Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitetin e prodhimit/zhvillimit të software-ve se Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 730, datë 12.12.2018, “Për përcaktimin e aktiviteteve që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, si dhe procedurat për aplikimin e Tatimit mbi Fitimin nga personat juridikë që ushtrojnë këto aktivitete”, Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 176, të datës 13 dhjetor 2018.
Aktivitetet e ushtruara nga personat juridikë në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, për të cilat aplikohet shkalla tatimore e tatimit mbi fitimin prej 5% janë si më poshtë:
- Dizenjim software-i
- Zhvillim dhe mirëmbajtje sistemesh software
- Testim software
- Dizenjim dhe zhvillim sistemesh të komunikimit
- Dizenjim dhe zhvillim sistemesh të sigurisë
- Zhvillim sistemesh migrimi
- Përmirësim/upgrade sistemesh informatike
- Operimi, menaxhimi, suporti i përdorimit dhe auditimi teknik/informatik për sistemet software.
Personat Juridikë, duhet që këto aktivitete të kenë të përcaktuar në statutin e kompanisë si objekt veprimtarie, për të aplikuar normën 5% të Tatimit mbi Fitimin.
Përveç këtyre, aktivitetet e tjera që mund të ushtrojë shoqëria, duhet që të jenë në fushën e teknologjisë së informacionit. Kur veprimtaritë e tjera, nëse ka, nuk bëjnë pjesë në këtë fushë, duhet t’i ndajë me NIPT-e më vete, në mënyrë që të aplikojë shkallën 5% të Tatimit mbi Fitimin.
Duhet të mbahet parasysh që për aktivitetet ekonomike të fushës së teknologjisë së informacionit, të ushtruara nga personi juridik, do të zbatohet shkalla standarde 15% e Tatimit mbi Fitimin.
Për qëllim të aplikimit të normës së reduktuar, subjektet duhet të pasqyrojnë qartë në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare, të ardhurat që realizohen nga aktiviteti/aktivitet për të cilat aplikohet shkalla tatimore 5%, si edhe shpenzimet e kryera.