TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Pyetjet-Përgjigjet më të shpeshta nga Shoqatat e Kontabilistëve

Në këtë material do të gjeni Pyetje- Përgjigjet më të shpeshta dhe sipas specifikave të natyrës teknike, ligjore, të drejtuara nga Shoqatat e Kontabilistëve, të cilat do të përditësohen, në faza të ndryshme të zbatimit të projektit të Fiskalizimit.

Rasti i stornim fature paradhënie është faturë me minus – sistemi nuk të lejon të presësh faturë me minus.

Përgjigje – Fatura paradhënie është faturë e rregullt e fiskalizuar. Në rastin e një fature, e cila do të përmbajë edhe pagesën e kryer paradhënie, duhet të vendoset si referencë edhe NIVF e faturës paradhënie të lëshuar. Problematika e parashtruar qëndron vetëm për fazën tranzitore, pasi me hyrjen e plotë në Fiskalizim ky problem nuk do të ekzistojë.

Në Self-Care, në librat e Blerjes apo të Shitjes nuk dalin emrat e klientëve, por vetëm NIPT. Duhet të shënohet edhe emri i klientit apo furnitorit sepse sjell vështirësi për plotësimin e librit të TVSH-së në Excel.

Përgjigje – Gjatë periudhës tranzitore, deklarimi i librave do të bëhet manualisht nëpërmjet e-filing. Pas periudhës Shtator 2021, deklarimi i tyre do të bëhet automatikisht. Të dhënat e transaksioneve të blerjes dhe shitjes, të detajuara, shfaqen në menunë: Libri i blerjeve dhe shitjeve – Pasqyrë mujore – Artikulli i librit të blerjes/shitjes.

Po ashtu në listat e faturave në Self-Care kur janë në monedhë të huaj dalin vetëm shuma në monedhë të huaj dhe jo në Lekë.

Përgjigje – Në librat e Shitjes dhe Blerjes shfaqen faturat në Lekë, pavarësisht se mund të jenë lëshuar në monedhë të huaj. Megjithate, për të mundësuar trajtimin e kësaj pyetjeje, është e nevojshme të dërgohen raste konkrete, NIPT, NIVF dhe NSLF.

Ndodh shpesh që faturat megjithëse fiskalizohen, kur kërkohen të printohen në PDF del mesazhi që nuk mundet të printohet se nuk i ofrohet ky shërbim.

Përgjigje – Ky problem ka ndodhur gjatë deploy-t të zhvilluar në datat 2-4 Gusht dhe tashmë është zgjidhur.

Çështja e shënimit vetëm të një llogarie në faturë: Kur bëhet fatura parashikohet që të zgjidhet vetëm një llogari bankare. Por klienti mund të ketë llogari tjetër dhe Bankat nuk e paguajnë një faturë nëse tek fatura është shënuar një numër llogarie bankare të një banke tjetër.  Duhet të rregullohet nga DPT që të ketë mundësi të deklarohen më shume se një llogari bankare tek Fatura.

Përgjigje – Zgjidhja e propozuar nuk është e mundur. Duhet të përmbushet vullneti i palëve në likuidimin e faturës. Edhe nëse tatimpaguesi paraqitet në bankë, për të kryer një pagesë në një llogari të ndryshme nga ajo e përcaktuar dhe e shfaqur në QR Code, Banka nuk krijon probleme.

Vijon ende që ka raste që një faturë del e fiskalizuar me shumë se një herë, pra e njëjta fature, por e fiskalizuar disa herë.

Përgjigje – Ky problem është zgjidhur me deploy-in e zhvilluar në datat 2-4 Gusht 2021. Nëse keni raste në të cilat vërehet se problematika vijon, është e nevojshme të na dërgohen të dhëna konkrete, NIPT, NIVF dhe NSLF.

Në parim është lejuar lëshimi i faturave brenda datës 10 të muajit pasardhës vetëm për shërbimet e vazhdueshme si p.sh. Telekomunikacioni dhe Ndërtimi. Ndërkohë, ka disa tipologji aktivitetesh, p.sh. edhe shoqëritë e shërbimeve profesionale duhet që të mbyllet muaji, apo te rakordohen tarifat, orët shërbimet etj. me qëllim që të vijohet me faturimet përkatëse. A do të shihet mundësia që faturat të lëshohen brenda datës 10 të muajit pasardhës edhe për kategori të tjera, përveç këtyre me sipër? Gjithsesi për këtë kemi konstatuar metodën si më poshtë vijon për të lëshuar fatura për periudhën/at paraardhëse (shih 3);

Përgjigje – Aktualisht në sistem është e mundur një gjë e tillë. Fatura duhet të lëshohet në kohë reale në momentin e kryerjes së furnizimit, përveç rasteve kur furnizimi plotëson kriteret ligjore të një furnizimi periodik dhe fatura mund të lëshohet si faturë periodike.

Platforma Self-Care dhe disa zgjidhje software-ike kanë aktiv opsionin e “Datës Efektive të TVSH-së” me alternativat (i) Në datën e faturës, (ii) Në datën e dorëzimit, (iii) Në datën e pagesës. Nëse lëshohet një faturë ose një faturë elektronike më datë 10 Gusht duke përzgjedhur opsionin e periudhës së furnizimit 01.07.2021 – 31.07.2021 si edhe opsionin TVSH-së “Në datën e dorëzimit”, kjo faturë shitje do të pasqyrohet në Platformën Self-Care në transaksionet/pasqyrën e periudhës Korrik, rrjedhimisht edhe në libra do të plotësohet manualisht për muajin korrik. Si duhet regjistruar kjo faturë gjatë kësaj periudhe tranzitore në librat e muajit korrik në sistemin [email protected], kur data e faturës është 10.08.2021, por periudha e furnizimit, ngarkesa e TVSH-së dhe shfaqja e furnizimit është gjatë muajit Korrik, për sa kohë sistemi [email protected] kur ngarkon librat e muajit korrik nuk pranon faturë me datë gushti? Mund të vendoset si datë fature, data 31.07.2021?

Përgjigje – Pavarësisht datës së lëshimit të faturës, regjistrimi bëhet për periudhën në të cilën ka mbaruar furnizimi.

Platforma Self-Care dhe Zgjidhjet Software-ike nuk lejojnë që Sasia ose Çmimi të ketë më shumë se 2 shifra pas presjes, duke rezultuar kështu në rrumbullakosje të panevojshme që krijojnë shumë probleme, pasi lëshohen fatura ose fatura elektronike të pasakta. Përse nuk lejohet të vendosen më shumë se dy shifra pas presjes?

Përgjigje – Tatimpaguesi mund të zgjidhë problemin duke shtuar një rresht në fund të faturës me përshkrimin “Rakordim”, duke vendosur vlerën e diferencës së shfaqur dhe në këtë mënyrë do të përputhjet dhe barazohen vlerat ndërmjet deklaratës doganore dhe faturës që fiskalizoni në portalin Self-Care. Vlera që do të shtohet për saktësim nuk mund të jetë më e madhe se 99 Lekë. Më pas mund të vijojë me fiskalizimin e faturës.

Në lidhje me pasqyrimin e importeve në Platformën Self-Care dhe konfirmimin e tyre sipas udhëzimit të DPT-së, brenda 3 ditëve, në kushtet kur ende ka shumë probleme me transferimin e të dhënave dhe jo të gjithë importet shfaqen në kohë reale ose nuk shfaqen fare, a nuk do ishte më mirë që importet të konfirmohen dhe artikujt të plotësohen përgjatë muajit të deklarimit të tyre në libra, deri në datën 10 të muajit pasardhës?

Përgjigje – Sipas përcaktimeve ligjore, fiskalizimi duhet të kryhet brenda 72 orëve, gjatë fazës tranzitore lejohet deklarimi manual edhe jashtë këtij afati kohor, në e-filing.

Platforma Self-Care dhe Zgjidhjet Software-ike nuk e kanë të përcaktuar shprehimisht rastet e faturave Pa TVSH sipas nenit 24 të ligjit të TVSh-së, për furnizime kundrejt personave të tatueshëm jashtë vendit. Aktualisht është shtuar një kod TVSH-je “Shumë e përjashtuar nga tatimi” në disa software, por sërish në Platformë nuk është si kod më vete. Në kushtet kur udhëzimi për TVSH e përcakton shprehimisht se për këto fatura duhet patjetër të shënohet neni në faturë (24.1) a do të shtohet ky kod TVSH-je? Në këtë moment, këto fatura shfaqen tek shitjet e përjashtuara dhe jo tek shitjet pa TVSH duke implikuar dhe kreditim të pjesshëm të TVSH-së, si edhe implikimi të tjera tatimore.

Përgjigje – Në deklarimin e librave të shitjes, tatimpaguesi duhet të bëje rishpërndarjen e shumës, duke përcaktuar saktë se ku duhet të deklarohet shitja.

Nëse lëshohen fatura jashtë orarit të përcaktuar në platforme/software, për arsye teknike, ngarkese, gabimi njerëzor, a përbën kjo shkak për analize risku nga ana e Administratës Tatimore?

Përgjigje – Çdo tatimpagues duhet të zbatojë rigorozisht kuadrin ligjor dhe të përditësojë të dhënat e vendit të ushtrimit të aktivitetit, në Portalin Self-Care.

Nga ndjekja e të gjithë udhëzimeve dhe/ose trajnimeve nga Administrata Tatimore, ky sistem i ri është konceptuar sikur për çdo blerje kërkohet të plotësohet një faturë. Megjithatë ka transaksione si në rastin e faturave nga jashtë për të cilat nuk ka nevoje për autongarkesë/vetëfaturim, siç është rasti i transportit ndërkombëtar, apo tranziti i energjisë elektrike të cilat deri tani, për qëllime tatimore, janë shtuar direkt në librin e blerjes dhe është jo korrekte sipas legjislacionit tatimor në fuqi, të plotësohet një “vetëfaturim” për to. Si pranohen këto të fundit në librat e blerjes? Do të shtohen manualisht nga jashtë pa plotësuar vetëfaturim? Po kur librat e blerjes të gjenerohen direkt nga Platforma dhe të sinkronizohen me sistemin [email protected]?

Përgjigje – Në raste të tilla, do të përgatitet faturë e lëshuar nga blerësi.

Gjatë periudhës së tranzicionit, në momentin që fatura e shitjes është me status e papranuar, por është paguar në bankë, do të shfaqet në librin e shitjes automatikisht apo do të shtohet manualisht? Po kur eventualisht ta pranojë marrësi, do shtohet duke u dublikuar në platforme/software në momentin e mëvonshëm të pranimit?

Përgjigje – Fatura me status e refuzuar, do të konsiderohet e pranuar dhe do të regjistrohet në librin e blerjes të subjektit blerës, me kusht që pagesa të jetë kryer brenda periudhës së lëshimit të faturës.

A do të lejohen faturat përmbledhëse në rastin e Përfaqësueseve Tatimore të regjistruar për shërbimet e abonimeve për persona të pa-tatueshëm në Shqipëri?

Përgjigje – Jo, nuk do të lejohen. Në këtë rast blerësit janë të ndryshëm, pagesa kryhet nga individë të ndryshëm, nuk mund të bëhet faturë përmbledhëse.

Në kuptueshmërinë tonë një sërë veprimesh në lidhje me procesin e Fiskalizimit duhet të kryhen në Platformën Self-Care. Aksesi në këtë platformë është i mundshëm vetëm përmes kredencialeve të e-Albania. e-Albania ka informacion konfidencial dhe ndaj ne e shohim shumë të nevojshëm që të gjendet një zgjidhje tjetër për të aksesuar Platformën Self-Care.

Përgjigje – Aksesi në platformën Self-Care, për momentin, do të kryhet vetëm nga portal e-Albania, për arsye sigurie.

Shoqëria XXXXXXX është një shoqëri ndërtuese që ndërton pallate (pra është dhe ndërtuesi dhe investitori) dhe sipas ligjit të TVSH-së duhet të bëjë faturë Shitje për situacionin e ndërtuar, gjithashtu edhe Blerje pa TVSH për vlerë e apartamenteve të ndërtuar. Aktualisht në sistemin e fiskalizimit nuk ka një model autongarkesë ose vetë-furnizimi, ku shitja të jetë vetëfurnizim me TVSH dhe blerja të jetë e përjashtuar (për vlerën e ndërtesës).

Përgjigje – Në raste të tilla, do të përgatiten 2 fatura të lëshuara nga blerësi, njëra si shitje me TVSH dhe fatura e dytë si shitje pa TVSH.

Gjithashtu problem është me pagesën e faturave elektronike, nëse blerësi ka bërë një faturë në Euro, bankat kërkojnë që dhe likuidimin ta bëjnë në Euro sipas vlerës së faturës, paçka se fatura ka kursin e këmbimit të datës dhe ne duhet të gëzojmë të drejtën për ta likuiduar faturën në çdo monedhë ku shoqëria ka gjendje.

Përgjigje – Si rregull, likuidimi i faturave do të bëhet në monedhën që është shprehur në faturë. Çdo çështje tjetër është marrëveshje midis palëve.

Disa fatura blerje shfaqen tek opsioni fatura elektronike-fatura blerje, ndërsa tek opsioni libri i blerjeve dhe i shitjeve- transaksionet e blerjeve nuk shfaqen.

Përgjigje – Përfshirja e faturave në librat respektive është proces automatik që ndodh një herë në ditë, më konkretisht pas mesnate, dhe i vetmi kusht që duhet të plotësojnë faturat, që të përfshihen në libra, është të jenë fiskalizuar.

Bankat (ligji) kërkon që faturën ta paguajmë në monedhën e saj, por kjo çështje nuk mund të na kushtëzohet, duke qene se fondet në menaxhim dhe mënyra e pagesës është ne marrëveshje mes subjekteve.

Përgjigje – Likuidimi i faturave do të bëhet në monedhën që është shprehur në faturë (e njëjtë me pyetjen nr.18)

Formati i faturës duhet të shtojë edhe numër kontakti ose adresë e-maili, për të komunikuar me furnitorët në raste gabimesh faturimi. Formati i deritanishëm nuk shfaq sakte adresën e e-mailit, por NIPT-in?

Përgjigje – Këto detaje mund të shtohen tek seksioni “Shënime”

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.