Si veprohet për të raportuar informacionin vjetor?
Me krijimin e një sipërmarrje lind edhe detyrimi për të plotësuar deklaratat sipas përgjegjësive tatimore për të cilat është regjistruar tatimpaguesi (tatimi mbi fitimin, TVSH, sigurime shoqërore dhe shëndetësore, tatimi mbi të ardhurat nga punësimi si dhe tatime/taksa të tjera në varësi të objektit të aktivitetit të sipërmarrjes). Deklaratat hartohen sipas formularëve të miratuar me udhëzim të Ministrit të Financave.
Deklarata e të ardhurave të tatueshme plotësohet dhe dorëzohet në baza vjetore. Çdo tatimpagues përgatit deklaratën vjetore të të ardhurave të tatueshme dhe e paraqet atë pranë administratës tatimore brenda datës 31 Mars të vitit pasardhës, duke paraqitur në të njëjtën kohë Pasqyrat Financiare të Shoqërisë, si dhe çdo të dhënë tjetër të përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave në zbatim të Ligjit 29/2023 Për Tatimin mbi të adhurat, i ndryshuar..
Këto informacione janë objekt i vetëdeklarimit, i cili duhet të plotësohet dhe paguhet nga tatimpaguesi në llogarinë e organeve tatimore, në çastin e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave të tatueshme. Çdo tatimpagues bën vetëdeklarim të shumës së detyrimit tatimor apo të kontributit, pa pritur vlerësimin, njoftimin ose kërkesën nga administrata tatimore dhe e paguan tatimin në llogarinë e organeve tatimore.
Informacioni i përfshirë në deklaratën vjetore të të ardhurave të tatueshme përmban të dhëna për efekt të llogaritjes së të ardhurave të tatueshme (pasqyrat financiare).
Bilanci është një nga pasqyrat financiare që tregon pozicionin financiar (aktivet, pasivet dhe kapitalin) e një njësie ekonomike raportuese në një datë të caktuar.
Pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve është një tjetër pasqyrë financiare që tregon performancën ekonomike (të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin/humbjen) e një njësie ekonomike raportuese gjatë një periudhe kontabël. Pasqyra e fluksit monetar tregon fluksin e parave (arkëtimet dhe pagesat në parà dhe ekuivalentet e saj) të një njësie ekonomike raportuese gjatë një periudhe kontabël.
Pasqyra e ndryshimeve në kapitalin neto tregon ndryshimet në kapitalin e një njësie ekonomike raportuese gjatë një periudhe kontabël, etj. (në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”).
Kërkesa për informacion është e gjerë dhe përmban çdo informacion të mundshëm dhe të nevojshëm për të bërë një vlerësim tatimor të tatimpaguesit si dhe të tatimpaguesve të lidhur me të, çka do të shërbejë në llogaritjen e të ardhurave të tatueshme për qëllime tatimore.
Rëndësia mbi korrektësinë e raportimit
Për shkak të rolit shumë të rëndësishëm që informacioni i raportuar ka për tatimpaguesin, por që sjell efekte edhe për palët e treta, është e rëndësishme që të gjitha informatat vjetore të raportohen saktë dhe në kohë.
Administrata Tatimore, nëpërmjet deklaratave të tatimpaguesve dhe gjithë mekanizmave të tjerë ligjorë, merr informacione të rëndësishme nga palët e treta, nga punëdhënësit si dhe nga gjithë palët e tjera të lidhura që përmbushin detyrimin ligjor të raportimit. Gjatë punës së saj administrata tatimore analizon këto informacione të marra nga tatimpaguesit dhe nga palët e lidhura, duke konkluduar me një vlerësim tatimor.
Cili është informacioni që do duhet të raportohet?
Tatimpaguesi vë në dispozicion të administratës tatimore librat, regjistrimet, informacionin, dokumentet e nevojshme për të kryer llogaritjen e saktë të detyrimeve të tyre tatimore.
Me kërkesën e administratës tatimore, tatimpaguesi jep shpjegime shtesë, me gojë ose me shkrim. Ky detyrim përfshin, por nuk kufizohet në:
plotësimin, nënshkrimin dhe kthimin e pyetësorëve ose të kërkesave të tjera me shkrim për informacione apo dokumente nga administrata tatimore, brenda 20 ditëve nga data e postimit të kërkesës ose e dërgimit elektronik të tatimpaguesit;
takimin me punonjës të administratës tatimore gjatë orarit të punës, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të dhënë informacion, sipas nenit 94 të këtij ligji.
Kërkesa e administratës tatimore për shpjegime shtesë bëhet vetëm për informacione, të lidhura me transaksionet tregtare të tatimpaguesit, proceset ose procedurat teknike dhe me operacionet financiare ndërmjet tatimpaguesit dhe palëve të treta.
Agjenti i mbajtjes së tatimit në burim duhet t’i japë administratës tatimore informacion të saktë për deklaratat e tatimpaguesve në datën që i kërkohet të informojë.
Detyrimi i të tretëve për të dhënë informacion
Me kërkesën e administratës tatimore, palët e treta japin informacion, me shkrim ose me gojë, vënë në dispozicion librat dhe regjistrimet, si dhe informacion tjetër për detyrimin tatimor të një tatimpaguesi, me të cilin ata kanë hyrë në transaksione tregtare ose financiare. Ky detyrim përfshin, por nuk kufizohet në:
plotësimin, nënshkrimin dhe kthimin e pyetësorëve me shkrim, ose të kërkesave të tjera, me shkrim, për informacion ose dokumente, nga administrata tatimore, brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur kërkesa, dërguar me postë ose në mënyrë elektronike, është marrë ose vlerësohet të jetë marrë prej palës së tretë;
takimin me punonjësit e administratës tatimore gjatë orarit zyrtar të punës në mjediset e veprimtarisë ekonomike të palës së tretë ose në zyrat e administratës tatimore, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të dhënë informacion, në bazë të fletëthirrjes me shkrim.
Informacion lidhur me zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
Me kërkesë të administratës tatimore, për qëllim të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare për çështjet tatimore ose për qëllim të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat parashikojnë asistencë administrative në çështjet tatimore, të cilat janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, çdo person duhet të japë informacion në përputhje me dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën tatimore, përfshirë, por pa u kufizuar, në informacionin e mbajtur nga banka dhe institucione të tjera financiare.
Personat, të cilëve u adresohet kërkesa për të dhënë informacion
Kërkesa me shkrim për dërgimin e informacionit u drejtohet:
personave juridikë, për:
dividendët, që u paguhen aksionarëve ose ortakëve;
personat, me të cilët janë duke kryer ose kanë kryer transaksione financiare apo tregtare;
pagesat e bëra për nënkontraktorët apo në pozicionin e nënkontraktorit;
debitorët dhe kreditorët;
bankave dhe institucioneve financiare, për:
pagesat e interesit;
depozitat dhe detyrimet në fund të vitit;
veprime të tjera bankare;
regjistrin elektronik të llogarisë bankare, në emër të tatimpaguesve, përfshirë emrin tregtar dhe numrin personal të identifikimit;
shoqërive komisionere ose fondeve të investimeve kolektive, për transaksionet e titujve;
agjentëve të pasurisë së paluajtshme, për veprimet ndaj klientëve;
blerësve ose shitësve të pasurisë së paluajtshme, për përshkrimin dhe çmimin e pasurisë së paluajtshme;
noterëve, për veprime noteriale, për shitblerje të pasurive, të luajtshme apo të paluajtshme, apo kontrata sipërmarrjeje;
personave juridikë, rezidentë dhe jorezidentë, për pagesat e bëra personave jorezidentë;
institucioneve shtetërore dhe nëpunësve të administratës shtetërore;
kontraktorëve të tjerë të tatimpaguesit;
donatorëve, organizatave ndërkombëtare, organizatave jofitimprurëse, vendase dhe të huaja, për pagesën bërë tatimpaguesve për furnizimin e mallrave dhe të shërbimeve.
Administrata tatimore mund të kërkojë përdorimin nga tatimpaguesit të formularëve të veçantë, për dorëzimin e dokumentacionit, informacionit apo kërkesave. Kur nuk kërkohet formular, çdo komunikim, i kërkuar sipas legjislacionit tatimor, dërgohet në mënyrë elektronike ose dorëzohet me shkrim, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe.
Në rast mosdhënieje të informacionit, aplikohen penalitete, sipas nenit 126 të ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.