Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka nisur zbatimin e planit të masave për Sezonin Turistik 2020. Ky plan synon informimin, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike, në mbarë vendin, në sektorin e veprimtarive të turizmit (bar, restorant, hoteleri etj) për zbatimin me korrektësi të legjislacionit tatimor, si dhe rritjen nivelit të vetë deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore.
Situata e pazakontë e këtij viti, për shkak të COVID-19, e bën akoma më të rëndësishme mbarëvajtjen e këtij sezoni, e cila është në interes të gjithë ekonomisë, si dhe të bizneseve, që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike.
Administrata Tatimore, i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që operojnë në fushën e turizimit që të zbatojnë me korrektësi legjislacionin tatimor si dhe në përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Strukturat e Shërbimit për tatimpaguesit në çdo DRT do të kryejnë vizita në vendet e ushtrimit të aktivitetit të subjekteve, me qëllim informimin e tyre për legjislacionin tatimor, këshillimin për rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare si edhe marrjen e informacionit në kohë reale për sa i takon ushtrimit të dhënave të përgjithshme subjekteve që ushtrojnë aktivitete në fushën e hoteleri turizmit, të cilat kanë të bëjnë me: regjistrimin e subjekteve, instalimin e pajisjes fiskale, numrin e punonjësve të përfshirë në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore etj
Më pas do të vijohet me verifikime dhe kontrolle në vend, përgjatë gjithë sezonit në lidhje me:
- Respektimin e detyrimit për regjistrim në QKB dhe në administratën tatimore.
- Respektimin e detyrimit për dokumentimin e mallrave gjendje apo në transport.
- Respektimin e detyrimit për të lëshuar kupon tatimor apo faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij.
- Respektimin e detyrimit për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar në biznes me kohë të plotë apo të pjesshëm.
- Respektimin e detyrimit për të afishuar çmimet e shitjes së mallrave apo të shërbimeve të ofruara.
Administrata Tatimore, me të gjitha strukturat e saj, është e angazhuar për të qenë në çdo kohë e pranishme në territor, për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike të vendit.
Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, qëllimi kryesor është zbatimi i ligjit, duke u siguruar se sistemi është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Kjo është arsyeja, pse strategjia jonë e vë theksin te rritja e cilësisë së shërbimeve për tatimpaguesit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpreh bindjen se mënyra më efektive për ta arritur këtë është nëpërmjet ndërtimit të raporteve të besimit dhe respektit të ndërsjelltë.