Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale
“Person fizik” është çdo: a) individ i vetëpunësuar; b) individ tregtar; dhe c) individ sipas kuptimit të Kodit Civil, përfshirë të punësuarit, si dhe çdo individ tjetër person fizik që realizon të ardhura nga çdo burim, përfshirë dhurimin, trashëgiminë apo fitimet nga lojërat e fatit.
Rezidenca
Tatimpagues rezident i tatimit mbi të ardhurat personale është çdo tatimpagues që përmbush një prej kushteve të mëposhtme:
a) ka një vendbanim të qëndrueshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë vitit tatimor; ose
b) qëndron në Republikën e Shqipërisë gjatë vitit tatimor për një periudhë ose periudha që në total arrijnë në 183 ditë ose më shumë. Dita e daljes nga vendi dhe dita e hyrjes në vend do të trajtohen më vete si ditë të pranisë së tij në vend; ose
c) është shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili jashtë territorit të saj kryen detyrën si i punësuar apo funksionar zyrtar i qeverisë së Republikës së Shqipërisë; ose
ç) ka një dyqan, zyrë profesionale, fabrikë ose një vend tjetër ku personi fizik ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, ose ka vendbanim të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë, përveç rastit kur personi fizik ka një banesë të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë për të gjithë vitin tatimor dhe gjithashtu nuk ka banesë të përhershme në Republikën e Shqipërisë; ose
d) ka qendrën e interesave jetike në Republikën e Shqipërisë, që nënkupton lidhje të rëndësishme personale apo ekonomike me Republikën e Shqipërisë.
Dokumentacioni
Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale është i detyruar të mbajë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar të dhënat e deklaruara në deklaratën e të ardhurave.
Çdo individ i vetëpunësuar ose tregtar, i cili nuk i nënshtrohet detyrimit ligjor për mbajtjen e kontabilitetit në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, është i detyruar të mbajë të paktën regjistrin e të ardhurave, shpenzimeve, llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve apo borxheve, sipas një strukture të thjeshtuar, siç përcaktohet në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Lexo këtu https://alprofitconsult.al/ligj-nr-29-2023-per-tatimin-mbi-te-ardhurat/ tekstin e plotë të ligjit.