Si të ndryshoni të dhënat e pronarit përfitues në QKB

Regjistri i Pronarëve Përfitues

Kryefaqe | Si të regjistrosh biznesin në Shqipëri | Regjistri i Pronarëve Përfitues | Si të ndryshoni të dhënat e pronarit përfitues në QKB

Ndryshimi i të dhënave të pronarit përfitues në QKB brenda afatit 90 ditor

Botuar më 23 tetor 2022

Përditësuar më 2 gusht 2026 · Faqja u rishkrua si udhëzues praktik: u shtua gjoba 400,000 lekë sipas nenit 13 të ligjit nr. 112/2020, tre skenarët e formularit sipas udhëzimeve të QKB-së dhe rastet konkrete kur lind detyrimi. Ligji nr. 112/2020 i konsoliduar (PDF) · VKM nr. 1088/2020 i konsoliduar (PDF)

Çdo ndryshim faktik i pronarit përfitues deklarohet në Regjistrin e Pronarëve Përfitues brenda 90 ditëve kalendarike nga dita që ndodh (neni 5, pika 3, shkronja “ç” e ligjit nr. 112/2020). Aplikimi bëhet online në e-Albania, pa tarifë. Përveç kësaj, mosrespektimi i afatit dënohet me gjobë 400,000 lekë.

Rasti që hasim më shpesh në praktikë: shoqëria regjistron shitjen e kuotave në regjistrin tregtar dhe e konsideron çështjen të mbyllur. Në fakt regjistrimi tregtar dhe Regjistri i Pronarëve Përfitues janë dy regjistra të veçantë. Pra, ndryshimi i ortakërisë nuk pasqyrohet vetiu në RPP dhe kërkon aplikim më vete. Afati është 90 ditor që nis nga data e aktit, jo nga dita kur ju kujtohet.

Më poshtë gjeni rastet kur lind detyrimi, hapat e aplikimit sipas tre skenarëve të formularit, dokumentet dhe pasojat e vonesës.

Lexo edhe: Regjistrimi fillestar i pronarit përfitues.

Kur lind detyrimi i deklarimit të ndryshimeve

Detyrimi mbulon çdo ndryshim faktik të personit të regjistruar si pronar përfitues dhe çdo ndryshim tjetër në të dhënat e regjistruara. Rastet tipike:

  1. Shitja ose kalimi i kuotave, kur një ortak me 25% ose më tepër del ose një i ri hyn.
  2. Ndryshimi i përqindjes së pronësisë, edhe kur pronari mbetet i njëjti, p.sh. nga 30% në 60% pas zmadhimit të kapitalit.
  3. Ndryshimet në zinxhirin e pronësisë indirekte. Ky është rasti më i nënvlerësuar. Kur ndryshon pronësia e shoqërisë mëmë jashtë vendit, ortaku i regjistruar në Shqipëri mbetet i njëjti. Megjithatë, pronari përfitues real ka ndryshuar dhe deklarimi duhet bërë.
  4. Ndryshimi i të dhënave personale të pronarit të regjistruar: mbiemri, pasaporta e re e shtetasit të huaj, adresa e vendbanimit.
  5. Për OJF-të, ndryshimi i themeluesit, i përfaqësuesit ligjor ose i individit me kontroll të fundit efektiv.

Afati 90 ditor llogaritet nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik, pra nga data e kontratës së shitjes, e vendimit të asamblesë, ose e aktit përkatës.

Lexo edhe: Ndryshimet e sh.p.k.-së në QKB.

Si bëhet aplikimi në e-Albania

Aplikimin e kryen personi i autorizuar për të përfaqësuar subjektin, me nënshkrim elektronik. Pra, aplikimi bëhet nëpërmjet shërbimit “Aplikim për ndryshimin e të dhënave në Regjistrin e Pronarëve Përfitues“.

Pas identifikimit, sistemi hap dosjen me numrin e çështjes dhe i tërheq vetë të dhënat e subjektit nga regjistri përkatës. Formulari ka tre skenarë dhe zgjidhet ai që përshtat rastin tuaj:

Regjistrimi i një pronari përfitues të ri

Kur në subjekt shtohet një individ i ri si pronar përfitues, zgjidhet opsioni “Regjistrim i pronarit të ri përfitues” dhe plotësohen të dhënat e tij të detyrueshme: identifikimi, adresa, lloji dhe përqindja e pronësisë, data e përcaktimit. Nëse pronësia është indirekte, me butonin “Shto person” plotësohet i gjithë zinxhiri i personave juridikë deri tek individi. Duhet ta bëni këtë sipas dokumentacionit provues.

Largimi i një pronari përfitues

Kur një individ nuk është më pronar përfitues, zgjidhet opsioni “Pronari përfitues që largohet” dhe plotësohen të dhënat e tij bashkë me dokumentin që provon largimin, p.sh. kontratën e kalimit të kuotave.

Ndryshimi i të dhënave ekzistuese

Kur ndryshojnë të dhënat e një pronari të regjistruar më parë, zgjidhet opsioni “Ndryshim i të dhënave ekzistuese të pronarit përfitues të regjistruar në regjistër”. Përzgjidhet emri i tij dhe plotësohet informacioni i ri sipas gjendjes faktike.

Pas plotësimit ngarkohen dokumentet, formulari nënshkruhet elektronikisht dhe dërgohet. Kopja ju vjen me email dhe gjendjen e aplikimit e ndiqni me numrin e çështjes.

Kosto: pa tarifë. Vendimi i QKB-së: brenda 2 ditësh pune.

Dokumentacioni shoqërues

✔ Dokumentacioni që vërteton NUIS-in dhe emrin e subjektit, me datën e regjistrimit
✔ Dokumentacioni që vërteton të dhënat e identifikimit të pronarit përfitues
✔ Dokumentacioni i autoritetit regjistrues që vërteton zotërimin e 25% ose më tepër dhe datën e përcaktimit, ose aktin që provon ndryshimin (kontrata e kalimit të kuotave, vendimi i asamblesë)
✔ Prokura, nëse aplikimi kryhet me autorizim nga një i tretë
✔ Deklarata e përfaqësuesit ligjor, vetëm kur pas ndryshimit nuk identifikohet individ me 25% ose më tepër

Kujdes: dokumenti i NUIS-it dhe dokumenti që vërteton pronësinë duhet të jenë hartuar brenda 90 ditëve kalendarike para datës së aplikimit (kreu III, shkronja “ç”, e VKM nr. 1088/2020). Dokumentet e huaja shoqërohen me përkthim të vërtetuar dhe legalizim ose apostilë.

Modelin e deklaratës për rastin pa individ 25% e gjeni te faqja e regjistrimit fillestar.

Lexo edhe: Si të deklaroni pronarin përfitues në QKB.

Vendimmarrja e QKB-së

Nëpunësi i autorizuar vendos jo më vonë se 2 ditë pune nga paraqitja: miraton kërkesën, ose e pezullon me arsyet përkatëse duke ju dhënë 30 ditë kalendarike për plotësimin e të metave. Përndryshe, ai mund ta refuzojë kërkesën kur të dhënat e kërkuara janë të ndryshme nga të dhënat e regjistrueshme.

Nëse i plotësoni të metat në afat, regjistrimi miratohet dhe mban datën e kërkesës së parë. Pra, afati 90 ditor nuk konsiderohet i humbur. Regjistruesi verifikon formën dhe plotësinë e dosjes, jo vërtetësinë e dokumenteve. Megjithatë, përgjegjësia për saktësinë e të dhënave mbetet te subjekti dhe personi i autorizuar (neni 13, pika 1).

Vendimet njoftohen me publikim në regjistër dhe me email. Ankimi administrativ i drejtohet titullarit të QKB-së brenda 30 ditëve kalendarike nga publikimi (neni 11), dhe më tej gjykatës administrative.

Gjoba dhe pasojat e vonesës

Mosregjistrimi i ndryshimeve brenda afatit 90 ditor dënohet me gjobë 400,000 lekë (neni 13, pika 2, shkronja “d” e ligjit nr. 112/2020, i ndryshuar).

Përveç gjobës, deri në pagimin e saj dhe kryerjen e regjistrimit, QKB-ja nuk ofron asnjë shërbim tjetër për subjektin, me përjashtim të ndryshimit të përfaqësuesit ligjor. Gjithashtu, statusi kalon nga aktiv në të pezulluar. Riaplikimi pas një refuzimi nuk ju çliron nga gjoba për afatin e kaluar.

Lexo edhe: Regjistrimi i biznesve të huaja.

Kur ju njofton banka: përditësimi ose konfirmimi

Ligji ka edhe një mekanizëm kontrolli (neni 6, pika 3 dhe kreu VI i VKM nr. 1088/2020). Nëse një subjekt i detyruar, p.sh. banka ku keni llogarinë, konstaton se të dhënat në RPP nuk përputhen me ato që zotëron vetë, ju njofton me shkrim ju dhe QKB-në brenda 10 ditëve. Më pas, QKB-ja e publikon njoftimin në regjistër brenda 2 ditësh pune.

Nga data e njoftimit të QKB-së keni 20 ditë kalendarike për njërin nga dy veprimet:

  1. Përditësoni të dhënat në regjistër, me procedurën e zakonshme të ndryshimit, nëse konstatimi është i saktë.
  2. Konfirmoni të dhënat ekzistuese, nëse konstatimi nuk është i saktë, nëpërmjet shërbimit “Aplikim për konfirmimin e të dhënave në Regjistrin e Pronarëve Përfitues“.

Nëse nuk veproni brenda 20 ditëve, QKB-ja dhe regjistri i OJF-ve ju ndërpresin shërbimet deri në sqarimin e situatës.

Lexo edhe: Regjistri i pronarëve përfitues po ndryshon. Çfarë sjell projektligji i ri 2026.

E drejta e individit të regjistruar gabimisht

Personi që është regjistruar si pronar përfitues i një subjekti pa qenë i tillë ka të drejtë të ngrejë padi kundër subjektit në gjykatën kompetente për të vërtetuar se nuk është pronari përfitues (neni 10). Me depozitimin e vendimit të formës së prerë, QKB-ja e korrigjon të dhënën brenda 2 ditëve pune.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Pyetjet më të shpeshta

Shita kuotat dhe e regjistrova kalimin në QKB. A duhet të bëj gjë tjetër?

Po. Regjistrimi në regjistrin tregtar nuk e përditëson vetiu Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Duhet aplikimi i veçantë për ndryshimin e të dhënave brenda 90 ditëve nga data e kontratës. Nëse nuk aplikoni, gjoba është 400,000 lekë.

Ndryshoi pronësia e shoqërisë mëmë jashtë vendit, por ortaku i regjistruar në Shqipëri është i njëjti. A më prek?

Po. Pronari përfitues ndiqet deri tek individi në fund të zinxhirit. Kur ai individ ndryshon, edhe pse hallkat e ndërmjetme mbeten të njëjta, ndryshimi deklarohet në RPP brenda 90 ditëve.

Nga cila datë llogariten 90 ditët?

Nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik: data e kontratës së kalimit të kuotave, e vendimit të asamblesë ose e aktit përkatës. Nuk llogaritet nga data kur ndryshimi regjistrohet në regjistrin tregtar.

Çfarë bëj nëse marr njoftim mospërputhjeje nga banka ose QKB-ja?

Keni 20 ditë kalendarike nga njoftimi i QKB-së ose të përditësoni të dhënat, ose t’i konfirmoni ato ekzistuese me shërbimin e konfirmimit në e-Albania. Në të kundërt, mosveprimi sjell ndërprerjen e shërbimeve.

Sa kushton aplikimi?

Asgjë. Si ndryshimi ashtu edhe konfirmimi i të dhënave janë pa tarifë në e-Albania.

Baza ligjore

Ligji nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i ndryshuar me aktin normativ nr. 12/2021 dhe ligjin nr. 6/2022 (neni 5, pika 3, shkronja “ç”; neni 6; neni 10; neni 11; neni 13)
VKM nr. 1088, datë 24.12.2020, i ndryshuar me VKM nr. 273/2021 dhe VKM nr. 328/2022 (kreu II, III, IV, VI)

Burimi: Qendra Kombëtare e Biznesit.

Ndryshimet e ortakërisë ndodhin disa herë në jetën e një shoqërie dhe afati 90 ditor i RPP-së harrohet lehtë mes noterit, bankës dhe QKB-së. Si ekonomistë të jashtëm, ne i ndjekim këto afate për klientët tanë dhe kryejmë deklarimin në e-Albania sa herë ndryshon struktura, si pjesë e abonimit mujor.

KËRKO OFERTË

GDPR