Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit të individit.
Në të ardhura nga pagat përfshihet:
a. Paga bazë; b. Shtesat mbi pagën bazë që kanë karakter të përhershëm si
shtesat për vjetërsi,
vështirësi,
largësi vendbanimi,
natyrë të veçantë pune apo shërbimi,
shtesa të tjera page e shpërblimi të bëra me akte të tjera ligjore e nënligjore.
Në shpërblime të tjera përfshihen:
të gjitha të ardhurat apo shpërblimet që përfitohen nga rezultatet e punës në vendin e punësimit aktual të individit.
të ardhurat që merr individi në formë shpërblimi nga fondi i veçantë,
nga fonde të krijuara me akte të ndryshme ligjore apo statutore të shoqërive, si pagë e 13-të, apo pagesa të ndryshme të kësaj natyre.
të ardhura që realizohen nga pjesëmarrja e individit në komisione, komitete, këshilla, borde drejtuese, këshilla mbikëqyrëse, etj.
Përjashtohen të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet për marrëdhëniet e punës të zyrtarëve të konsullatave, diplomatët, ose funksionarë të ngjashëm të vendeve të tjera, si dhe të organizatave ndërkombëtare, të cilët, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre zyrtare në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me konventat ose marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara, ose të pranuara nga Republika e Shqipërisë apo Qeveria Shqiptare, kanë statusin e diplomatit.
2. Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit.
Nuk përfshihet fitimi neto (pas pagimit të tatimit mbi fitimin apo tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël) i personave fizikë tregtarë, pavarësisht nëse këta të fundit janë subjekt i tatimit mbi fitimin apo tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël.
3.Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit.
Të ardhura nga qiraja do të konsiderohen të gjitha të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e tokës, ndërtesave e objekteve të tjera që shërbejnë për banim, aktivitet industrial, tregtar, shërbimi etj., por pa u kufizuar vetëm në to.
Vlera e dhënies me qira të ndërtesës përcaktohet në kontratën e noterizuar të qirasë, sipas legjislacionit të fushës. Në kontratë, veç të tjerave, duhet, detyrimisht, të përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja, në metër katror, dhe vlera mujore e qirasë së objektit.
Kujdes: Në asnjë rast, vlera e dhënies me qira të ndërtesës, nuk do të jetë më e vogël se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar me Vendim nga Këshilli i Ministrave. Vlera minimale mujore, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është e barabartë me 0.3 % të çmimit të shitjes së saj, i cili nga ana e tij, është përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit (shkarko VKM në fund të faqes).
Tatimi mbi të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë, paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme.
Me kalim të së drejtës së pronësisë, kuptohet një akt shitjeje apo dhurimi i pasurive të paluajtshme. Në këtë grup janë të ardhurat që rezultojnë, nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesa.
Pagesa e tatimit bëhet pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, para kryerjes së regjistrimit të pasurisë së paluajtshme.
4. Të ardhurat bruto nga interesa bankarë.
Të ardhura nga interesat bankare konsiderohen të gjitha interesat nga llogaritë personale apo të përbashkëta të individëve, në banka ose në institucione të tjera financiare, si dhe të gjitha interesat nga depozitat personale ose të përbashkëta me afat, në formën e llogarisë me afat, çertifikatës së depozitës me afat, kontratës për depozitë me afat, si dhe çdo e ardhur tjetër në formë interesi
5. Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;
6. Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit; përfshihen të ardhurat bruto të fitura në llotari apo lojra fati sipas përcaktimit në ligjin “Për Lojrat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”
7. Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
Këto janë të ardhura që lindin nga përdorimi apo e drejta për të përdorur të drejtat e autorit në letërsi, art, muzikë apo shkencë, që përfshijnë përdorimin apo të drejtën për të përdorur filmat kinematografikë, filmat dhe regjistrime te ndryshme për radio apo TV, çdo patentë, markë tregtare, skicë apo model, projekt, formulë sekrete, informacion apo proçes teknologjik, lidhur me aktivitete industriale, tregtare apo shkencore.
8. Fitimi kapital nga dhurimi.
Dhurimi është një kontratë, me anë të së cilës njëra palë i kalon në pronësi pa shpërblim, palës tjetër një send të caktuar, ose një të drejtë reale të cilat kjo i pranon.
9. Të ardhura bruto të realizuara jashtë, territorit të Republikës së Shqipërisë;
10. Të ardhura bruto të tjera.
Në këtë kategori bëjnë pjesë, të gjitha të ardhurat e përfituara të cilat nuk janë listuar më lart. Shembuj të ardhurash të tilla , janë edhe të ardhurat nga enfiteoza dhe huatë.
Me termin “enfiteozë” do të kuptohet kontrata, me të cilën një personi i jepet e drejta të përdorë dhe të përmirësojë një pasuri të paluajtshme. E ardhur nga enfiteoza konsiderohet, shpërblimi periodik në të holla ose në natyrë, që i paguhet pronarit të pasurisë së paluajtshme, nga personi që e merr pronën në përdorim.
Kujdes: Në rastet kur marrësi në përdorim, sipas kontratës midis palëve, kryen shpenzime për përmirësimin dhe përshtatjen e kësaj pasurie për nevojat e tij, atëherë këto shpenzime do të konsiderohen, si të ardhura për individin pronar të objektit dhe do të tatohen sikur të ishin e ardhur nga enfiteoza.
E ardhur nga huaja, do të konsiderohet çdo e ardhur e përfituar, nga dhënia në formën e huasë e mjeteve monetare, apo të mjeteve të tjera të ngjashme me to.
Kujdes: Të ardhurat e përcaktuara si të ardhura të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale sipas dispozitave të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” (në nenin 8/1 të këtij ligji), nuk përfshihen në të ardhurat bruto për efekt të plotësimit të deklaratës së të ardhurave.