1. Kreu VI i këtij ligji aplikohet ndaj personave fizikë dhe entiteteve që janë:
a) rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët marrin një dhuratë ose trashëgimi të aseteve të ndodhura në Shqipëri ose jashtë saj, ose marrin fitime nga lojërat e fatit të zhvilluara në Republikën e Shqipërisë ose jashtë saj;
dhe
b) jorezidentë në Republikën e Shqipërisë, që marrin një dhuratë ose trashëgimi të aseteve të ndodhura në Shqipëri, ose marrin fitime nga lojërat e fatit të zhvilluara në Shqipëri.
2. Të ardhurat nga lojërat e fatit janë të ardhurat e fituara nga kategoritë e lojërave të fatit, sipas përcaktimit të tyre në legjislacionin në fuqi për lojërat e fatit.
3. Dhuratat në kuptim të këtij neni përfshijnë pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë e fituara pa ndonjë kompensim në këmbim.
4. Trashëgimi në zbatim të këtij neni përfshin pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë e fituara si rezultat i kalimit për shkak të vdekjes nga personi i vdekur tek trashëgimtarët e tyre, pasi janë zbritur detyrimet e trashëgueshme.
5. Fitimet nga lojërat e fatit tatohen veçmas dhe nuk mund të grupohen.
6. Pasuria nga dhuratat dhe trashëgimia vlerësohen me vlerë nominale ose vlerën e tregut, cila prej tyre është vlera më e madhe. Rregullat e vlerësimit për llogaritjen e fitimeve kapitale sipas këtij ligji zbatohen gjithashtu ndaj pasurisë nga dhuratat dhe trashëgimia.
7. Përjashtohen nga tatimi:
a) dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga/ose ndërmjet trashëgimtarëve ligjorë në radhë të parë dhe të dytë, sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, si dhe dhurimet dhe trashëgimia brenda lidhjes gjinore motër-vëlla;
b) dhurimet dhe trashëgimitë të marra përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “a” deri në 5 000 000 lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme dhe deri në 1 000 000 lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues;
c) kalimi i së drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, përkatësisht nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar.
8. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim kërkesat në lidhje me verifikimin e burimeve të krijimit të pasurive të trashëguara apo të dhuruara.
60. Tatimi i trashëgimisë, dhuratave dhe fitimeve nga lojërat e fatit
Të ardhurat nga dhuratat, trashëgimitë dhe lojërat e fatit të përfituara në Republikën e Shqipërisë nga rezident dhe jorezidentët, tatohen me normën 15% pa zbritur ndonjë kosto të tyre. Nuk tatohen të ardhurat nga dhuratat dhe trashëgimitë e parashikuara në paragrafin 7 të nenit 60 të ligjit.
Për efekt të llogaritjes së të ardhurave nga dhuratat dhe trashëgimia, sendet e dhuruara apo të trashëguara vlerësohen në momentin e dhurimit me vlerë nominale ose vlerën e tregut, cila prej tyre është vlera më e madhe. Nëse disponohet një vlerë nominale për sendin e dhuruar apo të trashëguar, ajo krahasohet me vlerën e tregut të këtij sendi dhe cilado prej tyre është më e lartë, përbën bazën apo të ardhurën mbi të cilën aplikohet norma e tatimit 15%. Rregullat e vlerësimit për vlerën e sendeve të dhuruara apo të trashëguara, bazohen në praktikat e njohura nëpërmjet vlerësuesve të njohur apo akteve zyrtare në fuqi, në lidhje me metodologjinë e përcaktimit të vlerës së sendeve.
Shembuj
– Vlera e një pikture, automjeti retro, unazë me gur të çmuar, set antik pajisjesh etj. të kësaj natyre, të dhuruara/trashëguara, mund të përcaktohet nga ekspertë të licencuar të fushës;
– Vlera e një banese të dhuruar/trashëguar, mund të përcaktohen ose me ekspertë të licencuar të fushës, ose duke përdorur aktet ligjore/nënligjore në fuqi për vlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Të ardhurat nga trashëgimia, dhuratat dhe lojërat e fatit deklarohen nëpërmjet deklaratës tatimore vjetore të të ardhurave personale, në përputhje me nenin 60.
Administrata tatimore verifikon tërësinë dhe saktësinë e deklaratave të përgjegjësisë tatimore, sipas nenit 60. Kjo do të përfshijë marrjen dhe vënien në përdorim të informacionit nga një sërë burimesh të palëve të treta:
– Për trashëgimitë pasurore në Shqipëri, detaje lidhur me vlerën dhe destinacionin e trashëgimive. Për këtë qëllim noterët do të duhet të depozitojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të dhëna lidhur me aktet e trashëgimisë dhe dhurimit siç janë: të dhënat e përfituesve dhe vlerat apo pasuritë e përfituara.
– Të dhëna nga bankat lidhur me transfertat hyrëse, apo dalëse të llogarive në vend, që mund të tregojnë indicie për dhuratat, trashëgimitë apo fitimet e lojërave të fatit.
– Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave për të marrë të dhëna të raportuara sipas rregulloreve të antipastrimit të parave.
– Informacion nga Banka Qendrore lidhur me transfertat ndërkufitare, që mund të përfaqësojnë dhurata, trashëgimi, apo fitimet nga lojërat e fatit, të ardhura nga jashtë vendit.
– Informacion nga Kadastra lidhur me transferimin e pronës që nuk duket se ka rezultuar nga shitja komerciale.
– Të dhëna lidhur me llogaritë financiare të huaja të marra përmes shkëmbimit automatik të informacionit.
– Të dhëna lidhur me fitimet nga lojërat e fatit të marra nga operatorët në industrinë e basteve, përmes deklaratave të tatimit në burim.
Administrata tatimore për të përfituar këto informacione sipas rastit mund të vendosë protokolle komunikimi për të marrë raportimet e sipërcituara, duke përfshirë këtu edhe bazën e tyre ligjore, frekuencën e raportimit, të dhënat përkatëse.
Neni 60 përcakton taksimin e jorezidentëve lidhur me burimin shqiptar të dhuratave, trashëgimive dhe fitimeve në lojërat e fatit. Në mënyrë që të sigurohet edhe përmbushja e këtyre detyrimeve, duhet të përfshihen edhe burimet e informacionit nga palët e treta:
– Për trashëgimitë nga pronat në Shqipëri, detajet e vlerave dhe destinacioni i tyre (trashëgimive).
– Informacion nga Banka Qendrore lidhur me transfertat ndërkufitare që mund të përfaqësojnë dhurata, trashëgimi, apo fitime nga lojërat e fatit që po transferohen jashtë shtetit.
– Informacion nga Kadastra lidhur me transferimet e pronave që nuk duket se ka rezultuar nga shitja komerciale.
– Të dhëna lidhur me fitimet nga lojërat e fatit të marra nga operatorët në industrinë e basteve. Do të duhet të merren në konsideratë edhe se si duhen trajtuar kërkesat për raportime lidhur metransaksionet me jorezidentët.
Pika 60 e Udhëzimit Nr. Nr. 26, datë 8.9.2023 Për Tatimin mbi të Ardhurat