TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Regjistrimi fillestar
i Organizatave Jofitimprurëse

Kryefaqe | Regjistrimi | Organizatat Jofitimprurëse | Regjistrimi fillestar i Organizatave Jofitimprurëse

Të përgjithshme

“Organizata jofitimprurëse” kuptohet shoqatat, fondacionet dhe qendrat, veprimtaria e të cilave zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shteti.

“Veprimtari jofitimprurëse” kuptohet çdo veprimtari ekonomike ose joekonomike me kusht që të ardhurat ose pasuritë e organizatave jofitimprurëse, kur ka të tilla, të përdoren vetëm për realizimin e qëllimeve të përcaktuara në statutin e organizatës.

Çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, ka të drejtë të themelojë një organizatë jofitimprurëse, të jetë anëtar i saj ose të marrë pjesë në organet drejtuese ose në personelin administrativ të organizatës jofitimprurëse.

Format e organizatave jofitimprurëse

Në varësi të mënyrës së organizimit, organizatat jofitimprurëse ndahen në:

Organizata jofitimprurëse me anëtarësi

Organizata jofitimprurëse me anëtarësi janë shoqatat.

Organizatat jofitimprurëse me anëtarësi themelohen me vullnetin e lirë të personave fizikë ose juridikë. Numri minimal i anëtarëve themelues është 5 persona fizikë ose të paktën dy persona juridikë.

Çdo anëtar ka të drejtë të largohet nga organizata jofitimprurëse për çfarëdolloj motivi. Statuti mund të parashikojë rregulla për përgjegjësinë që i takon anëtarit që largohet, lidhur me detyrimet dhe përgjegjësitë e organizatës kundrejt të tretëve deri në çastin e largimit të tij. Përgjegjësia e anëtarit që largohet është e njëjtë me atë të anëtarëve të tjerë të organizatës jofitimprurëse për veprimtarinë e kryer deri në çastin e largimit.

Organi më i lartë drejtues i organizatës jofitimprurëse me anëtarësi është mbledhja e përgjithshme ose asambleja e të gjithë anëtarëve të saj. Organet e tjera drejtuese zgjidhen dhe përgjigjen përpara këtij organi më të lartë;

Organizata jofitimprurëse pa anëtarësi

Organizata jofitimprurëse pa anëtarësi janë fondacionet dhe qendrat.

Organizatat jofitimprurëse pa anëtarësi krijohen nga një a më shumë persona ose me akt testamentar. Organi më i lartë drejtues i organizatave jofitimprurëse pa anëtarësi është bordi i drejtorëve.

Regjistrimi

Organizatat jofitimprurëse, subjekte të këtij ligji, fitojnë personalitetin juridik pasi të jenë themeluar dhe regjistruar në gjykatë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara me ligj. Të njëjtave procedura të regjistrimit u nënshtrohen edhe degët e organizatave jofitimprurëse të huaja.

Themeluesit e organizatës jofitimprurëse mblidhen dhe miratojnë aktin e themelimit dhe statutin e saj, si dhe mund të autorizojnë një a më shumë persona për të kryer veprimet për regjistrim.

Kushtet e parashikuara në paragrafin e dytë të këtij neni nuk zbatohen për fondacionet që themelohen mbi bazën e një akti testamentar. Këto fondacione, nëse përmbushin kriteret ligjore duhet të regjistrohen duke respektuar rregullat e përgjithshme juridiko-civile të ekzekutimit të testamentit.

Regjistrimi fillestar dhe çdo regjistrim tjetër kryhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës për regjistrim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kërkesa për regjistrim paraqitet në formë shkresore ose në formë elektronike, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton formularët e kërkesave për regjistrim, si dhe listën e dokumenteve shoqëruese për çdo regjistrim që kryhet në regjistër sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Detyrimi për regjistrim

Organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë detyrimin për t’u regjistruar sipas legjislacionit në fuqi, që përcakton rregullat për themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, janë të detyruara të paraqesin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën për regjistrim fillestar ose për regjistrime të tjera të detyrueshme brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e themelimit ose nga data e ngjarjes së rrethanës faktike dhe/ose hartimit të aktit të detyrueshëm për t’u regjistruar.

Rregullat e emërtimit

Ndalohet regjistrimi në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse i organizatave me emra të njëjtë ose të ngjashëm, me emra në trajtën e shquar apo shkurtimet përkatëse të shteteve, qyteteve, krahinave gjeografike, organizatave ndërkombëtare, fetare ose institucioneve të pushtetit qendror apo vendor, pa shtesa dalluese ose me emra që janë në kundërshtim me rendin ose me dispozitat urdhëruese të ligjit.

E drejta për të regjistruar emrin njihet në bazë të parimit të përparësisë së paraqitjes së kërkesës për regjistrim në gjykatë.

Personat e autorizuar për të bërë regjistrimin

Kërkesa për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse mund të paraqitet bashkërisht nga të gjithë themeluesit ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. Kërkesa për regjistrimet e tjera paraqitet nga organi ekzekutiv që ka të drejtën e përfaqësimit të organizatës me të tretët ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.

Kërkesa për regjistrim fillestar dhe regjistrimet e tjera të organizatave jofitimprurëse të huaja bëhet nga përfaqësuesi ligjor i degës ose i organizatës jofitimprurëse të huaj ose nga çdo person i autorizuar nga njëri prej personave të përmendur më sipër.

Në çdo rast, të drejtën për të kërkuar regjistrimin fillestar ose regjistrimet e tjera e ka edhe çdo person tjetër që ligji i posaçëm ia ka njohur këtë të drejtë.

Kërkesa për regjistrim dhe forma e dokumenteve shoqëruese

Regjistrimi fillestar dhe çdo regjistrim tjetër kryhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës për regjistrim, sipas formularit përkatës, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në formë shkresore ose në formë elektronike. Kërkesës për regjistrim i bashkëlidhen dokumentet shoqëruese që provojnë të dhënat që regjistrohen.

Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar sipas formës dhe mënyrës së përcaktuar nga legjislacioni përkatës ose nga dispozitat e këtij ligji. Dokumentet shoqëruese mund të dorëzohen edhe në format elektronik, sipas parashikimeve të kreut V të këtij ligji.

Dokumentet shoqëruese nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse ligjore, dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit.

Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe. Kërkuesi, së bashku me dokumentin shoqërues në shqip, mund të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Shkresat private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë

Aktet për regjistrimin fillestar

Organizatat jofitimprurëse regjistrohen në regjistrin elektronik duke depozituar kërkesën për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, aktet e emërimit të organeve vendimmarrëse, duke përfshirë edhe aktin për caktimin e përfaqësuesit ligjor të organizatës jofitimprurëse, nëse nuk përfshihet në aktet e mësipërme, si dhe aktet e tjera të nevojshme për themelimin sipas legjislacionit në fuqi.

Për fondacionet që themelohen në bazë të një akti testamentar, bashkë me kërkesën për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, depozitohet testamenti dhe statuti në rastet kur është hartuar dhe miratuar nga ekzekutori i testamentit.

Degët e organizatave jofitimprurëse të huaja, përveç përmbushjes së kërkesave të tjera të legjislacionit në fuqi, regjistrohen duke depozituar kërkesën për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, si dhe:
a) aktin e themelimit e statutin e organizatës jofitimprurëse të huaj, kur këto janë dy dokumente të veçanta ose, në mungesë, aktin ekuivalent të krijimit sipas legjislacionit të huaj, si dhe tekstin e plotë të tyre me ndryshimet e mëpasshme;
b) dokumentacionin që vërteton regjistrimin e organizatës jofitimprurëse të huaj në juridiksionin e huaj;
c) dokumentacionin që vërteton gjendjen aktuale të organizatës jofitimprurëse të huaj, të lëshuar brenda një afati jo më shumë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga data e paraqitjes së kërkesës, me të dhënat e regjistrimit dhe të përfaqësimit, përfshirë informacionin nëse është në proces likuidimi apo falimentimi;
ç) vendimin ose aktet e tjera të organit kompetent të organizatës jofitimprurëse të huaj sipas legjislacionit të huaj për hapjen e degës në Shqipëri.

Të dhënat e detyrueshme për organizatat jofitimprurëse

Për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse janë të detyrueshme këto të dhëna:
a) emri;
b) forma e organizimit;
c) data e themelimit;
ç) të dhënat e identifikimit të themeluesve, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen, adresën e vendbanimit, numrin e identitetit, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre. Në rastet kur themeluesi është person juridik, të dhënat e detyrueshme për t’u regjistruar janë emri i personit juridik, forma juridike, numri unik i identifikimit, data e themelimit dhe e regjistrimit, selia, emri i përfaqësuesit ligjor të subjektit apo personave përgjegjës për përfaqësimin e subjektit në marrëdhënie me të tretët, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre;
d) selia;
dh) qëllimi dhe fusha e veprimtarisë;
e) kohëzgjatja, në qoftë se është e përcaktuar;
ë) anëtarët e organeve drejtuese, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen e tyre, numrin e identitetit, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre;
f) të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e organizatës jofitimprurëse në marrëdhënie me të tretët, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen, adresën e vendbanimit, numrin e identitetit dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre, kompetencat e përfaqësimit, si dhe afatet e emërimit të tyre;
g) përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues në rastin e fondacionit;
gj) specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave që përfaqësojnë organizatën jofitimprurëse përpara të tretëve.

Organizatat jofitimprurëse fitojnë personalitet juridik ditën që vendimi i gjykatës për regjistrimin e saj ka marrë formë të prerë. Me fitimin e personalitetit juridik, organizatat jofitimprurëse regjistrohen nga sekretaria e regjistrit elektronik në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse.

Organet vendimarrëse

Organi më i lartë vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse pa anëtarësi është bordi i drejtorëve, i cili mund të marrë emërtime të ndryshme, ndërsa për ato me anëtarësi është mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të saj.
Në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj ose në aktet e saj, organi më i lart vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse mblidhet jo më pak se numri i mbledhjeve të parashikuara në statut, si dhe brenda kohës së caktuar për zhvillimin e tyre, por në çdo rast jo më pak se 1 herë në vit.

Organet ekzekutive

Organizata jofitimprurëse ka një organ të lartë ekzekutiv individual ose kolegjial, i cili sipas rastit mund të quhet drejtor ekzekutiv, president, këshill ekzekutiv etj.

Veprimtaria e përditshme dhe ekzekutimi i programeve të vendosura nga organi më i lartë vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse bëhet nga organi më i lartë ekzekutiv.

Rregullat e veprimtarisë së organit më të lartë ekzekutiv caktohen nga statuti dhe aktet e organit më të lartë drejtues ose vendimmarrës.

Veprimtaria ekonomike

Organizatat jofitimprurëse, për realizimin ose mbështetjen e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së parashikuar në statut, kanë të drejtë të ushtrojnë çfarëdolloj veprimtarie të ligjshme.

Kur ushtrimi i një veprimtarie paraprihet nga nevoja për marrjen e një lejeje ose licence, organizata jofitimprurëse i paraqet kërkesë organit kompetent, i cili, pasi vëren se ajo i plotëson të gjitha kriteret dhe procedurat përkatëse ligjore, e pajis atë me lejen a licencën përkatëse.

Gjyqtari në vendimin e regjistrimit duhet të shprehet edhe për përmbushjen e detyrimit të kërkimit dhe të përfitimit të lejes a licencës përkatëse si kusht për ushtrimin nga organizata jofitimprurëse të veprimtarisë e cila është subjekt lejeje a licencimi. Një kopje e lejes ose e licencës së përfituar nga organizata jofitimprurëse, e vërtetuar sipas ligjit, depozitohet në regjistrin përkatës të gjykatës.

Organizata jofitimprurëse, për realizimin e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së saj, ka të drejtë të ushtrojë veprimtari ekonomike.

Organizata jofitimprurëse mund të zhvillojë veprimtari ekonomike pa qënë nevoja që të krijojë një subjekt të veçantë për këtë qëllim, me kusht që kjo veprimtari të jetë në përputhje me qëllimet e organizatës jofitimprurëse, të jetë deklaruar si një nga burimet e të ardhurave dhe me kusht që kjo veprimtari të mos përbëjë qëllimin primar të veprimtarisë së organizatës.

Nëse organizata jofitimprurëse, nëpërmjet ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, realizon fitime, ato duhet të përdoren për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në statut dhe në aktin e themelimit.

Regjistrimi në organet tatimore

Dokumentacioni që paraqitet për regjistrim në administratën tatimore sipas udhëzimit Nr. 24, datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, është si më poshtë:

  • Vendimin e Gjykatës, Statutin dhe Akt-Themelimin e noterizuar;
  • Fotokopje të Kartës së Identitetit ose të Pasaportës së administratorit apo përfaqësuesit ligjor;
  • Të dhënat për pronësinë e selisë (kontratë qiraje ose akt pronësie);
  • Autorizimin për personin e ngarkuar për të kryer regjistrimin (nëse bëhet me autorizim);
  • Formularin e regjistrimit të plotësuar.

Pas marrjes së certifikatës së NIPT-it subjekti pajiset dhe me fjalëkalimin që do të shërbejë për deklarimin online.

Në rastet kur konstatohet se një tatimpagues ushtron aktivitet pa u regjistruar pranë organeve tatimore, ai penalizohet nga administrata tatimore sipas përcaktimeve të ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Lexo edhe Të veprosh si një OJF apo Ent Publik

Shkarko:

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

Ju duhet ndihmë?

Lini kontaktet tuaja. Ne do t’ju përgjigjemi shumë shpejt.

+355693232349
[email protected]

Kontakto

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online