Degë e shoqërisë së huaj në Shqipëri

Bizneset e huaja në shqipëri

Një shoqëri e huaj mund të ushtrojë veprimtari në Shqipëri duke hapur një degë, pa qenë nevoja të krijojë një shoqëri të re. Më poshtë gjeni rrugën e plotë, nga dokumentet që duhen te shoqëria mëmë, te regjistrimi në QKB dhe detyrimet pas tij.

Degë, sh.p.k. apo zyrë përfaqësimi

Një shoqëri e huaj që do të jetë e pranishme në Shqipëri ka tri rrugë, dhe ia vlen të ndaleni te zgjedhja para se të nisni, sepse pasojat janë të ndryshme.

Dega ju lejon të punoni drejtpërdrejt nën shoqërinë mëmë. Mund të shisni, të faturoni dhe të realizoni të ardhura këtu, pa krijuar një shoqëri të re. Ana tjetër është se dega nuk është person juridik më vete, prandaj për detyrimet e saj përgjigjet plotësisht shoqëria mëmë.

Një sh.p.k. e re është një shoqëri shqiptare më vete. Përgjegjësia juaj kufizohet te kapitali i saj dhe pasuria e shoqërisë mëmë mbetet e mbrojtur, por keni një subjekt të dytë për ta administruar.

Zyra e përfaqësimit shërben vetëm për të përfaqësuar shoqërinë mëmë. Nuk ushtron veprimtari fitimprurëse dhe nuk lëshon fatura.

Si rregull i thjeshtë, dega zgjidhet kur doni veprimtari të vërtetë në Shqipëri, por nën shoqërinë mëmë. Nëse doni një subjekt më vete me përgjegjësi të kufizuar, zgjidhni sh.p.k. . Nëse doni vetëm një prani pa shitje, mjafton zyra e përfaqësimit.

Lexo edhe: Si Hapin Biznes, Punojnë dhe Qëndrojnë Ligjërisht të Huajt në Shqipëri

Dokumentet që duhen nga shoqëria mëmë

Pjesa më e madhe e punës për të hapur një degë nuk është aplikimi në vetvete, por mbledhja e dokumenteve të shoqërisë mëmë dhe përgatitja e tyre për Shqipërinë. Emri i tyre ndryshon nga shteti në shtet, por përmbajtja është e njëjtë kudo.

Akti i themelimit dhe statuti i shoqërisë së huaj

Dokumenti me të cilin u krijua shoqëria dhe rregullat e saj. Nëse statuti ka ndryshuar gjatë viteve, për shembull pas një rritjeje të kapitalit, depozitohet edhe versioni i përditësuar, me tekstin e plotë të ndryshimeve. Nëse, sipas ligjeve të shtetit të huaj, ky dokument firmoset pranë një Noteri, nevojitet që më pas ky dokument të legalizohet me vulën Apostile.

Vërtetimi i gjendjes aktuale (ektstrakt nga regjistri tregtar)

Lëshohet nga regjistri tregtar i vendit të origjinës jo më shumë se 90 ditë para aplikimit. Tregon se shoqëria është aktive, kush e përfaqëson dhe nëse është apo jo në likuidim, dhe shërben njëkohësisht si provë e regjistrimit në juridiksionin e huaj. Zakonisht

Bilanci i vitit të fundit

Kërkohet kur shoqëria ka ushtruar veprimtari për më shumë se një vit. Mjafton bilanci i fundit i miratuar, i mbajtur sipas standardeve të vendit të origjinës.

Vendimi për hapjen e degës

Zakonisht një vendim i asamblesë së ortakëve ose i administratorit, ku thuhet qartë se hapet një njësi në Shqipëri dhe caktohet personi që do ta drejtojë. Dega nuk ka statut të vetin, prandaj pikërisht ky vendim e zë vendin e tij. Ai përcakton tri gjëra, selinë ku do të ushtrojë veprimtarinë, objektin e veprimtarisë dhe përfaqësuesin që do ta drejtojë. Për t’jua lehtësuar, kemi përgatitur një model orientues që mund ta shkarkoni këtu.

Dokumenti i identitetit i përfaqësuesit

Pasaportë ose kartë identiteti e vlefshme e personit që do ta përfaqësojë degën në Shqipëri.

Apostilimi dhe përkthimi

Çdo dokument zyrtar i huaj duhet të pajiset më parë me vulën apostile, sipas Konventës së Hagës, ose me legalizim konsullor për vendet që nuk janë pjesë e saj. Pas kësaj, secili përkthehet në shqip nga një përkthyes i miratuar dhe noterizohet. Me dokument zyrtar nënkuptohet çdo dokument i firmosur nga një institucion i shtetit të huaj ose nga një noter. Dokumentet e tjera nuk kanë nevojë për apostile.

1

Mblidhni dokumentet

Akti i themelimit, statuti, vërtetimi i gjendjes aktuale, bilanci, vendimi për hapjen dhe identiteti i përfaqësuesit.

2

Apostilë dhe përkthim

Çdo dokument i huaj pajiset me apostile ose legalizim konsullor dhe përkthehet i vërtetuar në shqip.

3

Apliko në e-Albania

Plotësoni formularin dhe nënshkruani aplikimin elektronikisht, vetë ose me prokurë.

4

Shqyrtimi nga QKB

QKB verifikon dokumentet dhe aplikimin sipas ligjit.

5

Merrni NIPT-in

Regjistrimi përfundon brenda një dite pune, pa pagesë.

Si bëhet regjistrimi

Aplikimi kryhet online në e-Albania, te shërbimi “Aplikim për regjistrimin fillestar të degëve ose zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja“. Identifikoheni si qytetar, plotësoni formularin me të dhënat e shoqërisë, ngarkoni dokumentet dhe e nënshkruani aplikimin elektronikisht. Regjistrimi është pa pagesë dhe përgjigjja jepet brenda një dite pune nga aplikimi.

Për të nënshkruar aplikimin duhet një nënshkrim elektronik. Nëse përfaqësuesi ligjor i shoqërisë së huaj nuk e ka ose nuk ndodhet në Shqipëri, ai mund të autorizojë me prokurë një person këtu, që e kryen aplikimin në emër të shoqërisë.

Çfarë detyrimesh ka dega pas regjistrimit

Sapo dega merr NIPT-in, regjistrohet automatikisht te tatimet dhe te organet e tjera. Më pas mbeten disa hapa praktikë. Hapni një llogari bankare në emër të degës, aktivizoni fiskalizimin dhe, nëse veprimtaria e kërkon, pajisuni me licencën ose lejen përkatëse.

Dega trajtohet si seli e përhershme e shoqërisë mëmë dhe tatohet në Shqipëri mbi fitimin që realizon këtu. Ndryshe nga zyra e përfaqësimit, ajo ka detyrime të plota, mban kontabilitet dhe deklaron rregullisht. Norma dhe llogaritja varen nga natyra e veprimtarisë, prandaj për detaje shihni faqen e tatimeve ose kërkoni një konsultë.

Një detyrim që nuk duhet harruar është Regjistri i Pronarëve Përfitues. Brenda 30 ditëve nga regjistrimi, dega duhet të deklarojë individët që e kontrollojnë në fund shoqërinë mëmë. Ky është një ndryshim i rëndësishëm nga personi fizik, që nuk hyn te ky regjistër. Më shumë te Regjistri i Pronarëve Përfitues.

Lexo edhe: 10 Hapat që duhet të ndiqen pas regjistrimit fillestar

Ndryshimet dhe çregjistrimi

Çdo ndryshim në të dhënat e regjistruara duhet të regjistrohet më pas. Kur ndryshon statuti ose akti i themelimit i shoqërisë mëmë, depozitohet teksti i plotë me ndryshimet. Dega depoziton gjithashtu bilancin vjetor të shoqërisë së huaj. Aplikimi për ndryshim bëhet po në e-Albania, nga llogaria e biznesit.

Mbyllja e degës bëhet me aplikim për çregjistrim dhe me depozitimin e akteve që vërtetojnë mbylljen e procedurave të likuidimit. Për mekanikën e plotë të likuidimit, lexo Çregjistrimi i shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar.

Pyetjet më të shpeshta

A është dega person juridik më vete?

Jo. Dega ndan personalitetin juridik të shoqërisë mëmë, prandaj për detyrimet e saj përgjigjet shoqëria mëmë.

A mund të lëshojë fatura një degë?

Po. Ndryshe nga zyra e përfaqësimit, dega ushtron veprimtari fitimprurëse dhe lëshon fatura.

A i nënshtrohet dega Regjistrit të Pronarëve Përfitues?

Po. Dega duhet të regjistrojë pronarët përfitues brenda 30 ditëve nga regjistrimi.

A duhet t’i përkthej të gjitha dokumentet e huaja?

Po. Çdo dokument zyrtar i huaj pajiset me apostile ose legalizim konsullor dhe përkthehet në shqip nga një përkthyes i miratuar.

A mund të regjistrohem pa qenë në Shqipëri?

Po. Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë mund të autorizojë me prokurë një person në Shqipëri që ta kryejë regjistrimin.

A ka statut dega?

Jo. Rolin e statutit e luan vendimi i shoqërisë mëmë për hapjen e degës, që përcakton selinë, objektin e veprimtarisë dhe përfaqësuesin.

AlProfit Consult e shoqëron shoqërinë tuaj në çdo hap të hapjes së degës në Shqipëri, nga përgatitja e dokumenteve të huaja dhe përkthimet, te regjistrimi në QKB dhe detyrimet pas tij.

SHIKO ÇMIMET

GDPR