TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Apelimi tatimor

Organizatat Jofitimprurëse dhe Entet Publike

Ku mund të ankohemi për veprime të Administratës Tatimore që i konsiderojmë të padrejta?

Ankimi bëhet vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, e cila, që nga 1 Janari vitit 2017, është pjesë e strukturës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Çfarë rregullash ka për të bërë një ankim?

  1. Duhet të kesh një dokument (të dërguar nga Adminstrata Tatimore) i cili prek interesat e tatimpaguesit (lexo më poshtë se ç’mund të jetë ky dokument).
  2. Të ankohesh brënda 1 muaji nga marrja në dijeni për aktin administrativ që të ka dërguar Administrata Tatimore.
  3. Brenda këtij muaji duhet të paguash ose të vendosësh garanci bankare për detyrimet që përmban njoftimi i vlerësimit së bashku me kamatëvonesat deri në datën e pagesës. Gjobat, as nuk parapaguhen e as vihet garanci.

Pa këto dokumenta, Drejtoria e Apelimit e refuzon ankimin.

Përse mund të ankohemi?

  1. Për çdo “Njoftim-vlerësimi për detyrimet tatimore” që ju ka dërguar Administrata Tatimore dhe ju me gjykoni të padrejtë.
  2. Çdo akt tjetër administrativ që ndikon detyrimin tatimor të tatimpaguesit, përfshirë edhe kërkesën për kompesim.
  3. Çdo akt që ndikon në kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit.
  4. Çdo akt që ndikon në kërkesën e tatimpaguesit për lehtësim tatimor.
  5. Mund të ankimohen gabimet e bëra nga administrata në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës.
  6. Vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të ndryshme të gjobave.
  7. Ankimi mund të bëhet edhe kundër një mosveprimi, të Administratës Tatimore që ndikon në detyrimin tatimor të tatimpaguesit.


Nuk mund të ankimohen: Masat administrative që kanë të bëjnë me masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore si urdhër bllokimi i llogarive bankare; njoftimi dhe kërkesa për të paguar; njoftimi për palë të treta dhe aktet administrative që lidhen me konfiskimin e mallrave.

Çfarë dokumente duhen dërguar në Drejtorinë e Apelimit për ankimin?

  1. Kërkesën me shkrim ku të përshkruajë pretendimet e tij. Në këtë kërkesë duhet të shënohen emri dhe adresa e tatimpaguesit; numri i regjistrimit të tatimpaguesit (NIPT-i) dhe në mbyllje të saj e nënshkruan.
  2. Aktin administrativ të nxjerrë nga Administrata Tatimore.
  3. Vërtetimin e pagesës së detyrimit dhe kamatëvonesave (urdhër-pagese i kaluar në bankë).
  4. Në mungesë të pagesës, garanci bankare ku të përfshihen detyrimet + kamatvonesat.
  5. Informacione në mbështetje të ankimit si raporte kontrolli, proces-verbale, akte-konstatimi etj.
  6. Çdo dokument tjetër që ankimuesi e çmon të rëndësishmë se ndihmon zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Si dërgohet ankimi në Drejtorinë e Apelimit?

Ankimi mund të dorëzohet dorazi ose dërgohet me postë rekomande. Datë e marrjes së ankimimit nga Drejtoria e Apelimit Tatimor, konsiderohet data e protokollimit për ankimet e dorëzuara dorazi, dhe data e dorëzimit në postë kur ankimi bëhet nëpërmjet postës.

Tatimpaguesi, në dokumentet që dorëzon për ankim, duhet të vërtetojë datën e marrjes së aktit administrativ, objekt ankimi. Si provë, mund të shërbejë kopja e zarfit nëpërmjet të cilit është dërguar ankimi pranë tatimpaguesit, kopja e regjistrimit të dorëzimit të objekteve postare nga zyra postare etj.

Disa çështje që duhen mbajtur parasysh gjatë apelimit.

  1. Drejtoria e Apelimit gjatë shqyrtimit mund të kërkojë dokument shtesë dhe tatimpaguesi është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës.
  2. Barra e provës për të vërtetuar të kundërtën e vlerësimit të Administratës Tatimore i takon tatimpaguesit.
  3. Në rast se tatimpaguesi e ka humbur afatin e ankimit, ai duhet të argumentojë dhe provojë me dokumentacionin e nevojshëm se humbja e afatit të ankimit nuk është për faj të tij.
  4. Pas rivendosjes në afat, ankimi duhet bërë mbas 15 ditësh e jo pas 1 muaji sikurse ishte pa e humbur këtë afat.
  5. Në rast se tatimpaguesi ka dëshirë të dëgjohet edhe me gojë, ai mund ta kërkojë këtë në ankimin e vet.

Ku mund ta lexojmë më hollësisht bazën ligjore të ankimit?

  • Ligji 9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” nga neni 106 deri tek neni 110.
  • Udhëzimi i Ministrit të Financave nr. 24 datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” nga paragrafi 106 deri tek paragrafi 110.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

Ju duhet ndihmë?

Lini kontaktet tuaja. Ne do t’ju përgjigjemi shumë shpejt.

+355693232349
[email protected]

Kontakto

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online