Çdo organizatë jofitimprurëse që kryen regjistrimin fillestar mbart edhe detyrimin të regjistrojë çdo ndryshim në të dhënat e njoftuara dhe në dokumentet shoqëruese që depozitohen në regjistrin elektronik, sipas seksionit III të kreut II të këtij ligji.
Në rast ndryshimi të aktit të themelimit ose statutit, depozitohet edhe teksti i plotë i tyre, që pasqyron ndryshimet e mëpasshme. Për degët e organizatave jofitimprurëse të huaja depozitohet statuti dhe akti i themelimit i organizatës jofitimprurëse të huaj ose dokumenti ekuivalent i krijimit, sipas legjislacionit të huaj, me tekstin e plotë që pasqyron ndryshimet e bëra.
Përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, organizatat jofitimprurëse duhet të regjistrojnë dhe të depozitojnë aktet përkatëse si më poshtë:
a) pasqyrat financiare vjetore të mbajtura sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme; b) emërimin e likuidatorit, si dhe të dhënat e tij të identifikimit; c) aktet e prishjes, të mbylljes ose të shpërndarjes, aktet e transformimit, të bashkimit, të ndarjes, hapjes së procedurave të administrimit, likuidimit ose riorganizimit, si dhe aktet e tjera të ndërmjetme, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Për degët e organizatave jofitimprurëse të huaja regjistrohen edhe aktet e transformimit, të bashkimit, të ndarjes, të hapjes dhe të mbylljes së procedurave të likuidimit ose të falimentimit të organizatës jofitimprurëse të huaj; ç) vendet e tjera të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia; d) kompetencat e përfaqësimit të organeve drejtuese ose të likuiduesve; dh) emri, mbiemri, datëlindja dhe vlera e kontributeve pasurore të fondit themelues (nëse ka të tilla); e) çdo regjistrim tjetër të detyrueshëm sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Regjistrimet e tjera vullnetare
Organizatat jofitimprurëse kanë të drejtë që me kërkesën e tyre të regjistrojnë në regjistrin elektronik çdo të dhënë tjetër, të ndryshme nga të dhënat e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, të cilat kanë lidhje me veprimtarinë e tyre. Këto të dhëna shtesë përfshijnë, por pa u kufizuar në to: a) emërtimin ose shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë (nëse është i/janë të ndryshëm nga emri i regjistruar i organizatës jofitimprurëse); b) faqen e internetit, adresën e-mail-it, numrin e telefonit dhe faksit; c) vendimet e organeve drejtuese të organizatës jofitimprurëse si vendimet e pezullimit të veprimtarisë ose vendimet e tjera të ndryshme nga vendimet e detyrueshme për regjistrim; ç) të dhëna të tjera të lidhura me veprimtarinë e organizatës jofitimprurëse.
Regjistrimet me vendim gjyqësor
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë regjistron në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse dhe publikon, kryesisht ose me kërkesë nga çdo person i interesuar, vendimet gjyqësore për të dhënat e regjistruara ose veprimtarinë e organizatës jofitimprurëse.
Kërkesës për regjistrim nga personat e interesuar i bashkëlidhet vendimi përkatës. Regjistrimi kryhet sipas rregullave të përcaktuara në kreun III të këtij ligji.
Ndryshime në regjistrin e tatimeve
Ndryshimet që kryhen me Vendim Gjykate janë:
Adresa e selisë
Drejtuesit (bordi/administratori)
Emërtimi
Forma ligjore
Ndryshimet që kryhen administratën tatimore janë:
Pasqyrimi i ndryshimeve të kryera me Vendim Gjykate
Hapja/mbyllja e adresave dytësore dhe lëshimi i certifikatave përkatëse
Ndryshimi i përgjegjësive tatimore (shtimi/heqja)
Kur një tatimpagues nuk përditëson të dhënat, brenda 15 ditëve nga data e ndryshimit të selisë, administratorit, llojit të aktivitetit etj, ai penalizohet nga administrata tatimore sipas përcaktimeve të ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”.