E ardhura e tatueshme
Të ardhurat e mëposhtme konsiderohen si të ardhura të tatueshme të një tatimpaguesi të tatimit mbi të ardhurat personale:
a) të ardhura nga punësimi;
b) të ardhura nga biznesi;
c) të ardhura nga investimet.
Të ardhurat janë të tatueshme pavarësisht nëse paguhen në të holla ose në natyrë. Të ardhurat në natyrë vlerësohen me vlerën e tregut, për aq sa nuk përcaktohet ndryshe në këtë ligj ose në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Parimi i tregut, siç përcaktohet në nenin 44 të këtij ligji, zbatohet për transaksionet ndërmjet palëve të lidhura.
Të ardhura që nuk janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale
Të ardhurat e mëposhtme nuk janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale:
a) të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
b) ndihmat ekonomike nga buxhetet publike për individët pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës në fuqi;
c) të ardhurat e përjashtuara në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë;
ç) kompensimet financiare të paguara për pronarët e pronave si shpërblim për shpronësimet e bëra nga shteti për interesa publike, ose ish-pronarëve për shpronësimin e pronës së tyre në të kaluarën;
d) kompensimet financiare të paguara ish-të dënuarve politikë dhe pasardhësve të tyre;
dh) shpërblimet dhe çmimet e dhëna nga institucionet shtetërore për arritje në shkencë, sport, kulturë;
e) bursat e nxënësve dhe të studentëve;
ë) përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, përfitimet për dëmshpërblimet nga kontrata e sigurimit, të marra në zbatim të ligjit në fuqi për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore;
f) të ardhurat nga mbështetja me grante dhe subvencione në bujqësi dhe blegtori me fonde të buxhetit të shtetit ose burime të tjera.
Të ardhurat nga punësimi
Të ardhurat nga punësimi përfshijnë:
a) pagat, shpërblimet dhe përfitimet që rrjedhin nga marrëdhënie punësimi ose të ngjashme me to, përfshirë transferimin apo huazimin e punonjësve, pavarësisht nëse këto marrëdhënie janë aktuale, të ardhshme ose të kaluara, dhe ku tatimpaguesi është i detyruar të ndjekë udhëzimet e paguesit të të ardhurave në mënyrë që të marrë pagesën apo shpërblimin;
b) shpërblimet e drejtorëve, shpërblimet si anëtar i bordit të drejtorëve ose i organit ligjor të një shoqërie, si dhe shpërblimet për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues;
c) shpërblimet dhe përfitimet e paguara nga shoqëria për ortakun e saj për punën e kryer për këtë shoqëri;
ç) të ardhurat e fituara nga një individ i vetëpunësuar nëse:
i. 80 për qind ose më shumë e të ardhurave të fituara merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose
ii. 90 për qind ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë.
Shkronja “ç” nuk zbatohet nëse individi i vetëpunësuar ofron shërbime vetëm për persona jorezidentë në Republikën e Shqipërisë apo vetëm për entitete që nuk kanë një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë. Në këtë rast, i vetëpunësuari konsiderohet se realizon të ardhura nga biznesi.
Të ardhurat nga punësimi, përveç parashikimeve të pikës 1 të këtij neni, përfshijnë edhe pagesat që kryhen në rastet e humbjes ose ndërprerjes së marrëdhënieve të punësimit.
Kur të ardhurat nga punësimi i paguhen një të punësuari nëpërmjet një agjenti punësimi jorezident në Republikën e Shqipërisë dhe shuma e përgjithshme e paguar përfshin tarifën e komisionit, të ardhurat nga punësimi konsiderohen të jenë së paku 80% e shumës së përgjithshme.
Të ardhura të përftuara nga punësimi nuk do të konsiderohen si të tilla në rastet kur:
a) vlera e ushqimeve të konsumuara, pijeve joalkoolike, pajisjet e punës, trajtimi mjekësor dhe përfitime të tjera të parashikuara, në ambientet ku operohet nga ose në emër të një punëdhënësi, janë të disponueshme për të gjithë të punësuarit në kushte të ngjashme dhe krijojnë kushte më të mira pune për të punësuarit;
b) rimbursimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit dhe dietat e udhëtimit, paguhen në bazë të procedurës së përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, apo akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji;
c) kompensimet për punonjësit në rast të sëmundjeve, fatkeqësive apo vështirësive të jetesës sipas parashikimeve në legjislacionin përkatës në fuqi dhe dispozitave të akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji;
ç) kontributet për sigurimin e jetës, shëndetit dhe aksidenteve në punë;
d) të ardhurat që rrjedhin nga pagat dhe kompensimet për marrëdhëniet e punës të zyrtarëve të konsullatave, diplomatët, ose të ngjashëm të vendeve të treta dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët gjatë kryerjes së funksioneve të tyre zyrtare në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me konventat apo marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, pranuara ose nënshkruara nga Republika e Shqipërisë apo Këshilli i Ministrave, gëzojnë statusin diplomatik.
Të ardhurat vjetore të tatueshme nga marrëdhëniet e punësimit përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të tatueshme nga punësimi, të marra nga një tatimpagues gjatë vitit tatimor.
Shuma e pagave dhe të ngjashme me to të paguara në një pagesë të vetme në një vit të caktuar përbëjnë të ardhura të viteve për të cilat janë paguar.