Ndryshimi në Ligjin Nr. 83/2019, datë 18.12.2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, lehtëson procedurat e verifikimit dhe kontrollit për punonjësit e papaguar të familjes për tatimpaguesit persona fizikë.
Konkretisht, në rast se nga kontrolli në ambientet e biznesit të tatimpaguesit person fizik, evidentohen persona të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, atëherë vetë organi tatimor vërteton përmes portalit “e-Albania”, nëpërmjet certifikatës familjare të të vetë punësuarit, nëse personi i evidentuar plotëson ose jo kushtet për t’u konsideruar si person i papaguar i familjes apo si bashkëjetues, sipas kuptimit të Kodit Civil.
Në këtë mënyrë, është hequr detyrimi i personit fizik që të vërtetojë pranë organit tatimor brenda 5 ditësh, se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes.
Ky ndryshim është një nga efektet e drejtpërdrejta pozitive të ofrimit të shërbimeve online dhe të qarkullimit elektronik të informacionit, brenda institucioneve të administratës publike.