TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Formulari i deklaratës individuale vjetore të të ardhurave

Kryefaqe | Legjislacioni tatimor | Individ | Deklarimi dhe pagesa per individët | Formulari i deklaratës individuale vjetore të të ardhurave


Informacioni i mëposhtëm është i vlefshëm dhe zbatohet deri më 31 dhjetor 2023, me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri Nr. 29/2023 për Tatimin mbi të Ardhurat. Shfletoni faqen tonë për më shumë detaje dhe informacione të përditësuara https://alprofitconsult.al/tatime/

Plotësimi i deklaratës

Deklarata vjetore e të ardhurave, plotësohet nga individi që mbart detyrimin për të deklaruar.

Individi i cili ka detyrimin për të plotësuar e dorëzuar deklaratën individuale vjetore të të ardhurave personale, ka të drejtë të emërojë me prokurë, përfaqësuesin e tij ligjor për të plotësuar apo dorëzuar deklaratën e tij.

Përfaqësuesi i individit deklarues është një person i përzgjedhur prej tij për ta përfaqësuar në lidhje me çështjet tatimore. Përfaqësuesi i individit, merr përsipër të drejta dhe detyrime të individit dhe administrata tatimore, është e detyruar të bashkëpunojë dhe operojë me të.

Emërimi i një përfaqësuesi, nuk e shkarkon individin deklarues nga përgjegjësia tatimore. Ai mbetet ligjërisht përgjegjës, për përmbushjen e detyrimeve tatimore të tij. Fakti që përfaqësuesi i individit, mund të bëjë një gabim në deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, nuk e shkarkon këtë të fundit, nga përgjegjësia për gabimin.

Për t’u identifikuar si deklarues si kod fiskal i individit rezident shërben, numri i identifikimit personal, në letërnjoftimin e tij. Për personin jorezident, numrii identifikimit personal, në letërnjoftimin e individit jorezident.

Deklarata përmban të dhëna për:

  • të ardhurat bruto,
  • shpenzimet e zbritshme të kryera,
  • tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore (viti kalendarik)

Modeli dhe përmbajtja e deklaratës

Modeli i formularit të Deklaratës Individuale Vjetore të të ardhurave, miratohet me udhëzim nga Ministri i Financave. Më poshtë do të gjeni modelin e miratuar të deklaratës (Formulari D1 dhe D2):

  1. Modeli i Deklaratës (Formulari/D1): Deklarata individuale vjetore e të ardhurave
  2. Modeli i Deklaratës (Formulari/D2): Deklarata individuale vjetore e të ardhurave për individët e huaj

Në pjesën e parë të deklaratës, shënohet periudha tatimore që lidhet me vitin kalendarik, në të cilin individi ka përftuar të ardhurat, si dhe të dhëna identifikuese të tij. Në pjesën e dytë, paraqiten të dhënat që mundësojnë llogaritjen e tatimit, si në vazhdim.

Të ardhurat bruto

Të ardhurat bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, plotësohet për totalin e pagave dhe shpërblimeve, që deklaruesi përfiton nga të gjitha marrëdhëniet e punësimit gjatë periudhës tatimore.

Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëritë tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit, do të plotësohet, për shumën e dividentit që deklaruesi përfiton, nga të gjitha pjesëmarrjet e tij në shoqëritë tregtare, apo veprimtaritë e biznesit.

Të ardhurat bruto nga qiratë, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto që individi realizon nga dhënia me qira e një ose disa objekteve.

Sqarim:
Në rastin e qiradhënies midis dy individëve përfituesi i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Për këtë qëllimi shërben formulari Deklaratë e tatimit mbi të ardhurat nga burime të tjera

Fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme (toke, ndertesë) në pronësi të deklaruesit, do të plotësohet për fitimin kapital te realizuar.
Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme, përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi).

Fitimi kapital është i barabartë me diferencën e çmimit të shtijes me çmimin e blerjes së pasurisë së paluajtëshme.

Të ardhurat bruto nga interesat bankare, do të plotësohen për totalin e të ardhurave nga interesat bankare që individi ka përfituar, gjatë periudhës tatimore.

Fitimi kapital neto i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme do të plotësohet për totalin e fitimeve të realizuara nga investimet në tituj, shitje aksionesh, e pasuri të paluajtshme, përveç se tokë e ndërtesë.

Me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë.

Në rastin e shitjes së aksioneve,vlera e tatueshme është diferenca midis të ardhurave nga shitja e aksioneve me vlerën nominale ose të blerjes aksioneve.

Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojra të tjera të fatit, do të plotësohet për totalin e shumave bruto të fituara nga lotaritë apo lojra të tjera të fatit.
Të ardhura bruto nga pasuri intelektuale liçensa, të drejta ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto nga të gjitha, sa përshkruar më sipër.

Fitimet kapitale nga dhurimi, do të plotësohet për shumën e fitimeve kapitale të realizuara nga dhurimi. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor, do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.

Të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto, të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart, do plotësohet për totalin e të ardhurave bruto të tjera, të cilat nuk janë të përfshira në të ardhurat e sipërshënuara.

Shpenzime të zbritshme

Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë, për shkollim për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, do të plotësohet për shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, nga banka brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Shpenzimet për mjekim për vete, apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, do të plotësohet mbështetur në faturat e lëshuara nga institucionet shëndetësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për justifikimin e shpenzimeve për mjekim, sipas përcaktimeve në aktet nënligjore.

Tatimi i llogaritur për t’u paguar

Llogaritet shuma e të ardhurave të tatueshme, për diferencën ndërmjet:
shuma e të ardhurave bruto, me
shuma e shpenzimeve të zbritshme.


Llogaritet shuma e tatimit, që rezulton nga shumëzimi i:
të ardhurave të tatueshme, me
shkallën tatimore 15%.

Tatime të paguara gjatë periudhës tatimore

Rubrikat të veçanta të deklaratës plotësohen me:

  • tatime të paguara gjatë vitit kalendarik, llogaritur mbi të ardhurat bruto.
  • tatimin e llogaritur e të paguar, mbi të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Repubikës së Shqipërisë.
  • kreditimi i tatimit te huaj, është shuma në lekë e tatimit të huaj e paguar nga individët, për të ardhurat me burim nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deri në masën që këto të ardhura do të tatoheshin me shkallën tatimore 15%.

Tatimi i paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursuar, plotësohet për shumen e tatimit të paguar tepër, nga viti i mëparshëm dhe që rezulton i parimbursuar deri në ditën e deklarimit.

Kërkesë për rimbursim, plotësohet për shumën që kërkohet të rimbursohet.

Tatimi i paguar tepër (për rimbursim), plotësohet për diferencën nëse tatimi i paguar gjatë periudhës tatimore, është më i madh se tatimi i llogaritur sipas deklaratës .

Tatimi i detyrueshëm për t’u paguar, plotësohet për diferencën midis:
1. shumës së tatimit të llogaritur sipas deklaratës, minus
2. shumën e tatimit të paguar,
minus
3. tatimin e paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursuar.

Mënyra e deklarimit

Dorëzimi për formularin D1 – Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave dhe formularin D2 – Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave për Individët e Huaj kryhet nëpërmjet formës elektronike dhe është i disponueshëm në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Afati i deklarimit

Individët rezidentë dhe individët jorezidentë, subjekt i deklarimit, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill, e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.

Shkarko:

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online