TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Deklarimi dhe pagesa

Si veprohet për të raportuar informacionin vjetor?
Me krijimin e një sipërmarrje lind edhe detyrimi për të plotësuar deklaratat sipas përgjegjësive tatimore për të cilat është regjistruar tatimpaguesi (tatimi mbi fitimin, TVSH, sigurime shoqërore dhe shëndetësore, tatimi mbi të ardhurat nga punësimi si dhe tatime/taksa të tjera në varësi të objektit të aktivitetit të sipërmarrjes). Deklaratat hartohen sipas formularëve të miratuar me udhëzim të Ministrit të Financave.

Deklarata e të ardhurave të tatueshme plotësohet dhe dorëzohet në baza vjetore. Çdo tatimpagues përgatit deklaratën vjetore të të ardhurave të tatueshme dhe e paraqet atë pranë administratës tatimore brenda datës 31 Mars të vitit pasardhës, duke paraqitur në të njëjtën kohë Pasqyrat Financiare të Shoqërisë, si dhe çdo të dhënë tjetër të përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave në zbatim të Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar.

Këto informacione janë objekt i vetëdeklarimit, i cili duhet të plotësohet dhe paguhet nga tatimpaguesi në llogarinë e organeve tatimore, në çastin e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave të tatueshme. Çdo tatimpagues bën vetëdeklarim të shumës së detyrimit tatimor apo të kontributit, pa pritur vlerësimin, njoftimin ose kërkesën nga administrata tatimore dhe e paguan tatimin në llogarinë e organeve tatimore.

Informacioni i përfshirë në deklaratën vjetore të të ardhurave të tatueshme përmban të dhëna për efekt të llogaritjes së të ardhurave të tatueshme (pasqyrat financiare).
Bilanci është një nga pasqyrat financiare që tregon pozicionin financiar (aktivet, pasivet dhe kapitalin) e një njësie ekonomike raportuese në një datë të caktuar.

Pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve është një tjetër pasqyrë financiare që tregon performancën ekonomike (të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin/humbjen) e një njësie ekonomike raportuese gjatë një periudhe kontabël. Pasqyra e fluksit monetar tregon fluksin e parave (arkëtimet dhe pagesat në parà dhe ekuivalentet e saj) të një njësie ekonomike raportuese gjatë një periudhe kontabël.

Pasqyra e ndryshimeve në kapitalin neto tregon ndryshimet në kapitalin e një njësie ekonomike raportuese gjatë një periudhe kontabël, etj. (në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”).

Kërkesa për informacion është e gjerë dhe përmban çdo informacion të mundshëm dhe të nevojshëm për të bërë një vlerësim tatimor të tatimpaguesit si dhe të tatimpaguesve të lidhur me të, çka do të shërbejë në llogaritjen e të ardhurave të tatueshme për qëllime tatimore.

Rëndësia mbi korrektësinë e raportimit
Për shkak të rolit shumë të rëndësishëm që informacioni i raportuar ka për tatimpaguesin, por që sjell efekte edhe për palët e treta, është e rëndësishme që të gjitha informatat vjetore të raportohen saktë dhe në kohë.

Administrata Tatimore, nëpërmjet deklaratave të tatimpaguesve dhe gjithë mekanizmave të tjerë ligjorë, merr informacione të rëndësishme nga palët e treta, nga punëdhënësit si dhe nga gjithë palët e tjera të lidhura që përmbushin detyrimin ligjor të raportimit. Gjatë punës së saj administrata tatimore analizon këto informacione të marra nga tatimpaguesit dhe nga palët e lidhura, duke konkluduar me një vlerësim tatimor.

Cili është informacioni që do duhet të raportohet?

Tatimpaguesi vë në dispozicion të administratës tatimore librat, regjistrimet, informacionin, dokumentet e nevojshme për të kryer llogaritjen e saktë të detyrimeve të tyre tatimore.
Me kërkesën e administratës tatimore, tatimpaguesi jep shpjegime shtesë, me gojë ose me shkrim. Ky detyrim përfshin, por nuk kufizohet në:

  • plotësimin, nënshkrimin dhe kthimin e pyetësorëve ose të kërkesave të tjera me shkrim për informacione apo dokumente nga administrata tatimore, brenda 20 ditëve nga data e postimit të kërkesës ose e dërgimit elektronik të tatimpaguesit;
  • takimin me punonjës të administratës tatimore gjatë orarit të punës, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të dhënë informacion, sipas nenit 94 të këtij ligji.

Kërkesa e administratës tatimore për shpjegime shtesë bëhet vetëm për informacione, të lidhura me transaksionet tregtare të tatimpaguesit, proceset ose procedurat teknike dhe me operacionet financiare ndërmjet tatimpaguesit dhe palëve të treta.

  • Agjenti i mbajtjes së tatimit në burim duhet t’i japë administratës tatimore informacion të saktë për deklaratat e tatimpaguesve në datën që i kërkohet të informojë.

Detyrimi i të tretëve për të dhënë informacion

  • Me kërkesën e administratës tatimore, palët e treta japin informacion, me shkrim ose me gojë, vënë në dispozicion librat dhe regjistrimet, si dhe informacion tjetër për detyrimin tatimor të një tatimpaguesi, me të cilin ata kanë hyrë në transaksione tregtare ose financiare. Ky detyrim përfshin, por nuk kufizohet në:
  • plotësimin, nënshkrimin dhe kthimin e pyetësorëve me shkrim, ose të kërkesave të tjera, me shkrim, për informacion ose dokumente, nga administrata tatimore, brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur kërkesa, dërguar me postë ose në mënyrë elektronike, është marrë ose vlerësohet të jetë marrë prej palës së tretë;
  • takimin me punonjësit e administratës tatimore gjatë orarit zyrtar të punës në mjediset e veprimtarisë ekonomike të palës së tretë ose në zyrat e administratës tatimore, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të dhënë informacion, në bazë të fletëthirrjes me shkrim.

Informacion lidhur me zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

  • Me kërkesë të administratës tatimore, për qëllim të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare për çështjet tatimore ose për qëllim të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat parashikojnë asistencë administrative në çështjet tatimore, të cilat janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, çdo person duhet të japë informacion në përputhje me dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën tatimore, përfshirë, por pa u kufizuar, në informacionin e mbajtur nga banka dhe institucione të tjera financiare.

Personat, të cilëve u adresohet kërkesa për të dhënë informacion

  • Kërkesa me shkrim për dërgimin e informacionit u drejtohet:
    personave juridikë, për:

    • dividendët, që u paguhen aksionarëve ose ortakëve;
    • personat, me të cilët janë duke kryer ose kanë kryer transaksione financiare apo tregtare;
    • pagesat e bëra për nënkontraktorët apo në pozicionin e nënkontraktorit;
    • debitorët dhe kreditorët;
  • bankave dhe institucioneve financiare, për:
    • pagesat e interesit;
    • depozitat dhe detyrimet në fund të vitit;
    • veprime të tjera bankare;
    • regjistrin elektronik të llogarisë bankare, në emër të tatimpaguesve, përfshirë emrin tregtar dhe numrin personal të identifikimit;
  • shoqërive komisionere ose fondeve të investimeve kolektive, për transaksionet e titujve;
  • agjentëve të pasurisë së paluajtshme, për veprimet ndaj klientëve;
  • blerësve ose shitësve të pasurisë së paluajtshme, për përshkrimin dhe çmimin e pasurisë së paluajtshme;
  • noterëve, për veprime noteriale, për shitblerje të pasurive, të luajtshme apo të paluajtshme, apo kontrata sipërmarrjeje;
  • personave juridikë, rezidentë dhe jorezidentë, për pagesat e bëra personave jorezidentë;
  •  institucioneve shtetërore dhe nëpunësve të administratës shtetërore;
  • kontraktorëve të tjerë të tatimpaguesit;
  • donatorëve, organizatave ndërkombëtare, organizatave jofitimprurëse, vendase dhe të huaja, për pagesën bërë tatimpaguesve për furnizimin e mallrave dhe të shërbimeve.

Sqarim:
Administrata tatimore mund të kërkojë përdorimin nga tatimpaguesit të formularëve të veçantë, për dorëzimin e dokumentacionit, informacionit apo kërkesave.
Kur nuk kërkohet formular, çdo komunikim, i kërkuar sipas legjislacionit tatimor, dërgohet në mënyrë elektronike ose dorëzohet me shkrim, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe.

Kujdes:
Në rast mosdhënieje të informacionit, aplikohen penalitete, sipas nenit 126 të ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Llojet e tatimeve për biznesin

Tatimi është pagesa e detyrueshme dhe e pakthyeshme në Buxhetin e Shtetit apo në buxhetin e organeve të qeverisjes vendore, e vendosur me ligj dhe që nuk bëhet në shkëmbim të mallrave dhe shërbimeve të caktuara.

Taksë është pagesa e detyrueshme dhe e pakthyeshme në Buxhetin e Shtetit apo në buxhetin e organeve të qeverisjes vendore, e vendosur me ligj dhe që paguhet nga çdo person, që ushtron një të drejtë publike apo përfiton një shërbim publik në territorin e Republikës së Shqipërisë.

1. Tatimet dhe taksat janë kombëtare ose vendore.

Në tatimet dhe taksat kombëtare përfshihen:

  • tatimi mbi vlerën e shtuar;
  • tatimi mbi të ardhurat;
  • tatimi për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet;
  • taksat dhe tarifat kombëtare;
  • tatime të tjera, të cilat janë përcaktuar të tilla me ligj të veçantë.

2. Tatimet dhe taksat vendore përcaktohen në ligjin për sistemin e taksave vendore.

3. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përcaktohen në ligjin për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Vështirësitë financiare të tatimpaguesve sipërmarrës

Aftësia paguese në rastin e sipërmarrjeve mund të kufizohet për një sërë arsyesh, duke përfshirë probleme të përkohshme tregtare si dhe ndryshimet në sektorin ekonomik apo më gjerë. Administrata Tatimore do të shqyrtojë rastet e tatimpaguesve veç e veç, duke analizuar dhe përfshirë çdo faktor ndikues në historikun e tatimpaguesit, si dhe më në detaj për çdo lloj tatimi të papaguar. Kur një rrethanë financiare pengon tatimpaguesin për të paguar në afat detyrimet tatimore, ai mund të lejohet të lidhë në çdo kohë marrëveshje pagesë me këste. Në të njëjtën kohë tatimpaguesi duhet të vërtetojë që është në kushtet e pamundësisë financiare për të paguar të plotë detyrimin tatimor si dhe të tregojë që pavarësisht nga rrethanat financiare, ai është në gjendje të përmbushë marrëveshjen. Administrata tatimore nuk mund të lidhë një marrëveshje të pagesës me këste nëse ka filluar procedura e shitjes në ankand të pasurive të konfiskuara për efekt të atij detyrimi tatimor të pashlyer. Kërkesa bëhet me shkrim dhe i drejtohet drejtorit të drejtorisë rajonale apo drejtuesit të njësisë së ngjashme me të në drejtorinë rajonale ku është i regjistruar tatimpaguesi.

Kërkesa duhet të bëhet brenda 15 ditëve nga data kur njoftimi i vlerësimit konsiderohet të jetë marrë. Marrëveshja e pagesës me këste bëhet me shkrim, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës dhe nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe drejtori i drejtorisë rajonale apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të. Për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste tatimpaguesi detyrohet të paguajë menjëherë të paktën 20% të vlerës së detyrimit për të cilin lidhet marrëveshja.”.

Marrëveshja e pagesës me këste lidhet për një periudhë që fillon nga data e firmosjes deri në fundin e vitit të ardhshëm kalendarik pas momentit të hartimit të marrëveshjes. Me nënshkrimin e një marrëveshje për pagesë me këste të një detyrimi tatimor vazhdon të paguhet kamatëvonesë për detyrimin tatimor, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Drejtori i drejtorisë rajonale tatimore, kur kërkesa e personit të tatueshëm është e paargumentuar dhe e pajustifikuar nga rrethanat, mund ta refuzojë kërkesën për marrëveshje pagesë me këste ose mund të kërkojë garanci bankare para se të hyjë në një marrëveshje të tillë.
Garancia duhet të jepet nga njëra prej bankave, klient i së cilës është personi i tatueshëm që kërkon pagesën me këste. Në këtë rast banka që lëshon garancinë bëhet garant për detyrimin e personit të tatueshëm.

Pasi personi i tatueshëm paraqet dokumentin e kësaj garancie, drejtori i drejtorisë rajonale tatimore mund të pranojë të nënshkruajë marrëveshjen e pagesës me këste të detyrimeve tatimore të papaguara.

Marrëveshja e pagesës me këste mund të zgjidhet nga administrata tatimore në momentin më të parë që personi i tatueshëm nuk e respekton atë lidhur me rregullshmërinë e pagesave si dhe kur ai nuk paguan detyrimet e tjera tatimore, që lindin gjatë periudhës së mbuluar nga marrëveshja.

Në këtë rast, personi i tatueshëm është i detyruar të paguajë të gjitha detyrimet tatimore të papaguara që mbulohen nga kjo marrëveshje, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes së vendimit të zgjidhjes së marrëveshjes. Nëse këto detyrime nuk paguhen, administrata tatimore mbledh detyrimet në përputhje me dispozitat ligjore.

Detyrimet tatimore, të paguara më tepër

Kur shuma e detyrimit tatimor të paguar është më e madhe se shuma e tatimit të vlerësuar në njoftimin e vlerësimit tatimor apo në deklaratën tatimore, administrata tatimore e kalon shumën e paguar më tepër për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga personi i tatueshëm. Një gjë e tillë, behet në mënyrë automatike nga vetë administrata tatimore, brenda periudhës së parë vijuese tatimore që vjen pas periudhës në të cilën personi i tatueshëm rezulton me kredi tatimore. Për tatimin mbi fitimin një gjë e tillë, bëhet brenda muajit të parë që pason muajin në të cilin personi i tatueshëm rezulton me kredi tatimore.

Kur shuma e tepricës së kredisë tatimore është më e madhe se shuma e detyrimeve të tjera tatimore të papaguara të personit të tatueshëm, diferenca e mbetur, sipas kërkesës me shkrim të personit të tatueshëm, mund të:

  • Rimbursohet automatikisht për personin e tatueshëm, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e derdhjes së shumës së paguar më tepër apo nga data e plotësimit të kushteve ligjore për rimbursim;
  • Kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit.

Rimbursimi

Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe zyrtarisht pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve).

Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale tatimore ku është i regjistruar tatimpaguesi, verifikojnë situatën tatimore të tatimpaguesit dhe miratojnë tepricën kreditore si të rimbursueshme. Nëse pas rezultateve të kontrollit kërkesa për rimbursim refuzohet tërësisht ose pjesërisht, mbi refuzimin e kërkesës për rimbursim edhe nëse është i pjesshëm, personi i tatueshëm njoftohet nga drejtoria rajonale tatimore me një akt njoftim vlerësimi tatimor sipas përcaktimit të Ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

E drejta e tatimpaguesit për të kërkuar rimbursimin e tepricës kreditore parashkruhet kur kanë kaluar 5 vjet nga data e dorëzimit të deklaratës tatimore, të përcaktuar në legjislacionin tatimor përkatës.

I. Rimbursimi për tatimpaguesit jo-eksportues (kriteri ligjor që duhet plotësuar: TVSH e zbritshme më e madhe se 400.000 lekë, e mbartur për tri periudha të njëpasnjëshme).

Rimbursimi i TVSH-së kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Financave. Kërkesa për rimbursim i nënshtrohet procedurës normale të rimbursimit duke iu nënshtruar analizës se riskut për rimbursim.

II. Rimbursimi për tatimpaguesit eksportues (kriteri ligjor që duhet plotësuar: TVSH e zbritshme më e madhe se 400.000 lekë):

1. Tatimpaguesit eksportues ose personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv në Republikën e Shqipërisë, që plotësojnë këto kushte:

  • Vlera e eksporteve të kryera në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, është më shumë se 70% e vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet;
  • Kanë aktivitet eksportues mbi 1 vit;
  • Paraqesin si dokument prove të kryerjes së eksportit deklaratën doganore të eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në Republikën e Shqipërisë;
  • Nuk kanë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero.

2. Tatimpaguesit eksportues, vlera e eksporteve të të cilëve, të kryera në periudhën/at tatimore për të cilën/at kërkohet rimbursimi, përbën më shumë se 50% deri në 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, rimbursohen brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut. Nga analiza e riskut mund të rezultojë që tatimpaguesi duhet t’i nënshtrohet procesit të kontrollit tatimor. Megjithatë, e gjithë procedura, përfshirë edhe kontrollin, përfundon brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Në të kundërt, brenda afatit 30-ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim kryhet rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet sistemit të Thesarit.

3. Të gjithë personat e tjerë të tatueshëm që kryejnë eksporte, por nuk klasifikohen në pikat 1 dhe 2 si më sipër, rimbursohen brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim duke iu nënshtruar procedurës së analizës së riskut.

Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar për rimbursim, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.

Nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve të mësipërme, administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër, si më poshtë:

  • kur një shumë e paguar më tepër kreditohet kundrejt një detyrimi tatimor tjetër, kamatëvonesa paguhet duke filluar nga data e pagesës më tepër deri në afatin e pagesës së tatimit, kundrejt të cilit bëhet kreditimi;
  • kur një shumë e paguar më tepër rimbursohet, kamatëvonesa paguhet për periudhën nga 30 ditë pas bërjes së pagesës më tepër deri në kryerjen e rimbursimit.

Çfarë duhet të kemi parasysh për të bërë një apelim tatimor?

Ku mund të ankohemi për veprime të administratës tatimore që i konsiderojmë të padrejta?
Ankimi bëhet vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor e cila që nga 1 Janari vitit 2017, është pjesë e strukturës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Çfarë rregullash ka për të bërë një ankim:

  1. Duhet të kesh një dokument (të dërguar nga administrata tatimore) i cili prek interesat e tatimpaguesit (lexo më poshtë se ç’mund të jetë ky dokument).
  2. Të ankohesh brenda 1 muaji nga marrja dijeni për aktin administrativ që të ka dërguar administrata tatimore.
  3. Brenda këtij muaji duhet të paguash ose të vendosësh garanci bankare për detyrimet që përmban njoftimi i vlerësimit së bashku me kamatëvonesat deri në datën e pagesës. Gjobat, as nuk parapaguhen e as vihet garanci.

Kujdes: Pa këto dokumenta, Drejtoria e Apelimit e refuzon ankimin.

Përse mund të ankohemi:

  • Për çdo “Njoftim-vlerësimi për detyrimet tatimore” që ju ka dërguar administrata tatimore dhe ju me gjykoni të padrejtë.
  • Çdo akt tjetër administrativ që ndikon detyrimin tatimor të tatimpaguesit, përfshirë edhe kërkesën për kompensim.
  • Çdo akt që ndikon në kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit.
  • Çdo akt që ndikon në kërkesën e tatimpaguesit për lehtësim tatimor.
  • Mund të ankimohen gabimet e bëra nga administrata në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës.
  • Vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të ndryshme të gjobave.
  • Ankimi mund të bëhet edhe kundër një mosveprimi, të administratës tatimore që ndikon në detyrimin tatimor të tatimpaguesit.

Kujdes, nuk mund të ankimohen masat administrative që kanë të bëjnë me masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore si urdhër bllokimi i llogarive bankare; njoftim dhe kërkesë për të paguar; njoftimi për palë të treta dhe aktet administrative që lidhen me konfiskimin e mallrave.

Ç’dokumenta duhen dërguar në Drejtorinë e Apelimit për ankimin:

  1. Kërkesën me shkrim ku të përshkruajë pretendimet e tij. Në këtë kërkesë duhet të shënohen emri dhe adresa e tatimpaguesit; numri i regjistrimit të tatimpaguesit (NIPT-i) dhe në mbyllje të saj e nënshkruan.
  2. Aktin administrativ të nxjerrë nga administrata tatimore.
  3. Vërtetimin e pagesës së detyrimit dhe kamatëvonesave (urdhër-pagese i kaluar në bankë). Në mungesë të pagesës, garanci bankare ku të përfshihen detyrimet+ kamatëvonesat.
  4. Informacione në mbështetje të ankimit si raporte kontrolli, proces-verbale, akte-konstatimi etj.
  5. Çdo dokument tjetër që ankimuesi e çmon të rëndësishme se ndihmon zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Si dërgohet ankimi në Drejtorinë e Apelimit?
Ankimi mund te dorëzohet dorazi ose dërgohet me postë rekomande. Datë e marrjes se ankimimit nga Drejtoria e Apelimit Tatimor konsiderohet data e protokollimit në për ankimet e dorëzuara dorazi dhe data e dorëzimit në postë kur ankimi bëhet nëpërmjet postës.

Kujdes! Tatimpaguesi, në dokumentat që dorëzon për ankim, duhet të vërtetojë datën e marrjes së aktit administrativ, objekt ankimi. Si provë, mund të shërbejë kopja e zarfit nëpërmjet të cilit është dërguar ankimi pranë tatimpaguesit, kopja e regjistrimit të dorëzimit të objekteve postare nga zyra postare etj.

Disa çështje që duhen mbajtur parasysh gjatë apelimit:

  1. Drejtoria e Apelimit gjatë shqyrtimit mund të kërkojë dokument shtesë dhe tatimpaguesi është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës.
  2. Barra e provës për të vërtetuar të kundërtën e vlerësimit të administratës tatimore i takon tatimpaguesit.
  3. Në rast se tatimpaguesi e ka humbur afatin e ankimit, ai duhet të argumentojë dhe provojë me dokumentacionin e nevojshëm se humbja e afatit të ankimit nuk është për faj të tij.
  4. Mbas rivendosjes në afat, ankimi duhet bërë mbas 15 ditësh e jo pas 1 muaji sikurse ishte pa e humbur këtë afat.
  5. Në rast se tatimpaguesi ka dëshirë të dëgjohet edhe me gojë, ai mund ta kërkojë këtë në ankimin e vet.

Ku mund ta lexojmë më hollësisht bazën ligjore të ankimit?

  • Ligji 9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” nga neni 106 deri tek neni 110.
  • Udhëzimi i Ministrit të Financave nr. 24 datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” nga paragrafi 106 deri tek paragrafi 110.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online