Evazioni tatimor
Termi “evazion tatimor” përfshin fshehjen apo shmangien me dashje të detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave (p.sh: shitjeve ose të ardhurave të realizuara), falsifikimin e dokumentacionit kontabël dhe tatimor, marrjen e dokumenteve të falsifikuara për të rritur fiktivisht shpenzimet e biznesit ose të TVSH-së së zbritshme duke çuar në përllogaritjen e pasaktë të shumës së tatimit ose taksës.
Konsiderohet gjithashtu evazion tatimor, fshehja e të ardhurave, me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi i detyrimeve tatimore. Tatimpaguesit, për të cilët konstatohet se kryejnë këto shkelje, zbatohen dispozitat në fuqi të ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Agjenti i mbajtjes së tatimit, agjenti i taksave apo i tarifave, në rast së konstatohet të kenë kryer evazion tatimor, detyrohen të paguajnë gjobë, në masën e mëposhtme:
- Gjobë në masën 0.06% të shumës së plotë të tatimit, taksës apo tarifës, në rast se e ka mbajtur, llogaritur dhe deklaruar tatimin në burim apo tatimin, taksën ose tarifën, por nuk e ka transferuar atë në buxhetin e shtetit.
- Gjobë në masën 50% të shumës së plotë të tatimit, taksës apo tarifës në rast se nuk mban tatimin në burim apo tatimin apo nuk mbledh taksën ose tarifën;
- Gjobë në masën 100% të shumës së plotë të tatimit, taksës apo tarifës nëse mban dhe nuk deklaron e paguan tatimin në burim apo tatimin, taksën ose tarifën e mbledhur.
Kujdes!
Fshehja apo shmangia nga pagimi i detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara apo deklaratave ose informacioneve të rreme, që çojnë në përllogaritjen e pasaktë të shumës së tatimit, taksës apo kontributit, përbën evazion tatimor dhe dënohet me gjobë të barabartë me 100% të diferencës së shumës së përllogaritur nga ajo që duhet të ishte në fakt.
Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi 150,000 lekë
Tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që kryejnë ndërmjet tyre transaksione shitjeje ose blerjeje me para në dorë, kur vlera e transaksionit është më e madhe se 150,000 lekë, dënohen me gjobë në masën 10% të vlerës së secilit transaksion.
Ky dënim do të zbatohet si për blerësin, edhe për shitësin, nëse të dy janë persona juridikë dhe/ose fizikë tregtarë, dhe blerësi ka paguar direkt shitësin me para në dorë.
Në rast se, blerësi ka paguar me para në dorë në llogarinë bankare të shitësit, dënimi zbatohet vetëm ndaj blerësit. Ashtu sikurse, nëse shitësi i autorizuar nga blerësi, për likuidimin e transaksionit ka tërhequr me para në dorë nga llogaria bankare e blerësit, dënimi zbatohet ndaj shitësit.