Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje të individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2019 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë, se brenda datës 31 Korrik 2020 duhet të dorëzojnë në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-filing, Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Detyrimin për dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë.
Të ardhurat e tatueshme, të detyrueshme për tu deklaruar nga individët, subjekt deklarimi, janë:
- Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit
- Të ardhurat bruto nga dividenti
- Të ardhurat bruto nga qiraja
- Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit
- Të ardhura bruto nga interesat bankare
- Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme
- Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.
- Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
- Fitimi kapitali nga dhurimi.
- Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart.
Për herë të parë, deklarata do të gjenerohet e para plotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. Gjithashtu fushë e para plotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit për sa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. Rubrikat e mësipërme të dekoratës DIVA, pavarësisht se do të gjenerohen të para plotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’I verifikojë dhe ndryshojë ato.
Për më shumë informacion ju mund të telefononi në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02 pranë Qendrës së Thirrjeve, si dhe të përdorni shërbimin Live Chat në faqen zyrtare të DPT-së.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe gjejmë gjithmonë kohë për t’ju përgjigjur çdo pyetje tuaj. Ndihuni të lirshëm të telefononi ose të shkruani në çdo moment për çështje që ne mund t’ju ndihmojmë Kontakto me ne