dhe pse afati i fundit për dorëzimin e pasqyrave financiare të bizneseve, që është 30 shtatori, po afron, rreth 5,000 biznese ende nuk kanë dorëzuar bilancet në Qendrën Kombëtare të Biznesit
Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën me dije për Monitor se deri te enjten pasdite ishin dorëzuar pranë QKB 19,291 pasqyra financiare te aprovuara, ndërsa në radhë për t’u marrë për shqyrtim janë rreth 80 aplikime. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit pritshmëria e aplikimeve është 24,218.
Deri në 31 korrik u miratuan rreth 17,139 pasqyra financiare. QKB vendosi që të shtyjë afatin për dorëzimin e pasqyrave financiare në datën 30 shtator, pas amullisë së krijuar me 31 korrik, ku shumë biznese nuk arritën të dorëzonin pasqyrat financiare për shkak të mbingarkesës. Gjithashtu QKB njoftoi se nuk do të ketë penalitete për subjektet që janë pajisur me numër aplikimi.
“Lidhur me detyrimin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare për vitin 2018, ju njoftojmë se subjektet të cilët kanë aplikuar online nëpërmjet portalit e-albania deri në datën 31.07.2018, (ora 24:00) dhe rezulton se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), por për shkak të mbingarkesës së madhe të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të pasqyrave financiare, nuk do të aplikohet kundërvajtje administrative në bazë të nenit 74, pika 3 e ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e Biznesit”, njoftoi QKB në datën 31 korrik.
Ky ishte viti i parë, kur në bazë të ligjit të kontabilitetit, është shtuar numri i pasqyrave që duhet të deklarohen. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit etj.
Që në fillim të herës, bizneset u ankuan se sistemi ishte i ngadaltë dhe dokumentet kërkonin kohë për t’u ngarkuar online. Si rrjedhojë, në ditën e fundit, Qendra Kombëtare e Biznesit njoftoi se për shkak të mbingarkesës nuk do të aplikohen gjoba për ata që kanë marrë një numër aplikimi, me kusht që të bëjnë dorëzimin brenda 30 shtatorit.
Por bizneset vijojnë të ankohen se sistemi vazhdon të ketë probleme. “Kam dy ditë që po mundohem të dërgoj bilancin e fundit dhe nuk arrij dot, sistemi nuk funksionon”, thotë Suela, ekonomiste në një firmë kontabiliteti në kryeqytet.
Gjithsesi, 30 shtatori mbetet afati i fundit dhe bizneset nuk mund të shpresojnë për një shtyrje tjetër.
Burimi: Revista “Monitor“