TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Të jesh një punëdhënës

Sipërmarrësit

Është e rëndësishme të dini se kur regjistroni si një sipërmarrje, në të njëjtën kohë do të duhet edhe të vetëpunësoheni, të punësoni apo të kontaktoni dikë që do të ndihmojë në zhvillimin e aktivitetit tuaj.

Nëse e bëni këtë, do të lindë marrëdhënia punëdhënës-punëmarrës, sipas termave të përcaktuara në Ligjin Nr. 9136, datë 11.09.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar si dhe në Kodin e Punës.

Punëdhënësit nëpërmjet kontratave të punës me punëmarrësin përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet si dhe pagën për punën e kryer. Në bazë të kontratave të punës, punëdhënësit duhet të garantojnë deklarimin e punëmarrësit, llogaritjen, mbajtjen dhe pagesën në organet tatimore të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të tatimit mbi pagën.

Shkurtimisht si te orientohemi lidhur me detyrimet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore ?

Organi përgjegjës për mbledhjen e kontributeve është administrata tatimore, për llogari të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të “Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”.

Një i vetëpunësuar është një tatimpagues i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në organet tatimore si “person fizik”.

I vetëpunësuari mund ta ushtrojë veprimtarinë ekonomike me këto statuse:

  • i vetëpunësuar i vetëm;
  • i vetëpunësuar me punëmarrës;
  • i vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes;
  • i vetëpunësuar pa punëmarrës me punonjës të papaguar të familjes.

Termi “i vetëpunësuar” nuk përfshin personin e vetëpunësuar në bujqësi.

Personi i vetëpunësuar është përgjegjës për pagesën e kontributit dhe për punonjësit e papaguar të familjes.

Pensionistët e vetëpunësuar, të cilët marrin pension dhe që ushtrojnë, të vetëm, veprimtari ekonomike profesionale, nuk kanë detyrimin për të paguar kontribute për sigurime shoqërore dhe kujdesit shëndetësor.

Punëdhënësi është përgjegjës për mbajtjen e kontributeve të punëmarrësit dhe për pagesën në organet tatimore, së bashku me detyrimin e punëdhënësit për kontributet si më poshtë:

Kontribute të detyrueshme të sigurimeve shëndetësore – janë kontributet që paguhen në mbështetje të nenit 5, të Ligjit Nr. 10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kontribute të detyrueshme të sigurimeve shoqërore – janë kontributet që paguhen në mbështetje të neneve 9 dhe 13, të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet e vetë punëmarrësit llogariten mbi pagën bruto të punëmarrësit dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës, brenda një page bruto minimale dhe nivelit maksimal të pagës, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet e vetë punëmarrësit llogariten sipas nivelit të përcaktuar mbi pagën bruto të punëmarrësit dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës, e cila nuk mund të jetë më e vogël nga paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi pagën minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Deklarimet dhe pagesat e kontributeve bëhen sipas afateve të përcaktuara në ligj.

Kur veproni si punëdhënës në lidhje me marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës, ju paguani pagat e punëmarrësve, kontributet dhe detyrimet sipas deklaratave që dorëzohen periodikisht:

  • Ju duhet të deklaroni çdo punonjës që fillon punë për herë të parë si të punësuar rishtazi të paktën 1 ditë kalendarike përpara fillimit të punës.
  • Ju duhet te deklaroni çdo person i cili largohet nga puna në organin tatimor brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit. Këto deklarata shërbejnë si deklarime edhe për Inspektoratin Shtetëror të Punës, siç përcaktohet në nenin 22, pikat 4 dhe 5, të Ligjit Nr. 9634, datë 30.10.2006, “Për Inspektoratin e Punës”, të ndryshuar, dhe i vihen në dispozicion këtij të fundit nga ana e administratës tatimore në rrugë elektronike.
  • Ju duhet të deklaroni listëpagesën.

Ju duhet të paraqisni deklaratat tatimore periodike si në tabelë

Lloji i deklarimitAfati i deklarimitAfati i pagesës
Deklarimi mujor i tatimit mbi të ardhurat nga punësimi (TAP)Jo më vonë se data 20 e muajit që pason periudhën tatimore për tatimpagues të regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim mbi fitimin; për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim i thjeshtuar mbi fitimin kryhet brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarikJo më vonë se data 20 e muajit që pason periudhën tatimore, për tatimpagues të regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim mbi fitimin; për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim i thjeshtuar mbi fitimin kryhet brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik
Deklarimi mujor i Sigurimeve Shoqërore dhe ShëndetësoreJo më vonë se data 20 e muajit që pason periudhën tatimore për tatimpagues të regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim mbi fitimin; për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim i thjeshtuar mbi fitimin kryhet brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarikJo më vonë se data 20 e muajit që pason periudhën tatimore, për tatimpagues të regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim mbi fitimin; për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim i thjeshtuar mbi fitimin kryhet brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik
Deklarimi i tatimit në burimJo më vonë se data 20 e muajit pasardhësJo më vonë se data 20 e muajit pasardhës

Deklarata në këtë rast do të përfshijë personat edhe vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes, si dhe të punësuarit.

Modelet e deklaratave tatimore mund ti gjeni më poshtë.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online