Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar në faqen e saj zyrtare njoftimin e mëposhtëm për rishikimin e kësteve të tatim fitimit, për kategorinë e personave fizikë me të ardhura vjetore më pak se 10 milion lekë.
Nga analizat e thelluara të Administratës Tatimore është konkluduar që për një kategori të caktuar prej rreth 7.000 tatimpaguesish mund të merret parasysh shpenzimi minimal në masën 30%, sikurse e njeh ligji. Kjo formulë është aplikuar te afro 7.000 tatimpagues që gjatë vitit 2023 rezultojnë me shpenzime më pak se 30% e të ardhurave dhe duke qenë se ligji e lejon zgjedhjen në mënyrë afrofe të shpenzimit prej 30%.
Administrata Tatimore e vlerësoi këtë opsion dhe e konsideroi si të ligjshëm për ta aplikuar paraprakisht te këstet paraprake të Tatimit mbi Fitimin për vitin 2024.
Ky intepretim ka prekur, sikurse përmendur më sipër, rreth 7.000 tatimpagues nga afro 25.000 që ofrojnë shërbime profesionale në total.
Me qëllim lehtësimin e tatimpaguesve dhe për t’ju përgjigjur kërkesave të tyre drejtuar Drejtorive Rajonale Tatimore përkatëse, Administrata Tatimore ka rishikuar këstet e Tatimit mbi Fitimin për vitin 2024, duke marrë parasysh në këtë rillogaritje 3 kategori tatimpaguesish, nga të cilët:
- Tatimpaguesit, që gjatë vitit 2024 figurojnë me dy përgjegjësi tatimore (TTHF+TF);
- Tatimpaguesit me përgjegjësinë tatimore Tatim Fitimi, që kishin këste të gjeneruara për periudhën janar-mars 2024;
- Tatimpaguesit, persona fizikë me qarkullim deri në 10 milion lekë, për të cilët është përllogaritur paraprakisht njohja e shpenzimeve në masën 30%, sipas nenit 14 të ligjit të ri.
Administrata Tatimore thekson se këto janë parapagime dhe se përllogaritja finale e Tatimit mbi të Ardhurat do të kryhet në deklaratën vjetore të vitit 2024.
Gjithashtu, Administrata Tatimore udhëzon tatimpaguesit që për çdo kërkesë për rishikim të kësteve me ulje, shoqëruar me argumentimin përkatës, ti drejtohen Drejtorive Rajonale Tatimore, të cilat do të vijojnë të trajtojnë me prioritet kërkesat e tyre.