nga një shoqëri komisionere ose një operator tregu sipas legjislacionit në fuqi për tregjet e kapitalit.
30. “Shoqëri administruese e fondit të pensionit privat”, (në vijim “shoqëri administruese”), është një shoqëri aksionare, e krijuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe e licencuar nga Autoriteti për të administruar një ose disa fonde të pensionit privat.
31. “Sponsor” konsiderohet individi ose personi juridik, i cili në cilësinë e punëdhënësit ose personit të vetëpunësuar, përfshirë sindikatat, shoqatat e profesioneve të pavarura, subjekte të tjera apo çdo kombinim i tyre, krijon fondin e pensionit me pjesëmarrje të mbyllur dhe paguan kontribute në fond në emër të punëmarrësit, anëtar i fondit.
32. “Tituj të transferueshëm” janë titujt sipas kuptimit të ligjit “Për tregjet e kapitalit”.
33. “Transferim i aktiveve” është transferimi i aktiveve nga një fond pensioni te një fond tjetër pensioni.
34. “Treg i rregulluar” është sistemi shumëpalësh i operuar dhe/ose administruar nga një operator tregu, i cili bashkon ose ndihmon në bashkimin e interesave të shumëfishta të shitblerjes së instrumenteve financiare të palëve të treta, sipas legjislacionit në fuqi për tregjet e kapitalit.
35. “Vend anëtar” është vendi që është shtet anëtar i Bashkimit Europian.
36. “Veprimtari ndërkufitare” konsiderohet administrimi i një fondi pensioni me pjesëmarrje të mbyllur nga një shoqëri administruese e vendosur në një vend anëtar për llogari të një sponsori me vendndodhje në Republikën e Shqipërisë, ose administrimi i një fondi pensioni me pjesëmarrje të mbyllur nga një shoqëri me vendndodhje në Republikën e Shqipërisë, për llogari të një sponsori me vendndodhje në një vend anëtar.
37. “Vlera neto e aktiveve për kuotë” është vlera neto e aktiveve të fondit të pensionit e pjesëtuar me numrin e kuotave në çastin e llogaritjes së vlerës neto të aktiveve.
38. “Vlera neto e aktiveve” është vlera e agreguar e aktiveve të fondit të pensionit pas zbritjes së shumës totale të detyrimeve në momentin e llogaritjes.
KREU II
SHOQËRIA ADMINISTRUESE
SEKSIONI I
THEMELIMI I SHOQËRISË ADMINISTRUESE TË FONDEVE TË PENSIONIT PRIVAT
Neni 3
Kryerja e veprimtarisë së administrimit të fondit të pensionit privat
1. Administrimi i fondeve të pensionit privat në Republikën e Shqipërisë mund të kryhet nga:
a) një shoqëri administruese e licencuar sipas kërkesave të këtij ligji;
b) një shoqëri administruese nga një vend tjetër anëtar, e cila, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, njihet nga Autoriteti të kryejë veprimtarinë e administrimit të fondeve të pensionit privat me pjesëmarrje të mbyllur në Republikën e Shqipërisë.
2. Një shoqëri administruese e sipërmarrjeve të investimeve kolektive kryen edhe veprimtarinë e administrimit të fondeve të pensionit privat sipas kushteve dhe kërkesave të këtij ligji, me kusht që këto veprimtari të kryhen të veçuara nga njëra -tjetra.
Neni 4
Parimet e përgjithshme të funksionimit të shoqërisë administruese
1. Shoqëria administruese mbledh dhe investon aktivet e fondeve të pensionit privat në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe në përputhje me parimin e shpërndarjes së rrezikut, për ofrimin e përfitimeve të pensionit për personat që anëtarësohen në fondin e pensionit privat.
2. Shoqëria administruese, gjatë pranimit të anëtarëve të rinj dhe administrimit të aktiveve të fondit të pensionit privat, vepron në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe profesionale në përputhje me interesin më të mirë të anëtarit ose të anëtarëve të mundshëm. Shoqëria administruese siguron se çdo këshillë për investim vlerësohet e përshtatshme përpara se t’i jepet anëtarit ose anëtarëve të mundshëm.
3. Shoqëria administruese ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për arritjen e rezultateve më të mira të mundshme në administrimin e aktiveve të fondit të pensionit, përfshirë, të paktën, çmimin e realizimit, koston, shpejtësinë, probabilitetin e realizimit dhe probabilitetin e shlyerjes, si dhe çdo faktor tjetër të vlerësuar të nevojshëm për administrimin e aktiveve të fondit të pensionit.
Neni 5
Struktura ligjore
Shoqëria administruese themelohet si shoqëri aksionare, me afat të pacaktuar, me seli në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kërkesave të këtij ligji.
Neni 6
Përdorimi i emrit “Shoqëri administruese e fondit të pensionit privat”
1. Emri i shoqërisë administruese duhet të përfshijë fjalët “Shoqëri administruese e fondit të pensionit privat”. Nëse shoqëria nuk licencohet si shoqëri administruese, ajo duhet që brenda 1 (një) muaji të ndryshojë emërtimin “Shoqëri administruese e fondit të pensionit privat”.
2. Emri i shoqërisë administruese nuk duhet të përmbajë fjalë të cilat mund të keqorientojnë anëtarët aktualë ose të ardhshëm apo cilindo tjetër dhe emri nuk duhet të bëjë referenca të drejtpërdrejta ose të tërthorta, që tregojnë se investimet janë të garantuara.
3. Emërtimi “Shoqëri administruese e fondeve të pensionit privat” ose çdo emërtim i ngjashëm me këtë përdoret në Republikën e Shqipërisë vetëm nga subjekte që kanë licencën përkatëse të lëshuar nga Autoriteti në zbatim të këtij ligji ose subjekte që kanë licencë të lëshuar nga një autoritet i vendit anëtar në zbatim të një ligji të barasvlershëm dhe janë njohur nga Autoriteti.
Neni 7
Regjistri i Autoritetit
1. Autoriteti mban regjistrin e shoqërive administruese, fondeve të pensionit privat, depozitarit dhe çdo subjekti të licencuar/regjistruar/njohur, sipas këtij ligji. Regjistri publikohet në faqen zyrtare të Autoritetit dhe vihet në dispozicion të publikut.
2. Regjistri i Autoritetit përmban:
a) informacion të përditësuar për emrin e fondit të pensionit, llojin e fondit të pensionit, numrin dhe datën e vendimit të miratimit të fondit të pensionit, si dhe të dhëna për sponsorin që kontribuon në fondin e pensionit me pjesëmarrje të mbyllur;
b) informacion të përditësuar për emrin e shoqërisë administruese, që administron fond/fonde pensioni në Republikën e Shqipërisë, llojin e fondit të pensionit, numrin dhe datën e vendimit të licencimit të shoqërisë administruese, strukturën aksionare dhe personelin kyç të saj, të dhëna për depozitarin;
c) informacion për shoqëritë administruese, që kryejnë veprimtari ndërkufitare sipas kushteve dhe kërkesave të këtij ligji, duke përcaktuar shtetin anëtar ku kryhet veprimtaria.
3. Çdo ndryshim i të dhënave, të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, pasqyrohet në regjistrin e Autoritetit.
4. Autoriteti nxjerr rregullore për përmbajtjen dhe mënyrën e mbajtjes së regjistrit.
SEKSIONI II
VEPRIMTARIA E SHOQËRISË ADMINISTRUESE
Neni 8
Veprimtaria e shoqërisë administruese
1. Objekti kryesor i veprimtarisë së shoqërisë administruese është:
a) krijimi i fondit të pensionit privat;
b) administrimi i aktiveve të fondit të pensionit privat;
c) veprimtari të tjera administrative.
2. Në veprimtari të tjera administrative, të parashikuara në pikën 1, shkronja “c”, të këtij neni, përfshihen si më poshtë:
a) ofrimi dhe promovimi i fondit të pensionit privat te personat e interesuar dhe tek anëtarët e fondit;
b) monitorimi i pajtueshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë dhe fondit të pensionit privat me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi;
c) trajtimi i kërkesave për informacion dhe ankesave të anëtarëve të fondit të pensionit privat ose të palëve të treta;
ç) mbajtja e regjistrave të fondeve të pensionit privat, si dhe përditësimi i tyre;
d) krijimi dhe mbajtja e të dhënave kontabël të plota, të përditësuara të fondeve të pensionit dhe kontabilizimi i aktiveve, të ardhurave dhe shpenzimeve të fondit, në mënyrë që të identifikohen menjëherë në çdo moment;
dh) kryerja e transferimit të aktiveve të anëtarëve të fondit sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj;
e) informimi i anëtarëve për mbarëvajtjen e fondit, si dhe depozitimi në Autoritet i të gjitha raporteve lidhur me veprimtarinë e fondeve të pensionit dhe shoqërisë administruese;
ë) llogaritja dhe kryerja e pagesave të pensionit tek anëtarët e fondit me plotësimin e kushteve të përcaktuara në këtë ligj;
f) sigurimi i një strukture qeverisjeje, menaxhim risku dhe audit të brendshëm të përshtatshëm;
g) çdo funksion tjetër të përcaktuar nga Autoriteti në bazë të këtij ligji, ose rregulloreve të miratuara në zbatim të këtij ligji.
Neni 9
Kapitali aksionar
1. Aksionet e shoqërisë administruese të fondeve të pensionit duhet të jenë aksione të regjistruara, ku një aksion ka të drejtën e një vote.
2. Kapitali minimal aksionar i shoqërisë administruese është 15 800 000 lekë.
3. Kapitali aksionar i shoqërisë administruese duhet të shlyhet plotësisht vetëm me mjete monetare dhe nuk mund të burojë nga hua, kredi ose paradhënie nga subjekte apo palë të treta.
4. Shoqëria administruese nuk mund të emetojë aksione preferenciale.
5. Aksionet e shoqërisë administruese nuk mund të listohen në një treg të rregulluar, Platformën Shumëpalëshe të Tregtimit (PSHT) ose treg tjetër të organizuar.
6. Kapitali aksionar i shoqërisë administruese të fondit të pensionit nuk mund të rritet me ofertë publike.
Neni 10
Kërkesat për mjaftueshmërinë e kapitalit të shoqërisë administruese
1. Shoqëria administruese në çdo kohë duhet të ketë një kapital të mjaftueshëm për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj financiare të parashikuara, i cili në çdo rast nuk duhet të jetë më pak se 15 800 000 lekë.
2. Shoqëria administruese e fondeve duhet të zotërojë në çdo moment fonde të veta, të cilat janë:
a) jo më pak se 15 800 000 lekë dhe, në rast se totali i aktiveve nën administrim tejkalon shumën 31 600 000 000 lekë, fondet e veta rriten me 0,02% të totalit të aktiveve nën administrim, që tejkalon kufirin prej 31 600 000 000 lekësh, deri në maksimumi 1 300 000 000 lekë;
b) jo më pak se 1/4 e shpenzimeve fikse të shoqërisë administruese, të llogaritura, bazuar në pasqyrat financiare të vitit paraardhës;
c) në kuptim të shkronjës “a” të kësaj pike, në përllogaritjen e vlerës totale të aktiveve, që tejkalojnë kufirin e përcaktuar, përjashtohen portofolat e sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe portofolat e fondeve të pensionit, që shoqëria i administron në formë të deleguar.
3. Shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat mund të ketë fonde të vetat, të tjera shtesë ose sigurim të përgjegjësisë profesionale për të mbuluar rreziqet e mundshme të përgjegjësisë, që lindin nga pakujdesia profesionale.
4. Fondet e veta investohen vetëm në aktive që përmbushin kërkesat e përcaktuara në rregulloret e miratuara nga Autoriteti.
5. Shoqëria administruese nuk jep drejtpërdrejt ose tërthorazi kredi apo lëshon dorëzani për blerjen e aksioneve të saj ose për blerjen e aksioneve të personave me të cilët ka lidhje pronësie apo është subjekt i lidhur.
6. Shumat e kapitalit të parashikuara në këtë ligj mund të rriten nga Autoriteti herë pas here, por jo më shpesh se një herë në vit, në përputhje me normën zyrtare të inflacionit.
7. Shoqëria administruese njofton menjëherë Autoritetin nëse kapitali i saj bie nën nivelin e kërkuar, të përcaktuar në këtë nen.
8. Autoriteti përcakton me rregullore kërkesat për mjaftueshmërinë e kapitalit të shoqërisë administruese, si dhe formën, llogaritjen dhe shumën e fondeve të veta, që duhet të ketë vetë shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat.
SEKSIONI III
LICENCIMI I SHOQËRISË ADMINISTRUESE
Neni 11
Kërkesat për licencimin e shoqërisë administruese
1. Shoqëria administruese nuk duhet të fillojë promovimin e fondit të pensionit privat, të lidhë kontratën e fondit të pensionit apo të pranojë anëtarë në fondin e pensionit para se të licencohet nga Autoriteti.
2. Kërkesa për dhënien e licencës për të vepruar si shoqëri administruese shoqërohet me:
a) dokumentet që vërtetojnë se aplikanti është një shoqëri aksionare e regjistruar sipas ligjit në fuqi, statutin e shoqërisë, si dhe dokumentin që vërteton se kapitali i regjistruar i shoqërisë është paguar plotësisht;
b) dokumentet që vërtetojnë se shoqëria plotëson kërkesat e këtij ligji për kapitalin themeltar, përfshirë burimin e kapitalit, pasqyrat financiare përkatëse, që vërtetojnë burimin e kapitalit të shoqërisë, si dhe një deklaratë të nënshkruar nga këshilli i administrimit/mbikëqyrës i shoqërisë se pasqyrat financiare pasqyrojnë realisht gjendjen e shoqërisë;
c) për të vërtetuar burimin e kapitalit minimal fillestar dhe shtesën e kapitalit, në Autoritet depozitohet informacioni dhe dokumentacioni i mëposhtëm:
I. Për personat juridikë:
i. dëshmi për burimin e krijimit të kapitalit themeltar, si: raporti i audituesit të licencuar, pasqyrat financiare vjetore, dhurata apo burime të tjera të destinuara për t’u përdorur në blerjen e aksioneve të shoqërisë administruese të fondeve të pensionit;
ii. vërtetim i lëshuar nga autoritetet kompetente, i cili jep të dhëna për bilancin e shoqërisë dhe për përmbushjen e detyrimeve tatimore;
iii. raporti i kredimarrësit nga regjistri i kredive ose vërtetim për gjendjen e kredive në sistemin bankar.
II. Për individët:
i. dëshmi të burimeve të krijimit të kapitalit, si: blerje ose shitje, dhurata;
ii. paga, depozita monetare në banka dhe/ose degë të bankave të huaja apo dëshmi të tjera për burimin e krijimit të kapitalit;
iii. vërtetime që dëshmojnë shlyerjen e detyrimeve tatimore;
iv. vërtetim për gjendjen e kredive në sistemin bankar.
ç) dokument për strukturën aksionare, përfshirë të dhëna për pjesëmarrjet influencuese, nëse ka, dhe vlerën e këtyre pjesëmarrjeve;
d) dokumentet që vërtetojnë se aksionarët e shoqërisë, administratori, personat kyç dhe personeli kyç janë individualisht dhe bashkërisht të përshtatshëm e të aftë për të drejtuar këtë veprimtari sipas përcaktimeve të nenit 15 të këtij ligji.
dh) deklaratën e përgjegjësisë, ku të përshkruhen përgjegjësitë e personave kyç, si dhe përshkrimin e funksioneve dhe përgjegjësive kryesore nëse një person kyç do të ushtrojë më shumë se një funksion;
e) planin e biznesit të shoqërisë administruese për një periudhë kohore jo më të vogël se pesë vjet, ku përshkruhen veprimtaria që synon të zhvillojë aplikanti, mënyra se si do të plotësohen kërkesat për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe se si do të zhvillohet biznesi i parashikuar. Planbiznesi duhet të përmbajë të dhëna të hollësishme për:
i. informacionin për produktet ose shërbimet, që do të ofrohen nga aplikanti;
ii. planin e marketingut/promovimit të shoqërisë administruese;
iii. planin financiar, përfshirë përshkrimin se si do të mbulohet kostoja e nisjes së biznesit dhe si do të plotësohen kërkesat e mjaftueshmërisë së kapitalit;
iv. analizën e rrezikut, përfshirë përshkrimin se si aplikanti do t’i trajtojë rreziqet përkatëse, në veçanti rrezikun operacional, rrezikun e agjencisë, rrezikun e kredisë, rrezikun e tregut, rrezikun e përputhshmërisë dhe rrezikun e reputacionit;
ë) deklaratë konflikti interesi të personave kyç dhe personelit kyç, si dhe mënyrat e identifikimit të rasteve të konfliktit të interesit dhe mënyrat si mund të eliminohen ose mbahen në kontroll dhe bëhen të ditura raste të tilla;
f) politikat për kryerjen e transaksioneve me palët e lidhura;
g) informacion për procedurat e raportimit dhe informimit, si: për qëllime të organeve drejtuese të brendshme, anëtarëve të fondit dhe për Autoritetin;
gj) informacion të hollësishëm për procesin e administrimit të rrezikut dhe likuiditetin në bazë të këtij ligji;
h) projektprospektin e fondit/fondeve të pensionit, që do të administrohen sipas kërkesave të këtij ligji;
i) projektkontratën për administrimin e fondit midis shoqërisë administruese dhe sponsorit në rastin e fondit me pjesëmarrje të mbyllur;
j) projektkontratat për fondin e pensionit me pjesëmarrje të hapur;
k) informacion për llojin e fondit që do të administrojë shoqëria, mënyrën e promovimit të fondit dhe tarifat e aplikueshme;
l) një paraqitje me shkrim të organizimit të brendshëm të shoqërisë dhe të funksioneve kryesore, në mënyrë të veçantë një përshkrim të:
i. procedurave të kontrollit të brendshëm;
ii. procedurave të administrimit të rrezikut;
iii. sistemeve të teknologjisë së informacionit.
ll) një përshkrim për çdo funksion që delegohet, ku të përcaktohet mënyra e kontrollit, si dhe detyrimi i të deleguarit për t’i dhënë Autoritetit informacion dhe akses sa herë t’i kërkohet;
m) kontratën e lidhur ndërmjet shoqërisë administruese dhe një depozitari të licencuar, ku të përcaktohen detyrimet dhe të drejtat e palëve, sipas dispozitave të këtij ligji, e cila hyn në fuqi pas miratimit të licencës së shoqërisë administruese;
n) një përshkrim të procedurave të shoqërisë për trajtimin e ankesave në përputhje me kërkesat e nenit 31 të këtij ligji;
nj) përcaktimin e procedurave për përputhshmërinë me legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
3. Autoriteti mund t’i kërkojë shoqërisë administruese informacione e dokumente shtesë ose të kërkojë verifikimin e informacionit nëse një gjë e tillë vlerësohet e nevojshme.
4. Autoriteti miraton rregulla shtesë lidhur me kërkesat për licencim si shoqëri administruese të fondeve të pensionit privat dhe procedurat e shqyrtimit dhe miratimit të kësaj kërkese.
Neni 12
Dhënia e licencës si shoqëri administruese
1. Autoriteti vlerëson nëse kërkesa për licencim është e plotë ose jo dhe informon për këtë subjektin kërkues.
2. Kërkesa për licencë mund të tërhiqet me njoftim me shkrim në çdo moment përpara se Autoriteti të marrë vendim për këtë kërkesë.
3. Licenca miratohet ose refuzohet nga Autoriteti brenda tre muajve nga data e marrjes së kërkesës së plotë.
4. Autoriteti mund të kufizojë objektin e licencës së dhënë një shoqërie administruese në lidhje me llojin dhe natyrën e fondeve të pensionit nën administrim, në veçanti lidhur me strategjitë e investimit të fondit.
5. Autoriteti arsyeton me shkrim vendimin për refuzimin ose kufizimin e licencës. Subjekti kërkues mund të ankimojë vendimin e Autoritetit pranë gjykatës administrative në përputhje me afatet, kushtet dhe përcaktimet e legjislacionit në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
6. Shoqëria administruese mund të riaplikojë për licencë kur i është refuzuar nga Autoriteti, ose të kërkojë zgjerim të objektit të licencës kur i është lëshuar një licencë me objekt veprimtarie të kufizuar të shoqërisë.
Neni 13
Refuzimi i licencës
Autoriteti refuzon kërkesën për licencim të shoqërisë administruese:
a) nëse subjekti kërkues nuk përmbush ndonjë nga kërkesat e neneve 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 të këtij ligji, dhe në veçanti nëse Autoriteti nuk bindet për përshtatshmërinë e aksionarëve, të personave kyç ose të personelit kyç, duke mbajtur parasysh administrimin e kujdesshëm të shoqërisë;
b) nëse vlerëson se shoqëria nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kërkesat e këtij ligji;
c) kur ushtrimi efektiv i funksioneve mbikëqyrëse të Autoritetit pengohet nga:
i. lidhjet e pronësisë ndërmjet subjektit kërkues dhe personave të tjerë, juridikë ose fizikë;
ii. aktet ligjore, nënligjore ose administrative të një vendi ose territori tjetër, që rregullojnë aktivitetin e individëve ose personave juridikë me të cilët subjekti kërkues ka lidhje të ngushta;
iii. vështirësitë e lidhura me zbatimin e detyrueshëm të akteve ligjore, nënligjore dhe administrative.
Neni 14
Vlefshmëria e licencës
1. Licenca e dhënë nga Autoriteti në përputhje me dispozitat e këtij ligji është pa afat.
2. Licenca është e vlefshme deri sa hiqet nga Autoriteti, nëse shoqëria administruese është në shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij ose:
a) shoqëria administruese kërkon të ndërpresë vullnetarisht veprimtarinë tregtare;
b) ndaj shoqërisë kanë filluar procedurat e likuidimit ose të falimentit;
c) shoqëria nuk ka filluar aktivitetin brenda 12 muajve nga data e publikimit të vendimit për dhënien e licencës.
Neni 15
Kërkesa për përshtatshmëri dhe aftësi
1. Çdo person, i cili është ose do të jetë aksionar, administrator, anëtar i këshillit të administrimit/mbikëqyrës, person kyç ose personel kyç në një shoqëri administruese, duhet të jetë i aftë dhe i përshtatshëm për të mbajtur pozicionin e caktuar.
2. Për të përcaktuar nëse një person është i aftë dhe i përshtatshëm, Autoriteti bën një vlerësim të veprimtarisë tregtare ose financiare dhe sjelljes së personit në të shkuarën, ku ndër të tjera vlerëson:
a) integritetin;
Në vlerësimin e integritetit, Autoriteti merr parasysh nëse ka prova që dëshmojnë se personi:
i. nuk është në proces hetimor, gjyqësor, shpallur fajtor me vendim të formës së prerë për vepra penale kundër pasurisë ose krim ekonomik apo vepra të tjera penale lidhur me shoqëritë tregtare, për organizimin dhe vënien në funksionim të skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
ii. nuk ka vepruar në kundërshtim me ndonjë nga kërkesat dhe standardet ligjore shqiptare ose me standardet apo kërkesat e ngjashme të autoriteteve të tjera rregullatore;
iii. nuk është përjashtuar ose pezulluar nga një organ rregullator.
b) aftësitë profesionale;
Në vlerësimin e aftësive profesionale, Autoriteti merr parasysh nëse personi:
i. përmbush kërkesat përkatëse të gjykimit të shëndoshë, përgatitjes dhe të aftësive profesionale, të përcaktuara nga Autoriteti për detyrën që kryen ose ka për qëllim të kryejë;
ii. ka dëshmuar nëpërmjet përvojës dhe përgatitjes profesionale se është i përshtatshëm ose do të jetë i përshtatshëm, nëse miratohet, për të kryer funksionin.
c) aftësitë financiare;
Në vlerësimin e aftësive financiare, Autoriteti merr parasysh nëse personi:
i. është përfshirë, ka bashkëpunuar ose është i lidhur me humbje financiare, të shkaktuara nga veprimet e pandershme, të papërgjegjshme apo neglizhente në lidhje me kryerjen e shërbimeve financiare dhe administrimin e shoqërive të tjera; ose
ii. ka zotëruar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të paktën 50% të të drejtave të votës apo të kapitalit të një shoqërie tregtare ose ka qenë administrator i një shoqërie tregtare, e cila është bërë objekt i procedurave të falimentimit ose likuidimit të detyrueshëm;
iii. është ose ka qenë i përfshirë në evazion fiskal, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit ose në ndonjë praktikë tregtare, që Autoriteti e konsideron të papërshtatshme, e cila hedh dyshime për mënyrën e kryerjes së shërbimeve financiare apo të veprimtarive të tjera tregtare nga ky person.
3. Administratori dhe një nga anëtarët e këshillit të administrimit/mbikëqyrës duhet të kenë kualifikim/kualifikime ndërkombëtare ose vendase në analizën e investimeve, administrimin e investimeve ose administrimin e fondeve, të cilat gjykohen nga Autoriteti si të përshtatshme për administrimin e fondeve të pensionit.
4. Aksionari, administratori, anëtarët e këshillit të administrimit/mbikëqyrës dhe personeli kyç i një shoqërie administruese nuk mund të jetë aksionar, administrator, anëtar i këshillit të administrimit/mbikëqyrës dhe personel kyç i depozitarit, që mban aktivet e fondit të pensionit të shoqërisë administruese apo të një palë të lidhur me depozitarin.
5. Kërkesat për përshtatshmëri dhe aftësi duhet të përmbushen nga personat e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni gjatë gjithë kohës që janë në pozicionin përkatës. Autoriteti ka të drejtë t’i kërkojë shoqërisë administruese të vërtetojë përshtatshmërinë dhe aftësinë e tyre sa herë e vlerëson të arsyeshme.
6. Autoriteti nxjerr rregullore, ku përcakton kërkesa të mëtejshme për aftësi dhe përshtatshmëri në kuptim të pikës 2 të këtij neni.
Neni 16
Administratori, anëtarët e këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë administruese
1. Shoqëria administruese administrohet nga të paktën një administrator.
2. Administratorët, anëtarët e këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë administruese duhet të gëzojnë reputacion të mirë, të kenë kualifikimet profesionale të kërkuara dhe përvojë të mjaftueshme, në mënyrë që të sigurojnë një administrim/mbikëqyrje të shëndoshë dhe të kujdesshme të shoqërisë administruese.
3. Autoriteti miraton me rregullore kërkesat që duhet të plotësojnë administratorët/anëtarët e këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë administruese, përmbajtjen e kërkesës për dhënien e miratimit për këtë pozicion, si dhe dokumentet që duhet të shoqërojnë kërkesën.
Neni 17
Miratimi i emërimit
1. Një person mund të emërohet administrator, anëtar i këshillit të administrimit/mbikëqyrës i shoqërisë administruese dhe personel kyç i shoqërisë vetëm me miratim të Autoritetit.
2. Kërkesa për dhënien e miratimit, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të depozitohet nga organi kompetent i shoqërisë administruese.
3. Subjektet kërkuese, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, duhet ta bashkëlidhin dokumentacionin që vërteton përputhshmërinë me kërkesat e përcaktuara në nenin 15 të këtij ligji.
4. Personi, i cili ka marrë miratimin e Autoritetit për një funksion në një shoqëri administruese, duhet të aplikojë sërish për të marrë miratimin e Autoritetit përpara emërimit në të njëjtin pozicion në një shoqëri tjetër administruese.
5. Autoriteti refuzon dhënien e miratimit për emërimin e një administratori, anëtari të këshillit të administrimit/mbikëqyrës dhe personeli kyç nëse:
a) personi i propozuar nuk i përmbush kushtet e përcaktuara në nenin 15 të këtij ligji;
b) ka arsye objektive dhe të provueshme për të besuar se veprimtaritë, të cilat ka ushtruar apo ushtron personi, përbëjnë rrezik për administrimin e shoqërisë administruese në përputhje me kërkesat e administrimit të rrezikut të parashikuara në nenin 26 të këtij ligji dhe akteve nënligjore të miratuara në zbatim të këtij ligji;
c) kërkesa për dhënien e miratimit përmban deklarata ose informacione të rreme.
6. Autoriteti miraton çdo ndryshim apo riemërim të administratorit dhe anëtarit të këshillit të administrimit/mbikëqyrës dhe personelit kyç të shoqërisë administruese. Autoriteti miraton çdo ndryshim thelbësor të statutit të shoqërisë administruese.
Neni 18
Revokimi dhe përfundimi i afatit të miratimit për emërimin e administratorit, anëtarit të këshillit të administrimit/mbikëqyrës
1. Autoriteti revokon miratimin për emërimin e administratorit, anëtarit të këshillit të administrimit/mbikëqyrës në këto raste:
a) administratori, anëtari i këshillit të administrimit/mbikëqyrës nuk i përmbush më kushtet fillestare të emërimit;
b) administratori, anëtari i këshillit të administrimit/mbikëqyrës në mënyrë të përsëritur nuk përmbush detyrimin për të konstatuar dhe vlerësuar efikasitetin e politikave ose të procedurave të brendshme, që synojnë marrjen e të gjitha masave të nevojshme që shoqëria administruese të jetë në përputhshmëri me këtë ligj, ose nuk përmbush detyrimin për të marrë masat e nevojshme, me qëllim eliminimin e parregullsive në veprimtarinë e shoqërisë administruese;
c) nëse miratimi është dhënë mbi bazën e të dhënave të rreme.
2. Në rastin e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, shoqëria administruese emëron një zëvendësues për një periudhë deri në tre muaj dhe njofton Autoritetin.
3. Brenda afatit tremujor të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, Autoriteti në përputhje me procedurën e nenit 17 të këtij ligji, miraton administratorin, anëtarin e këshillit të administrimit/mbikëqyrës.
4. Miratimi që jepet për një administrator, anëtar të këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë administruese bëhet i pavlefshëm nëse:
a) personi nuk emërohet ose nuk e merr detyrën me të cilën lidhet miratimi brenda 12 muajve nga data e dhënies së miratimit;
b) përfundon mandati i emërimit të personit;
c) përfundon kontrata e punës e personit me shoqërinë administruese.
Neni 19
Personeli kyç
1. Në shoqërinë administruese do të konsiderohen si personel kyç si më poshtë:
a) drejtuesi i Njësisë së Administrimit të Aktive/Investimeve;
b) drejtuesi i Njësisë së Administrimit të Rrezikut;
c) drejtuesi i Njësisë së Përputhshmërisë;
ç) drejtuesi i Njësisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit;
d) drejtuesi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm.
2. Procedura për miratimin, humbjen e vlefshmërisë së miratimit, riemërimin ose revokimin e miratimit të personelit kyç është e njëjtë me procedurën përkatëse për administratorin, anëtarin e këshillit të administrimit/mbikëqyrës, të parashikuar në nenet 17 dhe 18 të këtij ligji.
3. Shoqëria administruese informon Autoritetin për çdo zëvendësim të personave të parashikuar në pikën 1, të këtij neni.
4. Është përgjegjësi e këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë administruese që të sigurojë që personeli kyç, i cili ushtron funksionet kyçe, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, përmbush kriteret e aftësisë dhe përshtatshmërisë, të parashikuara në nenin 15 të këtij ligji.
5. Pavarësisht se disa nga funksionet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni mund të delegohen, shoqëria administruese mban përgjegjësi për çdo veprim apo mosveprim të palëve të treta, të cilave u është deleguar funksioni.
SEKSIONI IV
USHTRIMI I VEPRIMTARISË NDËRKUFITARE TË SHOQËRISË ADMINISTRUESE
Neni 20
Njohja e shoqërisë së huaj administruese në Republikën e Shqipërisë
1. Shoqëria administruese e licencuar në një vend anëtar për të kryer administrimin e fondeve të pensionit mund të kryejë veprimtarinë e administrimit të fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur për një sponsor në Republikën e Shqipërisë drejtpërdrejt nga vendi i origjinës.
2. Në zbatim të pikës 1 të këtij neni, Autoriteti njeh shoqërinë administruese të vendit anëtar në rastin e ushtrimit drejtpërsëdrejti të veprimtarisë.
3. Shoqëria administruese për qëllimin e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, njofton paraprakisht Autoritetin.
4. Njoftimi sipas pikës 3 të këtij neni duhet të përmbajë:
a) të dhënat e licencës ose të një dokumenti ekuivalent që ka marrë nga autoriteti kompetent i vendit të origjinës;
b) adresën kryesore në Republikën e Shqipërisë, ku do të ushtrojë veprimtarinë;
c) emrat e personave kyç, të cilët janë përgjegjës për ushtrimin e aktivitetit në Republikën e Shqipërisë;
ç) një përshkrim të shërbimeve të synuara që do të ofrohen dhe strukturën organizative, përfshirë linjat e raportimit dhe informacion për mënyrën se si shoqëria e huaj administruese do të sigurojë përputhshmërinë me aktet ligjore dhe nënligjore të Republikës së Shqipërisë.
5. Njohja sipas këtij neni bëhet vetëm nëse subjekti përmbush kërkesat e mëposhtme:
a) shoqëria e huaj administruese ose autoriteti rregullator i vendit të origjinës të shoqërisë së huaj administruese i ka përcjellë Autoritetit informacionet e përcaktuara ose të kërkuara nga Autoriteti;
b) është vendosur bashkëpunim ndërmjet autoritetit rregullator të vendit të origjinës të shoqërisë administruese dhe Autoritetit;
c) shoqëria administruese është objekt i mbikëqyrjes së përshtatshme në vendin e origjinës;
ç) shoqëria administruese përmbush kërkesat e vendosura për ushtrimin e veprimtarisë tregtare në vendin e origjinës dhe këto kërkesa u sigurojnë anëtarëve në Republikën e Shqipërisë mbrojtje, të paktën ekuivalente me atë që u jepet kur anëtarësohen pranë shoqërive administruese vendase;
d) procesi i nënshkrimit të kontratës/marrëveshjes për anëtarësimin në fond kryhet nëpërmjet një përfaqësie të njohur të shoqërisë administruese në Republikën e Shqipërisë në bazë të këtij ligji.
6. Autoriteti gjatë procesit të njohjes së shoqërisë së huaj administruese merr në konsideratë ekzistencën e marrëveshjeve të përbashkëta të bashkëpunimit për njohjen e shoqërive të huaja administruese.
7. Autoriteti brenda tre muajve nga dita e marrjes së njoftimit, sipas pikës 4 të këtij neni, dhe plotësimit të kushteve të parashikuara në pikën 5, njofton autoritetin kompetent të vendit të origjinës dhe shoqërinë administruese të fondit të pensionit për njohjen.
8. Nëse Autoriteti gjykon se struktura administrative ose situata financiare e shoqërisë administruese lidhur me veprimtarinë e planifikuar nuk është e përshtatshme, si dhe nuk plotësohen kushtet e këtij neni, Autoriteti refuzon njohjen.
9. Shoqëria administruese e njohur nga Autoriteti informon me shkrim Autoritetin për çdo ndryshim lidhur me veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë përpara zbatimit të ndryshimit, me përjashtim të rastit kur ky ndryshim komunikohet nëpërmjet autoritetit rregullator të vendit të origjinës së shoqërisë administruese.
10. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për shoqëritë e huaja administruese që administrojnë një fond pensioni në Republikën e Shqipërisë. Shoqëria administruese është përgjegjëse ndaj Autoritetit për përputhshmërinë me këto kërkesa.
11. Shoqëria e huaj administruese duhet të garantojë se është në gjendje t’i japë Autoritetit informacionet e nevojshme për monitorimin e përputhshmërisë së saj me këtë ligj dhe me aktet rregullative të miratuara nga Autoriteti.
12. Autoriteti miraton rregullore për kërkesa të mëtejshme për njohjen e shoqërisë së huaj të një vendi anëtar, që ushtron veprimtari në Republikën e Shqipërisë.
Neni 21
Shoqëritë administruese që kryejnë veprimtari në një vend anëtar
1. Një shoqëri administruese e fondit të pensionit privat, e themeluar në Republikën e Shqipërisë dhe e licencuar në bazë të këtij ligji, mund të administrojë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur në një vend anëtar për sponsorin e atij vendi anëtar në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet ofrimit të shërbimeve nga Republika e Shqipërisë.
2. Për qëllimin e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, shoqëria administruese njofton me shkrim Autoritetin.
3. Njoftimi i parashikuar në pikën 2 të këtij neni përmban:
a) vendin ku synon të ushtrojë veprimtari;
b) selinë e sponsorit;
c) informacion për fondin që kërkon të administrojë;
ç) programin e veprimtarisë.
4. Nëse Autoriteti gjykon se struktura e brendshme ose situata financiare e shoqërisë administruese është e përshtatshme, duke pasur parasysh veprimtaritë e parashikuara, brenda tre muajve nga marrja e njoftimit dhe dokumentacionit të plotë, sipas pikës 3 të këtij neni, autorizon shoqërinë administruese të kryejë veprimtari jashtë vendit, si dhe ia transmeton njoftimin autoritetit rregullator të vendit përkatës. Autoriteti i bashkëlidh këtij njoftimi konfirmimin që shoqëria administruese është e licencuar të kryejë veprimtari në përputhje me këtë ligj dhe çdo kufizim të zbatueshëm. Autoriteti informon me shkrim shoqërinë administruese për transmetimin e këtij njoftimi.
5. Shoqëria administruese njofton me shkrim Autoritetin për ndryshimin e çdo informacioni, të parashikuar në pikën 3 të këtij neni, të paktën një muaj përpara implementimit të ndryshimit. Nëse ndryshimi cenon përputhshmërinë e shoqërisë administruese me dispozitat e këtij ligji, Autoriteti informon pa vonesë për këtë ndryshim autoritetin e vendit pritës të shoqërisë administruese.
6. Nëse Autoriteti gjykon se struktura e brendshme ose situata financiare e shoqërisë administruese lidhur me veprimtarinë e planifikuar nuk është e përshtatshme, Autoriteti mund të refuzojë autorizimin e shoqërisë dhe transmetimin e njoftimit. Shoqëria administruese njoftohet me shkrim për arsyet e refuzimit, brenda tre muajve, pas marrjes së të gjithë informacionit dhe praktikës.
7. Administrimi ndërkufitar nga shoqëritë administruese shqiptare në një vend të huaj lejohet vetëm nëse janë në zbatim rregullat e duhura të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve rregullatore të vendit të origjinës dhe Autoritetit dhe nëse shoqëria administruese është në përputhje me dispozitat e parashikuara në këtë ligj.
8. Autoriteti mund të heq autorizimin e dhënë shoqërisë administruese nëse konstaton shkelje të këtij ligji. Autoriteti konsultohet me autoritetin e huaj rregullator të vendit të origjinës përpara heqjes së autorizimit të kësaj shoqërie administruese.
SEKSIONI V
ORGANIZIMI I SHOQËRISË ADMINISTRUESE
Neni 22
Përgjegjësia e shoqërisë administruese
1. Shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe rregulloreve të miratuara nga Autoriteti duhet:
a) të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet në mënyrën e duhur dhe në kohë sipas parimit të likuiditetit dhe parimit të aftësisë paguese;
b) të administrojë fondet në mënyrë të tillë që secili fond të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e tij në mënyrën e duhur, në kohën e duhur, sipas parimit të likuiditetit dhe parimit të aftësisë paguese;
c) të administrojë fondin në përputhje me strategjinë e investimeve dhe rrezikun e përcaktuar për secilin fond që administron;
ç) të përmbushë në kohë, drejt dhe me efikasitet të gjitha të drejtat dhe detyrimet e parashikuara nga ky ligj dhe nga prospekti i fondit;
d) të sigurojë sisteme dhe mekanizma mbikëqyrës, që garantojnë se shoqëria administruese vepron në përputhje me këtë ligj dhe prospektin e fondit dhe që mundësojnë monitorimin e të gjitha vendimeve, urdhrave dhe transaksioneve me aktivet e fondit;
dh) të sigurojë që materialet me përmbajtje promovuese, botimet dhe raportet për anëtarët e fondit, pavarësisht nëse u dorëzohen atyre ose publikohen në shtyp apo në media elektronike, janë të qarta, të sakta, nuk çojnë në përfundime të gabuara dhe janë në përputhje me kërkesat e Autoritetit;
e) të administrojë aktivet e fondit në emrin dhe për llogari të fondit, duke i mbajtur ato vetëm te depozitari i licencuar, sipas këtij ligji dhe rregulloreve përkatëse;
ë) të dërgojë te depozitari kopjet e të gjitha dokumenteve origjinale ose dokumentacionit me nënshkrim elektronik dhe/ose vulë elektronike, sipas legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, që lidhen me transaksionet e aktiveve të fondeve dhe që janë të rëndësishme për kryerjen e detyrave të depozitarit, sipas këtij ligji dhe rregulloreve përkatëse, menjëherë pas përpilimit të tyre ose marrjes së tyre;
f) të publikojë informacion për shoqërinë administruese dhe fondet që administron në përputhje me këtë ligj, rregulloret e miratuara në bazë të këtij ligji dhe rregullat e tjera të fondit;
g) të depozitojë raporte të rregullta në Autoritet dhe të veprojë me mirëbesim dhe ndershmëri në marrëdhëniet me Autoritetin;
gj) të hartojë, të mbajë dhe të vërë në dispozicion të Autoritetit të gjitha të dhënat/informacionet e përcaktuara në rregulloret Autoritetit, në mënyrë të plotë, të saktë dhe në kohën e përcaktuar nga Autoriteti;
h) të mundësojë inspektimin nga ana e Autoritetit sa herë që kërkohet dhe në kohën e duhur, përfshirë intervistat me persona që kryejnë veprimtari kyçe në shoqërinë administruese;
i) të sigurojë përputhshmërinë me përcaktimet e këtij ligji e të mos lidhë asnjë kontratë, qëllimi i së cilës është zvogëlimi ose ndryshimi i përgjegjësisë së shoqërisë administruese;
j) të urdhërojë depozitarin për kryerjen e veprimeve në lidhje me aktivet e fondit të pensionit;
k) të sigurojë vlerësim të drejtë të vlerës së aktiveve dhe aktiveve të fondit, si dhe të përcaktojë saktë dhe në baza ditore çmimin e kuotës;
l) të sigurojë përputhjen me kërkesat e tjera të parashikuara nga ky ligj dhe rregulloret e miratuara në bazë të këtij ligji.
Neni 23
Konflikti i interesit dhe konfidencialiteti në shoqërinë administruese
1. Shoqëria administruese e fondeve të pensionit, duke marrë parasysh llojin, fushën dhe kompleksitetin e veprimtarisë së saj, parandalon konfliktin e interesit që mund të lindë në lidhje me veprimtarinë e saj tregtare.
2. Shoqëria administruese e fondit të pensionit ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe monitoruar konfliktin e interesit, që mund të lindë në lidhje me administrimin e fondeve të pensionit. Kjo përfshin konfliktin e interesit ndërmjet:
a) shoqërisë administruese, përfshirë punonjësit, drejtuesit e saj, personat me të cilët ka lidhje pronësie ose një subjekt i lidhur i saj dhe çdo fond pensioni nën administrim të shoqërisë administruese;
b) fondeve të pensionit ose anëtarëve të fondeve dhe një klienti tjetër të shoqërisë administruese;
c) fondeve të pensionit ose anëtarëve të fondeve dhe vetë shoqërisë administruese.
3. Shoqëria administruese e fondeve duhet të ketë ndarje organizative, në mënyrë të tillë që të ndalojë ose të minimizojë rrezikun e konfliktit të interesit.
4. Shoqëria administruese nuk duhet të investojë aktivet e fondit të pensionit në tituj ose instrumente të tregut të parasë të emetuara nga:
i. shoqëria administruese ose çdo aksionar i shoqërisë administruese;
ii. depozitari i fondit të pensionit;
iii. çdo person, palë e lidhur me entitetet e radhitura në nënndarjet “i” dhe “ii” të kësaj pike.
5. Kur hapat e ndërmarrë për ndalimin ose minimizimin e konfliktit të interesit nuk janë të mjaftueshëm për të mbrojtur interesat e anëtarëve, shoqëria administruese informon anëtarët për konfliktin e mundshëm të interesit përpara kryerjes së çdo veprimtarie tregtare për llogari të anëtarëve.
6. Personat kyç ose personeli kyç i shoqërisë administruese, të cilët kanë konflikt interesi lidhur me transaksionet e kryera nga shoqëria administruese, informojnë me shkrim për konfliktin e interesit auditin e brendshëm përpara se të marrin pjesë në çdo lloj vendimi dhe në çfarëdolloj mbledhjeje ku lind ky konflikt interesi. Personat kyç ose personeli kyç, të cilët nuk përmbushin kërkesën e kësaj pike, nuk lejohen për pesë vjet, duke filluar nga data e shkeljes së këtij detyrimi, të zgjidhen apo të emërohen si persona kyç ose si personel kyç në asnjë institucion që mbikëqyret nga Autoriteti.
7. Shoqëria administruese e fondeve lidhur me çdo fond pensioni që administron nuk kryen asnjë transaksion me persona me të cilët ka lidhje pronësie ose me të cilët është subjekt i lidhur dhe që rezulton në përfitime të padeklaruara për secilën nga të dyja palët ose kur përfitimet që rrjedhin nga transaksioni nuk do të kishin lindur nëse transaksioni do të ishte kryer me kushte normale tregu në momentin e transaksionit.
8. Personat kyç, personeli kyç dhe punonjësit e shoqërisë administruese të fondeve të pensionit trajtojnë si konfidencial dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale çdo informacion për anëtarët për të cilin mund të marrin dijeni për shkak të detyrës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe me akte ligjore dhe nënligjore. Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit zbatohet edhe për personat që kryejnë detyra në emër të shoqërisë administruese të fondeve, përfshirë subjektet të cilave u është deleguar në zbatim të nenit 34 të këtij ligji, si dhe punonjësve të tyre.
Neni 24
Monitorimi i përputhshmërisë me rregulloret përkatëse
1. Shoqëria administruese harton dhe zbaton politikat e monitorimit të përputhshmërisë, me qëllim identifikimin e çdo rreziku të mosrespektimit të këtij ligji dhe akteve nënligjore të miratuara në zbatim të tij.
2. Politika e monitorimit të përputhshmërisë parashikon parimet bazë për monitorimin e veprimtarisë së shoqërisë administruese në përputhje me këtë ligj dhe rregulloret e miratuara në zbatim të tij apo akte të tjera ligjore, si dhe për të siguruar që sjellja e personave kyç të shoqërisë apo personave të tjerë me përgjegjësi është në përputhje me këtë ligj, rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji apo akte të tjera të brendshme të shoqërisë.
Neni 25
Auditi i brendshëm
1. Shoqëria administruese duhet të ketë njësinë e auditit të brendshëm, me madhësi dhe kapacitet të përshtatshëm për veprimtarinë që ajo kryen.
2. Njësia e auditit të brendshëm raporton drejtpërdrejt te këshilli i administrimit/mbikëqyrës.
3. Njësia e auditit të brendshëm tё shoqërisë administruese zbaton metodologjinë me bazë rreziku për kryerjen e detyrave të mëposhtme:
a) për të kontrolluar nëse shoqëria administruese është e organizuar në mënyrë të tillë që të nxisë administrimin efektiv dhe të kujdesshëm të veprimtarisë tregtare, si dhe monitoron këshillin e administrimit/mbikëqyrës për përmbushjen e detyrave të administrimit;
b) për të monitoruar zbatimin e vendimeve të këshillit administrues/mbikëqyrës, si dhe nivelin e lartë drejtues për përmbushjen e detyrave administruese dhe përgjegjëse për pozicionin e tyre;
c) për të garantuar që të gjithë punonjësit janë të trajnuar siç duhet, kuptojnë rolet dhe përgjegjësitë, si dhe që i gjithë personeli operativ zbaton rregullat dhe procedurat që kanë të bëjnë me pozicionet e tyre të veçanta;
ç) për identifikimin e pikave të dobëta të sistemeve dhe masave kontrolluese, që mund të çojnë në humbje ose në mospërputhshmëri;
d) për kontrollin dhe zbatimin e parimeve të qeverisjes së shoqërisë administruese, këshillimin e personave kyç për përcaktimin e politikave dhe strategjive, për respektimin e këtyre parimeve, si dhe kontrollon çdo vit zbatimin e këtyre politikave dhe strategjive;
dh) për të garantuar që funksioni i kontabilitetit i shoqërisë administruese ofron informacione të sakta dhe në kohën e duhur lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit dhe me rentabilitetin;
e) për të garantuar që sistemet, të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin, caktimin e çmimit dhe komunikimin me depozitarin, funksionojnë siç duhet dhe nuk kanë gabime;
ë) për të garantuar mjaftueshmërinë e kontrollit financiar dhe respektimin e kufizimeve të miratuara të përgjegjësisë për kryerjen e shpenzimeve;
f) për të identifikuar dhe hetuar rastet e mundshme të vjedhjes, mashtrimit ose shkeljeve në detyrë nga ana e personelit;
g) për t’u rekomanduar dhe dhënë informacionin e nevojshëm personave kyç dhe personelit kyç për përmirësimin ose rishikimin e objektivave, strategjisë, planeve të biznesit, përfshirë mbrojtjen e të dhënave dhe politikave kryesore, që rregullojnë veprimtarinë e subjektit.
Neni 26
Administrimi i rrezikut
1. Shoqëria administruese krijon një sistem gjithëpërfshirës, efektiv dhe të pavarur të administrimit të rrezikut në përputhje me madhësinë, natyrën, shkallën dhe kompleksitetin e veprimtarisë së saj, i cili përfshin gjithashtu administrimin e rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sistemi i administrimit të rrezikut duhet të përfshijë:
a) politikën dhe procedurat e administrimit të rrezikut;
b) teknikat e matjes së rrezikut;
c) monitorimin dhe raportimin e rrezikut.
2. Sistemi i administrimit të rrezikut duhet të jetë efektiv dhe i mirintegruar në strukturën organizative dhe në proceset vendimmarrëse të shoqërisë administruese. Sistemi i administrimit të rrezikut merr në konsideratë rrezikun nga perspektiva e anëtarëve dhe përfituesve.
3. Sistemi i administrimit të rrezikut mbulon rrezikun e lidhur me shoqërinë administruese, fondin e pensionit, si dhe për palët e treta te të cilat janë deleguar funksionet dhe detyrat në përputhje me nenin 34 të këtij ligji, duke marrë parasysh të paktën sa më poshtë:
a) administrimin e aktiveve dhe pasiveve;
b) investimet, veçanërisht në derivativë, tituj dhe instrumente të ngjashme;
c) rrezikun e likuiditetit dhe të përqendrimit;
ç) rrezikun operacional;
d) sigurimi dhe teknikat e tjera të zbutjes së rrezikut;
dh) rrezikun mjedisor, social dhe të qeverisjes, që lidhen me portofolin e investimeve të fondeve me pjesëmarrje të mbyllur në qoftë se këto rreziqe merren në konsideratë;
e) rrezikun e mbartur nga anëtarët dhe përfituesit.
4. Shoqëria administruese krijon, zbaton, dokumenton dhe përditëson rregullisht politikën efektive dhe gjithëpërfshirëse të administrimit të rrezikut, në mënyrë që të identifikojë rrezikun, që lidhet me operacionet e shoqërisë administruese dhe funksionimin e fondeve nën administrim.
5. Në procesin e administrimit të rrezikut, shoqëria administruese përcakton profilin e rrezikut të fondeve që administron, kombinimin e rrezikut individual në raport me profilin e përgjithshëm të rrezikut të një fondi, me qëllim përcaktimin e nivelit të pranueshëm të rrezikut.
6. Shoqëria administruese, në bazë të politikës së administrimit të rrezikut dhe përcaktimit të nivelit të pranueshëm të rrezikut, duhet të miratojë teknikat e matjes së rrezikut dhe masat e administrimit të rrezikut, në mënyrë që të identifikojë, masë, administrojë dhe monitorojë të gjitha rreziqet ndaj të cilave ekspozohen fondet.
7. Shoqëria administruese është e detyruar të monitorojë, të vlerësojë, të rishikojë dhe të përditësojë mjaftueshmërinë, gjithëpërfshirjen dhe efektivitetin e politikës dhe procedurave të administrimit të rrezikut dhe teknikave të matjes së rrezikut dhe përshtatshmërinë, si dhe efektivitetin e masave të parashikuara, në mënyrë që të eliminohen mangësitë e mundshme në strategjitë, politikat dhe procedurat e administrimit të rrezikut.
8. Sistemi i administrimit të rrezikut miratohet nga këshilli i administrimit/mbikëqyrës i shoqërisë administruese.
9. Politika e administrimit të rrezikut depozitohet në Autoritet. Në rast të ndryshimeve të rëndësishme në ekspozimin ndaj rrezikut, shoqëria administruese vlerëson përshtatshmërinë dhe efektivitetin e politikës së administrimit të rrezikut të shoqërisë dhe fondeve të pensionit. Politika e administrimit të rrezikut e rishikuar depozitohet në Autoritet.
10. Shoqëria administruese duhet të përdorë procedura të veçanta, me qëllim vlerësimin në mënyrë të përshtatshme dhe të pavarur të vlerës së derivativeve të përdorura.
11. Këshilli i administrimit/mbikëqyrës i shoqërisë administruese dhe personat kyç janë përgjegjës për procesin e administrimit të rrezikut.
Neni 27
Përgjegjësitë e strukturës së administrimit të rrezikut
1. Shoqëria administruese e fondeve veçon funksionin e administrimit të rrezikut nga njësitë operacionale, përfshirë funksionet e administrimit të portofolave, në mënyrë që të garantojë se masat specifike mbrojtëse kundër konfliktit të interesit mundësojnë kryerjen e pavarur të veprimtarive të administrimit të rreziqeve dhe se procesi i administrimit të rreziqeve të jetë efektiv në vazhdimësi.
2. Shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat krijon sisteme të administrimit të rreziqeve, të cilat identifikojnë, matin, administrojnë dhe monitorojnë në vazhdimësi të gjitha rreziqet e lidhura me objektivin dhe strategjinë e investimit ndaj të cilave mund të ekspozohet fondi i pensionit. Kjo përfshin procedura për analizimin e investimeve të fondit të pensionit në përputhje me objektivin dhe strategjinë e investimit dhe profilin e rrezikut të fondit në fjalë.
3. Sistemi i administrimit të rrezikut zbatohet nga struktura e administrimit të rrezikut.
4. Struktura e administrimit të rrezikut raporton rregullisht te këshilli i administrimit/mbikëqyrës i shoqërisë administruese rreziqet në nivel individual dhe të bashkuar ndaj të cilave ekspozohen ose mund të ekspozohen fondet e pensionit dhe vetë shoqëria administruese, si dhe ndërvarësitë ndaj këtyre rreziqeve.
5. Struktura e administrimit të rrezikut është përgjegjëse:
a) për të rekomanduar te këshilli i administrimit/mbikëqyrës miratimin e sistemit të administrimit të rrezikut për çdo fond pensioni, që përfshin përcaktimin dhe monitorimin e politikave të miratuara, në mënyrë që të gjitha rreziqet kryesore të identifikohen, maten, monitorohen dhe kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme;
b) për monitorimin e rreziqeve ndaj të cilave është e ekspozuar shoqëria dhe fondet, përfshirë rrezikun e tregut, rrezikun e kreditit, rrezikun operacional, rrezikun e agjencisë, rrezikun ligjor dhe reputacional dhe rrezikun në lidhje me veprimet që bien në kundërshtim me interesat e pjesëmarrësve dhe të aksionarëve;
c) për mbikëqyrjen e veprimeve të shoqërisë administruese dhe administrimin nga ana e saj të fondit të pensionit duke dhënë udhëzime të përditshme për të siguruar se shoqëria administruese vepron brenda limiteve të rreziqeve të vendosura nga këshilli i administrimit/mbikëqyrës dhe të shprehura në kontratën e fondit të pensionit dhe në prospekt;
ç) për paraqitjen e raporteve të rregullta te këshilli i administrimit/mbikëqyrës mbi nivelet e ekspozimit ndaj rrezikut të shoqërisë administruese dhe secilit fond pensioni nën administrim, si dhe çdo shkelje aktuale dhe të parashikueshme të kufijve të rrezikut për të siguruar marrjen e masave të përshtatshme në kohë;
d) për vlerësimin dhe, kur është e zbatueshme, marrjen pjesë në procedurën e vlerësimit të derivativeve sipas pikës 10 të nenit 26.
6. Shoqëria administruese e fondeve të pensionit rishikon rregullisht sistemin e administrimit të rrezikut, por jo më pak se një herë në 3 vjet dhe pas çdo ngjarjeje të pazakontë, që mund të shkaktojë kriza të mundshme në tregun financiar.
Neni 28
Vetëvlerësimi i rrezikut
1. Shoqëria administruese kryen dhe dokumenton vlerësimin e saj të rrezikut në mënyrë të përshtatshme me madhësinë e saj, strukturën e brendshme organizative, si dhe madhësinë, natyrën, shkallën dhe kompleksitetin e aktiviteteve të saj. Ky vlerësim merret parasysh gjatë vendimeve strategjike të shoqërisë.
2. Shoqëria administruese duhet të kryejë vetëvlerësimin e rrezikut të paktën çdo tre vjet ose menjëherë nëse ka ndryshim të rëndësishëm në profilin e rrezikut të fondit/fondeve të pensionit.
3. Vetëvlerësimi i rrezikut, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, do të kryhet duke marrë në konsideratë:
a) përshkrimin se si vetëvlerësimi i rrezikut është integruar në procesin e administrimit të shoqërisë dhe procesin e vendimmarrjes;
b) vlerësimin e efektivitetit të sistemit të administrimit të rrezikut;
c) vlerësimin e kërkesës për kapital të shoqërisë administruese, përfshirë një përshkrim të planit të rimëkëmbjes;
ç) vlerësimin e rreziqeve për anëtarët e fondit dhe përfituesit e pensionit në lidhje me pagesën e përfitimeve nga fondi i pensionit dhe efektivitetin e masave korrigjuese;
d) vlerësimin cilësor të rrezikut operacional;
dh) vlerësimin e rreziqeve të lidhur me faktorët ekologjikë, socialë dhe të qeverisjes, në rast se shoqëria administruese i merr parasysh këta faktorë në procesin e vendimmarrjes së investimeve;
e) metodologjinë e zbatuar për identifikimin dhe vlerësimin e rrezikut ndaj të cilit ajo është e ekspozuar ose mund të ekspozohet në periudhë afatshkurtër ose afatgjatë, që mund të ketë efekt në aftësinë e shoqërisë administruese për të përmbushur detyrimet e saj.
4. Metodologjia duhet të jetë e përshtatshme në lidhje me madhësinë, natyrën, shkallën, fushën dhe kompleksitetin e aktivitetit të shoqërisë.
Neni 29
Politika e shpërblimit
1. Shoqëria administruese harton dhe zbaton politika për shpërblimin:
a) e personave kyç;
b) e personelit kyç;
c) e personave të tjerë, veprimtaritë e të cilëve kanë një ndikim material në profilin e rrezikut të shoqërisë apo fondit të pensionit.
2. Politika e shpërblimit duhet të jetë e përshtatshme për madhësinë dhe organizimin e brendshëm të shoqërisë administruese dhe madhësinë, natyrën, shkallën dhe kompleksitetin e aktivitetit të saj.
3. Shoqëria administruese zbaton parimet e mëposhtme:
a) politika e shpërblimit hartohet dhe zbatohet në përputhje me aktivitetet, profilin e rrezikut, objektivat dhe interesin afatgjatë, stabilitetin financiar dhe performancën e fondit, me qëllim administrimin e shëndoshë, të kujdesshëm dhe efikas të fondit;
b) politika e shpërblimit duhet të jetë në përputhje me interesat afatgjatë të përfituesve;
c) politika e shpërblimit duhet të përmbajë masa për parandalimin e konfliktit të interesit;
ç) politika e shpërblimit duhet të jetë në përputhje me një administrim të shëndoshë dhe efektiv të rrezikut dhe në përputhje me profilin e rrezikut të shoqërisë dhe rregulloret e fondeve.
4. Parimet e përgjithshme për politikën e shpërblimit duhet të rishikohen nga shoqëria administruese të paktën çdo tre vjet. Politika e shpërblimit dhe mbikëqyrja e saj duhet t’u nënshtrohen rregullave të qarta, transparente dhe efektive.
Neni 30
Dokumentimi dhe ruajtja e të dhënave
1. Shoqëria administruese krijon procedura të qarta dhe transparente për ruajtjen e të dhënave dhe dokumenteve në lidhje me veprimtarinë e saj dhe fondeve nën administrim.
2. Procedura për ruajtjen e të dhënave dhe dokumenteve përfshin rregulla të qarta, që sigurojnë se çdo transaksion të mund të gjurmohet dhe të dokumentohet që nga fillimi dhe dokumentacioni përkatës të vërtetojë se aktivet e çdo fondi administrohen në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe garantojnë mbrojtje për të dhënat individuale të anëtarit.
3. Shoqëria administruese është e detyruar të organizojë veprimtarinë e saj dhe të mbajë dokumentet dhe të dhëna të përditësuara në mënyrë që të mundësojë që puna individuale e kryer për llogari të saj ose për llogari të një fondi të kontrollohet në çdo kohë për t’i mundësuar Autoritetit mbikëqyrje efektive në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregulloreve të miratuara në zbatim të tij.
4. Shoqëria administruese duhet të mbajë të ndarë të dhënat dhe dokumentet për fondin e pensionit nga të dhënat dhe dokumentet për shoqërinë administruese.
5. Shoqëria administruese është përgjegjëse për humbje apo për pasaktësi të të dhënave dhe dokumenteve të veprimtarisë së saj apo të fondeve nën administrim. Ruajtja e dokumenteve bëhet në mënyrë të tillë që, kur kërkohet, të mund të riprodhohet në formë të lexueshme dhe të qartë.
Neni 31
Trajtimi i ankesave nga shoqëria administruese
1. Shoqëria administruese është e detyruar të krijojë dhe të zbatojë procedurat e duhura për të siguruar që ankesat nga anëtarët e fondeve të pensionit privat, punëdhënësit dhe sponsorit të adresohen dhe të trajtohen në mënyrën e duhur. Procedura e trajtimit të ankesave depozitohet në Autoritet.
2. Shoqëria administruese ruan të dhënat dhe dokumentacionin për çdo ankesë të regjistruar, përfshirë masat e marra prej saj për zgjidhjen e ankesës për të paktën pesë vjetët e fundit.
Neni 32
Mbajtja e llogarive financiare nga shoqëria administruese
1. Shoqëria administruese zbaton kërkesat e mëposhtme lidhur me kontabilitetin:
a) mban libra dhe evidenca kontabël të sakta, të plota dhe të përditësuara për të paraqitur qartë e në mënyrë korrekte veprimtarinë, për të shpjeguar veprimtaritë, transaksionet dhe pozicionin financiar të saj dhe për t’i dhënë mundësi Autoritetit të kontrollojë nëse zbatohen kërkesat e këtij ligji;
b) përgatit çdo vit, për vitin financiar, pasqyrat financiare në përputhje me SNRF-në, përveçse kur përcaktohet ndryshe në rregulloret e nxjerra nga Autoriteti;
c) në rastin e grupit shoqëria e kontrolluar përgatit dhe paraqet pasqyra financiare vjetore të audituara individuale dhe të konsoliduara.
2. Pasqyrat financiare të audituara të shoqërisë administruese i dorëzohen Autoritetit brenda 4 muajve pas përfundimit të vitit financiar.
Neni 33
Emërimi i audituesit të jashtëm
1. Shoqëria administruese emëron si auditues të jashtëm vetëm personat juridikë sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
2. Audituesi ligjor emërohet nga shoqëria administruese e fondeve të pensionit me miratim të Autoritetit. Audituesi i jashtëm nuk mund të veprojë si auditues i së njëjtës shoqëri administruese dhe fondeve që administrohen prej saj për një periudhë kohore prej më shumë se 4 vjet radhazi.
3. Brenda tre muajve nga data e licencimit, në përputhje me këtë ligj, shoqëria administruese duhet të emërojë një auditues të jashtëm për të audituar llogaritë e saj.
4. Shoqëria administruese nuk mund të miratojë si auditues ligjor të saj një entitet, që ka si persona kyç, administrator, aksionar ose punonjës të saj një person me interes financiar në shoqërinë administruese dhe në njërin prej bizneseve të saj. Për qëllime të këtij neni, nuk vlerësohet interes financiar nëse personi është anëtar në fondin e pensionit.
5. Shoqëria administruese duhet të marrë miratimin e Autoritetit për çdo ndryshim të audituesit ligjor të shoqërisë dhe të fondeve që administrohen prej saj. Nëse emërimi i audituesit të jashtëm ndërpritet për çfarëdo arsye, audituesi i jashtëm duhet t’i paraqesë Autoritetit një deklaratë ku të shpjegojë, sipas audituesit të jashtëm, arsyen e ndërprerjes së detyrës dhe ta informojë me shkrim Autoritetin për çdo çështje që ka lidhje me shoqërinë administruese, për të cilat audituesi i jashtëm ka marrë dijeni gjatë kryerjes së detyrës dhe që, sipas mendimit të tij, mund të dëmtojë aftësinë e të licencuarit për të vepruar në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
6. Autoriteti, nëse nuk është dakord me raportin e auditimit, mund t’i kërkojë audituesit:
a) informacione të tjera shtesë;
b) të japë shpjegime për raportin e auditimit;
c) të zgjerojë objektin e auditimit apo të kryejë procedura të tjera, të cilat nuk bien ndesh me legjislacionin në fuqi.
Në rast se Autoriteti nuk është dakord edhe pas këtyre hapave me raportin e auditimit, mund të kërkojë kontrollin e cilësisë së auditimit të realizuar sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
7. Autoriteti, nëse e gjykon të nevojshme, mund të refuzojë raportin e auditimit dhe t’i kërkojë kryerjen e një auditimi të ri me shpenzimet e shoqërisë administruese audituesit të jashtëm ose të dyve.
8. Audituesi i shoqërisë administruese nuk do të konsiderohet se ka shkelur ndonjë dispozitë ligjore në fuqi për shkak të informimit të Autoritetit në mirëbesim, të kërkuar apo jo nga ky i fundit, për dhënie të informacioneve ose opinioneve për një çështje për të cilën audituesi vihet në dijeni në cilësinë si auditues i shoqërisë administruese dhe të cilat kanë lidhje me funksionet e Autoritetit, në bazë të këtij ligji.
9. Nëse audituesi, të cilit i kërkohet dhënia e informacionit, refuzon ose neglizhon të japë këtë informacion ose jep informacione të rreme ose keqorientuese, Autoriteti mund ta raportojë audituesin te Bordi i Mbikëqyrjes Publike në Republikën e Shqipërisë dhe të kërkojë marrjen e masave ndaj tij në përputhje me legjislacionin në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
10. Shoqëria administruese nuk emëron si auditues një person ndaj të cilit janë marrë masa disiplinore nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar për aq kohë sa kjo masë është në fuqi.
11. Autoriteti nxjerr rregullore për kriteret dhe kërkesat për audituesin ligjor të jashtëm të shoqërive administruese.
Neni 34
Delegimi i funksioneve
1. Shoqëria administruese në kuadër të veprimtarisë së saj mund të delegojë një apo disa funksione te një palë e tretë, me përjashtim të rastit kur ky delegim vështirëson mbikëqyrjen e veprimtarisë së deleguar ose të gjithë veprimtarisë tregtare të shoqërisë administruese të fondeve apo pengon shoqërinë administruese të fondeve, që të veprojë në interesin më të mirë të anëtarëve të fondeve që administron.
2. Shoqëria administruese mund të delegojë te një palë e tretë funksionet administrative të përcaktuara në nenin 8, pika 2, nga shkronja “a” deri në shkronjën “f”, përfshirë funksionin e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, auditin e brendshëm dhe teknologjinë e informacionit. Funksione të tjera të një rëndësie të veçantë, siç është administrimi i aktiveve të fondeve dhe administrimi i rrezikut të parashikuara në këtë ligj nuk mund të delegohen.
3. Funksionet sipas pikës 2 të këtij neni mund të delegohen te palët e treta vetëm me miratimin e Autoritetit. Shoqëria administruese vazhdon të jetë përgjegjëse për përmbushjen e funksionit të deleguar, për mbarëvajtjen e funksioneve dhe për mbikëqyrjen e personave, të cilëve u delegohen me kontratë këto funksione, përfshirë edhe përputhshmërinë në vazhdimësi me kërkesat e parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç” të pikës 5 të këtij neni. Shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat garanton bashkëpunim efektiv ndërmjet saj dhe subjektit që i janë deleguar funksionet dhe garanton që mbikëqyrja efektive nga ana e Autoritetit të mos pengohet për shkak të delegimit.
4. Kontrata për delegimin e funksioneve duhet të përcaktojë qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve kontraktuese dhe miratohet nga Autoriteti. Autoriteti, nëse e gjykon të arsyeshme, mbikëqyr veprimtarinë e të deleguarit në funksion të mbrojtjes së anëtarëve të fondit.
5. Delegimi nga shoqëria administruese e fondeve të pensionit duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme:
a) shoqëria administruese e fondeve të pensionit duhet të justifikojë objektivisht delegimin;
b) delegimi të mos pengojë mbikëqyrjen për shoqërinë administruese dhe në veçanti të mos pengojë shoqërinë administruese të kryejë funksionet e saj në interes të anëtarëve;
c) i deleguari të ketë burime të mjaftueshme për kryerjen e detyrave përkatëse;
ç) shoqëria administruese të vërtetojë se i deleguari është i kualifikuar, ka përvojë të mjaftueshme, është i aftë dhe i përshtatshëm për të ndërmarrë funksionet në fjalë dhe se shoqëria administruese në çdo moment është në gjendje të monitorojë me efektivitet veprimtarinë e deleguar, të japë udhëzime të mëtejshme dhe të anulojë delegimin në mënyrë të menjëhershme, nëse kjo është në interes të anëtarëve;
d) prospekti për fondet e pensionit nën administrimin e shoqërisë administruese të fondeve të pensionit të listojë të gjitha funksionet që i lejohet të delegojë shoqërisë administruese të fondeve të pensionit, si dhe të japë informacion për subjektet te të cilat janë deleguar funksionet;
dh) çdo subjekt, tek i cili delegohet, duhet të ketë licencën ose lejen e nevojshme për të kryer funksionet e deleguara në bazë të këtij ligji ose në bazë të legjislacionit në fuqi për tregjet e kapitalit ose të ligjit të huaj, i barasvlershëm me të në rastin e një subjekti të huaj, që është njohur nga Autoriteti.
6. Autoriteti harton rregulla për delegimin e funksioneve të shoqërisë administruese.
Neni 35
Ndryshimi i kontrollit të shoqërisë administruese
1. Çdo individ ose person juridik, i cili synon të marrë drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë apo të rrisë pjesëmarrjen në një shoqëri administruese, e cila arrin ose tejkalon pragun prej 10%, 20%, 30%, 50% ose 75% të aksioneve në kapital ose të të drejtave të votës, duhet të marrë paraprakisht miratimin e Autoritetit.
2. Individi ose personi juridik, që synon të marrë ose të rrisë pjesëmarrjen në shoqërinë administruese duke u bërë aksionar influencues, njofton me shkrim Autoritetin për qëllimin e tij. Kërkesa për miratimin e aksionarit influencues duhet të përmbajë:
a) numrin dhe vlerën nominale të aksioneve që synohet të blihet;
b) dokumentacionin e parashikuar në nenet 11 dhe 15 të këtij ligji.
Neni 36
Zvogëlimi i pjesëmarrjes
Çdo individ ose person juridik, që synon të zvogëlojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nivelin e aksioneve në kapital ose të të drejtave të votës në shoqërinë administruese, sipas kufijve të parashikuar në pikën 1 të nenit 35, duhet të njoftojë me shkrim Autoritetin, duke përmendur nivelin e aksioneve që synon të zvogëlojë.
Neni 37
Bashkëpunimi me autoritetet e tjera
1. Autoriteti bashkëpunon me autoritetet e tjera rregullatore gjatë kryerjes së vlerësimit nëse blerësi i propozuar i pjesëmarrjes influencuese është një nga të mëposhtmet:
a) bankë, shoqëri sigurimi, shoqëri risigurimi, shoqëri investimi, shoqëri administruese ose administrues i fondeve të investimeve alternative i licencuar në një shtet tjetër ose në një sektor tjetër nga ai në të cilin është propozuar blerja;
b) shoqëri mëmë e subjekteve të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike;
c) personi fizik ose juridik, që kontrollon subjektet e referuara në shkronjën “a” të kësaj pike.
2. Gjatë bashkëpunimit me organe të tjera kompetente dhe gjatë vlerësimit të kërkesës për miratimin e pjesëmarrjes influencuese, sipas pikës 1 të këtij neni, Autoriteti mund të kërkojë sa më poshtë:
a) të gjitha të dhënat e nevojshme për vlerësimin e përcaktuar në nenin 38 të këtij ligji;
b) të dhëna të tjera në dispozicion të një organi tjetër kompetent, të cilat mund të jenë të rëndësishme për vlerësimin e parashikuar në nenin 38 të këtij ligji;
c) kur është e përshtatshme, mendimin e autoritetit tjetër kompetent për blerësin e synuar.
Neni 38
Shqyrtimi i pjesëmarrjes influencuese
1. Autoriteti gjatë shqyrtimit të kërkesës për miratimin e pjesëmarrjes influencuese në shoqërinë administruese vlerëson përshtatshmërinë e blerësit të synuar dhe qëndrueshmërinë financiare të tij, duke marrë parasysh të gjitha kriteret e mëposhtme:
a) blerësi i propozuar të jetë i aftë dhe i përshtatshëm;
b) çdo person kyç dhe personel kyç, që do të drejtojë biznesin e shoqërisë administruese të fondeve si rezultat i blerjes së synuar të jetë i aftë dhe i përshtatshëm;
c) gjendja financiare e blerësit të synuar, në veçanti në lidhje me llojin e veprimtarisë së shoqërisë administruese në të cilin propozohet blerja e pjesëmarrjes influencuese;
ç) nëse shoqëria administruese do të jetë në gjendje të përmbushë dhe vazhdojë të përmbushë kërkesat e ligjit dhe legjislacionit në fuqi, në veçanti nëse grupi, pjesë e të cilit do të bëhet shoqëria administruese e fondeve, ka një strukturë që bën të mundur ushtrimin e mbikëqyrjes efektive, shkëmbimin efektiv të informacionit ndërmjet autoriteteve kompetente dhe, nëse është e mundur, të përcaktohet shpërndarja e përgjegjësive ndërmjet autoriteteve kompetente rregullatore;
d) burimin e kapitalit;
dh) nëse ekzistojnë baza të arsyeshme për të besuar që në lidhje me blerjen e synuar është kryer ose mund të kryhet pastrim parash ose financim terrorizmi në kuptim të legjislacionit që rregullon pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
2. Gjithashtu, Autoriteti mund të kërkojë dokumentet dhe kërkesat që parashikohen në nenin 11 të këtij ligji për aq sa është e zbatueshme.
Neni 39
Miratimi i pjesëmarrjes influencuese
1. Autoriteti mund të kërkojë nga individi ose personi juridik që aplikon për t’u bërë aksionar influencues, për të rritur ose zvogëluar pjesëmarrjen në shoqëri, informacione dhe dokumente të mëtejshme, të cilat Autoriteti i gjykon të nevojshme.
2. Autoriteti vlerëson nëse individi ose personi juridik është i përshtatshëm dhe i aftë para se të miratojë pjesëmarrjen influencuese të tij në shoqërinë administruese.
3. Autoriteti miraton ose refuzon kërkesën e individit ose personit juridik për t’u bërë aksionar influencues për të rritur ose zvogëluar pjesëmarrjen në shoqëri brenda 3 muajve nga data e njoftimit të plotë.
4. Autoriteti në vendimin për miratimin e pjesëmarrjes influencuese në shoqërinë administruese mund të përcaktojë kufirin maksimal të interesit, që lejohet të arrijë ky individ ose personi juridik, duke arsyetuar vendimin.
5. Autoriteti në vendimin që miraton pjesëmarrjen influencuese në shoqërinë administruese mund të përcaktojë, sipas rastit, afatin brenda të cilit duhet të kryhet blerja e synuar ose shitja e propozuar dhe ta zgjasë afatin nëse është e përshtatshme. Afati i miratimit nga Autoriteti për një aksionar influencues, sipas këtij neni, përfundon brenda një viti nga data e miratimit nëse individi ose personi juridik nuk është bërë aksionar influencues.
Neni 40
Kundërshtimi për aksionarin influencues
1. Në rastet kur Autoriteti ka të dhëna se individi ose personi juridik, i cili është aksionar influencues i një shoqërie administruese, nuk i plotëson kërkesat e përshtatshmërisë dhe të aftësisë sipas nenit 15 të këtij ligji, njofton me shkrim shoqërinë, duke dhënë arsyet të cilat çuan Autoritetin të krijojë bindjen se individi ose personi juridik nuk plotëson më kushtet për aftësi dhe përshtatshmëri për të qenë aksionar influencues.
2. Autoritetit nuk i kërkohet ta përcaktojë në njoftimin e nxjerrë, sipas pikës 1 të këtij neni, arsyen kur kjo çon në zbulimin e një informacioni konfidencial ose mund të dëmtojë një palë të tretë.
3. Para se të nxjerrë njoftimin sipas pikës 1 të këtij neni, Autoriteti njofton paraprakisht aksionarin influencues duke dhënë arsyet për të cilat nuk është i përshtatshëm për të qenë aksionar influencues i shoqërisë administruese.
4. Aksionari, që ka marrë njoftimin sipas pikës 3 të këtij neni, brenda një periudhe prej 20 ditësh pune mund të përgjigjet me shkrim duke dhënë arsyetimet e veta. Autoriteti vlerëson çdo parashtrim me shkrim, që ka marrë nga aksionari influencues dhe përgjigjet brenda 25 ditëve pune nga data e marrjes së parashtrimeve me shkrim. Autoriteti refuzon parashtrimet e aksionarit nëse krijon bindjen se ky aksionar nuk është më personi i përshtatshëm dhe i aftë për të qenë aksionar influencues.
Neni 41
Kufizimet ndaj aksionarit influencues që nuk është i përshtatshëm dhe i aftë
Kur një person është bërë ose vazhdon të jetë aksionar influencues pa miratim nga Autoriteti, ky i fundit mund të urdhërojë që aksionet e tij deri në një njoftim të mëtejshëm t’u nënshtrohen kufizimeve të mëposhtme:
a) çdo transferim ose marrëveshje për transferim të aksioneve të aksionarit influencues pezullohet;
b) asnjë e drejtë vote nuk mund të ushtrohet për aksionet;
c) asnjë pagesë e çfarëdo shume, që rrjedh nga aksionet, nuk duhet t’i bëhet aksionarit influencues nga shoqëria administruese.
Neni 42
Transferimi vullnetar i administrimit të fondit të pensionit
1. Shoqëria administruese e fondit të pensionit, e licencuar sipas këtij ligji, mund t’ia transferojë administrimin e fondit të pensionit një shoqërie tjetër administruese, që është e licencuar nga Autoriteti.
2. Transferimi i propozuar i njoftohet paraprakisht me shkrim Autoritetit, i cili jep miratimin përpara kryerjes së transferimit.
3. Shoqëria administruese që transferon administrimin e fondit të pensionit, informon anëtarët e fondit/fondeve nën administrim lidhur me transferimin tre muaj përpara transferimit. Gjatë kësaj periudhe nuk zbatohet asnjë komision transferimi për transferimin e aktiveve te shoqëria tjetër administruese dhe asnjë penalitet nëse anëtari tërheq aktivet nga fondi i pensionit.
4. Shoqëria administruese që transferon të drejtën për administrim, nënshkruan një kontratë me një shoqëri tjetër administruese të licencuar për transferimin e administrimit, e cila përmban:
a) një përshkrim të detajuar të të gjitha procedurave dhe veprimeve, që do të ndërmerren nga të dyja shoqëritë për transferimin e administrimit;
b) një grafik kohor që fillon me informimin e anëtarëve të fondit të pensionit dhe mbaron me përfundimin e transferimit.
Neni 43
Transferimi i detyruar i administrimit të fondit të pensionit
1. Shoqëria administruese e fondit të pensionit, e licencuar sipas këtij ligji, është e detyruar të transferojë administrimin e fondit të pensionit te një shoqëri tjetër administruese, që është e licencuar nga Autoriteti, nëse:
a) Autoriteti heq licencën e shoqërisë administruese për administrimin e fondit të pensionit;
b) ndaj shoqërisë administruese janë hapur procedurat e falimentit ose procedurat e likuidimit;
c) autoriteti kompetent i vendit anëtar pritës ndalon që shoqëria administruese në Republikën e Shqipërisë të administrojë një fond me pjesëmarrje të mbyllur në territorin e atij vendi anëtar;
ç) Autoriteti i ndalon shoqërisë administruese të një vendi anëtar të administrojë një fond me pjesëmarrje të mbyllur në territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Transferimi i detyruar te një shoqëri tjetër administruese miratohet nga Autoriteti përpara kryerjes së transferimit.
3. Nga momenti kur shoqëria administruese ndodhet në një nga kushtet e përcaktuara në këtë nen deri në hyrjen në fuqi të miratimit të transferimit të administrimit të fondit të pensionit te shoqëria tjetër administruese, depozitari kryen të gjitha detyrat e domosdoshme për administrimin e fondit të pensionit, me qëllim mbrojtjen e interesave të anëtarëve të fondit.
Neni 44
Përzgjedhja e shoqërisë administruese gjatë transferimit të detyruar të fondit të pensionit
1. Shoqëria administruese, brenda 60 ditëve pune nga ndodhja e një prej rrethanave të parashikuara në nenin 43, merr masa për transferimin e administrimit të fondit të pensionit te një tjetër shoqëri administruese e licencuar nga Autoriteti.
2. Transferimi, sipas këtij neni, kryhet vetëm me miratimin e Autoritetit. Autoriteti në dhënien e vendimit për miratimin e transferimit të administrimit të fondit të pensionit te një shoqëri tjetër, merr në konsideratë vetëm interesat e anëtarëve të fondit. Shoqëria administruese, që transferon të drejtën për administrimin e fondit, nënshkruan një kontratë për kushtet e transferimit me shoqërinë administruese marrëse. Kontrata përmban minimalisht kushtet e përcaktuara në nenin 42 të këtij ligji.
3. Brenda një muaji nga momenti i lidhjes së kontratës së transferimit, shoqëria administruese transferon veprimtarinë e administrimit të fondit të pensionit te shoqëria marrëse.
4. Shoqëria administruese që transferon administrimin e fondit, informon anëtarët e fondit nën administrim lidhur me transferimin tre muaj përpara transferimit. Gjatë kësaj periudhe nuk zbatohet asnjë penalitet për tërheqjen e aktiveve nga fondi. Anëtarët e fondit të pensionit, që transferohen në mënyrë të detyruar, kanë të drejtë të kërkojnë transferimin e aktiveve në një fond tjetër të administruar nga një tjetër shoqëri administruese, pa paguar asnjë komision transferimi.
5. Autoriteti miraton rregullore lidhur me procedurat, afatet kohore dhe përmbajtjen e kontratës së transferimit vullnetar dhe transferimit të detyruar të administrimit të fondit të pensionit, veçanërisht lidhur me shpërndarjen e anëtarëve të fondit në fonde të tjera, likuidimin e vetë fondit dhe çregjistrimin e tij nga regjistri i fondeve.
Neni 45
Ndërprerja vullnetare e veprimtarisë tregtare të shoqërisë administruese
1. Shoqëria administruese e fondit të pensionit me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarëve mund të vendosë mbylljen e veprimtarisë tregtare dhe transferimin e administrimit të fondit/eve të pensionit te një shoqëri tjetër sipas nenit 42 të këtij ligji.
2. Vendimi i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni dhe njoftimi për ndërprerjen e veprimtarisë u dërgohen Autoritetit dhe depozitarit të fondit të pensionit të paktën tre muaj para ditës së ndërprerjes së administrimit të të gjitha fondeve.
Neni 46
Procedura e transferimit të administrimit të fondit të pensionit
1. Shoqëria administruese brenda tre muajve nga dërgimi i njoftimit të përcaktuar në nenin 45 të këtij ligji duhet të kryejë procedurën për transferimin e administrimit të fondit të pensionit në një shoqëri tjetër administruese në përputhje me dispozitat e këtij kreu.
2. Nëse shoqëria administruese ndodhet në kushtet e pamundësisë për të transferuar administrimin e fondeve në një shoqëri tjetër administruese, duhet të njoftojë menjëherë Autoritetin. Në këtë rast do të zbatohen dispozitat e këtij kreu për transferimin e detyruar të administrimit të fondeve.
3. Pas zbatimit të procedurës së transferimit të fondit në një shoqëri tjetër administruese ose pas përfundimit të transferimit të detyruar, Autoriteti i heq licencën e dhënë shoqërisë administruese të fondit të pensionit, e cila çregjistrohet nga regjistri i Autoritetit.
KREU III
KRIJIMI I FONDIT TË PENSIONIT PRIVAT
SEKSIONI I
FONDI I PENSIONIT
Neni 47
Fondi i pensionit privat
1. Fondi i pensionit privat është një grup aktivesh, pa personalitet juridik, i krijuar me qëllim mbledhjen e kontributeve në para në llogaritë personale të anëtarëve të fondit dhe investimit të këtyre fondeve për rritjen e vlerës së aktiveve të fondit të pensionit.
2. Fondi i pensionit privat zotërohet bashkërisht nga anëtarët e tij, ku pronësia individuale përfaqësohet nga numri i kuotave në fondin e pensionit.
3. Administrimi i fondit të pensionit kryhet nga shoqëria administruese e fondit të pensionit.
Neni 48
Administrimi i fondit të pensionit privat
1. Fondi i pensionit privat administrohet nga një shoqëri administruese e fondit të pensionit privat ose një shoqëri administruese e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, me kusht që kjo veprimtari të mos ndalohet nga ligje të tjera në fuqi, si dhe të jetë marrë miratimi i Autoritetit në përputhje me këtë ligj.
2. Përjashtimisht nga parashikimet e pikës 1 të këtij neni, fondi me pjesëmarrje të mbyllur, i krijuar nga një sponsor në Republikën e Shqipërisë, mund të administrohet nga një shoqëri administruese nga një shtet tjetër anëtar në përputhje me nenin 20 të këtij ligji.
Neni 49
Emri i fondit të pensionit privat
Emri i fondit të pensionit privat përmban fjalët “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” ose “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur” dhe asnjë person ose subjekt tjetër, përveçse një fond pensioni, i miratuar nga Autoriteti, nuk mund ta përdorë këtë emër ose ndonjë terminologji tjetër, që e bën një individ të besojë se ky është fond pensioni privat.
Neni 50
Llojet e fondit të pensionit
1. Fondi i pensionit privat, sipas këtij ligji, mund të krijohet si:
a) fond pensioni me pjesëmarrje të hapur, i cili krijohet nga shoqëria administruese dhe nuk parashikon kufizime në anëtarësim. Anëtar i këtij fondi mund të jetë çdo individ, përfshirë punëmarrësit e punëdhënësit, i cili zgjedh të kontribuojë në fondin e krijuar nga shoqëria administruese, pa krijuar një fond pensioni të posaçëm sipas shkronjës “b” të këtij neni.
b) fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur, i cili i krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash, shoqatë apo çdo kombinim i tyre, në cilësinë e sponsorit, sipas një marrëveshjeje apo akti krijimi. Pjesëmarrja në këtë fond është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të sipërpërmendura.
2. Aktivet e fondit me pjesëmarrje të hapur duhet të jenë tërësisht të ndara nga aktivet e fondit me pjesëmarrje të mbyllur dhe nga aktivet e tjera të administruara nga shoqëria administruese. Aktivet e një fondi me pjesëmarrje të mbyllur duhet të jenë të ndara nga aktivet e një fondit tjetër me pjesëmarrje të mbyllur.
Neni 51
E drejta për të krijuar fondin e pensionit me pjesëmarrje të mbyllur
1. Të drejtën të krijojë një fond me pjesëmarrje të mbyllur, sipas nenit 50 të këtij ligji, e ka një punëdhënës, disa punëdhënës ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë apo bashkime sindikatash, shoqatë apo çdo kombinim i tyre, në cilësinë e sponsorit, në bazë të:
a) aktit për krijimin e fondit të organit drejtues, në rastin e një sponsori të vetëm;
b) marrëveshjes për krijimin e fondit, në rastin e bashkimit të më shumë se një sponsori.
2. Ndërmjet shoqërisë administruese dhe sponsorit nënshkruhet një kontratë për administrimin e aktiveve të fondit të pensionit.
3. Sponsori që kërkon të krijojë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur për punëmarrësit e tij, sipas pikës 1 të këtij neni, negocion kushtet e fondit të pensionit dhe të kontratës së administrimit me shoqërinë administruese.
Neni 52
Miratimi i fondit të pensionit privat
1. Kërkesa për miratimin e fondit të pensionit privat depozitohet në Autoritet nga shoqëria administruese dhe duhet të përmbajë:
a) dokumente që vërtetojnë statusin e licencimit ose të njohjes së shoqërisë administruese dhe emrin e plotë, adresën, numrin e telefonit, si dhe adresën e postës elektronike të përfaqësuesit të autorizuar;
b) emrin e fondit, përfshirë objektivat dhe strategjinë e tij të investimit;
c) prospektin e fondit;
ç) kontratën tip të anëtarësimit në fondin me pjesëmarrje të hapur;
d) deklaratën tip të pranimit të pjesëmarrjes në fond, si për punëmarrësit e një punëdhënësi në fondin me pjesëmarrje të hapur, ashtu dhe për punëmarrësit e një sponsori në fondin me pjesëmarrje të mbyllur;
dh) marrëveshjen ndërmjet shoqërisë administruese dhe depozitarit për kryerjen e veprimtarive të depozitarit;
e) marrëveshjen me audituesin ligjor të pavarur dhe dokumentet që vërtetojnë përputhshmërinë e audituesit me kërkesat e nenit 33;
ë) dokumente që vërtetojnë se shoqëria administruese plotëson kërkesat organizative të përcaktuara në seksionin V të kreut II të këtij ligji, me përjashtim të rastit kur shoqëria administruese administron të paktën një fond të miratuar nga Autoriteti.
2. Në rastin e një fondi me pjesëmarrje të mbyllur depozitohet kontrata ndërmjet sponsorit dhe shoqërisë administruese për administrimin e aktiveve të fondit dhe, sipas rastit, marrëveshja për krijimin e fondit me pjesëmarrje të mbyllur kur bashkohen më shumë se një sponsor ose akti i krijimit në rastin e një sponsori të vetëm.
3. Në rastin kur shoqëria administruese e një vendi anëtar kërkon të administrojë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur në Republikën e Shqipërisë, depozitohet dokumenti që vërteton statusin e njohjes ose licencimit të shoqërisë së huaj, si dhe emrin, adresën dhe kontaktet e përfaqësuesve zyrtarë të autorizuar.
4. Subjekti kërkues depoziton vërtetimin për pagesën e tarifës së aplikimit për miratim ndaj Autoritetit.
Neni 53
Dhënia e miratimit
1. Autoriteti vlerëson nëse kërkesa është e plotë ose jo dhe e informon për këtë subjektin kërkues.
2. Autoriteti brenda 3 muajve nga data e marrjes së kërkesës së plotë shprehet me shkrim për miratimin ose refuzimin e miratimit të fondit të pensionit privat.
3. Autoriteti mund t’i kërkojë shoqërisë administruese informacion shtesë apo modifikim/përditësim të tij. Dokumentacioni depozitohet në Autoritet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e kërkesës së Autoritetit.
4. Autoriteti ndërpret procedurat e shqyrtimit të kërkesës për miratim në rastet kur dokumentacioni i kërkuar për miratim nuk plotësohet nga subjekti kërkues brenda afatit të parashikuar në pikën 3 të këtij neni.
5. Kërkesa për miratim mund të tërhiqet me njoftim me shkrim në çdo moment përpara se Autoriteti të marrë vendim.
6. Fondi fillon veprimtarinë vetëm pas miratimit të tij nga Autoriteti.
7. Autoriteti konsultohet paraprakisht me autoritetin rregullator të vendit anëtar të shoqërisë së huaj administruese lidhur me miratimin e fondit të pensioneve në Republikën e Shqipërisë.
8. Shoqëria administruese njofton Autoritetin për çdo ndryshim të mëtejshëm të kontratës, prospektit ose të rregullave të fondit.
Neni 54
Refuzimi i miratimit
1. Autoriteti vendos refuzimin e kërkesës për miratimin e një fondi nëse:
a) dokumentacioni i dorëzuar nuk është në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe rregulloret e miratuara në zbatim të tij;
b) gjykohet se përmbajtja e dokumenteve cenon interesat e anëtarëve të fondit dhe nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme të tyre;
c) prospekti nuk është në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregulloret e miratuara në bazë të këtij ligji;
ç) shoqëria administruese nuk plotëson kushtet e nevojshme për administrimin e fondit të pensionit, të parashikuara në këtë ligj dhe rregulloret e miratuara në bazë të këtij ligji;
d) shoqëria administruese nuk ka strukturën organizative sipas kërkesave të këtij ligji, ose personat kyç dhe personeli kyç i shoqërisë administruese ose i depozitarit nuk janë të aftë dhe të përshtatshëm në bazë të nenit 15 të këtij ligji, apo nuk kanë përvojën e mjaftueshme që Autoriteti të krijojë bindjen se administrimi i fondit do të kryhet në interesin më të mirë të anëtarëve.
2. Autoriteti, në rast të refuzimit të miratimit, arsyeton me shkrim vendimin për mosdhënien e miratimit.
3. Autoriteti mund të refuzojë kërkesën e shoqërisë administruese për miratimin e fondit të pensionit nëse ndaj kësaj shoqërie është vendosur masë mbikëqyrëse për shkak të shkeljeve të këtij ligji dhe të rregulloreve të miratuara në bazë të tij.
Neni 55
Miratimi në të njëjtën kohë
Autoriteti vendos njëkohësisht për miratimin e kërkesës për krijimin dhe administrimin e fondit të pensionit privat, kontratave tip të anëtarësimit, përfshirë kontratën e administrimit të aktiveve lidhur midis shoqërisë administruese dhe sponsorit për fondin me pjesëmarrje të mbyllur, si dhe prospektit për çdo fond të pensionit privat.
Neni 56
Revokimi i miratimit të fondit të pensionit
1. Autoriteti mund të revokojë miratimin e fondit kur:
a) nuk respektohen kushtet e përcaktuara në prospekt;
b) shoqërisë administruese i hiqet e drejta për të ushtruar veprimtarinë e administrimit të fondeve të pensionit.
2. Shoqëria ndalohet të investojë aktivet e fondit nga momenti i revokimit të miratimit të fondit të pensionit dhe merr masa të menjëhershme për transferimin e administrimit të fondit të pensionit.
Neni 57
Mbrojtja e aktiveve të anëtarit
1. Aktivet e fondit të pensionit nuk mund të jenë objekt i pretendimeve ose ekzekutimeve të kryera në emër dhe për llogari të kreditorëve të shoqërisë administruese të fondit të pensionit.
2. Aktivet e fondit të pensionit veçohen nga aktivet e shoqërisë administruese dhe nuk mund të jenë pjesë e procedurës së falimentimit të shoqërisë administruese.
3. Anëtari i fondit të pensionit nuk mund të vendosë si kolateral ose garanci aktivet që disponon në llogarinë e fondit të pensionit.
4. Fondet në llogarinë personale të një anëtari të fondit mund të trashëgohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, që rregullon të drejtën e trashëgimisë.
Neni 58
Përllogaritja e vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit
1. Shoqëria administruese është përgjegjëse për përcaktimin e vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit, duke zbritur të gjitha detyrimet për fondin. Llogaritja e vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit duhet të sigurojë trajtim të paanshëm të të gjithë anëtarëve të fondit dhe duhet të jetë në interes të të gjithë anëtarëve të fondit.
2. Shoqëria administruese është përgjegjëse për saktësinë e llogaritjes së vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit për çdo anëtar në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Neni 59
Kontributet në fondin e pensionit
1. Pagesat në formë kontributi të bëra në llogarinë personale të anëtarit, si dhe aktivet e transferuara në fond do të shndërrohen në kuota pensioni në ditën e mbërritjes së pagesës në llogarinë e fondit me çmimin e kuotës të ditës së mbërritjes së pagesës.
2. Çmimi fillestar i kuotave të fondit përcaktohet në prospektin e fondit.
3. Shoqëria administruese është përgjegjëse për shndërrimin e kontributeve në kuota pensioni.
4. Për qëllime vlerësimi, çdo kuotë pensioni përfaqëson një pjesë përpjesëtimore pronësie në aktivet e fondit të pensionit. Vlera totale e kuotave në fondin e pensionit është gjithmonë e barabartë me vlerën totale neto të aktiveve të fondit të pensionit.
Neni 60
Përgjegjësia për llogaritjen e vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit,
si dhe të çmimit të kuotës
1. Vlera neto e aktiveve dhe çmimi i kuotës së fondit do të llogariten nga shoqëria administruese në përputhje me politikat e miratuara të kontabilitetit, si dhe metodologjisë së vlerësimit, sipas këtij ligji, rregulloret e miratuara në bazë të tij dhe prospektit të fondit.
2. Metodologjia e vlerësimit të aktiveve të fondit të pensionit miratohet nga shoqëria administruese e fondeve dhe nga depozitari dhe përshkruhet në mënyrë të përgjithshme në prospektin e fondit të pensionit.
3. Depozitari i fondit kontrollon dhe verifikon llogaritjen e vlerës neto të aktiveve të fondit dhe çmimin e kuotës në përputhje me politikat e kontabilitetit dhe metodologjinë e vlerësimit. Depozitari është përgjegjës për saktësinë e llogaritjes dhe nënshkruan dokumentin që përmban përcaktimin e vlerës së aktiveve dhe mban një kopje në dosjen e vet, e cila i vihet në dispozicion Autoritetit në inspektim, sipas kërkesës.
4. Nëse depozitari gjatë kontrollit të llogaritjes së vlerës neto të aktiveve të fondit identifikon pasaktësi dhe/ose parregullsi, njofton menjëherë me shkrim ose në mënyrë elektronike shoqërinë administruese.
5. Audituesi i jashtëm i fondit të pensionit gjatë auditimit vjetor kontrollon për të siguruar që janë respektuar kërkesat e vlerësimit, çmimi i llogaritur i kuotave është i saktë dhe tarifa e administrimit është në përputhje me këtë ligj dhe me aktet rregullative të miratuara nga Autoriteti në zbatim të këtij ligji.
6. Shoqëria administruese publikon në faqen zyrtare të internetit çdo ditë çmimin e kuotës së fondeve dhe vlerën neto të aktiveve pas rakordimit dhe konfirmimit me depozitarin e fondit.
7. Shoqëria administruese është përgjegjëse për vlerësimin e saktë të aktiveve të fondit, saktësinë e llogaritjes së vlerës neto të aktiveve dhe çmimin e kuotës.
8. Në rast se llogaritja dhe kontrolli i vlerës neto të aktiveve të fondit nuk kryhen brenda afatit të parashikuar, shoqëria administruese dhe depozitari duhet të njoftojnë Autoritetin duke specifikuar arsyet për të cilat është e pamundur të përcaktohet vlera neto e aktiveve të fondit të pensionit.
9. Autoriteti nxjerr rregullore për mënyrën dhe afatin e përllogaritjes së vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit dhe shndërrimin e kontributeve në kuota, përfshirë çmimin e kuotës, si dhe mënyrën e raportimit.
Neni 61
Mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit
1. Detyrimet e vetë shoqërisë administruese nuk mund t’i ngarkohen fondit të pensionit.
2. Anëtarët e fondit nuk janë përgjegjës për detyrimet e shoqërisë administruese, që rrjedhin nga veprimet juridike në emër të vetë shoqërisë administruese dhe për llogari të anëtarëve të fondit. Shoqëria administruese nuk mund të kryejë transaksione ligjore nga të cilat mund të lindin detyrime të drejtpërdrejta për anëtarët e fondit. Të gjitha veprimet ligjore në kundërshtim me këtë paragraf janë të pavlefshme.
SEKSIONI II
ANËTARËSIMI NË FONDIN E PENSIONIT
Neni 62
Kontrata e anëtarësimit
1. Anëtarësimi në fondin me pjesëmarrje të hapur bëhet nëpërmjet:
a) nënshkrimit të kontratës së anëtarësimit individual, kur anëtari i fondit është individ;
b) nënshkrimit nga punëmarrësi të deklaratës së pranimit të pjesëmarrjes në fondin e pensionit të zgjedhur nga punëdhënësi.
2. Deklarata e pranimit të pjesëmarrjes në fond nënshkruhet edhe nga punëmarrësit e sponsorit, i cili krijon fondin e pensionit me pjesëmarrje të mbyllur.
3. Anëtarësimi i punëmarrësve si në fondin me pjesëmarrje të hapur, ashtu dhe në fondin me pjesëmarrje të mbyllur bëhet nëpërmjet punëdhënësit ose sponsorit.
4. Shoqëria administruese publikon në faqen e internetit kontratat tip të anëtarësimit dhe deklaratën e pranimit të pjesëmarrjes për punëmarrësit e një punëdhënësi ose të një sponsori.
5. Kontrata e anëtarësimit ose deklarata e pranimit të pjesëmarrjes nënshkruhet vetëm pasi anëtari i mundshëm është njohur me prospektin e fondit të pensionit.
6. Me nënshkrimin e kontratës së anëtarësimit ose deklaratës së pranimit të pjesëmarrjes shoqëria administruese detyrohet të regjistrojë anëtarin në regjistrin e anëtarëve, të hapë një llogari personale në emër të anëtarit të fondit dhe pas kryerjes së pagesës në llogarinë e fondit të bëjë konvertimin e kësaj të fundit në kuota, ta pajisë anëtarin me kredencialet përkatëse, si dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e tjera ligjore të nevojshme për administrimin e fondit të pensionit.
7. Përpara nënshkrimit të kontratës së anëtarësimit shoqëria administruese ose agjenti i fondit të pensionit është i detyruar të informojë anëtarin e fondit për të gjitha tarifat që do t’i ngarkohen, opsionet e pagesës së pensionit me lindjen e së drejtës për pension, kushtet kur lind e drejtat e pensionit, kushtet për tërheqjen nga fondi apo transferimin e aktiveve, rreziqet e investimit, si dhe mënyra dhe afatet për informimin e anëtarit të fondit të pensionit.
8. Autoriteti me rregullore përcakton elementet e kontratës së anëtarësimit në fondin me pjesëmarrje të hapur, deklaratës së pranimit të pjesëmarrjes, si për punëmarrësit e një punëdhënësi në fondin me pjesëmarrje të hapur, ashtu dhe për punëmarrësit e një sponsori në fondin me pjesëmarrje të mbyllur, si dhe të kontratës së administrimit të aktiveve ndërmjet sponsorit dhe shoqërisë administruese.
9. Anëtarësimi në fondin e pensionit mund të bëhet nëpërmjet kontratës së lidhur në largësi me mjete elektronike, me kusht që të zbatohen kërkesat e legjislacionit përkatës.
10. Autoriteti mund të miratojë rregulla për procedurën e lidhjes, afatet dhe tërheqjen nga kontrata në largësi.
Neni 63
Refuzimi i anëtarësisë
1. Shoqëria administruese mund të refuzojë lidhjen e kontratës së anëtarësisë nëse:
a) ekziston dyshimi se mund të kryhet vepra penale e pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit;
b) ekziston një shkak i ligjshëm ose një vendim gjykate, i cili pengon shoqërinë administruese të pranojë anëtarin në fond.
2. Kur shoqëria administruese refuzon lidhjen e kontratës së anëtarësimit në fond, duhet të informojë anëtarin e mundshëm për arsyet e refuzimit, përveçse kur legjislacioni në fuqi nuk e lejon.
Neni 64
Ndërprerja e anëtarësisë
1. Anëtari i fondit brenda 30 ditëve kalendarike nga data e kryerjes së pagesës së kontributit të parë në llogarinë e fondit mund të zgjidhë pa penalitete kontratën e anëtarësimit në fond, pa përmendur arsye të veçanta, duke njoftuar me shkrim ose postë elektronike shoqërinë administruese.
2. Në rastin e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, shoqëria administruese duhet t’i kthejë anëtarit vlerën e kontributeve të paguara në llogari, përfshirë kthimin nga investimi, përjashtuar tarifën e administrimit për atë periudhë.
3. Shoqëria administruese duhet të bëjë pagesën brenda 5 ditëve pune nga dita e marrjes së kërkesës me shkrim të anëtarit, sipas paragrafit 1 të këtij neni.
Neni 65
Përfundimi i anëtarësisë
1. Nëse anëtari i fondit të pensionit ka zgjedhur të marrë pagesën e pensionit nëpërmjet një shoqërie të sigurimit të jetës sipas nenit 74, anëtarësia e tij në fond përfundon me kalimin e aktiveve në llogarinë e anëtarit në shoqërinë e sigurimit të jetës, sipas zgjedhjes së anëtarit, në përputhje me dispozitat e nenit 74 të këtij ligji.
2. Nëse anëtari i fondit plotëson kushtet për marrjen e pagesës së pensionit dhe ka zgjedhur marrjen e pagesës nëpërmjet shoqërisë administruese, anëtarësia e tij në fond nuk do të përfundojë me lidhjen e kontratës me shoqërinë administruese, të përcaktuar në nenin 75, por vetëm kur të jenë shlyer dhe kuotat e fundit në llogarinë e anëtarit në fondin e pensionit në përputhje me dispozitat e kontratës në fjalë.
3. Anëtari në një fond më pjesëmarrje të hapur mund të tërhiqet nga anëtarësia në atë fond nën kushtet dhe në mënyrën e përcaktuar në kontratën e anëtarësimit, ndërsa anëtari i një fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të tërhiqet nga anëtarësia në fond në rastin kur nuk plotëson më kushtet e përcaktuara në nenin 66 të këtij ligji.
4. Nëse anëtari, përkohësisht ose përgjithmonë, pushon së kontribuari në fondin e pensionit, ai mbetet anëtar në fondin e pensionit dhe ka të njëjtat të drejta si anëtarët e tjerë të fondit të pensionit.
Neni 66
Anëtarësimi në një fond me pjesëmarrje të mbyllur
1. Anëtarë të fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur mund të jenë:
a) punëmarrësit e një punëdhënësi, i cili në cilësinë e sponsorit krijon një fond me pjesëmarrje të mbyllur, përfshirë edhe ish-punëmarrësit e atij punëdhënësi;
b) anëtarët e një sindikate që sponsorizon një fond me pjesëmarrje të mbyllur, duke përfshirë ish-anëtarët e asaj sindikate;
c) anëtarët e një shoqate të profesioneve të pavarura ose shoqatat profesionale, që sponsorizojnë një fond me pjesëmarrje të mbyllur, përfshirë ish-anëtarët e atyre shoqatave;
ç) personat e vetëpunësuar të organizuar në formë shoqate/organizate.
2. Anëtarësia në një fond me pjesëmarrje të mbyllur rregullohet nga prospekti, marrëveshja për krijimin e fondit me pjesëmarrje të mbyllur ose akti i krijimit, si dhe deklarata se punëmarrësi pranon të anëtarësohet në fondin me pjesëmarrje të mbyllur.
3. Sponsori/punëdhënësi mund të përcaktojë një periudhë përpara se punëmarrësit t’i lindë e drejta për të përfituar kontributet e derdhura nga punëdhënësi në favor të tij. Ky detyrim zbatohet edhe nga punëdhënësi që zgjedh të kontribuojë për punëmarrësit e tij në fondin me pjesëmarrje të hapur.
4. Periudha përpara se punëmarrësit t’i njihet e drejta e përfitimit të kontributeve të paguara nga punëdhënësi nuk mund të jetë më e gjatë se pesë vjet.
Neni 67
Transferimi i aktiveve
1. Anëtari i fondit të pensionit ka të drejtë të transferojë aktivet në llogarinë e tij në një fond tjetër pensioni, të administruar nga e njëjta shoqëri administruese ose nga një shoqëri administruese tjetër. Transferimi i aktiveve në një fond tjetër pensioni të administruar nga e njëjta shoqëri administruese nuk shoqërohet me komision transferimi.
2. Në rastin e transferimit të aktiveve të anëtarit në një shoqëri tjetër administruese, shoqëria administruese me marrjen e kërkesës me shkrim nga anëtari për të transferuar aktivet njofton brenda 5 ditëve pune shoqërinë tjetër administruese për kërkesën e anëtarit për transferimin e aktiveve.
3. Shoqëria administruese ekzekuton transferimin e aktiveve në llogari brenda 10 ditëve pune nga data e marrjes së konfirmimit të shoqërisë administruese tjetër, sipas pikës 2 të këtij neni.
4. Në rastin e transferimit brenda të njëjtës shoqëri administruese, transferimi ekzekutohet brenda 5 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës nga anëtari.
5. Brenda 5 ditëve pune nga dita e transferimit të llogarisë, shoqëria informon anëtarin për ekzekutimin e transferimit, vlerën totale neto të aktiveve të transferuara, përfshirë kthimin nga investimi, si dhe detyrimet e zbritura.
6. Transferimi i aktiveve në llogarinë e anëtarit në një fond pensioni të administruar nga një shoqëri tjetër administruese shoqërohet me një komision transferimi nga fondi deri në masën 0.5 % të shumës së transferuar.
Neni 68
Transferimi i aktiveve në një fond me pjesëmarrje të mbyllur
1. Me përfundimin e marrëdhënies kontraktuale të punës me sponsorin që ka krijuar fondin me pjesëmarrje të mbyllur, anëtari mund të:
a) ruajë cilësinë e anëtarit të fondit pa kontribuar deri në momentin e lindjes të së drejtës për pension;
b) të transferojë vlerën e aktiveve në llogarinë personale te një fond pensioni me pjesëmarrje të hapur, i administruar nga e njëjta shoqëri administruese;
c) të transferojë vlerën e aktiveve në llogarinë personale te një fond pensioni me pjesëmarrje të hapur, i administruar nga një tjetër shoqëri administruese;
ç) të transferojë vlerën e aktiveve në llogarinë personale te një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur, të krijuar nga një sponsor tjetër i administruar nga e njëjta shoqëri administruese;
d) të transferojë vlerën e aktiveve në llogarinë personale te një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur, të krijuar nga një sponsor tjetër i administruar nga një shoqëri administruese tjetër.
2. Transferimi i aktiveve, sipas pikës 1, shkronjave “b” dhe “ç”, të këtij neni, nuk shoqërohet me komision transferimi.
Neni 69
Mosdiskriminimi
1. Anëtarësia në një fond me pjesëmarrje të mbyllur nuk duhet të kufizohet për punëmarrës të caktuar dhe duhet t’u ofrohet të gjithë punëmarrësve pa bërë dallime midis punëmarrësve në fond.
2. Një punëmarrës nuk mund të detyrohet të marrë pjesë apo të vazhdojë të marrë pjesë në fondin me pjesëmarrje të mbyllur dhe pa miratimin me shkrim të tij nuk mund të bëhet asnjë zbritje nga paga për kontributet në fondin e pensionit.
3. Anëtari mund të ndërpresë, të zvogëlojë ose të rrisë kontributet individuale në çdo kohë.
4. Sponsori ose punëdhënësi, i cili kontribuon për punëmarrësit e tij në një fond pensioni, harton rregulla të brendshme mbi përfshirjen e punëmarrësve në fond, informimin e tyre dhe nivelin e kontributeve, veçanërisht për punëmarrësit e rinj.
5. Parashikimet e këtij neni zbatohen gjithashtu edhe nga punëdhënësi që zgjedh fondin me pjesëmarrje të hapur.
Neni 70
Skeduli i kontributeve për fondin e pensionit
1. Përpara derdhjes së kontributeve për llogari të fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur, sponsori pajis shoqërinë administruese me skedulin e kontributeve, përfshirë shumën e kontributit të derdhur nga sponsori për secilin punëmarrës dhe shumën e kontributit të derdhur nga vetë punëmarrësi në fondin e pensionit.
2. Detyrimi, i parashikuar në pikën 1 të këtij neni, zbatohet edhe nga punëdhënësi që zgjedh të kontribuojë në fondin me pjesëmarrje të hapur për punëmarrësit e tij.
3. Sponsori duhet të përditësojë çdo muaj skedulin nëse ka ndryshime në shumat e kontributeve. Skeduli duhet të përfshijë pagesat shtesë në emër të punëmarrësit pasi t’i jenë ndaluar nga paga.
4. Sponsori është përgjegjës ndaj punëmarrësve për mospagimin e kontributeve.
5. Shoqëria administruese kontrollon përputhjen e çdo skeduli me kontratën e fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur, si dhe me kontributet e marra çdo muaj. Në rast mospërputhjesh, shoqëria administruese brenda një kohe të arsyeshme njofton sponsorin dhe kërkon korrigjimin e skedulit ose të kontributeve të paguara gabim. Nëse sponsori nuk paguan kontribute brenda tre muajve, sipas skedulit të rënë dakord, shoqëria administruese duhet të njoftojë anëtarin.
Neni 71
E drejta e anëtarit të transferuar me punë në një vend tjetër anëtar
1. Anëtari i fondit të pensionit i transferuar me punë për llogari të sponsorit ose të punëdhënësit në një vend anëtar ose në një vend tjetër, do të vazhdojë të jetë anëtar i fondit të pensionit.
2. Sponsori ose punëdhënësi është i detyruar të sigurojë vazhdimin e pagesave në llogarinë personale të anëtarit në fondin e pensionit ku anëtari bën pjesë.
3. Shoqëria administruese duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar ruajtjen e të drejtës së pensionit dhe të drejtave të fituara nga anëtari i fondit.
Neni 72
Tërheqja e parakohshme
1. Tërheqja e vlerës neto të aktiveve nga llogaria individuale e fondit të pensionit përpara plotësimit të kushteve të përcaktuara në nenin 73, pika 1, të këtij ligji, quhet tërheqje e parakohshme.
2. Tërheqja e parakohshme shoqërohet me penalitete, që llogariten në raport me kohën e përmbushur nga anëtari nga çasti i kontributit të tij të parë e deri në çastin e tërheqjes së parakohshme.
3. Autoriteti nxjerr rregullore për penalitetet e zbatuara në rastin e tërheqjes së parakohshme nga fondi i pensionit.
SEKSIONI III
PAGESA E PENSIONIT
Neni 73
Pagesa e pensionit
1. Anëtari i fondit të pensionit, sipas zgjedhjes, ka të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës neto të aktiveve në llogarinë e vet ose pagesat periodike në formë pensioni që i përgjigjen kësaj vlere kur:
a) mbush moshën e pensionit, të parashikuar me ligj, për sistemin e pensionit të detyrueshëm, që zbatohet për atë anëtar;
b) 5 vjet përpara se të mbushë moshën e pensionit, të parashikuar në shkronjën “a” të kësaj pike;
c) bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme dhe që vërtetohet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Anëtari i fondit të pensionit gëzon të drejtën e përdorimit të vlerës neto të aktiveve në llogarinë e tij apo të një pjese të saj për blerjen e një kontrate të sigurimit të jetës në formë “anuiteti”, të lëshuar nga një shoqëri e sigurimit të jetës, e licencuar nga Autoriteti.
3. E drejta e pakushtëzuar e anëtarit të fondit për marrjen e pagesës së menjëhershme të të gjitha aktiveve neto në llogarinë e tij në fondin e pensionit apo e pagesave periodike në formë pensioni, pas plotësimit të kushteve, sipas legjislacionit në fuqi, duhet të jetë e shkruar qartë në kontratën dhe prospektin e fondit të pensionit privat.
4. Shoqëria administruese, e cila kryen aktivitet ndërkufitar bën pagesën e pensionit në vendin ku përfituesi rezident ka vendbanimin.
5. Autoriteti miraton rregullore për mënyrën, afatet dhe procedurën e pagesës së pensionit.
Neni 74
Pagesa e pensionit përmes shoqërisë së sigurimit të jetës
1. Nëse anëtari i fondit të pensionit, me plotësimin e kushteve të parashikuara në nenin 73, pika 1, të këtij ligji, vendos të blejë një kontratë të sigurimit të jetës në formë “anuiteti” nga një shoqëri sigurimi jete, vlera neto e aktiveve në llogarinë e anëtarit të fondit do të transferohet te shoqëria e sigurimit të jetës sipas opsionit të zgjedhur nga anëtari i fondit.
2. Shoqëria administruese njofton shoqërinë e sigurimit të jetës për kërkesën e anëtarit të fondit dhe merr një konfirmim nga kjo e fundit për blerjen e kontratës së sigurimit të jetës në formë “anuiteti”. Shoqëria e sigurimit të jetës që ofron shërbimin e pagesës së pensionit, përveç dispozitave të këtij ligji, duhet të zbatojë gjithashtu dispozitat e ligjit që rregullojnë krijimin dhe veprimtarinë e shoqërive të sigurimit.
3. Vlera neto në llogarinë e anëtarit të fondit të pensionit, e transferuar te shoqëria e sigurimit të jetës, sipas paragrafit 1 të këtij neni, duhet të përdoret vetëm për qëllim të blerjes së një kontrate të sigurimit të jetës në formë “anuiteti” të lëshuar nga një shoqëri e sigurimit të jetës.
Neni 75
Pagesa e pensioneve në mënyrë periodike
1. Pavarësisht vlerës neto të aktiveve në llogarinë e tij, me plotësimin e kushteve të parashikuara në nenin 73, pika 1, të këtij ligji, anëtari i fondit mund të vendosë të marrë pagesa periodike mujore në formë pensioni të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet.
2. Ndërmjet anëtarit të fondit dhe shoqërisë administruese lidhet një kontratë e veçantë për kushtet e pagesës së pensionit.
3. Pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit në mënyrë të menjëhershme përpara afatit 2-vjeçar, të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, tatohen me normën në fuqi të tatimit sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi të ardhurat personale.
Neni 76
Pagesa e pensionit në mënyrë të menjëhershme
1. Me përmbushjen e kushteve të përcaktuara në nenin 73, pika 1, të këtij ligji, anëtari i fondit ka të drejtë të marrë vlerën neto të aktiveve në llogarinë e tij në formën e një pagese të menjëhershme.
2. Pas marrjes së njoftimit nga shoqëria administruese, sipas nenit 105 të këtij ligji, anëtari i fondit i bën një kërkesë shoqërisë për marrjen e pagesës së plotë të vlerës neto të aktiveve në llogarinë e tij.
3. Në zbatim të pikës 2 të këtij neni, pasi anëtarit i ka lindur e drejta e përfitimit të pensionit, shoqëria administruese siguron që vlera neto e aktiveve në llogarinë e anëtarit t’i paguhet këtij të fundit brenda 15 ditëve pune nga data e depozitimit së kërkesës nga anëtari.
Neni 77
Sponsori i fondit me pjesëmarrje të mbyllur
1. Sponsori i një fondi me pjesëmarrje të mbyllur paguan rregullisht kontributet në fondin me pjesëmarrje të mbyllur në emër të anëtarëve të fondit.
2. Prospekti i fondit me pjesëmarrje të mbyllur duhet të specifikojë kohën e kryerjes së pagesave të kontributeve të sponsorit në llogaritë personale të anëtarëve.
3. Sponsori i vendosur në një vend anëtar paguan kontribute në fondin me pjesëmarrje të mbyllur kur fondi administrohet nga një shoqëri administruese e vendosur në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, sponsori i vendosur në Republikën e Shqipërisë paguan kontributet në fondin me pjesëmarrje të mbyllur kur fondi administrohet nga një shoqëri administruese e vendosur një vend anëtar.
Neni 78
Regjistri i pronësisë së fondit
1. Kuotat e fondit të pensionit janë të dematerializuara dhe mbahen në formë elektronike në regjistrin e pronësisë së fondit. Regjistri i pronësisë së fondit përbën dëshmi përfundimtare të të drejtave të anëtarëve mbi kuotat e regjistruara në të.
2. Regjistri i pronësisë së fondit duhet të mbajë:
a) emrin, mbiemrin dhe adresën e secilit anëtar dhe numrin personal të identifikimit ose numrin e dokumentit të barasvlershëm të huaj;
b) numrin e kuotave që mban secili anëtar;
c) datën e anëtarësimit në fond.
3. Shoqëria administruese është përgjegjëse të garantojë që regjistri të jetë i plotë, i saktë dhe i përditësuar.
4. Autoriteti përcakton me rregullore formën e organizimit dhe mbajtjes së regjistrit të pronësisë të fondit, si dhe mënyrën e publikimit të të dhënave nga regjistri.
Neni 79
Përgjegjësia për mbajtjen e regjistrit të pronësisë
1. Shoqëria administruese është përgjegjëse për krijimin dhe mbajtjen e regjistrit të kuotave të fondit të pensionit. Depozitari i fondit të pensionit mban njëkohësisht regjistrin e kuotave të fondit, si dhe verifikon dhe kontrollon që çdo veprim i shoqërisë administruese në lidhje me këtë regjistër është në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
2. Nëse regjistri i kuotave mbahet nga një palë e tretë në rastin e delegimit, shoqëria administruese është përgjegjëse për mbajtjen e regjistrit dhe saktësinë e të dhënave.
Neni 80
Dokumenti për pronësinë e anëtarit
1. Shoqëria administruese me kërkesë të anëtarit të fondit mundëson një informacion për fondin e pensionit dhe llogarinë individuale. Ky informacion duhet të përmbajë:
a) emrin dhe mbiemrin e anëtarit;
b) emrin e fondit, shoqërinë administruese ose zyrën e regjistruar të shoqërisë administruese, në rastin e veprimtarisë ndërkufitare;
c) numrin e kuotave në llogarinë personale të anëtarit;
ç) çmimin e kuotës të asaj dite;
d) vlerën e aktiveve në llogarinë personale të anëtarit;
dh) datat, shumat e pagesave të bëra nga anëtari, punëdhënësi dhe sponsori;
e) kthimin e investimit për periudhën nga data e anëtarësimit, si dhe për periudhën 12-mujore;
ë) informacionin për tarifat me të cilat është ngarkuar fondi dhe anëtari deri në datën e lëshimit të dokumentit.
KREU IV
PROMOVIMI I FONDIT TË PENSIONIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Neni 81
Promovimi i fondeve të pensionit
1. Promovimi i fondeve të pensionit dhe shoqërisë administruese kryhet nga:
a) vetë shoqëria administruese;
b) shoqëria administruese e licencuar në një vend anëtar, që njihet nga Autoriteti për të ushtruar veprimtari në Republikën e Shqipërisë;
c) agjenti i fondit.
2. Agjenti i fondit të pensionit mund t’u ofrojë anëtarëve të mundshëm pjesëmarrjen në fondin e pensionit përmes nënshkrimit të kontratës së anëtarësimit në emër dhe për llogari të shoqërisë administruese. Agjenti gjatë ofrimit të anëtarësimit në fondin e pensionit vepron si përfaqësues shitjeje i shoqërisë administruese, në bazë të një kontrate të lidhur me shkrim me shoqërinë administruese.
3. Punëdhënësit, palës së lidhur me punëdhënësin, sindikatës apo çdo forme tjetër organizimi të punonjësve nuk mund t’i ofrohet asnjë përfitim me qëllim inkurajimin e punonjësve për t’u anëtarësuar në një fond pensioni privat.
4. Autoriteti nxjerr rregullore për kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë personat që do të veprojnë si agjenti i fondit të pensionit.
Neni 82
Veprimtaria promovuese
1. Promovimi i fondeve të pensionit dhe shoqërisë administruese kryhet nëpërmjet veprimtarive promovuese nëpërmjet medies së shtypur dhe elektronike dhe përfshin:
a) broshurat;
b) reklama në shtypin e ditës, revista, radio, televizione dhe faqe interneti;
c) materiale promovuese të dërguara me postë të zakonshme ose elektronike, faks ose mjete të tjera;
ç) telemarketing, i cili përfshin përdorimin e një ofruesi të specializuar të shërbimit telemarketing, në bazë të një kontrate të lidhur me shoqërinë administruese;
d) materiale ose mjete të tjera promovimi që mund të lexohen, shihen ose të dorëzohen te publiku.
2. Veprimtaria promovuese, e parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni, duhet të përgatitet në gjuhën shqipe. Shoqëria administruese është e detyruar të ruajë kopje të materialeve me përmbajtje promovuese, si dhe burimet e informacioneve të përmendura në materialet promovuese, sipas afateve kohore që parashikohen në legjislacionin e zbatueshëm në fuqi. Këto të dhëna i vihen në dispozicion Autoritetit për çdo inspektim të mundshëm.
3. Të gjitha veprimtaritë dhe materialet me përmbajtje promovuese miratohen nga një person kyç i shoqërisë administruese në emër të shoqërisë administruese të licencuar.
4. Çdo lloj informacioni ose dokumenti promocional për fondet e pensionit dhe shoqërinë administruese përpara botimit ose publikimit njoftohen në Autoritet.
Neni 83
Mënyra e promovimit
1. Veprimtaria promovuese për fondin e pensionit dhe shoqërinë administruese nuk duhet të përmbajë të dhëna që bien ndesh ose zvogëlojnë rëndësinë e informacioneve, që përmban prospekti i fondit.
2. Në rastin e veprimtarive promovuese për fondin e pensionit dhe shoqërinë administruese duhet të përmbushen kriteret e mëposhtme:
a) qëllimi i veprimtarisë nuk fshihet apo nuk prezantohet në mënyrë mashtruese;
b) paraqitet një përshkrim i saktë dhe i vërtetë i fondit të pensionit që po promovohet, si dhe i detyrimeve dhe i rreziqeve që lidhen me të;
c) faktet e deklaruara duhet të jenë të plota, të qarta, të sakta, të vërteta dhe të kuptueshme, në datën në të cilën jepen, si dhe nuk duhet të jenë çorientuese apo të paraqiten në mënyrë që të interpretohen si parashikim për rezultatet e mundshme të veprimtarisë në të ardhmen. Çdo fakt i dhënë të jetë i vërtetueshëm;
ç) pamja, përmbajtja ose forma e materialit promovues të mos shtrembërojë ose zvogëlojë rëndësinë e çdo deklarate, paralajmërimi ose pretendimi i bërë në bazë të këtij ligji ose një rregulloreje të miratuar në përputhje me këtë ligj;
d) çdo krahasim i bërë të bazohet në fakte, të cilat janë të sakta dhe të përditësuara. Gjithashtu, përfundimet kryesore të këtyre krahasimeve duhet të jepen në mënyrë të qartë dhe çdo krahasim të jepet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, i cili në asnjë mënyrë nuk është çorientues dhe bazohet në të gjithë faktorët kyç për një krahasim të këtij lloji;
dh) nuk duhet të jepet asnjë keqprezantim, në veçanti, për sa u përket njohurive profesionale të personave përgjegjës, aktiveve dhe qëllimit të fondit, veprimtarisë tregtare të shoqërisë administruese dhe pronësisë apo numrit të kuotave në fondin e pensionit;
e) të garantohet që paraqitja, përmbajtja ose forma e informacionit të reklamave nuk shtrembëron, fsheh apo ul rëndësinë e deklaratave, paralajmërimeve ose referencave që jepen sipas këtij ligji apo akteve rregullative të miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij;
ë) të garantohet që asnjë licencë e dhënë nga Autoriteti rregullator të mos citohet pa lejen e këtij Autoriteti, si dhe duhet të garantohet se asnjë palë e tretë të mos besojë që licenca e dhënë nga Autoriteti rregullator ka kuptim të ndryshëm nga certifikata, që vërteton se subjekti në fjalë ka përmbushur të gjitha kushtet për përfitimin e statusit ligjor të treguar në licencë;
f) çdo e dhënë duhet të përfshihet nëse mospërfshirja e kësaj të dhëne do ta bënte veprimtarinë promocionale të pasaktë, të pavërtetë, të paqartë ose çorientuese.
3. Autoriteti miraton rregullore për përmbajtjen, format e reklamimit, ndryshimet dhe ruajtjen e materialeve promovuese për fondin e pensionit dhe shoqërinë administruese.
Neni 84
Publikimi i performancës së fondit të pensionit
Shoqëria administruese publikon performancën e fondit të pensionit nën administrim. Prezantimi i performancës së fondit të pensionit:
a) nuk duhet të ofrojë asnjë garanci apo premtim;
b) nuk duhet të hartohet në formën e një vlerësimi të çfarëdo lloji;
c) duhet të pasqyrojë rezultatet e veprimtarisë së fondit nga themelimi i tij deri në ditën e prezantimit ose për pesë vjetët e fundit;
ç) duhet të përmbajë të dhëna të përditësuara deri në momentin e publikimit të performancës së fondit;
d) nuk duhet të paraqitet në mënyrë të tillë që të sugjerojë se bëhet fjalë për një parashikim të rezultateve të ardhshme të fondit të pensionit.
Neni 85
Veprimtaritë e padëshiruara
1. Nëse Autoriteti vlerëson se veprimtaria promovuese, çdo formë marketimi e fondit të pensionit apo shoqërisë administruese ose publikimi i performancës së fondit është ose mund të jetë keqinformues, ndalon menjëherë publikimin, shpërndarjen apo ofrimin e produktit ose urdhëron shoqërinë administruese të korrigjojë informacionin apo produktin.
2. Autoriteti mund të ndalojë një veprimtari të caktuar duke e deklaruar si të padëshiruara dhe duke publikuar arsyet pse ka marrë një vendim të tillë:
a) për të gjithë ose një kategori të veçantë fondesh pensioni;
b) për të gjithë ose për një kategori të veçantë personash, që ofrojnë shërbime për fonde pensioni
3. Autoriteti urdhëron menjëherë pezullimin e veprimtarisë së padëshirueshme.
Neni 86
Agjenti i fondit të pensionit
1. Gjatë promovimit të fondit dhe nënshkrimit të kontratës së anëtarësimit në një fond pensioni, agjenti vepron si përfaqësues shitjeje i shoqërisë administruese.
2. Marrëdhënia juridike ndërmjet agjentit të fondit të pensionit dhe shoqërisë administruese rregullohet në bazë të një kontrate të lidhur me shkrim ndërmjet palëve.
3. Shoqëria administruese duhet të njoftojë me shkrim Autoritetin brenda 5 ditëve pune, për çdo kontratë të lidhur, sipas pikës 2, të këtij neni, dhe t’i vërë në dispozicion listën e agjentëve.
Neni 87
Përgjegjësitë e agjentit të fondit të pensionit
1. Agjenti i fondit të pensionit duhet të veprojë me ndershmëri, drejtësi dhe profesionalizëm në përputhje me interesin më të mirë të anëtarit të mundshëm, si dhe duhet të vlerësojë para nënshkrimit të kontratës së fondit të pensionit përshtatshmërinë e fondit të pensionit privat me kushtet dhe rrethanat e anëtarit të mundshëm.
2. Agjenti nuk duhet të japë informacione të gabuara ose informacione që mund të mashtrojnë anëtarin e mundshëm në lidhje me gjendjen e fondit, të paraqesë fakte të pavërteta dhe të pasakta në lidhje me fondin, objektivat e investimeve, rreziqet e lidhura, çmimin e kuotës, kthimin nga investimi ose çdo çështje tjetër në lidhje me fondin ose shoqërinë administruese.
3. Gjatë promovimit të fondit të pensionit ose ofrimit të anëtarësimit në fond, agjenti përdor vetëm prospektin, raportet mujore për ecurinë e fondit dhe materialet promovuese të miratuar nga shoqëria administruese.
4. Agjenti i fondit të pensionit duhet të mbajë të dhëna të plota për çdo kontratë të nënshkruar. Agjenti përcjell në kohën e duhur kontratat e lidhura të anëtarësimit tek shoqëria administruese.
5. Agjenti i fondit të pensionit duhet të ruajë konfidencialitetin për të gjitha informacionet e marra nga anëtari i mundshëm. Agjenti i fondit të pensionit nuk duhet të nënshkruajë kontratën pa diskutuar më parë nëse ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit.
6. Shoqëria administruese është përgjegjëse për veprimet dhe mosveprimet e agjentit në lidhje me anëtarin e mundshëm. Shoqëria administruese monitoron veprimtarinë e agjentit të fondit të pensionit. Në rastet e dëmeve të shkaktuara anëtarit të fondit, shoqëria administruese duhet të njoftojë menjëherë Autoritetin duke specifikuar edhe veprimet që duhet të ndërmerren për të ndaluar shkeljen dhe, kur është e përshtatshme, të japë kompensim ose të rishikojë veprimet që janë ndërmarrë.
7. Autoriteti miraton rregullore për regjistrimin e agjentit dhe kushtet e ushtrimit të veprimtarisë.
Neni 88
Regjistri i agjentëve të fondit të pensionit
1. Shoqëria administruese mban regjistrin e agjentëve të fondeve të saj të pensionit. Regjistri duhet të jetë i përditësuar dhe i vihet në dispozicion Autoritetit për qëllime referimi dhe inspektimi.
2. Regjistri duhet të përmbajë emrin, selinë dhe të përshkruajë kompetencat e veçanta që duhet të ushtrojë në emër dhe për llogari të shoqërisë administruese agjenti i fondit të pensionit.
3. Autoriteti mban regjistrin qendror të agjentëve dhe kërkon informacion të vazhdueshëm nga shoqëria administruese, me qëllim përditësimin e tij.
4. Shoqëria administruese duhet të informojë me shkrim Autoritetin menjëherë pas ndërprerjes së marrëdhënies me agjentin për heqjen e emrit të këtij agjenti të fondit të pensionit nga regjistri.
5. Shoqëria administruese është përgjegjëse për saktësinë e informacionit të publikuar, me qëllim promovimin e fondeve të pensionit dhe veprimtarisë së shoqërisë administruese.
KREU V
INVESTIMI I AKTIVEVE TË FONDIT
Neni 89
Rregullat e investimit
Aktivet e fondeve të pensionit duhet të:
1. Investohen në interesin më të mirë afatgjatë të anëtarëve në përputhje me qëllimin e një fondi pensioni privat.
2. Investohen duke respektuar parimet e sigurisë së aktiveve të fondit, diversifikimit të portofolit dhe mbajtjes së likuiditetit të përshtatshëm, në kontekstin e arritjes së një fitimi afatgjatë për sigurimin e aktiveve dhe të ardhurave në moshën e pensionit.
3. Investohen vetëm atëherë kur këto investime përmbushin kriteret për të qenë aktive të lejuara, sipas këtij ligji dhe rregullores së investimeve të miratuar nga Autoriteti, përfshirë kriteret lidhur me cilësinë, tregtueshmërinë dhe likuiditetin e aktiveve.
4. Të jenë të diversifikuara me qëllim shmangien e akumulimit të rrezikut në nivel portofoli, si dhe shmangien e përqendrimit në një aktiv të vetëm apo emetues që i përkasin të njëjtit grup.
5. Shoqëria administruese, nëse gjatë marrjes së vendimeve për investim merr në konsideratë ndikimin potencial afatgjatë të vendimit tek faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes, atëherë duhet ta deklarojë këtë në prospekt.
6. Autoriteti përcakton rregulla të mëtejshme për investimet e lejuara të fondit të pensionit, kufizimet, kufirin maksimal të investimit.
Neni 90
Investimet e lejuara
Aktivet e një fondi pensioni mund të investohen vetëm në instrumentet e mëposhtëm:
a) tituj borxhi të emetuara ose të garantuara nga qeveria e Republikës së Shqipërisë;
b) tituj të transferueshëm ose instrumente të tregut të parasë, të emetuara në Republikën e Shqipërisë dhe të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar;
c) tituj të transferueshëm dhe instrumente të tregut të parasë, të pranuara për tregtim në listën zyrtare në një treg të rregulluar në një vend të OECD-së, me kusht që përzgjedhja e tregut të rregulluar të jetë parashikuar në kontratën ose prospektin e fondit të pensionit;
ç) mjete monetare dhe depozita në banka të licencuara në Republikën e Shqipërisë dhe/ose vendet e OECD-së;
d) tituj borxhi të emetuara nga bankat dhe institucione financiare jobankare që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar;
dh) instrumente financiare derivative vetëm për rastet e mbrojtjes nga rreziku i investimit. Në rast se shoqëria administruese vendos të përdorë derivative, duhet të ketë politikë ose procedurë të brendshme, të cilat përcaktojnë kufizime në lidhje me rreziqet që shoqërojnë përdorimin e tyre. Rreziqet në lidhje me përdorimin e këtyre instrumenteve duhet të jenë pasqyruar në prospektin e fondit të pensionit;
e) aksione të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike, me përjashtim të fondeve të investimeve alternative;
ë) kuota të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, me pjesëmarrje të hapur, me ofertë publike, përfshirë sipërmarrjet e investimeve kolektive në tituj të transferueshëm, me kusht që:
i. këto sipërmarrje të mos administrohen nga e njëjta shoqëri që administron fondin e pensionit;
ii. këto sipërmarrje të jenë të licencuara, në zbatim të ligjeve që parashikojnë se janë objekt i mbikëqyrjes, që konsiderohet nga autoriteti si mbikëqyrje e njëjtë me atë që parashikohet në legjislacionin në fuqi për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe që të jetë garantuar mjaftueshëm bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve;
iii. niveli i mbrojtjes për pjesëmarrësit në sipërmarrjet e tjera të jetë i barasvlershëm me atë që parashikohet për pjesëmarrësit në sipërmarrjen e investimeve kolektive me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike në Republikën e Shqipërisë dhe në veçanti me rregullat për veçimin e aktiveve, huamarrjen, huadhënien dhe shitjen e pambuluar të titujve të transferueshëm dhe instrumenteve të tregut të parasë, që janë të barasvlershme me kërkesat përkatëse në këtë ligj;
iv. veprimtaria e sipërmarrjeve të tjera të raportohet në raportet vjetore dhe të ndërmjetme dhe në pasqyrat financiare për të mundësuar vlerësimin e aktiveve dhe pasiveve, të ardhurave dhe veprimtarisë gjatë periudhës së raportimit.
Neni 91
Kufizimet mbi ekspozimin
1. Aktivet e një fondi pensioni duhet të përmbushin parashikimet e mëposhtme lidhur me kufizimin e ekspozimit:
a) nuk investon më tepër se 5% të vlerës së aktiveve të fondit në tituj të transferueshëm ose instrumente të tregut të parasë, të emetuara nga një emetues i vetëm, me përjashtim të rastit kur:
i. limiti i 5% mund të rritet në 10%, por në këtë rast vlera totale e titujve dhe e instrumenteve të tregut të parasë të disa emetuesve, në të cilat fondi i pensionit investon më tepër se 5% të vlerës së aktiveve, nuk tejkalon 40% të vlerës së aktiveve të fondit të pensionit;
b) nuk investon më tepër se 2% të vlerës së aktiveve të fondit, të emetuara nga një emetues i vetëm në tituj borxhi, të emetuara nga bankat dhe institucione financiare jobankare, që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar. Në total vlera totale e titujve të borxhit, të emetuara nga bankat dhe institucione financiare jobankare, që nuk janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, nuk tejkalon 5% të vlerës së aktiveve të fondit të pensionit;
c) nuk investon më shumë se 20% të vlerës së aktiveve të fondit në depozita pranë një subjekti të vetëm;
ç) në përjashtim nga shkronja “a” e kësaj pike, nëse titujt e borxhit emetohen ose garantohen nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, mund të investojnë deri në 100% të vlerës së aktiveve të fondit të pensionit në këtë emetues të vetëm;
d) në përjashtim nga shkronja “a” e kësaj pike, nëse titujt e transferueshëm ose instrumentet e tregut të parasë emetohen ose garantohen nga qeveria qendrore e një vendi anëtar i OECD-së, mund të investojnë deri në 30% të vlerës së aktiveve të fondit të pensionit në këtë emetues të vetëm;
dh) në rastin e parashikuar nga shkronja “d” e kësaj pike, fondi i pensionit mund të investojë më shumë se 30% të vlerës së aktiveve të fondit në këta tituj të emetuar nga një subjekt i vetëm, me kusht që:
i. shoqëria administruese, përpara se të bëhet ky investim, të konsultohet me depozitarin dhe në bazë të kësaj të vlerësojë nëse emetuesi i këtyre titujve është i përshtatshëm në përputhje me objektivat e investimit të fondit në fjalë;
ii. jo më shumë se 30% e vlerës së aktiveve të fondit të konsistojë në tituj të një emetimi të vetëm;
iii. aktivet e fondit të pensionit të përfshijnë këta tituj të emetuar nga i njëjti emetues apo një emetues tjetër me të paktën gjashtë emetime të ndryshme me numra të ndryshëm ndërkombëtarë të identifikimit të titujve (ISIN) ose të barasvlershëm të tyre; dhe
iv. të jetë pasqyruar ky fakt në prospektin e fondit të pensionit;
e) në lidhje me investimin në obligacionet e mbuluara, kufizimi prej 10% në zbatim të shkronjës “a” të kësaj pike, rritet në 25% të vlerës së aktiveve të fondit të pensionit;
ë) nuk investon më shumë se 10% të vlerës së aktiveve të fondit të pensionit në aksione ose kuota të një sipërmarrjeje të vetme të investimeve kolektive me ofertë publike, me kusht që tërësia e ekspozimeve të mos tejkalojë 30%, nëse këto sipërmarrje nuk janë klasifikuar si SIKTT në Republikën e Shqipërisë ose (UCITS) në vendet e Bashkimit Europian.
2. Nëse investimi është në aksione ose kuota të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike, prospekti i fondit të pensionit duhet të vendosë qartë tarifën e administrimit që aplikohet për sipërmarrjet ku do të investojë. Gjithashtu, pasqyrat vjetore të audituara duhet të përmbajnë informacion të qartë mbi përqindjet maksimale të tarifave të administrimit që i ngarkohen fondit të pensionit nga sipërmarrjet e investimeve kolektive, ku dëshiron të investojë.
3. Aktivet e fondit të pensionit nuk duhet të investohen në:
a) metale të çmuara apo të ekspozohen ndaj bursave të mallrave të tjerë;
b) në aktive fizike, që nuk kuotohen në mënyrë të rregullt në tregje të organizuara dhe për të cilat vlerësimi është i pasigurt, si: antika, punime arti, mjete motorike, etj.
Neni 92
Deklarata për parimet e investimit
1. Shoqëria administruese përgatit politikat e investimit për çdo fond pensioni nën administrim.
2. Politikat e investimit përfshihen në kontratën e administrimit të fondeve me pjesëmarrje të mbyllur, si dhe në rregullat për administrimin e fondit të pensionit me pjesëmarrje të hapur.
3. Shoqëria administruese përgatit edhe një deklaratë mbi parimet e politikës së investimit për secilin fond, e cila minimalisht duhet të përfshijë:
a) metodat e vlerësimit të rrezikut nga investimi;
b) procesin e administrimit të rrezikut;
c) alokimin strategjik të aktiveve duke mbajtur parasysh natyrën dhe kohëzgjatjen e detyrimeve për pension, si dhe faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes, nëse janë të aplikueshme.
4. Deklarata e përcaktuar në pikën 3 publikohet në faqen zyrtare të shoqërisë dhe rishikohet 1 herë në 3 vjet apo menjëherë nëse ka ndryshime të konsiderueshme në politikat e investimit.
Neni 93
Huamarrja
1. Shoqëria administruese mund të marrë hua brenda afateve kohore dhe limiteve të parashikuara në këtë ligj dhe aktet rregullative të miratuara nga Autoriteti në zbatim të këtij ligji.
2. Shoqëria administruese mund të marrë hua vetëm për llogari të fondit të pensionit deri në 5% të vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit vetëm për qëllime likuiditeti dhe në baza të përkohshme.
3. Shoqëria administruese për llogari të fondit të pensionit mund të marrë hua nëpërmjet marrëveshjeve të riblerjes (REPO) për një periudhë që nuk i kalon 90 (nëntëdhjetë) ditë.
4. Shoqëria administruese raporton në Autoritet mbi huamarrjet për llogari të fondit të pensionit.
Neni 94
Transaksionet me palë të lidhura
1. Shoqëria administruese gjatë administrimit të aktiveve të fondit të pensionit nuk mund të kryejë transaksione në emër të saj dhe për llogari të fondit, me anëtarët e këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë.
2. Nëse shoqëria administruese kryen transaksione në emër të fondit dhe pala tjetër është:
a) aksionari i shoqërisë administruese;
b) sponsori në një fond me pjesëmarrje të mbyllur; ose
c) çdo person tjetër që është palë e lidhur me personat juridikë ose individët e përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, shoqëria administruese është e detyruar të mbajë evidencë dhe t’ia paraqesë Autoritetit në raportimin financiar të asaj periudhe.
3. Shoqëria administruese është e detyruar të mbajë të dhëna dhe dokumentacion për transaksionet me palët e lidhura deri në 7 (shtatë) vjet pas kryerjes së transaksionit. Autoriteti ka të drejtën për të kërkuar në çdo kohë të gjitha të dhënat, regjistrimet e telefonatave dhe komunikimeve, printime të kuotimeve në momentin që është kryer transaksioni për të verifikuar përputhshmërinë me këtë ligj.
4. Autoriteti, kur e sheh të nevojshme dhe veçanërisht për të mbrojtur interesin e anëtarëve të fondit, mund të ndalojë shoqërinë administruese të kryejë transaksione në emër të saj ose në emër të fondit të pensionit me një palë të lidhur ose me ndërmjetësimin e një pale të lidhur për një periudhë të caktuar kohore.
5. Shoqëria administruese nuk mund të përdorë aktivet e fondit të pensionit që administron për të blerë aktive të tjera, të japë hua ose të marrë përsipër ndonjë detyrim ose të japë garanci në favor të ndonjë personi të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.
Neni 95
Njoftimi i anëtarëve të fondit të pensionit
1. Shoqëria administruese është e detyruar që në përputhje me dispozitat e këtij ligji për secilin fond pensioni nën administrim:
a) të hartojë prospektin e fondit;
b) të hartojë dhe publikojë raportet e ndërmjetme dhe raportin vjetor të audituar;
c) të hartojë çdo rregull tjetër për funksionimin e fondit;
ç) të informojë rregullisht dhe, kur parashikohet nga ky ligj, anëtarët e fondit për veprimtarinë e fondit.
2. Informacioni dhe dokumentet, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të përgatiten në gjuhën shqipe, nëse nuk përcaktohet ndryshe, si dhe të jenë lehtësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme. Informacioni dhe dokumentet duhet të publikohen në faqen e internetit të shoqërisë administruese.
3. Në rastin e fondit me pjesëmarrje të mbyllur, varianti më i fundit i dokumenteve, si dhe dokumentet dhe njoftimi i parashikuar në pikën 1 të këtij neni, duhet t’u vihen në dispozicion të gjithë anëtarëve të fondit në mënyrë elektronike dhe pa pagesë.
Neni 96
Përgjegjësia e shoqërisë administruese për dëmin e shkaktuar nga të dhëna të pavërteta dhe të paplota
1. Shoqëria administruese është përgjegjëse për dëmin e shkaktuar anëtarit të fondit nga veprimet ose mosveprimet e saj, nëse dokumentet ose informacioni i parashikuar në prospekt përmbajnë të dhëna dhe informacione të pavërteta ose të paplota.
2. Shoqëria administruese është gjithashtu përgjegjëse për dëmin e shkaktuar anëtarit të fondit kur veprimet ose mosveprimet e tij janë kryer në bazë të të dhënave dhe informacioneve të pavërteta, të paplota ose të dhënave dhe informacioneve që çorientojnë, të përfshira në:
a) materialet promovuese ose njoftime të tjera të shoqërisë administruese; ose
b) dokumentet e dërguara anëtarit të fondit nga shoqëria, përfshirë nga persona të cilët në emër të shoqërisë administruese kryejnë veprimtaritë e ofrimit të fondit të pensionit.
KREU VI
PROSPEKTI I FONDIT TË PENSIONIT PRIVAT
Neni 97
Prospekti
1. Anëtarësimi në një fond pensioni në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohet vetëm pas miratimit nga Autoriteti të prospektit të fondit të pensionit.
2. Prospekti i fondit të pensionit nuk përfaqëson ftesë për anëtarësim në fond, por shërben si mjet informues lidhur me tiparet, karakteristikat, rreziqet që mbart anëtarësimi në një fond pensioni privat.
3. Informacioni i prospektit duhet të jetë i qartë, i saktë, i përditësuar dhe të mos jetë keqorientues.
4. Prospekti shkruhet në gjuhë të qartë, lehtësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme për të gjithë individët.
5. Shoqëria administruese e fondit të pensionit është përgjegjëse për përmbajtjen e prospektit të fondit.
6. Prospekti i fondit shoqërohet nga kontrata e anëtarësimit ose i bashkëlidhet deklaratës së pranimit të pjesëmarrjes në fond.
Neni 98
Miratimi i prospektit
1. Autoriteti brenda tre muajve nga dita e paraqitjes së kërkesës së plotë, vendos miratimin ose refuzimin e miratimit të prospektit të fondit.
2. Kërkesa për miratim e prospektit do të konsiderohet e rregullt dhe e plotë nëse në përputhje me kërkesat e këtij ligji përmban të gjithë informacionin e nevojshëm dhe nëse i gjithë dokumentacioni i është bashkëlidhur.
Neni 99
Detyrimi për të publikuar prospektin
1. Shoqëria administruese brenda pesë ditëve pas marrjes së njoftimit me shkrim për miratimin e prospektit nga Autoriteti, publikon prospektin në faqen e saj të internetit.
2. Çdo ndryshim i rëndësishëm i prospektit, pas miratimit nga Autoriteti, si dhe çdo ndryshim tjetër njoftohet nëpërmjet faqes së internetit të shoqërisë administruese, si dhe i vihet në dispozicion çdo anëtari të fondit me postë normale ose me postë elektronike.
3. Prospekti i fondit të pensionit u vihet në dispozicion pa pagesë anëtarëve të mundshëm përpara lidhjes së një kontrate të anëtarësimit në fond.
4. Prospekti/tet e botuara dhe ndryshimet në prospekt duhet të jenë identike në përmbajtje dhe formë me origjinalin e miratuar nga Autoriteti.
5. Në rastin e fondit me pjesëmarrje të mbyllur shoqëria administruese ka detyrimin t’u vërë në dispozicion të gjithë anëtarëve të fondit, në mënyrë elektronike pa pagesë, prospektin e fondit ose variantin më të fundit të prospektit në rastin e ndryshimeve.
Neni 100
Përmbajtja e prospektit
Prospektet e fondit të pensionit duhet të përmbajnë të paktën informacionin si më poshtë:
1. Për fondin e pensionit:
a) emrin e fondit, monedhën bazë të fondit dhe shënimin për llojin e fondit (me pjesëmarrje të hapur/me pjesëmarrje të mbyllur);
b) datën e themelimit të fondit;
c) adresën e shoqërisë administruese/sponsorit në rastin e veprimtarisë ndërkufitare, adresën e shoqërisë administruese të njohur;
ç) vendin ku anëtari mund të pajiset me kopje të prospektit, raportet financiare të ndërmjetme, raportin vjetor të audituar ose botime të tjera të publikuara nga shoqëria administruese;
d) mënyrën e publikimit të prospektit, raportet financiare të ndërmjetme dhe raportin vjetor të audituar;
dh) informacion për regjimin tatimor të zbatueshëm për fondin e pensionit;
e) informacion për audituesin ligjor të fondit të pensionit;
ë) mënyrën e konvertimit të kontributeve në llogarinë personale të anëtarit në kuota pensioni, mundësitë e pagesës së pensionit, si dhe kushtet e transferimit të fondeve nga llogaria personale e anëtarit në një shoqëri sigurimi jete apo transferimit të llogarisë në një fond tjetër;
f) të drejtat që burojnë nga anëtarësia në fond dhe në veçanti e drejta për informacion, e drejta për një kthim nga investimi dhe e drejta për pension;
g) procedurën, kushtet dhe mënyrën e regjistrimit në regjistrin e fondit, procedurat dhe kushtet për ofrimin e produkteve të pensionit dhe informacion për mënyrën e pagesës së kontributeve në llogarinë e pensionit, mbylljen e llogarisë, pezullimin e anëtarësisë;
gj) llojin e aktiveve në të cilat fondi i pensionit investohet;
h) parimet, strategjinë dhe objektivat e investimit të fondit të pensionit;
i) informacionin e verifikuar nga një aktuar i autorizuar për shumat që duhet të investojë një anëtar në bazë vjetore në një fond pensioni, në mënyrë që të përfitojë një pension të përshtatshëm kur të arrijë moshën e caktuar të pensionit. Shpjegimet duhet të shoqërohen me shembuj, të cilët tregojnë skenarë të ndryshëm për mosha të ndryshme dhe se si ndryshimi i moshës ndikon në shumën që do të derdhet si kontribut.
2. Në lidhje me investimet e fondit të pensionit, elementet e mëposhtme:
a) objektivat e investimit të fondit të pensionit, duke përfshirë objektivat financiare (p.sh., sipas rastit, realizimin e kthimit nga investimi ose të ardhurave) dhe mënyrën e arritjes së objektivave të fondit;
b) politikën e investimeve (p.sh., specializimi sipas sektorëve gjeografikë ose industrialë), si dhe informacion nëse politika e investimit merr në konsideratë faktorët mjedisorë, klimatikë, socialë dhe të qeverisjes së korporatave, si dhe mënyrën sesi këta faktorë merren në konsideratë;
c) çdo kufizim të politikës së investimit;
ç) të drejtat, mënyrën dhe instrumentet e huamarrjes ose transaksioneve të tjera ligjore të barasvlershme me kredinë, që mund të përdoren për administrimin e fondit;
d) rreziqet që lidhen me investimet dhe strukturën e aktiveve të fondit, përfshirë detyrimet, një paraqitje tabelore të rreziqeve dhe shkallën e ndikimit të tyre në fond dhe në shoqërinë administruese, si dhe metodën e administrimit të rrezikut dhe profilin e rrezikut, tolerancën e rrezikut dhe aftësinë mbajtëse të rrezikut.
3. Mënyrën dhe kohën e llogaritjes së vlerës neto të aktiveve të fondit, mënyrën dhe frekuencën e llogaritjes së çmimit të kuotës dhe mënyrën e publikimit të tyre.
4. Informacion për të gjitha komisionet që mbahen nga shoqëria administruese nga aktivet e fondit të pensionit privat, si dhe informacion për mënyrën e mbajtjes dhe pagesës së tyre.
5. Kthimi nga investimi i fondit, që nga fillimi i funksionimit të fondit dhe kthimi nga investimi për pesë vjetët e fundit ose që nga fillimi i funksionimit të fondit, nëse fondi ka më pak se pesë vjet;
6. Të dhëna për shoqërinë administruese si më poshtë:
a) emrin e shoqërisë, selia e regjistruar ose selia qendrore, nëse është e ndryshme nga selia e regjistruar;
b) informacionin lidhur me shoqërinë, nëse shoqëria administruese është themeluar në një vend tjetër të ndryshëm nga vendi i origjinës së fondit;
c) strukturën organizative të shoqërisë administruese me linja të qarta të përgjegjësisë;
ç) përshkrimin e përgjegjësive dhe mënyrën e marrjes së vendimeve për investime;
d) informacionin për audituesin ligjor të shoqërisë administruese;
dh) emrat dhe postet në shoqëri të personave me funksione kyçe, përfshirë të dhënat për veprimtaritë e tyre kryesore jashtë shoqërisë, nëse janë me rëndësi lidhur me shoqërinë;
e) shumën e kapitalit aksionar të shoqërisë administruese, përfshirë informacionin për kapitalin e shlyer;
ë) listën e funksioneve që shoqëria ka deleguar tek palë të treta, përfshirë informacion për shoqërinë që kryen funksionin e deleguar.
7. Informacion lidhur me depozitarin:
a) identiteti i depozitarit të fondit dhe përshkrimi i detyrave të tij dhe i konflikteve të interesit që mund të lindin;
b) përshkrimi i funksioneve të ruajtjes, të cilat depozitari i ka deleguar, lista e të deleguarve dhe të nëndeleguarve dhe çdo konflikt interesi që mund të lindë nga delegimi;
c) informacione të përditësuara në lidhje me shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike.
8. Informacion kur fondi i pensionit marketohet në një vend tjetër.
9. Shoqëria administruese vë në dispozicion të çdo personi që dëshiron të bëhet anëtar i fondit prospektin e fondit të pensionit.
10. Shoqëria administruese i dorëzon prospektin secilit anëtar të fondit me kërkesën e tij, pa kosto.
11. Autoriteti detajon përmbajtjen dhe strukturën e prospektit të fondit me rregullore.
Neni 101
Refuzimi i miratimit të prospektit
1. Autoriteti refuzon miratimin e prospektit të fondit të pensionit ose ndryshimin e rëndësishëm të prospektit nëse prospekti nuk përmbush kërkesat e këtij ligji ose nuk jep informacionet që kërkon ky ligj për fondin e pensionit privat.
2. Autoriteti jep me shkrim arsyet për mosmiratimin e prospektit të fondit apo për mosmiratimin e ndryshimeve të rëndësishme të prospektit.
Neni 102
Ndryshimet e rëndësishme të prospektit
1. Nëse pas publikimit të prospektit të fondit dhe gjatë ofrimit të fondit të pensionit ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm, që ndikon në informacionet që përmban prospekti ose në rast të një informacioni të ri të rëndësishëm, në prospekt bëhen shtesat dhe ndryshimet përkatëse. Prospekti i përditësuar i dorëzohet Autoritetit dhe i vihet në dispozicion, sipas kërkesës, autoritetit rregullator të vendit anëtar.
2. Ndryshime të rëndësishme të prospektit të fondit të pensionit janë ndryshimet që ndryshojnë qëllimin ose natyrën e fondit, që mund të kenë pasoja të rëndësishme, të padëshirueshme për anëtarin e fondit, që ndryshojnë profilin e rrezikut të fondit ose mënyrën e pagesës. Në këto ndryshime përfshihen:
a) rritja e tarifave të administrimit, komisionit të transferimit, si dhe përfshirja e një komisioni të ri të padeklaruar më parë në prospekt, brenda kufijve të përcaktuar në këtë ligj;
b) ndryshimi i objektivave të investimit të fondit dhe rreziqeve të lidhura me investimet e parashikuara të fondit;
c) ndryshimi i profilit të rrezikut të fondit të pensionit ose aftësisë mbajtëse të rrezikut.
3. Ndryshimet sipas pikës 2 të këtij neni janë objekt i miratimit nga Autoriteti.
4. Brenda 10 ditëve pune nga dita e marrjes së miratimit nga Autoriteti, shoqëria administruese dërgon një njoftim me postë normale ose me postë elektronike të gjithë anëtarëve të fondit për ndryshimet e rëndësishme në prospekt. Ndryshimet e rëndësishme të prospektit publikohen edhe në faqen zyrtare të shoqërisë.
5. Brenda 30 ditëve pune nga dita e njoftimit të anëtarëve dhe publikimit të njoftimit, sipas pikës 4 të këtij neni, çdo anëtar i fondit mund të kërkojë ndryshimin e fondit të pensionit pa paguar komision transferimi.
6. Autoriteti nuk miraton ndryshime të prospektit, të cilat, nëse implementohen, rezultojnë në mospërmbushjen e kërkesave të këtij ligji.
KREU VII
INFORMIMI I ANËTARIT
Neni 103
Vërtetimi për gjendjen e llogarisë së pensionit të anëtarit të fondit
1. Shoqëria administruese harton një dokument për gjendjen e llogarisë së pensionit për çdo anëtar të fondit të pensionit privat.
2. Dokumenti i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni duhet të përmbajë fjalët “Vërtetim për gjendjen e llogarisë së pensionit të anëtarit të fondit.”.
3. Vërtetimi duhet përmbajë informacion të saktë, të përditësuar dhe t’i vihet në dispozicion çdo anëtari, pa pagesë, në formë elektronike, të paktën 1 (një) herë në vit. Krahas çdo informacioni në formë elektronike, anëtarëve u jepet edhe një kopje fizike me kërkesë të tyre.
4. Çdo ndryshim i rëndësishëm në informacionin që përmban vërtetimi për gjendjen e llogarisë së pensionit të anëtarit të fondit, krahasuar me vitin e mëparshëm, duhet të cilësohet qartë.
Neni 104
Përmbajtja e vërtetimit për gjendjen e llogarisë së pensionit të anëtarit të fondit
1. Vërtetimi përfshin të paktën informacionin e mëposhtëm:
a) emrin e shoqërisë administruese, adresën e saj dhe të dhëna identifikuese të fondit të pensionit ku anëtari aderon;
b) të dhënat e anëtarit të fondit të pensionit;
c) informacion për vlerën neto të aktiveve të akumuluara;
ç) informacion për kthimin nga investimi për anëtarin për periudhën 12-mujore;
d) informacion për kontributet e derdhura nga anëtari ose punëdhënësi në emër të anëtarit gjatë 12 muajve të fundit;
dh) një detajim të kostove ose tarifave të zbritura nga shoqëria administruese gjatë 12 muajve të fundit;
2. Autoriteti miraton rregullore për formatin dhe përmbajtjen e vërtetimit për gjendjen e llogarisë së pensionit të anëtarit të fondit.
Neni 105
Informacioni që duhet t’u jepet anëtarëve përpara daljes në pension
Përveç vërtetimit për gjendjen e llogarisë së pensionit të anëtarit të fondit, të parashikuar në nenin 103 të këtij ligji, shoqëria administruese 3 muaj përpara se anëtari të arrijë moshën për pension sipas nenit 73, pika 1, duhet të informojë anëtarin për vlerësimin aktual të llogarisë individuale, si dhe ta pajisë me opsionet për mënyrat e pagesës së pensionit, si dhe t’i japë udhëzime se si mund të zbatohet çdo mënyrë.
Neni 106
Informacioni shtesë mbi bazën e kërkesës
1. Me kërkesë të anëtarit, përfituesit ose përfaqësuesve të tyre, shoqëria administruese jep informacionin shtesë të mëposhtëm:
a) pasqyrat financiare dhe raportet vjetore të përcaktuara në nenin 110;
b) parimet e investimit të përcaktuara në kreun V;
c) çdo informacion tjetër rreth të dhënave të përcaktuara në nenin 104 të këtij ligji.
KREU VIII
AUDITIMI, RAPORTET DHE PASQYRAT FINANCIARE TË FONDIT PENSIONIT PRIVAT
Neni 107
Auditimi
1. Shoqëria administruese emëron një auditues ligjor të pavarur, i cili miratohet nga Autoriteti dhe e mban këtë detyrë gjatë gjithë vitit financiar. Kriteret për përzgjedhjen e audituesit ligjor të pavarur përcaktohen me rregullore nga Autoriteti, bazuar në aktet rregullatore në fuqi të fushës.
2. Audituesi ligjor duhet të jetë i regjistruar pranë regjistrit publik të Organizatës Profesionale të Audituesve ligjorë sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
3. Audituesi vepron si auditues i jashtëm i shoqërisë administruese dhe fondit të pensionit privat jo më shumë se 4 (katër) vjet radhazi.
4. Raporti i audituesit, përfshirë edhe kualifikimet e mundshme, përfshihet i plotë në raportin vjetor dhe pasqyrat financiare të audituara të fondit.
5. Pasqyrat financiare të fondit, në zbatim të nenit 108 të këtij ligji, auditohen nga një auditues i pavarur që përmbush kërkesat e këtij neni.
6. Audituesi njofton me shkrim Autoritetin menjëherë nëse pas një shqyrtimi të fakteve që disponon ose të rrethanave beson në mënyrë të arsyeshme se shoqëria administruese ka shkelur këtë ligj ose mund të ketë vepruar në kundërshtim me këtë ligj ose prospektin e fondit.
7. Pasqyrat financiare vjetore, të parashikuara në pikën 5 të këtij neni, auditohen nga një auditues ligjor i pavarur sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
8. Auditimi, për qëllime të këtij ligji, konsiderohet me interes ekonomik dhe publik dhe çdo angazhim auditimi ligjor konsiderohet si angazhim auditimi ligjor dhe nënligjor i një njësie me interes publik dhe u nënshtrohet detyrimeve ligjore sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar.
Neni 108
Raporti vjetor dhe pasqyrat financiare të fondit të pensionit
1. Shoqëria administruese për çdo fond pensioni që administron harton raportin vjetor dhe pasqyrat financiare vjetore në përputhje me standardet kontabël SNRF të pranuara ndërkombëtarisht, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe me aktet nënligjore të miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij.
2. Pasqyrat financiare të audituara dorëzohen në Autoritet brenda 4 (katër) muajve pas mbylljes së vitit financiar.
3. Raporti vjetor i shoqërisë administruese dorëzohet në Autoritet në qershor të vitit pasardhës.
4. Raporti vjetor dhe pasqyrat financiare të audituara publikohen në faqen zyrtare të shoqërisë.
5. Pavarësisht parashikimit të pikës 3 të këtij neni, shoqëria administruese mbi bazën e kërkesës vë në dispozicion të punëdhënësit për fondin me pjesëmarrje të hapur dhe sponsorit në mënyrë elektronike raportin vjetor.
6. Raporti vjetor i fondit të pensionit privat duhet të përmbajë:
a) pasqyrat financiare vjetore dhe letrën për drejtimin;
b) çdo ndryshim të rëndësishëm të fondit të pensionit gjatë periudhës së raportimit;
c) informacione me rëndësi, që u japin mundësi anëtarëve të bëjnë një gjykim të informuar për ecurinë e veprimtarisë së fondit të pensionit dhe të rezultateve të tij;
ç) raportin e audituesit, i cili duhet të përfshihet i plotë në raportin vjetor;
d) tarifën e administrimit të paguar nga fondi i pensionit, përfshirë politikën e pagave dhe shpërblimeve që zbaton shoqëria, si dhe ndryshimet e politikës së pagave dhe politikës së shpërblimit, sipas rregullave të miratuara nga Autoriteti.
7. Autoriteti miraton rregullore për formën dhe përmbajtjen e raporteve dhe pasqyrave financiare të ndërmjetme dhe vjetore të shoqërisë administruese dhe fondit të pensionit.
Neni 109
Raporti dhe pasqyrat financiare të ndërmjetme
1. Shoqëria administruese për çdo fond pensioni që administron harton raport të ndërmjetëm dhe pasqyra financiare të ndërmjetme në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe me aktet rregullative të miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij.
2. Raporti dhe pasqyrat financiare të ndërmjetme i dorëzohen Autoritetit brenda 2 (dy) muajve pas mbylljes së gjashtëmujorit të parë të vitit financiar dhe u vihen në dispozicion anëtarëve të fondit pa pagesë, sipas kërkesës.
3. Raporti i ndërmjetëm dhe pasqyrat financiare të ndërmjetme publikohen në faqen zyrtare të shoqërisë jo më vonë se 2 (dy) muaj pas mbylljes së gjashtëmujorit të parë të vitit financiar.
4. Pavarësisht parashikimit të pikës 3 të këtij neni, shoqëria administruese mbi bazën e kërkesës vë në dispozicion të punëdhënësit në rastin e fondit me pjesëmarrje të hapur dhe sponsorit në rastin e fondit me pjesëmarrje të mbyllur në mënyrë elektronike dhe raportin vjetor.
Neni 110
Informimi i anëtarëve
1. Shoqëria administruese vendos në dispozicion të anëtarit prospektin e fondit dhe raportet më të fundit vjetore dhe të ndërmjetme, si dhe pasqyrat financiare, sipas kërkesës dhe pa pagesë për secilin fond në administrim.
2. Prospekti dhe rregullat e fondit i vihet në dispozicion anëtarit pa pagesë, në formë të shtypur në letër përpara nënshkrimit të kontratës së anëtarësimit ose deklaratës së pranimit të pjesëmarrjes dhe, sipas kërkesës, i mundësohet edhe në format elektronik nëpërmjet një mjeti të qëndrueshëm komunikimi. Prospekti i përditësuar, gjithashtu, vendoset për t’u shkarkuar edhe në faqen e internetit të shoqërisë administruese.
3. Shoqëria administruese mundëson në faqen e internetit raportet vjetore dhe pasqyrat financiare më të fundit sipas mënyrës së parashikuar në prospekt në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
4. Shoqëria administruese dhe çdo person juridik, që vepron si agjent i fondit të pensionit, në zbatim të nenit 86 të këtij ligji, vendos në dispozicion të anëtarëve prospektin, sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij neni, përpara nënshkrimit të kontratës së anëtarësisë.
5. Shoqëria administruese publikon, përkatësisht, çdo ditë çmimin e kuotës së pensionit dhe vlerën neto të aktiveve për secilit fond nën administrim të konfirmuar nga depozitari.
6. Shoqëria administruese të bëjë të mundur që anëtarët me mjete elektronike të informohen në çdo kohë duke aksesuar llogarinë individuale për aktivet përfshirë vlerësimin e vlerës neto të aktiveve, totalin e ndryshimit të aktiveve për periudhën 12 -mujore, normën e kthimit nga investimi për fondin për periudhën 12-mujore, kthimin nga investimi, që nga fillimi i pjesëmarrjes në fond, datat e kontributeve dhe transferimet e aktiveve të bëra nga ose në emër të anëtarit gjatë periudhës përkatëse. Nëse mënyra e informimit të anëtarit do të jetë me shkrim, shoqëria administruese duhet ta bëjë informimin e anëtarit, sipas treguesve të detajuar në këtë pikë të këtij neni, në periudha të rregullta kohore të paktën çdo 30 (tridhjetë) ditë.
7. Për fondin me pjesëmarrje të mbyllur pasqyrat vjetore i dërgohen sponsorit, i cili është përgjegjës për informimin e anëtarëve, sipas kushteve të këtij ligji.
Neni 111
Informimi i anëtarëve të fondit me pjesëmarrje të mbyllur në Republikën e Shqipërisë
1. Shoqëria administruese e një vendi anëtar, e cila administron një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur në Republikën e Shqipërisë duhet t’u sigurojë anëtarëve të këtij fondi të gjithë dokumentacionin dhe informacionin që u siguron anëtarëve të një fondi me pjesëmarrje të mbyllur në shtetin anëtar të fondit.
2. Shoqëria administruese e një vendi anëtar duhet t’u sigurojë anëtarëve të fondit me pjesëmarrje të mbyllur të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, në mënyrën, në formën dhe në afatet e parashikuara nga ky ligj.
3. Dokumentacioni dhe informacioni që u jepet anëtarëve të fondit me pjesëmarrje të mbyllur duhet të jetë në gjuhën shqipe.
4. Shoqëria administruese e një vendi anëtar është përgjegjës për përmbajtjen e dokumentacionit dhe informacionit, si dhe për vërtetësinë dhe saktësinë e përkthimit të dokumentacionit dhe informacionit.
Neni 112
Dorëzimi i dokumentacionit të fondit të administruar nga shoqëria administruese e një vendi anëtar
Shoqëria administruese e një vendi anëtar, që administron një fond me pjesëmarrje të mbyllur për një sponsor në Republikën e Shqipërisë, depoziton në Autoritet dokumentacionin e përditësuar dhe të përcaktuar në nenin 110 të këtij ligji.
KREU IX
DEPOZITARI
Neni 113
Depozitari i fondit të pensionit privat
1. Shoqëria administruese emëron një depozitar për mbajtjen dhe ruajtjen e aktiveve të fondit të pensionit privat nëpërmjet lidhjes së një kontrate të nënshkruar nga të dyja palët. Depozitari licencohet nga Autoriteti pas plotësimit të kërkesave të këtij ligji.
2. Depozitari i fondit të pensionit privat është një bankë ose degë e një banke të huaj e regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe e licencuar nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen dhe administrimin e instrumenteve financiare për llogari të klientit, duke përfshirë kujdestarinë dhe shërbimet e depozitarit dhe të besimit.
3. Depozitari kryen vetëm funksionet e përcaktuara në këtë ligj dhe në kontratën për kryerjen e veprimtarive të depozitarit të lidhur me shoqërinë administruese.
4. Depozitari duhet të jetë i gatshëm dhe i aftë për të përmbushur të gjitha kërkesat organizative dhe kushtet e nevojshme të përcaktuara në këtë ligj.
5. Depozitari nuk mund të veprojë si shoqëri administruese e fondeve të pensionit privat, por mund të kryejë veprimtarinë e depozitarit njëkohësisht për disa fonde. Gjatë kryerjes së detyrave, të përcaktuara në nenin 118 të këtij ligji, depozitari vepron ekskluzivisht në interes të anëtarëve të fondit.
6. Gjatë kryerjes së veprimtarisë së depozitarit për disa fonde pensioni, aktivet e fondit dhe regjistrat për secilin fond duhet të ndahen plotësisht si nga njëri-tjetri, ashtu edhe nga vetë aktivet e depozitarit.
7. Depozitari është i detyruar të ruajë konfidencialitetin për çdo informacion të marrë.
Neni 114
Kushtet për licencimin e depozitarit
1. Depozitari i fondit të pensionit privat licencohet nga Autoriteti nëse përmbush kushtet dhe kërkesat e mëposhtme:
a) ka infrastrukturën e nevojshme për të siguruar ruajtjen e aktiveve të fondit të pensionit;
b) ka politika dhe procedura të përshtatshme për të siguruar përputhshmërinë e veprimtarisë së tij, përfshirë veprimtarinë e punonjësve e tij, me detyrimet e këtij ligji;
c) ka procedura të shëndosha administrative dhe kontabël, mekanizma të kontrollit të brendshëm, procedura efektive për vlerësimin e rrezikut dhe masa efektive të kontrollit dhe mbrojtjes për sistemet e përpunimit të informacionit;
ç) ka procedura organizative dhe administrative të përshtatshme dhe efektive, me qëllim parandalimin e konfliktit të interesit;
d) ka marrë masat e nevojshme për mbajtjen e evidencave dhe të dhënave për të gjitha shërbimet, veprimtaritë dhe transaksionet që kryen, të cilat duhet të jenë të mjaftueshme për t’i dhënë mundësi Autoritetit të përmbushë detyrat mbikëqyrëse në zbatim të parashikimeve të këtij ligji;
dh) ka marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar vijueshmërinë dhe rregullsinë në kryerjen e funksioneve të depozitarit nëpërmjet përdorimit të sistemeve, burimeve dhe procedurave të duhura dhe proporcionale;
e) drejtuesi i shërbimeve të depozitarit dhe personeli kyç i tij vërtetojnë se janë të aftë dhe të përshtatshëm, sipas nenit 15 të këtij ligji, si dhe zotërojnë aftësinë dhe përvojën e duhur për të kuptuar veprimtaritë e depozitarit, përfshirë edhe rreziqet kryesore. Çdo ndryshim i drejtuesit të shërbimeve të depozitarit dhe personelit kyç të tij apo i çdo personi që i zëvendëson ata në detyrë i njoftohen Autoritetit.
2. Depozitari i licencuar si depozitar i sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike mund të licencohet edhe si depozitar i fondit të pensionit privat.
3. Subjekti që paraqet kërkesën për licencim si depozitar duhet të ketë raporte auditimi financiare me opinion pa rezerva për 3 vjetët e fundit.
Neni 115
Licenca e depozitarit
1. Depozitari i fondit të pensionit privat nuk e fillon veprimtarinë e tij pa u licencuar më parë nga Autoriteti.
2. Kërkesa për licencën për të ushtruar aktivitet si depozitar i fondit shoqërohet me këtë dokumentacion:
a) dokumente që vërtetojnë se subjekti përmbush kërkesat e pikës 2 të nenit 113 të këtij ligji;
b) dokumente që vërtetojnë se drejtuesi i shërbimeve të depozitarit dhe personeli kyç i tij janë të aftë dhe të përshtatshëm në bazë të nenit 15, përfshirë kualifikimet akademike, profesionale dhe administruese, CV, si dhe vërtetime për gjendjen gjyqësore;
c) dokumente që vërtetojnë që subjekti përmbush kërkesat e pikës 1 të nenit 114 të këtij ligji.
3. Autoriteti miraton rregulla në lidhje me kërkesat për paraqitjen dhe përpunimin e kërkesës për licencë si depozitar i fondit të pensionit privat.
Neni 116
Dhënia e licencës së depozitarit
1. Autoriteti konsultohet paraprakisht me Bankën e Shqipërisë në lidhje me bankat apo degët e bankave të huaja, të cilat kërkojnë të licencohen si depozitar në Republikën e Shqipërisë.
2. Autoriteti vlerëson nëse kërkesa është e plotë ose jo dhe e informon për këtë subjektin kërkues brenda 3 (tre) muajve nga data e marrjes së kërkesës së plotë lidhur me miratimin ose jo të licencës.
3. Kërkesa për licencë mund të tërhiqet me njoftim me shkrim në çdo moment përpara se Autoriteti të marrë vendim për të.
4. Autoriteti, në rast të refuzimit, arsyeton me shkrim vendimin e dhënë.
Neni 117
Refuzimi i licencës
1. Autoriteti refuzon licencën e depozitarit të fondit të pensionit nëse:
a) subjekti kërkues nuk i përmbush kërkesat e nenit 114 të këtij ligji dhe përkatësisht nëse Autoriteti, duke pasur parasysh garantimin e administrimit të shëndoshë dhe të matur të depozitarit, gjykon se subjekti nuk i përmbush kërkesat për përshtatshmërinë e drejtuesit të shërbimeve të depozitarit ose të personelit kyç të tij;
b) gjykon se shoqëria nuk është në gjendje të përmbushë kërkesat e këtij ligji;
c) ushtrimi efektiv i funksioneve të tij mbikëqyrëse pengohet nga:
i. lidhjet e pronësisë ndërmjet depozitarit dhe personave të tjerë juridikë ose fizikë;
ii. aktet ligjore, nënligjore ose administrative të një vendi ose territori tjetër, që rregullojnë personat fizikë ose juridikë me të cilët ka lidhje pronësie depozitari;
iii. vështirësitë e përfshira në zbatimin e këtyre ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative.
ç) nuk është paguar tarifa e kërkuar.
Neni 118
Detyrat e depozitarit
1. Depozitari i fondit të pensionit privat kryen këto detyra:
a) mban dhe regjistron pasuritë/aktivet e fondit;
b) monitoron vazhdimisht flukset e mjeteve monetare të fondit dhe në veçanti garanton se janë arkëtuar të gjitha pagesat e bëra nga anëtari ose në emër të anëtarit dhe se të gjitha mjetet monetare të fondit të pensionit janë regjistruar në llogaritë e mjeteve monetare në emër të fondit, shoqërisë administruese për llogari të fondit ose të depozitarit për llogari të fondit;
c) mban regjistrin e anëtarëve të fondit dhe të dhënat për çdo transferim për fondet e pensionit;
ç) mban llogari për aktivet e fondit të pensionit dhe siguron ndarjen e aktiveve për secilin fond për të cilin ofron shërbimet e depozitarit nga aktivet e depozitarit dhe klientëve të tjerë të depozitarit dhe shoqërisë administruese;
d) kontrollon që aktivet e fondit të pensionit investohen në përputhje me objektivat dhe strategjinë e investimit të miratuar, dispozitat e këtij ligji dhe rregulloreve të miratuara në zbatim të këtij ligji;
dh) informon Autoritetin dhe shoqërinë administruese për procedurën e llogaritjes së vlerës së aktiveve dhe çmimit të kuotës së fondit të pensionit, konfirmon llogaritjen dhe siguron që llogaritja e vlerës neto të aktiveve të fondit dhe çmimi i kuotës së fondit të pensionit janë kryer në përputhje me politikat e miratuara të kontabilitetit, metodologjitë e vlerësimit, si dhe në përputhje me këtë ligj dhe rregulloret e miratuara në zbatim të tij;
e) ekzekuton urdhrat e shoqërisë administruese në lidhje me transaksionet e aktiveve të fondit, nëse nuk bien ndesh me këtë ligj dhe rregulloret e miratuara në zbatim të tij;
ë) raporton te shoqëria administruese për veprimet tregtare në lidhje me aktivet e fondit të besuara në kujdestari dhe ekzekuton urdhrat e shoqërisë administruese;
f) garanton kthimin e çdo shume përkatëse fondit të pensionit brenda afateve kohore të përcaktuara;
g) siguron që të gjitha të ardhurat, që rrjedhin nga transaksionet me aktivet e fondit, të dërgohen në llogarinë e fondit brenda afateve të përcaktuara;
gj) garanton se të ardhurat e fondit të pensionit përdoren në përputhje me këtë ligj dhe rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji;
h) sigurohet që kostot ose tarifat e paguara nga fondi i pensionit janë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregulloret e miratuara në zbatim të tij;
i) kryen të gjitha detyrat e tjera të parashikuara në kontratën për kryerjen e veprimtarisë së depozitarit të fondit të pensionit.
2. Depozitari raporton menjëherë me shkrim në Autoritet çdo shkelje ose çdo dyshim të arsyeshëm për shkelje të këtij ligji dhe kontratës për kryerjen e veprimtarisë së depozitarit të fondit të lidhur me shoqërinë administruese. Në këtë rast depozitari informon Autoritetin edhe për hapat e ndërmarrë nga depozitari për të ndrequr shkeljen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe informon në lidhje me afatin për ndreqjen e shkeljes në fjalë. Depozitari informon më tej Autoritetin nëse ndreqja është përmbushur brenda këtij afati.
3. Depozitari mban evidencat e nevojshme që i japin mundësi të jetë në përputhshmëri me kërkesat e këtij ligji dhe i mban këto evidenca për një periudhë kohore sipas parashikimeve të legjislacionit të zbatueshëm në fuqi.
Neni 119
Ruajtja e aktiveve të fondit
Depozitari ruan aktivet si më poshtë:
1. Instrumente financiare të mbajtura në kujdestari:
a) depozitari ruan të gjitha instrumentet financiare, të cilat regjistrohen në një llogari titujsh në formë të dematerializuar;
b) aktivet e fondit të pensionit, që nuk mund të regjistrohen në llogarinë e titujve në formë të dematerializuar, si dhe instrumentet financiare të materializuara, që i dorëzohen depozitarit, regjistrohen në llogari të tjera të përshtatshme për këtë qëllim.
2. Fondet cash mbahen në një llogari transaksionesh (llogari e fondit në cash) për qëllime biznesi dhe nuk mund të përdoren për pretendime që lindin ndaj depozitarit apo shoqërisë administruese.
3. Depozitari, për qëllime të ruajtjes së aktiveve të fondit, siguron se të gjitha instrumentet financiare regjistrohen në librat e depozitarit në llogari të veçuara nga asetet e veta dhe ato të fondeve te tjera.
4. Depozitari përditëson të dhënat e mbajtura në regjistrat e tij;
5. Autoriteti përcakton me rregullore rregulla të mëtejshme për mënyrën e ruajtjes së aktiveve të fondit nga depozitari.
Neni 120
Njoftimi i Autoritetit
1. Me kërkesë të Autoritetit, depozitari duhet t’i vërë në dispozicion këtij të fundit informacion për të gjitha çështjet e rëndësishme, me qëllim ushtrimin efektiv të funksioneve të tij mbikëqyrëse për veprimtarinë e depozitarit.
2. Kur depozitari gjatë kryerjes së detyrave të tij, sipas nenit 118 të këtij ligji, evidenton parregullsi nga ana e shoqërisë administruese gjatë përmbushjes së detyrimeve të saj, rregulloreve të miratuara në zbatim të këtij ligji ose prospektit, por që nuk përbëjnë shkelje sipas pikës 2 të nenit 118, njofton pa vonesë shoqërinë administruese, me qëllim korrigjimin ose sqarimin e rrethanave që çuan në parregullsi.
3. Nëse shoqëria administruese edhe pas njoftimit të depozitarit vazhdon të shkelë detyrimet e saj, depozitari njofton Autoritetin pa vonesë për rrethanat e shkeljes.
Neni 121
Ndarja e veprimtarisë së depozitarit nga veprimtaritë e tjera
1. Veprimtaria e ruajtjes së aktiveve dhe të gjitha veprimtaritë e tjera, që depozitari kryen për një shoqëri administruese, duhet të ndahen në mënyrë funksionale nga veprimtaritë që depozitari kryen në përputhje me ligjin, që rregullon krijimin dhe funksionimin e bankave ose institucioneve të kreditit.
2. Aktivet e fondit do të mbahen nga depozitari në mënyrë të tillë që në çdo kohë asetet që i përkasin fondit të identifikohen qartë dhe të dallohen nga aktivet e depozitarit dhe klientëve të tjerë të depozitarit.
3. Depozitari dhe nëndepozitari nuk mund të përdorin aktivet e fondit të pensionit për kryerjen e transaksioneve për llogari të tyre ose për përfitim të tyre, themeluesve të tyre apo të punësuarve, përveç për përfitimin e anëtarëve të fondit.
4. Aktivet e fondit të pensionit nuk mund t’u nënshtrohen ekzekutimeve për detyrimet që depozitari ka ndaj të tretëve. Aktivet e fondit të pensionit duhet të veçohen nga aktivet e depozitarit në bazë të së drejtës së veçimit në procedurë falimentimi dhe nuk përfshihen në shlyerjen e detyrimeve të kreditorëve të depozitarit.
Neni 122
Konflikti i interesit
1. Depozitari gjatë kryerjes së detyrave të tij, të parashikuara nga ky ligj dhe kontrata për kryerjen e veprimtarisë së depozitarit, duhet të veprojë me kujdesin e një eksperti të mirë, me ndërgjegje dhe ndershmëri, i pavarur nga shoqëria administruese, aksionarët e saj ose anëtarët e fondit për të cilin kryen veprimtari depozitari.
2. Depozitari nëpërmjet strukturës së tij organizative dhe akteve të brendshme gjatë kryerjes së veprimtarisë dhe detyrave të parashikuara nga ky ligj dhe kontrata për kryerjen e veprimtarisë së depozitarit duhet të shmangë konfliktin e interesit midis vetë depozitarit, aksionarëve dhe/ose mbajtësit të pjesëmarrjes influencuese dhe shoqërisë administruese.
3. Konflikti i mundshëm i interesit identifikohet, administrohet dhe monitorohet në mënyrë të përshtatshme nga strukturat përgjegjëse, në mënyrë që të parandalohet çdo pasojë e padëshirueshme në interes të anëtarëve të fondit.
4. Shoqëria e licencuar si depozitar nuk zotëron licencë si shoqëri administruese, por mund të zotërojë pjesërisht ose plotësisht një shoqëri, e cila ka licencë si shoqëri administruese e fondeve. Në këtë rast shoqëria administruese dhe banka depozitare si aksionar i kësaj shoqërie nuk mund të kryejnë funksionet e tyre për të njëjtin fond pensioni.
5. Personat kyç, personeli kyç dhe punonjës të tjerë të depozitarit nuk mund të jenë persona kyç, personel kyç dhe punonjës të shoqërisë administruese dhe anasjelltas.
Neni 123
Përgjegjësia e depozitarit
1. Depozitari ekzekuton urdhrat dhe udhëzimet e shoqërisë administruese vetëm nëse ato janë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, rregulloret e miratuara në zbatim të tij dhe prospektin e fondit të pensionit.
2. Depozitari është përgjegjës ndaj shoqërisë administruese, fondit të pensionit dhe ndaj anëtarëve të fondit për çdo humbje të shkaktuar nga vetë ai ose nga një palë e tretë së cilës i është deleguar ruajtja e aktiveve të fondit.
3. Në rastin e humbjes së aktiveve të ruajtura, depozitari garanton kthimin e tyre në llojin identik ose shumën korresponduese fondit të pensionit. Depozitari nuk mban përgjegjësi nëse vërteton se kjo humbje ka ndodhur si rezultat i rrethanave që janë jashtë kontrollit të depozitarit dhe se pasojat ishin të pashmangshme, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për shmangien e tyre.
4. Depozitari mban gjithashtu përgjegjësi ndaj fondit të pensionit dhe ndaj anëtarëve për të gjitha humbjet e shkaktuara si pasojë e pakujdesisë së depozitarit apo mospërmbushjes së qëllimshme të detyrimeve të tij në bazë të këtij ligji dhe akteve rregullative të miratuara nga Autoriteti.
5. Përgjegjësia e depozitarit, e parashikuar në këtë nen, nuk përjashtohet ose/dhe kufizohet nëpërmjet kontratës apo marrëveshjes. Çdo marrëveshje ose kontratë, që bie ndesh me këtë kërkesë, është e pavlefshme.
Neni 124
Tarifa për veprimtarinë e depozitarit
Shoqëria administruese i paguan depozitarit një tarifë për kryerjen e veprimtarisë së depozitarit në bazë të kontratës me shkrim të lidhur me shoqërinë administruese. Depozitari i fondit nuk mund të ngarkojë anëtarin e fondit të pensionit me asnjë tarifë apo komision, përveç atyre të parashikuara në prospekt.
Neni 125
Përdorimi i nëndepozitarit
Depozitari mund të kontraktojë një nëndepozitar me marrëveshje me shoqërinë administruese nëse është e nevojshme për investimet jashtë territorit të Shqipërisë. Një marrëveshje e tillë nuk kufizon përgjegjësitë ligjore të depozitarit dhe çdo marrëveshje e kundërt është e pavlefshme. Depozitari njofton Autoritetin për marrëveshjen me nëndepozitarin.
Neni 126
Ndryshimi i depozitarit të fondit me kërkesë të Autoritetit
1. Autoriteti në çdo kohë mund të urdhërojë shoqërinë administruese të ndryshojë depozitarin në rrethanat e mëposhtme:
a) depozitari dështon të përmbushë detyrat e tij sipas kërkesave të këtij ligji, rregulloreve të miratuara në zbatim të tij dhe kontratës së nënshkruar me shoqërinë administruese;
b) ekzistojnë rrethana që vënë në dyshim aftësinë e depozitarit për kryerjen e detyrave në kohë dhe me cilësi, sipas kërkesave të këtij ligji, rregulloreve të miratuara në zbatim të tij dhe kontratës së nënshkruar me shoqërinë administruese;
c) Autoriteti krijon bindjen se shoqëria administruese dhe depozitari bashkërisht veprojnë në dëm të interesave të anëtarëve të fondit të pensionit;
ç) depozitari është në shkelje të detyrimeve që rrjedhin nga politikat e kontrollit të brendshëm të depozitarit;
d) ka ndryshime në strukturën e brendshme organizative të depozitarit, të tilla që mund të vënë në rrezik sigurinë e aktiveve të fondit dhe interesat e anëtarëve të fondit të pensionit.
2. Autoriteti i kërkon shoqërisë administruese zëvendësimin e depozitarit brenda 3 (tre) muajve nga marrja e vendimit, sipas pikës 1 të këtij neni. Nëse shoqëria administruese dështon në zëvendësimin e depozitarit, Autoriteti cakton një depozitar të ri për fondin e pensionit.
Neni 127
Ndryshimi i depozitarit me kërkesë të tij
1. Depozitari i fondit mund kërkojë të ndërpresë kryerjen e veprimtarisë së depozitarit ose të zgjidhë kontratën për kryerjen e veprimtarisë së depozitarit të fondit duke njoftuar me shkrim për qëllimin e tij Autoritetin dhe shoqërinë administruese të paktën 3 muaj para përfundimit të planifikuar të ndërprerjes së veprimtarisë.
2. Depozitari në njoftimin me shkrim drejtuar Autoritetit përfshin gjithashtu çdo çështje lidhur me veprimtarinë e fondit të pensionit që depozitari ka marrë dijeni gjatë kryerjes së funksioneve të tij dhe që, sipas mendimit të depozitarit, rrezikon të dëmtojë aftësinë e fondit për të vepruar në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
3. Depozitari që zgjidh kontratën si depozitar për llogari të fondit të pensionit, informon gjithashtu depozitarin e ri për çdo rrethanë që ka informuar Autoritetin, në bazë të pikës 2 të këtij neni.
4. Në rast se shoqëria administruese nuk lidh një kontratë për kryerjen e veprimtarisë së depozitarit me një depozitar tjetër brenda 3 (tre) muajve nga data e marrjes së njoftimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, depozitari do të vazhdojë të sigurojë shërbimet e depozitarit për një muaj tjetër, brenda të cilit shoqëria administruese është e detyruar të lidhë një kontratë me një depozitar të ri.
5. Nëse shoqëria administruese nuk lidh kontratë me një depozitar të ri brenda periudhës 1 (një) mujore të përcaktuar në pikën 4 të këtij neni, Autoriteti heq licencën e shoqërisë administruese. Në këtë rast depozitari ekzistues vepron si depozitar i fondit të pensionit deri në mbylljen e fondit të pensionit.
Neni 128
Ndryshimi i depozitarit me kërkesë të shoqërisë
1. Shoqëria administruese në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë ligj mund të zëvendësojë depozitarin ekzistues me një depozitar të ri vetëm me miratim të Autoritetit.
2. Ndryshimi i depozitarit duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të ruhet vijueshmëria në mënyrë të pandërprerë e veprimtarisë së depozitarit në lidhje me aktivet e fondit.
3. Depozitari i mëparshëm duhet të informojë Autoritetin me shkrim brenda 3 (tri) ditëve nga marrja e kërkesës së shoqërisë administruese për ndërprerjen ose zgjidhjen e kontratës për kryerjen e veprimtarisë së depozitarit nëse, sipas dijenisë së depozitarit, ekzistojnë shkelje të këtij ligji ose rregulloreve të miratuara në zbatim të tij.
Neni 129
Dorëzimi i dokumenteve
1. Në rast të ndërprerjes ose zgjidhjes së kontratës së depozitarit, ky i fundit është i detyruar që brenda 30 (tridhjetë) ditëve të transferojë të gjitha aktivet e fondit dhe librat e llogarive për ruajtje dhe administrim te një depozitar i ri me të cilin shoqëria administruese ka lidhur kontratë.
2. Depozitari dorëzon te depozitari i ri i fondit regjistrat dhe të gjitha dokumentet dhe materialet e tjera të rëndësishme për operacionet e fondit për të cilat ai ka kryer më parë veprimtarinë e depozitarit, në formë të shkruar ose elektronike, në varësi të mënyrës së mbajtjes së të dhënave të treguara.
Neni 130
Falimentimi ose likuidimit i depozitarit
1. Në rast të hapjes së procedurave të falimentimit ose fillimit të procedurave të likuidimit ndaj depozitarit, shoqëria administruese duhet:
a) të njoftojë menjëherë depozitarin për zgjidhjen e kontratës, si dhe Autoritetin për kërkesën drejtuar depozitarit dhe rrethanat e saj;
b) të zgjedhë menjëherë një depozitar të ri, si dhe të kërkojë miratimin e Autoritetit.
2. Nëse shoqëria administruese nuk ndërmerr masat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, Autoriteti urdhëron ndryshimin e depozitarit sipas nenit 126 të këtij ligji.
3. Autoriteti mund të urdhërojë shoqërinë administruese të ndryshojë depozitarin nëse shëndetshmëria financiare ose organizative e depozitarit është dobësuar ndjeshëm, duke paraqitur kështu një kërcënim të mundshëm për sigurinë e aktiveve të fondit.
4. Banka e Shqipërisë njofton Autoritetin për çdo rast, i cili, sipas kritereve të Bankës së Shqipërisë, mund të shkaktojë një dobësim të ndjeshëm të shëndetshmërisë financiare ose organizative të depozitarit.
Neni 131
Heqja e licencës së depozitarit
1. Autoriteti mund të heq licencën e depozitarit në rrethanat vijuese nëse:
a) miratimi është lëshuar në bazë të informacionit të pavërtetë, të pasaktë ose mashtrues;
b) depozitari nuk përmbush kushtet për të cilat është lëshuar licenca;
c) Autoriteti konstaton se depozitari nuk po përmbush detyrat në përputhje me detyrimet e ndërmarra dhe/ose dispozitat e këtij ligji dhe rregulloreve të miratuara në zbatim të tij, si dhe gjykohet se heqja e licencës është më e përshtatshme se ndryshimi i depozitarit, sipas nenit 126 të këtij ligji;
ç) ekzistojnë rrethana që vënë në dyshim aftësinë e depozitarit për të kryer detyrat e tij në kohën e duhur dhe në mënyrë cilësore në përputhje me detyrimet e marra dhe/ose dispozitat e këtij ligji dhe rregulloret e miratuara në zbatim të tij;
d) depozitari shkel në mënyrë të përsëritur dispozitat e këtij ligji, rregulloret e miratuara në zbatim të tij dhe prospektin e fondit të pensionit.
KREU X
BASHKIMI DHE NDARJA E FONDIT TË PENSIONIT PRIVAT
Neni 132
Bashkimi, ndarja dhe shndërrimi i fondit të pensionit
1. Fondi i pensionit privat mund të ndahet në dy ose më shumë fonde ose mund të bashkohet me dy ose më shumë fonde të tjera me miratim të Autoritetit.
2. Një fond me pjesëmarrje të mbyllur mund të shndërrohet në një fond me pjesëmarrje të hapur me miratim të Autoritetit.
3. Ndryshimi i formës së fondit të pensionit privat nëpërmjet bashkimit, ndarjes ose shndërrimit të fondit nuk lejohet nëse dobëson pozicionin ekonomik të anëtarëve të fondeve ose është në dëm të interesave të anëtarëve të fondeve.
4. Ndryshimi i formës së fondit me pjesëmarrje të mbyllur është i detyrueshëm në rastet e hapjes së procedurës së falimentit, fillimit të procedurave të likuidimit për sponsorin e fondit ose në rastet kur sponsori i fondit vendos të mbyllë aktivitetin tregtar. Ndryshimi i formës së fondit me pjesëmarrje të mbyllur bëhet me miratim të Autoritetit.
5. Mungesa e pagesave të rregullta nga ana e sponsorit në një fond me pjesëmarrje të mbyllur, sipas nenit 77 të këtij ligji, përbën arsye për ndryshimin e detyrueshëm të formës së fondit, të përcaktuar në pikën 4 të këtij neni.
6. Autoriteti miraton rregullore për procedurën, dokumentacionin, kushtet dhe mënyrën e zbatimit të ndryshimeve të formës së fondeve.
Neni 133
Bashkimi i fondeve
1. Bashkimi i fondeve të pensionit kryhet me transferim te një fond ekzistues ose nëpërmjet krijimit të një fondi të ri si më poshtë:
a) të gjitha të drejtat dhe detyrimet e një fondi/disa fondeve të pensionit (fond transferues) që bashkohen i kalojnë një fondi pensioni ekzistues (fond marrës). Anëtarët e fondeve të pensionit, pjesëmarrëse në bashkim, marrin kuotat në fondin marrës dhe fondet e pensionit pjesëmarrëse në bashkim prishen;
b) të gjitha të drejtat dhe detyrimet e një fondi/disa fondeve që bashkohen (fond transferues) i kalojnë një fondi pensioni marrës të krijuar rishtazi, anëtarët në fondet e pensionit pjesëmarrëse në bashkim marrin kuotat në fondin e pensionit marrës dhe fondet e pensionit pjesëmarrëse në bashkim prishen.
2. Pas bashkimit, vlera neto e aktiveve të fondit marrës duhet të jetë e barasvlershme me vlerën neto të aktiveve të fondit transferues.
3. Vlera totale e të gjitha kuotave, që zotëron anëtari në fondin marrës, pas ndryshimit të statusit të fondit si rezultat i bashkimit, duhet të jetë e barasvlershme me vlerën totale të kuotave që anëtari zotëronte në fondin transferues përpara ndryshimit të statusit.
4. Shoqëria administruese që administron fondin pas bashkimit do të vazhdojë të gjitha marrëdhëniet juridike që shoqëria administruese e fondit transferues kishte në emër dhe për llogari të fondit transferues.
Neni 134
Ndarja e fondeve
1. Ndarja e fondit të pensionit kryhet kur të gjitha të drejtat dhe detyrimet e një fondi pensioni transferohen në dy ose më shumë fonde marrëse dhe fondi transferues prishet.
2. Ndarja e fondit, duke transferuar të drejtat dhe detyrimet në dy ose më shumë fonde ekzistuese, është ndarje me marrje në dorëzim. Ndarja e fondit, duke transferuar të drejtat dhe detyrimet në dy ose më shumë fonde, të krijuar për qëllim të ndarjes, është ndarje me themelim.
3. Fondi me pjesëmarrje të hapur mund të ndahet në vetëm dy ose më shumë fonde me pjesëmarrje të hapur, ndërsa fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të ndahet në fonde me pjesëmarrje të hapur ose fonde me pjesëmarrje të mbyllur.
4. Pas realizimit të ndarjes, vlera neto e aktiveve të fondit marrës duhet të jetë e barasvlershme me vlerën neto të aktiveve të fondit që ndahet.
5. Vlera totale e të gjitha kuotave, që zotëron anëtari në fondin marrës, pas ndryshimit të statusit të fondit si rezultat i ndarjes, duhet të jetë e barasvlershme me vlerën totale të kuotave që anëtari zotëronte në fondin e ndarë përpara ndryshimit të statusit.
Neni 135
Miratimi i bashkimit ose ndarjes së fondit të pensionit
1. Autoriteti miraton çdo kërkesë për bashkim ose ndarje të fondeve të pensionit privat. Kërkesa për miratimin e bashkimit ose ndarjes paraqitet nga shoqëria administruese e fondeve të pensionit.
2. Kërkesa për miratim shoqërohet nga:
a) projektmarrëveshja për bashkim ose ndarje;
b) opinionin e depozitarëve në zbatim të nenit 137 të këtij ligji;
c) draftinformacioni që do t’u dërgohet anëtarëve në zbatim të nenit 138 të këtij ligji;
ç) prospektin e fondit dhe çdo rregull tjetër të fondit marrës;
d) dokumentacioni që dëshmon se është lidhur marrëveshja me depozitarin dhe audituesin lidhur me përgatitjen e konfirmimit pas vënies në zbatim të bashkimit ose ndarjes, sipas neneve 140 dhe 141 të këtij ligji.
3. Autoriteti mund të kërkojë informacion shtesë, përveç informacionit dhe dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, brenda 10 ditëve pune pas marrjes së kërkesës. Autoriteti mund të kërkojë ndryshime në informacionet që u dërgohen anëtarëve, nëse informacionet nuk i përmbushin kërkesat e këtij ligji.
4. Kërkesa për bashkim shqyrtohet brenda 3 muajve pas depozitimit të kërkesës së plotë. Autoriteti jep miratimin nëse janë përmbushur dispozitat e kreut X të këtij ligji dhe nëse gjykohet se bashkimi ose ndarja e fondeve nuk do të cenojë interesat e anëtarëve.
5. Dispozitat e këtij kreu nuk zbatohen në lidhje me bashkimet ndërkufitare.
6. Shoqëria administruese është përgjegjëse për dëmin e shkaktuar anëtarëve të fondit, për shkak të bashkimit ose ndarjes së fondit të pensionit, me përjashtim të rastit kur vërteton se ka vepruar me kujdesin e duhur dhe në interes të anëtarëve gjatë procesit të bashkimit ose ndarjes së fondeve të pensionit.
Neni 136
Marrëveshja e bashkimit
1. Shoqëritë administruese që administrojnë fondin transferues dhe fondin marrës janë të detyruara të hartojnë një marrëveshje bashkimi.
2. Marrëveshja e bashkimit duhet të përmbajë:
a) emrin dhe llojin e fondeve që marrin pjesë në procedurën e bashkimit, shoqëritë administruese që administrojnë fondet përkatëse;
b) një përshkrim të shkurtër të arsyes që çoi në bashkimin e fondeve;
c) një përshkrim të pasojave të parashikueshme të bashkimit për anëtarët e fondit transferues dhe fondit marrës;
ç) një përshkrim të metodës së vlerësimit të aktiveve dhe pasiveve të fondit transferues dhe fondit marrës në datën e llogaritjes së normës së zëvendësimit (replacement ratio);
d) një përshkrim të metodës që do të përdoret për llogaritjen e normës së zëvendësimit;
dh) datën e synuar të bashkimit;
e) një përshkrim të hollësishëm të procedurave në lidhje me transferimin e aktiveve të fondit transferues në fondin marrës.
3. Marrëveshja e bashkimit nënshkruhet nga këshilli i administrimit/mbikëqyrës i shoqërive pjesëmarrëse në bashkim.
4. Autoriteti mund të kërkojë informacion shtesë, përveç informacionit dhe dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, brenda 10 ditëve pune pas marrjes së kërkesës.
Neni 137
Opinioni i depozitarit për bashkimin
1. Bazuar në marrëveshjen e bashkimit, sipas nenit 136 të këtij ligji, depozitarët e fondeve, që marrin pjesë në procedurën e bashkimit, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri përgatisin një opinion për bashkimin për secilin fond për të cilin kryejnë veprimtarinë e depozitarit.
2. Opinioni i depozitarëve për bashkim duhet të përmbajë një deklaratë nëse kërkesat e përcaktuara në shkronjat “c”, “ç”, “dh” dhe “e” të pikës 2 të nenit 136 të këtij ligji janë hartuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe prospektin e fondit.
Neni 138
Njoftimi për anëtarët e fondit të pensionit
1. Anëtarët e fondeve të pensionit që bashkohen informohen për planin e bashkimit pasi është dhënë miratimi paraprak nga Autoriteti dhe të paktën 30 (tridhjetë) ditë pune përpara se të përfundojë hyrja në fuqi e bashkimit.
2. Informacioni duhet t’u japë mundësi anëtarëve që të bëjnë një vlerësim të saktë të bashkimit dhe përfshin:
a) arsyetimin e bashkimit të propozuar;
b) ndikimin e mundshëm tek anëtarët e fondit, përfshirë ndryshimet në objektivin dhe strategjinë e investimit, kostot, kthimin e pritur nga investimi, raportimin periodik, ndonjë rënie të mundshme të performancës;
c) një përshkrim të të drejtave të anëtarëve në lidhje me bashkimin, përfshirë të drejtën për të marrë informacione të tjera shtesë dhe një kopje të konfirmimit të bashkimit;
ç) aspektet përkatëse procedurale dhe datën e planifikuar të hyrjes në fuqi të bashkimit.
3. Anëtarët e fondeve të pensionit që bashkohen, të cilët vendosin të tërhiqen nga fondi për shkak të ndryshimit të statusit të fondit, nuk do të paguajnë penalitete për tërheqje të parakohshme. Në rastin kur anëtarët vendosin të transferojnë aktivet në një fond tjetër të administruar nga e njëjta shoqëri administruese ose nga një shoqëri tjetër administruese, transferimi i aktiveve duhet të kryhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të bashkimit. Anëtarët nuk paguajnë komision transferimi.
Neni 139
Refuzimi i një kërkese për bashkim
Autoriteti refuzon kërkesën për miratimin e bashkimit nëse konstaton se nuk përmbushen kushtet e kreut X të këtij ligji.
Neni 140
Auditimi i bashkimit
1. Para ditës së llogaritjes së normës së zëvendësimit dhe ditës së bashkimit, procesi i bashkimit duhet të auditohet nga një shoqëri audituese e caktuar nga shoqëria administruese që administron fondin transferues.
2. Audituesi përgatit një raport për bashkimin, i cili përfshin dhe evidenton:
a) nëse bashkimi i propozuar respekton parimin e pandryshueshmërisë së pozitës ekonomike të anëtarëve të fondit, të përcaktuar në nenin 132 të këtij ligji;
b) metodën për vlerësim sipas nenit 136, pika 2, shkronja “ç”, të këtij ligji;
c) përshtatshmërinë e metodologjisë për llogaritjen e normës së zëvendësimit, të përcaktuar në nenin 136, pika 2, shkronja “d”, të këtij ligji.
3. Audituesi paraqet raportin e tij për bashkimin te këshilli i administrimit/mbikëqyrës, që administrojnë fondin transferues dhe fondin marrës. Shoqëria administruese e fondit marrës dorëzon raportin e audituesit në autoritet brenda 3 (tri) ditëve pune nga dita e marrjes nga audituesi.
4. Nëse disa fonde marrin pjesë në procedurën e bashkimit, shoqëritë administruese të fondeve transferuese ose fondeve marrëse, në marrëveshje me depozitarët e fondeve, mund të vendosin që auditimi i bashkimit të kryhet nga i njëjti auditues, i cili do të hartojë një raport të vetëm bashkimi.
5. Çdo anëtar i fondit transferues ka të drejtë të kërkojë nga shoqëria administruese e fondit marrës një kopje të raportit të audituesit për bashkimin. Shoqëria administruese vë në dispozicion të anëtarit, në rrugë elektronike ose fizikisht, një kopje të raportit brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës.
Neni 141
Hyrja në fuqi e bashkimit
1. Bashkimi hyn në fuqi pas dhënies së miratimit, sipas nenit 135 të këtij ligji.
2. Shoqëria administruese e fondit të pensionit marrës garanton që depozitari ose audituesi i miratuar, në mënyrë të pavarur, të konfirmojë që pas hyrjes në fuqi të bashkimit:
a) bashkimi është kryer në përputhje me kriteret e parashikuara në marrëveshjen e bashkimit;
b) mënyra e llogaritjes së normës së zëvendësimit dhe normës faktike të zëvendësimit është në përputhje me metodën e përcaktuar në marrëveshjen e bashkimit.
3. Konfirmimi u vihet në dispozicion anëtarëve dhe Autoritetit.
Neni 142
Procedura e ndarjes së fondeve
Shoqëria administruese, e cila kërkon ndarjen e fondit të pensionit privat, do të ndjekë të njëjtat parime dhe të njëjtën procedurë të parashikuar në këtë kre.
KREU XI
MBIKËQYRJA
SEKSIONI I
VEPRIMTARIA MBIKËQYRËSE
Neni 143
Parimet e mbikëqyrjes
1. Për qëllimet e këtij ligji, mbikëqyrje është verifikimi nëse subjekti i licencuar/regjistruar vepron në përputhje me dispozitat e këtij ligji, rregulloret e miratuara në zbatim të tij, rregullat e administrimit të rrezikut, si dhe rregullat e tjera, që mundësojnë funksionimin e duhur të subjektit të mbikëqyrur.
2. Objektivat kryesorë të mbikëqyrjes janë:
a) mbrojtja e interesave të anëtarëve dhe përfituesve;
b) sigurimi i zbatimit të dispozitave të këtij ligji për mbajtjen e sigurt, stabilitetin dhe parashikueshmërinë financiare të aktiveve të fondit të pensionit;
c) forcimi i mirëqeverisjes, transparencës dhe parandalimi i sjelljeve të papërshtatshme apo mashtrimit nga ofruesit e shërbimeve për aktivet e fondit të pensionit.
3. Autoriteti miraton rregulla për metodologjinë e mbikëqyrjes me bazë rreziku.
Neni 144
Ushtrimi i mbikëqyrjes
1. Autoriteti ushtron mbikëqyrjen sipas këtij ligji nëpërmjet:
a) monitorimit të veprimtarive, mbledhjes dhe verifikimit të raporteve dhe njoftimeve të depozituara nga shoqëritë administruese të fondeve, depozitarët dhe personave të tjerë, të cilët, sipas legjislacionit në fuqi, kanë detyrimin për të raportuar në Autoritet ose për ta njoftuar atë për çdo fakt ose rrethanë të veçantë;
b) kryerjes së inspektimeve në vend të çdo fondi të pensionit privat, shoqërive administruese të fondit të pensionit, depozitarit të fondit të pensionit ose agjentëve të fondit të pensionit, me qëllim që të konstatohet nëse veprimtaria e subjektit të licencuar është në përputhje me dispozitat e këtij ligji, rregulloret, kërkesat, sipas licencës së tij, prospektin e fondit, si dhe çdo dokument tjetër që rregullon veprimtarinë e tij;
c) kryerjes së hetimeve administrative për çdo veprimtari të subjektit të licencuar në zbatim të këtij ligji, në mënyrë që të konstatohet nëse ushtron veprimtari sipas këtij ligji;
ç) vendosjes së masave mbikëqyrëse sipas këtij ligji;
d) garantimit që informacioni sipas këtij ligji, rregulloreve të miratuara në zbatim të tij të jetë i plotë, i qartë dhe lehtësisht i aksesueshëm edhe nëpërmjet mjeteve elektronike, të paktën në një gjuhë ndërkombëtare, si dhe të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme.
2. Autoriteti ushtron funksionet e tij mbikëqyrëse bazuar në këtë ligj dhe metodologjinë me bazë rreziku.
3. Autoriteti merr parasysh llojin, fushën dhe kompleksitetin e veprimtarisë së subjektit të mbikëqyrur kur verifikon dhe vlerëson stabilitetin, pozicionin financiar dhe rreziqet ndaj të cilave subjekti i mbikëqyrur është i ekspozuar ose mund të ekspozohet.
4. Në përcaktimin e shpeshtësisë dhe metodës së mbikëqyrjes të një subjekti, Autoriteti merr në konsideratë madhësinë dhe ndikimin e subjektit, madhësinë dhe ndikimin e fondit/ve që subjekti administron, si dhe kompleksitetin dhe tregues të tjerë të veprimtarisë.
5. Autoriteti ushtron kontroll për zbatimin e legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nga ana e subjekteve të këtij ligji.
6. Në rast se ekziston një dyshim i arsyeshëm se shkeljet lidhen me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit, Autoriteti i raporton autoritetit përgjegjës në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Neni 145
Subjektet e mbikëqyrjes
1. Autoriteti mbikëqyr subjektet e mëposhtme:
a) fondet e pensionit privat të krijuara sipas këtij ligji;
b) shoqëritë administruese të fondeve të pensionit privat;
c) depozitarët;
ç) agjentët e fondit të pensionit privat;
d) subjektin e regjistruar në një vend anëtar që administron për llogari të një sponsori fonde të pensionit privat, me pjesëmarrje të mbyllur në Republikën e Shqipërisë.
2. Për qëllime të mbikëqyrjes, Autoriteti ka të drejtë të inspektojë të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin e mbajtur nga subjektet e mbikëqyrura, sipas këtij ligji.
Neni 146
Mbikëqyrja e shoqërisë administruese të një vendi anëtar
1. Shoqëria administruese ose subjekti i themeluar në një shtet anëtar, që është njohur të administrojë një fond me pjesëmarrje të mbyllur të një sponsori në Republikën e Shqipërisë, sipas neneve 20 dhe 21 të këtij ligji, është objekt mbikëqyrjeje nga Autoriteti.
2. Nëse Autoriteti gjatë ushtrimit të mbikëqyrjes zbulon parregullsi ose shkelje të këtij ligji ose rregulloreve të miratuara në zbatim të tij dhe çdo akti tjetër, që rregullon fondin e pensionit, njofton menjëherë autoritetin kompetent të vendit të origjinës, i cili në bashkëpunim me Autoritetin merr masat e nevojshme për të siguruar korrigjimin e parregullsive të konstatuara.
3. Nëse, pavarësisht masave të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, subjekti i njohur vazhdon me parregullsi ose shkelje të këtij ligji, rregulloreve të miratuara në zbatim të tij dhe dokumenteve të fondit, Autoriteti pas njoftimit të autoritetit kompetent të vendit të origjinës përshkallëzon në mënyrë të mëtejshme masat për të parandaluar ose ndëshkuar parregullsitë ose shkeljet dhe, nëse është e nevojshme, ndalon subjektin e njohur që të administrojë më tej fondin me pjesëmarrje të mbyllur për llogari të një sponsori në Republikën e Shqipërisë.
Neni 147
Kryerja e veprimtarisë mbikëqyrëse
Veprimtaritë mbikëqyrëse të Autoritetit kryhen nëpërmjet:
a) hartimit, miratimit dhe ndryshimit të akteve rregullatore, rregulloreve dhe udhëzimeve, të parashikuara në këtë ligj, dhe të çdo akti tjetër që Autoriteti e gjykon të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrave të tij;
b) publikimit të udhëzimeve lidhur me interpretimin dhe zbatimin e këtij ligji dhe të rregulloreve të miratuara nga Autoriteti në zbatim të këtij ligji;
c) hartimit dhe miratimit të modeleve tip të licencave, njohjes dhe regjistrimit, të parashikuara në këtë ligj dhe që përdoren për raportim në Autoritet, në zbatim të këtij ligji;
ç) dhënies, refuzimit, pezullimit ose heqjes së licencave, njohjes dhe regjistrimit, sipas këtij ligji, dhe miratimeve të prospektit të fondit të pensionit brenda afateve, kushteve dhe procedurave në bazë të legjislacionit në fuqi;
d) miratimit të ndryshimeve të rëndësishme të licencave, njohjes dhe regjistrimit, sipas këtij ligji;
dh) miratimit të ndryshimeve të pjesëmarrjeve influencuese në subjektet e licencuara, në zbatim të këtij ligji;
e) shqyrtimit të kërkesave për veprimtari jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përfshirë hapjen e zyrave përfaqësuese dhe/ose degëve në vende të tjera;
ë) miratimit ose refuzimit të transferimit të kontratave të administrimit të fondit të pensionit privat;
f) miratimit ose refuzimit të bashkimeve të fondeve të pensionit dhe të marrjeve në kontroll të shoqërive të administrimit;
g) miratimit të likuidimit vullnetar të subjekteve të licencuara, në zbatim të këtij ligji;
gj) hapjes dhe mbikëqyrjes së procesit të administrimit të përkohshëm dhe likuidimit të detyrueshëm të subjekteve të licencuara, në zbatim të këtij ligji dhe emërimit të likuiduesve;
h) depozitimit të pasqyrave financiare të subjekteve të licencuara, në zbatim të këtij ligji;
i) miratimit të modeleve tip të raportimit financiar për subjektet e licencuara, në zbatim të këtij ligji;
j) miratimit të audituesve të pavarur për shoqëritë administruese të fondeve dhe fondin e pensionit bazuar në kriteret e përcaktuara me rregullore;
k) shqyrtimit të raporteve që depozitojnë në Autoritet personat e licencuar, të njohur dhe të regjistruar për të vlerësuar përputhshmërinë me këtë ligj dhe me rregulloret e miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij;
l) planifikimit dhe realizimit të inspektimeve në vend të veprimtarive të shoqërive administruese të licencuara të depozitarëve të licencuar dhe të agjentëve të fondit të pensionit, në zbatim të këtij ligji;
ll) kërkimit dhe më pas vlerësimit të informacioneve/dokumentacionit të ndryshëm lidhur me veprimtarinë e të gjithë personave subjekt të këtij ligji, përfshirë komunikimet elektronike, telekomunikacionit dhe evidencave të tyre;
m) kryerjes së hetimeve administrative ose caktimit të profesionistëve të jashtëm për të kryer hetime në emër të autoritetit;
n) ndërprerjes së çdo veprimtarie që bie ndesh me këtë ligj;
nj) pezullimit të veprimtarisë së subjektit të licencuar dhe njoftimit menjëherë të organeve përgjegjëse për çdo dyshim, informacion ose të dhënë, që ka lidhje me pastrim parash ose financim terrorizmi, krimi ekonomik ose vepra penale që kanë lidhje me shoqëritë tregtare;
o) pezullimit të përkohshëm të një ose më shumë funksioneve të veprimtarisë profesionale;
p) zbatimit të sanksioneve administrative për shkelje të dispozitave të këtij ligji;
q) bërjes së kallëzimit penal për subjektet e këtij ligji, për shkelje të këtij ligji, rast pas rasti.
Neni 148
Personat e autorizuar për mbikëqyrje
Mbikëqyrja, sipas këtij ligji, kryhet nga punonjësit e Autoritetit. Për kryerjen e detyrave të veçanta Autoriteti mund të kërkojë pjesëmarrjen profesionale të një audituesi të pavarur, shoqërie auditimi ose personi tjetër të kualifikuar profesionalisht.
Neni 149
Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit
1. Autoriteti mund të lidhë marrëveshje ose memorandum mirëkuptimi/bashkëpunimi me çdo autoritet tjetër rregullator, vendas dhe të huaj, autoritet rregullator në sektorin financiar, organizatat ndërkombëtare, që përfaqësojnë autoritetet rregullatore financiare, agjencitë ose institucione kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ose agjenci ligjzbatuese, për të shkëmbyer informacionet e nevojshme apo për të bashkëpunuar për kryerjen e veprimtarisë së mbikëqyrjes, ashtu siç është përcaktuar në këtë ligj.
2. Autoriteti shkëmben me autoritetet e tjera rregullatore, vendase ose të huaja:
a) informacion për lëshimin e licencave;
b) informacion për subjektet e mbikëqyrura:
c) informacion që lidhet me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
ç) informacion që lidhet me mashtrimin gjatë ushtrimit të veprimtarive të lidhura me fondin e pensionit;
d) informacion për personat kyç dhe personelin kyç të personave të licencuar, në zbatim të këtij ligji.
3. Autoriteti bashkëpunon dhe bashkërendon punën e tij me autoritetet e tjera rregullatore dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese, vendase ose të huaja, në mënyrë që të mbikëqyrë marketingun ndërkufitar dhe administrimin e fondeve të pensionit privat. Autoriteti dhe autoritetet e huaja duhet të konsultohen me njëra-tjetrën përpara se të ndërmarrin hapa të mëtejshëm.
4. Çdo informacion që Autoriteti merr dhe jep me autoritetet e tjera rregullatore trajtohet si konfidencial dhe përdoret vetëm për qëllime të mbikëqyrjes.
5. Autoriteti është përgjegjës për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit rreth fakteve dhe rrethanave që lidhen me përmbushjen e detyrave të tij mbikëqyrëse dhe përgjegjësive të përcaktuara në këtë ligj.
6. Autoriteti rregullator i vendit të origjinës së shoqërisë administruese, në bashkëpunim me Autoritetin, pas njoftimit paraprak të tij, mund të kryejë inspektim në vend të një përfaqësie të subjektit të njohur në Republikën e Shqipërisë.
7. Autoriteti, kur e konsideron të nevojshme, kryen inspektime në vend te një përfaqësi të subjektit të njohur në Republikën e Shqipërisë, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së veprimtarisë së kësaj përfaqësie me aktet ligjore dhe aktet rregullatore të miratuara nga Autoriteti në zbatim të këtij ligji.
8. Autoriteti, në zbatim të këtij neni, mund të miratojë rregulla shtesë lidhur me bashkëpunimin, shkëmbimin dhe trajtimin e informacionit me institucionet e tjera të huaja apo vendase.
Neni 150
Mbrojtja e të dhënave personale dhe konfidencialiteti
1. Përpunimi i të dhënave personale nga Autoriteti, në zbatim të këtij ligji, bëhet sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Çdo informacion që merr Autoriteti gjatë ushtrimit të funksioneve të tij trajtohet si konfidencial dhe nuk publikohet nga Autoriteti, anëtarët e bordit, punonjësit e tij ose kontraktorët dhe përdoret vetëm për qëllime të mbikëqyrjes.
3. Informacioni konfidencial trajtohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Ky informacion u vihet në dispozicion organeve të procedimit penal dhe organeve gjyqësore me kërkesën e tyre, si dhe mund të bëhet publik pas marrjes së pëlqimit të personit/institucionit, që e ka dhënë këtë informacion dhe/ose që preket nga ky informacion.
SEKSIONI II
RAPORTIMI
Neni 151
Detyrimi për të dhënë informacion
1. Shoqëria administruese e fondeve të pensionit i mundëson Autoritetit çdo informacion që kërkohet për çështjet e lidhura me veprimtarinë e saj. Detyrimi për dhënie informacioni zbatohet edhe nga depozitarët e licencuar të fondeve të pensionit lidhur me veprimtarinë e tyre, në zbatim të këtij ligji, si dhe agjentët e fondit të pensionit.
2. Autoriteti, në zbatim të parashikimeve të pikës 1 të këtij neni, kërkon informacionet që i gjykon të rëndësishme në kuadër të kryerjes së detyrave të tij mbikëqyrëse, në zbatim të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi që rregullon veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
3. Subjektet e licencuara i mundësojnë menjëherë Autoritetit çdo informacion që zotërojnë, nëse janë në dijeni apo kanë arsye të besojnë se:
a) informacioni është i rëndësishëm për ushtrimin e funksioneve mbikëqyrëse dhe rregullatore të Autoritetit lidhur me subjektet e licencuara sipas këtij ligji;
b) mosdhënia e informacionit çon në keqinformimin e Autoritetit për çështje me rëndësi thelbësore në ushtrimin e funksioneve.
4. Shoqëria administruese e fondeve të pensionit, audituesit e saj, si dhe depozitari i fondeve informojnë menjëherë Autoritetin për çdo çështje që kanë dijeni ose që kanë arsye të besojnë, si më poshtë:
a) shoqëria administruese e fondeve të pensionit dhe depozitari i fondeve është ose mund të kalojë në paaftësi paguese për t’i shlyer brenda afatit të gjitha detyrimet e tij ose nëse pasivet janë më të mëdha në vlerë se aktivet e tij;
b) shoqëria administruese e fondeve të pensionit ose depozitari i fondeve nuk është në gjendje të përmbushë kërkesat për mjaftueshmëri të kapitalit të këtij ligji ose të legjislacionit në fuqi për tregjet e kapitalit;
c) gjendja ekzistuese ose e ndryshuar e aktivitetit mund të rrezikojë thelbësisht të drejtat e anëtarëve të fondit të administruara nga shoqëria administruese e fondeve të pensionit;
ç) audituesi i jashtëm planifikon të japë opinion me rezerva thelbësore në raportin e tij lidhur me auditimin e fondit të pensionit, shoqërinë administruese të fondeve, ose depozitarin;
d) çdo veprimtari kriminale që lidhet me ofrimin e shërbimeve të tyre, përfshirë veprimtaritë e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Neni 152
Raportimi në Autoritet
1. Shoqëria administruese e fondit të pensionit privat e licencuar/njohur dhe depozitarët e fondit të pensionit privat depozitojnë pranë Autoritetit raporte dhe pasqyra financiare sipas intervaleve dhe afateve të përcaktuara nga ky ligj dhe/ose Autoriteti dhe që mbulojnë objektin e informacioneve që kërkon Autoriteti.
2. Raportet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni lidhur me fondet e pensionit privat me pjesëmarrje të mbyllur nën administrim nga shoqëria administruese e fondeve të pensionit e licencuar/njohur përmbajnë ndër të tjera:
a) përputhshmërinë në vazhdimësi me këtë ligj të funksionimit të fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur që kanë nën administrim;
b) investimet e fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur nën administrim, tregjet ku investohet dhe instrumentet në të cilat investohet fondi, përfshirë kategoritë e instrumenteve në të cilat bëhet investimi;
c) të dhëna që të vërtetojnë përputhshmërinë e çdo fondi në administrim me kërkesat përkatëse të kreut V të këtij ligji dhe përputhshmërinë me kërkesat për likuiditetin, të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji;
ç) vlerën neto të aktiveve dhe çmimin për çdo kuotë të fondit të pensionit nën administrim.
3. Raportet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni lidhur me shoqërinë administruese të fondeve të pensionit përmbajnë informacione për përputhshmërinë me kërkesat e këtij ligji, përfshirë ndër të tjera:
a) emërimin dhe shkarkimin e personave kyç dhe personelit kyç;
b) emërimin dhe shkarkimin e audituesit të jashtëm;
c) fillimin ose ndërprerjen e veprimtarive;
ç) promovimin e fondit të pensionit;
d) delegimin e funksioneve;
dh) planet e biznesit;
e) kontratat e lidhura me agjentët e fondit të pensionit.
4. Raportet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni lidhur me depozitarin përmbajnë informacione për përputhshmërinë me kërkesat e këtij ligji për fondet e pensionit privat, të cilave u ofrojnë shërbime, përfshirë ndër të tjera:
a) emërimin dhe shkarkimin e personelit kyç përgjegjës për njësinë e depozitarit;
b) emërimin dhe shkarkimin e audituesve të jashtëm;
c) fillimin ose ndërprerjen e planifikuar të veprimtarive;
ç) delegimin e funksioneve;
d) emrat e shoqërive administruese, si dhe emrat dhe vlerën e fondit të pensionit, të cilave u ofrojnë shërbime dhe pasuritë e mbajtura në emër të këtyre fondeve, përfshirë të dhëna që vërtetojnë ekzistencën e këtyre pasurive;
dh) vlerën neto ditore të aktiveve dhe çmimin për çdo kuotë të fondit të pensionit dhe numrin e përgjithshëm të kuotave.
5. Raportet, sipas parashikimeve të pikave 2, 3 dhe 4 të këtij neni, dorëzohen çdo 3 muaj dhe më shpesh, nëse konsiderohet e nevojshme nga Autoriteti, sipas kërkesave të tij, me përjashtim të raporteve të përcaktuara në shkronjën “dh” të pikës 4 të këtij neni, të cilat duhet të dorëzohen çdo ditë.
6. Autoriteti miraton rregulla shtesë lidhur me raportimin për formën, përmbajtjen dhe afatet kohore të këtyre raporteve lidhur me raportimin e pasqyrave financiare dhe raporteve të tjera, sipas parashikimeve të këtij neni.
SEKSIONI III
INSPEKTIMI NË VEND
Neni 153
Inspektimi në vend
1. Autoriteti kryen inspektime në vend lidhur me veprimtarinë e çdo fondi të pensionit privat, shoqërie administruese, përfaqësie të një shoqërie të huaj administruese të fondeve të pensionit të njohur nga Autoriteti, depozitarit dhe agjentëve të fondit të pensionit për të garantuar përputhshmëri me dispozitat e këtij ligji ose të rregulloreve të miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij, si dhe me kërkesat për zbatim të licencës dhe prospektin.
2. Subjektet e licencuara dhe të njohura/regjistruara, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, i mundësojnë Autoritetit akses në të gjitha librat tregtarë dhe kontabël, dosjet dhe çdo dokument tjetër që printohet nga sistemi kompjuterik ose që ekziston në version origjinal apo elektronik.
3. Autoriteti mund të kryejë inspektime në vend me ose pa njoftim paraprak.
4. Inspektimet në vend kryhen në çdo vendndodhje që lidhet me veprimtarinë e subjekteve të licencuara, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, të deleguarve të këtyre subjekteve ose të agjentëve të këtyre subjekteve, rast pas rasti, për të përmbushur funksionet mbikëqyrëse dhe rregullatore të Autoritetit.
Neni 154
Programi i inspektimit të veprimtarisë
1. Në rastin e inspektimit në vend, me njoftim paraprak, Autoriteti i dërgon subjektit të përcaktuar në pikën 1 të nenit 153 të këtij ligji programin e inspektimit të veprimtarisë përpara fillimit të inspektimit. Afati i njoftimit të subjektit të licencuar do të jetë në varësi të llojit të inspektimit.
2. Programi i inspektimit të veprimtarisë përmban objektin e inspektimit.
3. Gjatë inspektimit të subjektit, nëse e konsideron të nevojshme, me qëllim mbrojtjen e interesave të anëtarëve të fondit, Autoriteti mund të zgjerojë pa njoftim paraprak programin e inspektimit dhe të zgjasë kohëzgjatjen e planifikuar të inspektimit.
4. Autoriteti kryen inspektim edhe në bashkëpunim me autoritetet e tjera rregullatore ose institucione ligjzbatuese vendase ose të huaja, sipas programeve të përbashkëta të inspektimit të miratuar ndërmjet tyre.
5. Pas përfundimit të inspektimit, përfaqësuesi i autorizuar i Autoritetit harton një raport për inspektimin e kryer dhe u dorëzon drejtuesve të lartë të subjektit dokumentin kur paraqiten rezultatet e inspektimit.
KREU XII
KOMISIONET
Neni 155
Komisionet dhe tarifat
1. Për të mbuluar kostot e fondit të pensionit, në përputhje me prospektin dhe çdo rregull tjetër të fondit, shoqëria administruese mund të zbatojë komisione vetëm në rastet dhe mënyrat e mëposhtme:
a) komision vjetor për administrimin e fondit të pensionit duke zbritur çdo vit një përqindje të caktuar të vlerës neto të aktiveve të administruara, përfshirë tarifat dhe kostot që i paguhen depozitarit, kostot e auditimit vjetor, tarifat e licencimit ose tarifa të tjera që i paguhen Autoritetit, e të tjera.
b) komision transferimi nëse aktivet transferohen nga anëtarët e një fondi pensioni në një fond pensioni të ri deri në 0,5% të shumës së transferuar.
2. Shoqëria administruese është e detyruar të deklarojë shumën totale të kostove dhe komisioneve të parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe t’i publikojë në raportin vjetor të audituar të fondit të pensionit.
3. Të gjitha komisionet e zbatuara nga shoqëria administruese duhet të përfshihen në prospekt, si dhe në kontratën e anëtarësimit të fondit, të listuara në mënyrë të detajuar dhe t’i bëhen të njohura çdokujt që kërkon të bëhet anëtar në fondin e pensionit. Shoqëria administruese duhet të përshkruajë qartë komisionet që do të aplikojë dhe t’i paraqesë ato në formë lehtësisht të kuptueshme nga çdo individ. Kostoja totale vjetore që do t’u zbritet aktiveve të fondit të pensionit, sipas pikës 1, shkronja “a”, nuk mund të kalojë në asnjë rast 2.5 % të vlerës neto të aktiveve të fondit.
4. Çdo rritje e komisioneve të zbatuara nga shoqëria administruese brenda kufirit të përcaktuar më sipër duhet t’u njoftohet anëtarëve të paktën 6 (gjashtë) muaj përpara se ato të hyjnë në fuqi.
5. Autoriteti nxjerr rregullore që përcaktojnë më hollësisht elementet dhe nivelet e tarifave dhe kostos, si dhe mënyrën e llogaritjes së tyre.
KREU XIII
TATIMI
Neni 156
Regjimi tatimor i fondit të pensionit
1. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi.
2. Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me aktivet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese.
3. Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit.
4. Kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni, është deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi.
5. Blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe, si rrjedhojë, është e përjashtuar nga TVSH-ja.
6. Shërbimet e ofruara nga depozitari për shoqërinë administruese dhe anëtarët vlerësohen si shërbim financiar dhe si rrjedhojë janë të përjashtuara nga TVSH-ja.
7. Tërheqja e parakohshme tatohet me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale për vlerën e plotë të tërhequr parakohe, përfshirë kontributet.
8. Blerja e një kontrate të sigurimit të jetës në formë “të përvitshme” nga një shoqëri sigurimi jete, që sjell një produkt me të ardhura të rregullta, periodike, do të trajtohet me të njëjtat lehtësi fiskale si pagesat periodike në formë pensioni të parashikuara në nenin 75 të këtij ligji.
Neni 157
Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi
Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një fond pensioni vlerësohen shpenzim operativ deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me pagën minimale vjetore të miratuar në shkallë vendi, dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i njohur për qëllime të tatimit mbi fitimin.
Neni 158
Trajtimi fiskal i pagesave të marra nga anëtari
1. Pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit në mënyrë periodike mujore tatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi të ardhurat në Republikën e Shqipërisë.
2. Pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit në mënyrë të menjëhershme përpara afatit 2-vjeçar të parashikuar në nenin 75 të këtij ligji, tatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për tatimin mbi të ardhurat në Republikën e Shqipërisë.
Neni 159
Zbatimi
Ngarkohet ministri përgjegjës për financat për nxjerrjen e udhëzimeve në zbatim të dispozitave të parashikuara në këtë krye.
KREU XIV
MBROJTJA E ANËTARIT DHE PARANDALIMI I PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT
Neni 160
Procedura e ankesave në Autoritet
1. Autoriteti harton procedurat për trajtimin e ankesave në kuadër të detyrimit për kujdesin e duhur ndaj anëtarëve të fondit. Rregullat lidhur me procedurat e ankesave publikohen në faqen e internetit të Autoritetit.
2. Fillimisht të gjitha ankesat i drejtohen drejtpërdrejt subjektit të licencuar. Vetëm pas shterimit të rrugëve të ankimit tek subjekti i licencuar ankesa lidhur me një veprim ose mosveprim të subjektit mund të paraqitet në Autoritet.
3. Ankuesi mund të depozitojë ankesë kundër një pale tjetër vetëm për veprimtari, të cilat janë të rregulluara dhe të mbikëqyrura, në zbatim të këtij ligji.
4. Vendimi për ankesën merret duke u bazuar në çfarë Autoriteti gjykon si të rregullt, të drejtë dhe të arsyeshme në përputhje me rrethanat e çështjes.
5. Autoriteti njofton me shkrim subjektin e licencuar ndaj të cilit është drejtuar ankesa, si dhe ankuesin.
6. Nëse Autoriteti konstaton se subjekti i licencuar ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe të parregullt, atëherë urdhëron subjektin të korrigjojë situatën me shpenzimet e subjektit.
7. Autoriteti përjashtohet nga përgjegjësia ligjore për çdo dëm që lind nga ankesa apo nga kryerja e funksioneve të tij gjatë shqyrtimit të ankesës.
8. Autoriteti mund të përdorë ankesën si bazë për të filluar një inspektim të subjektit të licencuar ose si bazë për të filluar një procedurë disiplinore kundër subjektit të licencuar.
9. Autoriteti mund të publikojë të gjitha ose pjesë të raportit të tij lidhur me një ankesë, nëse e gjykon se kjo çështje duhet sjell në vëmendjen e publikut.
10. Kundër vendimit të Autoritetit sipas përcaktimeve të pikës 4 të këtij neni, ankuesi ka të drejtë që t’i drejtohet gjykatës administrative në përputhje me afatet, kushtet dhe përcaktimet e legjislacionit në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Neni 161
Parandalimi i pastrimit të parave dhe marrja e masave për eliminimin
e shkeljeve të konstatuara
1. Çdo subjekt i licencuar/regjistruar sipas këtij ligji, duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe akteve rregullatore të miratuara nga Autoriteti.
2. Subjektet e licencuara/regjistruara janë të detyruara që pa njoftim paraprak dhe përfshirje të personave të dyshuar apo të prekur të njoftojnë menjëherë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për çdo rast kur kanë dijeni apo dyshojnë se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
3. Në rastet kur Autoriteti vlerëson se subjekti i licencuar/regjistruar ka shkelur detyrimet ligjore mbi pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, merr ndaj tij një ose disa nga masat e mëposhtme:
a) pezullon ose heq pjesërisht ose plotësisht licencën/miratimin;
b) vendos sanksione administrative për personat përgjegjës, si: gjobë, pezullim dhe/ose largim nga detyra, bazuar në kreun XVII të këtij ligji.
KREU XV
LIKUIDIMI VULLNETAR DHE I DETYRUAR I SHOQËRISË ADMINISTRUESE
SEKSIONI I
LIKUIDIMI VULLNETAR I SHOQËRISË ADMINISTRUESE TË FONDEVE TË PENSIONIT
Neni 162
Likuidimi i shoqërisë administruese
1. Likuidimi i shoqërisë administruese, sipas këtij ligji, kryhet vetëm pas miratimit të Autoritetit.
2. Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, dispozitat e legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare zbatohen lidhur me procedurat e likuidimit vullnetar dhe të detyrueshëm të shoqërive administruese të themeluara në Republikën e Shqipërisë, sipas përcaktimeve tё këtij ligji.
3. Kërkesa për miratimin e likuidimit vullnetar dhe mbylljes së shoqërisë administruese paraqitet në Autoritet nga këshilli i administrimit/mbikëqyrës i shoqërisë administruese.
Neni 163
Likuidimi vullnetar i shoqërisë administruese të fondeve të pensionit
1. Hapja e procedurës së likuidimit vullnetar bëhet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Shoqërisë. Vendimi duhet të merret nga jo më pak se 75% e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të subjektit të licencuar.
2. Kërkesa për likuidim vullnetar i paraqitet për miratim Autoritetit së bashku me dokumentet e mëposhtme:
a) vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të shoqërisë administruese lidhur me likuidimin;
b) arsyet e likuidimit;
c) emrat e propozuar të likuiduesve;
ç) pasqyrën e audituar të aftësisë paguese;
d) një raport të hollësishëm për trajtimin e të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë likuidimit, si dhe një vlerësim të kohëzgjatjes së procesit.
3. Si likuidator emërohen të paktën 2 persona fizikë, me miratim të Autoritetit, të cilët kanë përvojën dhe kualifikimet e kërkuara, si dhe janë të aftë dhe të përshtatshëm për kryerjen e detyrave.
4. Autoriteti merr vendim lidhur me kërkesën, sipas pikës 2 të këtij neni, brenda 3 muajve nga data e marrjes së kërkesës, së bashku me dokumentacionin e plotë. Autoriteti miraton likuidimin vullnetar vetëm nëse gjykon se mund të paguhen të gjitha detyrimet kundrejt pronarëve dhe kreditorëve të shoqërisë. Gjatë kësaj periudhe, personat kyç të shoqërisë kryejnë detyrat e zakonshme, por nuk angazhohen në detyrime të reja kundrejt të tretëve.
5. Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme nuk sjell pasoja juridike nëse Autoriteti refuzon të japë miratimin për hapjen e procedurës së likuidimit vullnetar.
6. Autoriteti publikon në faqen e tij të internetit vendimin e miratimit për hapjen e likuidimit vullnetar.
7. Në rastet kur Autoriteti miraton procedurën e likuidimit vullnetar, ai mund të vendosë:
a) të kufizojë licencën për të ushtruar veprimtarinë e shoqërisë dhe të lejojë kryerjen e veprimtarive të përcaktuara ose ato veprimtari që janë të nevojshme për likuidimin vullnetar;
b) të përcaktojë se deri në çfarë mase zbatohen rregullat e administrimit të rrezikut në shoqërinë në likuidim vullnetar;
c) pavarësisht nga shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, Autoriteti mund t’i kërkojë shoqërisë të ndërmarrë masa të posaçme lidhur me mbrojtjen e anëtarëve të fondit.
8. Shoqëria në procedurë likuidimi vullnetar vijon të ekzistojë në mënyrë që të shlyejë shpenzimet dhe detyrimet kundrejt të tretëve, të shpërndajë aktivet dhe të kryejë veprimet e nevojshme për përfundimin e likuidimit vullnetar.
9. Likuiduesit mund të shkarkohen dhe të zëvendësohen sipas të njëjtave kushte të parashikuara në dispozitat për emërimin e tyre.
10. Veprimtaria e likuiduesit merr të drejtat dhe detyrimet e administratorëve, që nga dita e emërimit të tij. Nëse shoqëria emëron më shumë se një likuidues, likuiduesit i ushtrojnë të drejtat dhe detyrimet në mënyrë solidare në përputhje me këtë ligj, me përjashtim të rastit kur akti i emërimit parashikon që likuiduesit të veprojnë të ndarë nga njëri-tjetri. Likuiduesit mund të autorizojnë njërin prej tyre të kryejë operacione të një kategorie të veçantë. Likuiduesi është objekt i mbikëqyrjes nga Asambleja e Përgjithshme.
11. Detyra e likuiduesve është të përmbyllin të gjitha operacionet e shoqërisë, të shesin aktivet e shoqërisë dhe të paguajnë kreditorët duke respektuar rendin e përmbushjes së pretendimeve sipas këtij ligji.
12. Nëse në bazë të të drejtave të kërkueshme të kreditorëve, likuiduesit arrijnë në përfundimin që pasuria dhe aktivet e shoqërisë janë të pamjaftueshme për shlyerjen e këtyre të drejtave, likuiduesit pezullojnë procedurën e likuidimit dhe i kërkojnë gjykatës përkatëse hapjen e procedurës së falimentit.
13. Likuiduesi harton një pasqyrë bilanci të situatës së shoqërisë pas emërimit të tij. Nëse procedura e likuidimit zgjat më shumë se 1 vit, likuiduesi harton edhe pasqyrat financiare vjetore të shoqërisë. Pasqyra e bilancit miratohet me vendim të 1/2 së anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.
14. Likuiduesi i fton kreditorët e shoqërisë, duke përjashtuar aksionarët, të parashtrojnë pretendimet e tyre në likuidimin vullnetar. Shoqëria e publikon 2 herë këtë njoftim, me një interval kohe prej 30 ditësh, në faqen e saj në internet, si dhe në faqen e internetit të Qendrës Kombëtare të Biznesit.
15. Likuiduesi nuk i shpërndan aktivet e mbetura përpara përfundimit të afatit 3-mujor nga publikimi i thirrjes së dytë, drejtuar kreditorëve për ngritjen e pretendimeve të tyre.
16. Nëse një detyrim nuk shlyhet dot menjëherë ose është objekt i pretendimeve të kërkueshme, aktivet mund të shpërndahen vetëm nëse kreditorit i është dhënë një garanci e përshtatshme.
17. Pas shlyerjes së detyrimeve kundrejt kreditorëve dhe anëtarëve, likuiduesi ua shpërndan aktivet e mbetura në mënyrë përpjesëtimore aksionarëve.
18. Pas pagimit të detyrimeve të shoqërisë kundrejt kreditorëve dhe aksionarëve, likuiduesi i dorëzon Autoritetit brenda 12 muajve një raport për procedurën e likuidimit dhe një propozim për shpërblimin e punës së tij.
19. Nëse Autoriteti nuk e miraton raportin, likuiduesi ndjek rekomandimin e bërë nga Autoriteti.
20. Pas miratimit të raportit nga likuiduesi, Autoriteti ia heq licencën e dhënë shoqërisë.
21. Pas heqjes të licencës nga Autoriteti, likuiduesi njofton Qendrën Kombëtare të Biznesit për përfundimin e likuidimit dhe kërkon çregjistrimin e shoqërisë në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon fushën për Qendrën Kombëtare të Biznesit.
22. Asnjë ankesë ose kundërshtim nuk mund të bëhet kundër veprimtarisë së likuiduesit pas përfundimit të çregjistrimit të shoqërisë nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
23. Aktivet e fondit të pensionit, që ka nën administrim një shoqëri administruese, nuk mund të jenë objekt ekzekutimi si pasojë e procedurave të likuidimit ose të falimentimit të shoqërisë administruese, sipas legjislacionit shqiptar, dhe as të shlyerjes apo të ekzekutimit të pretendimeve kundrejt shoqërisë administruese.
SEKSIONI II
LIKUIDIMI I DETYRUESHËM I SHOQËRISË ADMINISTRUESE TË FONDEVE TË PENSIONIT
Neni 164
Hapja e procedurave të likuidimit të detyrueshëm
1. Autoriteti merr vendim për vendosjen në likuidim të detyrueshëm të shoqërisë administruese kur konstaton se ekzistojnë një ose më shumë prej rrethanave të mëposhtme:
a) shoqëria nuk është në gjendje të shlyejë detyrimet e veta brenda afatit;
b) shoqëria kryen ose ka kryer veprimtari në shkelje të këtij ligji;
c) autoriteti gjykon se është vendimi i duhur dhe i drejtë që shoqëria të ndërpresë veprimtarinë e saj;
ç) kjo procedurë rekomandohet në kuadër të procesit të përfunduar të rimëkëmbjes dhe rehabilitimit.
2. Autoriteti për të garantuar mbrojtjen e anëtarëve të fondit të pensionit, mund të kërkojë që fondi/et t’i kalohet/n një personi juridik tjetër të licencuar si shoqëri administruese për administrimin e fondeve të pensionit privat.
Neni 165
Vendimi për likuidimin e detyrueshëm
1. Autoriteti vlerëson situatën dhe vendos lidhur me fillimin e procedurave të likuidimit të detyrueshëm.
2. Autoriteti vendos shoqërinë administruese në likuidim të detyrueshëm menjëherë pasi arrin në një përfundim lidhur me rrethanat përkatëse të parashikuara në nenin 164 të këtij ligji.
3. Autoriteti publikon vendimin e vendosjes së shoqërisë në likuidim të detyrueshëm në faqen e tij të internetit.
Neni 166
Emërimi i likuidatorëve
1. Autoriteti, bazuar në vendimin për të filluar procedurën e likuidimit, emëron dy a më shumë likuidatorë për të shitur dhe shpërndarë aktivet e shoqërisë. Likuiduesit janë persona fizikë, që janë të aftë dhe të përshtatshëm për të kryer detyrat e tyre dhe kanë përvojën dhe kualifikimet e nevojshme sipas nenit 15 të këtij ligji.
2. Procesi i likuidimit të detyrueshëm kryhet nga likuiduesit e emëruar nga Autoriteti.
3. Likuiduesit zbatojnë kërkesat ligjore lidhur me ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit në zbatim të këtij ligji dhe të legjislacionit të zbatueshëm.
Neni 167
Pasojat e likuidimit të detyrueshëm
1. Vendosja e shoqërisë administruese në likuidim të detyrueshëm ka pasojat juridike të mëposhtme:
a) të gjitha kompetencat dhe detyrat e shoqërisë i transferohen Autoritetit, i cili cakton likuiduesin për të shitur dhe shpërndarë aktivet e shoqërisë administruese në zbatim të nenit 166 të këtij ligji;
b) pezullimin e licencës së shoqërisë administruese, e cila nuk kryen veprimtari të reja, me përjashtim të atyre që kryhen në funksion të qëllimeve të parashikuara në shkronjën “a” të kësaj pike;
c) pezullimin dhe mosfillimin e proceseve ligjore dhe ekzekutimin e detyrueshëm të shoqërisë. Këto procedura nuk fillohen, pezullohen, me përjashtim kur Autoriteti jep pëlqimin e tij dhe sipas kushteve të caktuara nga Autoriteti;
ç) pezullimin për një periudhë 6-mujore të së drejtës për kompensim për kreditorët e shoqërisë;
d) nuk paguhet asnjë interes apo borxh tjetër i shoqërisë, me përjashtim të aq sa janë të nevojshme për të kryer ekzekutimin e rregullt të transaksioneve të tregut, në mënyrë që të parandalohet ndërprerja e funksionimit të sistemit financiar. Detyrimet ndaj kreditorëve shlyhen nga shitja e aktiveve të shoqërisë dhe në përputhje me pranimin e të drejtave të kërkuara, siç parashikohet në nenin 169 të këtij ligji;
dh) përfundimi i të gjitha kompetencave dhe përgjegjësive të asamblesë së aksionarëve dhe këshillit të shoqërisë.
2. Çdo veprim ligjor për kryerjen e pagesave ose për kalimin e titullit të pronësisë të shoqërisë quhet i pavlefshëm në rastet e mëposhtme:
a) gjatë 3 muajve të fundit përpara se Autoriteti të vendosë shoqërinë në likuidim të detyrueshëm; ose
b) gjatë 12 muajve përpara se Autoriteti të marrë vendim për likuidimin e detyrueshëm, që favorizon përfituesit kundrejt kreditorëve të tjerë të shoqërisë;
c) përtej periudhave të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike në rastet kur likuiduesi vërteton se synimi ka qenë fshehja e pasurisë së shoqërisë nga kreditorët ose që veprimi ka ndikuar në mungesën e aftësisë paguese të shoqërisë.
Neni 168
Detyrimet dhe të drejtat e likuiduesit
1. Likuiduesi kryen administrimin dhe shitjen e aktiveve e të pasiveve dhe shpërndarjen e shumave të arkëtuara te kreditorët.
2. Likuiduesi bashkëpunon me Autoritetin dhe zbaton udhëzimet e Autoritetit lidhur me procesin e likuidimit të detyrueshëm.
3. Menjëherë pas emërimit, likuiduesi merr në kontroll shoqërinë, duke siguruar aktivet, librat dhe llogaritë e saj. Likuiduesi ka të drejtë aksesi në të gjitha aktivet, zyrat dhe librat e shoqërisë.
4. Likuiduesi bën inventar të aktiveve dhe pasurive të shoqërisë dhe harton një pasqyrë bilanci dhe relacion shpjegues lidhur me zërat e bilancit brenda 30 ditëve kalendarike pas fillimit të likuidimit, të cilat i dorëzohen autoritetit, ndërsa një kopje i vihet në dispozicion publikut.
5. Likuiduesi synon arritjen e shumës maksimale nga shitja e aktiveve të shoqërisë, duke kryer këto veprime:
a) vijon ose ndërpret transaksionet financiare;
b) punëson nëpunësit, punonjësit ose këshilltarët e nevojshëm profesionalë;
c) nënshkruan akte në emër të shoqërisë dhe depoziton e ndjek kërkesëpadi në emër të saj pasi merr miratimin e Autoritetit.
6. Likuiduesi ka të drejtë të zgjidhë:
a) kontratat e punësimit me cilindo person;
b) kontratat e shërbimit në të cilat është palë shoqëria;
c) çdo detyrim tjetër, që lind nga kontratat e qirasë për pasuri të paluajtshme që ka shoqëria në cilësinë e qiramarrësit.
7. Brenda 1 muaji pas emërimit, likuiduesi vepron si më poshtë:
a) u dërgon me postë të regjistruar të gjithë aksionarëve dhe kreditorëve, në adresat e shënuara në regjistrat e shoqërisë, një pasqyrë për natyrën dhe shumën e detyrimet e pretenduara sipas regjistrave;
b) regjistron pretendimet e ngritura e të dokumentuara të kreditorëve.
8. Brenda 1 muaji pas datës së fundit të përcaktuar në njoftimin e dhënë, në bazë të pikës 7 të këtij neni, për detyrimet e pretenduara likuiduesi:
a) përcakton shumën, nëse ka, që shoqëria i detyrohet secilit kreditor të ditur;
b) përgatit për regjistrim pranë Autoritetit një strukturë të detyrimeve të pretenduara.
9. Çdo kreditor ose aksionar, që përfaqëson të paktën 10% të aksioneve të emetuara, ka të drejtën të paraqesë kundërshtim lidhur me regjistrimin e detyrimeve të pashlyera pranë Autoritetit brenda 20 ditëve pas regjistrimit të strukturës së detyrimeve të pretenduara, në përputhje me pikën 8 të këtij neni. Autoriteti merr vendim për pranimin ose refuzimin e kundërshtimit brenda 1 muaji nga data e regjistrimit të pretendimit.
10. Nëse kundërshtimi i parashikuar në pikën 9 të këtij neni pranohet, likuiduesi ndryshon dhe përmirëson përkatësisht strukturën e detyrimeve të pretenduara ose masat e propozuara për shlyerjen e detyrimeve.
Neni 169
Rendi i përmbushjes së pretendimeve
1. Likuiduesi shpërndan aktivet e shoqërisë duke shlyer detyrimet ndaj kreditorëve dhe aksionarëve sipas këtij rendi:
a) çdo kreditor i mbuluar me garanci kolaterali, i cili nuk mund të përdorë pasurinë me të cilën është garantuar detyrimi i tij për shkak të kufizimeve të përcaktuara me këtë ligj deri në shumën e të ardhurave nga shitja e kolateralit;
b) shpenzimet e likuiduesit dhe autoritetit të konstatuara në funksion të likuidimit të detyrueshëm;
c) pagat e punonjësve të shoqërisë, të mbajtur në punë nga likuiduesi, për ta asistuar në likuidimin e rregullt të fondit;
ç) kreditorët e mbuluar dhe të pambuluar me garanci lidhur me vlerën e detyrimit, që e tejkalon vlerën e shitjes së kolateralit;
d) aksionarët.
2. Kur shuma për shlyerjen e kreditorëve me të njëjtin rend përparësie nuk është e mjaftueshme për t’i shlyer plotësisht këta kreditorë, atëherë ata shlyhen në mënyrë proporcionale me detyrimet ndaj tyre.
3. Çdo aktiv i mbetur pas shlyerjes së të gjitha detyrimeve të pretenduara shpërndahet mes aksionarëve në përpjesëtim me të drejtat dhe pjesëmarrjen e tyre në kapital.
Neni 170
Raportimi i likuiduesit
1. Likuiduesi i raporton Autoritetit çdo muaj për ecurinë e procesit të likuidimit. Këto raporte përmbajnë informacione për shumën totale të pasiveve të kërkuara, shumën totale të aktiveve të shitura të shoqërisë administruese dhe të shumës së të ardhurave të pritura nga shitja e aktiveve.
2. Likuiduesi i paraqet një raport përfundimtar Autoritetit pas mbylljes së procesit të likuidimit.
KREU XVI
MASAT MBIKËQYRËSE
Neni 171
Llojet e masave
Autoriteti mund të marrë ndaj subjektit të licencuar masat si më poshtë:
a) rekomandim për personat kyç dhe/ose personelin kyç të shoqërisë administruese;
b) paralajmërim;
c) masa mbikëqyrëse;
ç) vendosje e shoqërisë administruese në administrim të përkohshëm;
d) heqjen e licencës së subjektit të licencuar për të gjithë ose për një pjesë të veprimtarisë.
Neni 172
Rekomandimi për personat kyç dhe/ose personelin kyç të shoqërisë administruese
1. Kur Autoriteti gjatë mbikëqyrjes, verifikimit dhe vlerësimit të gjendjes financiare, pozitës së shoqërisë, si dhe vlerësimit të rrezikut ndaj të cilit shoqëria administruese dhe fondet që ajo administron janë të ekspozuara ose mund të ekspozohen, identifikon dobësi, mangësi dhe parregullsi, që nuk përbëjnë shkelje të këtij ligji ose akteve nënligjore të miratuara në zbatim të tij, ose kur Autoriteti gjykon se është e nevojshme që shoqëria administruese të ndërmarrë veprime për të përmirësuar operacionet, gjendjen financiare dhe uljen e rrezikut, nxjerr rekomandim për personat kyç dhe/ose personelin kyç të shoqërisë administruese.
2. Në rekomandimin për personat kyç dhe/ose personelin kyç, Autoriteti përshkruan dobësitë, mangësitë, parregullsitë, si dhe rreziqet apo problemet e identifikuara/vlerësuara ndaj të cilave shoqëria administruese ose fondet janë të ekspozuara ose mund të ekspozohen dhe jep udhëzime për eliminimin e tyre, përmirësimin e gjendjes financiare dhe uljen e rreziqeve në veprimtarinë e saj.
3. Këshilli i administrimit/mbikëqyrës i shoqërisë administruese i paraqet Autoritetit një plan për masat që do të merren për eliminimin e dobësive, mangësive, parregullsive, si dhe afatet e veprimit, sipas rekomandimeve të Autoritetit.
4. Me qëllim përmirësimin e gjendjes financiare dhe zvogëlimin e rreziqeve ndaj të cilave shoqëria administruese është ose mund të ekspozohet gjatë veprimtarisë së saj dhe operacioneve me fondet e pensionit nën administrim, Autoriteti monitoron shoqërinë administruese.
Neni 173
Paralajmërimi
1. Kur Autoriteti gjatë mbikëqyrjes, verifikimit dhe vlerësimit të gjendjes financiare dhe pozitës së shoqërisë administruese dhe fondeve që ajo administron, si dhe vlerësimit të rrezikut ndaj të cilit shoqëria administruese dhe fondet që ajo administron janë të ekspozuara ose mund të ekspozohen, identifikon parregullsi dhe/ose shkelje që për nga natyra dhe qëllimi nuk kanë ndikim dhe pasoja të konsiderueshme në veprimtarinë dhe operacionet e shoqërisë administruese, fondeve, tregut dhe/ose anëtarëve të fondit, Autoriteti nxjerr një paralajmërim për shoqërinë administruese.
2. Autoriteti, sipas rrethanave, mund të vendosë të publikojë paralajmërimin ose një pjesë të tij.
3. Paralajmërimi i Autoritetit mund të përmbajë dhe një urdhër për korrigjimin e parregullsive ose të shkeljeve të konstatuara, si dhe afatet brenda të cilave shoqëria administruese është e detyruar të veprojë dhe njoftojë Autoritetin për masat e marra.
4. Nëse shoqëria administruese nuk merr masa sipas paralajmërimit të parashikuar në paragrafin 3 të këtij neni, Autoriteti nxjerr vendim që urdhëron shoqërinë të eliminojë parregullsitë ose shkeljet e konstatuara. Autoriteti kontrollon eliminimin në mënyrën e duhur të parregullsive të konstatuara.
Neni 174
Raporti për eliminimin e shkeljeve
1. Shoqëria administruese është e detyruar të eliminojë parregullsitë dhe shkeljet e konstatuara sipas neneve 172, 173 dhe t’i paraqesë Autoritetit një raport për masat që ka ndërmarrë për eliminimin e tyre brenda afatit të përcaktuar nga Autoriteti.
2. Raporti i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni depozitohet nga shoqëria administruese në Autoritet së bashku me dokumentacionin që provon se parregullsitë dhe shkeljet janë eliminuar.
3. Nëse raporti sipas pikës 1 të këtij neni është i paplotë ose ka mungesë dokumentacioni për eliminimin e parregullsive dhe shkeljeve, Autoriteti urdhëron shoqërinë administruese të plotësojë raportin brenda afatit të përcaktuar nga Autoriteti.
Neni 175
Masat mbikëqyrëse
Me qëllim parandalimin, korrigjimin apo ndërprerjen e rrethanave, të parashikuara në nenin 176 të këtij ligji, apo veprimeve që përbëjnë shkelje të dispozitave të këtij ligji ose akteve të nxjerra në zbatim të tij, Autoriteti ndërmerr masat mbikëqyrëse, të parashikuara në këtë seksion të këtij ligji.
Neni 176
Rrethanat e masave mbikëqyrëse
1. Autoriteti merr masat e mbikëqyrjes të parashikuara në nenin 177 të këtij ligji, nëse gjykon se:
a) shoqëria administruese është ose ka shumë mundësi të kalojë në paaftësi paguese për të shlyer të gjitha detyrimet brenda afatit ose pasivet janë në vlerë më të madhe se aktivet;
b) shoqëria administruese nuk është në gjendje të përmbushë kërkesat për mjaftueshmëri të kapitalit, në zbatim të këtij ligji;
c) gjendja ekzistuese ose e ndryshuar e shoqërisë administruese ose depozitarit mund të rrezikojë thelbësisht të drejtat e anëtarëve të fondit të administruara nga shoqëria administruese;
ç) audituesi i jashtëm jep opinion me rezerva thelbësore në raportin e tij për fondin e pensionit, shoqërinë administruese dhe depozitarin;
d) subjekti i mbikëqyrur është në proces hetimor, gjyqësor, shpallur fajtor me vendim të formës së prerë për vepra penale kundër pasurisë ose në sferën ekonomike apo vepra të tjera penale lidhur me shoqëritë tregtare, për organizimin dhe vënien në funksionim të skemave mashtruese dhe piramidale, të huamarrjes, për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
dh) subjekti i mbikëqyrur është shpallur fajtor për shkelje të detyrimeve profesionale;
e) shoqëria administruese ose depozitari nuk zbaton masat mbikëqyrëse të nxjerra nga Autoriteti në zbatim të nenit 177 të këtij ligji;
ë) shoqëria administruese ose depozitari nuk përmbush në mënyrë të vazhdueshme kërkesat për licencim;
f) shoqëria administruese ose depozitari nuk respekton politikën e investimit të parashikuar në këtë ligj;
g) mbajtësi i pjesëmarrjes influencuese, personeli kyç ose anëtari i personelit kyç apo personat kyç nuk përmbushin në mënyrë të vazhdueshme kërkesat për aftësi dhe përshtatshmëri sipas këtij ligji ose nuk kanë marrë miratimin e Autoritetit;
gj) anëtarët e fondit të pensionit pësojnë humbje si pasojë e shkeljes së dispozitave të këtij ligji;
h) shoqëria administruese e fondeve ose depozitari i fondit nuk i raporton Autoritetit sipas kërkesave të këtij ligji;
i) shoqëria administruese e fondeve ose depozitari i fondit ka shkelur ose ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji ose të akteve rregullative të miratuara nga Autoriteti, në zbatim të tij.
2. Autoriteti mund të miratojë rregulla të tjera shtesë lidhur me rrethanat e masave mbikëqyrëse, si dhe lidhur me parimet e kriteret për vlerësimin e këtyre rrethanave.
Neni 177
Dhënia e masave mbikëqyrëse
1. Në rastet kur Autoriteti vlerëson se subjekti i licencuar ndodhet në një apo disa prej rrethanave të përcaktuara në nenin 176 të këtij ligji, merr ndaj tij një ose disa nga masat mbikëqyrëse të mëposhtme:
a) urdhëron të ndalohet kryerja e një veprimi të caktuar ose urdhëron të kryhet një veprim i caktuar sjelljeje etike biznesi apo urdhëron që të kryhet një veprim i caktuar që, sipas gjykimit të Autoritetit, është i nevojshëm për përmirësimin e situatës dhe/ose për parandalimin ose korrigjimin e shkeljeve të këtij ligji dhe akteve rregullative të miratuara nga Autoriteti në zbatim të këtij ligji;
b) nxjerr urdhër për eliminimin e parregullsive dhe shkeljeve;
c) urdhëron subjektin e licencuar të mundësojë një plan të rimëkëmbjes financiare për të arritur kërkesat e mjaftueshmërisë së kapitalit;
ç) urdhëron subjektin e licencuar të kryejë auditimin e veprimtarisë financiare ose fondit nën administrim nga një auditues i zgjedhur nga Autoriteti, por me shpenzimet e subjektit të licencuar ose të shoqërisë administruese;
d) urdhëron subjektin e licencuar të shkarkojë audituesin dhe të emërojë një tjetër sipas kushteve të përcaktuara nga Autoriteti;
dh) përveç sa parashikohet në shkronjën “ç” të kësaj pike, Autoriteti mund t’i kërkojë audituesit të jashtëm të kryejë me shpenzimet e subjektit të licencuar një auditim të veçantë në interes të klientëve të subjektit të licencuar ose anëtarëve të fondit dhe t’i raportojë Autoritetit për këtë;
e) urdhëron subjektin e licencuar që me shpenzimet e tij të emërojë një person të miratuar nga Autoriteti që të këshillojë subjektin e licencuar për kryerjen e veprimtarisë së tij në mënyrën e duhur dhe i cili i raporton Autoritetit brenda 3 muajve nga data e emërimit të tij;
ë) urdhëron shoqërinë administruese të mbajë në Shqipëri aktivet, me vlerë që gjykohet nga Autoriteti si e nevojshme ose të mos shpërndajë divident për një periudhë dhe në një vlerë të caktuar;
f) urdhëron shoqërinë administruese të ulë kostot e funksionimit, duke përfshirë kufizimin e pagave dhe shpërblimet e tjera të anëtarëve të këshillit të administrimit/mbikëqyrës, administratorit dhe personelit kyç të shoqërisë administruese;
g) urdhëron subjektin e licencuar të dërgojë informacione të tjera shtesë dhe, nëse e gjykon të nevojshme, Autoriteti rrit shpeshtësinë e raportimit dhe kryen inspektimet përkatëse lidhur me këtë raportim;
gj) nëse Autoriteti e shikon të nevojshme, zgjeron objektin dhe/ose rrit shpeshtësinë e inspektimeve në vend te personi i licencuar ose cakton punonjësit e autorizuar për kryerjen e inspektimeve për të ruajtur një pozicion në vazhdimësi;
h) urdhëron kryerjen e një vlerësimi për disa ose të gjitha prej aktiveve të subjektit të licencuar ose të fondit të pensionit nga Autoriteti ose nga një person i emëruar nga Autoriteti me shpenzimet e subjektit të licencuar ose të shoqërisë administruese;
i) urdhëron shoqërinë administruese të përmirësojë strategjitë, politikat dhe proceset e administrimit të rrezikut.
j) urdhëron subjektin e licencuar për të shkarkuar ose zëvendësuar një person kyç, personelin kyç ose anëtarin e personelit kyç;
k) urdhëron shoqërinë administruese të pezullojë anëtarësimin në fond;
l) urdhëron subjektin e licencuar të marrë masa ndaj personave përgjegjës në rast të moseliminimit të shkeljeve, moszbatimit të masave të kërkuara, mosdorëzimit të raporteve të plota në afat pa shkaqe të pajustifikuara ose nëse pengon në çfarëdolloj mënyre ushtrimin e mbikëqyrjes nga ana e Autoritetit;
ll) urdhëron shoqërinë administruese të transferojë kontratat për administrimin e fondit/eve të pensionit një shoqërie administruese tjetër të licencuar;
m) vendos sanksion/e administrative gjobë/pezullim për subjektin e licencuar;
n) e vendos shoqërinë administruese në administrim të përkohshëm;
nj) hap procedurën e likuidimit të detyrueshëm të personit të licencuar.
2. Masat mbikëqyrëse të Autoritetit përcaktojnë afatin për eliminimin e shkeljes ose parregullsisë dhe zbatohen nga subjekti i licencuar brenda afateve të kërkuara.
3. Autoriteti mund të miratojë rregulla të tjera shtesë lidhur me dhënien e masave mbikëqyrëse në zbatim të këtij neni.
Neni 178
Raportimi mbi zbatimin e masave mbikëqyrëse
1. Subjekti i mbikëqyrur, të cilit i drejtohet masa mbikëqyrëse, i dorëzon Autoritetit një raport të hollësishëm duke përcaktuar masat e marra për të korrigjuar rrethanat. Raporti dorëzohet në Autoritet sipas shpeshtësisë së përcaktuar në urdhrin administrativ, që mund të jetë në mënyrë të përditshme ose në periudha kohore të tjera. Së bashku me raportin e hollësishëm, subjekti i mbikëqyrur depoziton gjithashtu çdo dokument apo provë tjetër, që vërteton se janë eliminuar shkeljet apo parregullsitë në fjalë. Nëse e gjykon të arsyeshme, Autoriteti mund të kërkojë gjithashtu përfshirjen e një raporti të hollësishëm nga një auditues i jashtëm ose një ekspert tjetër i emëruar lidhur me hapat e ndërmarrë për të korrigjuar rrethanat ose parregullsitë në fjalë.
2. Autoriteti menjëherë mbas marrjes së raportit, në zbatim të pikës 1 të këtij neni, verifikon korrigjimin e shkeljeve ose parregullsive sipas përcaktimeve të masave mbikëqyrëse të dhëna, në zbatim të nenit 177 të këtij ligji. Autoriteti, përpara marrjes së vendimit, mund të kryejë një inspektim tjetër të veprimtarisë së subjektit të licencuar, i cili gjykohet si i nevojshëm për të verifikuar nëse janë eliminuar shkeljet dhe parregullsitë.
3. Nëse raporti i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni është i paplotë apo provat bashkëngjitur këtij raporti nuk vërtetojnë që janë eliminuar shkeljet ose parregullsitë, autoriteti i drejton personit të licencuar një urdhër administrativ për plotësimin e raportit të përmendur në pikën 1 të këtij neni, brenda një afati kohor të caktuar.
4. Mosdorëzimi i raportit të plotë me prova të eliminimit të shkeljeve brenda afatit të përcaktuar në zbatim të pikës 3 të këtij neni, përbën shkak për heqjen e licencës nga Autoriteti.
5. Autoriteti shqyrton dhe vendos mbi raportin për korrigjimin e shkeljeve dhe parregullsive brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes së raportit dhe informacionit të plotë.
Neni 179
Kompetenca për të vendosur shoqërinë administruese në administrim të përkohshëm
1. Kur Autoriteti gjykon se shoqëria administruese e fondeve nuk është në gjendje të shlyejë të gjitha detyrimet brenda 6 muajve të ardhshëm, ekziston mundësia të kalojë në paaftësi paguese brenda 6 muajve të ardhshëm dhe, nëse Autoriteti e gjykon të arsyeshme se ka mundësi për të rehabilituar veprimtarinë e shoqërisë administruese, atëherë mund të nxjerrë urdhër administrativ për vendosjen në administrim të përkohshëm të shoqërisë në përputhje me nenin 171 të këtij ligji.
2. Autoriteti informon subjektin e licencuar për arsyet e masave të propozuara në zbatim të pikës 1 të këtij neni dhe periudhën e propozuar të administrimit të përkohshëm, që nuk mund të jetë më shumë se 12 muaj.
3. Çdo urdhër administrativ që nxjerr Autoriteti në zbatim të pikës 1 të këtij neni publikohet në faqen e internetit të Autoritetit dhe të subjektit të licencuar në fjalë.
Neni 180
Pasojat e marrjes në administrim të përkohshëm
1. Të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e aksionarëve, personave kyç dhe personelit kyç të shoqërisë administruese pezullohen gjatë periudhës së administrimit të përkohshëm.
2. Ky pezullim fillon nga data e marrjes së njoftimit të urdhrit administrativ të Autoritetit, në zbatim të pikës 1 të nenit 179 të këtij ligji.
Neni 181
Detyrat e administratorit të përkohshëm
1. Afati dhe fusha e veprimit të administratorit të përkohshëm përcaktohen nga Autoriteti në vendimin për marrjen në administrim të përkohshëm të shoqërisë administruese.
2. Autoriteti përcakton tarifat dhe shpenzimet e administratorit të përkohshëm dhe pagesën e tyre nga shoqëria administruese që merret në administrim të përkohshëm.
3. Autoriteti kur emëron administratorin e përkohshëm sigurohet që ai është i aftë dhe i përshtatshëm, sipas nenit 15 të këtij ligji, dhe nëse zotëron kualifikimet dhe përvojën e përshtatshme për këtë pozicion. Administratori i përkohshëm duhet të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në fushën e administrimit të fondeve.
4. Administratori i përkohshëm nuk mund të emërohet si i tillë nëse:
a) Autoriteti gjykon në momentin e caktimit lidhur me aftësinë dhe përshtatshmërinë e tij për të kryer detyrat e administratorit të përkohshëm;
b) është subjekt i një vendimi gjykate që e bën të pamundur përmbushjen e detyrave të administratorit të përkohshëm; ose
c) ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit me Autoritetin ose me shoqërinë administruese.
5. Autoriteti mund të shkarkojë dhe të zëvendësojë administratorin e përkohshëm nëse gjykon se administratori i përkohshëm nuk është i aftë dhe i përshtatshëm për kryerjen e administrimit të përkohshëm në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
Neni 182
Kompetencat dhe detyrimet e administratorit të përkohshëm
1. Administratori i përkohshëm kryen administrimin e duhur të shoqërisë administruese, me qëllim rikthimin e saj në gjendje të qëndrueshme financiare.
2. Administratori i përkohshëm pas emërimit publikon njoftimin në një gazetë të përditshme me qarkullim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në faqen e internetit të Autoritetit.
3. Shoqëria administruese i mundëson administratorit të përkohshëm të gjitha evidencat, llogaritë dhe çdo dokumentacion tjetër, si dhe harton për administratorin e përkohshëm dhe për Autoritetin një raport për gjendjen financiare të saj.
4. Administratori i përkohshëm ka të drejtë të kërkojë informacione të tjera shtesë nga shoqëria administruese në funksion të kryerjes së detyrave dhe funksioneve të veta.
5. Administratori i përkohshëm merr të gjitha masat për ruajtjen e aktiveve të shoqërisë administruese, përfshirë ndër të tjera:
a) ruajtjen e evidencave (elektronikisht ose të mbajtura në formate të tjera) dhe të drejtën e hyrjes në mjediset e subjektit të licencuar ose në një pjesë të tyre;
b) garantimin e personelit kyç për të kryer veprimtaritë e përditshme të punës;
c) njoftimin e të gjitha palëve përkatëse se autorizimet e dhëna përpara emërimit të administratorit pezullohen dhe pagesat për shërbimet, duke filluar që nga data e marrjes në administrim të përkohshëm, mund të autorizohen vetëm nga personat e caktuar nga administratori i përkohshëm;
ç) ndërprerjen e shpërndarjes së dividendëve, shpërblimeve ose të çdo forme shpërndarjeje të kapitalit të aksioneve, duke filluar që nga data e marrjes në administrim të përkohshëm.
6. Të gjitha transaksionet e kryera gjatë periudhës së administrimit të përkohshëm, pa autorizim të rregullt nga administratori i përkohshëm, janë të pavlefshme.
Neni 183
Plani i shpëtimit të biznesit
Administratori i përkohshëm pas emërimit kryen këto detyra:
a) planifikon, nëse është e mundshme, rimëkëmbjen e shoqërisë administruese duke ndërmarrë të paktën njërën prej masave të mëposhtme:
i. riklasifikimin e cilësisë së aktiveve të shoqërisë;
ii. riklasifikimin e veprimtarive të subjektit të licencuar në veprimtari me shumë pak ose aspak rrezik;
iii. identifikimin e aktiveve dhe detyrimeve, si dhe ndërmarrjen e hapave për të garantuar vlerësimin dhe shlyerjen e tyre;
b) harton dhe dorëzon në Autoritet një plan biznesi për rimëkëmbjen dhe rehabilitimin e subjektit të licencuar, plan i cili mbron më mirë interesat e këtij subjekti dhe të aksionarëve dhe kreditorëve të tij sa likuidimi i detyruar;
c) shet të gjitha ose një pjesë të aktiveve të subjektit të licencuar;
ç) negocion bashkimin ose shitjen e shoqërisë administruese tek një subjekt tjetër i licencuar ose kërkon kapital shtesë për shoqërinë administruese; ose
d) nëse ndërmarrja e masave, të parashikuara në shkronjat “a” deri në “ç” të këtij neni, nuk sjell rezultatet e pritshme, administratori i përkohshëm informon Autoritetin se nuk ka alternativë tjetër përveç fillimit të procedurës së likuidimit të detyruar.
Neni 184
Raportimi në Autoritet
1. Administratori i përkohshëm raporton periodikisht në Autoritet për ecurinë e procesit të administrimit të përkohshëm lidhur me:
a) pozicionin financiar dhe gjendjen operative të shoqërisë gjatë procesit të administrimit të përkohshëm të paktën 1 herë në muaj;
b) pozicionin financiar dhe gjendjen operative të shoqërisë lidhur me rehabilitimin e mundshëm brenda 6 muajve pas marrjes në administrim të përkohshëm, ku përfshihen informacionet dhe të dhënat e mëposhtme:
i. vlerësimi i gatishmërisë së aksionarëve për të mbuluar humbjet nëpërmjet rritjes së kapitalit ose përmes burimeve të tjera të injektimit të kapitalit;
ii. mundësia e mbulimit të humbjeve të ngelura pas zbatimit të masave, të parashikuara në nënndarjen “i” të kësaj pike;
iii. çdo detyrim ose shpenzim i paparashikuar ose i kushtëzuar, që ka ndikim tek borxhi i shoqërisë administruese;
iv. vlerësimi i masave të mundshme për lehtësimin nga vështirësitë financiare dhe një preventiv të kostove për vënien në zbatim të këtyre masave;
v. vlerësimi i kushteve që bëjnë të nevojshëm fillimin e procedurës së likuidimit të detyruar.
2. Gjatë hartimit të raporteve, në zbatim të pikës 1 të këtij neni, administratori i përkohshëm angazhohet për mbrojtjen e interesave të anëtarëve të fondit dhe se asnjë shumë që përfaqëson aktivet ose kontributet e anëtarëve që janë caktuar për shlyerjen e transaksioneve ende të pashlyera nuk mund të përfshihet në vlerësimin e aktiveve financiare të gatshme të shoqërisë administruese në fjalë.
3. Autoriteti vlerëson rezultatet e administrimit të përkohshëm çdo 3 muaj, duke filluar nga data e marrjes së vendimit për administrimin e përkohshëm.
4. Autoriteti bazuar në raportet e administratorit të përkohshëm merr vendim për rekomandimin e propozuar për rimëkëmbjen dhe rehabilitimin e shoqërisë administruese ose, në rast të kundërt, për fillimin e procedurës së likuidimit të detyruar dhe njofton për këtë shoqërinë dhe administratorin e përkohshëm.
5. Autoriteti harton një raport vlerësimi përfundimtar të administrimit të përkohshëm të shoqërisë administruese brenda 3 muajve nga marrja e raportit në fund të administrimit të përkohshëm sipas nenit 185 të këtij ligji.
Neni 185
Përfundimi i administrimit të përkohshëm
1. Administrimi i përkohshëm përfundon në rastet e mëposhtme:
a) me mbarimin e afatit të përcaktuar në vendimin e Autoritetit për vendosjen në administrim të përkohshëm të shoqërisë administruese;
b) me vendim të Autoritetit përpara përfundimit të periudhës së administrimit të përkohshëm, kur e konsideron shoqërinë administruese të rehabilituar, në bazë të raportit përfundimtar për vlerësimin e rezultateve, të parashikuara në nenin 184 të këtij ligji, dhe kur:
i. Autoriteti konstaton se gjendja financiare e shoqërisë është përmirësuar gjatë periudhës së administrimit të përkohshëm;
ii. shoqëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj;
iii. shoqëria mund të kryejë veprimtarinë e saj normalisht;
c) me vendim të Autoritetit për të vendosur shoqërinë administruese në procedurë të likuidimit të detyrueshëm.
2. Vendimi i nxjerrë nga Autoriteti në zbatim të shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni shoqërohet me një plan të hollësishëm rehabilitimi të përpiluar nga administratori i përkohshëm, ku identifikohen pikat e dobëta në administrimin dhe funksionimin e shoqërisë dhe të detajohen:
a) masat korrigjuese të nevojshme për përmirësimin e situatës;
b) një plan financiar për rehabilitimin e propozuar të subjektit të licencuar.
Neni 186
Heqja e licencës
1. Autoriteti heq licencën e subjektit të licencuar/regjistruar/njohur nëse:
a) licenca/regjistrimi/njohja është dhënë bazuar në informacione të rreme ose të pasakta;
b) subjekti nuk fillon veprimtarinë brenda 12 muajve nga data e licencimit/regjistrimit/njohjes;
c) subjekti nuk ka zbatuar masat mbikëqyrëse në bazë të nenit 177 dhe brenda afateve të përcaktuara në pikën 2 të nenit 177 të këtij ligji, ose nuk ka raportuar për korrigjimin e tyre në bazë të nenit 178 të këtij ligji;
ç) subjekti kryen veprimtari të tjera shtesë ose të ndryshme nga ato për të cilat është licencuar/regjistruar/njohur;
d) personi nuk përmbush më kushtet për të cilat është licencuar/regjistruar/njohur;
dh) shoqëria administruese nuk përmbush në mënyrë të vazhdueshme kërkesat e mjaftueshmërisë së kapitalit, kërkesat me bazë rreziku të kapitalit, të parashikuara në këtë ligj, për një periudhë më të gjatë se 4 muaj;
e) kundër subjektit janë marrë në mënyrë të përsëritur masa mbikëqyrëse;
ë) shoqëria mëmë e subjektit është vendosur në procedurë falimentimi ose, nëse është subjekt i licencuar, i është hequr licenca për arsye të mospërputhshmërisë me ligjet përkatëse;
f) subjekti dënohet me vendim të formës së prerë për vepra penale kundër pasurisë ose në sferën ekonomike apo në vepra të tjera penale lidhur me shoqëritë tregtare për organizimin dhe vënien në funksionim të skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
g) ndaj subjektit janë hapur procedurat e falimentimit ose procedurat e likuidimit të detyrueshëm;
gj) subjekti nuk ka kryer veprimtari të rregullt tregtare për një periudhë prej më shumë se 6 muaj, me përjashtim të rastit kur ka marrë miratim të Autoritetit;
h) subjekti shkel dispozitat për raportim të saktë dhe në kohë në Autoritet më shumë se dy herë për një periudhë trevjeçare ose pengon Autoritetin të mbikëqyrë veprimtarinë e saj;
i) subjekti i ka dhënë Autoritetit informacione të rreme, të pasakta ose keqorientuese.
2. Nëse Autoriteti gjykon se subjekti i licencuar ose i regjistruar ka shkelur dispozitat e këtij ligji ose të rregulloreve të miratuara në zbatim të tij, mund të nxjerrë urdhër administrativ me shkrim që licenca ose regjistrimi i subjektit të pezullohet për një periudhë të përcaktuar ose deri në ndodhjen e një ngjarjeje të përcaktuar ose deri në përmbushjen e kushteve të përcaktuara.
3. Autoriteti publikon çdo vendim të marrë në faqen zyrtare të Autoritetit, sipas procedurave dhe mënyrës së caktuar prej tij për publikimin e njoftimeve zyrtare. Vendimet me karakter individual u njoftohen menjëherë subjekteve të interesuara.
Neni 187
Heqja e pjesshme e licencës
Në përjashtim nga përcaktimet e nenit 186 të këtij ligji, Autoriteti mund të heq licencën e subjektit të licencuar për një veprimtari të caktuar nëse licenca që ka ky subjekt lejon më shumë se një veprimtari.
Neni 188
Procedurat për heqjen e licencës ose çregjistrimit
1. Përpara nxjerrjes së vendimit për heqjen e licencës ose çregjistrimit, Autoriteti:
a) paralajmëron me shkrim subjektin në fjalë dhe i jep mundësi këtij subjekti që të përgjigjet me shkrim;
b) ndërmerr hapa për njoftimin e personave të tjerë, të cilët mund të preken nga ky vendim;
c) krahas paralajmërimit, udhëzon subjektin e licencuar ose të regjistruar të eliminojë shkeljet ose të zbatojë masa, që lidhen me marrjen e vendimit për paralajmërim të heqjes së licencës ose regjistrimit brenda një afati të përcaktuar në urdhrin administrativ. Autoriteti përcakton kufizimet apo kushtet për t’u përmbushur nga subjekti i licencuar ose i regjistruar gjatë periudhës kohore të përcaktuar nga autoriteti.
2. Nëse Autoriteti e gjykon si të nevojshëm për mbrojtjen e anëtarëve ose për mbrojtjen e stabilitetit të tregjeve financiare, mund të japë urdhër administrativ, pa zbatuar procedurën e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, dhe kur Autoriteti ka filluar zbatimin e kësaj procedure, pavarësisht nëse ka përfunduar periudha e përgjigjes me shkrim.
3. Nëse Autoriteti lidhur me një çështje të caktuar ka zbatuar procedurën e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, Autoriteti nuk e zbaton përsëri këtë procedurë nëse vendos të marrë masa të tjera të ndryshme lidhur me këtë çështje.
Neni 189
Heqja e licencës ose çregjistrimi në rast shkeljeje të përsëritur
Nëse subjekti i licencuar ose i regjistruar kryen shkelje të përsëritura të këtij ligji, të njëjta me ato të cilat kanë qenë shkak për marrjen e vendimit për paralajmërim të heqjes së licencës, njohjes ose regjistrimit në zbatim të nenit 186 të këtij ligji, ose nuk përmbush kushtet e përcaktuara në shkronjën “c” të pikës 1 të nenit 186 të këtij ligji, Autoriteti ka të drejtë të heq licencën, njohjen ose regjistrimin.
Neni 190
Njoftimi për heqjen e licencës ose çregjistrimin
Vendimi i Autoritetit për heqjen e licencës ose çregjistrimin i njoftohet personit të licencuar ose të regjistruar brenda 10 ditëve kalendarike nga data e marrjes së këtij vendimi.
Neni 191
Pasojat e heqjes së licencës ose çregjistrimit
1. Pas marrjes së njoftimit për heqjen e licencës ose çregjistrim, subjekti i licencuar ose i regjistruar ndërpret:
a) lidhjen e kontratave të reja të anëtarësimit;
b) pagesën e pensionit.
2. Heqja e licencës ose çregjistrimi:
a) nuk e bën të pavlefshme një marrëveshje, transaksion ose veprim të kryer nga subjekti në fjalë përpara heqjes ose pezullimit;
b) nuk cenon të drejtat dhe detyrimet e asnjë personi që lindin nga marrëveshja, transaksioni apo veprimi në fjalë.
3. Në rast të heqjes së licencës, Autoriteti nëpërmjet një njoftimi me shkrim mund t’i kërkojë subjektit në fjalë të ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
a) të mos administrojë aktivet e fondit dhe/ose të kalojë aktivet apo dokumentet ose evidencat elektronike që kanë lidhje me to tek një subjekt tjetër i përcaktuar në njoftimin me shkrim nga Autoriteti; ose
b) t’i lejojë subjektit në fjalë të kryejë veprime të caktuara, në varësi të kushteve të përcaktuara në njoftim nga Autoriteti, si më poshtë:
i. të kryejë funksione të caktuara të veprimtarisë tregtare, të cilat janë thelbësore për mbrojtjen e interesave të anëtarëve gjatë periudhës së pezullimit; ose
ii. të kryejë funksione të caktuara të veprimtarisë tregtare, me qëllim mbylljen e kësaj veprimtarie.
4. Heqja e licencës ose çregjistrimi nuk e përjashton subjektin e licencuar ose të regjistruar nga detyrimet aktuale kontraktore apo nga përputhshmëria me kërkesat e këtij ligji.
5. Vendimi për heqjen e licencës ose vendimi për çregjistrim është objekt i së drejtës së ankimit në gjykatën administrative në përputhje me afatet, kushtet dhe përcaktimet e legjislacionit në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
6. Në rast të heqjes së licencës së shoqërisë administruese të fondeve, kontrata për administrimin e fondit/eve të pensionit i transferohet një subjekti tjetër të licencuar brenda 3 muajve nga data e njoftimit të heqjes ose në të kundërt fondi likuidohet.
7. Në rast të heqjes së licencës së depozitarit kontrata e depozitarit i transferohet një subjekti tjetër të licencuar brenda 3 muajve nga data e njoftimit të heqjes ose në të kundërt fondi likuidohet.
Neni 192
Kërkesa për heqje të licencës ose çregjistrim
1. Subjekti i licencuar ose i regjistruar, në zbatim të këtij ligji, mund të bëjë kërkesë pranë Autoritetit për heqje të licencës ose çregjistrimit të tij.
2. Subjekti i licencuar ose i regjistruar e paraqet kërkesën e parashikuar në pikën 1 të këtij neni përpara ndërprerjes së veprimtarisë së tij në zbatim të licencës ose regjistrimit. Në këtë rast subjekti i licencuar ose i regjistruar i bashkëlidh kërkesës për heqje një plan me afate kohore, ku paraqitet mënyra e ndërprerjes së veprimtarisë së licencuar ose të regjistruar, jo më pak se 6 muaj pas datës së parashikimit të kërkesës. Gjithashtu, kërkesa për heqje shoqërohet me arsyet e heqjes, si dhe me një kopje të vendimit të asamblesë së përgjithshme të subjektit të licencuar ose vendimin e organit drejtues në rastin e veprimtarisë ndërkufitare të subjektit të regjistruar.
3. Autoriteti mund të kërkojë informacione të mëtejshme me shkrim nga subjekti kërkues, në veçanti lidhur me mënyrën si do të mbrohen interesat e anëtarëve të fondit, si do të përmbushen detyrimet kundrejt përfituesve dhe si do të zgjidhen ankesat akoma në proces.
4. Autoriteti mund të kërkojë paraqitjen e raporteve, të mbuluara me shpenzime nga subjekti i licencuar ose i regjistruar, të hartuara nga ekspertë të pavarur ligjorë ose auditues të pavarur, ku konfirmohet vlefshmëria e masave të marra për të transferuar kontratat dhe aktivet e fondit të pensionit të një subjekti tjetër të licencuar ose të regjistruar ose për të verifikuar kontabilizimin e saktë të kësaj transferte.
KREU XVII
GJOBAT DHE SANKSIONET
Neni 193
Dispozita të përgjithshme
1. Çdo shkelje me faj e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, do të quhet kundërvajtje administrative.
2. Përveç masave të mbikëqyrjes të parashikuara në këtë ligj, kundërvajtje administrative, të parashikuara në nenet e mëposhtme, sanksionohen me gjobë.
3. Gjatë vendosjes së masës administrative, Autoriteti sigurohet që masa administrative të jetë:
a) efektive dhe parandaluese; dhe
b) në proporcionalitet me shkallën e pasojave që çuan në vendosjen e masës administrative/gjobës.
4. Autoriteti përcakton shumën e masës administrative në përputhje me dispozitat e këtij ligji, duke vlerësuar, gjithashtu, natyrën dhe fushën e veprimit të shkeljes dhe ndikimin për fondin e pensionit privat.
5. Autoriteti gjatë vendosjes së masës administrative zbaton parimin e njëtrajtshmërisë, sipas të cilit për shkelje të ngjashme vendos sanksione të ngjashme.
Neni 194
Masat administrative ndaj subjekteve të licencuara
1. Autoriteti vendos masa administrative me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 3 000 000 (tre milionë) lekë ndaj shoqërisë administruese, si dhe gjobë nga 1 000 000 (një milion) lekë deri në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë ndaj depozitarit, nëse:
a) kryen një veprimtari për të cilën nuk ka licencën e nevojshme, në zbatim të këtij ligji.
b) nuk informon Autoritetin paraprakisht për ndryshim të zotëruesit të pjesëmarrjes influencuese dhe/ose nuk merr miratimin e Autoritetit për këtë ndryshim;
c) nuk informon Autoritetin paraprakisht për ndryshim të personit kyç ose personelit kyç dhe/ose nuk merr miratimin e Autoritetit për këtë ndryshim;
ç) nuk informon Autoritetin paraprakisht për çdo ndryshim të rëndësishëm të kushteve të licencës dhe/ose nuk merr miratimin e Autoritetit për këtë ndryshim;
d) nuk informon Autoritetin paraprakisht për blerjen e pjesëmarrjes influencuese në një shoqëri tjetër dhe/ose nuk merr miratimin e Autoritetit për këtë;
dh) krijon fond pensioni pa i paraqitur kërkesë Autoritetit për miratim dhe/ose regjistrim;
e) hap përfaqësi pa njohjen e Autoritetit;
ë) u shkakton anëtarëve të fondit humbje financiare, si pasojë e shkeljes së këtij ligji nëpërmjet veprimit ose mosveprimit;
f) u shkaktohet humbje financiare anëtarëve nëpërmjet veprimit ose mosveprimit për të përmbushur detyrimet sipas nenit 8, ose për të përmbushur kërkesat e nenit 23 të këtij ligji lidhur me konfliktin e interesit ose nenit 34 lidhur me delegimin;
g) nuk emëron depozitarin e fondit ose nuk e zëvendëson brenda afateve depozitarin;
gj) nuk emëron audituesin e jashtëm të fondit ose nuk e zëvendëson brenda afateve audituesin;
h) jep informacione të rreme ose të pasakta në prospektin, vërtetimin për gjendjen e llogarisë së pensionit të anëtarit të fondit, raportin dhe pasqyrat financiare vjetore ose të ndërmjetme për fondin e pensionit.
i) nuk përmbush detyrimin për informimin e anëtarit sipas kërkesave të këtij ligji;
j) nuk i raporton Autoritetit siç parashikohet nga ky ligj;
k) pengon Autoritetin në ushtrimin e kompetencave mbikëqyrëse në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon veprimtarinë e Autoritetit dhe me këtë ligj;
l) në rastin e depozitarit të fondit, nëse u shkaktohet humbje financiare anëtarëve të fondit nëpërmjet veprimit ose mosveprimit për të përmbushur detyrimet e depozitarit, sipas nenit 118 të këtij ligji, ose nëpërmjet veprimit a mosveprimit për të përmbushur kërkesat e neneve 120 ose 122, 123 ose 124 të këtij ligji.
ll) nuk dorëzon në mënyrë të përsëritur raportet e kërkuara në Autoritet.
2. Autoriteti vendos masa administrative me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri në 400 000 (katërqind mijë) lekë ndaj personit kyç ose personelit kyç apo një anëtar të tij përgjegjës për shkeljet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.
3. Autoriteti i kërkon subjektit të licencuar të shkarkojë ose të pezullojë për një periudhë kohore të përcaktuar një person kyç ose personelin kyç apo një anëtar të tij përgjegjës për shkelje të këtij ligji.
Neni 195
Përsëritja e shkeljeve
Në rast se shkelja përsëritet nga i njëjti subjekt i licencuar ose i njohur, gjoba dyfishohet me çdo përsëritje të shkeljes.
Neni 196
Sanksioni me gjobë ndaj personave të tjerë
1. Autoriteti vendos masa administrative me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë ndaj agjentit të fondit të pensionit, që nuk përmbush kërkesat e kreut IV të këtij ligji.
2. Autoriteti vendos masa administrative me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë ndaj çdo personi të palicencuar, që përdor emërtime të cilat, sipas parashikimeve të këtij ligji, përdoren vetëm nga subjektet e licencuara.
Neni 197
Masat administrative ndaj administratorëve të përkohshëm dhe likuiduesve
Autoriteti vendos masa administrative me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë ndaj administratorëve të përkohshëm, që nuk dorëzojnë raportet e kërkuara në zbatim të nenit 184 të këtij ligji, ose likuiduesit që nuk dorëzon raportet e kërkuara në zbatim të nenit 170 të këtij ligji.
Neni 198
Masat administrative për shkelje të kërkesave lidhur me konfidencialitetin
Autoriteti vendos masa administrative me gjobë nga 200 000 (dyqind mijë) lekë në 400 000 (katërqind mijë) lekë ndaj subjektit të licencuar, drejtuar personave kyç ose personelit kyç, për shkelje të kërkesave lidhur me konfidencialitetin.
Neni 199
Shkelje të tjera
Për çdo shkelje tjetër të këtij ligji, Autoriteti vendos masa administrative me gjobë nga 300 000 (treqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
Neni 200
Procedura e hetimit administrativ, njoftimi dhe ankimi
1. Autoriteti gjatë hetimit administrativ për verifikimin e shkeljeve, sipas këtij ligji, ka të drejtë të kërkojë nga subjekti i licencuar informacion dhe shpjegime, si dhe të marrë materialet e dokumentacionin e nevojshëm, që kanë lidhje me hetimin administrativ, sipas këtij ligji.
2. Për qëllime të pikës 1 të këtij neni, Autoriteti i cakton subjektit të licencuar një afat për përgjigje ndaj kërkesave të tij për informacion, për dorëzimin e dokumenteve përkatëse, si dhe për dërgimin e observacioneve dhe/ose shpjegimeve të nevojshme, sipas legjislacionit që rregullon procedurat administrative dhe këtij ligji.
3. Pas përfundimit të hetimit administrativ, Autoriteti njofton me shkrim për vendimin e marrë subjektin e licencuar brenda 10 ditëve kalendarike nga e nesërmja e marrjes së këtij vendimi.
4. Ndaj vendimit të Autoritetit, subjekti i licencuar ka të drejtë të ankohet në gjykatën administrative në përputhje me afatet, kushtet dhe përcaktimet e legjislacionit në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
5. Ankimi në gjykatë nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të Autoritetit.
Neni 201
Ekzekutimi i vendimeve
1. Masat administrative të parashikuara në këtë seksion arkëtohen në një llogari të posaçme të Autoritetit brenda 20 ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit.
2. Kur shuma e masës administrative nuk shlyhet brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, subjekti i licencuar dhe personi përgjegjës paguajnë kamatëvonesё prej 0,01% të masës administrative për çdo ditë vonese pas kalimit të afatit.
KREU XVIII
DISPOZITA KALIMTARE
Neni 202
Përshtatshmëria e shoqërive administruese dhe depozitarëve të licencuar dhe fondeve
1. Licenca/miratimi që Autoriteti i ka lëshuar një shoqërie administruese/fondi të pensionit vullnetar/depozitari të fondit të pensionit vullnetar konsiderohen të vlefshme edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Shoqëria administruese, fondi i pensionit dhe depozitari i licencuar/miratuar, në zbatim të ligjit nr. 10 197, datë 10.12.2009, “Për fondet e pensionit vullnetar”, brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji përshtatin aktivitetin e tyre me kërkesat e këtij ligji.
3. Referencat në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë ndërkufitare do të hyjë në fuqi në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
4. Çdo kërkesë e re për licencim nga shoqëria administruese e fondeve ose depozitari nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji përmbush dhe respekton kërkesat e këtij ligji.
5. Çdo kërkesë e re për miratim fondi pensioni privat nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji përmbush dhe respekton kërkesat e këtij ligji.
Neni 203
Dispozitë kalimtare
Sponsori ose punëdhënësi, i cili në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji derdh kontribute për punëmarrësit e tij në fondet e pensionit vullnetar, brenda 18 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji mund të vendosë të shkëputet nga fondi me pjesëmarrje të hapur dhe të krijojë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur brenda të njëjtës shoqëri ose në një shoqëri tjetër administruese. Për të gjithë anëtarët, që transferohen brenda kësaj periudhe nga fondi me pjesëmarrje të hapur në fondin me pjesëmarrje të mbyllur, shoqëria administruese nuk aplikon tarifë transferimi.
KREU XIX
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 204
Aktet nënligjore
1. Autoriteti miraton aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
2. Deri në hyrjen në fuqi të akteve nënligjore të këtij ligji, aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të ligjit nr. 10 197, datë 10.12.2009, “Për fondet e pensionit vullnetar” zbatohen për aq sa nuk bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 205
Përjashtime
Dispozitat e këtij ligji nuk do të zbatohen për mbikëqyrjen dhe administrimin e fondit të pensionit të krijuar sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë regjistron fondin e pensionit në Autoritet dhe raporton numrin e anëtarëve, vlerën e aktiveve dhe vlerën e aktiveve neto të fondit të pensionit të administruar prej saj.
Neni 206
Shfuqizime
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr. 10 197, datë 10.12.2009, “Për fondet e pensionit vullnetar” shfuqizohet.
Neni 207
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 21.9.2023
Shpallur me dekretin nr. 288, datë 16.10.2023, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
[1] Ky ligj përafron pjesërisht direktivën (BE) 2016/2341 të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 14 dhjetor 2016, “Për veprimtaritë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pensionit profesional (IORP II)”, numri celex 32016l2341, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, seria L, nr. 354, datë 23.12.2016, f. 37–85.
Shkarko:
Burimi: Fletore Zytare.